Oshtima

Rreth autoktonisë së shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Pozita e volitshme gjeokomunikative dhe baza e mirë gjeografike-natyrore kanë mundësuar që territori i Luginës së Preshevës të banohet qysh në kohët e hershme. Hulumtimet arkeologjike edhe pse të pakta dhe kryesisht të koncentruara në njohjen e terrenit dëshmojnë për një popullim të hershëm, duke filluar nga periudha e kohës së re të gurit, për të vazhduar në periudhën e hekurit.
Lugina e Preshevës gjatë periudhës së bronzit dhe të hekurit ishte e banuar nga fisi ilir – Dardanët. Mbretëria e Dardanisë shtrihej nga Maqedonia Veriore dhe përfshinte Kosovën deri te Nishi (Naissus) në veri. Pa dyshim se në kuadër të kësaj mbretërie bënte pjesë tërë Lugina e Moravës jugore dhe një pjesë e luginës së Vardarit. Lugina e Preshevës, si pjesë përbërëse e këtij korridori natyror ishte në kuadër të kësaj mbretërie.
Vendgjetjet arkeologjike, siç janë “Kacipupi” në fshatin Rahovicë, kështjella në fshatin Bushtran, kalaja e Preshevës, kështjella në fshatin Stanec, kalaja në fshatin Kërshevicë janë të periudhës dardane ose janë të ngritura mbi gërmadhat e ngrehinave dardane. Hulumtimet e bëra në fortifikimet e Rahovicës dhe Bushtranit kanë konstatuar praninë edhe të ledheve mbrojtëse gurore të ngritura me baltë, që ishin karakteristike për shumicën e vendbanimeve dardane. Ndërtimi specifik i tyre, i shoqëruar me tumat mbrojtëse në rrethin e Preshevës dhe Kumanovës mund të shpjegohet me faktin se këto rajone kanë qenë zona kufitare dardane, andaj ishte i nevojshëm përforcimi i sistemit mbrojtës të tyre1.
Kalaja e Kërshevicës, një lokalitet tjetër arkeologjik në Luginën e Preshevës paraqet një sfidë tjetër e cila ngre shumë pikëpyetje lidhur me kufirin lindor të shtrirjes së Mbretërisë Dardane. Edhe pse shumë gjetje arkeologjike kanë karakteristike helene dhe lidhen me territorin trak, ka të tilla të cilat kanë analogji të madhe me ato të gjetura në territorin e Kosovës dhe Maqedonisë Veriore. Këto gjetje janë edhe një argument shtesë që forcojnë hipotezën se edhe qyteza e Kërshevicës mund të jetë brenda kornizave të shtrirjes së grupit kulturor dardan.
Profesoresha E. Shukriu thotë se me gjithë zbrastësirat dhe pikpyetjet, gjetjet në lokalitetin e Rahovicës te Presheva, rreth 20 km. në jugperëndim të Kërshevicës, mundësojnë përfundimin se rrjedha e Moravicës dhe e Moravës Jugore mund të kenë qenë kufiri lindor i shtrirjes së dardanëve gjatë fazës së dytë të epokës së hekurit2.
Mbretëria Dardane, pjesë e pandashme e së cilës ishte edhe Lugina e Preshevës, bie nën sundimin romak në shekullin e parë të erës sonë. Kjo është njëkohësisht periudha kur popullsia iliro-dardane fillon të praktikojë besimin e krishterë-katolik. Këtë e dëshmojnë objektet e ndryshme sakrale, prej të cilëve dallohet lokaliteti “Guri i Shpuem” në brigjet e majta të lumit të Kurbalisë, mbi qytetin e Preshevës. Analiza e veçorive morfometrike të objektit, gjurmët e freskave të gjetura dhe të materialit tjetër arkeologjik dëshmojnë se bëhet fjalë për një lokalitet të cilin e ka shfrytëzuar popullsia iliro-dardane për kryerjen e ritualeve fetare.
Edhe gjatë periudhës së sundimit romak Lugina e Preshevës ka qenë dendur e banuar. Gjatë kësaj periudhe vazhdojnë të ngrihen vendbanime, kryesisht gjatë rrugëve kryesore. Këto vendbanime në të shumtën e rasteve janë ngritur mbi gërmadhat e ngrehinave dardane. Në territorin e Luginës së Preshevës janë gjetur gjurmë të shumta të këtyre vendbanimeve në afërsi të fshatrave fushore si Çukarkë, Zhunicë, Bukurocë, Corroticë, Rainicë etj. Në fshatin Zhunicë ishte një vendbanim me qendër të qytetit, çka na bën të kuptojmë se aty në periudhën romake ishte një vatër e rëndësishme politike, administrative dhe kulturore për fushën e Preshevës.
Përpos tërësisë fushore, edhe pjesët buzë shpateve të Karadakut dhe Rujanit ishin relativisht dendur të banuara si në afërsi të Norçës, Preshevës, Rahovicës, Bërçecit, Nesalcës, Borocit, Negocit, Bushtranit, etj. Në afërsi të daljes së lumit të Rahovicës në fushën e Preshevës ndodhet vendbanimi dardan i tipit Oppidum në vendin e quajtur Kacipup. Vendbanimi i takon periudhës prej shekullit VII deri në shekullin II dhe I para erës sonë. Një vendbanim tjetër antik i periudhës romake i cili është ngritur mbi gërmadhat e vendbanimit dardan është ai në veri të Preshevës. Vendbanimi ishte i mbrojtur nga kështjella e cila kishte një rëndësi të madhe strategjike. Ky vendbanim vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme edhe në antikën e vonshme dhe gjatë kohës së Bizantit.
Lokacioni i kështjellave dardane në shpatet e maleve të Karadakut si Kalaja e Preshevës dhe e Kacipupit, në njërën anë, dhe Kalaja e Bushtranit dhe e Kërshevicës në shpatet e Rujanit, në anën tjetër, tregon se ato kishin funksione të rëndësishme strategjike mbrojtëse për popullsinë, e cila për t’i rezistuar asimilimit nga pushtuesi romak, e më vonë sllavë, tërhiqet në zonën malore.
Në viset kodrinore malore të Karadakut dhe Rujanit popullsia dardane i reziston edhe për një kohë presioneve, së pari të pushtuesve romakë e më pastaj edhe atyre sllavë. Këtë e dëshmojnë edhe toponimet e shumta si Norça, Gare, Leran, Bushtran, Geraj, Lluçan, Çarr, Gjergjec, Shurdhan dhe shumë mikrotoponime të tjera si maja malesh, gryka, burime, lugje për dallim prej toponimeve të pjesëve fushore të cilat së pari janë romanizuar e më pastaj janë sllavizuar. Sipas profesor Rexhep Ismajlit, për hulumtimin e toponimisë së Luginës së Preshevës duhet marrë parasysh elementin iliro (dardan) – trakas, elementin lation-romak, bizantin, shqiptarë, sllav dhe turk. Ky konstatim ka një mbështetje të fuqishme, duke pasur parasysh faktin që nëpër Luginën e Preshevës që nga periudha antike e këtej kanë kaluar perandori e popuj të cilët varësisht nga kohëzgjatja e pushtimit, më pak ose më shumë, kanë lënë gjurmët e veta edhe në toponiminë e rajonit. Përkundër tentimeve të pushtueseve për ndryshimin e toponimeve shqipe, ku duhet spikatur në veçanti përpjekjet e serbëve, prapëseprapë shumë toponime edhe në ditët e sotme shpjegohen vetëm përmes ligjeve fonetike të shqipes. Fjalët shqipe bushtër dhe lerë përbëjnë boshtin për formimin e toponimeve Bushtran dhe Leran. Do thënë gjithashtu se fjalët bushtre dhe lerë3 ndër shqiptarët e kësaj ane sot përdoren rrallë ose kurrë. Kjo është edhe një dëshmi për vjetërsinë e toponimeve në fjalë4. Emrat e fshatrave si: Bushtran, Leran, Preshevë, Geraj janë shembujt më bindës të mbijetesës së toponimeve shqipe në këtë trevë. Shkencëtarët serbë toponimet Norça, Gare, Lluçan etj, i paraqesin si romane, ndërsa në fakt janë toponime dardane, por të romanizuara. Bile edhe disa toponime fushore, siç është rasti me Bukurocën, tregojnë për një rezistencë të elementit etnik dardan. Fjala e shqipes bukur duhet të ketë qenë pikënisje kur u krijua emri. Këtë e plotëson edhe pozita e fshatit: gjendet në mes të fushës dhe duket nga të gjitha anët5. Historianët dhe gjuhëtarët serbë mbrojnë tezën se emërtimi Bukuroc ka prejardhjen nga gjuha vllehe dhe se është themeluar nga vetë vllehët6. Ky pretendim serb ndoshta nuk duhet anashkaluar, sepse ekzistojnë argumente të cilat gjejnë rrënjët e përbashkëta të popullsisë shqiptare dhe asaj vllahe, më konkretisht origjinës së përbashkët të tyre nga popullsia ilire.
Në mungesë të dokumenteve të shkruara mbi popullsinë shqiptare jo vetëm të Luginës së Preshevës, por edhe më gjerë, historianët duke shfrytëzuar hulumtimet e gjuhësisë historike provojnë me shumë sukses të argumentojnë vazhdimësinë e etnikumit shqiptar nga ai ilir. Argumentet toponomastike dhe gjuhësore janë dëshmitë më bindëse për të vërtetuar prezencën e popullsisë shqiptare si pasardhës të dardanëve të lashtë edhe në Luginën e Preshevës. Fatkeqësisht  zhvillimi i hulumtimeve dhe studimeve në fushat e lartpërmendura deri në ditët e sotme lë për të dëshiruar.

Në vitin 1455 Lugina e Preshevës bie nën sundimin e Perandorisë Osmane, e cila vazhdon të mbetet deri në vitin 1912. Nëpër Luginën e Preshevës kalonin rrugë të rëndësishme nga veriu drejt jugut, si dhe prej perëndimit drejt lindjes. Kjo pozitë e volitshme komunikatave ka bërë që së pari Presheva, e më vonë Bujanoci, të bëhen qendra në të cilat fillojnë të zhvillohen funksionet e ndryshme të karakterit arsimor, kulturor, tregtar, administrativ e politik.
Për shkak të kushteve natyrore mjaft të volitshme Presheva shumë herët fillon të marrë elemente të një qyteze. Avancimi i pozitës administrative-politike dhe zgjerimi i funksioneve ndodh sidomos nën periudhën e sundimit osman, kur Presheva bëhet qendër e kazasë së Preshevës në kuadër të vilajetit të Kosovës. Në defterët turk të shekullit XV (1489) Presheva përmendet si qendër e kazasë së Preshevës me emrin Preshova. Bujanoci shënon një zhvillim më të hovshëm sidomos pas ndërtimit të rrugës në vitin 1883 dhe hekurudhës në vitin 1874, duke u shndërruar në një qendër tregtare ku kanë gravituar vendbanimet fqinje të Gjilanit, Kumanovës, Vranjës e Preshevës.
Lugina e Preshevës me pozitë mjaft të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike ka qenë hapësirë e gërshetimit të kulturave dhe civilizimeve, trevë nëpër të cilën kanë kaluar dhe ka janë ndeshur perandori të cilat kanë pasur tendenca për t’u zgjeruar në drejtime të ndryshme nga jugu në veri, nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Secila periudhë historike e cila manifestohet përmes dominimit të një perandorie të caktuar ka lënë gjurmët e veta përmes transformimeve shoqërore, kulturore e gjuhësore në shkallë dhe nivele të ndryshme. Mirëpo edhe përkundër ballafaqimit me këto procese historike dhe sfida ekzistenciale, gjatë tërë periudhave historike kemi një kontinuitet të pandërprerë të ekzistimit të etnikumit shqiptar në Luginën e Preshevës i cili në kohët e reja është më tepër rezultat i tkurrjes së trungut gjeoetnik shqiptar sesa i ekspansionit për ça pretendojnë qarqet shkencore dhe politike serbe.
Shkenca dhe historiografia serbe origjinën e popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës e lidhin me fundit e shkullit XVII dhe fillimin e shekullit XVIII, me të ashtuquajturat dyndjet e mëdha të popullit serb nën udhëheqjen e patrikut serb Arsenije Cërnojeviqit. Këto dyndje pasojnë pas luftërave austro-turke të vitit 1690. Sipas pretendimeve të historiografisë serbe popullsia shqiptare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës ka ardhur pas boshatisjes së këtyre viseve nga serbët, të cilët nën udhëheqjen e Patrikut Cërnojeviq shpërngulen për në fushën e Panonisë. Me këtë rast shkaktohet vakumi demografik të cilin kinse e plotësojnë shqiptarët e ardhur nga Bjeshkët e Nemuna. Historiografia serbe pretendon se gjatë dyndjeve të mëdha të popujve Kosova dhe viset përreth saj ishin boshatisur nga serbët, për çka deri më sot nuk ekziston asnjë dokument i shkruar. Konstatimet serbe nuk qëndrojnë për arsye demografike, duke pasur parasysh faktin se Shqipëria Veriore nuk ka pasur një numër aq të madh të popullsisë sa të mund të popullojë Kosovën dhe viset përreth saj7. Gjithashtu nuk qëndrojnë pretendimet se në luftërat austro-turke në anën e austriakëve nuk kanë marrë pjesë shqiptarët. Në fund të shekullit XVII, ushtaraku austriak me prejardhje italiane Pikolomini me ushtrinë e vet kalon nëpër Preshevë dhe Karadak dhe arrin në Kosovë për t’u ndeshur me turqit. Këtë e dëshmon dhe toponimi në territorin e Preshevës “udha e nemcit”. Vetë autorët serbë, si T. Vukanovic, M. Kostic japin mendimet e tyre se në luftërat austro-turke të fundit të shekullit XVII dhe të fillimit të shekullit XVIII kanë marrë pjesë masivisht edhe shqiptarët në anën e austriakëve kundër turqve. Nëse gjykojmë nga pjesëmarrja e lartë e serbëve dhe shqiptarëve përkrah austriakëve në luftë kundër turqve, mund të paramendojmë se edhe serbët e shqiptarët e Preshevës kanë marrë pjesë në luftërat austro-turke8.
Nga kjo mund të përfundojmë se edhe nëse ka pasur shpërngulje të popullsisë pas luftërave austro-turke, ato nuk kanë qenë të përmasave biblike siç pretendojnë historianët serbë, dhe se ka pasur shpërngulje edhe të popullsisë shqiptare. Të dhënat mbi pjesëmarrjen e popullsisë shqiptare së bashku me atë serbe në luftërat austro-turke në anën austriake në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës i demaskojnë tezat kuazishkencore të historiografisë serbe mbi kolonizimin e këtyre viseve nga fiset malësore shqiptare të Shqipërisë Veriore, si dhe u japin një grusht të fortë pretendimeve serbe për të drejtën historike mbi këto toka.
Prezencën dominuese të elementit etnik shqiptar në Luginën e Preshevës e shohim edhe në udhpërshkrimet e misionarëve, ushtarakëve dhe udhëpërshkruesve të huaj si B. Kuripesiq, Pikolomini, J. V. Hahni, etj.
Nga ky vështrim i përgjithësuar mbi autoktoninë e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës dhe mbi kompozicionin etniko-demografik të Luginës së Preshevës mund të përfundojmë se Lugina e Preshevës është pjesë e natyrshme e trungut gjeoetnik shqiptar, popullsia shqiptare është pasardhëse e popullsisë iliro-dardane. Autoktonia dhe kontinuiteti i pandërprerë dëshmohet nga gjetjet arkeologjike, dëshmitë historike, gjuhësore dhe toponomastike.

 

 


1) E. Shukriu, Dardania paraurbane, Dukagjini, Pejë, 1996, f. 27.
2) E. Shukriu, po aty, f. 42.
3) Fjalori i shqipes së sotme, Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1984, f. 602.
“Lerë” – baltë e hollë, llucë, vend a gropë me baltë të hollë e me ujë të ndenjur; moçalishte; pellg me ujë ku shkrin bora në kullotat malore; gropë e madhe me ujë ku pinë bagëtitë në kohën e thatësirës. I futi buajt në lerë. Gropë me lerë. Ngeci në lerë.
4) R. Ismajli, Mbi disa toponime në Serbi të Jugut dhe Maqedoni të Veriut, Gjurmime albanologjike I-II, Prishtinë, 1970, f. 264.
5) Po aty, f. 263.
6) M. Kostic, Presevka kotlina, Vranjski Glasnik, Knjiga broj V, Vranje, 1969, f. 99.
7) H. Islami, Rrjedha demografike shqiptare, Dukagjini, Pejë, 1994, f. 46.
8) M. Kostic, Ustanak Srba i Arbanasa u Staroj Srbiji protiv turaka 1737-1739 i seoba u Ugarsku, Glasnik Skopskog naucnog drustva, VII-VIII, 1930.


Arsim Ejupi, Lugina e Preshevës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2013, f. 133-140

 

Arsim Ejupi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...