Oshtima

Punimi i armëve të zjarrit nga shqiptarët në shekujt XVII-XIX

Rritja e kësaj zejtarie, në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, e gjen shpjegimin në radhë të parë në zhvillimin e brendshëm të forcave prodhuese dhe në atë që ushtritë e dy pashallëqeve të mëdha shqiptare, ato të bushatllinjtë, me qendër në Shkodër dhe ato të Ali Pashë Tepelenës, me qendër Janinën, kishin nevojë edhe për prodhimin zejtar të armëve të zjarrit. Rritja e një varg qytetesh të vendit në shekujt XVII-XVIII krijoi kushte për zhvillimin e gjithanshëm të zejtarisë, duke përfshirë këtu edhe zejtarinë e prodhimit të armëve1. Një faktor i veçantë, që i dha shtytje të ndjeshme zejtarisë së punimit të armëve të zjarrit, ishte pa dyshim edhe pasuria e madhe e nëntokës, afërsia e minierave dhe sidomos nxjerrja dhe përpunimi në vend i hekurit, bakrit, plumbit, arit dhe argjendit. Minatorët dhe metalurgët më të njohur bëhen kryesisht shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (shekulli XVI-XVII). Të njohura bëhen minierat e nxjerrjes së lëndës së parë të barutit me tym, nitratit të potasit (salnitrit — KN O3) në Prishtinë (1485), në Elbasan, dhe në Vlorë (1565). Squfuri nxirrej nga miiera e Leskovikut (1591) dhe hekuri nga minierat e Sanxhakut të Dukagjinit (shek. XVI-XVII). Nga miniera e Fandit të Mirditës nxirrej argjendi 1591), kurse bakri nga mali Çerpik i Pukës (1733)2.
Nga të dhënat e reja arkivale turke del se, në Shkodër, qysh në vitin 1571 të ketë pasur fonderi shtetërore, ku punonin edhe mjeshtër vendës, për prodhimin e topave me kalibra dhe pesha të ndryshme, me të cilët pajiseshin të gjitha kalatë e vendit3. Në afërsi të Lezhës (1573) prodhoheshin gjylet e topave (me predha sferike). Po kështu, në të dhëna të tjera, bëhet fjalë se në vitet 1820-1870, në punishtet shtetërore të barutit në Shkodër dhe Janinë (në Zharovinë), mjeshtrit kanë qenë shqiptarë dhe se punishtet në fjalë plotësonin, jo vetëm nevojat e ushtrisë, por edhe të popullsisë vendëse4.
Kronistët dhe relatorët e ndryshëm na informojnë se në shek. XVII populli që banonte në pjesën veriore të vendit, ishte i armatosur me arkebuza (lloj pushke) dhe se, ata që i mbanin, dinin të prodhonin mjaft mirë edhe barutin5. Udhëtari turk i shek. XVII, E. Çelebia kumton se në Kurvelesh kryengritësit shqiptarë (rreth 20.000 veta), ishin të pajisur me pushkë me fitil.

 

* * *

Armëtarët, që në shek. XVII, ishin të organizuar në esnafë6. Deri më sot janë zbuluar nga studiuesit tanë në Arkivin Historik Shtetëror të Tiranës tre kodikët e esnafit të punimit të kasave (kondakçinjve të Elbasanit) të viteve 1696, 1709 dhe 1799; si dhe statuti i armëtarëve (dyfekçinjve) të këtij qyteti, i cili i përket vitit 18547.

 

* * *

   
Në armatimin personal, qoftë të ushtarit të ushtrive feudale shqiptare, apo të çdo banori të armatosur, në shek. XVII-XIX, bënin pjesë: pushka e gjatë (karajfilja) ose pushka e shkurtër (karabina) dy pistoleta (kobure), jatagani, dy vezme, vajmbajtësja, thupra (harbia) dhe brezi i mbajtjes së armëve (silahu). Pushka e gjatë shqiptare, e cila prodhohej e zbukurohej edhe në vend, nga autorët turq quhej: «karajfilja me çarik e gur stralli e tipit shqiptar». (Arnaud gari çabmaelli karanfil tufenki)8, ndërsa tek shumë autorë të tjerë të huaj e gjejmë të emërtuar thjesht «amautka» apo «paftalia»9. Kjo armë, në fakt, ka qenë përmirësimi i mëtejshëm i pushkës me fitil10, i mushketës dhe i arkebuzit, të përdorura në vendin tonë gjatë shek. XV-XVII. Me spikatjen e çarkut me goditje dhe gur stralli, rreth vitit 1630, pushtka e gjatë filloi dhe vazhdoi të prodhohej nga armëtarët shqiptarë gjatë shek. XVII-XIX. Esnafi i armëtarëve merrej kryesisht me punimin e tytës. Në fillim tyta përgatitej me anën e mbështjelljes së fletës së hekurit mbi një cilindër çeliku, duke salduar anët e tytës me anën e goditjeve të forta të çekanit. Më vonë, gjatë shek. XVIII, filloi të përdoret edhe metoda e shpimit të tytave. Metali i tytës ishte prej hekuri të butë të farkëtueshëm dhe nga shek. XIX ishte prej çeliku të butë. Metali i tytës vinte i gatshëm, në formë lingotash dhe furnizimi bëhej nga tregtarë të ndryshëm. Tyta, mbasi shtrëngohej në morsetë, në procesin fillestar, shpohej me anën e një matkapi (trapan dore, turjelë). Pastaj përdoreshin disa lloje kalizvarësh me gjatësi dhe trashësi të ndryshme, dhe me anën e krahut të madravides vazhdonte shpimi, gërryerja dhe lëmimi i fyellit të tytës duke i dhënë kalibrin e dëshiruar. Tyta mbërthehej dhe fiksohej në kasë me anën e 7-9 unazave. Tytat që shpoheshin në Shkodër përmenden për cilësinë e tyre të mirë, ndërsa ato të Tetovës dalloheshin për procesin e mekanizmit të shpimit të tyre, duke shfrytëzuar energjinë e ujit të lumit, i cili kalonte përmes sokakut të tytapunuesve11. Sami Frashëri, duke shkruar për Elbasanin theksonte se brenda në qytet punoheshin tytat e pushkëve, të cilat pëlqeheshin shumë nga shqiptarët12.
Tregtimi i tytave bëhej nga një qendër zejtare në tjetrën. Ka të dhëna se Shkodra, si qendër e madhe tregtare dhe zejtare, qendër sanxhaku, vilajeti dhe pashallëku, me tytat e vendit dhe të jashtme, plotësonte jo vetëm nevojat e veta, por me to furnizonte edhe Prizrenin, Gjakovën, Tetovën, Elbasanin, bile ato shiteshin në Delvinë, në Grabovën e Gramshit deri në Bonila të Janinës.
Veglat e punës të armëtarit ishin të thjeshta: kudhra, çekana, disa lima dhe raspa, trapan dore apo tygela (matkap), morsa bangoje turielash të gjata, të ngjashme me barominet e minatorit të asaj kohe, gjyryku (kaceku, rrëshiqi), forxha e zjarrit etj. gjithsejt 15-20 lloj veglash, pjesa më e madhe e të cilave përgatiteshin nga vetë armëtarët13.
Zejtari i punimit të kasave (kondakçiu) merrej me punimin e thuprës prej druri dhe të kasës së pushkës. Kasa punohej prej druri të butë të panjës, të mështeknës, arrës së staxhionuar dhe më rrallë të ahut. Zejtari i punimit të çarqeve (çarkaxhiu) përgatiste çarkun, i cili përbëhej nga disa pjesë. Çarku konsiderohej një nga shpikjet më të mëdha të shek. XVII në Evropë, prandaj prodhimi i tij paraqiste vështirësi të mëdha teknike që, tek ne, u kapërcyen duke krijuar bile edhe qendra zejtare të veçanta për prodhimin e tij siç njihet Hajmeli, Saraçët përgatisnin rripat dhe vezmet, ndërsa kazazët-silahët. Skalitësit e gurit të strallit të Drashovicës, Llijarit, të Progonatit e të Nivicës përgatisnin gurët e nevojshëm për çdo pushkë14. Argjendarët, jo vetëm zbukuronin tërësisht kasën e armës, por edhe punonin e zbukuronin vezmen, vajmbajtësen dhe, më vonë, thuprën metalike. Armët, sigurisht për shtresat e pasura të klasës shfrytëzuese të shoqërisë feudale dhe për udhëheqësit ushtarakë vendës, i lanin me ar dhe zhivë, me argjend (filigran apo telish) dhe me savat — (përzierje e plumbit me squfurin).
Pavarësisht nga diferencimi i madh klasor, çdo shqiptar, armën që e kishin detyruar kushtet ta mbante në krah, e zbukuronte me motive të ndryshme. Kur përfundonte montimi i armës, bëhej kontrolli i saj nga kryetari i esnafit.

Karakteristikat dalluese të pushkës shqiptare ishin këto: gjatësia nga 2,7 m. deri 2,31 m. Më vonë nga 1,97 m, deri në 1,47 m. Pesha arrin te nga 3,5 në 2,5 kg. Fyelli i tytës ishte i lëmuar. Mbushja bëhej nga gryka. Pesha e barutit të prodhuar në vend (Mat) afërsisht ishte 25 gram dhe mbështillej në një fishek prej letre. Predha prej plumbi ishte e rrumbullakët dhe peshonte rreth 50 gram. Plumbin (predhën) e përgatiste çdo banor me kallëpet që kishte në familje, kurse në ushtri përgatitej në repartet ushtarake. Kalibri në fillim ishte mbi 20 mm. e pastaj u zvo gëlua deri në 17 e më vonë në 13 mm., por këto asnjëherë nuk kanë qenë të njëllojta. Shpejtësia praktike e qitjes arrinte nga një e shtënë në 2 minuta deri në dy të shtëna në minutë. Kompleti luftarak përbëhej nga 10 fishekë që mbaheshin në brez, në dy vezme. Largësia më e madhe e hedhjes së plumbit arrinte nga 300-600 hapa (nga 213-426 metra)15.

Pushka prodhohej dy llojesh: me dorezën (qafën) e qytës së kasës të ngritur nga lart (në formë gjysmëharku) dhe me dorezën e qytës të ulur nga brenda. Lloji i parë përdorej edhe pëlqehej më tepër nga banorët e krahinave veriore, në trevat e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, nga shqiptarët e Maqedonisë dhe nga banorët e Shqipërisë së Mesme. Lloji i dytë përdorej më tepër në pjesën jugore të vendit, kryesisht nga banorët ku shtrihej pashallëku i Ali Pashë Tepelenës. Shaulli metalik i qytës së pushkës së llojit të parë kishte formën e bishtit të dallëndyshes dhe mbaronte në formën e shkronjës T.  Lloji i dytë kishte shuallin metalik të qytës, që mbaronte me një të kthyer nga brenda, për lehtësimin e mbështetjes në sup gjatë qitjes. Çmimi i një pushke të gjatë në Elbasan në shek. XIX lëkundej nga 500-1000 grosh.
Si një ekzemplar me interes mund të përmendim këtu një pushkë të gjatë, që ruhet në fondet e Sektorit të etnografisë të Institutit të Historisë, me nr. inv. 7836. Ajo është e gjatë 1,19 b., peshon afër 3,5 kg është e kalibrit 17 mm., me çark, me tytën prej tunxhi e gur stralli dhe me fyellin e tytës të lëmuar. Ajo është e veshur e tëra me pafta argjendi të lara me ar dhe të zbukuruara me savat. Motivi kryesor në këto zbukurime, i vendosur në qytën e pushkës, është figura e një luftëtari shqiptar, veshur me fustanellën karakteristike dhe pajisur me armët e kohës. Përposh tij gërshetohen motive të tjera bimore dhe shtazore. Në një cep të qytës janë shkruar po me savat, me gërma greke, të cilat janë lexuar deri tani Ali Horkova dhe janë interpretuar si emri i pronarit të pushkës. Mendoj se mbishkrimi duhet lexuar Ali Harkona nga Grabova dhe ky duhet të jetë emri i mjeshtrit që e ka punuar këtë pushkë. Më shtyn në këtë mendim fakti që tradita gojore e përmend Grabovën e Gramshit si një qëndër të punimit të armëve në shekujt e kaluar, por nga dokumentacioni i shkruar ende nuk kemi ndonjë të dhënë që ta mbështetë këtë informatë gojore. Sidoqoftë, çështja meriton të gjurmohet më tej për një sqarim më të plotë16.
Krahas pushkëve të gjata në gjysmën e dytë të shek. XIX, filluan të përdoreshin edhe pushkë të tjera të tipave të rinj. Një nga këto ishte edhe martina. Ajo ka qenë një nga llojet e para të pushkëve me mbushje nga pjesa e mbrapme e tytës, me një fishek metalik. Përdorim dhe prodhim të gjerë ajo mori sidomos në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878 -1881) dhe pas saj. Populli ynë martinën e emëroi «huta e popullit». Ajo hyri edhe në frazeologji e shprehje të ndryshme popullore. Njëra prej tyre thotë: «Shqiptarin s’e ka qitë lokja prej barkut, por huta prej çarkut».
Nga autorë të ndryshëm ajo njihet me emra të ndryshme si: huta shqiptare e Elbasanit, e Tetovës, e Prizrenit dhe e Gjakovës, në vartësi nga vendi ku punohej. Prodhimi në vend i hutës filloi rreth vitit 1875 dhe, pa marrë parasysh urdhrat e rrepta të qeverisë turke të viteve 1875 e 1903, për ndalimin e prodhimit, ajo vazhdoi të prodhohej deri në vitin 1910. Edhe huta punohej në disa procese pune. Huta kishte këto karakteristika: gjatësia nga l.3 m. deri në 1,24 m., pesha 4,1 kg., kalibri 11,43 mm., pesha e plumbit 31,1 gram; shpejtësia fillestare e plumbit 416 m. sek. Largësia më e madhe e hedhjes së plumbit arrinte deri 1200 hapa (852 metra). Mekanizimi i shkrepjes i përkiste sistemit të bllokut të shulit, i cili ulej poshtë me dorë, me anën e një leve. Mbasi mbushej foleja e fishekut e bëhej qitja (shkrepja), gëzhoja boshe nxirrej përsëri, duke ulur poshtë shulin me anën e levës. Kasa e hutës nuk zbukurohej më, me përjashtim të rasteve shumë të rralla. Çmimi i një hute në Elbasan ishte deri në 3 napolona ar. Huta e vendit gëzonte popullaritet të madh. Ajo ka hyrë, jo vetëm në thesarin e kulturës sonë materiale, por edhe në atë shpirtërore, Në folklorin tonë të pasur, në ciklin e këngëve të trimërisë, madje edhe në ato të ditëve tona, hutën e gjejmë dendur. Me prodhimin e hutës armëtaria shqiptare njohu kulmin e zhvillimit të saj17.
Përveç armëve të krahut u punuan edhe u zbukuruan në vend disa lloje të armëve të brezit, pistoleta (kobure) të njohura me emërtime të ndryshme si: calina, tapanxha, kalemtushe, verdha, gjarpnusha, karbresha, lezhjane, latune Dibre, serme etj18.

* * *

Të dhënat e literaturës për sasitë e prodhimit të armëve të zjarrit deri tani janë të pjesshme, të zmadhuara dhe si rrjedhim pak bindëse, prandaj ato duhen marrë me mjaft rezervë. Autori turk S. Kylçe duke shkruar për Tetovën, thekson se rreth vitit 1786 ajo prodhon rreth 224 pushkë në ditë dhe kishte 450 dyqane armëtarësh. Ai, duke e krahasuar Tetovën me Shkodrën, shton se kjo e fundit ia kalon Tetovës jo vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia e punimit të armëve19.
Zija Shkodra, në librin «Esnafët shqiptarë» shkruan se në Prizren, nga mesi i shek. XIX, prodhoheshin afro 27 pistoleta në ditë, të cilat gjenin shitje jo vetëm në tregun ballkanik, por deri në tregjet më largëta të Azisë së Vogël, të Persisë dhe të Egjiptit20. Në burime të tjera thuhet se, nga fundi i shek. XIX, në Tetovë prodhoheshin mbi shtatë pushkë në ditë, gjë që është e pranueshme, po të marrim parasysh punimin e tyre artizanal.
Nga të dhënat e sipërme, ndonëse të zmadhuara e kontradiktore, mund të nxirret si fakt i pamohueshëm se, armëtarët shqiptarë, ishin të njohur për punimet e armëve të zjarrit dhe për zbukurimet e tyre me shije të holla artistike.

* * *

Siç dëshmojnë armëtarët Elmas M. Myftiu (1870-1969) nga Tirana dhe Mehdi Dumbo nga Pogradeci, zejtaria e punimit të armëve dalëngadalë filloi të dobësohej nga vitet 1880-1890 dhe pësoi rënien e plotë pas vitit 1910. Shumë armëtarë u detyruan të ktheheshin në riparues armësh, në farkëtarë, në zilexhi (punues të zileve të bagëtive) etj.
Kjo rënie shpjegohet edhe me shpikjet e reja të armëve me mbushje nga prapa, me gjilpëra, me shul rrëshqitës dhe me përsëritje e sidomos me shpikjen e barutit pa tym (1884). Edhe në vendin tonë vërshuan armët më të reja të kohës dhe kryesisht ato të industrisë kapitaliste të armëve të qytetit Breshia të Italisë dhe të qytetit Shtejer të Austrisë21.
Me gjithë përpjekjet e shumta zejtaria e armëve nuk mundi ta përballonte më këtë konkurrencë.

* * *

Duke përfunduar mund të pohojmë se punimi i armëve të zjarrit nga armëtarët shqiptarë, në shek. XVII-XIX, tregon aftësitë e mëdha teknike dhe shijet e holla artistike të popullit tonë.
Armëtarët e talentuar shqiptarë dhanë një kontribut të shquar, jo vetëm në armatosjen e popullit tonë në luftërat për liri, pavarësi dhe të drejta shoqërore, sidomos gjatë Rilindjes sonë Kombëtare, që u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë (28 nëntor 1912), por edhe në pasurimin e kulturës sonë materiale dhe artistike.

 

 

 

 

 

1)  Zija Shkodra, Esnafët shqiptarë, Tiranë 1973, faqe 58.
2)  Skënder Rizaj. «Rudarstvo Kosova i susednih krajeva od XV do XVII veka» (Xehetaria e Kosovës dhe viseve fqinje nga  shek. XV-XVII»), Prishtinë 1968, faqe 27,37,41 e 42.
Në Miihime defteri, (fletoret e veçanta) Nr. 5 dok. 1299 Arkivat turke, Stamboll 1565 (973 H), Tiranë, më 3-12-1968.
3)  Aleksandër Metkovski, Kryengritje të panjohura në sanxhakun e Ohrit në vitet 1566-1574, në «Studime historike» 3, 1973, f. 53-56.
4)  Historia e Shqipërisë, vëllimi I, Tiranë, 1959, f. 403-404 dhe vëll. II, Tiranë 1965, f.53-66. Gulaime    de Vaudoncourt në librin Memuoirs of the Jonian Islands    (Kujtime mbi ishujt jonian). Londër 1816, f. 51.    (përkth. Ruhet pranë Sektorit të etnografisë së Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë.)
5)  Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shek. XVII vëll. I, (1610-1634). Tiranë 1963, f. 291.
6)  Abedin Çaushi, Dyfekçinjtë dhe armët në Elbasan në shek. XIX në Etnografia Shqiptare I, Tiranë, 1962, 251-275.
7)  Zija Shkodra, vep. cit. f. 67.
8)  Ahmet Hamit Mustafa Muhsin, Turqia terihi (Historia turke), Stamboll 1926, f. 514 .
9)  Ami Boué La Turquie d’Europe... Paris 1840, f. 226.
10) Marin Barleti, Rrethimi i Shkodrës, Tiranë, 1962, f. 57, shkruan: «... Pushka është një lloj arme në përgjasim me bombardën dhe në pjesën më të madhe është prej hekuri, e mori këtë emër (se lopas, Skopus) nga krisma që bën kur shtihet me të. Tytën e ka të ngushtë, të gjatë dhe mbushet me një lloj predhe prej plumbi që ka barut dhe lëndë të tjera djegëse dhe mjafton një nje ri i vetëm për ta ndezë, kështu që ajo del fluturimthi dhe të vret...»
11) Sulejman Kulca, Osmanli tarihinde Arnavutluk (Shqipëria në historinë os mane), Izmir 1944, faqe 381-384, në mes të tjerave shkruante: «Historia përmend se në Tetovë, rreth vitit 1786, ishin 450 dyqane që merreshin me punimin e armëve të zjarrit. Këto dyqane ishin ndarë në katër lloje pune (procese - pune): tytashpues, kasapunues, zbukurues të kasave dhe montues të armës komplet...»
Gjurgjica Petroniq, në artikullin Tetovski pushkari (Armëtarët e Tetovës) në «Rad VII-og kongresa someza folklorista Jugoslavije» (Punimet e Kongresit të VII të lidhjes folklorike jugosllave), Ohër 1960, f. 117-120 shkruan: «Pranë këtyre dyqaneve, në tregun e sipërm dhe të poshtëm, pranë lumit Pene të Tetovës, kanë qenë ndërtuara baraka, ku shpoheshin tytat e pushkëve me turjela të gjata si të minatorit, duke shfrytëzuar për këtë qëllim energjinë e ujit të lumit. Vendi ku kryheshin shpimet e tytave të pushkëve quhej «Çarga».
Franz Nopsçsa «Albanien, Bauten, Trachten und Gerate» (Shqipëria etj...) Berlin, und Leipzig, 1925, f. 146-154, (përkthim në shqip, ruhet pranë arkivit të Sektorit të etnografisë, të Institutit të Historisë, Tiranë f. 391-414). shkruan: «... Në Gjakovë punoheshin (fabrikoheshin) edhe karabina veçse me hekur të butë...» (shih f. 397).
Ami Bouë, vep cit. f. 226 shkruan: «Pushkët quhen arnautka (shqiptare) ose paftalia, peshojnë nga 11 e 12 libra (peshë) dhe tytat janë të gjata 5 këmbë dhe 4 këmbë (masë).
Në Shqipërinë veriore punishtja kryesore e armëve është në Prizren, atje punohen tytat e pushkëve dhe të pistoletave, po këtu riprodhohen edhe tytat. Punishtet e armëve ruajnë lidhje me shtetet lombarde dhe lombarde-veneciane..." Rizzoli Larousse, (Enciclopedia universale), vëll III, Milano 1967, f. 319 thuhet: «... Në kohët e kaluara tytat punoheshin (bëheshin, fitoheshin) me anën e shpuarjes. Letterio Musciarelli, në Dizionario delle armi, Milano 1970, f. 143-145, thuhet: në vitet e para të shek. XIX lindi punimi i tytës, i ashtuquajturi i Damaskut, Për të punuar tytat e quajtura të Damaskut, mbështillej një shirit në formë spiraleje përqark një shufre apo mandrinoje, i fituar duke i salduar së bashku njëra pas tjetrës thuprat prej çeliku dhe prej hekuri...»  «...Prej disa dekadash tashmë tytat punohen nga pjesë të gatshme në përmasat, (formatet, lingotat) përkatëse të holluara si teli (traforati o forati) dhe të shpuara në pamje të ftohtë me makineri speciale...»
12) Sami Frashëri Kumus’i Turki (Enciklopedia turke), vëll, 2. Stamboll 1899, f. 1157.
13) Abedin Çaushi, vep. cit. f. 251-275.
14) Të dhëna gojore të mbledhura nga autori në Golem dhe në Progonat, më 15 gusht të vitit 1969.
15) Sulejman Külçe, vep. cit, faqe 381-384.
16) Të dhëna gojore të mbledhura nga autori gjatë viteve 1964 deri 1969 në krahina të ndryshme të vendit.
17) e 18) Riza Drishti, më gjatë problemi i punimit të armëve në vendin tonë trajtohet në librin Armët dhe armëtarët e shqiptarëve. Tiranë 1976.
19) Sulejman Külçe, vep. cit. f. 381-384.
20) Zija Shkodra, vep. cit., f. 191-193. Cristian Viadesku-Konig. D, Popa, Armi in Muzeale din Rumania (Armët në muzeumet rumune), Bukuresht 1973, f. 48. Selahedalin Bey, La Turquie a l’exposition universale de 1867, Paris, 1867 (Turqia në ekspozitën universale të vitit 1867) f. 58. Alburni L’art albanais a travers les ciecles», (Arti shqiptar gjatë shekujve), Petit Palais, Decembre 1974, Fevrier 1975.
21) Sami Frashëri, vep, cit, Stamboll 1899, f. 978 e 1496 A. Galant në Estratto dalla opera di. T. Ippen (Ekstrakt nga vepra e T. Ippenit), Romë, 1890.
A. Degrand, Souvenir de la haute Albanie (Kujtime nga Shqipëria e Veriut), Paris 1902.
B. Pellegrini, Verso la guerra? (Drejt luftës?), Romë 1906.


Konferenca Kombëtare e Studimeve Etnografike 28 - 30 Qershor 1976, Tiranë, 1977, f. 

Riza T. Drishti


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...