Oshtima

Dita e Verës në Himarë

Dita e Verës që bie në 1 mars me kalendarin e vjetër e me 14 mars me të riun, është një e kremte me shumë rite me zanafillë të vjetër e interesante e që Bregu i ka praktikuar deri vonë me tiparet e tyre origjinale. Ritet kanë të bëjnë me pastrimin pranveror e me të dhënët forcë diellit me anë të zjarreve.
Në mbrëmje ndiznin zjarre nëpër kodra, pra më 28 shkurt (kal.vjetër), të ndarë grupe-grupe, sipas vëllazërive; ta zëmë në Iliaz ndizeshin 4-5 zjarre. Te zjarret këndohej: "Merre, kore,merre sore, //Më të tetin si sot, //Na gjeçi për shumë mot!" Zakonisht zjarrin e ndiznin fëmijtë e të rinj , po aty merrte pjesë gjithë fshati, sidomos të rinjët e fëmijët. Thernin aty bagëti e  të brendëshmet e tyre i hanin pranë zjarrit, të pjekura.
Te zjarret vërvitnin lart druj të ndezur ose ata të ndezur i shkrepnin lart njeri me tjetrin. Ata i bënin këto për t'u zbavitur,  po në zanafillë synojnë t'i japin forcë diellit. Pra këto veprime si burim kanë natyrë rituale magjike. Fëmijtë e të rritur kapërcenin zjarrin nga një anë në tjetrën e disa herë kalonin fëmijtë duke shkelur me këmbë mbi zjarr. Bënin garë se kush do ta kapërcente ose se kush do të shkelte më shumë mbi zjarr. Të tëra këto bëhen si lojë por në vetvete kanë natyrë rituale, shëndet e forcë.
Atë mbrëmje, gratë me fëmijët, varnin në çati aq qepë sa meshkuj ka shtëpia dhe i vinin të varur mbi çati deri në një  mars të vitit tjetër. Me një mars të vitit tjetër hiqeshin ato e viheshin të tjera për aq sa mashkuj do të kishte nga shtesa a nga pakësimi gjatë një viti. Viheshin qepët për mbarësi, jetëgjatësi, trashëgimi.
Fëmijët në mëngjes të Ditës së Verës vinin në llërë të duarve  e në qafë guduvere (verore,larca), penj kuq e bardhë ose dhe verdhë e jeshil a kuq e jeshil. Me këta penj të vënë dilnin e thërrisnin në oborr e në ara: "Tru-tru-tru-tru, deleza;//Nem  kaçumelëza (guacka të vogla deti); ku më ke fletë?//Në arë të Vasit //Bithët trëndafilit,//Trëndafili fletë-fletë//Mori maletë përpjetë.//Pa del nuse ç'ish ai?// Ishte një arap i zi//Shkon e vete në xhami!//Nuk e priti dot njeri//Po e prinë Progonatë,//Progonatë parë-parë// Njëqind e njëzet kamanë (këmborë)// Ç'kini o kamanë q’i s'bini?// Apo trembi na Viziri?// Vizir Koka pika-pika// O gjarpri n'ato grika// Na shkove u mull frika". Këtu janë gërshetuar bashkë, në këto vargje fëmijësh, elementë ritualë me elementë socialë-historikë.
Një grua dikur, në prani të familjarëve, sidomos gra e fëmijë merrte një rrobë të grisur a një rreckë të leshtë, gjëlpërë me pe dhe fillonte të qepte në heshtje. Pas pak i lëshonte sytë një gruaje tjetër aty afër saj e gruaja e pyeste: "Çfarë po qep aty?". Ajo përgjigjej: "Po qep bubën (gjarprin) që të mos na pickojë bagëtitë e njerëzit. Kjo pyetje-përgjigje përsëritej tri herë për çdo gjë të veçantë së cilës i përmendej emri. Kështu vazhdohej 3 herë pyetje-përgjigje për shtrigat, për syrin e keq, për ujkun, për magjitë keqbërëse, për dhelprat. Së fundi e djeg rreckën “e qepur" dhe e nxjerr jashtë ashtu tym e zjarr, duke thënë. Si digjet rrecka nga zjarri ashtu u djegshin të ligat e familjet sonë! . Është yshtja që bëhet në tërë viset shqiptare për rite Vere.
Kthimi i gjurmëve të djemëve: Nëna merr fëmijën dhe e çon në një vend ku ka barë. Aty vendos këmbët e fëmijës zbathur mbi bar. Rreth këmbës e në formën e saj pritet plisi. Atë plis e çon djali në shtëpi dhe e ven pranë zjarrit që të vyshket bari i njomë. Pas pak djali merr gërshërët dhe e pret barin pak e nga pak. Duke prerë, djali përsëriste këto fjalë: "Ashtu si mbin prej rrënjës së vjetër bari i njomë e i ri, e nuk i humb kurrë fara, ashtu dhe njerëzit e pasuria e shtëpisë u shtofshin e mos u pakofshin kurrë!” . Në vendin kur morën plisin, në fushë, në atë gropë hedhin miellë e copra buke dhe e venë përsëri sipër tyre plisin që prenë. Pas disa ditësh shkojnë dhe e ngrejnë plisin për të parë gropën. Nëse aty gjejnë miza dheut, besojnë se ky djalë do të jetë me fat në jetë.
Ditën e Verës ruhen që të mos përgjigjen kur i thërret dikush po vetëm heshtin. Në mënyrë të veçantë për këtë porositen fëmijët, se në rast se përgjigjen, tjetri do t'u thotë: Më marrshi ethet e verës e të gjitha të ligat!". Pra, po u përgjigj do të namet e do ta pësojë gjatë verës me të liga që do t'i shfaqen.

          

 

"Rite e Besime në Himarë”, në Panteoni e Simbolika, Tiranë 2007, f.

 

Mark Tirta


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...