Oshtima

Ideologji dhe nacionalizëm

Në numrin 9 të revistës që del në Korçë “Bota e re” është botuar një artikull me mbifjalën “Nacionalizmë”. E kënduam dy herë. Është shkruar nga një njeri, që di të shkruajë dhe që s’di se ç’shkruan. Dhe me qënë se s’ka asnjë nënshkrim ose pseudonim, merret vesh se përfaqëson mendimin e revistës. Dhe është për këtë shkak që shtrëngohemi t’i japim një përgjigje sot.
Shkruhet në atë artikull:
“Ka ca kohë që në vendin tonë nacionalizmin nuk e quajnë atribut të vetëkuptuarshmë të çdo Shqiptari të mirë... atë e lidhin me disa doktrina ideologjike... nuk mjaftoka të jesh Shqiptar i flaktë, të duash përparimin e vendit, të vesh interesat e përgjithshme përmbi interesat vetjake... që të quhesh nacionalist. Tani u dashka të jesh anëtar i një ideologjie që kanë çpikur tani vonë.” Dhe pakëz më tutje shkruhet: “nacionalizma Shqiptare duhet t’ushqehet me traditat e shenjta t’epokës Heroike...” dhe më tutje thotë që dëshmorët dhe atdhetarët që punuan “duhet të jenë yll drejtonjës i të gjithë rinisë Shqiptare...”
Gjer këtu cituam për t’i dhënë një ide këndonjësit inteligjent mbi përmbajtjen e pjesës që na intereson të atij artikulli. Tashti do të shfaqim edhe pikëmapjet dhe bindjet tona po me atë kthjelltësi dhe pa nënkuptime.

 

* * *


Nuk dimë të jetë thënë ndonjëherë që nuk mjafton të jesh shqiptar i flaktë për të qenë nacionalist. Kjo është një absurditet. Është thënë se kohët e sotme kërkojnë një “patriotizëm aktiv” dhe nacionalistë që s’janë të zotë të bëjnë e të thonë asgjë të mirë dhe në këtë rast kemi pasur në mend jo popullin mbarë, po ata njerëz, që merren me punët e shoqërisë në ndonjë mënyrë.
Nuk është thënë nga ne as gjysmë fjale kundër traditës sonë heroike. Përkundrazi, na jemi mbështetur mbi atë. Po kemi shtuar se ideali i vjetër i bërjes së Shqipërisë, për të cilën ranë dëshmorët tanë, u realizua... Shqipëria u bë. Tashti do të kemi një ideal të ri: Ta bëjmë Shqipërinë të lumtur, të madhe dhe sidomos të fortë. Dhe për të bërë këtë punë, na duhet të shikojmë edhe rrethepërqark se ç’bëjnë popujt e tjerë dhe të insipirohemi në mënyrën tonë në atë drejtim. Dhe kemi shtuar se heronjtë tanë do të jenë për ne burim inspiracioni për sakrifica, por sidomos figura gjiganteske e udhëheqësit të kësaj epoke të Rilindjes Kombëtare, do të jetë dominonjësja dhe drejtonjësja e jetës së re shqiptare, që akoma s’ka filluar të jetojë një klimë të fortë përpjekjeje, reformash dhe rindërtimi moral e lëndor.
Nuk është thënë asnjë herë në shtyllat tona se kush nuk është pro ideologjis së ré, nuk është shqiptar. Po me bindje të sinqertë është pohuar çiltaz se çdo shqiptar nacionalist i mirë është pro ideologjis së ré, sepse kjo është sinteza e frymës së nacionalizmës shqiptare të ndërgjegjshme.
Nëqoftëse ka nacionalistë shqiptarë, që janë kundër ideologjis së re, këta ose s’kuptojnë qartë ç’është ideologja, ose ngatërrojnë çështje personash me çështje parimesh, ose tërhiqen nga hunda nga njerëz, që kanë shumë maska për fytyrën e tyre. Sepse nuk mund të kuptohet që një nacionalist shqiptar të jetë kundra ideologjis së re, kurse ajo ideologji nuk është veçse përmbledhja e dëshirave dhe mendimeve të tij në punë patriotizmi.
Dhe s’ka shqiptar nacionalist, që të mos të dojë Atdhenë e tij të organizuar, të vleftësuar, të disiplinuar, të pasur, të dinjitetshëm dhe të fortë. Fare llogjikisht, pra, s’ka shqiptar nacionalist, që të mos jetë pro ideologjis së re, e cila, siç është provuar në kaq raste dhe me kaq shembëlla, është e vetmja udhë, që shpie tek ato përfundime që përmëndët.
Atëherë ç’janë këto drejtime? Ç’janë këto kritika të endura sofistikisht? Pse mënjanë flitet me retorikë për Atdhe e Komb dhe më anë tjetër kërkohet që këto të jenë sa më të vdekura dhe sa më të pazonjat të shtyjnë vendin në udhën e mbarë të shëndetit shpirtëror? A nuk është koha që të rrimë e të mendojmë pakëz seriozisht dhe sinqerisht dhe të përpiqemi të shohim qartë? A nuk është koha akoma që edhe kritika jonë të bëhet jo me qëllim që të provojmë se kemi bërë keq, s’duhej bërë ashtu, ne s’jemi të zotë për atë e këtë, etj., por të flasim, sesi duhen bërë punët, që të bëhen mirë dhe të përhapim një frymë se do të jemi të zotë që të bëjmë një Atdhe nga çdo pikëpamje të ndritur?

Ismet Toto


Arbënia, 1936

Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...