Oshtima

Tumat e Matit

Kodërvarret (tumat) e Matit shtrihen në luginën e mesme të lumit Mat, në të dy anët e tij. Gjatë viteve 1952-54 u hapën 13 tuma: një në Bushkash, pesë në Sanxhak, gjashtë në Rrethë-Bajzë dhe një Klos. Në vitin 1960 u hapën dhe dy tuma të tjera. Kodërvarret kanë formën e një gjysmë sfere, me lartësi që shkon nga 0.70 m. deri në 2.50 m. tek më e larta. Diametri i tyre lëviz nga 18 m. deri në 22 m. Ato janë formuar prej dheu e gurësh të hedhur në një mënyrë jo të rregullt.
Varrimi është bërë me vendosje kufome; varrimi me djegie nuk u konstatua në asnjë rast. Gjatë gërmimit ishte e vështirë të përcaktohej pozicioni i skeletit, pasi me përjashtim të një rasti, nuk u gjet asnjë skelet i plotë. Zakonisht objektet nuk u gjetën së bashku me skeletin, por të shpërndara dhe të vendosura në thellësi të ndryshme. Nuk mund të thuhet se objektet ishin të vendosura pa një kriter, sepse edhe shrregullim që mund të duket nga një përshtypje e parë përbën në vetvete një lloj rregulli. Kështu majat e heshtave gjendet nga dy e nga tre së bashku, të gjitha në një drejtim, që do të thotë se nuk janë hedhur, por janë vendosur me rregull. Këta na e vërtetojnë edhe objektet e tjera.
Disa nga tumat e zbuluara kanë në bazë të tyre rrathë shumë të rregullt dhe të bërë me gurë zalli të ngulur në tokë. Diametri i rrethit ndryshon sipas rastit.
Me interes për të venë në dukje është edhe fakti që inventari midis kodërvarreve dhe midis varreve të një kodërvarri nuk është i njëllojtë. Disa kanë një inventar të pasur, kurse të tjerat kanë një inventar të varfër, ose nuk kanë fare objekte. Kjo është shprehje e diferencimit klasor të të varrosurve në këto tuma. Inventari i varreve të zbuluara përbëhet nga vegla pune, armë, zbukurime, enë balte dhe mbeturina tekstili e lëkure. Veglat e punës janë shumë të pakta e të punuara prej hekuri. Nga ato mund të përmendim një sëpatë-kazmë, disa sëpata me dy prefse të madhësive të ndryshme dhe disa sëpata shpatuke. Armët në varrezat e Matit ndeshen më shpesh se veglat e punës, ato përbëhen nga maja heshtash të madhësive të ndryshme, shpata, kama, thika, etj., të cilat janë të punuara prej hekuri e në ndonjë rast prej bronzi.
Objektet e zbukurimit të gjetura në kodërvarret e Matit janë relativisht të shumta e të larmishme, midis tyre ka: fibula, vargoj, byzylykë, pafta, strigila, parzmore, sumbulla, gjilpëra, rruaza prej qelqi e qelibari etj. Karakteristikë e përgjithshme e fibulave është forma harkore e kurrizit dhe mbajtësja e gjilpërës që mbaron gjithmonë me një paftë katrore, e cila disa herë është e plotë e herë është në trajtë X. Fibulat e zbuluara në varrezat tumulare të Matit paraqiten në disa variante.
Qeramika përfaqësohet nga enë të tipave të ndryshëm. Me përjashtim të pak fragmenteve që u përkasin enëve të mëdha të përdorimit të përditshëm, enët e tjera janë të vogla dhe, siç duket, përdoreshin për qëllime kulti. Tipin e parë të enëve e përbëjnë ato me dy vege vertikale të zhvilluara mbi buzë, enët e këtij tipi janë në disa variante. Tipin e dytë e formojnë enët me një vege e me grykë të prerë pjerrtas. Ka dhe forma të tjera enësh që ndeshen më rrallë. Enët janë të zbukuruara  me kanelyra dhe me ornamente me gërvishje ose ngulitje.
Tipat e enëve të gjetura në Mat i ndeshim të përhapura në gjithë truallin ilir. Ne vendin tonë enë të tilla janë gjetur në Gajtan, në Rosuj, në Tren, në Vajzë, etj.
Bashkë me zbukurimet gjatë punimeve në një tumë të Rrethë-Bajzës dhe në një tumë të Klosit u gjetën copa të vogla stofi. Këto copa stofi janë prej leshi, fijet janë nga ato më të trashat deri tek ato më të hollat dhe tregojnë për një cilësi të mirë punimi të stofit.
Materialet e zbuluara në kodërvarret e Matit tregojnë se tek ilirët e kësaj krahine, në shekullin V-VI p.e.s. metalurgjia dhe zanatet e tjera ishin mjaft të zhvilluara.  

 

M. Korkuti, H. Spahiu, Zh. Andrea, Arkeologjia, UT, Tiranë, 1972, f. 126-

 

 

G.A.


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...