Oshtima

Për Çerçiz Topullin dhe Mustafa Qullin

Fjalimi i mbajtur nga Ernest Koliqi me rastin e zhvendosjes së eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, nga Shkodra për në vendlindjet e tyre.

 

Vllazën shqiptarë!

Agimi i vjetit 1915 e gjet Europën të shrumueme orej zjarrmit të nji lufte tmeruese, qi mbushte me gërmadha shunngullim tyme e vaj krahinat e plleshme të saja, ajrin e detrat. Gjaku mâ i kulluet i kombeve ma të njoftuna për qytetni, rridhte rrëkaj. Aradhe të panumër djelshm të rij shkrinin jetën me nji hov dalldues të përndëgjuem në historit e luftave të lashta. E për se? Për mbroje e për nder të flamujve të tyne – për të mbajtun lart ngjyrat e flamurit, symbol i lavdis qytetnore e vlerës njerzore të sejcilit komb.
Po flamuri i ynë? Ku ishte në fillim të vjetit 1915 ai flamur kuq-e-zi, nxjerrë nga harrimi shekulluer dhe i ngrejtun në Vlonë në nji mëngjes të mugët nandori, grishi e ftoi dy vjet ma përpara të gjithë bijt e Shqipes m’u grumbullue rreth ngjyrave të tija e me themelue një atdhe të lir? Ku ishte ai flamur qi tue valvitë i papritun në breg t’Adriatikut i lajmoi botës mbarë hynte në vallen e popujve nji popull i ri, i armatosun me të drejtat e veta shum të vjetra? At flamur të puthun mbas 400 vjetsh terri nga nji rreze e zbet dhe e dridhun lirijem e uli në Vlonë ngatrrese e trathtarve. Në viset e tjera të jugut shqiptar, djegë e pjekë e mbytë në gjak prej grekut, shkalitej e nëpërkambej. Në mesin e Shqipnis një turmë e tërbueme e e ngacmueme s’dinte ç’bante. Në Durrës Esad Pasha i a kish hjekun shqipen e zezë prej fushës së kuqe tue e xavendsue me nji yll të bardhë.
Vëtëm në Shkodër ai flamur valavitte ende i lir. E për të gjetun strehë nën hijen e shugurueme të tij shumë patriotë të Tosknis erdhën për të banue aso-kohe në kët qytetin t’onë.
Shikoni: nëpër këto udhna, qi sot po vlojnë me popull e me djelmëni, endeshin tue mendue fatet e atdheut në rrezik bashkë me atdhetarë të Shkodrës atdhetarët e mërguem të viseve të tjera shqiptare. Midis tyne edhe Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli. E na të gjithë i kemi pa, i kemi njoftë e i kemi dashnue. Çerçizi, burrë luftëtar, qe ma i pari në Shqipni qi i shpalli luftë Turkoshakve tue vra midis Gjinokastrës më 1907 nji oficjer të Stambollit.
Dolli Shkurti, hyri Marsi:
Gjirokastr’u vra Bimbashi...

thotë kanga popullore. Çerçizi doli në mal, tue vu në rend të ditës të drejtat e shqiptarve ndër qarqe të kryeqytetit të Bosforit. Por Shqiptarët për të fitue lirin e atdheut nuk patëm luftë si shumica e kombeve me nji anmik të vetëm. Fqinjt t’anë vezhgojshin me sy dhelpnak e lakumes dyndjen e pushtuesit të vjetër, për t’i xanun vendin si pushtuesa të rij. Edhe këtyne pushka e drejtë e Çerçizit u shpalli luftë.
Mustafa Qulli ku i u mbyll fletorja në Vlonë erdhi për t’a botur këtu në Shkodër. E prej shtyllave t’asaj përpiqej t’u bante ball intrigave të të huejit i cili me këshillë të mbrapshta e me pare helmatuese përçante mendet edhe zemra e Shqiptarve të ngratë. Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli – pushka e penda. Njani luftar me pushkë ndër fusha e ndër male, tjetri luftar me pendë nëpër qytete, të dy të djegun prej nji deshiri të madh, nji andrre bujare, të dy të shuguruem prej nji fati të njinjishëm në nji dekë dëshmorësh.
Ndërsa Shkodra përgjakej nga dasit e shkatueme prej ngatrresave të hueja, anmiku i përhershëm i kombit t’onë kaloi edhe kufijtë e pamprojtun të Veriut e u derdh si lum i furishëm shpartallues në të vetmen krahinë qi mbante ende ngrehun flamurin e Vlonës. Në qershuer u ndigjue një batere pushkësh kah Mirdita: fatosi i Traboinës, Ded Gjo’ Luli, u gri prej anmikut, i cli me ushtritë e veta grabitçare hyni në Shkodër. Flamuri i ynë zbriti nga shtiza e naltë e kështjellat e në vend të tij u ngrit nji flamur i huej. Prenduen shpresat e atdhetarve, zemrat u ndrydhën në heshtje e në deshprim. Anmiku, porsa hyni, shtini në dorë patriotat ma të shquem. U mbushën burgjet me ta. Tmeri e pasigurija pushtoi të gjithë. Çerçizi e Mustafa u kapën edhe nji mbramje korriku u dërguan jashta Shkodre kah livadhet e Shtoijit.
Ah, anderr e Shqipnis së lirë, shtrejt e pagueme me jetë e gjak! Natën, tue ecun nëpër terr rrethueme prej ushtarve anmiq të ngurtë e krenarë, me parandesin e dekës në zemër, me dashurin e jetës në gjak, me mendimin e grues së dashtun e të vllazënve të largët, me deshprimin e Shqipnis midis shpirtit, unë i shof dy luftarët e pafat drejtue kah logu i pushkatimit. Valë valë kujtimesh fluturuese do t’u jenë përshkue n’at ecje të përmotshme. Veprimet e gjalla për fitimin e liris kombtare, luftimet e parreshtuna me pushkë e me pendë, mbandej agimi i nandorit fatlum, brohoritja e gzimit në mbarë Shqipnin e lirueme mbas katër qindvjetash robnije.
Me pa ândrren e katërqind vjetëve të realizueme, m’u lshue në rrymbën e një hereje të hovshme mbas qëllimit t’arrijtun, me përshëndetë rrezet e bardha të liris edhe befas m’u plandosun prap në terr, me të rrethue prap nata e robnis, e në terr t’asaj nate m’u nisun kah livadhet e dekës. Edhe deka asht e ambël kur këndon në zemër nji shpresë e ardhëmenis. Edhe deka do t’u ishte dekun ma e lehtë të dy atdhetarëve po të kishte dritë para tyne mundsija sado e vogël e nji qindrese kombtare. Por m’e dijtun flamurin e zhdukun, lirinë e shume, vllazënt e dam e të përçam, anmiqt ma të fortë se kurr, ardhëmenin e mbyllun, ky asht marterizim i madh qi përmbledh dhimbën jo të nji deke të vetme po të dhetë dekve.
Dy atdhetarë të vjefshëm humbnë më 1915 në terrin e nji nate të përfrigueshme korriku edhe nuk u dijt ma gja për ta. Mbas 21 vjetësh dheu shqiptar, mbi të cilin sot flamuri i Vlonës shtrin hijen e vet të bekueme, po na i kthen kufomat e tyne. Prej vorreve të çeluna përhapet fryma e nji prendvere heroike. Si nji prill mystik me fllade pastruese lulzon i çuditëshëm n’atdhen t’onë. Jo dy kufoma të dekunish, por dy hija të gjalla shkundin bucat e njoma edhe ngrihen midis nesh.
Çerçiz Topulli... Mustafa Qulli...
Dy emna kumborë si dy tringëllima burije lajmtare, qi jehojnë fushave e maleve.
Kujtoni ju se nji rasë e vërbët i a mshefi kombit deri tash këto dy vorre të çmueshme? Jo, unë besoj ngultas se orët e këtij dheu caktuen për dobi sa ma të madhe të kombit ngjalljen e papritun e këtyre dy dëshmorve.
Pse t’a mshefim realitetin e idhun? Pse të përpiqemi t’a mbulojmë me eufemizma e retiçenca ligshtimin e përgjithshëm të shpirtënve, shuemjen e enthuzjazmit ndër të rij, dyshimin ndër burra e pleq mbi përparimet e atdheut?
Epoka plot gjallni e përpjekjeve për lirimin e kombit, epoka në të cilën Shqiptarët dishin tue këndue për atdhe, asht tashma nji kujtim i largët. Pamvarsin, shtrêjt pague me gjak të dëshmorve, na sot e gzojmë pa i a dijtun çmimin. Problemet e mëdhaja qi lindën menjiherë, përsa u segurue pamvarsija, na kanë topitë e na kanë lodhë. E na, në vend qi me i përmbledhun energjit t’ona për t’i dhënë nji shdrivillim sa ma të shpejtë atyne problemeve të viganshme, jemi shtrue në nji amti landore të pa arsyeshme dhe në nji nihilizëm shpirtnuer të pa-lavdi. Mjerisht emni i Shqipnis, për të cilën dëshmorët dhanë jetën, sot nuk kumbon ma me nderimin e merituem mbi buzët t’ona. As në buzët e tueja Djalëri.
E pra vetëm në dashunin e atdheut, o Djalëri, asht shpëtimi, e jo n’ideologjina turbulluese qi nuk përkojnë kurrsesi me instinktet ma të shëndoshta të racës s’onë, jo në formula të dyshimta e shpartalluese importuem së jashtmi. Këtë ty t’a pohojnë sot këta dy atdhetarë të pastër qi, diqën për t’i falun Shqipnis e të gjithë Shqiptarve agime të lira e të lume.
Prehni i përgjakun i tokës Shqiptare u çel e i qiti mbi vete dy dëshmorët e Shtojit, mbas 21 vjetsh gjumi në vorr të panjoftun. Sot këta dy janë çue në kambë këtu para nesh, e po nisen kah pushimi ma i ambël në visin ku ma së pari u a puthi syt dielli. Mbështjellun në flamur të Vlonës, po kalojnë udhave të Shqipnis.
Ço përpjetë flamujt e zemrat e kujtimet, Djalëri, edhe përshëndeti. O ju Shqiptarë të ndershëm, përulnje ballin në nderim të tyne. Sepse këta përfaqësojnë andrrën e padekëshme të nji Shqipnije të lirë, atdhe i drejtë për nji popull të vllaznuem.
E ju, o Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet e jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna, fuqisoni shpirtënt e ligshtuem.
Shka kërkon djalëria prej Shqipnis? Drejtësi të plotë shoqnore.
O ti Çerçiz, o ti Mustafa Qulli, qi ma të kuq e bat flamurin t’onë me gjakun e pastër t’uej, shpallnja djalëris së përparimit ma të drejta, se drejtësija ma e plotë shoqnore mund t’arrihet n’emën të Shqipnis.
Nën hijen e flamurit të Vlonës, simbol vllaznimi ndërmjet Shqiptarve të çdo klase, n’adhurim të ngjyrave të tija mund të ket e duhet të ket bukë i unshmi, arsye i drejti, dritë mendjeje i padijshmi, shërim i smueti, mproje votra, çaqe të sigurta lirija; prej qyteteve e deri në skajet ma të humbuna t’adheut.
Kët besim në flamur t’onë lypin sot dy Hijet e zgjueme të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit.
Po, sot na – para këtyne eshtnave qi dridhen e vrumulisin prej atdhe-deshunije – sot na besojmë në Shqipni edhe në fatet e saja ma tepër se dje.

 

Ernest Koliqi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...