Oshtima

Tumat e Barçit

Tumat a Barçit e të Kuçit të Zi u shënuan për herë të parë në hartën arkeologjike të rrethit të Korçës gjatë ekspeditës informative që u krye në verën e vitit 1967.1
Pellgu i Korçës është pellgu më i madh dhe më i rëndësishëm i krahinës juglindore të vendit tonë. Këtë pellg e karakterizon një fushë e bukur dhe pjellore e rrethuar nga një unazë malore. Fusha përshkohet nga lumi Devoll, që është një nga arterjet kryesore lumore të vendit dhe që e lidh këtë krahinë nëpërmjet afluentëve të saj me krahinat e tjera të vendit në lindje e në jug. Lugina e Devollit ka qënë gjithashtu një nga rrugët më të rëndësishme tokësore që lidhte vendin tonë me krahinat egjeane.
Në saje të pozitës gjeografike, konfiguracionit të përshtatshëm të terrenit, ujërave të shumta, klimës shumë të mirë dhe pasurive natyrore, pellgu i Korçës ka qenë i banuar që në etapat më të hershme të prehistorisë, prandaj paraqet, nga pikëpamja arkeologjike, një zonë me shumë interes. Qëndrat arkeologjike u përkasin periudhave të ndryshme të zhvillimit, duke filluar nga fazat më të hershme të neolitit deri në mesjetën e vonë. Me sasinë dhe shumëllojshmërinë e monumenteve që ruan pellgu i Korçës në gjirin e tij, mund të themi se, së paku tani për tani, ai paraqitet, sidomos përsa i përket kulturave prehistorike, si zona më e pasur e vendit.2
Ky pellg mbetet dhe në të ardhmen një zonë arkeologjike interesante dhe mjaft e vlefshme për të trajtuar disa probleme të rëndësishme historike e kulturore.
Evidentimi i shumë qendrave arkeologjike është pasuar me gërmime të kujdesshme sistematike, prej nga është nxjerrë në dritë një material i çmuar i cili, si rrallëherë, jep mundësi që në një rajon të ngushtë të ndiqet pandërprerje procesi i zhvillimit nga neoliti i hershëm deri në fund të periudhës së hekurit të hershëm.
Rezultati kryesor i kësaj pune shumëvjeçare është krijimi i një tabloje të qartë mbi zhvillimin historik e kulturor të këtij pellgu në epokat neo-eneolitike, si dhe krijimi i një tabloje të re e të plotë për kulturën ilire të epokës së bronzit e të hekurit dhe për problemin e rëndësishëm të etnogjenezës së ilirëve.
Në kuadrin e këtyre gërmimeve me shumë interes është edhe zbulimi i ‘katër tumave në juglindje të qytetit të Korçës, nga të cilat dy gjendeshin në afërsi të fshatit Barç, ndërsa dy të tjerat pranë fshatit Kuç i Zi. Këto tuma u bënë objekt kërkimesh sistematike për hërë të parë në vitin 1969 dhe hapja e tyre përfundoi në vitin 1975.3
Fshati Barç ndodhet në juglindje të qytetit të Korçës, rreth 2 km larg tij dhe bën pjesë në vargun e fshatrave që shtrihen në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Korçë-Bilisht. Dy tumat që vendasit i quanin «Tumba», ngriheshin në fushën e fshatit, në vendin e quajtur «Bregu i Merasë».
Gjatë punimeve të herëpasherëshme bujqësore në sipërfaqen e këtyre tumave kishin dalë kocka njerëzish, fragmente qeramike e enë të plota, nga të cilat ruhej vetëm një poç i vogël me vegjë giysmë-rrethore mbi buzë.
Më e madhja nga këto tuma, tuma I, u fiksua në hartën arkeologjike të kësaj zone gjatë ekspeditës informative të vitit 1967. Në vitin 1971, gjatë fushatës së parë të gërmimeve në këtë tumë, duke kontrolluar zonën përreth, konstatuam se në afërsi të saj ndodhej edhe një tumë tjetër më e vogël, që e emërtuam tuma II4. Nga një tumë e tretë që dikur bënte pjesë në këtë grup, kishin mbetur vetëm gjurmë të saj. Midis disa gurëve të shpërndarë në mënyrë të çrregullt ne gjetëm një enë balte të plotë, një fragment ene të madhe, si dhe një majë heshte e dy gjilpëra hekuri.
Nga kontrolli që iu bë zonës ku shtriheshin tumat rezultoi se numri fillestar i tyre ka qenë më i madh, por ishte vështirë të përcaktohej me saktësi, meqenëse territori përreth kultivohet prej vitesh dhe disa prej tyre ose ishin shkatërruar, ose aty-këtu ruheshin vetëm gjurmë të pranisë së tyre të dikurshme. Dëshmi për këtë ishin gurët e shumtë të varreve, fragmentet e enëve të thyera dhe objekte të ndryshme metalike që gjendeshin të shpërndara në- për fushë, jo shumë larg tumave ekzistuese.
Gjatë viteve 1971 dhe 1973 u hap plotësisht tuma I. Në gërmimet e vitit 1975 u hap tuma e dytë dhe e fundit e këtij kompleksi tumash të shkatërruara gjatë kohëve nga punimet e vazhdueshme bujqësore.


     ARKITEKTURA E TUMAVE

 

TUMA I
Kjo tumë ndodhej në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Korçë-Bilisht, rreth 6 km larg saj. Terreni fillestar mbi të cilin ishte ngritur kishte një disnivel nga jugu në veri, prej 1,20 m dhe nga lindja në perëndim prej 1.10 m. Për shkak të kësaj pjerrësie, lartësia nga skajet në drejtim të qendrës ishte e ndryshme. Tuma kishte formën e një kësule me lartësi 2.30 m. Lartësia minimale (nga skaji verior dhe lindor) ishte 2 m, ndërsa lartësia maksimale (nga skaji verior dhe perëndimor), ishte 3.40 m. Diametrat ishin 43 x 41 m. Me gjithë përmasat e mëdha që kishte tuma, ato nuk tregonin madhësinë fillestare të saj, meqënëse gjatë punimeve të përvitshme bujqësore sipërfaqja ishte dëmtuar e prej saj ishin hequr mjaft gurë.
Tuma ishte ngritur me dhe të përzier me gurë të vegjël, ndërsa elementet arkitektonike në brendësi të saj ishin me gurë.
Konstruksioni fillestar i tumës përbëhej nga një muranë qendrore prej gurësh që ngrihej mbi taban. Ajo kishte formën e një kësule me lartësi 0.80 m e me diametër të bazës 3,20 x 2,20 m. Murana, që përmbante varrin qendror, rrethohej me një unazë gurësh dhe mbulohej nga një shtresë e trashë dheu. Unaza me diametër 13,5 m formohej nga një rresht gurësh të bardhë gëlqerorë të vendosur përbri njëri tjetrit dhe ishte krejtësisht e plotë.
Mbi këtë konstruksion është ndërtuar më vonë tuma. Në një kohë tjetër, që nuk dihet me siguri se kur, kjo është rrethuar: me një unazë të dytë, e cila ngrihej 1-1,40 m mbi të parën dhe kishte formë pothuajse të rrumbullakët me diametër 13x14 m. Në dy vende kishte shkëputje të vogla, ndërsa në pjesën jugperëndimore ajo ishte dëmtuar nga ndërhyrja e varrit 38, i cili ishte ndërtuar, me sa duket, më vonë. Kjo unazë, ashtu si dhe unaza më e hershme e tumës, formohej nga një rresht gurësh të bardhë gëlqerorë, të papunuar dhe vetëm një pjesë e vogël e saj ishte ndërtuar nga dy rreshta gurësh të vendosur njëri mbi tjetrin.
Në zonën më periferike të sektorit të tretë JP, që është edhe sektori më i madh i tumës, me rreze 29 m, u zbuluan shumë gurë në formën e një kalldrëmi mjaft të ngjeshur, që formohej nga disa shtresa. Megjithëse kufizimet e varreve në këtë mori gurësh nuk dukeshin qartë, gjatë gërmimit, këtu u fiksuan shtatë varre. Në bazë të inventarit ato, përfaqësojnë varret kronologjikisht më të vona të tumës. Mendojmë që kjo pjesë periferike e këtij sektori duhet të jetë një shtojcë e mëvonshme e tumës, meqenëse kjo tablo arkitekturore dhe varre me këtë përkatësi kohore janë gjetur vetëm në këtë sektor.
Tuma mbulonte 181 varre, pa llogaritur këtu ato që janë shkatërruar.
Gjatë gërmimit si dhe gjatë studimit të profileve gjatësore, ne nuk mundëm të përcaktojmë linjat e tumës fillestare dhe asaj të zmadhuar, meqenëse dalluam vetëm një shtresë mbushjeje prej dheu të përzier me zhavor të trashë në ngjyrë kafe. Shtresa përmbi të formohej prej humusi me mbeturina të kulturave bujqësore, ndërsa tabani përbëhej nga argjil i përzier me zhavor të trashë.


TUMA II
Ndodhej në krahun e majtë të rrugës automobilistike Korçë-Bilisht, përballë tumës I, rreth 100 m larg saj. Ajo ngrihej mbi një rrafsh që kishte një disnivel nga lindja në perëndim prej 55 cm, nga veriu në jug, prej 70 cm.
Tuma nuk kishte formë të rregullt. Gjatë hapjes së rrugës automobilistike ishte dëmtuar së tepërmi sektori verilindor dhe ai juglindor, ndërsa sipërfaqja e saj ka qenë përdorur vazhdimisht për të mbjellë kultura bujqësore. Pjerrësinë dhe formën më të rregullt e ruante sektori i tretë, veriperëndimor dhe sektori i katërt, jugperëndimor. Lartësia e tumës nga qendra deri në taban ishte 1,20 m. Lartësia maksimale (nga skaji verior) ishte 1,66 m. Lartësia minimale (nga skaji jugor) 1 m; diametrat 20 x 22 m.
Tuma ishte ndërtuar krejtësisht me dhé të përzier me gurë të vegjël. Guri si element arkitektonik ishte përdorur për ndërtimin e unazave e shumë rrallë për kufizimin e varreve.
Fillimisht ishte ndërtuar një tumë prej dheu e lartë, 0,40 m që rrethohej nga një unazë gurësh të bardhë gëlqerorë, e cila ndiqte pjerësinë e terrenit mbi të cilin ngrihej. Nuk ishte e plotë dhe më mirë ruhej në sektorin jugperëndimor, ndërsa në sektorin verilindor prej saj kishin mbetur vetëm disa gurë të shkëputur dhe në bazë të pjesëve të ruajtura diametri i saj u përcaktua rreth 17,5 m. Tuma fillestare përmbante 11 varre.
Më vonë tuma pëson një rritje në lartësi duke u rrethuar me një unazë të dytë dhe në të u vendosën 10 varre. Varri 13 lidhet me ripërdorimin e tumës si vendvarrim në mesjetën e mesme.
Unaza e rritjes së tumës me diametër 11.50 m ngrihej mbi unazën fillestare në një lartësi që lëvistë nga 20-40 cm. Ishte ndërtuar gjithashtu nga një rresht gurësh të vendosur në një farë largësie njëri nga tjetri. Ruhej gati e plotë në sektorin verilindor dhe jugperëndimor, ndërsa në dy sektorët e tjerë ruheshin vetëm gjurmë të saj.
Në ndryshim nga tuma I, gjatë gërmimit si dhe nga studimi i profileve gjatësore, në tumën II dalluam tre shtresa dheu të ndryshëm. Kështu mundëm të përcaktojmë linjat e tumës fillestare dhe asaj të zmadhuar.
Shtresa e parë, më e hershme, e trashë 40 cm, përbëhet nga argjil shumë i ngjeshur, i përzier me pak zhavor të trashë në ngjyrë kafe të errët.
Shtresa e dytë me trashësi 66 om formohej nga argjil i ngjeshur me shumë zhavor të trashë në ngjyrë kafe të çelur.
Shtresa e tretë, 15 cm. e trashë, ishte humus me mbeturina të kulturave bujqësore.
Tuma ngrihej mbi tabanin prej argjili të shkrifët të përzier me shumë zhavor, dhe mbulonte gjithsej 22 varre. (fig. 13).
Elemente të veçanta të arkitekturës së tumave të Barçit, herë të veçuara e herë të kombinuara tërësisht ose pjesërisht, ndeshen edhe në tuma të zbuluara në krahinat jugore e veriore të vendit tonë si dhe në vise të tjera të Ilirisë.
Murana e gurëve që mbulonte varrin qendror të tumës I. është konstatuar dhe në tuma të tjera të njëkohëshme me të ose më të vona. Një dukuri e tillë këto kohët e fundit është vënë re në tumën e Cerujës (rrethi i Gramshit), me ndryshimin se varri qëndror i kësaj tume, që i takon bronzit të hershëm, si dhe murana e gurëve që e mbulonte atë ishin vendosur nën tabanin e tumës.5. Ndërtime të tilla të varreve qëndrore janë zbuluar në tumën e Vodhinës (rr. i Gjirokastrës) dhe të Bajkajt (rr. i Sarandës) varret qendrore të të cilave janë me djegie dhe i përkasin bronzit të mesëm6. Arkitektura e tumës së Çepunës dhe asaj të Bodrishtes (rr. i Gjirokastrës) tregon se tuma me muranë qendrore prej gurësh janë ngritur në vendin tonë edhe në fillim të periudhës së hekurit të hershëm7.
Kjo mënyrë e mbulimit të varrit qendror është konstatuar edhe në disa tuma që janë zbuluar në vise të tjera të Ilirisë. Ngjashmëri të qarta vihen re sidomos me tumat e bronzit të hershëm të grupit Belotiç-Bela-Crkva të Serbisë Perëndimore që kanë një bërthamë qendrore prej gurësh, e cila nganjëherë ka formën e një tume të vogël me mbulesë të rregullt.
Përmendim këtu akoma ngjashmërinë me tumën e Llashticës në afërsi të Gjilanit në Kosovë që i takon periudhës së hekurit8. Ajo ka të njëjtën arkitekturë si dhe tuma I e Barçit me ndryshimin se murana qëndrore e saj nuk dha as varr qendror e as objekte.
Unaza prej gurësh që lidhet me ndërtimin e varrit qëndror ose me zhvillimin e tumës, është një element arkitektonik i përdorur edhe në shumë tuma të tjera të periudhës së bronzit e të hekurit, si në ato të rrethit të Vlorës, Gjirokastrës, Përmetit, Elbasanit, Matit, Kukësit etj.
Unaza është një element karakteristik edhe për tumat e bronzit të hershëm të Serbisë Perëndimore, të Malit të Zi, Dahnacisë etj. Rrathët me gurë janë përdorur edhe në ndërtimin e tumave të Romajës, në afërsi të Prizrenit, në Kosovë. Të dy tumat e Barçit nuk kishin mbulesë të sipërme prej gurësh, element ky arkitektonik që shihet si në tumat e Shqipërisë së Veriut, ashtu dhe në ato të Jugut. Ka shumë të ngjarë që kjo mbulesë të jetë shkatërruar nga dëmtimi që ato kanë pësuar nga përdorimi i tyre i vazhdueshëm si toka për të mbjellë kultura bujqësore.


RITI I VARRIMIT


Në tumën I të Barçit për varrim janë përdorur dy mënyra 1) me vendosje trupi dhe 2) me djegie trupi.

1) MËNYRA ME VENDOSJE TË TRUPIT
Kjo është mënyra më e përdorur, e konstatuar në 163 varre.
Pjesa më e madhe e skeleteve u gjetën shumë të dëmtuar. Në bazë të atyre që ruheshin në gjendje të mirë kemi dalluar tre pozicione kryesore në të cilën ka qenë vendosur trupi.

a)     I mbështetur në njërin krah, me këmbë të mbledhura, me pëllëmbët e duarve njëra mbi tjetrën të vendosura pranë fytyrës ose poshtë saj. Kjo mënyrë varrimi njihet në vendin tonë që nga epoka e neolitit dhe eneolitit9. Raste analoge të vendosjes së kufomës janë konstatuar në epokën e bronzit dhe në fillim të epokës së hekurit të hershëm, në tumën e Pazhokut10, të Patosit11, të Dukatit12 dhe; në tumën e Vajzës13.

b)     I shtrirë në shpinë me kokën të anuar zakonisht mbi supin e djathtë, me këmbë të përthyera e me duar të vendosura mbi bark, mbi kraharor, njëra mbi bark tjetra thyhej deri tek supi, të dyja të kthyera në drejtim të supeve etj.
Kjo mënyrë e vendosjes së kufomës është vënë re në varrin qendror të tumës së Piskovës që i takon periudhës së bronzit të hershëm,14 si edhe në varre të periudhës së bronzit të vonë e të fillimit të hekurit në tumën e Dukatit15.
Deri tani ky pozicion i vendosjes së kufomës nuk njihet në epokat e mëparshme neo-eneolitike. Rrjedhimisht ai duhet konsideruar si një zakon i ri varrimi që duket për herë të parë në bronxin e hershëm së bashku me ritin e varrimit në tuma, e vazhdoi të përdoret edhe më pas në bronzin e vonë e në fillim të epokës së hekurit, krahas me mënyrën e vendosjes të trupit në pozicion të mbledhur të një tradite të hershme neo-eneolitike. Mendimi i shprehur se pozicioni i kufomës në periudhën fillestare të bronzit të hershëm në kuadrin e ritit me tuma, ka qenë i shtrirë në kurriz16, nuk përputhet me të dhënat arkeologjike që dëshmojnë për përdorimin në të njëjtën kohë edhe të varrimit me kufomë të mbledhur, sikurse është vënë re në varrin qëndror të tumës I të Pazhokut e tumës I të Barçit dhe në atë të tumës së Cerujës.
Një rit i tillë varrimi duket në fillim të epokës së bronzit edhe në vise të tjera të Ballkanit dhe mendohet se pozicioni fillestar i kufomës ka qenë me këmbë të mbledhura me gjunjët lart17.

c) I vendosur në shpinë me këmbë të shtrira, me duar të vendosura gjatë trupit ose mbi bark. Kjo mënyrë varrimi është konstatuar në të gjitha tumat që janë zbuluar në vendin tonë, kryesisht në varre të periudhës së hekurit.
Zakonisht çdo varr përmbante një skelet, por nuk mungojnë edhe rastet kur në të njëjtin varr u gjetën dy skelete së bashku. Vendosja e kufomave në këto varre përbri njëri tjetrit e në të njëjtin nivel tregon se këto varre janë të njëkohshme.
Në varrin 79 u gjetën dy skelete të vendosura pjesërisht njëri mbi tjetrin (koka e skeletit të sipërm ishte vendosur mbi basenin e skeletit të poshtëm) Mbasi u hoq skeleti i sipërm u vu re se tibialet e skeletit të poshtëm ishin vendosur përmbi femuret. Në këtë rast mendojmë se kemi të bëjmë me dy varre të veçanta, prandaj dhe i emërtuam 79 dhe 79a. Skeleti i varrit të fundit duhet të jetë dëmtuar pjesërisht nga hapja e gropës së varrit 79 që ndodhej mbi të.
Renditja e varreve brenda në tumë dëshmon se orientimi i tyre nuk ishte i njëjtë: mbizotëron vendosja e kufomave me kokë nga veriperëndimi e jugperëndimi.


2. VARRIMI ME DJEGIE TË TRUPIT


Kjo mënyrë varrimi është përdorur shumë rrallë. Gjithsej numërohen 18 varre me djegie. Nga vrojtimet rezulton se djegia, duhet të jetë kryer jashtë vendit të varrimit, meqenëse gjatë gërmimit në tumë nuk ndeshëm në asnjë rast gjurmë djegieje.
Varrimi me djegie është bërë me urna dhe me gropë dheu.
Ky rit varrimi në vendin tonë njihet që nga koha e bronzit të mesëm.18 Ai do të vazhdojë të përdoret në bronzin e vonë si dhe në periudhën e hekurit të hershëm, por gjithmonë si një dukuri tepër e rrallë.19
Në tumën II është përdorur vetëm riti i varrimit me vendosje të trupit në dy pozicione: a) i mbështetur në njërin krah me duar e këmbë të mbledhura b) në shpinë, me këmbë të shtrira e me duar të tendosura pas trupit, njëra e shtrirë tjetra e përthyer dhe të dyja të vendosura mbi bark. Skeletet me këmbë të mbledhura ishin pothuajse të dekompozuara, ndërsa ato me këmbë të shtrira ruheshin në g]endje më të mirë e në disa raste krejtësisht të plota.
Lidhur me kultin e të vdekurve dhe me ceremoninë që zhvillohej në lidhje me këtë, materiali arkeologjik na jep shumë pak të dhëna.

Askund nuk u konstatuan mbeturina eshtrash të kafshëve, dëshmuese të ndonjë flijimi ndaj të vdekurit. Numri i madh i fragmenteve të enëve të thyera që gjendeshin jashtë varreve, na lejon të supozojmë se duhet të jetë kryer ndonjë ceremoni mortore ndaj të vdekurit. Këto enë mbas varrosjes thyheshin dhe hidheshin jashtë varrit, zakon varrimi ky i njohur tek ilirët.
Prania e fragmenteve të shumta të zbuluara në dheun e hedhur të tumës, nuk përjashton edhe mundësinë tjetër që ky dhe të jetë marrë nga ndonjë vendbanim, i cili duhet të ketë ekzistuar diku aty pranë tumave.


TIPAT E VARREVE


Në tumën I të Barçit u përcaktuan qartë tre tipa varresh: 1) gropa të thjeshta 2) varre të kufizuar me gurë 3) urna.

1) VARRE ME GROPA DHEU
Gropa e thjeshtë, ku i vdekuri vendosej drejt në tokë, përbën tipin kryesor. Nga 181 varret që përmbante tuma, këtij tipi i përkasin 133. Nga të dhënat e gërmimet del se gropa në disa raste mbulohej me degë, me drurë ose me dërrasë e mbi to hidhej dheu. Nganjëherë mbi të vendosej edhe ndonjë gur, i cili mbasi kalbej mbulesa binte brenda në varr. Kështu thyerja e enës së varrit 10 mund të shpjegohet me rënien e gurit të mbulesës nën të cilin ndodhej një pjesë e fragmenteve të enës. Tek disa varre skeleti ishte vendosur mbi një dysheme prej dërrase, siç dëshmojnë gjurmët e drurit të karbonizuar që ruheshin në gjithë gjatësinë e varrit, ose të shtruar me gurë të vegjël e mesatarë.
Në varret 64 dhe 146 vetëm koka ka qenë vendosur mbi një gur.
Përmasat e varrit me gropë ishin të ndryshme në varësi nga pozicioni në të cilin ishte vendosur kufoma. Kur skeleti ishte me këmbë të mbledhura, madhësia e varrit varej nga shkalla e përthyerjes së gjymtyrëve të poshtme. Kështu gjatësia lëvizte nga 1,65-2 m, ndërsa gjerësia nga 0,75-0,90 m. Gjatësia e gropës së varrit kur skeleti ishte me këmbë të shtrira ishte 1,80-2 m, ndërsa gjerësia po ajo.
Tre varre me gropë dheu kanë patur formë të rrumbullakët. Në to ishin vendosur mbeturinat e skeletit të djegur së bashku me hi e qymyr. Gropa ishte mbuluar me dhé (varri 134) ose me fragmente enësh të ndryshme (varri 42, 68).
Varret me gropë njihen pothuajse nga të gjitha varrezat tumulare të vendit tonë. Ato janë zbuluar në Kukës, Mat, Pazhok, Patos, Gërmenj, Dukat, Bajkaj, Piskovë, Rehovë, Prodan etj.


2)    VARRE TË KUFIZUAR ME GURË
Këtij tipi i përkasin 31 varre që paraqiten në tre variante.
a) Varret e variantit të parë janë të pakta. Kufizimet anësore të tyre formoheshin nga dy rreshta gurësh të papunuar, të vendosur në formë muri. Përmasat janë këto: gjatësia 2,40 m, gjerësia 0,90-1,30 m. Varret kanë formë kënddrejti ose elipsoidale.

b) Të variantit të dytë janë varret e rrethuara me një rresht gurësh pranë ose pak të larguar njëri nga tjetri. Gjatësia 1,70-2,30 m, gjerësia 0,80-1,05 m. Kanë formë kënddrejti, shpesh herë me kulme të rrumbullakuara.

c) Varret e variantit të tretë janë më të shumta dhe akoma më të thjeshta. Ato zakonisht formohen nga disa gurë që përcaktojnë gjatësinë dhe gjerësinë e varrit dhe nga disa të tjerë të shpëndarë midis tyre. Tek disa varre dyshemeja ka qenë e shtruar me kalldrëm gurësh të vegjël. Në ndonjë rast ato kanë patur mbulesë guri ose dërrase, Gjatësia e varreve është e ndryshme dhe lëviz nga 1,70-2,20 m; ndërsa gjerësia zakonisht është rreth    0,80m.
Varret me gropë të kufizuar me gurë njihen edhe nga shumë varreza të tjera tumulare. Ato janë zbuluar në Mat, Kukës, Pazhok, Dukat, Bajkaj, Vajzë, Rehovë, Prodan, Piskovë etj.

3) URNA
Mbeturinat e skeleteve të djegura së bashku me hirin vendoseshin në enë të plota. Vetëm në disa raste për këtë qëllim është përdorur një pjesë e enës së thyer.
Për urna zakonisht kanë shërbyer enë të mëdha e të thjeshta të përdorimit të përditshëm. Në tre raste janë përdorur enë të vogla.
Ndër to ishin vendosur një pjesë e kockave të djegura, ndërsa pjesa tjetër ishte grumbulluar përreth tyre.
Urnat ishin vendosur në tumë pa asnjë konstruksion mbrojtës, vetëm në një rast mbi grykën e urnës ishte vendosur një gur i bardhë. Inventari ishte futur brenda në urne ose ishte vendosur jashtë, përbri saj.
Varrimi me urna është përdorur në disa raste edhe në tumën I të Kuçit të Zi. Rrallë ndeshet kjo mënyrë varrimi dhe në tumat e Kukësit20. Ky tip varri njihet gjithashtu edhe nga tumat ilire të Suharekës21 e të Glasinacit.22

Në tumën II të Barçit, me përjashtim të varrit 9 që kufizohej nga një resht gurësh të bardhë gëlqerorë, të gjitha varret e tjera ishin gropa të thjeshta, e në disa raste ato kanë patur mbulesë dërrase (varri 4, 14, 16, 21) ose mbulesë gurësh të rrallë (varri 13)

 

 

Zhaneta Andrea, Kultura ilire e tumave në pellgun e Korçës, Tiranë, 1985.

Zhaneta Andrea


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...