Oshtima

1941 - Raport nga Plava e Gucia: Roja Vullnetare në luftë kundër komunistëve malazez

Dokumenti i mëposhtëm është një raport i Drejtorit të përgjithshëm të Zyrës së Shtypit, N. Lo Russo Attoma, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës Civile pranë Mëkëmbësisë së Përgjithshme,  S. Meloni, përpiluar mbi pohimet e Bejto Plavës.

 

 

Gjendja e tanishme në rajonet e Plavës dhe Gucisë

Sot është paraqitur në redaksinë e gazetës “Kosova” z. Bejto Plava, një prej personaliteteve më të njohur dhe të respektuar të rajoneve të mësipërme. Në lidhje me situatën e tanishme në këto rajone raportoi se:

1)    Sipas të rejave që ka mundur të sigurojë nga burime të ndryshme private, lëvizja kryengritëse e kuqe malazeze, një javë më parë ka tentuar, me forca rebele, të pushtojë Plavën dhe Gucinë. Fillimisht është vënë re afrimi i forcave rebele në Urën e Limit, një kilometër larg Plavës. Komandanti i Repartit vendas të Karabinierëve Mbretëror, një Mareshal, së bashku me disa Karabinierë Mbretëror, duke parë shqetësimin që lindi në popullsinë shqiptare, këshilloi popullin të ruante qetësinë dhe për të zhvilluar bisedime me malazezët u drejtua vetë për te Ura e Limit. Por, rebelët malazezë, sapo i diktuan hapën zjarr duke i vrarë të gjithë.
2)    Në vijim të këtyre fakteve, repartet e Rojës Vullnetare shqiptare, reparte të organizuara dhe të armatosura që prej fillimit të çlirimit nga zgjedha jugosllave, rrufeshëm u grumbulluan dhe të gjithë bashkë me shpejtësi u drejtuan për te Ura, ku, pasi u provokuan nga rebelët malazezë, nisën luftimet. Të kuqtë malazezë, të prirë nga një flamur i kuq, rezistuan mjaft; por, në fund, u rrëmbyen nga vërshimi i shqiptarëve dhe u tërhoqën duke lënë në fushë të betejës shtatë të vrarë dhe shumë të plagosur.  Nga ana shqiptare ranë dy shqiptarë nga Plava dhe disa të plagosur.
3)    Sipas lajmeve të mëtejshme mësohet  se, në vijim të këtyre ngjarjeve, Plava dhe Gucia kanë kërkuar përforcime nga provincat në afërsi dhe së bashku me forca të tjera, kanë vazhduar përparimin në territor malazez, duke shpartalluar kudo rezistencën e kuqe. Për sa thuhet, shqiptarët, tashmë gjenden në afërsi të Andrevicës, në mos më tej.
4)    Rreshtim dhe përparim të njëjtë kanë kryer burrat e rajoneve të tjera shqiptare në kufi me Malin e Zi. Kështu ndodhi në Tuz, Hot, Grudë dhe Kelmend dhe tani luftojnë kudo në territorin malazez.
5)    Z. Bejto Plava dëshiron që në këtë moment historik të gjendet pranë popullit të tij. Për këtë arsye parashtron lutjen e zjarrtë, autoriteteve kompetente shqiptare dhe italiane, civile dhe ushtarake, që të kenë mirësinë ta pajisin me një lejekalimi, së bashku me disa miq, për tu gjendur sa më shpejt të jetë e mundur në Plavë, ku është i shumëpritur. Z. Plava, do të kishte nevojë dhe për një ndihmë financiare për të mundësuar udhëtimin së bashku me miqtë e tij*.

Tiranë, 15 Korrik 1941 – XIX

 

(Firma e Bejto Plavës).

 

 

F. 197, V. 1941, D. 34, f.

 

*Pak ditë më vonë Zyra Civile e Mëkëmbësisë së Përgjithshme njoftojnë se Z. Plava ishte i lutur të paraqitej pranë Komandës së Karabinierëve Mbretëror për të tërhequr lejekalimet e kërkuara.

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...