Oshtima

1942 - Raport mbi shtrirjen e Administratës Civile shqiptare në Gostivar

Raporti i mëposhtëm i drejtohet Ministrisë së Tokave të Liruara dhe pasqyron nisjen e veprimeve të Administratës Civile shqiptare në rrethin  e Gostivarit.


MBRETNIJA SHQIPTARE
NËNPREFETURA E GOSTIVARIT

Gostivar më 8/Kalnuer/1942.XX


RAPORT I PËRGJITHSHËM

P. T.
Prefekturës

Dibër


FILLIMI I SHËRBIMEVE TË ADMINISTRATËS CIVILE

Shërbimet e administratës civile filluan rregullisht këtu më 30/Shtator/1941, qysh kur erdhi dhe nisi nga detyra Titullar’i kësaj Nënprefekture. Më parë këto shërbime kryeshin nga një i ngarkuar ushtarak.

Kurë erdhi këtu Titullar’i i kësaj Nënprefekture nuk gjeti asnjeri në zyrë, me përjashtim të shërbëtorëve të parë dhe, mbassi godina qeveritare ishte okupuar nga Komanda e Presidios, u vendos në lokalin e ish gjyqit Jugosllav.

Sekretari dhe protokollisti mungonin, mbassi nuk ishin emëruar akoma. Kështu Titullar’i kësaj Nënprefekture u shtrëngua t’i përvishet vetë punës burokrate, duke u ndihmuar ndër kohë edhe nga një nëpunës’i Bashikes. – Në këtë mënyrë dhe me plotësimin, më pas, të personelit, Zyra e Nënprefekturës hytën në rregull dhe sot vazhdojnë me një rithmë të pa prerë e të përsosur, që meriton të shënohet veçanërisht.

Tani Nënprefektura e këtushme, ndonse e krijuar prej pak kohësh, paraqit të gjitha aspektet dhe vantashet e një institusioni qeveritar t’organizuar mirë. Bile veprimet e saja, për mungesë gjyqi, kan marrë një zhvillim të gjerë dhe publiku hallexhi i shumtë gjen në té të gjitha lehtësiet e mundëshme dhe për këtë nuk mungon të shfaqë kënaqsien e tij të thellë.


VEPRIMET ZYRTARE NË GJUHËN SHQIPE    

Sot të gjitha veprimet Zyrtare bëhen krejt dhe vetëm në gjuhën Shqipe. Edhe Komunët, ndonse nuk janë të plotësuara me personel, të gjithë korespondencën e bëjnë  në gjuhën Shqipe me përjashtim të Komunës së Serbinovicës (Hekur Lumit) ku si Kryetari ashtu dhe Sekretare nuk dijnë gjuhën Shqipe. Ka edhe Komunë të tjera që nuk kanë sekretarë, por në këtë rast shërbehen vullnetarisht nga mësuesit e katundeve. Edhe zyrat e tjera, që eksistojnë sot këtu, veprojnë në gjuhën Shqipe. Edhe kërkesat nga ana e popullit bëhen vetëm në këtë gjuhë. Bile kjo Nënprefekturë për të lehtësuar veprimet dhe për t’i dhënë shkas përhapjes sa më tepër të gjuhës Shqipe, ka lejuar çeljen e një zyre për shkresat publike, zyrë e cila ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë në mënyrë të kënaqshme si autoritetet ashtu dhe popullin.


SJELLJA E NËPUNËSVE T’ARDHUN

Po thua të gjithë nëpunësit e ardhun punojnë me ndërgjegje e patriotizmë dhe mbajnë një korektesë në kryemjen e veprimeve zyrtare, gjë që është vënë ré me admirim nga ana e popullit, i cili çmon dhe i instimon në mënyrë të dukëshme. Me gjith që janë larg familjeve të tyne dhe me gjith që e përballin me mundim jetésën , përsëri nëpunësit e ardhun vazhdojnë në detyrat e veta me një përpjekje të pa lodhëshme, duke mos shfaqur as edhe ankimin ma të vogël. E ndjejnë edhe ata vetë se nuk janë në këtë rast nëpunës të thjeshtë për të nxirë kartën, po janë njëkohësisht edhe misionerë, të ngarkuar t’i shërbejnë Atdheut me të gjitha fuqit e tyne dhe me sakrificë.


ARSIMI KOMBËTAR DHE PËRPJEKJA E MËSUESVET


Një vend të veçantë dhe të lavëdrueshëm zë në këtë rast arsimi Kombëtar, i cili është i destinuar të lozi rolin kryesor dhe bazal për formimin e një ndërgjegjeje Kombëtare të vertetë dhe për lartësimin shpirtëror të një populli q’u shtyp dhe u mbajt 30 (Tridhjet) vjet me radhë në erësirë. Si në Gostivar ashtu edhe në katundet, ku janë çelur shkollat Shqipe, mësuesit bëjnë përpjekje titanike për t’a përhapur sa më tepër dhe sa më shpejt kulturën dhe gjuhën Kombëtare. Edhe populli nga ana e tij dëfton një etje të madhe për arsim dhe për gjuhën Shqipe. Sot në shkollën fillore “NAIM FRASHËRI” të qytetit janë regjistruar dhe vazhdojnë regullisht 450 fëmië, të përbërë nga Muslimanë e të Krishterë dhe nga femra e meshkuj. Gjith-ashtu ka edhe një kurs nate që vazhdon regullisht në të cilin marin pjesë afron 90 veta të rij. Edhe në katundet, ku ka shkolla, nxënësit që marin pjesë n’to janë të një sasie të konsiderueshme. Janë çelur gjith-ashtu dhe kurse nate në të cilat marin pjesë mjaft katundarë.

Rezultatet e shkollës Shqiptare po bëhen çdo ditë më të dukëshme e më të kënaqëshme. Një provë e këtyre rezultateve u dha me rastin e festës së 28 Nandorit, kur në Gostivar fëmiët e qytetit dhe ata t’ardhun prej katundeve dekllamuan djalloge e vjersha Shqipe në një mënyrë të përsosur, kaq sa habitën dhe tërhoqën admirimin e thellë të publikut të math asistonjës. Gjith kjo pra është, në radhë të parë, merita e mësuesvet, e këtyre apostujve të vërtetë të predikimit e të Shqiptarizmit, të cilët punojnë në heshtje me ndërgjegje e me kryelartësie.


NJË DETYRË E MINISTRIES S’ARSIMIT


Rethi i Gostivarit ka 56 katunde, shumica e të cilëvet janë pajosun nga ish regjimi Jugosllav me shkolla moderne fillore. Mirë po sot katundet që kan fatin të kenë shkolla Shqipe janë shumë të pakta. Bije fjala Çegrani, një katund me 500 shëpie, i banuar krejt prej Shqiptarësh; Çalje, qendër Komuneje, Zdunja, Ravena, që të gjitha katunde Shqiptarësh dhe Dufi, katund i banuar nga të Krishterë origjinë Shqiptare dhe që flasin vetëm dhe krejt gjuhën Shqipe, e të tjera, ndonëse kanë godina shkollore të mira, nuk kan akoma fatin të kénë mësues Shqiptarë.

Kryepleqësiet e katundeve në fjalë janë drejtuar shumë herë në këtë Prefekturë dhe kan kërkuar prej saj që të demarshojë pranë Ministries s’Arsimit për të çelur edhe në Fshatrat e sipërme shkolla Shqipe. Populli ka etje për arsim. Pra është detyra e Ministries së Arsimit që t’a mari parasysh këtë kërkim të drejtë e me vend të katundarëve të këtushëm. Janë kaq e kaq faktor Historike dhe politikë që e impozojnë çeljen e shkollave Shqipe ndër këto vende, sepse vetëm shkollat do të jenë ato që do t’a ngrenë lart këtë popull dhe do t’i ndezin ndjejnë e Shqiptaries të mohuar nga armiku, që sundoj 30 vjet me radhë. Për të rënjosur pra një ndjejnjë të vërtetë Shqiptare, kërkohen sot përpjekjet gjiganteské nga ana e Shtetit Shqiptar, sidomos nga ana e Ministries së Arsimit. Puna e kërkon që ç’ka u bë mbrenda në 30 vjet në lëmin e arsimit Kombëtar në Shqipëri, në këto vende të shlirueme duhet të bëhet mbrenda në pak vjet duke mos u kursyer asgjë për’ta.

 

KOMUNET DHE ORGANIZIM’I TYRE


Siç dihet, baza themelore e administratës janë institusionet komunale. Jugosllavët çuditërisht nuk i kishin dhënë rëndësinë e duhur këtyne. Pastaj Kryetarët e Komuneve në të kaluarën, në regjimin Jugosllav, lihéshin të zgjidheshin nga ana e popullit; njerëz po thua që të gjithë pa kapacitet dhe pa as ma të voglën kulturë. Duke qenë kështu, këta bëheshin kuklla në duart e sekretarëve, satrapë të vegjël, të cilët grabitnin popullin.
Komunet, me gjith që veprojnë Shqip, për tani ndodhen shumë mbrapa nga pikpamja e organizimit. Shkaqet janë këto: a) Se më të shumtët e Kryetarëve janë njerëz nga ata të parët të pa zotët e pa kulturë, b) se nuk janë plotësuar të gjitha me sekretarë të rinj, c) se edhe sekretarët e dërguar më të shumtët nuk kanë zotsi dhe dije nga veprimet e zyrës. Janë njerëz të rekrutuar pas asnjë kriter. Prandaj është detyra e Ministries së Punëve të Mbrendshme që të mare parasysh gjendjen e sotme të institusioneve komunale dhe t’i organizojë sa më parë, duke dërguar në to nëpunës nga më të mirët. Jo vetëm se këtu hidhen për herë të parë themelet e administratës Shqiptare, por edhe sepse duhet të tregojmë se jemi shumë më të mirë dhe më superiorë nga nëpunësit e ish regjimit Jugosllav.
Shtojmë se nga informatat që kemi, Shteti Bullgar i ka plotësuar krejt vendet e aneksuara me elementë të zgjedhur. Kështu duhet të veprojmë edhe neve dhe të mos i japim rast të nënkuptohet sikur nuk ishim të pregaditur për një Shqipëri më të madhe. Populli nga ana e tij pret me pa durim organizimin e Komuneve me elementë të rinj t’ardhun nga Shqipëria. Shënojmë se ka edhe disa ambiciozë prej vendit që kërkojnë të emërohen Kryetar Komunesh, po janë njerëz pa pikë kulture dhe s’kan haber se ç’do të thotë zyrë. Prandaj as mund të bëhet fjalë për këta të fundit. Problemi komunal zgjidhet vetëm duke u dërguar nëpunës të tillë nga Ministria e Mbrendëshme, të zgjedhur midis më të zotërve.


BASHKIJA DHE ORGANIZIM’I SAJ    

Në kohën e regjimit Jugosllav edhe kryetarët e Bashkive zgjedhun nga ana e popullit. SI i tillë ishte një i quejtun Qiro Moisiu, origjinë Shqiptare prej Krahinës së Rekës. Po kur këto vende ju aneksuan Shqipërisë, me dekret të Komisariatit të Naltë Civil, u emërua si Kryetar Bashkije Z. Advukad Kadri Saliu nga Gostivari. Ky i fundit në regjimin Jugosllav ka qenë deputet.

Bashkija vazhdon të veprojë akoma me sistemet Jugosllave si në degën e taksavet ashtu edhe në degën e kuadrit të nëpunsvet, numri ti të cilëve sot arin në 62 (gjatëdhjetedy) veta! Për këta nëpunës Bashkija paguan një rrogë vjetore prej 88080 Fr. Shqiptare.

Nëpunësit e parë të Bashkies, të përbërë në shumicë nga të Krishterë autoktonë, me ardhjen në krye të Kryetarit të ri u zëvendësuan me nëpunës Mysliman. – Po si të parët ashtu dhe të  dytët përgjithësisht nuk e njohin gjuhën Shqipe as edhe në të folun.Të vetmit nëpunës që shkruajnë në gjuhën Shqipe dhe bëjnë korrespondencën për të gjitha zyrat e Bashkies janë vetëm 3-4, të cilët kan ardhur nga vende të ndryshme të Shqipërisë.

Duke lanë me një anë faktin se nëpunësit e Bashkies janë shumë të tepërte dhe në disproporcion me nevojat e vendit, duke lanë me një anë faktin se më të shumët janë të padobishëm, mbassi z’bëjnë ndonjë punë, jemi të mendimit, për hir të organizimit të Bashkies dhe për hir t’interesit të vendit, që numëri i nëpunësvet jo vetëm të kufizohet por edhe ata që do të jenë të nevojshëm të mbahen duhet t’emërohen me konkurs, duke u preferuar si të tillë personat që kan konditat e duhura dhe që njohin me të shkruar dhe me të lexuar gjuhën Shqipe. – Nëpunësit e sotme, më të shumtët, janë vetëm për të marrë rogëa, janë njerëz të favorizuar.

Gostivari paraqit të gjitha konditat për t’u bërë në t’ardhmen një qytet i bukur dhe modernë. Prandaj në vend të harxhohen rroga të kota për nëpunës, duhet të bëhen kursime në të ardhunat e Bashkies dhe këto të holla të distinohen për vepra ndërtonjësé e zbukuronjëse.


ZYRA E FINANCAVET DHE NËPUNËSIT E SAJ


Një nga zyrat t’organizuara ma mirë, është ajo e Financës, në krye të së cilës Drejtor është Z. Ibrahim Tërshana, nëpunës i zoti me eksperiencë dhe aktiv. Edhe nëpunësit e tjerë janë që të gjithë të zotët dhe veprojnë me ndërgjegje në plotësimin e detyravet të tyre.

Financa e këtushme, për hir të aktivitetit të nëpunsavet të saj dhe për hir të ndihmës që ka dhanë roja Mbretnore e këtushme, ka mundur të nxjerri në pak kohë 91% të taksavet.

Zyra e financavet të këtushme vepron në mënyrë të pa lodhur  dhe tregohet si shembëll i organizimit të institusioneve financiare të Shtetit Shqiptar, nga ana e popullit.

Në këtë mënyrë lutemi të vihet në dije Ministria e Financavet.


ZYRA POSTELEGRAFONIKE


Kryenëpunës’i parë i zyrës Postelegrafonike që erdhi këtu, është Z. Arif Besatari, i cili këto ditë u transferua në Delvinë dhe u zëvendësua nga Z. Selman Dedja. Për sa i përkét organizimit postar zyra e këtushme vepron në rregull. Për sa i përket organizimit telegrafik, në këtë fushë ka mbetur mbrapa, mbassi të gjitha linjat janë marrë në dorë nga ana e Ushtries. Me gjithë vullnetin e mirë dhe përpjekjet e pa reshtuna që kanë treguar e po tregojnë Kryenëpunësit e zyrës së fjalë, përsëri nuk ka qenë e mundur të arihet në një përfundim dhe zgjidhje të kënaqëshme të kësaj çështjeje.

Dihet mirë se shërbimi telegrafik është një nga nevojat më kryesore si për administratën ashtu dhe për popullin. Prandaj lutemi t’i shkruhet Drejtories së Përgjithshme të P.T.T. që të intervenojë pranë Komandës Superiore të fuqive t’armatosura që të lërë të paktën një linjë në shërbim të zyrës telegrafike civile.


VEPRIMET E SEKRETARIES POLITIKE


Me gjith që kishte disa muej që ishte emëruar një sekretar politik, përsëri Partija Fashiste Shqiptare nuk jepte asnjë shenjë gjallërie. Po qysh prej dy javësh që detyra e Sekretarit politik ju ngarkua Z. Ibrahim Tërashana, Partija nisi të mare hov dhe të tregojë vehten e saj edhe në këtë vend. Ka disa ditë që me qindra njerëz, presin qytetarë e katundarë, presin po vrapojnë me tërë dëshirë për t’u regjistruar në Parti.

Sekretari i ri politik, me të mare në dorëzim detyrën, mori në pajtim një godinë për zyrë të Partisë, procedoj në formimin e një Komisioni për të mbledhur ndihma nga të pasurit për asistencën shoqërore, si edhe bëri veprime të tjera në lidhje me përhapjen e aktivitetit të partisë në këtë vend.

Lutemi sa më sipër t’i njoftohet Federatës së Fashiove të Dibrës, duke shënuar njëkohësisht se emërim’i Z. Ibrahim Tërshanës si Sekretar Politik është pritur shumë mirë nga krejt populli.


AUTORITETET USHTARAKE DHE BASHKË-PUNIMI ME TO

 

Autoritetet ushtarake, me në krye Komandantin e Presidios Z. Nënkolonel “GIAN BATTISTA ALMANZA”, gëzojnë ndaj krejt popullit një simpathi të thellë. Komanda e Presidios nuk ka munguar dhe nuk mungon t’i ndihmojë popullit, të cilit po i shërben me mjekët e saj që venë vullnetarisht të vizitojnë çdo ditë të sëmurët e varfër të qytetit e të katundeve. Vizitimet bëhen në një ambulancë të venun nën dispozision nga ana e Bashkies.

Marë-dhënjet midis administratës civile dhe asaj Ushtarake janë të përzemërta dhe që të dy palët bashk-punojnë me armoni të plotë për një qëllim dhe Ideal të përbashkët.

Komandant’i Presidios, Z. Nënkolonel Almanza, në kohën kur shërbimet e administratës civile kryheshin nga një i ngarkuar ushtarak, i ka bërë mjaft shërbime vendit dhe ka propaganduar kurdoherë për ndjenja të favorshme ndaj Italies dhe Shqipëris dhe ndaj regjimit Fashist, në popullin e këtushme, i cili si shenjë mirë-njohtësie ka pagëzuar një rrugë kryesore në Gostivar me emrnin e TIJ. Edhe në kohën e kurseve të gjuhës Shqipe, që patën vend në verë, Zoti Nënkolonel Almanza ka ndihmuar shumë, duke këshilluar popullin, pa përjashtim elementin e feje, që të dërgonte fëmiet në to.

Edhe bashk-punimi midis administratës civile dhe Komandës Tenenzes së Karabinjeries Mbretnore ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i përzemërte. Komandat’i Tenezes Z. Marëshall Remo Grossi është në kontakt të regulltë me Nënprefekturën dhe vepron me ndërgjegje në plotësimin e detyrës për të mirën e Shtetit e të popullit. Sjellja e Karabinjerëvet ndaj popullit është shembëllore dhe admirohet prej të gjithëve.

Prandaj lutemi që sa shënon ma sipër t’i njoftohet Komandës së Divizionit në Dibër. – Nga ana tjetër jemi të mendimit të bëhen përçapje ku duhet për t’u konçeduar Z. Nënkolonel Almanza dhe Z. Marëshall Remo Grossit, nga një dekoratë, si pas gradës së tyre, si shpërblim moral mirë-njohsie.


GJENDJA SHPIRTËRORE E POPULLIT


Populli është shumë i gëzuar nga situata e ré dhe nuk gjen fjalë për të shprehur kënaqsien e tij të thellë ndaj armëve glorioze Perandorake t’Italies dhe Gjermanies q’e shpëtuan nga robëria dhe e bashkuan me Mëmën e tyne të dashur Shqipëri. – Populli është i vendosun të bëjë çdo sakrificë dhe të vdesë krah më krah me vëllezërit e tij Italjanë, për një qëllim të përbashkët. Emri i Mbretit Perandor dhe i Duçes janë rrënjosur thellë në shpirtërat e krejt popullit Shqiptar të këtyre viseve dhe përbëjnë për të dy simbole të shenjta. Populli në çdo rast derdh lot gëzimi që pati lumtërien të shpëtojë nga robëria e tmerrshme tridhjet vjeçare.

Që kur erdhi këtu, Titullar’i kësaj Nënprefekture e pa të udhës që të vizitojë me radhë qendrat e Komunevet dhe katundet për të ardhur drejt për drejt në kontakt me popullin, të cilin me anë fjalimesh e këshillon të sillet urtë, të jet i disiplinuar, të ndigjojë urdhërat e autoritetevet, të punojë pa reshtur dhe të jetë i bashkuar. Të tilla vizita vazhdojnë dhe sot populli është i enthuziazmuar kur sheh pranë tije përfaqësuesit e qeveries që interesohen për’të dhe për hallet e tij.

Shumë herë paraqiten skena që të mallëngjejnë dhe tregojnë ndjenjat e kulluara të popullit. Pleq derdhin lot gëzimi dhe thonë: “Shyqyr që ngjeftim këtë ditë të bashkohemi me Shqipnin, pa dhe në vdekshim tani jemi të gëzuar”. Janë shprehje të thjeshta e të singjerta të një populli që e ndjen thellë dashurin ndaj Atdheut, të një populli që tridhjet vjet me radhë pa vetëm ditë të zeza dhe vajtoj heshtazi fatin e tij, me zemër të pikëlluar. Në çdo rast që shënohen të tilla vizita nga Titullar’i i kësaj Nënprefekture nëpër katundet, dalin për pritje të gjithë katundarët duke brohoritur me enthuziazëm të pa frenuar për Shqipërinë për Italin, për Mbretin, për Duçen për qeverien Shqiptare. Edhe popullsit e Krishterë qëndrojnë urtë përgjithësisht dhe tregohen të kënaqura nga tratamenti i mirë q’u bëri Shteti dhe autoritetet Shqiptare. E shohin dhe ata se Shqipëria i bazon veprimet e saja vetëm mbi drejtësiën. – Ndërmjet katundeve të vizituara kan qenë edhe të tilla të banuara nga të Krishterë, të cilët janë këshilluar të shikojnë punën dhe të sillen mirë e urtë.


GJENDJA EKONOMIKE


Përgjithësisht gjendja ekonomike ndër këto vise nuk është e keqe, po t’a krahasojmë me gjendjen e Evropës. – Populli është puntor dhe meret me bagtie e bujqësie. Tokat janë produktive dhe punohen po thua krejt. – Vendi prodhon misër dhe fasule, si dhe legume. Sidomos fasulet prodhohen në sasira të shumta dhe eksportohen. Edhe fruti kultura ka marrë një zhvillim mjaft të gjerë në këto vende.

Populli në të kaluar ka ndjekur gurbetin, po sot porta e gurbetit është mbyllur. Kjo ka shkatuar që të ndihet dhe këtu kriza e ekonomies së përgjithëshme.

Populli është në dije të mizerjes që mbretnon në disa vende të Ballkanit dhe pra është i kënaqur me gjendjen e tija ekonomike të sotme.

Bereqeti këtu nuk është i mjaftë sa që të përballet ushqimin e 43000 banorëvet që ka ky reth, mbassi tokat, ndonëse janë produktive, janë të pakta në krahasim me numërin e math të popullsies.

Në të kaluarën këto vende ushqeheshin me bereqetin që sillesh nga Prizrendi. Mirë po sot, për mungés komunikasioni, është e pa mundur sjellja e bereqetit nga Kosova. E vemja mënyrë për t’u zgjidhur ky problem është bërja e një mar-veshtjeje me Bullgarien që të lejojë t’i sillet bereqeti nga Prizrendi si transit me anën e Shkupit.


QETSIJA NË KËTO VISE


Qetsia në rethin e Gostivarit është shembëllore. Gjith kjo rjedh jo vetëm nga mirë-administrimi, po edhe nga populli vetë, i cili është i urtë dhe i bindur. – Këtu nuk ndodhin as vrasje e as vjedhje. Ka më tepër se tre muej që nuk është shënuar asnjë ngjarje, me përjashtim të një grabitjeje që ndodhi para një muej e ca në Levnovë, e pa zbuluar akoma, për të cilën kemi lajmëruar veçanërisht. Vazhdojnë hetimet dhe kemi bindjen se do të arihet në një përfundim të kënaqeshme. – Në muajin Shtator e Tetor të kaluar u shënuan, në bjeshkët e Gostivarit, edhe disa grabitje dhénash, grabitje të cilat bëheshin nga njerëz t’ardhun prej qarkut të Peshkopies e tjera. – Në ranjen e zborës këto grabitje muarnë fund. – Kemi njoftuar me kohë që të bëheshin përçapje pranë Prefekturës së Peshkopies për t’veituar të tilla ngjarje.


GJENDJA POLITIKE


Shumica e popullit në rethin e Gostivarit përbëhet nga Mysliman Shqiptarë. Të krishterët, në pjesën më të madhe, quhen Maqedhonas dhe kanë tendencë pro-Bullgare; një pjesë tjetër të Krishterësh pretendon se është Serbe. Si të Krishterët që quhen Maqedhonas ashtu dhe ata që quhen Serbë, flasin Serbisht (Sllavish) në mënyrë djalekti. Ka edhe nji pjesë të krishterësh si për shembell banorët e katundit Duf dhe të tjerë, të ardhur prej Reké, që janë Shqiptarë dhe flasin vetëm Shqip.

Midis të Krishterëve Maqedhonas dhe të Krishterëve Serbë egziston një antagonizmë dhe nuk duhen aspak me njeri-tjetrin. Me gjith këtë, si këta ashtu dhe Myslimanët shkojnë mirë dhe nuk shkaktojnë incidente ndërmjet tyre. – Kjo rjeth natyrisht edhe nga politika e administratës civile që nuk mungon të rekomandojë urtësiën e armonien midis elementevet.

Popullsia Myslimane, me intelishencën e saj, e ka kuptuar se nuk është aspak mirë dhe në interesin e tyne e të Shtetit Shqiptarë që të grinden midis elementevet. – Prandaj shumë herë ajo vetë deklaron se me të krishterët kemi rojtur vitra me radhë bashkërisht dhe duam  që dhe tani të rojmë mirë me ta. – Edhe në ka ndonjë shkak dëshpërimi nga e kaluara, në formë është haruar.


GJENDJA SHËNDETSORE


Gjendja shëndetsore përgjithësisht si në qytet ashtu dhe në katundet nuk është e keqe. – Mallarja njihet fare pak; Syphilisi po thua nuk egziston. Shënohen her pas here ngjarje Typhoje, sidomos në katundet, në formë abdominale. Sëmundja që predominon ma shumë është Tuberculosi, i cli është përhapur më tepër në gratë Myslimane. – Shkaqet janë rojtja jo e mirë, varfëria dhe, ndofta, mbassi nuk shohin dritën e Diellit, se dalin mbuluar.

Në kohën e regjimit Jugosllav në Gostivar ka patur dy mjekë, njëri ishte i Bashkies dhe tjetri i Nënprefekturës, i cili okupohesh me shëndetin e katundarëve. – Sot nuk ka asnjë. Ka vetëm një mjek civil që vepron profesionin e tij të lirë. Prandaj lutemi t’intervenohet pranë Ministries së P. Mbrendshme që të urdhërojë Drejtorin  e Përgjithshëm të Shëndetësies për të dërguar këtu një mjek Bashkiak dhe një tjetër qeveritar.


GJENDJA KULTURALE


Gjendja kulturale në qytetin e rethin e Gostivarit për sa i përket pjesës Myslimane është shumë mbrapa. Shteti Jugosllav ishte krejt indiferent për Myslimanët dhe duket se i pëlqente që këta të ishin në erësirë. Sot për sot ka vetëm disa djelm të rij që kanë mbaruar disa klasa Medreseje, të pajosur më shumë me një kulturë fetare. Në kohën e regjimit  Jugosllav Myslimanët kishin edhe shkolla fetare, të çelura qëllimisht për të mësuar djali Mysliman tërë jetën e tij vetëm “KURR-ANIN”. Bile Jugosllavia këto shkolla fetare dhe institutet e tjera të tilla i ndihmonte me subvensionet të shumta. Prandaj është detyra e Shtetit që të bëjë ç’është e mundur për krijimin e një jete intelektuale dhe të nji kulture Kombëtare në këto vende.

 

REFORMA AGRARE


Reforma Agrare në rethin e Gostivarit është zbatuar vetëm në katundin Tumçovisht, i përbërë prej afro 20 shtëpie bujqish të Krishterë. Tokat e katundit në fjalë kan qenë pasuri të disa agallarëve:

Theksojmë se bujqit e katundit të Tumçovishit, mbi ndërhyrjen e autoritetit administrative, u detyruan t’u japin pronarëvet të parë një të katërtën e prodhimit, në bazë të urdhënit të Komisariatit të Naltë Civil.

Shënojmë se bujqërit e Katundit Tumçevisht përbëhen nga të Krishterë Maqedhonas e Sërbë.

Këtu çështja e reformës Agrare nuk është shumë e trazuar dhe, në pritje të nji ligje të ré, është e lehtë zgjidhja në mënyrë të kënaqëshme.


JETA SHOQËRORE


Edhe nga pikpamja shoqërore Myslimanët janë pak mbrapa dhe grat dalin mbuluar. Kan një mendësie të kufizuar mbi jetën e sotme, me gjith që kan parë ç’faqjet e një bote të zhvilluar dhe me gjith që kan rojtur shumë vjet nën Jugosllavi. Edhe për sa i përket fésë kanë nji lidhje të fortë me ‘të e në ‘të. Po mos përparimi i popullsies Myslimane e kan favorizuar indirekt edhe vetë Sërbët, të cilët kanë dashur t’i mbajnë në erësirë, të bindur se me këtë mënyrë evitonin rezikun e një reaksioni në dëm të njisiesë Kombëtare e Shtetërore të tyre. Mirë-po, mbetja mbrapa e myslimanëve në rrugën e përparimit, fanatizma fetare dhe qëndrimi lark nga çdo kontakt tjetër me botën tjetër, shërbyen për qenjen e tyre të bashkuar përpara çdo tentative Serbe dhe ndaluan mundësien e një asimilimi, nga ana e këtyre të fundit. Bota Myslimane qëndroj e ndarë nga ajo e Serbëve, dhe për mes fésë ruajti sentimentin dhe vitalitetin Shqiptar, dy faktorë të cilët zotërojnë sot me tërë madhështien e duhur dhe përbëjnë një garancie të shëndoshë për konsolidimin e këtyre viseve dhe për unitetin Kombëtar. – Po tani që këto vende i u bashkuan shqipërise, dhe për hir të kontaktit që Shqiptarët e këtushme do të ken me Shqiptarët e tjerë, s’ka dyshim se jeta shoqërore e sotme do të bëjë evolusion dhe do të ndryshojë mënëdsien e Myslimanëvet të këtushmë.


MUNGESA E GJYQIT

 

Sundimi Jugosllav ka lenë gjurmat e një tokë veprimeve të pa drejta, veprime që kanë rënduar sidomos në kurrizin e popullsisë Myslimane.

Njerëzit e fuqishëm në të kaluarën kan mundur të marin në mënyra të ndryshme toka e pasurira të tjera, të ndihmuar e të favorizuar nga autoritetet  e vendit dhe nga Banati i Shkupit. Natyrisht këtyre padrejtësive do t’i japi fund vetëm gjyqi, i cili nuk i ka çelur edhe dyert e veprimit të tij.

Shumë veta, që kan dashur t’i marin të drejtat e tyre, në mënyra arbitrare, me ndërhyrjen e autoritetevet administrativ janë ndaluar dhe janë këshilluar që të respektojnë gjendjen e sotme, duke pritur çeljen e gjyqit që është i vetmi kompetent për t’i zgjidhur këto çështje.

Prandaj lutemi t’intervenohet pranë Ministries së Drejtësies që të parashikojë sa më parë çeljen e një gjyqi në këtë qytet.


PROPAGANDA BULLGARE

 

Të krishterët Maqedhonas pjesërisht janë duke zhvilluar në mënyrë të msheftë një propagandë pro-Bullgare. Bile her pas here venë në qarkullim edhe lajmi sikur këto vende do t’i jepen Bullgaries dhe se ardhja e kësaj këtu qenka shumë e shpejtë.

Disa kohë më parë na u referuar edhe një lajmë sikur në Bullgarieishin duke u organizuar çeta për të shkaktuar ngjarje e sabotazhe mbrenda kufive Shqiptare. Bëmë përnjëherësh hetimet e duhura dhe na rezultoj se lajmi i sipërme nuk ishte aspak i bazuar.

Me gjithqë me Bullgarien jemi aleatë dhe me gjithqë ajo nuk ka asnjë të drejtë mbi këto vende, përsëri jemi në dije, se me shtyrjen e kësaj, në Shkup qenka organizue nji Komitet, i cili punon për aneksimin e këtyre viseve Bullgaries. Na rezulton se komiteti i Shkupit përbëhet prej antarësh të ikur nga këto vende, disa nga të cilët fëmiet e tyre i kan akoma këtu.

Na duket se do t’ishte shumë me vend sikur të njoftohesh konsullata e jonë në Shkup që të zhvillonte hetime reth veprimeve të Komitetit në fjalë dhe të mirte vesh me saktësie emrat e personave që përbëjnë komitetin në fjalë.

 

NËNPREFEKTI

Xhevat Kallajxhiu


F. 166, V. 1942, D. 72, fl.

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...