Oshtima

Elemente të së drejtës zakonore të epikës heroike legjendare

Shoqëria e kreshnikëve duke qenë në grindje të përhershme me anën kundërshtare paraqitet kryesisht në veprimtarinë e saj luftarake, por nuk mungojnë të dalin edhe raporte të karakterit juridik si në mes tyre, ashtu edhe me të huajt. Lufta e kreshnikëve ishte e tillë që pranonte njëkohësisht burrërinë dhe dredhinë, besën e tradhtinë. Me gjithë këtë edhe në çastet më të vështira e pothuajse kudo ndihet fryma e ligjeve të maleve shqiptare sipas të cilave jetonin e luftonin ata1. Disa studiues këtë e kanë dalluar edhe tek ndonjë hero apo episod në këngët boshnjake, kroate e maqedone, duke e quajtur si «ndikim shqiptar». Disa nga elementet karakteristike të së drejtës zakonore shqiptare të pasqyruara në këngët heroike legjendare janë besa, ndorëja, korija etj., me të cilat do të merremi.
1. Besa, institucion tepër i vjetër e shumë i njohur i së drejtës zakonore shqiptare është në themel të tërë veprimeve e marrëdhënieve të kreshnikëve. Këtë institucion nuk e kishte shoqëria feudale myslimane boshnjake, as ana kundërshtare2, por ajo e njeh përderisa betohet për besën shqiptare (na boziju vjeru arbanesku). Kjo fjalë ka hyrë në disa gjuhë ballkanike si dhe në turqisht3, gjë që tregon forcën dhe origjinalitetin e këtij institucioni të shoqërisë shqiptare. Me interes është të dallojmë format e paraqitjes së besës në raste e rrethana të ndryshme në këngët heroike legjendare dhe pastaj të ballafaqohen me ato raste që jep e drejta zakonore shqiptare.
—  Besa si «fjalë e dhanë», «fjalë e folun», «fjalë e lanë peng», binte detyrime. Ager Isvano, i shitur në vegjëli te krajli, i kërkon lejë të shkojë me marrë gjakun e vëllezërve të vrarë e të çlirojë të kunatat nga robëria. Pasi e kryen këtë detyrë kthehet përsëri tek i zoti. Sipas kanunit «pengu çohet (dorëzohet) ndër pleq», kurse «fjala peng s’ka pleq, por ka pushkën»4. Besa, si fjalë e dhënë, praktikohej edhe në marrëdhënie dashurie siç del te kënga «Ashike Imeri e Begzadja e Bardhë» apo «Çika Potureshë» e «Aga Hasan Agë»5 që për të mos shkelë fjalën e dhënë bëjnë vetëvrasjen. Në rastin e nuses së Ali Bajraktarit, besa bashkëshortore del aq e fortë sa nuk e lë të shmanget përpara asnjë vështirësie, veçse vdekja e vërtetuar e të shoqit mund ta çlironte prej asaj bese.
—  Besa si marrëveshje e bërë në mes të dy vetave ose dy palëve dhe si garanci për këtë6. Në këtë rast, nganjëherë përdoret fjala kuvend7.
—  Besa si paqe, kohë armëpushimi me palën kundërshtare: «E un Tanushën vet e ko’ pa,/ kur kam pasë hesë me Krajli8. Në këtë kuptim termi shqip hesa është përdorur edhe në Kodin e Danilit të Malit të Zi më 18559.
—  Në këngët e kreshnikëve amaneti paraqitet si porosi apo si dëshirë, ai që e pranonte duhej ta mbante medoemos deri në fund. Pranimi i porosisë barazohej me besën e dhënë10.
—  Besa si garanci kur përdorej pengu me njerëz. Kjo praktikë ishte e vjetër dhe e njohur në vendin tonë. Kanuni i maleve thotë: «pengu ka besën», «kush pre pengjet ka pre mikun». Omeri u mat të hynte në dyluftim me Mujin, kur desh të vriste dy fëmijët e krajlit, të marrë peng për lirimin e tij nga burgu11.
—  Besa si kusht. Zanat ia kthyen Zukut dritën e syve mbasi u dha besën se do të hakmerrej ndaj s’ëmës tradhtare12.
2. Institucioni i nderes ka lidhje me besën. Cilido që rrezikohej prej një të keqeje i binte ndore dikujt, d.m.th. kërkonte mbrojtje. Sipas kanunit nuk ka njeri që të mos pranojë ndoren, qoftë edhe vrasësi i njeriut më të afërm e më të dashur. Radi që kishte prej shtatë Omera, kur e pa veten ngushtë i doli përpara Mujit: «Ndore tande Gjeto Basho Muji,/ me ma falë kët ditë të sodit.»13. Në këtë rast ndorja paraqitet edhe si një kërkesë për falje. Shqiptari e ka kanu: «kryet e ulun s’e pret shpata». Ai vetë nuk i binte ndore kujtdo. I huaji nuk e njeh ndoren prandaj edhe nuk i kërkohet. Si në shoqërinë e kreshnikëve, ashtu edhe në KLD ndorja e gruas ishte e vlefshme, e ligjshme14. Ndorja e preme dënohej rëndë15 dhe nuk kurseheshin as njerëzit më të afërm16.
3.  Miku prej ngado që të vinte gëzonte mbrojtje e s’guxonte ta prekte kush. Kur Muji desh të vriste shkjaun me të cilin Zuku Bajrakar kishte dërguar një letër nga Kotorrët, ndërhyri i vëllai Ali Bajraktari: «Ku je Mujë, ty sytë të plaçin,/ qysh po don shkjan me e pre/ se mik i em asht qillue»17.
Vetëm në një rast lejohej vrasja e mikut, kur tradhtonte mikpritjen, bëhej «bukëshkalë», d.m.th. cënonte nderin e mikpritësve18.
4.  Koria duhet parë e lidhur me nderin, që në rastet më të zakonshme shfaqej me ndërhyrjen e grave në prani të miqve, në dyluftimin në mes të vëllezërve19, në pa mundësinë të paguaje veten, kur të zinte armiku gjallë20, kur fitohej diçka pa burrni21  etj. Koria vinte edhe nga të tjerët e shpaguhej vetëm me gjak, si rastet kur armiku të cënonte shtëpinë22, tradhtia e gruas23, fyerjet e rënda etj.
Në shoqërinë e kreshnikëve jo aq vrasja sesa humbja e gjakut24 shkaktonte pikëllim të madh. Askush nuk mund të mburrej për asgjë derisa gjaku nuk ishte shpaguar25. Zakonisht gjakun e merrnin pjesëtarët e familjes e njerëzit e afërm, por edhe ndonjë nga anëtarët e bashkësisë së Jutbinës. Në raste të veçanta paguhej26 dikush ose motra vinte kusht për martesën e saj, më parë marrjen e gjakut të vëllait.
Me gjithë ligjet e rrepta dhe skenat e tërbimit luftarak, aty-këtu shfaqen edhe norma fisnike njerëzore. Ishte turp të pritej kundërshtari në gjumë27, për plagët e marra në luftë burri përgëzohej28, i vrari duhej sjellë mbarë29, varri nuk dhunohej30 etj.
Qëmtimi i kujdesshëm i elementeve të së drejtës zakonore në mesin e ngjarjeve e të bëmave të heronjve jep dorë të njohim faza më të moçme të së drejtës zakonore. Lidhja e institucioneve të besës e të ndores me elemente natyrore e mitologjike, si: dielli, hëna, orët e zanat flet për lashtësi31. Fryma e hakmarrjes përshkon tërë veprimtarinë e heronjve si në marrëdhënie me armiqtë, ashtu edhe me njëri-tjetrin. Muji ia pret kryet Arnaut Osmanit, pse «fjalët e këqija në ditë t’dekës m’i ke pa’ thanë!»32. Kemi të bëjmë me norma juridike më të vjetra se ato që paraqiten në të drejtën zakonore shqiptare, kur vrasja për fyerje hynte në vrasjet e padëmshme33, ndërsa Kanuni i Lekë Dukagjinit e ka të prerë: «gjaku për faj nuk jet». Në këngët e kënduara për kreshnikët dallojmë gjurmë e shtresa të kohëve të ndryshme, të realiteteve ekonomiko-shoqërore të kaluara. Përveç zgjidhjes së çështjeve me gjyq, me pleqësi34 praktikoheshin edhe forma të tjera. Dhuna kishte si përgjigje të zakonshme hakmarrjen e gjakmarrjen që shpeshherë paraqiten të pakufizuara. Rivaliteti në mes të dy vetave zgjidhej me anë të duelit. Si formë e zbutur e tij ishte basti i vënë siç e shohim te kënga «Lule Frangu» e gjetkë. Në të drejtën zakonore proceduriale përdorej «beja për t’u la» si institucion prove, kurse në rapsoditë beja kishte tjetër karakter, ishte një betim solemn, një zotim që duhej mbajtur. Dihet se normat kanunore kur bien në kundërshtim me realitetin ekonomiko-shoqëror dalin jashtë përdorimit e harrohen, kurse në folklorin juridik ruhen si jehonë e një kohe të, kaluar. Vetë rapsodët i konsideronin aq të lashta e të pabesueshme ngjarjet, sa për t’u justifikuar përpara dëgjuesve përfundonin: «Kangë e gjeta, kangë e knova/ vetë u shkjeva, ju ju shurdhova,/ si m’kanë thanë, aty nuk jam kanë!»
Shoqëria e kreshnikëve paraqitet si një bashkësi35 e lirë malësore e vetëqeverisur në themel të së cilës zotëronin lidhjet tokësore36, farefisnore e miqësore37. Prej këtij mjedisi mbiu shoqëria e luftëtarëve me 30 agallarët në krye, si një grup, që nuk njihte asnjë autoritet hierarkik-administrativ shtetëror mbi vete. Çeta si organizim ushtarak ishte një bashkim vullnetar i luftëtarëve38 në krye të të cilëve qëndronte Çetobashi si primus inter pares, i parë në mes të të barabartëve. Gjithënjë në Jutbinë zotëronte atmosfera e kushtrimit, të cilin mund ta jepnin burrat dhe gratë sa herë të ndihej ndonjë rrezik39. Atmosferën e plotëson jo vetëm psikologjia e një luftëtari40 të përhershëm, por edhe ajo e kafshëve të tyre luftëtare41 së fundi duhet shënuar se trajtimi i fjalës çetë si huazim nga sllavishtja ka sjellë mendimin e gabuar se edhe si organizim ushtarak u mor andej. Sipas fjalorëve të ndryshëm fjala çetë vjen nga latinishtja cetus, nga ku e mori ilirishtja e u trashëgua në shqipen e sotme. Kjo fjalë nuk mbeti një djalektalizëm skajor përderisa përdoret edhe në Labëri, mjaft larg nga lëmi i luftës së kreshnikëve, për një bashkim njerëzish të një kategorie të caktuar.
Në këngët e epikës heroike legjendare besa, ndorja etj., nuk janë cilësi të veçanta apo vetjake të një heroi, po ligje të një shoqërie, institucione karakeristike të njohura gjatë shekujve. Duke i parë në rrafshin krahasimtar këngët tona me ato myslimane boshnjake përsa u përket elementeve të organizimit shoqëror e institucioneve juridike, (pa dashur të merremi me saktësime topomastike) themi se na paraqiten dy Jutbina, njëra shqiptare e tjetra boshnjake, si dy botë krejt të ndryshme në palcin e tyre etnik e shoqëror.

 

 


1)  Kjo del qartë në fjalët që Gjergj Elez Alia i drejtoi Bajlozit përpara dyluftimit:
M’ke lypë motrën para se mejdanin, m’ke lypë berret para se oobanin e jem dredhë n’ket log për me t’kallxue se ne t’parët nji kanu na kanë lanë: «Armët me dhanë përpara mandej gjanë». («Epika Legjendare» (EL), Tiranë, 1965. «Gjergj Elez Alia», v. 131-135).

2) Halili pyet Tanushën si e huaj që është:
Po a' je niri qi ke besë?
El. («Martesa e Halilit», v. 2,98).

Kreshnikët përgjithësisht e dinin se të huajt nuk e kishin institucionin e besës.

Por llatinit besë un nuk i xa,
se ju gogët nuk e dini se shka a besa,
Veç po thrrasim qetash dy disfarë,
qi askurrnjani fjalve mos me u luejtë,
n’gurit t’gjallë ai fjalët ka me na i dhenë,
edhe pegjet qetash na po i shndrojmë!
EL («Lule Frangu», v. 45-50).

3)  E. Çabej, «Studime etimologjike në fushë të shqipes», II, A-B, Tiranë, 1978, f. 205.
E. Çabej, «Studime gjuhësore», Prishtinë, 1976, f, 62.

4)  M’ka pasë thanun Gjet-o Basho Muji;
N’bejleg fjalët, kur t’bojsh me ra ndër burra,
ruejma kryet, gjuh-o vedit me i thanë»;
sot mue fjala peng po ma ha kryet!
EL (Lule Frangu, v. 81-84).

5) N’e paç lanë ti kund peng ndoj besë
EL (Çika Potureshë) v. 103.

6)  Kur Gjeto Basho Muji zë dhitë e egra, zanat i lutem t’ua lëshojë    e për këtë i    propozojnë:
Gjithku t’kesh nuse me marrë,
gjithku t’kesh baloz me pre,
gjithsaherë t’delsh me çetue,
gjithsa t’donit n’at log me lodrue,
gjithsa t’doni n’at log me këndue,
gjithse t’doni shejim me e gjue,
ndalnju gurrave me u freskue,
ndalnju mrizave me pushue
besën e zotit jem tuj t’dhanë,
kurkuj gja nuk kam me i thanë!
EL («Gjeto Basho Muji-Martesa», v. 323-332) Muji mbasi mendohet mirë për këtë propozim për marrëveshje e  thotë «fjalën e mbrame»:
Zana jeni e zana kjoshi!
Besa-besë e fjala-fjalë,
dhitë e egra u kjoshin falë!
(v. 337-339)

7)  Shoqshoin me kuvend po e lshojmë.
EL («Bejlegu ndërmjet dy vllazënve të panjoftun», v. 247)

8) "Martesa e Halilit», v. 83-84.

9)  F. Lenormant, «Turcs et montenegrins», Paris, 1866, f. 375.

10) Halili ka shkuar të grabisë të bijën e kraj.lit. Kur ky i lë amanet kullat e familjen, Halili përgjigjet: «Ik o kral e dert mos ki» e heq dorë nga realizimi i qëllimit me grabitje.

11)  Alla n’kambë djali asht çue,
për bejleg kenka shtrëngue,
mos me lanë mikun t’ja presë.
EL («Omeri prej Mujit», v. 261-263).

12)  Kanë qitë orët e m’i kanë thanë:
besën e zotit me na dhanë,
qi ’i nam t’zi n’nanës me e ba,
të dy syt me po t’i shndoshim
e t’dy syt t’i bajmë si i ke pasë.
EL («Zuku Bajraktar», v. 135-139).

13)  EL («Basho Jona», v. 182-183).

14)  Vuku Harambashi bie ndore Ajkunës:
— Tash në dore ty të kena ra,
ti Osmanit për mos me i kallzu.
Prej Shqiptarëve në mujsha me pshtu
e prej këty.ne varrve për me u çu,
un fill në kullë kam me u ardhë,
vllaznori yt kam me u ba,
Osmanit i vjen miku në Krajlni,
dhe Ajkuna besën ia kish dhanë;
- Unë kërkuj s’kam me i kallzu,
deri çi t’vin shpirti për me m’dalë,
shpirtin tem për kurkon nuk e ap.
EL («Vuk Harambashi dhe Ajkuna e Dezdar Osman Agës», v. 54-64).

15)Paji Harambash kishte fye orët e Mujit e njëra nga ato i kishte thërrmuar dorën. Ata ankohen:
A don, gjakun Muj ne me na e marrë,
se ty ndorja kurr ma keq nuk pritet.
Muji: Kur ta le vet gjakun tuj pa marrë;
t’gjallët nuk kam ç’e baj!
EL (Orët e Mujit, V. 90-91: 94-95).

16) Bani e ndjen ai Gjeto Basho Muji
se mbrenda oborrit Agon e kem pre,
kur dy gjujve u ka ra,
me gjith djalë sarajet na i ka djegë,
vritet turku, po kanuja s’vritet.
EL («Lule Frangu», v. 38-42).

17) «Zuku Bajraktar», v. 36-38.

18) Kur e ëma e Zukut ndërhyn të shpëtojë shkjaun gjoja si mik shtëpie i të parëvet, merr këtë përgjigje:
Po çfarë miku t’parët ma kanë lënë
qi babën s’vdeknit ma ka shnjerzue.
EL «Zuku Bajraktar», v. 248-249).

19) Nana vet Halilin e ka rrokë,
se me sy e ka shikjue
— Qysh ti Mujit bejleg po don me i qitë?
Qysh konakun bir, po don me e korit?
EL («Halili i qet bejleg Muiit , v. 70-74).

20) Atherë gjumi Zukut kur i kish dalë
sa t’madhe Zuku kish bërtitë:
— Hej medet, sot kenkam koritë,
se mue shkjetë njishtu kanë me më pre,
s’kam me mujt vedin me e pague,
se un mbrënda sot qi kam qillue.
EL («Zuku bajraktar merr Rrushën e Krajlit», v. 130-126).

Tutna djalin dikush po na rre,
shpesh e shpesh po bje n’kotorre t’reja,
Rob të gjallë djalin p’e xanë,
Le konakun, Mujë qi po ta fikin,
Me zi fisin, Mujë po na koritin.
E1 («Martesa e Halilit», v. 56-60).

21)  Muji me dredhi merr mëzin që më parë ia kishte grabtur Krajli dhe:
Kur ka vojtë n’shefi t’Jutbinës,
ia dukë vetja për kori,
— Paburrnisht, tha, mazin e kam marrë.
EL («Gjoku i Mujit», V. 284-286).

22) Halili:
Zoti t’vraftë, Bani Zadrili,
n’ t’kuajt kulla, tha, ti ke hi,
po t’kujën motër ti ke grabitë,
t’kujën derë, tha, ti ke koritë? ,
E1 («Bani Zadrili», v. 111-114).

23) Muji shkon të hakmerret pse krajli i kishte grabitur gruan e i kishte djegur kullat. Gruaja e tradhtoi Mujin dhe për këtë ai e vrau, kurse me krajlin ai u hakmorr barabar, i grabiti gruan e i dogji kullat.

24) Dekun n’tokë Omeri ka ra,
gjaku i tij veç hupë nuk i ka shkue,
pse me trimijë shkje.Muji, luftën nisi,
e ni mijë shkje shnosh kanë teprue.
EL («Deka e Omerit», v. 75-78).

25) — Mos e fol, Hysen at fjalë,
mos e fol at lavdrim të madh,
se me kenë trim, e bir trimi,
ke me marrë shtatë gjaqet tua.
EL («Hyseni i Vogël», v. 10-13).

26) EL («Deli Ahmet Aga»), v. 76-85, 162.
27) Kur Muji desh të presë Radin që ndodhej në gjumë, shkoi ora e i pëshpëriti:
Tybe kioftë, fjetun për me e pre,
marre, Mujë, burrat me u pre n’gjume,
se nuk din se ç’dekë a tuj e marrë.
EL («Basho Jona», v. 175-177)

28) Për hajr varret Muji ja ka ba
EL («Muji dhe Halili», v. 37).

29) Halili vret    gjaksin e Mujit e do ta lidhë kufomën e    tij në bisht të kalit e ta tërheqë zvarrë.
Aspak fjalën Muji s’m’ja pëlqen.
—  Çje kah thue Halil, të vraftë zoti!
Sall prej t’dekunsh, marre ty me t’ardhë!
Gjak as fis me shkja na nuk kemi,
qi me t’dekun pun’ me na dal'ël
Lufto t’gjallët, se të vdekunit s’kanë ça t’bajnë
si kanu, qi na kanë lanë të parët,
se tanë trimnija, Halil, qi m’paske ba,
me kët fjalë të vedit ja ke hupun!
EL («Halili merr gjakun e Mujii», v. 386-394).

30) Halili:
Për gjith t’djele shkjau po del me gjue
nuk del vetun, del me treqin vetë,
kundruall vorrit, çetën kur e qet,
sa të madhe mue m’bërtet:
«Çou, kopil, n’mejdan me m’dalë,
se dikur rrugën shkjavet jau ke pa pre
edhe mnerën shokvet jau ke pa qitë».
Me shtjelma e me topuz vorrin po ma rreh
e rahat eshtnat    nuk m’i len.
EL («Halili mbas deket», v. 19-2,8, shih edhe «Muji mbas deket», v. 37-41).

31) Po thotë dielli: «A ndorja eme!»
Ka thanë hana:    «A ndorja e eme!»
Kanë thanë orët: «A ndorja jonë!»
..........................
Pritni pak, more zojt e malit,
ju me knue, tjetër punë s’keni,
hana sonte ka ndodhë xanë,
ka një ndore me përcjellë.
EL («Motra e Halilit», v. 131-133; 255-258)

Erzi i armve, ndorja e Zanës.
Zanat:
Ndore teje, Gjeto Basho Muji!
Do na preve n’voter tande.
(«Gjeto Basho Muji — Martesa», v. 301-302)

32) EL «Muji i varruem», v. 80)

33)  Të krahasohet qëndrimi që mban Zuku Bajraktar ndaj s’ëmës (EL «Zuku Bajraktar», v. 141-142) me normat e së drejtës zakonore, që nënën e shpallin si të pacenueshme. Për mikun e prerë në besë nuk kursen prindi të birin, i biri tanë, vëllai vëllanë, kurse tek nëna ky ligj nuk ka fuqi.

34)  Kur Muji e Zuk Bajraktari u ngatërruen me njëri-tjetrin për Rushën, «pleqninë kanë qitë», «pleqninë me jau da».
EL («Zuku merr Rushën», v. 147-148).

35)  Duhet shënuar se në Jutbinë secili kishte detyrë të mbronte nderin e vet me armë. Gjergj Elez Alia u ngrit nga shtrati i vdekjes e luftoi për «erzin e shtëpisë» kundër Bajlozit. Në rastin e plakut Mehmet Agë, çika vishet si djalë dhe e pret Bajlozin në dyluftim.
36)  Kreshnikët kryesisht janë shokë me njëri tjetrin. Në Shqipërinë e Veriut emri shok i është thënë edhe fqinjit, pavarësisht nga përkatësia fisnore.

37) (Halili pyet Mujin):
Pash ni zot, bacë, si t’ka dhanë,
a kem lan’ nip bijet kërkund?
a kem’ lan’ mik çiket t’fortë
neve mbrapa me na ra?
EL («Imeri i Mujit», V. v. 144-148)

38)  Luftëtarët thirren trima:
Treqind agët mirë janë shtërngue,
kanë ba ashtat trimat me ushtue,
kanë ba lumet trimat m’u turbullue,
kanë ba gjokat trimat me fluturue.
EL («Martesa e Halilit», V. 562-565)

39)  A dalë trimi n’beden t’kullës
me i kushtrim ka thirrë Jutbinë e Krahinë
EL («Martesa e Halilit», v. 449-450)

Tridhetë çika poteren qesin,
t’tanë Jutbina n’poterë a lshue.
EL («Bejlegu ndërmjet. dy vllazënve të panjoftun», v. 104-105).

40) Muji në bisedë me agët thotë se kuvendi i tyre s’duhej gjë derisa nuk gjendej një djalë që të hynte në Krajli e të shkonte deri te kulla e Rushes. Përndryshe:
Në m’ndigjojshi, more shokët e mij,
po e punoj një pallë e nji parmendë
e po himë tokët e po i punojmë.
EL («Zuku merr Rushen», v. 15-17).

41) Kur kreshnikët gjendeshin përpara ndonjë ndërmarrjeje të vështirë i kërcënonin kuajt e tyre se në rast mossuksesi do t’i kthenin në kafshë pune. Halili:
Kam me t’hjek frenin e    me t’vum jollarin,
me t’hjekë shalën e me t’vu samarin;
në dorë tallallit kam me t’qitun
e me t’shit në dorë t’maxharit
xbath hysmet me ba.


Çështje të folklorit shqiptar, 3, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1987, f.

Kahreman Ulqini


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...