Oshtima

Nga malet e Shqipërisë

Janar 1907

Thirrje drejtuar popullit shqiptar për t’u hedhur në kryengritje kundër zgjedhës turke.

Me anë të kësaj u njoftoj vëllezër shqiptarë dhe atyre që iu intereson të dinë arsyen pse unë në vendim tim kam braktisur pasurinë dhe kam dalë në mal: Turqia është ndër gjithë të tjerat shoqëria më e fundit, më çnjerëzore, më e shkatërruara në botë, që përbëhet nga hajdutë grabitqarë dhe njerëz imoral. Ajo e ka varfëruar Shqipërinë, e ka shkatërruar materialisht dhe nuk ka lejuar që në të të depërtojë asnjë fije arsimi, kështu që sot nuk mund t’i gjesh shoqen në botë.

Nëpër krahinat e Shqipërisë ku Turqia akoma mund të grabisë dhe të shpërdorojë, nuk u ka mbetur shqiptarëve as shtëpi, as prokopi, as tokë, as bagëti, asnjë dituri dhe kurrfarë shprese, ndërsa Turqia e pangopur vazhdimisht kërkon tatime dhe taksa shumë të rënda, i merr shqiptarët në ushtri dhe i dërgon në vdekje në Azinë e Vogël dhe gjetkë, ndërsa kjo e mallkuar s’ka bërë asgjë ama asgjë, nuk bën e as nuk mendon të bëjë ndonjë gjë të mirë.

Ajo nuk na ka dhënë as minimumin e shkollave të nevojshme, të rrugëve, të urave ose ndonjë gjë tjetër që i përket arsimit dhe ekonomisë. Ajo na mban si robërit më të fundit dhe më të zinj të botës dhe gjithë ato të holla që qeveria merr nga ne në formë haraçi, taksash dhe detyrimesh të ndryshme fiskale, i dërgon në Stamboll  nga ku për vendin tonë nuk jepet asgjë. Përveç kësaj, u është lejuar shërbëtorëve të njohur dhe të panjohur të qeverisë së Sulltanit që me mënyra të veçanta të marrin haraçe dhe të plaçkitin nën maska të ndryshme dhe me pretekste të ndryshme. Atëherë përpara një gjendjeje të tillë çfarë dobi kanë shqiptarët në Shqipëri? Në përgjithësi gjithçka, deri në palcë, është vënë në shërbim të Turqisë dhe prej asaj asgjë të mirë dhe të nevojshme për ta. Edhe ai, i cili do të shikojë me gjakftohtësi dhe do të gjykojë me mençuri mbi administratën ose më mirë të themi mbi anarkinë e Turqisë tek ne, do të shohë dhe do të kuptojë se Shqipëria armikun më të madh dhe më shkatërrimtar e ka në Turqi (e ndoshta në vetë Turqinë) dhe për këtë është e domosdoshme që atë ( në rast se ne të paktën që sot e tutje duam të jetojmë jetën e njerëzve të sotshëm), duhet ta përzëmë nga vendi ynë.

E kaluara ka vërtetuar se Turqia nuk mund të ndreqet dhe janë budallenj ose të themi injorantë të gjithë ata, të cilët presin prej saj diçka të mirë dhe përparimtare sadopak qoftë ajo dhe të cilët po të kishin mendjen e shëndoshë do të kuptonin lehtë se nuk mund të gjesh fjalë për të përshkruar gjendjen e sotme të tmerrshme në Shqipëri, të cilën e ka mbuluar egërsia dhe barbarizmi i ardhur nga Azia.
Për të kuptuar më për së afërmi se ç’bëhet me të ardhurat e mëdha që nxirren prej nesh, shkova në Stamboll, i cili nga vapori në Bosfor, para se të hysh në të, duket si një parajsë e imagjinuar, por sapo të shkelësh në bregdetin e Stambollit do të shohësh se ky është një skëterrë, dhe se sulltani dhe xhelatët e spiunët e tij janë armiq të paparë.

Duke hyrë në rrugën e parë të Stambollit, të rrethojnë afro 50 spiunë dhe 50 hajdutë për të të marrë jetën dhe pasurinë dhe është i lumtur ai që shpëton nga sulmi i parë, por nuk duhet të gëzohet se ka shpëtuar krejt, se pse së shpejti do ta takojnë grupe të tjera të tilla ose më të këqija dhe mjerë ai që do të thotë diçka që nuk do t’u pëlqente këtyre ose të kërkonte ndonjë njeri, i cili do të ishte për çfarëdo arsye i dyshimtë ose i çuditshëm për ta, dhe në këtë rast atë të mjerin padyshim do ta hanin peshqit e Bosforit ose do ta dërgonin në internim në Anadoll, ku për njerëzit e krahinave tona është më mirë vdekja sesa jeta.

Kudo që të shkosh dhe të kthehesh, të shoqërojnë agjentët e fshehtë të policisë. Çdo tregtari ose zejtari i kanë vënë nga një qehaja (mbikëqyrës), më shumë për t’i rrjepur sesa për t’i mbikëqyrur, gjë për të cilën ata nuk kanë as ide por njëkohësisht këta janë edhe spiunët e sulltanit, kështu që secili rrjep nga viktimat e tij afërsisht njëmijë lira ari në vit.
Këtyre parazitëve, edhe jashtë Stambollit, çdo tregtar dhe zanatçi duhet t’u paguajnë nga 20-30 franga në muaj, vetëm për të shpëtuar nga shpifjet.
Veç kësaj shpeshherë vjen ndonjë «revizionim» dhe atëherë si të pasurit ashtu edhe të varfrit e pafajshëm i rrjepin barbarisht. Shpeshherë në shumë vende në Turqi dhe në Shqipëri dalin çeta të tëra hajdutësh qeveritarë dhe me pretekstin se «sulltani ose pashai kërkon që sot, për nevojat të cilat ju nuk mundeni t’i dini», 2-3000 lira ari, dhe po të mos i mblidhni menjëherë, ju hëngri dreqi; fshati ose qyteti të cilit i bie ky fat duhet të veprojë pa asnjë fjalë sipas urdhëresës. Shpeshherë policët natën, ngandonjëherë edhe ditën, vishen me rroba civile dhe bëhen jankesixhi (hajdut të rrugëve).
Kështu një bashkudhëtari tim në stacioni hekurudhor të Sirçezhicës i vodhën nga xhepi 13 lira ari. Veçanërisht në Stamboll dhe në rrethet e tij, nëpër komunet, gjykatat janë mbledhur vjedhës dhe kusarë; me të këqij janë cubat e huaj nëpër krahinat e Shqipërisë.

Dhe të gjithë këto të holla të mëdha që mblidhen nga të katërt anët, mbasi arrijnë në Stamboll, ndahen midis zotërinjve të mëdhenj të «Ildiz Qoshk»1 dhe midis spiunëve të tij kryesorë, midis dashnorëve të tyre dhe midis zyrtarëve të mëdhenj të ministrive, kurse nëpunësve të vegjël asgjë nga këto, sepse atyre u thuhet se ata vetë dhe në mënyrë të veçantë duhet të shpërblehen drejtpërdrejtë nga vetë populli. Kjo vlen dhe për Shqipërinë, sidomos për sa u përket policëve. A mund vallë të numërohen dhe të përshkruhen torturat dhe të këqijat tona dhe barbarizmi e çnjerëzimi i Turqisë? Për shkak të këtyre vuajtjeve dhe torturave  të cilat na shtypin dhe na shkatërrojnë në gjendjen e tmerrshme të sotme, edhe ne, si dhe popujt e tjerë në Turqi, duke u bërë si të pamend dhe të egërsuar nga robëria e rëndë, nga errësira dhe injoranca, vendosëm të luftojmë për jetë e vdekje kundër hordhisë hajdute dhe të egër që quhet shtet turk në të cilin Shqipëria është më keq nga të tjerët.

Grekëve, armenëve, rumunëve, bullgarëve, sirianëve, arabëve Turqia të paktën u ka lejuar arsimin në gjuhën e tyre, por shqiptarëve të cilët janë më të shumtë nga disa popuj në Turqinë Evropiane, nuk u lejon as këtë, sepse si fajtorë dhe kriminel i madh ka frikë nga arsimi i tyre. Prandaj kryengritja dhe lëvizja revolucionare e jonë për të drejtat dhe gjuhën tonë të cilën na e ka dhënë zoti njësoj dhe njëkohësisht me popujt e tjerë është shumë e justifikueshme dhe e kuptueshme.

A mund dhe a na lejohet të heshtim më tutje dhe të heqim dorë nga të drejtat tona dhe nga gjuha që na ka dhënë zoti, dhe të mos punojmë për to, në mënyrën më energjike, me të gjithë mjetet e mundshme dhe duke mos kursyer kurrfarë sakrifice për të arritur qëllimin?!
A ka mëkat dhe turp më të madh sesa të mohosh gjuhën dhe kombësinë tënde?!
Jo sigurisht jo. Dhe ne me dashje ose pa dashje duhet ta fillojmë punën që të fitojmë të gjitha të nevojshmet se në këtë na shtyn edhe zoti, e drejta, miqtë bile dhe armiqtë.

Këto janë arsyet dhe hallet që më detyruan që së bashku me vëllezërit dhe miqtë të largohem dhe të dal në male për shpëtimin e Atdheut.

Të dashur vëllezër dhe miq! Nuk ka jetë ose vdekje më të mirë nga ajo që do t’i kushtohet të mirës dhe përparimit të kombit të vet. Ne, vëllezër, nuk kemi asgjë të përbashkët me Turqinë përveç fesë (edhe këtë vetëm një pjesë nga ne), e cila, përpara Atdheut, kombit dhe lirisë, amanetit të lënë nga gjyshërit për dashurinë kundrejt Atdheut dhe gjuhës, nuk do të thotë asgjë. Liria është kushti dhe mjeti i vetëm i ringjalljes sonë, dhe për ta arritur këtë na duhet marrëveshja dhe uniteti i plotë dhe, në këtë mënyrë, do t’ia zbardhim faqen vetes dhe Atdheut do t’i kthejmë nderin e tij, lavdinë e vjetër dhe madhështinë.

Me besën tek zoti, tek e drejta dhe besa e udhëheqësve shqiptarë, unë shpresoj se verën e ardhshme do të arrijmë qëllimin, duke u ngritur të gjithë së bashku, gegë dhe toskë (shqiptarë të Veriut dhe shqiptarë të Jugut) me armë në dorë dhe duke luftuar të bashkuar dhe vëllazërisht jo për llogari të armikut tonë – Turqisë në Azi – por për lirinë e Shqipërisë sonë të dashur gjersa ta fitojmë atë dhe kështu të shpëtojmë dhe vetes t’i sigurojmë emrin e pavdekshëm. Unë nuk dyshoj se të gjithë shqiptarët më të pasur, kudo që të jenë, do ta ndihmojnë kryengritjen tonë dhe kryengritësit me mjetet e nevojshme nëpër malet e Shqipërisë, qofshin ata myslimanë ose të krishterë, duke dhënë për këtë një pjesë të pasurisë së tyre për nderin dhe shpëtimin e Atdheut, pa të cilin as ata nuk do të kenë një jetë njerëzore. Të gjithë ju pleq të pafuqishëm shtyni dhe pajisni rininë tuaj në luftë, në fushën e nderit, në malet për mbrojtjen dhe shpëtimin e Atdheut.
Dhe ju shqiptarë më të mençur dhe më të mësuar që nuk mund të dilni nëpër çeta në mal, sepse për një arsye ose tjetër nuk keni mundësi, megjithëse edhe ju do të ishit të nevojshëm atje, shkruani në gazetat e botës, kështu që të njihet më mirë çështja jonë nga bota (e vetmia në rendin e ditës), dhe në këtë mënyrë të fitoni miq dhe ndihmë edhe atje.
Edhe ju që keni miq në Evropë dhe Amerikë duhet të lidheni dhe kështu t’u drejtoheni atyre me lutje për ndihmë morale dhe materiale. Ju shkrimtarë dhe poetë duhet të shkruani artikuj të ashpër në gazeta dhe këngë – marshe – me frymën e trimërisë dhe luftarake dhe në këtë mënyrë të inkurajoni dhe të forconi zemrat e luftëtarëve në fushën e betejës.

Ditën  e Shëngjergjit të këtij viti, të cilën e festojnë myslimanë dhe të krishterë duhet të dëgjohet me nder dhe mburrje zëri i fuqishëm i kryengritjes së madhe popullore shqiptare që nga Greqia e deri në Malin e Zi dhe që nga gjiri i Selanikut e deri në Serbi. Duke kryer të gjithë vetëm detyrën tonë, ne do të arrijmë suksesin e madh, qëllimin tonë.

Me krenari dhe nder do të kujtohet emri i atij që duke luftuar për lirinë dhe shpëtimin e kombit të vet do të bjerë në fushën e betejës, në fushën e nderit, dhe kujtimi i tij në pasardhësit tanë do të rrojë përgjithmonë dhe do të kujtohet si shenjt-martir. Një vdekje e tillë është shembull dhe pavdekshmëri; mos vallë kjo s’është shumë më mirë sesa të vdesësh i padëgjuar dhe si grua në shtrat?! Nuk dyshoj asnjë çast se zëri im flet në emër të disa mijëra kryengritësve do të dëgjohet edhe nga disa mijëra shqiptarë të tjerë të të gjithë krahinave, myslimanë dhe të krishterë, dhe këtyre të fundit ne myslimanët u japim besën, se nuk do ta prishim kurrë bashkimin tonë, se kohët e vjetra nuk do të kthehen dhe se do të ndreqim gabimet e vjetra. Vetëm kështu të bashkuar përpara dhe trimërisht, edhe ne – me ndihmën e zotit – të drejtësisë dhe dashurisë për kombin dhe të afërmin do të shpëtojmë. Rroftë (revolucioni) kryengritja në Shqipërinë e robëruar, e cila do t’i sjellë asaj lirinë, lumturinë dhe mirëqenien.

 

 

«Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878 – 1912», Akademia e Shkencave, Tiranë 1978, f.

Çerçiz Topulli


1) Pallati i Sulltanit

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...