Oshtima

Konsiderata rreth origjinës ilire të popullit shqiptar

Populli shqiptar zë sot një vend, i cili në kohën e antikitetit banohej nga ilirët e mirëfilltë; ata që Plini i quante lllyri proprie dicti. Ata ishin dhe më të avancuarit nga pikëpamja e zhvillimit shoqëror e kultural. Pikërisht në Shqipërinë e sotme dhe në territoret fqinjë të Jugosllavisë u shfaqën bashkimet e qëndrueshme të disa fiseve ilire, që arrinin të kishin lidhjen dhe shtrirjen e shteteve të vërteta; i tillë ishte shteti i enkelejve i regjistruar nga historia që nga shekulli VIII p.e.sonë, i cili më vonë u pasua në të njëjtën hapësirë, nga shtetet e taulantëve e të ardiejve.
Pikërisht në territorin e Shqipërisë, nën dritën e qëndrave të fuqishme te qytetërimit grek të Apollonisë dhe Epidamnit (Dyrrachion) si dhe për shkak të kontakteve të vjetra me Maqedoninë e helenizuar, qytetërimi ilir mori zhvillimin më të madh, duke arritur, sikurse e kanë nxjerrë në pah, kolegët tanë shqiptarë Selim Islami e Frano Prendi, një nivel jetese urbane të shquar dhe një prodhim artizanal specifik e të përpunuar.
Kur hynë në zotërimin romak, ilirët e këtyre krahinave vazhduan të zhvillonin qytetërimin e tyre, i cili që prej një kohe të gjatë ishte drejtuar nga helenizmi. Romakët e përfshinë pothuajse të gjithë vëndin e ilirëve në provincën e Maqedonisë, atdheu i Aleksandrit të madh dhe një nga vatrat kryesore të qytetërimit helenistik. Pikërisht për këtë arsye ata e bënë këtë gjë, po njëkohësisht edhe për t’i siguruar provincës së tyre të parë ballkanike një shtrirje deri në Adriatik. Gjeografia i detyronte për këtë veprim.
Nga ana e Romës, lidhur me vendet e tjera ilire të vendosura më në veri, do të mbahej një qëndrim krejtësisht i ndryshëm. Ndërsa, këto vende, pasi bënin pjesë në zonën e përhapjes së formave latine të qytetërimit, e humbën ilirizimin e tyre dhe u romanizuan thellësisht, hapësira e Shqipërisë së sotme, përkundrazi, u gjend jashtë këtij procesi, duke ruajtur gjendjen e saj të mëparshme, të zonës së përhapjes së helenizmit që vazhdoi të ushtronte ndikimin e tij e të cilën romakët e respektonin, për arsye të prestigjit të vjetër të tij, kudo që ata e takonin.
Është e vërtetë sikurse e ka shënuar kolegu ynë Skënder Anamali, që në bregdetin shqiptar kishte pesë qytete me të drejta romake, prej të cilave katër koloni (Dyrrachium, Bylis, Buthrotum dhe Scodra) dhe një municip (Lissus), po nuk duhet të mbivlerësojmë rëndësinë e tyre si faktorë të romanizimit, se të gjitha këto lokalitete ndodheshin brenda një ambienti helenizues e njeri prej tyre përkonte bile me qytetin e Dyrrahut, i cili, me titullin e tij si koloni romake, vazhdonte rolin e tij të vjetër si vatër e qytetërimit grek. Mbishkrimet latine të zbuluara në Shqipëri janë në numër shumë më të vogël se mbishkrimet greke bashkëkohëse. Shpesh administrimi zyrtar shfaqej bile nga mbishkrimet e shkruara në greqishte. Sikurse në të gjitha vendet e vjetra helenistike, kolonitë romake mbeteshin të veçuara, pa ndonjë dobi dhe të dënuara të përziheshin, deri në fund, me masën e popullatave në mes të të cilave i kishin vendosur. Përparimet e romanizimit, në vendet e lidhura me Maqedoninë, sikurse territoret ilire të Shqipërisë, po bëheshin aq më tepër të rregullta porsa kjo provincë senatoriale e perandorisë romake ishte pa ushtri, një element ky që kishte kontribuar në mënyrë aq të konsiderueshme në romanizimin, p.sh. të provincave danubiane.
Shkurt, në Shqipëri Roma nuk ka zëvëndësuar qytetërimin grek me qytetërimin e saj italik. Ajo nuk e ka dashur medoemos këtë gjë dhe, përveç kësaj, edhe sikur të donte ajo nuk do të kishte mundur ta bënte. Një sërë rrethanash e pengonin fare qartë.

Pikërisht nga kjo shpëtoi dhe mbeti ilirizmi i këtij vendi, sepse duke zgjatur, nën zotërimin romak, gjendjen e tyre të mëparshme që i korespondonte një ekuilibri të drejtë në mes të ndikimit të helenizmit e të vetë traditave të tyre, ilirët e kësaj krahine kanë mundur të mbajnë të paprekur individualitetin e tyre etnik, format e jetës së tyre, gjuhën e tyre. Me gjithë superioritetin e joshjen e tij të qytetërimit helenistik nuk kishte fuqitë asimiluese të romanizimit, i cili, në provincat ku nuk takoi konkurencën e helenizmit, pati një sukses rrënjësor. Një paradoks i çuditshëm: qytetërimi helenistik ishte shumë i aftë të pengonte romanizimin e popujve, po vetë ai nuk mundte të ushtronte mbi këta popuj një veprim po aq robërues e të frutshëm sa ai i romanizimit, i cili ia dilte në krye dhe qëndresave më këmbëngulëse. Nuk bëhej fjalë për dhunë, se bota antike nuk e njihte intolerancen kombëtare, krejtësisht e huaj, sidomos në perandorinë romake, që si organizmë politike me të vërtetë universale, nuk ndërhynte subjektivisht në procesin e përhapjes së vetë qytetërimit të saj latin. Nuk kishte rëndësi për perandorinë nëse popullata e provincave flasin latinisht, greqisht ose çfardo gjuhe tjetër. Asaj i interesonte të ishin solidarë me Romën e të respektonin ligjet e saj. Rivaliteti midis romanizimit e helenizmit nuk ishte një konflikt i formuar me vetëdijë. Në një botë, ku një perandor romak, me origjinë perëndimore, si Mark Aureli, i shkruante mendimet e tij intime në greqishte dhe ku, anasjelltas, një historian grek nga Siria, si Amian Marcelini kishte të vetmen ambicje që të vazhdonte veprën e Tacitit në një latinishte model, një konflikt i tillë ishte i përjashtuar. Përkundrazi ky ishte një emulacion objektiv krejtësisht i lirë dhe spontan, në vartësi nga rrethanat. Në saje të kësaj loje, të favorshme për helenizmin, ilirët e vjetër të Shqipërisë kanë mundur të shpëtojnë ekzistencën e tyre etnike nga rreziku më i madh që i ka kërcënuar ndonjëherë në të gjithë historinë e tyre: nga rreziku i zhdukjes, të robëruar nga joshja e pakundërshtueshme e romanizimit.

Më vonë Shqipërisë iu desh të përballonte një rrezik tjetër, që nuk ishte më pak shqetësues, po këtë herë ajo ja doli të shpëtojë më tepër nga vetë qëndresa e saj, se sa nga loja e rrethanave. Ky rrezik ishte dyndja sllave që me forcën e konsiderueshme të numrit, si dhe me vetitë asimiluese akoma më efikase se ato të romanizimit të kohëve të para, kishte arritur të asimilonte pothuajse të gjithë ilirët e vjetër të romanizuar.

Për të shpjeguar këtë sukses të madh të sllavizimit që është në kundërshtim me përjashtimin shqiptar do të mund të mendohej gjithashtu për aftësinë e qëndresës etnike, shumë të dobësuar në popullatat ilire të Illiricum latin, që kishin pësuar tashmë një shkombtarizim dhe, përkundrazi, mjaft të mprehtë tek ilirët e Shqipërisë, që kishin ruajtur vazhdimisht vlerat e tyre të famshme të të parëve, si besnikërinë ndaj traditave dhe dashurinë për liri. Sigurisht, ne nuk duhet të harrojmë se natyra tepër malore e Shqipërisë hyri shumë në punë për arritjen e suksesit të ruajtjes së ilirizmit, po shpjegimi i fenomenit vetëm me këtë faktor gjeografik nuk do të ishte i mjaftueshëm. Natyra e krahinave dinarike me luginat e tyre karstike të panumërta, nuk ishte më pak e favorshme për një mbrojtje të mirë e megjithatë banorët e tyre ilirë nuk e patën atë si një pengesë absolute as kundër pushtimit romak, as, pas romanizimit të tyre, ndaj dyndjes sllave. Nga të gjitha argumentat që po formulojmë duhet të arrijmë në përfundimin se mbi territorin shqiptar del një vazhdimësi e dukshme etnike që nga ilirët e antikitetit të largët deri te populli shqiptar i ditëve tona. Asnjë pushtim i huaj, asnjë migrim nuk ia doli që të ndryshonte popullatën e këtij vendi as të ndërpriste zhvillimin e kulturës së tij etnike gjatë tre mijëvjeçareve të historisë që ne po shqyrtojmë. Migrimi i fundit që kishte arritur të depërtonte në këtë vend dhe që përcaktoi karakterin etnik ishte ai i fiseve ilire, mbërritja e të cilëve është bërë në kohë më të hershme se sa jepet në dokumentat e shkruara. Që atëhere këta ilirë nuk i lanë kurrë tokat e tyre, as nuk ua liruan vendin e tyre banorëve të tjerë. Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë ose, për t’u shprehur më mirë, ata janë vetë ilirët, pas një zhvillimi më tepër se tre mijëvjeçar në kushtet e të njëjtit dhe të vetmit kuadër gjeografik.

Toponimia e Shqipërisë së sotme ruan emrat antikë, jo vetëm të lumenjve, si Drin, Mat, Shkumbin, Vjosë etj. po dhe të qyteteve si Shkodër, Lesh, Durrës, Pojan, Vlorë, Sazan etj. gjë që nuk do të ishte e mundur pa praninë e pandërprerë përmes epokave të një popullate të njëjtë vendase.
Konstatimet historike përsa i përket vazhdimësisë ilire në Shqipëri janë vërtetuar në mënyrë të shkëlqyeshme dhe nga të dhënat arkeologjike. Fazat e ndryshme të zhvillimit të qytetërimit ilir, që nga epoka e bronxit në epokën romake e deri në mesjetë, paraqesin vazhdimisht elemente të vonuara që transmetohen nga një periudhë në tjetrën, duke formuar një varg të vazhdueshëm të dëshmive konkrete të jetës së një populli, trashëgimia kulturale e të cilit gjithmonë është zhvilluar pa ndërprerjen e vazhdimësisë. Pikërisht këtë e ka nxjerrë në pah më së miri, ne një mënyrë shumë bindëse, Ekspozita e mrekullueshme e arkeologjisë dhe e etnografisë që u inaugurua në Tiranë me rastin e Kuvendit tonë. Dhe më mirë, seksioni etnografik i kësaj Ekspozite ka arritur të nxjerrë elemente të gjinisë së njëjtë, duke dëshmuar ruajtjen e disa formave antike deri në jetën e sotme të popullit shqiptar.

Para kaq provash, aq të larmishme e aq të pajtueshme, të vazhdimësisë së këtij populli në krahinat që ai zë sot, nuk ka vend për asnjë dyshim. Dhe megjithatë, origjina e popullit shqiptar përbën një problem mbi të cilin vazhdohet gjithmonë të diskutohet.
Kjo ndodh për shkak të aspektit gjuhësor të problemit Duke pasur parasysh rolin vendimtar që ka gjuha për përcaktimin e një populli, kuptohet lehtë rëndësia e dorës së parë që i jepet këtij elementi në diskutimet mbi origjinën e popullit shqiptar. Megjithatë duhet të vëmë në dukje menjëherë që nuk disponohen të dhëna të nevojshme për të përballuar këtë lëmë me metodat normale të shkencës krahasuese dhe me shanset më të mira për një sukses të sigurtë. Nuk njohim, fatkeqësisht, pothuaj- se asgjë nga gjuha ilire, se të tri fjalët e vërtetuara në një mënyrë krejt të sigurtë nga burimet antike sikur i përkasin kësaj gjuhe (rhinos «mjegull», sabain «birrë», Sybyna «shtizë») pa asnjë element fonetik përfundimtar, nuk na japin një ide të frutshme. Për më tepër, jemi të një mendje që ilirishtja ishte një gjuhë indoevropiane. Përsa u përket materialeve onomastike të krahinave ilire, të përfaqësuara afërsisht nga një mijshe emrash të përveçëm, toponimesh e antroponimesh, do të duhej t’i fusnim në përdorim vetëm me kujdes të madh, se ilirizmi i tyre nuk përjashtohet, gjithmonë nga dyshimi.
Nga këto ka mbeturina që u përkasin popullatave parailire ose huazime të marra nga popullatat fqinje të ilirëve, që janë të një origjine tjetër. Pastaj, dhe kur një emër i përveçëm është përcaktuar mirë se është ilir, duhet, për ta përdorur si mjet për të rindërtuar fjalorin ilir, të arrihet si përfundim që të pranohet, gjë që më shpesh nuk mund të realizohet, edhe duke u bazuar në metodën krahasuese më rigoroze, vetëm me anën e konjunkturave aq subjektive, aq të ndryshueshme, e pas të gjithave, aq të paqëndrueshme. Duke u nisur nga këto materiale, është e mundur që të ndërtohen një sërë hipotezash, nga të cilat. po të kufizohemi rigorozisht në të dhënat gjuhësore, asnjëra nuk do të ishte afër sigurisë. Gjithashtu gjendemi në një vështirësi të përhershme, bile dhe për çështjet më elementare, p.sh. ilirishtja, gjuhë e padiskutueshme indoeuropiane, i përket kaiegorisë kentum apo kategorisë satem. I njëjti fond onomastik i vendeve ilire jep mbështetje si për njërin drejtim ashtu dhe për tjetrin. Një emër si Vesclevesis, për shembull, i krahasuar në greqishte, do të jepte mbështetje për karakterin kentum, ndërsa të tjerë, si Dasius, Rhizon, Adzizio, etj. me palatale fishkëlluese, përkundrazi kanë të bëjnë me karakterin satem.
Në përpjekjet për të sqaruar këtë kontradiktë autorë të ndryshëm kanë propozuar një numër të madh tezash që e kanë ngatërruar shumë problemin e ilirishtes, duke prekur bile dhe çështjen, megjithëse të padyshimtë, të autoktonisë së shqiptarëve dhe të origjinës së tyre ilire. Diskutimi është përqendruar sidomos mbi mbishkrimet venete të Italisë, që dëshmojnë për një karakter të padiskutueshëm kentum të gjuhës së kësaj popullate fqinje me truallin ilir. Duke u nisur nga karakteri satem mbi të gjitha të tjerat të fondit specifik të gjuhës shqipe, është arritur në një dilemë të rrahur për një kohë të gjatë: ose venetishtja përfaqëson një dialekt ilir e në këtë rast ilirishtja duhet të jetë një gjuhë kentum e, si rrjedhim, shqipja nuk mund të rrjedhë së andejmi, ose venetishtja është e një origjine tjetër e atëherë ilirishtja do të mund të ishte një gjuhë satem, njëlloj si shqipja, prejardhja ilire e së cilës përcaktohet pa vështirësi. Mbishkrimet mesape të Italisë jugore kanë hedhur pak dritë në këtë qorrsokak sepse karakteri satem që dëshmojnë ato për mesapishten, njëlloj mund të vërtetojë ose të hedhë poshtë origjinën ilire të saj, ashtu si për shqipen.
Duke pranuar ilirizmin e venetishtes e, duke u nisur nga karakteri kentum i ilirishtes, një pjesë e dijetarëve kanë shprehur mendimin për origjinën thrake të shqiptarëve, të mbështetur me siguri mbi karakterin satem të gjuhës thrake. Vetëm për nevojat e kësaj konjunkture, ata sajuan një migrim të shqiptarëve në drejtim të Adriatikut. në një periudhë të vonë megjithëse asnjë burim, i çfarëdo lloji nuk vërteton një lëvizje të tillë të popullatës në Shqipëri, as një ndërprerje të vazhdimësisë në popullimin e këtij vendi. Është kërkuar të kapërcehet kjo vështirësi e qartë duke supozuar që ilirët dhe thrakët do të kenë folur gjuhë farefisnore, duke forumuar një grup etnik unitar, gjë që vjen në kundërshtim me gjithçka që dëshmitë antike na informojnë mbi të dy popujt, ku ata paraqiten krejtësisht të ndryshëm. Këto burime përmendin vetëm ilirët në Shqipëri, e asnjëherë thrakët. Për më tepër këtu është vendi i Illyri proprie dicti, që ne e kemi cituar në fillim të kësaj kumtese. Përveç kësaj, ka dallime të mëdha në mes të dy popujve, bile dhe në onomastikën e tyre.
Megjithëse teza e parë e dilemës ilire e bazuar mbi ilirizmin e supozuar të venetve, është tani pothuajse krejtësisht e braktisur, pjesa më e madhe e dijetarëve që e konsiderojnë venetishten të ndryshme riga ilirishtja duke i njohur kësaj të fundit një karakter satem, akoma nuk kanë hequr dorë plotësisht nga ideja e origjinës thrake të gjuhës shqipe. Ata që kontribuojnë thelbësisht për të mbështetur këtë hipotezë, janë një numër fjalësh të gjuhës rumune, që nuk kanë të bëjnë me latinishten e të takuara vetëm në shqipe, për të cilat kolegu ynë E. Çabej na foli në referatin kryesor të paraqitur këtu. Për të shpjeguar praninë e tyre në rumanishte, janë mbështetur ose në fqinjësinë në një farë kohe të popujve respektivë të territorit të tyre të mesjetës së hershme, ose në fondin përgjithësisht thrak, të përbashkët me substratin e rumanishtes dhe në mënyrë të ligjshme me shqipen. Linguisti i shquar prof. Vladimir Georgiev propozoi, pikërisht për të shpjeguar këto fjalë, si dhe për arsye fonetike të veçanta, hipotezën e një migrimi të vjetër dako-myzian që do të kishte zënë pellgun moravian të Dardanisë në një epokë të largët, duke ndikuar gjithashtu mbi stërgjyshërit vendas të shqiptarëve. Ne nuk na mbetet veçse të admirojmë karakterin tërheqës të kësaj hipoteze, por si historianë, ne jemi të prirur të parashikojmë një shpjegim tjetër të afërive leksikore të rumanishtes e të shqipes. Duke u mbështetur në origjinën ilire të shqiptarëve e duke u nisur nga gjuha e tyre, na duket se këto afëri janë të lidhura me vetë procesin e romanizimit të Dakisë dhe të provincave të tjera danubiane. Duhet të kemi parasysh se ky proces nuk ishte gjë tjetër veçse zgjatimi në drejtim të veriut, në Karpate, të njësisë së madhe provinciale të Illiricum-it, që shtrihej që nga brigjet e Adriatikut deri ne limeset e mbarë Danubit, dhe gjatë këtyre limeseve, që nga Noricum deri në Mezi. Dhe, veçoritë e romanizimit të kësaj njësie u përcaktuan nga provincat me popullatë ilire të romanizuar, sidomos nga provinca e Dalmacisë (që në fillim të quajtura Illiricum, në kuptimin e ngushtë të këtij emri). Nuk është e vështirë të pranojmë që një numër i konsiderueshëm i fjalëve që kanë prejardhje nga substrati ilir, kaloi në «dialektin» për t'u shprehur kështu, të latinishtes danubiane dhe gjithashtu në rumanishte e cila ka mbetur trashëgimtare mbi të gjitha të tjerat. Geto-dakët, morën, në këtë mënyrë, me gjuhën latine, gjithashtu një fond të elementëve iliree, gjë që është normale të takohen dhe në gjuhën ilire të shqiptarëve.

Jemi të detyruar të përfundojmë. Kapitulli gjuhësor që flet për origjinën e popullit shqiptar është, pa asnjë dyshim, jashtëzakonisht i rëndësishëm, tërheqës e shumë nxitës për pikën më të lartë të mendjehollësisë së specialistëve. Është e pakundërshtueshme se diskutimet mbi gjuhën ilire kanë shënuar përparime të mëdha në drejtimin e një afrimi të pikëpamjeve të ndryshme, duke favorizuar gjithashtu një përputhje të pjesës më të madhe të dijetarëve mbi origjinën ilire të shqipes. Po varfëria, për fat të keq, e materialeve të bazës të ilirishtes, si dhe karakteri i tyre i pasigurtë, mban debatin, me hipotezat e tij më tërheqëse, në një diskutim abstrakt, nga i cili nuk mund të presim asnjë kontribut vendimtar në çështjen e origjinës së popullit shqiptar? Të krahasosh gjuhën shqipe me gjuhën ilire duke u nisur vetëm nga të dhënat gjuhësore, do të thotë të kërkosh të shpjegosh të njohurën nga e panjohura, gjë që nuk na çon në asgjë të vlefshme. Prandaj në problemin e origjinës së popullit shqiptar, duhet ndarë lëmi gjuhësor, që i nënshtrohet ende diskutimit, nga faktet historike dhe duhet lënë të rrihet në debate. Nuk e kemi të drejtën të fusim në vartësinë e një debati të vënë në dyshim fatin dhe ndërgjegjen e gjithë një populli, i cili që prej më shumë se tremijë vjetësh nuk ka njohur paraardhës të tjerë mbi territorin e atdheut të tij, veç stërgjyshërve të vet. Në përkufizimin e një populli ka shumë faktorë që duhet të përputhen: gjuha, gjeografia, historia me arkeologjinë e etnografinë, antropologjia etj. Vendi i parë i përket, padyshim, gjuhës, por për një çast - një çast fundi i të cilit nuk parashikohet — në çështjen e origjinës shqiptare, ky vend mbetet akoma i pa zënë. Nuk i përket fjala e fundit. Disiplina të tjera e sidomos gjeografia e shkencat historike e kanë thënë tashmë këtë fjalë, duke kumbuar në mënyrë të pashmangshme si një vendim i realitetit: populli shqiptar ka jetuar gjithmonë në Shqipëri, që nga stërgjyshërit e tij ilirë deri tani. Gjuhësia, që është në kërkim të origjinës së gjuhës shqipe, nuk do të ketë sukses në punën e saj po nuk u nis nga kjo e vërtetë. Është e drejta dhe detyra e saj të përshkojë të gjitha pistat e bile për të gjetur atje të reja, por për sa kohë që do të ketë materiale të varfëra gjuhësore sikundër ka sot, ajo do të detyrohet të dëgjojë këshillën e historisë: të mos ketë besim në atë që nuk dihet, të mbështetet në atë që shikohet nga të gjithë. Dhe vetëm gjuha shqipe do të mund të shërbejë si çelës për ilirishten, se ajo vetë është trashëgimtarja e vetme. Duhet të kemi parasysh se përfundimet më të mira të gjuhësisë janë të tilla vetëm sepse i janë afruar kësaj këshille, në të cilën e kanë shpënë konstatimet që ajo ka bërë një pas një në vetë fushën e saj të veprimtarisë.

 


«Kuvendi i Studimeve Ilire II», Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1974, f.

Radu Vulpe


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...