Oshtima

Nderi si veçori etnopsikologjike e popullit tonë në këngët e kreshnikëve

Në virtytet morale të popullit tonë spikasin në mënyrë të veçantë dashuria për vendin, lirinë e pavarësinë, urrejtja për armikun, nderi, besa burrëria, mikpritja etj. Të formuara në shekuj si rrjedhojë e kushteve lëndore e shpirtërore ato janë plazmuar thellë në ndërgjegjen e popullit dhe kanë evoluar historikisht në përshtatje me këto kushte. Nderi zë një vend të veçantë në themel të ndërtesës psikologjike të popullit tonë. Ai përbën veçorinë më të rëndësishme të kësaj psikologjie duke i dhënë një ngjyrë të caktuar sjelljes veprimeve, qëndrimeve, ndjenjave, gjithë jetës së shqiptarit.
Eposi ynë heroik është një dëshmi e gjallë e psikologjisë sonë etnike, në përgjithësi, dhe e psikologjisë së nderit, në veçanti. Në jetën e kreshnikëve, koncepti i nderit lidhet me individin, familjen, fisin dhe, në një vështrim më të gjerë, me etnosin e të gjithë vendit, të dalluar në ndërgjegjen e kreshnikëve nga çdo etnos tjetër i huaj. Në epos përdoret fjala «nder-i» që është fjala e mbarë gjuhës me antonimet e saj «koria», «marrja». Për nderin familjar përdoret «nderi i konakut» «i derës» a «i shpisë». Në këngën «Martesa e Halilit», Muji përmend «marren e shpisë» dhe «korinë e fisit»2, ndërsa në «Bejlegu ndërmjet dy vllazënve të panjoftun» përmendet «koria e Jutbinës»3. Në vetëdijen kreshnike, koria e fisit dhe e Jutbinës përbëjnë korinë e vendit, të etnosit4. Kështu është shprehur edhe më vonë në poezinë popullore, e në mënyrë të veçantë në epikën historike, nderi i vendit, i etnosit5.
Nderi i fisit është një shqetësim i përhershëm për kreshnikët, ai është i pranishëm kudo në epos, në jetën dhe në luftën kundër armiqve. Në këngën «Martesa e Halilit», e ëma e kreshnikëve shqetësohet se mos shkjetë e zënë të gjallë Halilin dhe po i koritet fisi. Në këngën «Lule Frangu»7 Ajka ngrihet në mbrojtje të nderit familjar dhe të udhëheqësve të luftës: Mujit (dajës së saj) dhe Zukut (të vëllait). Nderi i saj është nderi i të gjithëve, i familjes dhe i fisit. Në idealin epiko-heroik koncepti i nderit ka një shtrirje të gjerë, që përshkon të gjitha shtigjet e shpirtit njerëzor. Për kreshnikët në përputhje të plotë me konfliktin themelor të eposit nderi më i lartë është të vritesh duke luftuar për të mbrojtur vendin nga armiqtë, shkjetë. Në këngën «Deka e Omerit», kryekreshniku, Muji, të cilit i kanë vdekur të shtatë djemtë në çetë duke luftuar kundër armiqve, e qorton të shoqen, kur ajo ngurron ta përgatisë për luftë Omerin e tetë: «Mos kjaj djelmt qi n’lujtë kanë dekë,/ mos kjaj t’gjallët qi n’bjeshkë duen me çetue,/ se dekë ma e ambël s’asht se n’luftë m’u pre,/ n’lujtë m’u pre pa i lanë marre vedit»8.
Në gjithë folklorin tonë e sidomos në epikën tonë historike si në epos, vdekja për atdheun është trajtuar si një vdekje «e ëmbël», e denjë, që meriton nderimin popullor. Në ndërgjegjen artistike të rapsodit të eposit kreshniku duhet të mishërojë në vetvete virtytet e larta morale, të respektojë zakonet e mira, traditat e vendit, prandaj humbja e këtyre virtyteve shkakton humbjen e nderit, korinë, marren, turpin. Kur Halili, në prag të vdekjes së sigurt, pyetet nga Krajli i Kotorrit, që e ka zënë rob, nëse e ka parë veten ndonjëherë më ngushtë, përgjigjet në përputhje të plotë me konceptin që kanë malësorët e Veriut për nderin, burrërinë, besën, mikpritjen, jetën dhe vdekjen, se çnderimi që vjen nga humbja e tyre është më ë rëndë se vdekja, nuk krahasohet me të9. Në këtë mënyrë është konceptuar nderi, jo vetëm në jetën e kreshnikëve, por dhe në jetën e të gjithë popullit tonë. Ai është i lidhur me të gjitha virtytet e tjera morale, po qe se nuk respekton ndonjërin prej tyre mbetesh i turpëruar, humb nderin dhe të humbasësh nderin do të thotë të mos kesh më vlerë shoqërore, të jesh i vdekur moralisht. Prandaj nderi qëndron mbi çdo gjë, ai është më i shtrenjtë, se jeta. Më mirë të vdesësh se sa të humbasësh, nderin e të jetosh me turp. Kur, në këngën «Rrëmbimi i së shoqes së Mujit, agët ngushëllojnë Mujin, sepse Krajli i kishte shembur kullat dhe grabitur gruan, duke i premtuar se do t’ia bënin më të mira, ai u përgjigjet në mënyrë kategorike, i fyer në sedër, «marren teme ku delni me e marrë»10. Në këngën «Lule Frangu» Ajka u lutet zanave «ta ngrafisin» ose ta bëjnë qyqe më parë sesa ta lënë të koritet11. Motra e Gjergj Elez Alisë çuditet si nuk shemben kullat ta zënë brenda që të shpëtojë kështu nga turpi12.
Ky konceptim i nderit, si gjëja më e shtrenjtë.e njeriut, është pasqyruar gjerësisht kudo në folklorin tonë. Pikërisht këtë psikologji dëshmon qëndrimi i nënave të kaçakëve në epikën historike që të shqetësuara për nderin e të bijve, i porosisin djemtë e tyre të rrethuar të mos dorëzohen, por të luftojnë trimërisht e të vdesin me nder siç është zakoni në Shqipëri13. Fjala e urtë «më mirë vdekja me nder se turpi» është një lajtmotiv që përshkon gjithë poezinë popullore.
Si përfundim, nderi përbën një nga veçoritë më themelore të natyrës shpirtërore të kreshnikëve, përbën ngjyrën më kryesore që dallon karakterin e tyre. Nderi më i lartë është të kryesh detyrën ndaj vendit dhe popullit tënd, të luftosh dhe të vdesësh për të mirën dhe mbrojtjen e tyre, të respektosh të gjitha zakonet, virtytet morale, traditat e trashëguara nga të parët.
Duke shqyrtuar eposin në kuadrin e gjithë folklorit tonë, sidomos të poezisë popullore, mund të nxirren disa përfundime në fushën e psikologjisë sonë etnike, që kanë vlerë edhe për burimin e lashtësisë së eposit.
Së pari, psikologjia e nderit, dhe në përgjithësi, fizionomia shpirtërore që dëshmohet në vetëdijen e kreshnikëve dhe në ndërgjegjen artistike të rapsodëve të tyre, nuk i takon vetëm ndërtesës psikologjike të malësorëve tanë të veriut, nuk është thjesht «e kanunit të tyre» siç kanë theksuar disa studiues të eposit, por është tipari i psikologjisë përparimtare kombëtare.
Psikologjia e nderit dhe e virtyteve të larta morale ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot e kësaj dite tek i gjithë populli ynë, po natyrisht e evoluar, duke shkrirë në vetvete ndryshimet historike të kushteve lëndore e shpirtërore të shoqërisë shqiptare gjatë shekujve. Kështu është pasqyruar ajo si epos, edhe në të gjithë folklorin tonë, që nga epkia historike-heroike arbëreshe, në folklorin e mëvonshëm shqiptar e arbëresh.
Si një përgjithësim i fuqishëm artistik i historisë së luftërave të popullit tonë për të mbrojtur trojet e veta, me një brumë etnopsikologjik shqiptar, është krijuar eposi ynë epiko-heroik. Sado të diskutohen e të vihen në dyshim çështje të ndryshme si autorësia, mosha etj., një gjë është e padiskutueshme, e pakushtëzuar, kategorike: fizionomia shpirtërore që përshkon tejpërtej eposin tonë është një fizionomi thjesht shqiptare. Por edhe një gjë të tillë, aq të rëndësishme për trajtimin e çështjeve të ndryshme të këtij monumenti shpirtëror të popullit tonë, disa studiues tendenciozë, si Kordinjano, Shmaus e ndonjë tjetër e kanë shtrembëruar. Shmausi, duke i trajtuar tiparet psikologjike të popullit tonë, që sipas tij «janë futur» prej rapsodëve tanë në këngët e ciklit të Mujit e të Halilit, si «procesin më përparimtar të shqiptarizimit» të këtyre këngëve15, është detyruar të pranojë gjithashtu që «nuk është e mundur të jepet një përgjigje e saktë për problemin interesant etnopsikologjik» të ciklit16. Natyrisht duke u nisur nga konsiderata të tilla të gabuara, nuk mund të jepen zgjidhje shkencore e përgjigje të sakta, jo vetëm për këtë çështje, por as për të tjerat. Nuk mund të mohosh veçorinë e folklorit si shprehje e vërtetë e shpirtit të popullit, si dëshmia më e gjallë e tij. Dhe në eposin tonë është pasqyruar kodi shpirtëror që është i njëjti kod shpirtëror i gjithë folklorit tonë, i gjithë jetës shqiptare, themeli i fizionomisë së sotme psikologjike të popullit tonë.
Së dyti, konceptimi i nderit në themelin e mendësisë shqiptare, të çdo elementi që përbën psikologjinë e popullit tonë, të karakterit dhe të botës së tij të ndjenjave, vlerësimi i nderit mbi çdo gjë, qysh në këngët tona të kreshnikëve del plotësisht i kryer. Nderi si edhe të gjitha tiparet e psikologjisë sonë etnike të pasqyruara në epos dalin këtu të konsoliduar, të ligjëruara, të ngjizura plotësisht prej kohëve më të lashta, të shndërruara në zakon, në ligj, në kod ligjor, që kreshnikët e trashëguan prej të parëve. Kjo del qartë qoftë në sjelljet e qëndrimet e kreshnikëve, të cilët veprojnë prerazi mbi bazën e normave morale etnopsikologjike, pa jetuar kurrfarë mëdyshjeje a lufte motivesh, qoftë edhe në faktin që ata pohojnë vetë se këtë «kanunësi» shpirtërore e kanë trashëgim prej të parëve. Gjergj Elez Alia është i mbushur në shpirt që po vdes me nder, në përputhje të plotë me ligjin shpirtëror të trashëguar prej të parëve: «se m t’parët një kanu na kanë lanë»18. Halili para vdekjss pohon në gjuhën e të parëve se «tjetër të mirë ne t’parët nu na kanë lanë / kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme / por me shpata m’u prej tuj këndue!»19
Ky konsolidim normash, kjo sjellje pa asnjë mëdyshje, pohimi prej kreshnikëve që këto zakone «ia kanë lanë të parët» si trashëgim janë një argument kuptimplotë i lashtësisë së psikologjisë etnike të pasqyruar në epos. Kjo lashtësi shfaqet edhe ndryshe, në lidhjen e elementeve etnopsikologjike me elemente mitologjike, në vënien e tyre në një rrafsh, gjë që dëshmon një shkallë primitive të ndërgjegjes njerëzore. Kujto, p.sh., këngën «Orët e Mujit»20, ku Muji lufton kundër Pajit Harambash për të vënë në vend nderin e humbur të orëve, të cilat i ankohen Mujit për «çnderimin» e tyre. (Sepse edhe orët kanë të njëjtin koncept për nderin si kreshnikët). Ndërsa në këngën «Lule Frangu»21 është Ajka që u lutet zanave ta ruajnë nderin e saj ose përndryshe ta bëjnë gur e ta kthejnë në qyqe. Në të dyja këto raste dhe në të tjera të ngjashme, s’kemi të bëjmë fare me elemente poetike, estetike, të përdorura nga rapsodi popullor, por thjesht me elemente reale të vetëdijes së lashtë mitologjike të kreshnikëve.
Së treti, këtë «kanunësi» shpirtërore në ndërgjegjen e tyre vetë kreshnikët e dallojnë nga «kanunësia» e të huajve: shkjaut, ltinit, turkut, të huajve në përgjithësi. Në këngën e «Lule Frangut» Ajka, motra dhe mbesa e kreshnikëve më në zë, Mujit e Zukut Bajraktar u vë përballë të huajve, të shoqit, Itinit, dhe turkut, kanunin, i cili nuk duhet kuptuar ngushtë si kanuni i së drejtës së pashkruar zakonore të malësorëve, siç është trajtuar nga ndonjë studiues, por më gjerë, si kanuni i psikologjisë së vendit tonë në kohët e kaluara22.
Së fundi, kreshnikët janë krenarë që po u lënë testament brezave të mëvonshëm zakonet e tyre të mira, virtytet e larta morale, traditat, si mesazhin më të ndritur të luftës e të jetës së tyre, si armë të fuqishme për t’i përballuar përpjekjet asimiluese të të huajve.

 


1)  E. Çabej «Studime gjuhësore», Prishtinë, 1976, v. I, f. 361.
2)  «Folklor shqiptar», «Epika legjendare*, Tiranë, 1966, f. 72 (Më poshtë për këtë vepër do të shënohet EL dhe do të jepet numri i faqes).
3)  EL, f. 135.
4)  Në gojën e kreshnikëve fjala fis nuk ka kuptimin e saj shkencor etnografik, por kuptimin e etnosit, të një etnosi të dalluar nga çdo etnos tjetër i huaj, si të thuash, kuptimin e fisit të shqiptarit. Vër re përdorimin e termit fis në këtë këngë historike. «Të tanë shkinat bajn «kuku»/ Paska kenë një burrë drague/ fisin tonë me na farue» «Epika historike», Tiranë, 1981, f. 230).
5)  Heroi i një kënge të eposit historiko-heroik arbëresh Pjetër Shini, krenohet para Sulltanit se ka luftuar «për nderin e gjakut (d.m.th. të fisit, shënimi im A. Ç) arbëresh («Poezia popullore arbëreshe» Tiranë, 1957 f. 67,) Ja edhe shembuj nga këngët tona historike: «Hasan Labi, bir o djalë/ e nderove ti Gusmarë!» «Epika historie» 2, Tiranë, 1981, f. 573), ose «Sokrat Leka pallërgjëndë,/ që ksh nderuar vendë» (Po aty, f. 332); ose «Okajo, o trim i mirë,/ q’e nderove Shqipërinë» (Po aty, f. 603).
6)  EL, f. 72.
7)  El, f. 337-345.
8)  EL, f. 242.
9)  EL, f. 84-85.
10) EL, f. 192.
11) EL, f. 337-344.
12) EL, f. 87.
13) «Epika historike» 2, Tiranë, 1981, f. 564:    «Narta e Çilit. ç’m’i ka britë /     Ma mirë dek bir, se m’u koritë./
14) E.    Çabej, «Studime    gjuhësore» V, Prishtinë, 1975, f.45.
15) A.    Schmaus, «Epika    popullore shqiptare».
16) A. Schmaus, «Epika popullore shqiptare».
17) S. Skendi, «Poezia gojore' shqiptare dhe e sllavëve të jugut».
18) EL, f. 90.
19) EL, f. 85.
20) EL, f 60-67.
21) EL, f. 337-345.
22) EL. f. 345.


Çështje të folklorit shqiptar, 3, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1987, f.

Anton Çefa


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...