Oshtima

Ndriçime ... për ata që duan të na kuptojnë

Ne kemi një jetë politike të shkurtër. Si popull, jemi kalamaj në punët politike. Kështu shpjegohet pjesërisht edhe përcipësia me të cikën trajtohen disa koncepte politike me rëndësi themelore për jetën tonë kombëtare.
Struktura politike e një vendi nuk është një fakt natyral, por është materializimi i një koncepsioni. Domethënë më përpara ka ekzistuar si idé dhe mbasandaj, dalëngadalë, ideja është kthyer në një vepër konkrete të dukshme.
Prandaj na, kur flasim për diktaturë në Shqipëri, për një diktaturë të klasës së ndritur dhe nacionaliste duke pasur për bazë organizimin totalitar të djalërisë, në këtë rast bisedojmë rreth një koncepti të ri të cilin e gjejmë lartësisht të vlershëm për jetën tonë kombëtare dhe për historinë e ardhme të këtij Kombi. Dhe ky koncept i ri nuk lind doemos nga fakti se kemi aktualisht një diktaturë dhe prandaj, o burrani ta shkencëzojmë, siç mundohet dashas ta keqkuptojë “Vatra” artikullin e Nebil Çikës, por koncepti i ri për né lind kryesisht nga nevojat historike dhe nga gjendja e tanishme e shoqërisë shqiptare.


* * *


As unë që shkruaj këto rradhë, as edhe ti, që këndon, nuk u pyetëm nëse na pëlqente nënshtetësia shqiptare! Dua të them, ne u lindëm shqiptarë, ashtu siç u lindëm dhe me sy të zez ose të bardhë. Dua të them Kombi nuk është përfundimi i një marrëveshjeje të përgjithshme të njerëzve që e përbëjnë. Kombi dhe Shteti nuk është përfundimi Contrat Social-it të Rousseau-it. Kombi është përfundimi i një homogjeniteti rracial, kultural dhe idealistik të një grumbulli njerëzish. Ky është koncepti që sundon sot për sot.
Thomi se në Kosovë e në Çamëri kemi disa qindra mijë shqiptarë. Është e vërtetë që i kemi. Ata flasin shqip, mendojnë shqiptarisht, janë krejt si na. Prandaj janë shqiptarë. Fakti që ata janë nënshtetas jugosllavë e grekë dhe shëtisin me letërnjoftimet e huaj, nuk ka asnjë rëndësi. Ajo është përfundimi i një padrejtësie të politikës botërore. Po në realitet as jugosllavët, as edhe grekërit nuk thonë për ta se janë serb e grekër; kanë kurajo të thonë se janë turq! Se duhet kurajo për t’i konsideruar kosovarët e çamët turq.
E prumë këtë shëmbëll për të thënë një gjë tjetër. Dhe ajo tjera është kjo: Që je zyrtarisht nënshtetas grek, serb ose shqiptar, nuk domethënë se je grek, serb apo shqiptar. Çështja e kombësisë varet nga gjaku që ke në dej, nga truri që ke në krye dhe nga të rrahurat e zemrës sate.
Prandaj është fare e mundur që në një milion e sa shqiptarë që kemi brenda, të kemi dhe të atillë që kanë vetëm letërnjoftimet Shqiptare! Themi është e mundur dhe e përsërisim, sepse nuk kemi mendje të bëjmë aluzione për kërkënd as edhe që dëshirojmë që një bisedë akademike të kthehet në një polemikë personale për dokumenta patriotizmi!... Por nevoja vetë e kësaj bisede e kërkon këtë argument.


* * *


Ata që ngrihen sot e proklamojnë me zë të lartë se Shqipëria nuk mund të rrojë me diktaturë, thonë gjënë më paradoksale, që është thënë në gjuhën shqipe! Sepse në realitet Shqipëria, me përjashtim të disa çasteve të shkurtëra (të cilat kanë provuar se Shqipëria pa diktaturë është një kaos i vërtetë) nuk ka qënë veçse një diktaturë. Ata që mohojnë këtë të vërtetë, kanë shumë kurajo. Dhe e tillë kurajo ne as na pëlqen dhe as që mund të na pëlqejë. Bota e ëndrrës mund të jetë e ëmbël, por duron një çast dhe vetëm në mëndje... kurse realiteti i ftohtë është si shkëmb përpara syve, i paluejtshëm i pandryshueshëm.
Ne e kërkojmë diktaturën edhe sepse Kombi ynë ka nevojë të arrijë forma jetese më të larta dhe më të zhvilluara. Dhe këtë nuk mund ta realizojë veprimi i padrejtuar dhe centrifugal i grupeve të ndryshme dhe i interesave të ndryshme. Këtë mund ta realizojë vetëm organizimi dhe drejtimi i shoqërisë sonë nga ajo pjesë e shqiptarëve autentikë, që janë shqiptarë në çdo pikëpamje dhe që janë të ndritur. Ajo klasë që përbën, si të themi, esencën e shqiptarismës, ajo klasë duhet të drejtojë shoqërinë shqiptare. Dhe nga ajo klasë njerëzish populli shqiptar nuk pret veçse vepra lartësonjëse në të gjitha drejtimet.

Ismet Toto



Arbënia, 1936.

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...