Oshtima

Dyrrahu

Dyrrahu apo Epidami, qyteti antik më i lashtë i vendit tonë, u ngrit pranë një vendbanimi të vogël të banuar nga fisi ilir i taulantëve, afërsisht në vendin që zë Durrësi sot. Me emrin Dyrrah quhej, me sa duket, pjesa e poshtme e qytetit, që shtrihej gjatë bregut të detit, kurse Epidamn kodra e tij. Të dy këta emra janë me prejardhje ilire.
Qyteti i lashtë ka qenë vendosur mbi një gadishull, i cili në erat gjeologjike ka qenë ishull. Gadishulli përshkohej prej veriut në jug nga një varg kodrash dhe ka tokë pjellore të përshtatshme për bujqësi dhe blegtori. Ai lidhje me krahinat e brendshme nëpërmjet një rripi toke. Nga të dhënat e autorëve antikë mësojmë se Dyrrahu në kohën antike ka qenë një ndër qytetet dhe skelat më të mëdha të bregdetit lindor të Adriatikut. Stefan Bizantini, autor i shek. VI e quante atë qytetit ilir. I vendosur në tokat ilire qyteti i Dyrrahut lidhej me viset e brendshme ilire, të cilat kanë qenë faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe lulëzimin e tij. Në kohën e lulëzimit më të madh qyteti numëronte rreth 50 000 banorë.
Në shekujt V-I p.e.s. veprimtaria tregtare e Dyrrahut ka qenë shumë e gjallë. Këtë e tregojnë monedhat prej argjendi që fillojnë të priten që nga mesi i shekullit V. Në dy shekujt e fundit para erës sonë ato e shtrinë rrezen e qarkullimit të tyre edhe jashtë kufijve të Ilirisë, deri në Thraki, Mezi e Daki, në tokat që zënë sot Bullgari dhe Rumania.
Edhe gjatë pushtimit romak qyteti pati një zhvillim të dukshëm. Ai vazhdoi të lulëzojë dhe të zbukurohet me monumente të klasit të parë, si p.sh. termet publike, amfiteatri i qytetit, etj.
Në shekullin IV të erës sonë Dyrrahu, sikurse qytetet e tjera të Ilirisë, u prekën nga kriza e përgjithshme që kalonte në këtë kohë sistemi romak. Duke filluar nga ky shekull qyteti, mjerisht, pësoi rrënime të mëdha si rezultat i sulmeve të pandërprera të barbarëve. Por shkatërrimin më të madh ai me pati nga tërmeti i vitit 345 e.s.
Në mesjetë Durrësi, për vetë pozitën e tij të favorshme gjeografike, edhe pse u trondit rëndë nga tërmeti, nuk u braktis kurrë. Ai vazhdoi jetën qytetare dhe ishte njëkohësisht porti më i rëndësishëm i perandorisë Bizantine në perëndim. Durrësi në mesjetë ishte gjithashtu edhe një qendër e administratës kishtare. Dyrrahu së bashku me periferinë bujqësore të afërt ti tij formonte në atë kohë një qytet-shtet, një polis.
Nga gërmimet e kryera, në Durrës janë zbuluar mjaft monumente të rëndësishme kulturore, të cilat hedhin akoma më shumë dritë mbi jetën dhe zhvillimin e këtij qyteti antik. Por duhet thënë se këto gërmime kryhen në kushte më të vështira se në çdo vend tjetër, sepse sikurse dihet, qyteti i sotëm i Durrësit është ngritur mbi gërmadhat e qytetit të lashtë.
Në qendrën e qytetit të sotëm, jo larg nga pallati i kulturës “A. Moisiu”, u zbulua pjesa e dyshemesë së një godine të shtruar me një mozaik të ndërtuar me gurë zalli shumëngjyrësh. Në qendër të mozaikut shquhet një kokë e hijshme gruaje e rrethuar anash me dy degë, të cilat janë të pajisura me dredhëza, rozeta, lule zambaku e këmbane dhe zënë gati gjithë sipërfaqen duke harmonizuar shumë bukur me sfondin e zi dhe shumëngjyrshmërinë e fytyrës. Mozaiku i përket mbarimit të shek. IV, ose fillimit të shek. III p.e.s.
Një shtresë tjetër mozaiku u gjet në pjesën veriore të tregut të qytetit. Ai është punuar prej kubikësh të vegjël ngjyrë të bardhë dhe të zezë dhe tregon në qendër një kombinim më tepër figurash gjeometrike të hijeshuara në katër anët me skena mbi mitologjinë detare. Në njërën prej këtyre shohim Erosin të hipur mbi një delfin duke tërhequr për freri një kalë deti. Mozaiku i takon shek. II të e.s.
Në vendin ku sot ngrihet teatri “A. Moisiu” u zbulua në vitin 1960 një terma (banjë) publike e qytetit të lashtë. Ajo përbëhet nga disa salla: një për larje me ujë të ftohtë, që është pishina e shkallëzuar përbrenda (frigidariumi), një ambient për larje me ujë të vakët (tepidariumi) dhe një tjetër për t’u larë me ujë të ngrohtë (caldariumi). Salla të tjera të banjës shërbenin për masazhe dhe lyerjen e trupit me vajra dhe erëra të mira. Disa nga këto salla janë të pajisura me hipokaust (tubacione me avull që kalonin nën dysheme ose anës mureve). Tepidariumi është i shtruar me pllaka mermeri, të bardha e të zeza, të vendosura si tabelë shahu. Lënda e përdorur këtu për ndërtim ka qenë guri, tulla dhe mermeri. Si kohë banja i përket shekujve të parë të erës sonë. Duke marrë parasysh rëndësinë arkeologjike të këtij monumenti dhe në mënyrë që ai të ruhet edhe më tej në gjendjen e tij origjinale (të zbulimit), kati përdhes i teatrit është shndërruar në një muze të vërtetë.
Një nga veprat më monumentale të Dyrrahut është amfiteatri. Amfiteatri i Dyrrahut është ndërtuar në faqen lindore të kodrës me kuotë 59 m. në mes të krahut verior dhe jugperëndimor të mureve të kalasë.
Duke u nisur nga teknika e ndërtimit të këtij monumenti, karakteri i tij, dhe objektet e shumta të gjetura në shtresat më të thella, studiuesit janë të mendimit se amfiteatri i Dyrrahut duhet të jetë ndërtuar aty nga fillimi i shekullit II të e.s., në kohën e perandorit Hadrian. Gjetjet në amfiteatër ishin të ndryshme. Në shtresat më të thella dolën në dritë mbi 100 kandila vaji dore, mjaft enë aretine e qelqi, një mori fragmentesh të ndryshme dhe shumë monedha të kohës perandorake romake. Në shtresat më të sipërme u zbuluan poçe të lyera me vernik, enë dhe pjesë enësh të thjeshta dhe shumë monedha bronzi e argjendi të perandorë bizantinë. Përveç këtyre nëpër galeritë dhe kalimet e shkallares së amfiteatrit u zbuluan edhe materiale të rënda si bazamente shtyllash, një krah froni i zbukuruar dhe mjaft fragmente të tjera arkitekturore.
Në kohën e braktisjes së amfiteatrit (shek. IV) dhe në shekujt që pasuan, sipërfaqja e arenës, si dhe galeritë ngjitur me të kanë qenë përdorur si varrezë, bile në të ka qenë ndërtuar një faltore e vogël e suvatuar nga jashtë dhe e hijeshuar nga brenda me afreske e mozaikë të punuar me mjeshtëri.
Pranë rrugës që kalon në anën veriore të parkut sportiv, nga ana lindore, u zbulua një tub i gjerë prej plumbi. Sipas një mbishkrimi që ndodhet në të, tubi i përket ujësjellësit të ndërtuar nga perandori Hadrian.
Pranë sheshit qendror të qytetit u zbulua një pjesë e kanalit të qytetit të vjetër, që i përket shek. V-VI të e.s. Gjerësia e brendshme e këtij kanali është 1.56 m. dhe i lartë 1.48 m. Kanali është ndërtuar me tulla të bashkuara në mes tyre me harasan dhe sipër ka trajtën e harkut.
Për të njohur kufijtë maksimal të qytetit të lashtë deri në kohën e parë perandorake , një ndihmë na japin varret e zbuluara në masë dhe sidomos zbulimi i tyre në kodrat e Kokomanëve. Kjo zonë varresh përbën një hallkë shumë të rëndësishme, sepse na shtyn të kërkojmë këtu dhe në zonën për rreth nekropolin e madh të qytetit.
Gjatë zbulimit të monumenteve të ndryshme dolën në dritë fragmente të ndryshme arkitekturore (shtylla kapitale), gurë, tulla si dhe disa skulptura. Prej tyre vlen të përmendet një shtat i madh, jo i plotë i një perandori, një pjesë shtati i një të panjohuri veshur me togë, një bust i vogël i Asklepit dhe një tjetër  i një gruaje. Këto vepra janë punuar me mermer.
Një material sa të larmishëm aq edhe interesant ka dhënë varreza e lashtë e këtij qyteti. Aty janë gjetur relieve funerare, sarkofagë mermeri, mbishkrime të skalitura në shtyllëza, stele dhe arkëza hiri, enë balte të pjekura me figura, mjaft stoli prej ari e argjendi, si edhe materiale të tjera prej bronzi e hekuri. Këto materiale u përkasin shekujve VI-I p.e.s.
Materialet arkeologjike të zbuluara nga kërkimet e kryera në këtë qytet na japin të dhëna të rëndësishme mbi rolin e elementit ilir në Dyrrah. Një burim i rëndësishëm mbi rolin e elementit ilir në Dyrrah janë emrat personal ilirë që lexohen sidomos në mbishkrimet e gurëve sepulkralë të zbuluar në pjesën veriperëndimore të nekropolit të lashtë të këtij qyteti. Disa nga këto emra janë: Adamat, Annaia, Annea, Annaj, Annula, Benet, Bersant e shumë të tjerë.
Emrat ilirë, si p.sh. Gent, Dazio, Eortoi, Monun, Skyrthan, Trito, etj. që lexohen në të dy faqet e drahmave dhe të monedhave prej bronzi të prera kryesisht në Dyrrah flasin qartë, jo vetëm për praninë e elementit ilir në këtë qytet, por edhe për rolin jo të vogël drejtues të tyre në çështjet e brendshme ekonomike dhe politike të Dyrrahut në vazhdim të shekujve IV-I p.e.s.
Për praninë e elementit ilir flasin gjithashtu edhe disa objekte të gjetura në inventarin e varreve të nekropolit. Të tilla janë, bie fjala, një përkrenare e tipit ilir dhe objekte, stoli e mjetet të nevojshme për tualet, si fibula heshtore, gjilpëra dyshe e pinceta prej bronci, të cilat janë të ngjashme me ato që janë zbuluar në vise të tjera të Ilirisë.

 


M. Korkuti, H. Spahiu, Zh. Andrea, Arkeologjia, UT, Tiranë, 1972, f. 131-

 

G.A.


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...