Oshtima

1942 - Problemi bankar në Tokat e Liruara

SHIKIM MBI VEPRIMET E BANKAVE T’ISH JUGOSLLAVIS NË KOSOVËN SHQIPTARE


Në kompleksin e problemeve ekonomike të Tokave të Lirueme që përbajnë konjunkturën dhe strukturën ekonomike t’atyne viseve, janë tre me randësi kryesore: 1/Problemi agrar, 2/Problemi bankar dhe i 3/Problemi fiskalo-tributar. Ky i treti, me gjithë se si mbas parimeve të skencave ekonomike formon nji grup në vedi, ka lidhëje të ngushtë me konjunkturën ekonomike dhe nevojitet të konsiderohet pik së parit si problem ekonomiko-financjar, mbasi struktura e çdo sistemi tributar bazohet në gjendjen ekonomike, tue regullue dhe disciplinue këtë, si dhe tue përdorë për interesat e arkës së shtetit.

N’ish Jugosllavinë, prandaj edhe në Tokat e Lirueme, deri në ditën e shkatrimit të Jugosllavis, sistemi bankar asht zhvillue si me nisjativën qeveritare, ashtu edhe me nisjativën private.

Drejtimin e jetës ekonomike, si dhe të politikës valutare dhe kreditore, kryesisht e kanë pasë në dorë këta katër instituta shtetnorë: “Banka Kombëtare Serbe”, “Banka Shtetnore Hipotekore”, “Banka e Privilegjueme Bujqësore” dhe “Arka e Kursimit Postal”.

Banka Kombëtare Serbe asht krijue në vjetin 1883 në Serbin e vjetër si nji institut monet-valutor i privilegjuem për dirigjimin e ekonomis kombëtare, si dhe për thezaurimin e monetës shtetnore, tue rregullue përqindjen e eskontit dhe të gjithë veprimeve bankare t’instituteve privatë.

Banka Shtenore Hipotekore asht formue me reorganizimin e Drejtoris së Fondeve “Uprava Fondava” që kanë pasë qenë krijue në vjetin 1862 tue marrë mbi vehte drejtimin dhe administrimin e të gjitha fondeve publike, kapitalet e deponueme dhe pupilarë të gjyqeve, si dhe fondet bashkjako-komunal e t’enteve autonomë, dhe kursimet private. Kapitali i këtij instituti ka qenë përdorë për dhanëjen e huanave në bazë të hipotekave, parimisht nëper gjytete, dhe mandej ma vonë edhe pronarëve bujqësuer në bazë të pengut të pasunis së patundëshëme. Ky institut në vjetin 1886 ka pasë nji hua nga jashtë për 12 milion franga me kurs t’emisionit 76 me kamatë 5% për 37 vjetë. Kjo hua ka qenë marrë pranë Berl. Handelsgeselschaf në Berlin. Gjithashtu edhe nji hua tjetër prej 10 milion frangash ka lidh në vjetin 1905, por nuk asht realizue. Në Parigj, në vjetin 1910 kjo Bank ka pasë lidhun nji hua në bazë t’obligacioneve 4 1/2% për shumën 30 milion frangash; në vjetin 1911 ka marrë prap nji hua tjetër prej 30 milion frangash në bazë t’obligacioneve 4 1/2% dhe në vjetin 1913 ka marrë nji avans prej 5 milionash me kamatë 6%. Mbas luftës së parë botnore, i ka pasë lidhun dy huana pranë Societè de Banqyes Suisse në Genevë: në vjetin 1922 prej 5 milion frangash svicërsh dhe në vjetin 1924 prej 15 milion frangash.

Si mbas dispozitave të Ligjës datë 30/3/1922 këtij instituti i u vue emni “Banka Shtetnore Hipotekore” dhe u ba reorganizimi i tij në bazë moderne, kështu qi veprimet e tij u zgjanuen edhe me veprimet me kambjalet dhe me lombard (dhanëja e huanave në bazë të letrave me vleftë efekteve), dhe e muer mbi vehte pos tjerave dhe administrimin e fondeve të pensioneve të nëpunsave të shtetit, të enteve parastatalë dhe autonomë, por randësija kryesore e kësaj Banke për Viset e Jugut, të Kosovës dhe të Maqedonisë, asht në rolin që ka luejtun në likvidimin e arkave bujqësore t’ish Perandorisë Otomane, të mbetuna po n’ato vise.

Mbas luftës balkanike, ish Shteti Serb i kishte pasë marrë mbi vehte, si pasardhës, të gjitha detyrimet dhe të drejtat e ish arkave bujqësore t’ish Perandoris Tyrke, që kanë pasë egzistue në viset e okupueme rishtas prej trupave serbe. Këto arka bujqësore tyrke, të formueme me karakter kredito-agrar, të mbetuna qysh prej kohës së Mitad-pashës (1864) ipshin huana bujqëve me kamatë 6% për kohë të gjata. Në vjetin 1880 të gjitha këto arka kanë pasë qenë organizue si nji bankë e vertetë, e cila ka pasë qendrën në Stambollë dhe filijalet e ndryeshëme në gjytet ma të rëndësishmet. Në viset që ka pasë okupue Serbija, këto filijala kanë pasë egzistue në Monastir dhe në Shkup. Banka Shtetnore Hipotekore, ose siç e ka pasë emnin atë herë, Drejtoria e Fondeve, e bani likvidimin e këtyne degave tue formue nji degë likviduese të veçantë, Bankën Bujqësore (“Ziratn Banka”); Kapitali i të dy filijalave t’ish bankës tyrke ka qenë afro 10 milion lira tyrke dhe u formonte prej 1/11 të dhetës që u merrte prej bujqëvet. Huanat që këto kishin pasë dhanë bujqëve, kanë pasë arijt shumën gadi prej gjysmë miliardo groshë. Vetëm në rrethin e Prefekturës së Shkupit janë dhanun huana për 10 milionë groshë. (Si mbas statistikës së Bankës Shtetnore Hipotekore, shuma e pasunive toksore të lanuna peng për huana, ka qenë ma e madhe në rrethin e Prefekturës së Monastirit: 1.657 objekte patrimoniale).

Banka Bujqësore e Privilegjueme ka qenë nji institut bankar i shtjelluem si mbas dispozitave të Ligjës mbi Bankën e Privilegjueme Bujqësore Nr. 30630 datë 16 Prill 1929 për përparimin e bujqësisë, tue i dhanë huana të gjithë bujqëve me qëllim qi këta të bahen të zotë tokën me e shfrytëzue në mënyrë racionale dhe me mjete moderne.

Kapitali i kësaj Banke ka pasë qenë caktue në fillim në Dinarë 500,000.000. - shumë e cila asht shtue në 700,000.000. – dinarë si mbas vendimit t’asamblesë s’akcionarëvet. Kapitali fillestar i kësaj banke ka pasë qenë 300,000.000. – dinarë, prej të cilëve shumën e akcioneve për 120,000.000.- dinarë e ka pasë marrë mbi vehte vet Shteti. Shumën e akcioneve prej 20,000.000.- dinarë e ka pasë anshkrue Llotarija Shtetnore, dhe mandej akcionet e kësaj banke i kanë blemun: Banka Kombëtare, Banka Shtetnore Hipotekore, Arka e Kursimit Postal, Kooperativat Agrare, bashkit, komunet dhe institutet bankarë privatë. Të mbetunat e akcioneve kanë muejt me i blemun dhe personat privatë. Me rastin e emisionit të parë t’akcioneve të kësaj Banke janë shitun 1,383.232 akcione të duer të 105.282 akcionarëvet.

Kjo Bankë me nji herë mbas formimit të sajë i ka pasë fillue veprimet bankare dhe u ngarkue veçanërisht me zbatimin e programit t’amortizimit të borgjeve bujqësore, qi këta i kishin pranë instituteve dhe bankave privare, amortizim të cilin, ish qeverija jugosllave e kishte pasë vue në rendin e ditës, mbassi shpekullimet e bankave private kishin pasë marrë nji hovë aq të madh, sa klasa bujqësore kishte pasë fillue m’u vorfënue aq, sa ma nuk ishte në gjendje me i përgjegjë detyrimeve të saja ndaj bankave private, të cilët, pa kurrfarë skrupoloziteti, para sysh t’autoriteteve qeveritare, kërkojshin dhe gjejshin mënyrën m’e shtue kamatën, e cila në disa raste, sidomos në Kosovë, patë hyp në 30-40%.

Institutet bankarë privatë n’ish Shtetin Jugosllav, me përmbledhjen e kapitaleve kanë qenë faktorë të randësishëm në jetën ekonomike, kështu qi mund’ të thuhet, se influenca e tyne ka qenë dhe ma e madhe se e Bankës Kombëtare, e cila tue pasë nji kontingjent të kufizue për lëshimin në qarkullim të bankënotave, nuk ka qenë në gjendje me i vu në dispozicion ekonomis së vendit ma se 1.500 miliona dinarë, der’sa të gjitha bankat private kanë pasë në duer, pos kapitaleve dhe fondeve të rezervës, nji shumë të përgjithëshme e cila ka pasë kalue shumën prej 2 miliard dinarë, si dhe kursimet e privatëve, të cilët kanë pasë arijt shumën prej 3.500 milionë dinarë. Prandaj konstatohet, se bankat private kanë pasë në duert e tyne nji shumë të hollash katër herë ma të madhe se Banka Kombëtare. Për këtë arsye kjo e fundit, e ka pasë humbë influencën dhe fuqinë e dirigjimit në tregun monetar, dhe s’ka qenë në gjendje m’e influencue përqindjen e kamatës, si dhe me diktue nji politikë kreditore të caktueme n’interesin e popullsisë.

Pos bankave shtetnore sipër përmenduna, nevojitet të përmendim dhe dy institute bankare privatë, të cilët në viset e jugut kanë pasë nji randësi të veçantë: “E Para Arkë e Kursimit Kroate” e krijueme në Shkup is filijalë e këtij instituti të famëshëm të Zagrebit dhe “Banka Franko-Serbe” e krijueme prej trashigimtarëve t’ish Bankës Otomane me nji kapital pre 20,000.000.- franga ari të cilët e ofruene nji koncern bankar me emnin e sipërm me të dy qendrat kryesore në Londrë dhe në Parigj. Kjo bankë me filijalën kryesore në Shkup dhe me degat e saj në Monastir dhe në Mitrovicë të Kosovës, e ka pasë në duert e saj, po thuaj se gadi pjesën kryesore të tregtis, sidomos t’exportit të Kosovës pjellore. Në duert e saj ka qenë exportimi i grunit të Kosovës, të misrit dhe tërashanës, të gjas së gjallë dhe të gjitha prodhimeve blegtorale, që i transportonte për Selanik dhe mandej për vendet e tjera dhe Ingliterë. Ky institut bankar në magazinat e tij të Belgradit dhe të Shkupti e bante grumbullimin e prodhimeve të Kosovës dhe veçanërisht të opiumit të Maqedonis i cili tue qenë nji kualiteti shum të mirë e kishte nji çmim shum të naltë. Gjithashtu dhe minierat e Mitrovicës së Kosovës “Trepça Mines L.t.d.” kanë qenë në lidhëje të ngushtë po me këtë bankë si dhe me bankën “Vardar” të Shkupit e cila ka qenë në duert e nji familjeje çifute, si dhe minierat “Chrom Asseo” etj.

Në Kosovën Shqiptare, popullsija shqiptare nuk ka pa kurrfarë dobije prej Bankës Bujqësore, por përkundrazi, kjo bankë tue favorizue elementin sllav, dhe sidomos kolonistat me kredina dhe huana të mjaftueshëme, e përkrahi dhe e ndihmoj kolonizimin e këtyne viseve me serbë e malazezë. Bujku shqiptar i Kosovës kurrë nuk ka muejtë me fitue kredina o huana as prej Bankës Bujqësore, as prej Bankës Hipotekore, e sidomos jo prej Bankës Kombëtare Jugosllave. Këto institute kanë qenë krijue vetëm për t’i ndihmue popullsis sllave, kurse popullsija shqiptare, ajo ka qenë e denueme me u farrosë dhe me u zhdukë.

Popullësija shqiptare e Kosovës ka qenë e lanun në duert e bankave private që kanë egzistue nga dy o tri në çdo qytet të Kosovës: në Përzerend 3 banka, në Prishtinë 4 banka, në Gjillan 2 banka, në Ferizaj 2 banka, në Pejë 3 banka, në Tetovë 3 banka, në Gjakovë 2 banka. Këto banka private kanë qenë, ja në dorë të nji familjeje, e cila e kishte pasë grumbullue në duert e sajë të gjithë pasunin e vendit, ja ka qenë në dorë të nji grupit politik, i cili tue qenë i favorizuem prej qeveris, ka veprue siç ka dasht vetë, tue marrë dhe grabitë pasunin e bujkut shqiptar dhe të zejtarëve të vegjël. Kështu mund të konstatohet lehtësisht se, po thuej, nji pasuni shum e madhe u gjindëte në duert e këtyne bankave në viset e Kosovës. Për sa i përket kamatës, me gjithë qi ligja ka pasë parap se kjo s’mund të jetë ma e madhe se 12% në vjetë, kjo me të vertetë ka arijt deri në 40-50%. Ka edhe raste ku kjo ka arijt edhe në 200% për shembull në huanat e vogëla ku katundari paguante 1 dinarë në 10 dinarë në muej.

Korupsioni i madh nuk i linte autoritetet qeveritare t’ish Jugosllavis t’i ndalojnë veprimet e këtyne bankave private të Kosovës, të cilat shpesh herë u drejtoheshin edhe prej deputetëve ose funksionarëve të lartë, kështu qi popullsija e atyne viseve, e shtypun m’njenë anë prej reformës agrare jugosllave, e cila ia mirrte të gjithë tokën, n’tjatrën anë prej bankave, të cilat ia merreshin edhe pakicën, në kjoftë qi i ka mbete, ka qenë e shtrngueme me ik ja në Shqypni, ja në Tyrki. Por raca e fortë e e durueshme e jonë me gjithë këto vuejtje, prap se para ka ndej aty, tue pritë lirinë të cilën ja pruenë fatbardhësisht trupat ngadhënjyese Italiane.

Ditët e para të lirimit të Kosovës, tue përfitue prej gjendjes abnormale, e shumta e këtyne bankarëve kanë muejt kapitalet e tyne me i que andej vijës së demarkacionit, e kështu shum miliona fiorini të djersës së popullësis shqiptare të robnue me vjetë, gjinden jasht. Kanë mbetun vetëm nëpër zyrat e bankave të Kosovës disa fleta të librave dhe të regjistrave bankare të grisuna, disa karika të thyemë dhe arkat e hapëta të shprasta.

Por diçka prap ka mbetun. Ka mbete pasunija e patundëshme e këtyne bankave, ajo pasuni e bekueme e cila s’mundet m’u bajtë, por gjithmonë ri në vend e pret pronarin e vërtetë. Gjith këjo pasuni asht në vend: tokët, ndërtesat, dugajt dhe mund të përdoret për sigurimin e kapitalit të popullsis shqiptare, të cilin drejtuesat e bankave private e kanë sjellë jashta Shtetit.

Nevojitet sa ma parë me e ba nji revizjon të hollësishëm të gjithë veprimeve të bankave që kanë zhvillue aktivitetin e tyne gjatë kohës së robnis së tëmerrëshme nën zgjedhën barbare sllave; të sigurohet sa asht e mundun pasunija e popullësis shqiptare që këto banka kanë pasë uzurpue padrejtësisht; të konstatohet me saktësi pasunija e këtyne bankave tue ba analizën e saktë të bilancave të tyne për çdo vjetë; të konstatohet sasija e të hollave që këto banka kanë pasë në duert e tyne dhe ku tash këto të holla gjinden. Përgjegjsat për bajtjen e këtyne të hollave jashtë dhe për zhdukjen e tyne të kërkohen dhe t’i shtrohen procedurës penale. Me masa fashiste të zhduken të gjitha padrejtësinat e bame popullit shqiptar të Kosovës gjatë sundimit sllav.

 

Gjon Mark-Konaj.


F. 166, V. 1942, D. 152, fl.

Gjon Mark-Konaj


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...