Oshtima

1981-1986: Arsimi Kombëtar në territoret e pushtuara nga Jugosllavia

Arsimi në gjuhën shqipe, për shkak të përmbajtjes së tij, u vu në qendër të goditjeve si në KSA të Kosovës, ashtu edhe në RS të Maqedonisë, në RS të Malit të Zi dhe në RS të Serbisë. Në mënyrë brutale u sulmuan plan-programet dhe tekstet në gjuhën shqipe. Në konkluzionet e mbledhjes së 20-të të KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë u shtrua për detyrë që në mënyrë kritike të analizoheshin, sistemi i edukimit dhe arsimit, politika e kuadrit dhe përmbajtja e teksteve. Analiza kritike e tyre do të mbështetej para së gjithash në kriteret ideopolitike e pedagogjike1. Këto porosi dje direktiva të organeve federative u sintetizuan në programet afatgjatë për stabilizimin e gjendjes në Kosovë. Ato gjetën shprehjen e tyre konkrete në Platformën për Kosovën, që u miratua në Plenumin e 22-të të KQ të LKJ, në materialet e Plenumit të 18-të të Lidhjes Komuniste të Serbisë, të dhjetorit të vitit 1981, si edhe në dokumentet e disa prej mbledhjeve të udhëheqjes së LK të Kosovës.
Sistemi arsimor u akuzua se në të «ishin afirmuar në mënyrë jo kritike gjëra negative të trashëgimisë kulturore, artistike e historike», ndërsa «një pjesë e kuadrit të arsimit ishte ngarkuar me historiçizëm»2. Arsimi në gjuhën shqipe në Kosovë u sulmua se kishte ndihmuar «indoktrinimin nacionalist të rinisë», dhe se «programet e teksteve, në vend që të përshkoheshin nga ideja e vetëqeverisjes socialiste, kishin ngarkesë nacionaliste»3 etj.
Në forumet maqedonase u shpreh haptazi urrejtja kundër shkollës dhe kulturës shqiptare. Drejtuesit maqedonas i sulmuan plan-programet dhe tekstet në gjuhën shqipe sepse «nuk shprehnin mjaft pikëpamje marksiste për çështjen kombëtare, për barazinë dhe për bashkëjetesën». Në to nuk ishte trajtuar si duhej lufta nacionalçlirimtare dhe revolucioni socialist. Për këtë arsye ata kërkonin që «brenda një kohe të shkurtër të bëhej revidimi i programeve dhe i teksteve shkollore.»4 Në RS të Maqedonisë u shtrua për detyrë që në shkollat shqipe mësimi i gjuhës maqedone të fillonte nga klasa e parë e shkollës fillore dhe në paralelet në gjuhën shqipe të shtoheshin orët për mësimin e kësaj gjuhe5. Nën pretekstin e luftës për «ta pastruar procesin mësimor nga ngarkesat e huaja ideologjike, që kishin parasysh mitet e së kaluarës, gërmonin thellë në historinë dhe trashëgiminë kulturore, në vend që t’i ktheheshin historisë bashkëkohore e që nuk ishin në frymën e vëllazërim-bashkimit»6 u insistua për ndryshimin e programeve, literaturës ndihmëse, mjeteve mësimore dhe të teksteve. Ky kompleks i masave u bë pjesë e fushatës që u drejtuar kundër çdo gjëje të fituar nga popullsia e atyre viseve me gjak e sakrifica. Ato kishin për qëllim të privonin brezin e ri nga njohja e thesarit të kulturës kombëtare dhe nga edukimin nëpërmjet saj. Tekstet që kishin të bënin me kulturën, gjuhën shqipe e historinë kombëtare të shqiptarëve, siç janë ata të leximit letrar, të gjuhës shqipe për shkollën 8-vjeçare, të gjuhës e letërsisë shqipe për shkollën e mesme, si edhe të gjitha tekstet e historisë për shkollën 8-vjeçare e të mesme u goditën me ashpërsi dhe u hoqën nga përdorimi. Në përgjithësi të gjitha këto tekste ishin vepra të autorëve kosovarë. Për përgatitjen e tyre këta autorë ishin mbështetur në planet dhe programet mësimore të miratuara nga organet përkatëse arsimore të KSA të Kosovës, ose të Republikave të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë7.

Udhëheqja federative dhe ajo e RS të Serbisë u përpoqën që këto masa t’i shtrinin dhe t’i realizonin edhe në fakultetet dhe në shkollat e tjera të larta. Në tetor të vitit 1981, gjatë bisedës së zhvilluar me drejtuesit e Universitetit të Kosovës, Llazar Mojsovi kërkonte që në vend të historisë e të traditës kulturore mijëravjeçare të shqiptarëve, të studiohej «historia e luftës nacionalçlirimtare dhe e revolucionit socialist». Forumet drejtuese të RS të Serbisë e të RSF të Jugosllavisë, shtronin si detyrë që përmbajtja kombëtare e teksteve dhe e programeve në gjuhën shqipe të zëvendësohej me «vlerat shpirtërore jugosllave». Sipas tyre, shkollat shqipe duhej të shndërroheshin në instrumente politike për edukimin e nxënësve shqiptarë me të ashtuquajturin «patriotizëm jugosllav». Me këto qëndrime udhëheqja e RS të Serbisë si dhe drejtuesit e saj serbë në Federatë u përpoqën të shfrytëzonin rrethanat e asaj periudhe, për propagandimin e idesë së vjetër e të dështuar të «jugosllavizimit». Në të kaluarën, kjo ide u propagandua me forcë nga monarkia serbe dhe ajo kishte qenë pjesë përbërëse e përpjekjeve të qarqeve shoviniste për të mohuar individualitetin kombëtar të popujve të tjerë.
Në bazë të këtyre konsideratave të udhëheqjes federative e sidomos të përfaqësuesve serbë duhet të vepronin të gjitha strukturat politike në Kosovë dhe në republikat e ndryshme ku jetonin shqiptarët. Nga këto konkluzione duhet të udhëhiqeshin sidomos «grupet profesionale» që u krijuan posaçërisht për të vlerësuar e për të spastruar tekstet dhe programet mësimore. Nga tekstet e letërsisë dhe të historisë u hoqën ose u reduktuan në minimum autorët dhe personalitetet politike shqiptare. Në tekstet dhe në programet e letërsisë e të historisë u pakësuan temat për periudhën e kohës së vjetër e të mesjetës dhe u shtuan ato të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të «periudhës së ndërtimit socialist». Përpjekje të veçanta u bënë për rishkrimin dhe ritrajtimin, sipas tezave dhe pikëpamjeve të autorëve e të historiografisë serbe, të periudhave të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, si të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të formimit të shtetit të pavarur shqiptar, të prejardhjes, autoktonisë dhe të vazhdimësisë iliro-shqiptare, të epopesë së lavdishme të Skënderbeut etj.
Në tekstet e letërsisë u bënë përpjekje për ta kufizuar dhe për ta «thjeshtëzuar» vështrimin mbi rilindësit tanë të shquar. Në krijimtarinë e Naim Frashërit, «një kujdes më i madh duhej ti kushtohej iluminizmit dhe pikëpamjeve të tij edukative, sesa përmbajtjes patriotike të veprës së tij.»
Nga forumet politike dhe nga organet arsimore të republikave, midis të cilave ishin copëtuar shqiptarët, në qendër të kritikës u vunë tekstet e botuara në KSA të Kosovës, ose të hartuara nga autorë kosovarë. Këta tekste u sulmuan sepse hidhnin dritë për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, sepse flisnin e dëshmonin për shkallën më të ulët të zhvillimit ekonomik të të gjithë viseve shqiptare në raport me rajonet e tjera të RSF të Jugosllavisë.

Me ndryshimet që iu bënë planeve, programeve dhe teksteve mësimore në KSA të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë të RS të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Serbisë, u synua që shkolla shqipe të shfrytëzohej si mjet për shkombëtarizimin, serbizimin apo sllavizimin e shqiptarëve8. Autorët shqiptarë u hoqën nga tekstet shkollore dhe plan-programet mësimore dhe u zëvendësuan me autorë serbë e jugosllavë të njohur për qëndrimin antishqiptar dhe për racizmin e tyre. Në tekstet e historisë një vend i veçantë iu la trajtimit të temave ideologjike; rolit të PKJ në periudhën midis dy luftërave botërore dhe në mënyrë të veçantë qëndrimit të saj lidhur me problemin kombëtar e agrar në Kosovë; luftërave për pavarësi të popullit serb dhe të popujve të tjerë sllav; zhvillimit ekonomik të tyre në të kaluarën; pikëpamjeve të partive të ndryshme politike serbe për Kosovën etj. Këto masa u morën në një kohë, kur në tekstet që përdoreshin në KSA të Kosovës bashkëjetesa midis popujve të kësaj treve zinte, sipas pedagogëve shqiptarë, një vend shumë më të gjerë se në të gjitha tekstet që përdoreshin në shkollat e tjera të Jugosllavisë9. Edhe në Universitetin e Kosovës u hoqën nga përdorimi tekstet bazë të historisë, të letërsisë dhe të gjuhës shqipe si dhe titujt e tjerë nga literatura ndihmëse. Këto masa e rënduan akoma më tej gjendjen e teksteve në Universitet dhe në shkolla të mesme e tetëvjeçare. Kështu, në vitin 1982 në Universitet, ndonëse zhvilloheshin rreth 1000 lëndë mësimore kishte vetëm 155 tekste10. Në atë vit për afro 900 lëndë mësimore që jepeshin në fazën e parë të arsimit të mesëm të orientuar, kishte vetëm 70 tekste11. Përgjithësisht në këto lëndë nxënësit ishin të detyruar të përgatiteshin në bazë të shënimeve të marra gjatë orëve të mësimit, ose sipas teksteve dhe materialeve të tjera të përkthyera nga gjuha serbokroate.
Sulmi kundër shkollës dhe kulturës kombëtare shqiptare ishte i përgjithshëm dhe u shtri në mënyrë frontale në të gjitha viset e banuara nga kjo popullsi. Në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë u vunë shkollat dhe kultura kombëtare shqiptare në republikat e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Kuadrot arsimore shqiptare u akuzuan se kishin përdorur tekste arsimore të botuar në Kosovë, si edhe ndonjë titull të literaturës ndihmëse që ishte importuar nga Shqipëria, ndonëse ata ishin marrë në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve dhe përdoreshin me leje të organeve mësimore të republikave. Në RS të Maqedonisë, Këshilli Pedagogjik Republikan vendosi ndalimin e të gjitha teksteve të leximit në gjuhën shqipe të përdorura deri në këtë kohë. Në këtë republikë, iu bënë ndryshime rrënjësore planeve e programeve mësimore të lëndëve në gjuhën shqipe, teksteve të letërsisë dhe të historisë për shkollat tetëvjeçare e të mesme dhe deri atyre të katedrës së vogël në gjuhën shqipe të Universitetit të Shkupit. Në komunat e ndryshme të kësaj republike kërkesat e popullsisë për hapjen e paraleleve mësimore në gjuhën shqipe u konsideruan si shprehje të nacionalizmit shqiptar. Në përgjithësi, në RS të Maqedonisë u ndalua përdorimi i teksteve të botuara në KSA të Kosovës, megjithëse recenzentët e caktuar për vlerësimin e tyre ishin përzgjedhur midis forcave shkencore të asaj republike. Ato u trajtuan si vepra të papërshtatshme nga pikëpamja politike12.

Tekstet dhe e gjithë literatura ndihmëse në gjuhën shqipe u hoqën nga përdorimi edhe në shkollat shqipe të RS të Malit të Zi. Librat e mësimit për klasën e 6-të, 7-të e të 8-të, Këshilli Pedagogjik i RS të Malit të Zi, vendosi t’i zëvendësonte me doracakë të veçantë të hartuar nga autorë që jetonin në territorin e asaj Repubike13. Përgjithësisht tekstet e historisë dhe të lëndëve shoqërore iu nënshtruan kontrollit të hollësishëm të ekspertëve dhe të organeve politike republikane. Masat e marra në këto drejtime u mbështetën në konkluzionet e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Malit të Zi. Është për të theksuar se në forumet federative e republikane ndonëse u sulmuan ashpër arsimi shqip dhe përmbajtja e tij kombëtare, nuk u tha asnjë fjalë për shumë nga tekstet apo botimet e përgatitura nga autorët jugosllavë në të cilat shtrembërohej hapur e vërteta dhe historia e popullit shqiptar. Edhe pohimet dhe deklaratat e bëra në forumet federative dhe në republikat e ndryshme se «e drejta e shqiptarëve për të mësuar në gjuhën amtare, nuk duhej të kthehej kundër vetvetes, sepse të rinjtë nga Kosova duhej të përgatiteshin për të punuar në të gjitha krahinat e Jugosllavisë»14, kishin për qëllim të përgatisnin terrenin për kufizimin e arsimit dhe të rrjetit të shkollave të mesme e të larta në gjuhën shqipe. Me këto pohime dhe deklarata forumet federative nuk bënin tjetër veçse u riktheheshin koncepteve të së kaluarës mbi «gjuhën e favorizuar» dhe «gjuhën plotësuese», koncepte që për shumë kohë kishin justifikuar përpjekjet e qarqeve shoviniste për të ruajtur dhe thelluar pabarazinë në fushën arsimore.

Pas demonstratave të 1981, organet e shtypit jugosllav duke u mbështetur në konkluzionet e forumeve republikane i intensifikuan akoma edhe më shumë sulmet e akuzat kundër rezultateve të arritura në fushën arsimore dhe kundër shkollave shqipe. Ato theksonin se tekstet e botuar në KSAK nuk përputheshin me planet dhe programet mësimore të republikave të tjera dhe si të tillë ata ishin të papërshtatshëm për t’u përdorur në ato shkolla. Sipas tyre, në tekstet e historisë së këtyre republikave një vend më të madh duhej të zinte trajtimi i historisë së vendlindjes, e cila nënkuptonte historinë e popullsisë së republikës në përbërje të së cilës ishte copëtuar popullsia shqiptare. Historia kombëtare e popullit shqiptar u reduktua dhe u gjymtua. Gjithnjë e më shpesh u theksua se ajo duhej të studiohej së bashku dhe në kuadrin e historisë së popullsisë sllave që i jepte emrin republikës përkatëse.

Më e komplikuar, por edhe «zgjidhje më të plota dhe më afatgjata» kërkonin problemet e arsimit në KSA të Kosovës. Për kryerjen e këtyre detyrave u angazhuan forumet e RS të Serbisë dhe organet e saj arsimore. Ato përgatitën dhe paraqitën një reformë të posaçme të sistemit arsimor dhe e propaganduan si një domosdoshmëri për të «harmonizuar programet e planet mësimore të shkollave të mesme në të gjithë territorin e republikës.»15
Me porosi të organeve të kësaj republike filloi puna për përgatitjen e «bërthamave të përbashkëta programore» nga lëmi i gjuhës, i letërsisë dhe artit. Për përgatitjen e tyre u punua sidomos nga viti 1983. Sipas ideatorëve të tyre, bërthamat do të shërbenin si një element i rëndësishëm për edukimin e brezit të ri me «patriotizmin jugosllav». «Bërthamat e përbashkëta programore», nën pretekstin e luftës kundër «mbylljes kombëtare në gjuhën dhe në kulturën vetjake» dhe forcimit «të bashkëjetesës», u përpoqën për të thelluar pabarazinë në sistemin arsimor. Ato e vinin shkollën në gjuhën shqipe në qendër të goditjes. Sipas koncepteve që udhëhoqën punën për përgatitjen e tyre, në shkollat shqipe që funksiononin në Jugosllavi një vend i posaçëm dhe kryesor duhej t’i lihej studimit të historisë, të kulturës dhe të letërsisë së popujve të tjerë të Jugosllavisë.
«Bërthamat e përbashkëta programore» në arsimin 8-vjeçar dhe të mesëm, në vend të njohjes së vetëqenies, të traditave, të kulturës dhe të individualitetit kombëtar të popujve të ndryshëm synonin të rrënjosnin te brezi i ri edukatën shtetërore unitariste. Në pretekstin e njohjes dhe të studimit të vlerave të përbashkëta të krijuara nga popujt e sllavëve të jugut, ato kërkonin të goditnin gjuhën amtare, letërsinë dhe historinë kombëtare, të cilat, siç dihej, janë lëndët më të rëndësishme të arsimit të organizuar, që i japin mundësi brezit të ri për të njohur të kaluarën e vet historike e kulturore dhe që e bëjnë të ndërgjegjshëm për vetëqenien kombëtare.
Për hartimin e «bërthamave të përbashkëta» punoi një komision i tërë mbarë jugosllav prej 200 «pedagogësh». Programet e paraqitura prej tyre vinin gjuhën dhe letërsinë serbo-kroate në pozitë më të favorizuar në raport me gjuhët dhe letërsitë e popujve të tjerë, ndërsa gjuhën, letërsinë, krijimtarinë muzikore të popullit shqiptar pothuajse i minimizonin dhe i linin në harresë.16
Sipas «bërthamave të përbashkëta programore», parashikohej që në programet e letërsisë në KSAK, 50% e fondit të orëve t’i liheshin pjesëve të programit për bërthamën e përbashkët, ndërsa 50% mesmit të letërsisë kombëtare, si dhe koncepteve teorike për letërsinë, letërsisë së përgjithshme botërore dhe deri në mesjetë. Për studimin e programit të bërthamës së përbashkët viheshin në dispozicion 9 orë në javë, aq sa parashikohej edhe për studimin e letërsisë kombëtare dhe të përgjithshme si dhe të bazave teorike të asaj lënde17. Nxënësit të vitit të parë të shkollës së mesme i takonte që për 31.5 orë mësimore të studionte autorët sllavë të mesjetës që u përfshinë në bërthamë, ndërsa në 31.5 orë të tjera të mësonte letërsinë shqipe, që nga shkrimet e para dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë, si dhe problemet teorike të kësaj lënde, letërsinë gojore dhe letërsinë antike botërore. Me këtë konceptim dhe trajtim që i bënin problemeve të letërsisë, bërthamat goditën në mënyrë të veçantë gjuhën, kulturën, historinë dhe letërsinë kombëtare18. Ndërkohë në viset e tjera shqiptare, jashtë KSA të Kosovës orët për zhvillimin e historisë dhe letërsisë kombëtare u reduktuan edhe më tej. Në shkollat shqipe të këtyre republikave, letërsia dhe historia e popullsisë shqiptare dihet të zhvillohej në kuadrin e lëndëve të letërsisë dhe të historisë së republikës përkatëse.

«Bërthamat e përbashkëta» parashikonin që në programet e gjuhës në shkollat e KSA të Kosovës, gjuha amtare të mësohej me 1/3 e orëve të parashikuara për studimin e gjuhës së mjedisit. Nxënësi i shkollës së mesme, për mësimin e gjuhës shqipe kishte në dispozicion 0.6 orë, ndërsa për mësimin e gjuhës serbo-kroate 2 orë në javë19. Pengesat për mësimin e gjuhës shqipe ishin akoma më të mëdha për shkak se mbi 50 për qind e teksteve të kësaj lënde ishin përkthime.
Në «Bërthamat e përbashkëta», u përfshinë gjithsej 4 autorë bashkëkohorë kosovarë. Përfaqësimi i letërsisë shqipe në bërthama jo vetëm që ishte shumë i kufizuar, por ai ishte edhe formal, pasi veprat e përfshira në to nuk ishin të përkthyera në gjuhët e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Në bërthamë u përfaqësuan autorët kosovarë që i përkisnin periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo mënyrë përfaqësimi e shkëpuste letërsinë shqipe nga tradita, e cila, siç dihet, luan një rol të rëndësishëm për formimin e ndërgjegjes kombëtare të brezit të ri. Sipas programeve të hartuara për «Bërthamat e përbashkëta», nxënësit shqiptarë ishin të detyruar të studionin edhe autorë jugosllavë, të njohur për urrejtjen dhe qëndrimin e tyre antishqiptar, si Ivo Andriç, Dobrica Qosiç etj20.
Në «Bërthamat e përbashkëta» popujve kryesorë të Jugosllavisë u krijoheshin të gjitha mundësitë për të njohur në vazhdimësi historinë dhe letërsinë e tyre, ndërsa popujve të tjerë dhe sidomos atyre që në mënyrë arbitrare u trajtuan si pakica nacionale këto të drejta iu mohuan plotësisht. Në këtë mënyrë, bërthamat u përpoqën të sanksiononin privilegjet arsimore e kulturore të kombeve më të mëdha, vlerat e veçanta të kulturës së tyre në kurriz të popujve të tjerë më të vegjël. Për rrjedhojë, nxënësit shqiptarë ishin të detyruar të mësonin gjuhën serbo-kroate në orët e detyrueshme për këtë gjuhë, si dhe në orët c caktuara për të si gjuhë e mjedisit. Ata, për mësimin e kësaj gjuhe kishin në dispozicion më shumë orë javore se sa nxënësit që i vijonin mësimet në RS të Serbisë. Por, me gjithë punën c bërë, problemi i bërthamave mbeti pezull, sepse ato u drejtuan kundër afirmimit kombëtar të popujve më të vegjël në Federatën Jugosllave. Orekset e qarqeve shoviniste në RS të Serbisë që synonin të ringjallnin tezat dhe politikën e hershme dhe të njohur të së kaluarës nuk u miratuan nga shumica e republikave. Ato nuk u miratuan as nga delegatet e Kongresit XIII të LKJ. Në mënyrë të veçantë, ato u kritikuan nga delegatët e RS të Sllovenisë dhe nga përfaqësuesit e kësaj republike në organet federative. Sipas tyre, bërthamat e përbashkëta ishin antikushtetuese, që përpiqeshin t’u mohonin republikave të ndryshme kujdesin për arsimin dhe edukimin21.

Por përpjekjet e përfaqësuesve serbë kundër të drejtave kushtetuese të kombësive dhe sidomos kundër popullsisë shqiptare, nuk u ndalën me kaq. Në qershor të vitit 1986, në mbledhjen e përbashkët të Kryesive të KQ të LKJ dhe të RSFJ, u mor vendimi për riorganizimin e sistemit arsimor. Në bazë të vendimeve të miratuara me këtë rast u parashikua që në vend të shkollave e të klasave paralele, të ngritura në baza kombëtare të krijoheshin «klasat e përziera». Sipas këtyre vendimeve, nxënësit shqiptarë dhe ata të kombësive të tjera që deri në këtë kohë në territorin e KSAK, mësimet i vijonin në gjuhët amtare, tani ishin të detyruar të përdornin dygjuhësinë.
Nuk ka asnjë dyshim se me futjen e këtij sistemi synohej që në shkolla si gjuhë mësimi e detyruar të ishte serbo-kroatishtja, e cila do të zëvendësonte gjuhën shqipe22. Si në të kaluarën dhe aq më pak në ato vite, nxënësit serbë dhe malazezë nuk mund të parapëlqenin që mësimet t'i zhvillonin në gjuhën shqipe. Me këto masa, në thelb, përfaqësuesit serbë iu rikthyen politikës arsimore që ishte ndjekur në viset shqiptare edhe përpara vitit 1966.
Në Kosovë dhe në viset e tjera, në qendër të goditjeve u vu edhe kultura kombëtare shqiptare, arritjet e saj në të gjitha gjinitë. Sipas shovinizmit serbomadh, kultura shqiptare ishte e ngarkuar me «historicizëm» dhe me «romantizëm nacional», me «mite» dhe me «shpirtra të vdekur», me «ideale të tejkaluara». Kjo kulturë kishte ndikuar që «rinia të edukohej keq, të mashtrohej e të merrte pjesë në demonstratat nacionaliste e irredentiste.» Me këto pretekste, filloi fushata e shpifjeve kundër kulturës shqiptare, marrja e masave të vazhdueshme të dhunës për të zhveshur atë nga përmbajtja kombëtare. Në sulmin kundër arritjeve të shqiptarëve në fushën c kulturës elementët shovinistë u vunë në garë. Kryetari i Kuvendit të KSAK, serbi Dushan Ristiç theksonte në atë kohë se rininë shqiptare e dëmtoi veçanërisht kulti i flijimit kombëtar. Sipas tij, «në një varg rrethanash mitologjizmi i kombit çon në paragjykimin se të gjitha sakrificat për atdheun janë patriotike»23. Nga ana e tij, kryetari i KQ të LK të Serbisë, Tihomir Vlashkaliç shtronte si detyrë, që «lufta kundër vetëdijes kombëtare shqiptare, veçmas tek të rinjtë, të mos ishte sektare e burokratike, por të ishte e përhershme, e përditshme dhe e argumentuar në mënyrë marksiste»24.

Në frymën e konkluzioneve dhe të direktivave të kryesive të Federatës dhe të Republikës së Serbisë, në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare filloi fushata propagandistike e shoqëruar edhe me masa konkrete, për ta «shkarkuar» kulturën shqiptare nga fryma kombëtare «e tejkaluar» dhe për ta shndërruar atë në një kulturë që edukon «patriotizmin jugosllav». Fushata kundër kulturës shqiptare në KSAK u shoqërua me ndërprerjen e shumë aktiviteteve të përhershme dhe të planifikuara. Shoqëritë kulturore dhe artistike që vepronin në fshatra, në qytete ose në ndërmarrjet ekonomike, u cilësua si «vatra të nacionalizmit». Ato u panë me dyshim, sepse veprimtarinë e zhvillonin në gjuhën shqipe dhe se kultivonin folklorin shqiptar etj. Shumë të tjera dhe anëtarët e tyre u akuzuan dhe u dënuan, sepse ekzekutonin këngët folklorike që këndoheshin edhe në Shqipëri, sepse në repertorin e tyre «ishin të dukshme kthimi në trashëgiminë kulturore historike» të së kaluarës. Ato u sulmuan dhe u goditën sepse në trajtimin e disa çështjeve dhe në vlerësimin e personaliteteve dhe të ngjarjeve historike25 etj., nuk kishin mbajtur qëndrimin e duhur «marksist klasor».

Këto gjykime e konkluzione, u shoqëruan me masat për përjashtimin nga shoqëritë kulturore e artistike të shumë amatorëve të talentuar të këngës, të valles, të muzikës popullore e të përpunuar. Për shkak të këtyre masave veprimtaria e mëtejshme e këtyre shoqatave u bë e pamundur. Me porosi nga lart disa organizata komunale të LK u detyruan të ndalonin punën e shoqatave të ndryshme që vepronin në territorin e tyre. Kështu ndodhi me shoqëritë kulturore artistike «Jehona»,« Afërdita» (Suharekë), «Xh, Zeqiri» (Tetovë), «Besa» e shoqëritë e tjera në Gostiar, «B. Strugar» (Ulqin), «Aksionisti» (Podujevë), «Jehona e Dukagjinit» (Klinë), «A. Krashnica» (Preshevë) etj. Edhe shoqëritë kulturore e artistike në komunat e Dibrës dhe të Strugës u akuzuan se në programet e tyre kishin manifestuar shfaqje të nacionalizmit Për rrjedhojë veprimtaria e tyre erdhi duke u kufizuar dhe së fundi ajo u ndërpre26. Në KSA të Kosovës, gjatë vitit 1981 dhe gjysmës së parë të vitit 1982, koncertet e shoqërive kulturore, shfaqjet teatrale, manifestimet tradicionale të fillimit të sezonit pranveror etj., pothuajse nuk u organizuan. Programet e përgatitura dhe të paraqitura prej tyre për aprovimin ndeshën në kundërshtimin e organeve përgjegjëse27.
  Edhe ato pak shoqëri kulturore e artistike që mundën t’u bënin ballë sulmeve dhe akuzave të ndryshme, u detyruan të rishikonin programet dhe repertorët e tyre. Nga organet kompetente u kërkuan që shoqëritë që do të vepronin në krahinë duhej të ishin të përziera dhe ato duhej të ekzekutonin «këngë dhe valle të të gjitha kombeve e kombësive». Në këtë mënyrë ato do të shprehnin «bashkëjetesën» dhe «lidhjen midis kulturave e kombësive». Në mënyrë intensive dhe veçanërisht në RS të Maqedonisë, u punua për ta integruar dhe për ta shkrirë aktivitetin e shoqërive kulturore artistike shqiptare me ato sllave. Këto masa synonin të goditnin vlerat e vërteta kombëtare të letërsisë, të artit dhe të krijimtarisë popullore e të kultivuar të shqiptarëve. Pengesat për afirmimin e kulturës kombëtare shqiptare u shoqëruan me intensifikimin e përpjekjeve për popullarizimin e kulturës serbe, me vërshimin, sidomos menjëherë pas ngjarjeve të vitit 1981, në KSA të Kosovës të asambleve, të orkestrave, të ekspozitave të ardhura nga Serbia dhe nga mbarë Jugosllavia.

Përpjekjet për të goditur karakterin kombëtar të kulturës shqiptare u shoqëruan dhe me sulmin kundër institucioneve kryesore arsimore e kulturore të krahinës kundër Universitetit, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, Institutit Albanologjik, Institutit të Historisë, Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Kompozitorëve, Radiotelevizionit, Shtëpisë Botuese, «Rilindja», teatrove etj. Krahas përpjekjeve për spastrimin e tyre nga «elementët nacionalistë e irredentistë», një vëmendje e veçantë iu kushtua ndryshimit të tematikës së punës, titujve dhe të literaturës për botim, reportorëve të shfaqjeve dhe veprimtarisë që zhvillonin ato në të gjitha fushat.
Radiotelevizioni i Prishtinës u detyrua ta ndryshonte strukturën e programeve, duke pakësuar transmetimin e këngëve, të melodive popullore si dhe të programeve që lidheshin me historinë, traditën dhe me vlerat kulturore kombëtare të popullit shqiptar. Në transmetimet televizive një vend i veçantë iu dha emisioneve në gjuhën serbo-kroate. Në RS të Maqedonisë, Radio-Tetova nga 900 pllaka me muzikë shqiptare që dispononte më parë, u detyrua që 800 t’i hiqte nga përdorimi pasi përmbanin këngë e valle popullore28. Edhe ata filma të rrallë që u prodhuan në Kosovë iu nënshtruan një kritike të rreptë për shkak të përmbajtjes së tyre. Në vitin 1984 në shtypin serb u bënë kritika të ashpra kundër filmit «Njeriu prej dheu», prodhuar po atë vit nga «Kosovafilmi»29.
Ndryshime të mëdha u bënë edhe në veprimtarinë e shtëpive botuese «Rilindja» dhe «Jedinstvo». Në planet e botimit të vitit 1982, «Rilindja» parashikonte të botonte vetëm veprat e tre autorëve nga Shqipëria30, ndërsa redaksia e «Jedinstvos» do të publikonte tre libra nga letërsia shqipe që krijohej në Kosovë31. Kufizime të mëdha u bënë edhe në planin e botimeve të «Flakës së Vëllazërimit» në RS të Maqedonisë. Por edhe ato pak libra që u botuan në atë republikë nuk arrinin te lexuesit, për shkak se ato shpesh herë ishin të destinuara për t'u mbyllur nëpër depo dhe bodrume.
Sulmi i elementëve shovinistë pas demonstratave të vitit 1981 ishte i gjithanshëm. Edhe forumet qendrore të RSF të Jugosllavisë e të RS të Serbisë kulturën dhe traditën e popullit shqiptar, të kaluarën e tij historike i shpallën «armiqësore» dhe «kundërrevolucionare». Ato kërkuan haptazi nga studiuesit kosovarë që të mos merreshin me të kaluarën historike të popullit të tyre, sepse ajo nuk ishte në interes të RSF të Jugosllavisë dhe i ndante popujt e saj. Udhëheqja e RS të Serbisë, shtypi i Beogradit dhe akademikët serbë, ashtu si në të kaluarën dhe nën pretekstin se donin ta çlironin historiografinë dhe gjuhësinë shqiptare nga «historicizmi», «glorifikimi», «dogmatizmi» dhe «nacionalizmi romantik», kërkonin të rimerrnin në dorë monopolin e studimeve për historinë, traditat, kulturën, prejardhjen, vazhdimësinë dhe gjuhën e shqiptarëve. Me këmbëngulje u kërkua që studimet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, të Institutit Albanologjik, të Institutit të Historisë dhe të Universitetit të përqendroheshin në temat e periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare dhe të sistemit vetadministrues. Sipas tyre, vetëm këto periudha i afronin dhe i bashkonin popujt e Jugosllavisë. Përpjekje të mëdha u bënë për rivlerësimin e historisë sonë kombëtare. Në botimet serbe u ringjallën dhe iu dhanë përmasa të reja, shumë tezave, konkluzioneve e përfundimeve të pseudoshkencës historiografike serbe e jugosllave të para e të pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej këtyre tezave ishin tejkaluar dhe ishin zgjidhur prej kohësh nga shkenca shqiptare, por dhe nga disa autorë jugosllavë. Rol të veçantë për përpunimin e këtyre pikëpamjeve, që u lidhën ngushtë edhe me ngjarjet politike që po përjetonte popullsia shqiptare, luajtën Akademia e Shkencave dhe Shoqata e Shkrimtarëve e RS të Serbisë, që ishin të lidhura ngushtë me forumet politike të asaj republike. Në atë kohë të dyja këto institucione më shumë u morën me trajtimin e situatës aktuale e politike në krahinë se sa me problemet shkencore dhe të krijimtarisë letraro-artistike. Me pikëpamjet që parashtronin dhe me masat që propozonin për ndryshimin e gjendjes në Kosovë e përgjithësisht në viset shqiptare, ato zunë gjithnjë e më shumë vendin e të ashtuquajturit «Klubi Serb i Kulturës», i periudhës midis dy luftërave botërore. Sinan Hasani, si zëdhënës besnik i këtyre qëndrimeve e tezave e akuzonte shkencën dhe historiografinë shqiptare «për manipulime», sepse i përmbahej tezës për «gjenezën ilire të shqiptarëve»,  për «kreshpërim dhe spekulime rreth autoktonisë së tyre», për «kapardisje gjatë trajtimit të rolit dhe të luftës së ilirëve kundër Perandorisë Romake, për «trajtimin e gabuar të ardhjes së sllavëve në Ballkan», për «mbiçmimin e rezistencës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane», për «lavdërim me Rilindjen Kombëtare dhe formimin e Shtetit Shqiptar», për «stërmadhim të pjesëmarrjes së tyre në lëvizjen punëtore dhe më pas në lëvizjen nacionalçlirimtare»32. Nuk ka dyshim se këto vlerësime për shkencën dhe kulturën shqiptare, bindja e verbër ndaj konkluzioneve dhe solidarizimi me masat e dhunës të ndërmarra nga autoritetet e Beogradit, S. Hasanit i hapën rrugën e karrierës politike për postet më të larta e më të rëndësishme, të anëtarit të Presidencës së RSFJ dhe në vitin 1981, të kryetarit të saj. Në përgjithësi, sulmet e ndërmarra nga forumet serbe u shoqëruan me analizat kritike për veprimtarinë e deritanishme të institucioneve kosovare, për programet shkencore-kërkimore, për veprimtarinë botuese etj. Masa politike dhe administrative u morën edhe kundër të gjithë atyre punonjësve shkencorë, që nuk u treguan të gatshëm për t’u përfshirë «në luftën për kapërcimin e gjendjes dhe për sqarimin e problemeve të historiografisë së Kosovës»33.

Në emisionet speciale të radiotelevizionit të Beogradit, «Shkenca në dobi të nacionalizmit» dhe «Pseudoshkenca në dobi të nacionalizmit», të organizuara në janar të vitit 1982, në artikujt e punonjësve shkencore dhe të akademikëve serbë të botuar në revistën «Nin», (nga fundi i atij viti), u riparaqitën tezat e historiografisë serbe të së kaluarës mbi etnogjenezën e shqiptarëve dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare në mesjetë. Akademikët serbë duke u përpjekur për t’iu kundërvënë tezës për prejardhjen ilire të shqiptarëve, të pranuar në përgjithësi nga rrethet shkencore të botës dhe nga shumë autorë jugosllavë, iu rikthyen pikëpamjeve të vjetra të autorëve serbë për prejardhjen thrakase dhe për romanizimin ose për sllavizmin e ilirëve. Ngritja dhe trajtimi i këtyre problemeve në revistën «Nin» të Beogradit mori ngjyra të forta politike, ndërsa «mbrojtja e tezës mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve u barazua me irredentizmin»34.
Në mënyrë të veçantë, u goditën figurat e shquara nga historia kombëtare e popullit shqiptar. Në «sesionin shkencor» kushtuar rrënjëve të nacionalizmit, të organizuar në Prishtinë në vitin 1985, Vladeta Vukoviç u ndal posaçërisht në «keqpërdorimin» dhe në «glorifikimin» që historiografia shqiptare i kishte bërë shëmbëlltyrës së Skënderbeut35. Sipas tij, heroi kombëtar i popullit shqiptar ishte keqpërdoruar për qëllime nacionaliste, ndërkohë që ai nuk ishte tjetër, veçse një personalitet i rëndomtë nga periudha e feudalizmit. Në propagandën dhe në artikujt e shtypit serb Ismail Qemali u trajtua si agjent i Austrisë, Isa Boletini «një bashibozuk turkofil», ndërsa Azem Galica «një vrasës i serbëve të pafajshëm» etj.
Objekt i sulmeve të papara u bë festimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që ishte organizuar në vitin 1978, në Tiranë dhe në Prishtinë. Vetë Lidhja dhe sidomos kremtimi i përvjetorit të saj u trajtuan si pjesë të strategjisë e të përpjekjeve të nacionalistëve shqiptarë, që kërkonin t’ia bashkonin Kosovën Shqipërisë, si tentativë për të krijuar «Shqipërinë e Madhe». Në shtypin e Beogradit, por edhe në atë të Malit të Zi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u cilësua si organizatë e krijuar nga Forta e Lartë dhe nga Sulltani36. Ndërkohë, kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, u paraqit si «luftë e fanatikëve dhe e bashibozukëve shqiptarë» që gjoja u drejtua kundër «popujve të Serbisë, të Malit të Zi dhe ushtrive të tyre çlirimtare».
Në botimet historiografike dhe në artikujt e shtypit, u nxitën diskutimet për qëndrimin e shqiptarëve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore etj. Me intervistën «Keqpërdorimi i një dokumenti të luftës», të botuar në revistën «Nin» të Beogradit, filloi seria e artikujve dhe e intervistave kundër Konferencës Themeluese Nacionalçlirimtare për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, që u mbajt në Bujan të Malësisë së Gjakovës, nga 31 dhjetori i vitit 1943 deri më 2 janar 1944 dhe në përgjithësi kundër LNÇI në Kosovë37.
Këta artikuj dhe diskutime ndikuan për acarimin e marrëdhënieve ndërnacionale midis popujve të Jugosllavisë dhe sidomos për të kultivuar urrejtjen antishqiptare. Nga republikat sllave u kërkua që institucioneve arsimore e kulturore të KS A të Kosovës t’u hiqeshin emrat e personaliteteve dhe të figurave historike shqiptare, ndërsa ushtarët nga radhët e kësaj popullsie u dënuan sepse kishin kënduar për heroin e luftës së Spanjës Asim Vokshin38.
Tezat e saj, historiografia serbomadhe u përpoq t'i përfshinte edhe në botimin e Enciklopedisë Jugosllave dhe sidomos në tekstet mbi «Shqiptarët» dhe mbi «Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave». Probleme u hapën sidomos në zërat që iu kushtuan etnogjenezës së shqiptarëve, gjuhës së tyre, periudhës së Skënderbeut, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, migrimeve të popullsive, rolit të PKJ dhe pjesëmarrjes së popullsisë shqiptare në LNÇl etj39. Kundër tekstit «Shqiptarët» të përgatitur nga redaksia e KSA të Kosovës u sulën akademikët serbë, anëtarë të redaksisë qendrore të Enciklopedisë Jugosllave, por për çudi, deri dhe delegatët serbë të Kongresit IX të LK të Serbisë40. Ky fakt dëshmon qartë se edhe problemet shkencore u politizuan aq sa u shndërruan në probleme të mprehta politike dhe morën një rëndësi të veçantë. Akuza të rënda u drejtuan kundër punës së Institutit të Historisë. Në mënyrë të veçantë u sulmua drejtuesi i këtij institucioni akademiku Ali Hadri, sepse guxoi të demaskonte publikisht shpifjet dhe akuzat antishqiptare të historiografisë serbe41. Në prill të vitit 1983, për t’i dhënë një formë të organizuar paraqitjes së tezave të historiografisë serbe dhe për të ushqyer ritmikisht me to opinionin jugosllav dhe atë botëror, Akademia e Shkencave e Serbisë formoi një komision të posaçëm. Komisioni kishte për detyrë të merrej me studime arkeologjike, historike, gjuhësore, letrare, artistike, ekonomike, etnografike, sociologjike, demografike për tërë territorin e KSA të Kosovës. Në këtë komision bënin pjesë profesorë dhe akademikë serbë të njohur për punimet, për pikëpamjet dhe për qëndrimin e tyre antishqiptar si Antonie Isakoviç, Pavle Iviç, Milutin Garashanin, Atanasie Urosheviç, Dobrica Qosiç, Dimitrie Bogdanoviç, Sima Qikoviç42 etj. Në këtë komision prej 20 anëtarësh, i cili do të studionte tematikën kosovare, nuk bënte pjesë asnjë studiues nga KSAK. Këto qëndrime u mbajtën në një kohë që krahina ishte pjesë përbërëse e RS të Serbisë dhe për më tepër, institucionet shkencore të saj ishin kritikuar se kishin qenë të mbyllura kundrejt institucioneve shkencore republikane dhe federative. Sulme të ashpra u bënë edhe kundër Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues nga KSAK dhe nga viset e tjera shqiptare në Jugosllavi.
Sipas zëdhënësve të qarqeve shoviniste në Jugosllavi vendimet e Kongresit dhe norma letrare kishin kontribuar për ringjalljen e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar43.

Rol të ngjashëm me atë të Akademisë së Shkencave mori përsipër edhe Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë. Në veprimtarinë e saj një vend të rëndësishëm zuri tematika për Kosovën. Shkrimet dhe trajtesat e anëtarëve të kësaj shoqate për Kosovën synonin të krijonin bindjen se, asnjëherë në historinë e vet, kombi serb nuk kishte patur pasoja më të rënda se sa në ato vite, «si rrjedhojë e veprimit të kundërrevolucionit të shqiptarëve». Meqenëse nuk gjeti argumente dhe materiale për të goditur drejtpërdrejt krijimtarinë letrare-artistike në Kosovë, Shoqata e Shkrimtarëve c Serbisë iu fut rrugëve të tjera, që lidheshin më pak me letërsinë dhe më shumë me problemet politike të Krahinës. Me nxitjen e saj, gjatë vitit 1985 u hartua e ashtuquajtura Letër e hapur e 40 shkrimtarëve serbë, malazezë dhe myslimanë nga Kosova. Letra iu drejtua Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe nëpërmjet saj nënshkruesit shprehën mospajtimin e tyre lidhur me punën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës44. Para se kjo letër të shqyrtohej në Kosovë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë e miratoi atë pa asnjë rezervë. Në të njëjtën kohë ajo kërkoi me insistim që letra të diskutohej edhe në mbledhjen e jashtëzakonshme të Shoqatës së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Gjatë diskutimit që u organizua me këtë rast, problemet e shtruara nga përfaqësuesit serbë ishin të natyrave nga më të ndryshmet. Ato kishin të bënin, para së gjithash, me gjendjen dhe me shpërnguljet e popullsisë serbe e malazeze nga Kosova. Por krahas tyre, nuk munguan edhe shpifjet e akuzat kundër punës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Krahinës. Ajo u sulmua ashpër sepse nuk kishte organizuar asnjë mbrëmje letrare kushtuar shkrimtarëve serbë, si Dcsanka Maksimoviç45 e Petar Sariç të njohur për qëndrimet e tyre antishqiptare. Kundër shpifjeve dhe akuzave antishqiptare të shkrimtarëve serbë u ngritën me forcë përfaqësuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, krijuesit e mirënjohur shqiptarë, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli etj46.
Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë u bë nismëtare për organizimin e diskutimeve për Kosovën. Si bazë për këto diskutime shërbyen librat e botuara prej anëtarëve të saj, ose të Akademisë së Shkencave, si dhe artikujt për gjendjen politike në krahinë të botuar organet e shtypit të Beogradit.
Në mbledhjet për diskutimin e këtyre problemeve histeria antishqiptare shpesh mori përmasa të papara. Në to u flak tej çdo maskë për «barazinë e popujve», për parimet e shpallura kushtetuese dhe ato u kthyen në mbledhje legale që bashkuan elementët e njohur për pikëpamjet unitariste, kundërshtarët e rregullimit kushtetues federativ të Jugosllavisë. Në këto diskutime u arrit deri aty sa, që për të mbrojtur serbët dhe malazezët e “kërcënuar” në Kosovë, të kërkohej ndërhyrja e OKB-së, ose e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës47. Por këto ishin vetëm deklarata për konsum publik. Udhëheqja Federative dhe ajo e Republikës së Serbisë, shtypi dhe shoqatat shkencore e letrare të Serbisë, e kishin të qartë se paraqitja e problemit të Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ishte në favorin e tyre. Ata e kishin të freskët përkrahjen, mirëkuptimin që gjetën në opinionin publik dhe në shtypin botëror lufta e popullit shqiptar në Jugosllavi gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981.

Përpjekje të mëdha u bënë edhe për kufizimin e të drejtave elementare kombëtare të popullsisë shqiptare. Në mënyrë të veçantë këto përpjekje u drejtuan kundër popullsisë shqiptare të copëtuar në përbërjen e republikave të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë. Organet arsimore të RS të Serbisë u përpoqën me të gjitha mënyrat që në KSA të Kosovës mësimi i gjuhëve jo amtare, pra i gjuhës serbokroate, të fillonte nga arsimi parashkollor. Por edhe këto orvatje nuk ia arritën qëllimit për shkak të kundërshtimit të vendosur të arsimtarëve dhe të intelektualëve atdhetarë shqiptarë. Atë që nuk e arritën organet serbe në Kosovë e realizuan autoritetet maqedonase, të cilat vendosën që duke filluar nga shtatori i vitit 1983, në paralelet e gjuhës shqipe në atë republikë mësimi i gjuhës maqedonase të fillonte nga klasa e parë48. Organet republikane vendosën gjithashtu, që në paralelet në gjuhën shqipe të shkollave të mesme, mësimi në këtë gjuhë të bëhej vetëm në vitin e parë, ndërsa nga klasa e dytë dhe deri në të katërtën, nxënësit shqiptarë të arsimoheshin në gjuhën maqedonase49.
Përpjekje për kufizimin e arsimit në gjuhën shqipe në të gjitha hallkat  e sistemit arsimor u bënë edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Përfaqësuesit serbë, anëtarë të Komitetit Komunal të LK të Bujanovcit theksonin në atë kohë, se «ndarja nacionale midis kombeve e kombësive të kësaj komune kishte filluar para dy dekadave dhe konkretisht, me hapjen e gjimnazit në gjuhën shqipe». Sipas tyre, «hapja e kësaj shkolle në komunë ishte bërë në mënyrë të «dhunshme»50. Edhe në RS të Malit të Zi arsimi në gjuhën shqipe u vu në një pozitë të vështirë. Në shkollën «Vëllazërim-bashkim» të komunës së Ulqinit, mësimi zhvillohej me dy ndërresa. Rreth 90% e nxënësve ishin nga fshatrat dhe kryesisht nga Vladimiri, Shtoji e Sukobini. Ata ishin të detyruar t’i vijonin mësimet deri në orën 20, kur nuk punonte asnjë nga linjat e autobusëve51.
Në RS të Maqedonisë nuk mbeti asnjë shkollë e mesme ku mësimet të zhvilloheshin vetëm në gjuhën shqipe. Edhe gjimnazi «Zef  Lush Marku» në Shkup, duke filluar nga viti 1984-1985, u shndërrua në një shkollë të përzier ku mësimi zhvillohej në gjuhët shqipe dhe maqedonase. Në Tetovë, në Dibër, në Gostivar, në Shkup, në Strugë, në Kërçovë dhe në Kumanovë, shkollat e mesme punonin me turne52. Nxënësit shqiptarë, që ishin nga këto qytete ose nga fshatrat rreth tyre u vunë në një pozitë më të pafavorshme duke i krahasuar me nxënësit maqedonas. Kërkesat e vazhdueshme të nxënësve dhe të arsimtarëve shqiptarë në RS të Maqedonisë për përdorimin e barabartë të gjuhëve shqipe dhe maqedonase në dokumentacionin shkollor, për hapjen e paraleleve të reja në gjuhën shqipe, për çeljen e fakulteteve në këtë gjuhë në Tetovë u trajtuan, në atë kohë e më pas, si kërkesa nacionaliste dhe irredentiste. Këto masa u morën në një kohë, kur në vitin 1984, në Fakultetin e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe dhe të Akademisë Pedagogjike në Universitetin Shkupit mësonin vetëm 200 studentë53. Numri i studentëve shqiptarë të regjistruar në këtë katedër erdhi nga viti në vit duke u zvogëluar. Nxënësit shqiptarë që mbaronin shkollat e mesme në RS të Maqedonisë për të vazhduar studimet e larta ishin të detyruar të regjistroheshin në Universitetin e Prishtinës. Në ato vite, me gjithë pengesat dhe masat kufizuese, vështirësitë ekonomike etj., në atë Universitet studionin mbi 2000 studentë nga ato vise.
Akoma dhe më e vështirë ishte gjendja e shqiptarëve të shpërndarë për të gjetur punë në brendësi të Jugosllavisë. Në vitin 1982, vetëm në  Beograd kishte mbi 8000 shqiptarë, të cilët nuk kishin asnjë mundësi për t’i arsimuar fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Edhe paralelja në këtë gjuhë që u hap me shumë mundime në Surçin, u mbyll shpejt nga autoritetet e kësaj bashkësie lokale nën pretekstin se nxënësit shqiptarë nuk donin ta frekuentonin54.

Në viset jashtë Kosovës filloi të zbatohej politika e njohur e ndryshimit të emrave të shqiptarëve gjatë regjistrimit në dokumentacionin shtetëror dhe në shkolla. Nxënësit shqiptarë u privuan nga e drejta e ligjshme për t'i mbajtur emrat dhe mbiemrat sipas rregullave të gjuhës shqipe. Në RS të Maqedonisë, mbiemrave iu hoqën mbaresat «i» dhe «u», dhe iu shtuan mbaresat «ski», ndërsa në RS të Malit të Zi dhe në disa rajone të Serbisë, si në Banjë të Sijarinës etj., ato u zëvendësuan me mbaresën «iq». Për më tepër, fëmijët shqiptarë në këto vise u privuan nga e drejta për të mbajtur dhe për të përdorur emrat kombëtarë. Kështu për të vijuar mësimet në shkollat e RS të Maqedonisë, ata më parë, duhej të ndërronin emrat e tyre si Shqipe, Kastriot etj55.
Nga autoritetet maqedonase u theksua se nuk do ta njihnin dokumentacionin në gjuhën shqipe të lëshuar nga organe administrative dhe shkollore të KSA të Kosovës. Heqja e të drejtës për të përdorur gjuhën shqipe në administratë u bë nën pretekstin se në territorin e asaj republike këtë gjuhë nuk e kuptonte askush56. Për rrjedhojë, në territorin e RS të Maqedonisë, nuk u njohën as diplomat që i kishin marrë nxënësit shqiptarë pas mbarimit të shkollave në KSA të Kosovës.
Në RS të Maqedonisë arsimtarët shqiptarë u dënuan nën akuzën false se dokumentacionin shkollor e mbanin vetëm në gjuhën shqipe57, e cila nuk kuptohej nga organet e kontrollit të asaj Republike. Por këto akuza edhe pse mbushën faqet e shtypit nuk i përgjigjeshin së vërtetës. Gazeta «Rilindja» vinte në dukje se në shkollën e mesme «Niko Nestor» të Strugës, tërë veprimtaria e administratës mbahej në gjuhën maqedonase. Regjistrat plotësoheshin sipas rregullave të drejtshkrimit të gjuhëve sllave. Në to më parë shkruheshin mbiemrat e pastaj emrat e nxënësve. Bashkëtingëlloret e gjuhës shqipe që nuk i ka gjuha maqedonase, ishin ndryshuar me të tjera. Në tabelat e shpalljeve dhe në mbishkrimet e tjera të shkollave përdorej vetëm gjuha maqedonase. Arsimtarët maqedonas, (shkolla kishte gjithsej 90 arsimtarë nga të cilët vetëm 16 ishin shqiptarë), edhe në paralelet e gjuhës shqipe mësimet i zhvillonin në gjuhën maqedonase58. Kjo gjendje pak a shumë vihej re në të gjitha shkollat dhe paralelet në gjuhën shqipe që funksiononin jashtë territorit të KSA të Kosovës.
Në shtator të vitit 1983, organet administrative të RS të Maqedonisë  vendosën që toponimia, emrat e fshatarëve e të qyteteve në rajonet shqiptare ose me popullsi të përzier të kësaj Republike të shkruheshin vetëm në trajtën maqedonase59. Këto masa, siç vinte në dukje shtypi shkencor kosovar, ishin më rigoroze se ato që ishin ndërmarrë në kohën e «monarkisë së ish-Jugosllavisë që ushtronte politikën... e shfarosjes së shqiptarëve përmes shpërnguljes nga këto troje»60. Këtë fakt e konstatonte edhe gazeta gjermano-perëndimore «Frankfurter Algemajne Cajtung». Sipas korrespodentit të mirënjohur të kësaj gazete, Viktor Mejer, në Maqedoninë Perëndimore nuk kishte shkrime në gjuhën shqipe dhe një funksionar maqedonas këtë gjë e shihte si diçka pa rëndësi. Sipas autorit emri i vendbanimit Dibër në transkriptimin latin, nuk shkruhej si në gjuhën shqipe, «Dibër», por në gjuhën sllave «Debar». Në Strugë pronarët e dyqaneve nuk lejoheshin të përdornin tabela në gjuhën shqipe... «A nuk është pasojë e nacionalizmit maqedonas, pyet korrespodenti Viktor Majer, e gjithë kjo histori e shkrimit të emrave të vendeve?»61
Në të gjitha rajonet ku jetonin shqiptarët u morën një radhë masash të posaçme shtypëse, herë të hapura e herë më të maskuara, për të penguar përdorimin e lirë të gjuhës shqipe në administratën shtetërore, si edhe për të penguar zbatimin e parimit të dygjuhësisë. Në të gjitha mbledhjet, pavarësisht nga përkatësia kombëtare e delegatëve, diskutimet bëheshin në gjuhët serbe ose maqedonase. Siç vinte në dukje edhe shtypi kosovar i asaj periudhe, edhe në KSAK, mbledhjet e organeve e të niveleve të ndryshme, në rang krahine ose nëpër komuna, zhvillohen kryesisht në gjuhën serbokroate, pavarësisht nga struktura kombëtare e pjesëmarrësve në to62.
Të gjitha këto masa, herë të sanksionuara me ligj dhe herë të vendosura arbitrarisht; merrnin nëpër këmbë parimet kushtetuese. Ato u drejtuan kundër nenit 250 të Kushtetutës së RSFJ që theksonte se «vendimet, dokumentet dhe aktet e tjera individuale të lëshuara nga organet shtetërore dhe të autorizuara në një republikë, përkatësisht në një krahinë autonome, kishin të njëjtën vlerë edhe në republikat e tjera, përkatësisht në krahinat autonomc.»63 Ato goditën dhe vunë në pikëpyetje edhe zbatimin e nenit 170 të këtij dokumenti që njihte lirinë e garantuar të qytetarit për të përdorur gjuhën dhe shkrimin e vet64.

Në qendër të goditjes u vunë gjithashtu të gjitha aktet ligjore e nënligjore, që zbatoheshin në institucionet më të rëndësishme të KSAK, ose në ndërmarrjet ekonomike të saj. Organet federative morën vendim për të krijuar edhe një komision federativ, i cili do të kishte për detyrë që të kontrollonte bazën ligjore të kritereve dhe të veprimtarisë që ishte ndjekur në KSAK për pranimet në punë. Në përgjithësi të gjitha këto akte u sulmuan ashpër dhe në mënyrë arbitrare u konkludua se gjatë zhvillimit të konkurseve për pranimin në punë të qytetarëve, ishte kërkuar njohja e dygjuhësisë edhe në ato raste kur ajo nuk parashikohej me ligj.
Komisioni, gjatë vitit 1982 dhe 1983, kontrolloi 866 ndërmarrje e institucione65. Gjatë kontrollit u pa qartë se aktet e vëzhguara ishin të rregullta e mbi baza ligjore dhe se ato nuk kishin asgjë të përbashkët me nacionalizmin. Por pavarësisht nga kjo, elementët shovinistë që bënin pjesë në këta komisione u përpoqën ta shfrytëzonin ketë rast për të përfshirë në konkluzionet e kontrollit gjykimet dhe vlerësimet e tyre. Akuzat e paraqitura prej tyre, se përdorimi i dygjuhësisë e kishte diskriminuar popullsinë serbe e malazeze dhe e kishte detyruar atë për t’u shpërngulur nga krahina, bënë që në konkurset e shpallura më pas për pranimet në punë «të hiqej dorë nga kërkesa për njohjen e dygjuhësisë edhe për ato vende ku ajo ishte më se e domosdoshme»66. Nën presionin e vazhdueshëm të qarqeve drejtuese të RS të Serbisë, të organeve federative dhe të shtypit të Beogradit u mor nëpër këmbë ligji i aprovuar në vitin 1970, për përdorimin e barabartë të gjuhëve në KSAK, si edhe kriteret për zënien në punë të punonjësve në dobi të popullsive serbe e malazeze.
Kërkesat në këtë drejtim nuk mbaruan me kaq. Këshilli Koordinues për Marrëdhëniet Ndërnacionale i Konferencës Republikane të LSPP të Serbisë kërkonte nga organet kompetente që në KSA të Kosovës «të rishqyrtoheshin dispozitat përnjohjen e obligueshme të gjuhës shqipe.»67 Sipas përfaqësuesve serbë, ishte e nevojshme që të thyhej «fetishizimi i tepruar i njohjes së gjuhës joamtare..., pasi njohja e dy apo tre gjuhëve, pengonte ardhjen e kuadrove dhe të ekspertëve në Kosovë»68. Kërkesat e paraqitura prej tij në atë kohë, synonin të mënjanonin të gjitha pengesat ligjore e administrative për rikolonizimin e Kosovës. Në krahinë mund të vendoseshin të gjithë ata që dëshironin si dhe të gjithë ata që do të silleshin aty nën maskën e «ekspertëve» të «kuadrove», ose «specialistëve» të ndryshëm. Për përfaqësuesit serbë nuk kishte rëndësi fakti në se ata kishin qenë ose jo më parë banorë të krahinë. Për t’i joshur ata Kosova, si më parë edhe tani, u paraqit si «tokë e premtuar».
Nga organet e të gjitha niveleve, përpara ngjarjeve të vitit 1981, struktura kombëtare e të punësuarve në Kosovë ishte paraqitur si një nga arritjet më të rëndësishme të popullsisë shqiptare. Por, pas demonstratave lë vitit 1981, ky problem jo vetëm që nuk u mor më në konsideratë por u sulmua me ashpërsi. Mbi tavolinë dhe për diskutim u rivunë projektet e vjetra për kolonizimin e këtyre viseve. Strukturat politike, federative e republikane, diskutimet për problemet e punësimit i përqendruan rreth një çështjeje të vetme. Aktet ligjore dhe praktika që do të ndiqej në krahinë në të ardhmen duhej të përcaktonte qartë se kujtdo t’i jepej përparësi gjatë futjes në punë: «serbëve e malazezëve që donin të vinin e të sistemoheshin rishtas në krahinë, atyre që kishin ikur më parë prej saj dhe tani donin lë riktheheshin, apo atyre që kërkonin të largoheshin prej saj për shkak të mungesës së perspektivës për punë».
Faktet e botuara në organet e shtypit për të zënët në punë, për përbërjen e tyre kombëtare dëshmonin qartë për rrjedhojat e kësaj politike. Kështu në vitin 1985, në komunën e Ferizajt, një në çdo dhjetë banorë ishte në marrëdhënie pune në sektorin shoqëror. Në atë kohë komuna kishte 9082 të papunë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 1986, kjo shifër arriti në 9861 veta. Për nga përkatësia kombëtare, përqindja e shqiptarëve të papunë u rrit nga 88.5 në 89% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. Midis 919 vetave që zunë punë gjatë vitit 1985 dhe 394 në gjysmën c parë të vitit 1986, serbë ishin përkatësisht 35,5 dhe 30%69.

Në fund të vitit 1986 në sektorin shoqëror në komunën e Preshevës punonin 3000 veta, ndërsa 2000 të tjerë kishin emigruar për punë jashtë Jugosllavisë. Komuna kishte 2800 të papunë të regjistruar dhe midis tyre 7032 ishin shqiptarë, 250 serbë70. Diskriminimi kombëtar që u manifestua gjatë zënies në punë të njerëzve, ndarjes së banesave shoqërore ishte aq i hapur sa që i detyroi delegatët e kombësisë shqiptare në Kuvendin e kësaj komune të deklaronin se në «punë po futej kushdo vetëm pse ishte serb, pavarësisht se ishte në kushte të volitshme, apo kishte ndonjë anëtar tjetër të familjes në punë.»71 Sipas tyre, shqiptarëve të kësaj komune që prisnin punë me vite të tëra dhe që kishin problem sigurimin c kafshatës së bukës, «s’po u mbetej tjetër veçse të vdisnin urie ose të shpërnguleshin për në Turqi.»72 Të bie në sy fakti se ashtu si më parë, edhe tani, u synua që banorëve serbë dhe malazezë të kolonizuar rishtas në Kosovë, t’u krijoheshin privilegje më të mëdha se serbëve e malazezëve që jetonin në Krahinë.
Diskutime të shumta në organet qendrore të Republikave të Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi u bënë edhe për të drejtën e popullsisë shqiptare për të patur dhe për të përdorur flamurin e saj kombëtar dhe sidomos për formën e tij. Elementët shovinistë në republikat e ndryshme i shqetësoi fakti se flamuri kombëtar gjatë demonstratave të pranverës së vitit 1981 kishte shërbyer si simbol i luftës për barazi kombëtare dhe si shprehës i unitetit kombëtar të mbarë popullit shqiptar.
Të drejtën për ta rimbajtur dhe për të përdorur flamurin kombëtar, popullsia shqiptare e kishte fituar me luftë e me gjak, pas demonstratave të vitit 1968. Ajo u ligjërua më pas me vendimet c Kongresit IX të LKJ dhe u sanksionua me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974. Pas demonstratave të vitit 1981, forumet e republikave të ndryshme si edhe delegatët serbë, maqedonas e malazez në forumet federative, flamurin kombëtar shqiptar e paraqitën si element kërcënues për bashkëjetesën, për sovranitetin dhe për integritetin e republikave të tyre e të federatës. Duke u nisur nga këto gjykime e konsiderata ata vunë në dyshim të drejtën e popullsisë shqiptare për ta mbajtur e për ta përdorur atë. Këto qëndrime në realitet vinin në kundërshtim me zgjidhjet kushtetuese, me vendin, me rolin dhe të drejtat që realizonin republikat dhe krahinat në kuadrin e Federatës Jugosllave. Si rrjedhojë e veprimtarisë së këtyre elementeve, dolën urdhëresat e një pas njëshme në bazë të së cilave, në komunat e Medvegjës në RS të Serbisë73, si edhe në ato të Titogradit, Ulqinit, Tivarit, Plavës, Rozhajës, dhe më pas në të gjithë territorin e Malit të Zi, u ndalua mbajtja dhe përdorimi i flamurit kombëtar të popullsisë shqiptare74. Të njëjtat vendime u morën edhe në Kuvendin e Strugës në RS të Maqedonisë. Edhe brigadave të rinisë kosovare, që u dërguan në aksionet punuese jashtë territorit të KSA të Kosovës, iu ndalua mbajtja dhe përdorimi i flamurit kombëtar. Këto veprime ishin antiligjore e antikushtetuese dhe për rrjedhojë ato ngjallën reagimin e menjëhershëm e të përgjithshëm të mbarë popullsisë shqiptare. Kundërshtimi i saj dhe sidomos i shqiptarëve në KSA të Kosovës mori forma hapura e të mprehta. Pas ndalimit të përdorimit të flamurit kombëtar autoritetet e RS të Maqedonisë morën në shqyrtim problemin e ndryshimit eventual të pamjes dhe të formës së tij75. Nga ana e saj, Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës në RS të Malit të Zi, pas miratimit të ligjit për të ndaluar përdorimin e flamurit të kombësisë shqiptare në territorin e kësaj republike arriti në përfundim in se ky flamur nuk mund të ishte identik me flamurin e shtetit kombëtar. Flamuri i Shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi duhej të kishte shenjën dalluese, e cila duhej të shprehte unitetin dhe sovranitetin e Jugosllavisë76. Kjo organizatë vendimet e marra ia paraqiti për shqyrtim dhe për miratim edhe Konferencës Federative të LSPP të Jugosllavisë.
Problemet që lidheshin me flamurin e shqiptarëve në Jugosllavi, u shtruan dhe u diskutuan në mbledhjen e Kryesisë së Konferencës së LSPP të Kosovës, që u mbajt në qershor të vitit 1981. Por, më 19 qershor të atij viti, Kryesia e Konferencës, për shkak të pakënaqësisë së përgjithshme që ngjallën këto diskutime në masën e popullsisë shqiptare u detyrua të nxirrte deklaratën, sipas së cilës, «ajo i konsideronte si pa kuptim diskutimet që lidheshin me formën e flamurit të shqiptarëve, si edhe ato që lidheshin me përdorimin ose ndalimin e tij.»77
Presioni i vazhdueshëm që vinte nga RS e Serbisë dhe nga republikat e tjera ku jetonin shqiptarët nuk u ndal me kaq. Me nismën e organeve të RS të Serbisë filloi puna për hartimin dhe miratimin e ligjit për përdorimin e flamujve të kombësive që jetonin në atë Republikë. Përfaqësuesit serbë kërkonin që flamujt e kombësive të ishin të ndryshëm nga flamujt e «shteteve amë»; ata duhej të përmbanin simbolet e unitetit dhe të sovranitetit të Jugosllavisë78. Kuvendi i Serbisë kërkonte nga Dhoma Federative e Kuvendit të RSFJ që të aprovonte sa më parë marrëveshjen për përdorimin e flamujve79.
Nën presionin e këtyre forcave këtë problem e shqyrtoi më 15 qershor të vitit l986,  në mbledhje të përbashkët edhe Presidenca e RSFJ dhe Kryesia e KQ të LKJ. Me këtë rast, ato vendosën që problemi i përdorimit të flamurit shqiptar në Kosovë, që sipas tyre po krijonte probleme serioze politike, të zgjidhej deri bë fund të atij viti80.

 


1)  «Rilindja», 07.05.1981. Konkluzionet e mbledhjes së 20-të yë KQ të LKJ.
2)  Po aty. Diskutimi i Mihajllo Zvicerit në mbledhjen e 17-të të KK të LK të Kosovës.
3)  Po aty. Fjala e V. Devës në mbylljen e Plenumit të 17-të të KK të LK të Kosovës. Pas këtyre diskutimeve V. Deva u ngarkua të drejtonte KK të LK të Kosovës.
4)  Po aty. 08.07.1981. Mbledhja e Komisionit për marrëdhëniet ndërnacionale e Kuvendit të RS të Maqedonisë.
5)  Po aty.
6)  Fjala e Ilia Vakiçit, Kryetar i Kuvendit të KSA të Kosovës në seminarin me arsimtarët e Mitrovicës.
7) «Mësuesi». 16.09.1981. Shkolla shqipe në Kosovë nën goditjet e shovinizmit serbomadh.
8)  Po aty.
9) «Rilindja», 05.10.1981. Diskutim i Ramush Ramës, drejtor i Entit Krahinor të teksteve e të mjeteve mësimore në mbledhjen për vlerësimin ideologjik të teksteve mësimore.
10) Po aty. 02.07.1982.
11) «Flaka e vëllazërimit», 22.10.1982.
12) «Rilindja», 26.1.1983.
13) Po aty, 29.9.1982.
14) «Rilindja» dt. 18.1.1981. Diskutim i D. Çullafiçit në mbledhjen e 22-të të KQ të LKJ.
15) Po aty, dt. 1.1.1986. Diskutim i R. Gaçiçit në Plenumin e 26-të të KQ të LKS.
16) «Zëri i Popullit», 29.10.1983, D. Agolli – I. Kadare. Dinakëri dhe arrogancë shoviniste kundër letërsisë shqiptare.
17) «Rilindja», 8.10.1983, N. Rahmani – R. Ismajli. Gjuha amtare dhe letërsitë kombëtare duan trajtim të njëjtë.
18) Po aty.
19) Po aty.
20) «Zëri i Popullit», 29.10.1983.
21) «Rilindja», 19.08.1985. Arsimi edhe për bashkëjetesë.
22) Buletin i Tanjugut, 19.06.1986. Mbledhja e Presidencës dhe e KQ të LKJ.
23) «Zëri i Popullit», 29.05.1981. I. Kadare. Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh.
24) Po aty.
25) Buletin i Tanjugut, 29.10.1984.
26) «Rilindja», 03.03.1983.
27) Po aty, 26.04.1982.
28) Buletin i ATSH, dt. 10.01.1983.
29) Buletin i Tanjugut, 13.12.1984. Sipas shtypit serb, në skenat e filmit, kur flitej për Atdheun dora kthehej nga Shqipëria. Filmi prekte një problem delikat, atë të shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve në Turqi, dhe binte në sy për folklorizëm. Autorët e tij u akuzuan për mungesë vigjilence, për shpërdorim të burimeve financiare, etj.
30) «Rilindja», 30.01.1984.
31) Po aty, 17.02.1982.
32) S. Hasani. Kosova – të vërteta dhe mashtrime. Zagreb, 1986. Shih edhe «Rilindja», 16.03.1986. Këto teza u paraqitën prej tij edhe në kumtesën e mbajtur në seminarin mbarë jugosllav kushtuar rrënjëve të nacionalizmit. Seminari u organizua në Prishtinë në korrik të vitit 1985.
33) Buletin i Tanjugut, 25.05.1983.
34) «Rilindja», 18.12.1982. Mistifikimi i historiografisë.
35) Po aty, 21.06.1985.
36) Buletin i posaçëm i ATSH, 18.10.1982. Artikulli «Si e sajuan “Shqipërinë e Madhe”, i gazetarit të “Pobjedës” të Malit të Zi, Milika Pavloviçi, botuar në revistën “TV-Revija”», 08.10.1982.
37) «Nin», 11.12.1983 dhe 25.12.1983.
38) «Rilindja», 12.06.1983.
39) «Nin», 05.12.1982.
40) «Rilindja», 19.06.1982. Puna për përpilimin e Enciklopedisë Jugosllave.
41) Në Revistën «Kosova» nr. 11, Prishtinë, 1983, prof. A. Hadri me argumente shkencore iu kundërvu tezave antishqiptare të shprehura në redaksinë qendrore të Enciklopedisë së Jugosllavisë. Mjaftoi kjo që shtypi i Beogradit të rifillonte kundër tij një fushatë të egër shpifjesh dhe akuzash. Ai u sulmua për pikëpamjet e shprehura, rreth problemeve që u diskutuan rishtas, si edhe për pikëpamjet e paraqitura në të kaluarën. Prof. A. Hadri u akuzua për hapjen e diskutimeve të panevojshme dhe për pikëpamjet e tij që ishin të njëllojta me ato që vinin nga Shqipëria. Buletini i Tanjugut, 01.02.1983.
42) «Rilindja», 16.05.1984.
43) Po aty.
44) Po aty, 18.07.1985.
45) «Lajmëtari i Lirisë», viti I, nr. 2, tetor-nëntor 1980. Autorja e mirënjohur serbe, Desanka Maksimoviçi në krijimet e saj shprehte pikëllimin «pse nëna serbe nuk lindte 9 fëmijë» të cilët, sipas saj do të bënin serbizimin e Kosovës.
46) «Rilindja», 18.07.1985. Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Shih edhe Buletinin e Tanjugut dt. 16.10.1985. Në këtë mbledhje akademiku i shquar R. Qosja, foli midis të tjerave edhe për shtypjen dhe diktatin që ushtrohej mbi krijuesit dhe mbi intelektualët shqiptarë. Atyre, theksonte ai, u imponoheshin temat “ashti sikurse mësuesi u cakton nxënësve detyrat e shtëpisë”.
47) Po aty, 12.03.1986.
48) Po aty, 03.09.1983.
49) «Zëri i Popullit», 19.11.1985, Revan shovinist në Maqedoni.
50) «Rilindja», 27.07.1985.
51) Po aty, 22.09.1982.
52) Po aty, 11.05.1983. Artikull i marrë nga gazeta «Borba» e Beogradit.
53) Po aty, 30.05.1984.
54) «Nin», 28.11.1982.
55) Buletin i ATSH 10.10.1986.
56) «Rilindja», 18.10.1983, f. 7 dhe 16.07.1983, f.5.
57) Buletin i Tanjugut, 05.10.1983.
58) «Rilindja», 21.06.1985.
59) «Gjuha shqipe», nr. 3, Prishtinë, 1983, f.16.
60) Po aty.
61) Buletin i ATSH, dt. 10.07.1983.
62) «Rilindja» 15.07.1985. Nga barazia normative në atë esenciale.
63) Po aty, 15.07.1985.
64) Po aty.
65) Po aty. 26.04.1984.
66) «Rilindja», 12.11.1983. Barazia e gjuhëve forcon bashkëjetesën.
67) «Zëri i Popullit», dt. 06.02.1982. Masa të reja shoviniste kundër gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare në Kosovë.
68) «Rilindja», 16.07.1985. Diskutim i Millan Sheslisë në mbledhjen e KK të LK të Kosovës.
69) Po aty, 29.07.1986. Papunësia me hap, papunësia me vrap.
70) Po aty, 07.02.1986. Mbledhja e dhomave të KK të Preshevës.
71) Po aty.
72) Po aty.
73) Po aty, 01.07.1981.
74) Buletin i Tanjugut, 24.02.1983.
75) «Rilindja», 23.09.1981. Kuvendi i RS të Maqedonisë.
76) Buletin i Tanjugut, 18.02.1983.
77) «Rilindja», 19.06.1981.
78) Buletin i Tanjugut, 25.02.1983
79) «Rilindja», 01.09.1983.
80) Po aty, 21.06.1986.

 

Lefter Nasi, Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë (1981-1986), Tiranë, Dardania, 1995, f.

Lefter Nasi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...