Oshtima

Bombardimi i Mitrovicës, 1.IX.1944

Airorët aleat bombardojnë Mitrovicën

Ditën e Premte më datë 1 Shtatuer n’ora 11.15 ajrorët aleat bombardojnë Mitrovicën. Bombat e hjedhuna kanë qenë ma se 100 copë me nji peshë prej 200-500 Kg., të cilat kanë tronditë urën feroviale në fund të qytetit dhe shkatërrue nji mulli, nën rrënimet e të cilit janë gjetun katër të vdekun. Bombat e hjedhuna në fushën e çeshmellëkut dogjën disa baraka dhe suellën mjaft dame në tokat e punueme. Në ktë ditë kanë mbetur të vramë gjithësejt 11 vetë dhe të plagosun tre vetë.

Të nesërmen, ditë e Shtunë më dt. 2.IX, aty kah ora 10.15 shtat skuadrilje me formacione nga 24 ajror u-panë në qiellin e Mitrovicës Shqiptare, të cilat prej nji naltësije 2000 e sa metrash lëshojnë bomba të shumta e të randa dhe tue damtue ma se 70 shtëpija në sektorin e stasjonit e tue hudhë në hava urën e Sitnicës. Fabrika e asbestit aty afër u goditë vetëm ndër magazina. Në sektorin e urës s’Ibrit u shkatrrue fare ndërtesa gjigante e Domit t’ish sokolvet. Lagja e “Lekës së Math” për tej urës s’Ibrit dhe lagja “Mbretnesha Teuta” po për tej urës s’Ibrit janë bamun të pabanueshme. Shtëpijat nëpër rrugët e këtyne lagjevet janë rrënue fare.

Numri i këtyne arrin në ma se 350 shtëpi. Spitali civil, shtëpi e të ndjerit Dervish Mitrovica, asht shkatrrue fare. Për fate të mirë, me urdhnat e dhanuna nga Prefekti i Mitrovicës, Z. Imbrahim Lutfiut, i gjithë spitali kje shprasë me nji herë mbas bombardimit të ditës së parë, kështu qì i gjithë materiali sanitar shpëtoi. Të sëmurët, që u-bajtën me ato-mjete në shkollën “Naim Frashëri” të komunës së Pantinës, parashtruen falënderimet ma të zjarrta Prefektit dhe Drejtorit të Spitalit Z. Dr. Kaçulinit dhe krejt personelit të spitalit për këtë kujdesje.

Bombat të shumta kanë ramun në lagjen “Mbretnesha Teuta” të cilat kanë rrënue shtëpijat e ma të vobegtëve, nesa nji numër i mirë bombash kanë ramun n’lum pa as nji efekt të damshëm.
Damet e përgjithëshëme arrin në shumë miljon frangash, me gjithë që të vramë kanë mbete 11 persona gjithësejt, mbassi popullsija ka pasë qenë largué ndër katunde, për mos me pamun nji terrorizëm si atë të Pejës.

Asht për t’u lavdue zhesti bujar i organizatës së çetës vullnetare zjarm fikëse, e cila nën drejtimin e Z. Zisko Ali Atit, fikën zjarmet e shumta ndër lagje, të cilat digjeshin prej bombevet djegëse.

Popullsija e alarmueme ndër katunde vajtojnë pasunit e tyne dhe rrënimin e shumë dyqanevet, të cilat kanë pasun po humbje të mëdhaja.

Gra e fëmijë, djem e burra ma në fund, mbas dreke zbresin nëpër banimet e tyne për të parë damin që asht bamun. Ulurimet bahne shumë të mallëngjyshëme. Të damtuemit gjejnë ngushëllime prej miqëve dhe dashamirëvet dhe prej çetës vullnetare zjarmë fikëse.

Aty nga ora 3 mbas dreke panik i madh bahet, t’azistuemit kapin aratin nëpër rruga pa dijtun se ku venë, mbassi katër ajrorë të Titos mitralojnë stasjonin.

I kumtohet popullit shqiptar, që ndër kësish rasa të përdorin strehimet, mbassi në Mitrovicë, shumë familje kanë mbetun gjallë e shnosh të mbrojtun vetëm prej strehimevet, pranë shtëpijave të tyne të rrënueme.

Lidhja e Prizrenit, Nr. 26, 10.9.1944, f.

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...