Oshtima

Disa toponime të ciklit të këngëve të kreshnikëve

Toponimia dhe mikrotoponimia e ciklit, të këngëve të kreshnikëve ka një vlerë të veçantë, përveç të tjerash, për të përcaktuar deri në një farë mase lashtësinë e këtyre këngëve. Ato janë një dëshmi që provojnë se nuk kemi të bëjmë me një popullsi endacake, por me një popullsi që gjithnjë i ka të caktuara mirë si vendet e banimit, ashtu edhe tokat e kufijtë1. Toponimia e përdorur na tregon, gjithashtu se veprimet e heronjve legjendarë nuk janë të kufizuara vetëm në një territor të ngushtë: kreshnikët tanë sa luftojnë e lidhin besën në Jutbinë e Klladushë, aq i gjejmë në Kotorr, Senjë, etj. Ata arrijnë deri në thellësi, në Zarë e Danub, shkojnë edhe në Vlorë e Janinë2. Paraqitja e këtij teatri veprimesh në një hapësirë kaq të gjerë, na flet në të mirë të një origjine të lashtë të këtij cikli, ku jetonin fiset ilire. Edhe një këngë e gjetur tashti së voni dhe e botuar në vëllimin e dytë të «Epikës legjendare» (1983), Jutbinën e parafytyron si një zonë të hapët, që është tri ditë larg prej qendrës.
Po kështu, në ciklin e këngëve të kreshnikëve nuk kemi vetëm një reliev malor. Në mjaft raste te bëmat e kreshnikëve kryhen në Fushë të Jutbinës dhe të Kotorrit, në breg të lumit dhe në breg të detit. Te kënga «Martesa e Halilit» heroi kërkon ndihmën e detit: «Sa shpejt deti djalin ka ndigjue! /E i ka çue nji frimë të fortë.»
Kemi të bëjmë me një territor të tillë malor që gjendet pranë zonave bregdetare. Janë toponimet dhe mikrotoponimet e ciklit të këngëve të kreshnikëve që na ndihmojnë për të kuptuar se veprimet kryhen jo në zona të brendshme të Gadishullit të Ballkanit3, por në të gjitha trojet ,ku ata jetojnë dhe banojnë.
Këtu do të shqyrtojmë disa toponime dhe mikrotoponime, duke i parë më shumë nga ana gjuhësore sesa gjeografike. Më shumë interes kanë paraqitur ato toponime që ruajnë faza të moçme të dukurive gjuhësore të shqipes apo që janë zhvilluar sipas ligjësive fonetike të saj, si edhe struktura e tyre.

* * *

Maksimilian Lamberci, në punimin që botoi për ciklin e këngëve të kreshnikëve, në vitin 1954, u përpoq të identifikojë disa toponime të këtyre këngëve4. Fatkeqësisht duhet të themi se Lamberci, për të analizuar këto toponime u nis nga pozita jo të drejta, mbasi si burim të parë mori toponimet e këngëve serbe. Ky ishte një vështrim i njëanshëm i problemit. Me të drejtë Demush Shala në një punim të tij serioz me titull «Onomastika e këngëve të kreshnikëve» i rimerr për t’i shqyrtuar përsëri disa nga këto toponime, për të përcaktuar më mirë e më saktë shtrirjen e tyre5. Për mjaft toponime ai është në kundërshtim me argumentimin që i bën M. Lamberci.
Le të ndalemi te dy toponime: Kotorret dhe Janina. Për Kotorret dhe Kotorret e Reja nuk ka të njëjtin mendim, mbasi disa i identifikojnë (si Lamberci), disa jo. Më të ngjarë ka që Kotorret të jenë një zonë, të cilën poeti popullor e njeh, e ka në mjedisin ose në trevën e tij6. Me të drejtë është kundërshtuar mendimi i D. Miçoviqit që Kotorret e Reja qenka një emërtim që rrjedh nga Ravni Kotari (nov = i ri)7 Demush Shala mendon se Kotorret e Reja poeti popullor «i përdor duke shfrytëzuar të drejtën vetkrijonjëse, si shfrim ndjenjash simpatie ku jeton një vashë e bukur e një krajli, e cila është e denjë për mundin dhe sakrificën e një kreshniku shqiptar, ndonëse kjo mund të thotë se ai sheh edhe ndonjë transformim fizik të Kotorrit, pra ndonjë ndërtim, gjë që është edhe e mundshme»8. Por, ka të ngjarë, që poeti shqiptar, në analogji me toponime togfjalësha të qendrueshëm emërtues, si Gurrat e Bardha, Lugjet e Verdha, Fushat e Gjana, Klysyrat e Zeza, Bjeshkët e Thata etj. të ketë përdorur edhe një toponim të tillë.
Një problem të diskutueshëm përbën identifikimi i toponimit të Janinës. Për këtë Lamberci shkruan: «Në çastin e parë na shkon mendja te Janina në Epir, te Janina e Ali Tepelenës. Mirëpo Janina e Jugut s’ka si të luajë rol në ciklin e epeve tona. Kjo për serbin është e huaj dhe për këngëtarin e Malësisë së Shqipërisë Veriore gjendet tepër larg. Më anë tjetër këngëtari i jahutës e di emrin Janina. Këtu kemi një moskuptim ku ka rënë këngëtari shqiptar»9, Dhe M. Lamberci e lidh pastaj me qytetin hungarez Raab në breg të Tunës që në këngën serbe thirret Janok.
Me të vërtetë kreshnikët luftuan gjithandej e jo vetëm në Jutbinë. Por fantazia nuk do të shkonte deri në Janinë, po të mos ishte një vend i njohur për rapsodin. Kjo është e lidhur me kushtet e vërteta historike. Ishte një territor, që poeti popullor, ndonëse mund ta kishte larg, por me mënyra dhe mjete të ndryshme mund të komunikonte me të. Pra, ka të ngjarë që Janina e këngëve të kreshnikëve, të mos jetë qyteti hungarez Janok. Ndërsa përdorimi i toponimeve «Janina e Madhe» dhe «Janina e Vogël» nuk duhet të na çojnë te mohimi i toponimit Janinë. Ajo ndoshta mund të jetë e lidhur me të konceptuarit nga poeti popullor të veprimeve që kryhen në Janinë. Sidoqoftë, kjo nuk duhet të na pengojë të identifikojmë se cila ishte Janina. Nuk ka mundësi të jetë qyteti Janok, siç thotë Lamberci, mbasi nuk ka Janok i Madh dhe Janok i Vogël. Por poeti shqiptar e ka të zakonshëm një emërtim të tillë, që shqipja e ka mjaft të zhvilluar, mbasi toponime të tilla gjejmë edhe në cikël, edhe në krahina të tjera të vendit tonë, si: Jutbina e Madhe, Jutbina e Vogël10; Malcija e Madhe, Malcija e Vogël; Gomsiqja e Madhe, Gomsiqja e Vogël etj.


* * *

Te kënga «Halili merr gjokun e Mujit» thuhet: «Ku po dalin kta me treqind atllarë? /Duen me dalë n’at Kunorën e bjeshkës»11.
Fjala kunorë është një huazim latin. Përdorimi i saj si toponim shqiptar, si fjalë e leksikut të shqipes, i ka bërë me të drejtë gjuhëtarët tanë që toponimin Kunorë, të mos e trajtojnë si element me gurrë latine, por si një krijim të shqipes12. I tillë është toponimi Kunora e Bjeshkës, që, prej shqipes, ka kaluar në eposin sllav. Ka edhe ndonjë dijetar të huaj që pohon se, bashkë me emrin e Gjergj Elez Alisë, duhet të ketë hyrë në epikën sllave boshnjake, po edhe serbe, toponimi Kunar Planina13. Edhe në shtypin tonë shkencor është pranuar se Kunar Planina është një kalk i toponimit shqip Kunora e Bjeshkës14. Kjo është më se e qartë, mbasi vetë përbërja fonetike e fjalës e jep këtë kunorë: kunar. Gjithashtu emërtimi i këtij toponimi lidhet me konfiguracionin natyror. Pra, nuk është një emër i zbrazët, i futur nga të tjerët, por që ekziston në gjuhën shqipe me po atë semantikë. Sot gjithandej gjenden edhe tipa të tjerë toponimesh të ndërtuara mbi bazën e fjalës kunorë, si Kunora e Dardhës, Kunora e Veleçikut, Kunora e Lurës, Kunora e Thanës, Maja e Kurorës (Vithkuq), Kurorë (Konispol) etj. Pra, ky toponim i zhvilluar sipas ligjësive fonetike të shqipes, kaloi prej këndej në eposin sllav.
Veprimet e heronjve të ciklit të këngëve të kreshnikëve zhvillohen edhe në Lugjet e Verdha: «Pe di mirë, pse kha je dalë/ se t’kam pa ndër Lugje t’Verdha»15, i thotë zana Halilit. Te ky toponim dallojmë dy fjalë: e para, shumësi i fjalës lug dhe i dyti mbiemri i verdhë. Të dy fjalët na ndihmojnë për të vërtetuar se kemi të bëjmë me një toponim që së pari e gjejmë në eposin tonë, pastaj mund të jetë huazuar nga eposi boshnjak. Lug është fjalë e shqipes. Si toponim, mbështetur në këtë fjalë, e gjejmë të përhapur mjaft në vendin tonë si në Veri, ashtu edhe në Jug: Lugu i Thellë, Lugjet e Dhelprave (Kurvelesh), Lugu i Bilishtit, Lugj (Shkrel), Gryk-lugje (Bogë), Lugu i Xhemiles (Ulqin), Lugu i Bojanit (Kosovë) etj. Si toponim me këtë trajtë dokumentohet që në fillim të shekullit XV. Në Regjistrin e Kadastrës së Shkodrës (1416-1417) kemi toponimin Lugi që mendohet se është Lugu i Egçit ose Lugjet e Koplikut. Ndërsa në Defterin e vitit 1485 na del toponimi Podol-Tuz. Është argumentuar nga gjuhëtarët tanë se në këtë toponim kemi një ndërhyrje të qartë për të sllavizuar toponiminë vendëse16. Kështu, është përkthyer gjymtyra e parë Lug me sllavishten Podol. Një dukuri të tillë e ka vërië në dukje edhe Idriz Ajeti, që disa toponime sllave i shpjegon me anë të fjalës shqipe lug, si: Ljuda od Korita, Llug od Vile (Lugjet e Koritave/ Lugu i Vilës) etj17. Pra, toponimet me fjalën lug për shqipen janë mjaft të vjetra.
Edhe mbiemri i verdhë, që vjen nga latinishtja viridis, te folësi i Shqipërisë së Veriut ka kuptimin i gjelbër, ashtu si në latinisht. Mendojmë se kjo flet për vjetërsinë e këtij toponimi.
Të dy elementet përbërëse të toponimit Lugjet e Verdha na çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me një toponim mesjetar me burim shqiptar. Mund të jenë marrë prej këndej, pra prej gjuhës shqipe, në eposin sllav.
Në vëllimin e dytë të «Epikës legjendare» te kënga «Halili vret bajlozin dhe martohet me Gjelinën e Kral Kapidanit kemi gjetur toponimin e lumit Bunë në trajtën Buon. Kënga është zbuluar në Rrenc të Lezhës në vitin 1951. Në të thuhet: «Kur i ka than’, «Halilin dua me t’dhanë»,/ Njater’ Gjelina ka çil’ e folë:/ — «Edhe n’Buon, bac’ daç ëm myt!»18. Në këtë këngë, gjithandej, në pjesoret e foljeve është ,përdorur togu ua (martua, shkua, dua, etj). A mos duhet të gjejmë te ky toponim togun e lashtë uo, që e dokumentojmë që te «Meshari» i Gjon Buzukut? Si toponim e ndeshim që në vitin 1406 (Sancti Benedicto di Buena). Mbajtja e togut uo në emërtimin e lumit Buon është një dëshmi e ruajtjes së fazave të vjetra të gjuhës shqipe. Edhe sot si element të leksikut këtë fjalë e ndeshim në Kastrat: u ba buon (=u ba det)19. Një trajtë tjetër po me të njëjtin kuptim e gjejmë edhe në Dukagjin: u ba boenë (edhe buënë) e madhe (=qe një vërshim i madh)20. Mendojmë se është një toponim i lashtë i shqipes.
Një rëndësi të veçantë ka struktura e toponimeve dhe e mikrotoponimeve të ciklit të këngëve të kreshnikëve. Struktura e këtyre togfjalëshave të qëndrueshëm të përbërë nga një emër+emër ose nga një emër+mbiemlër, është një dëshmi e lashtësisë së këtyre toponimeve e na flet në të mirë të një vazhdimësie iliro-shqiptare në këtë fushë. Në këto këngë gjejmë mjaft toponime me këtë strukturë, si: Bjeshkët e Jutbinës, Qafa e Klisyrës, Kunora e Bjeshkës, Fusha e Kotorrit etj. Këto janë të përhapura edhe sot në shqipe, si: Bishti i Pallës, Vau i Dejës, Shkami i Kavajës etj. Një strukturë e tillë, me këtë rend, tregon se këto toponime janë tipike shqiptare e jo përkthime. Në shqipe vërtetohen që në mesjetë. Toponime me strukturën emër+emër ndeshim edhe në Regjistrin e Kadastrës së Shkodrës (1416-1417), si: Bishtrrjolla, Baladrini etj.
Një rend i tillë është ruajtur edhe në ato toponime sllave që janë marrë nga gjuha shqipe. Në këtë rast mendojmë se forca e  ndikimit ka qenë shumë e madhe dhe është realizuar jo vetëm kalkimi, por edhe rendi i gjymtyrëve, siç ngjet në toponimin që përmendëm më sipër (Kunar Planina). Një dukuri të.tillë e vëmë re edhe në toponime të tjera, si: Kodra od Çafrana, Shpela Marrasheva21, Lika Ribnika, Klanac Velebita (Kodra e Qafranës, Shpella e Marashit, Lika e Peshktarëve, Vargu i Velebitit) etj.
Edhe toponimet dhe mikrotoponimet me strukturë emër+mbiemër janë karakteristike për gjuhën shqipe. Te cikli i këngëve të kreshnikëve ka një numër të konsiderueshëm me këtë rend, si Gurrat e Bardha, Lugjet e Verdha, Bjeshkët e Thata, Fusha e Madhe etj. Këto janë të gjalla edhe në, toponiminë e sotme, si Mali i Thatë, Uji i Ftohtë, Drini i Bardhë etj. Edhe në Regjistrin e Kadastrës së Shkodrës kemi disa toponime me këtë strukturë: Gruemira, Gunësi etj. Kemi mendimin se ndonjë prej tyre, që del në eposin sllav; mund të jetë huazuar nga shqipja. Në ato raste, ndoshta, kur tradita ka qenë më e zbehtë kalkimi është kryer, por duke mos ruajtur strukturën e shqipes, siç ngjet në Lugjet e Verdha, që në eposin sllav është Zeleni Lug; ndonëse ka edhe raste kur lështë ruajtur rendi i shqipes emër+mbiemër: Lug Zeleni22.
Një dukuri të tillë ne e vëmë re në shumë toponime që kanë kaluar gjatë periudhave të ndryshme nga shqipja në sllavishten. Një shembull kuptimplotë, është përkthimi i toponimit Mal i Zi. Shuflaj Crno Gore e shpjegon si kalk të toponimit shqip Mali i Zi. Ky arsyetim është mbështetur edhe nga dijetarë të tjerë. Kemi edhe raste të tjera të përkthimeve nga shqipja në sllavisht me këtë rend të ndërsjellë: Ujmirë (na del në vitin 1330) = Dohrovoda, Mali i Bardhë=Bijela Bora etj.
Edhe në fushën e antroponimisë është konstatuar një dukuri me rendin emër+mbiemër. Kështu, Gin Beli (del në vitin 1335) vjen nga shqipja Gjin Bardhi. Është pranuar edhe nga dijetarë të huaj se emra të tjerë vendesh edhe personash kanë hyrë nga epika shqiptare në atë boshnjake23.
Në shumicën e toponimeve të ciklit të këngëve të kreshnikëve bie në sy denduria e emrave: bjeshkë, fushë, qafë, lug, grykë etj., si pjesë përbërëse e togfjalëshit me burim nga leksiku i shqipes, si: Bjeshkët e Nalta, Bjeshkët e Jutbinës, Fusha e Madhe, Fusha e Bjeshkës, Fusha e Verdhë, Qafa e Klisyrës, Gryka e Kushevës etj. Janë këta emra që në jetën e përditshme të shqiptarit kanë një përdorim të gjerë. Ruhen shumë të gjalla edhe në toponiminë e sotme shqipe, si: Fusha e Zezë, Fushëkuqe (Shpat), Fushëhardhë (Gjirokastër), Bjeshkët e Namuna, Qafa e Dardhës, Qafa e Prushit, Qafa e Thanës etj.


* * *

Këto elemente toponimikë që analizuam, dëshmojnë për një vazhdimësi të epikës heroike shqiptare në trojet tona, të paktën që nga mesjeta e hershme deri më sot. Veç kësaj, në rrjedhë të shekujve, eposi heroik shqiptar edhe ka marrë elemente nga mbishtresat e reja, por ai ka luajtur edhe një rol dhënës si në fusha të tiera, ashtu edhe në atë të toponimisë.

 

 


1)  «Historia e letërsisë shqipe», I, Tiranë, 1959, f. 79.
2)  «Historia e Shqipërisë», I, Tiranë, 1959, f. 379.
3)  «Epika legjendare», I, 1966, f. 14.
4)  M. Lambertz, «Disa të dhëna gjeografike në lidhje me ciklin e Mujit dhe të Halilit, «Buletin për shkencat shoqërore», nr. 2, 1955, f. 63-71.
5)  D. Shala, Onomastika në këngët kreshnike shqiptare, «Onomastika e Kosovës», Prishtinë, 1979, f. 466-469.
6)  Shih edhe: D.m Shala, a.,cit., f. 469.
7)  Po ai, po aty, f. 469.
8)  Po ai, po aty, f. 469.
9)  M .Lambertz, a., cit., f. 67.
10) Shih edhe: D. Shala, a., cit., f. 470.
11) «Epika legjendare», I, f. 203.
12) E. Çabej, Emri i Pukës, «Puka dhe shkolla», Pukë, 1977, f. 9. Autori shkruan: «Në Shqipërinë veriore ka disa emra visesh që shumë dijetarë i kanë rrjedhur më fort drejtpërdrejt prej gurrash latine... Kurorë prej curona.. vjerdha prej virida e ndonjë tjetër. Do pasur parasysh që krahas me këto toponime ekzistojnë edhe apelativet përkatëse... pranë kunrës fjala kunorë... pranë vjerdhës mbiemri i verdhë, fjalë me gurrë latine, por që janë elemente të leksikut të shqipes. Në këto rrethana ka shumë gjasë që prej fjalësh të kësaj kategorie prej emrash si: ...kurorë... mbiemrash, si: ...i verdhë, popullsia shqiptare e këtyre anëve t’i ketë emëruar viset e veta. Të tilla toponime nuk mund të quhen të burimit Latin». Shih edhe Emil Lafe, Toponime latino-romane në truallin e shqipes, "Studime filologjike», nr. 3, 1973.
13)  D. Miçoviq, Neka liçna i geografska imena u arbanashkim krajishniçkim pjesmama, «Rad    XIV Kongresa Saveza Folklorista Jugosllavije», u Prizrenu, 1987, Beograd, 1974,    f. 258.
14) S. Hoxha, Elemente të shqipes në gjuhët ballkanike, «Buletin shkencor» i ILPSH, nr. 1, 1978, f. 103.
15) «Epika legjendare»,    I, f. 103.
16)  K. Luka,  Raste ndërhyrjesh administrative në toponimet e Defterit të Shkodrës të vitit 1485, «Studime filologjike» nr. 2, 1975, f. 92-93.
17)  I. Ajeti, Kontribut për studimin e disa toponimeve të Malit të Zi, «Kërkime gjuhësore», Prishtinë 1978, f. 349.
18) «Epika legjendare», II, Tiranë, 1983, f. 185.
19)  E. Çabej, «Studime etimologjike në fushë të shqipes», II, Tiranë, 1976, f. 346.
20)  «Visaret e Kombit», XI, f. 74.
21)  I. Ajeti, a., cit., f. 349.
22)  «Narodne pjesme muslimana u Bosni i Hercegovini», II, Sabrao Kosta Hormann, Sarajevo, 1883, f. 161, 162,, 517.
23)  D. Miçoviq, a., cit., f. 258.

 

Çështje të folklorit shqiptar, 3, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1987, f.

Tomor Osmani


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...