Oshtima

Armët në ciklin e këngëve të kreshnikëve shqiptarë


Në studimet e autorëve vendasdhe të huaj2 nuk është bërë ndonjë përpjekje tërësore për të caktuar lashtësinë e ciklit të këngëve të kreshnikëve dhe nëpërmjet shqyrtimit të armëve të përdorura prej tyre. Armët e përdorura në ciklin tonë të kreshnikëve mund të grupohen si vijon; a) Armët e bardha apo armët e ftohta; b) Armët e zjarrit dhe c) Veglat optike.
Në armët e bardha dallojmë: armët e luftimit të afërt, të luftimit larg dhe pajisjet vetjake mbrojtëse. Kreshnikët shqiptarë, në luftimin e afërt, përdornin armët për goditje siç ishin: shkopi (sinonimet: huni, shtaga, dajaku, çomanga, topurrja), topuzi prej druri dhe metali. Si armë për prerje ata përdornin: shpatën, shpatën prej floriri, shpatën me teh të helmatisur, shpatën damaskine, thikën dhe thikën e helmatisur. Kreshnikët shqiptarë Muji, Halili, Omeri, Zuku, Gjergj Elez Alia etj., përdornin si armë për shpim: shtizën, heshtën (sinonimet: ushta, gjiliti xhiliti, mazdraku, mëzdraku, mizdraku, muzdraku dhe mzdraku). Ja sesi paraqiten armët në këto këngë; «...Kur a derdhë Muji n'Jutbinë, i ka mbledhë treqind darsmorë,/ Veshë me ar, shpatat flori,/ shgjet e mzdrakë krejt n’ari ngri...» («Gjeto Bash Muji (Martesa)», «Epika legjendare» v. 1, Tiranë, 1966, f. 51), Edhe mënyra e dyluftimit të Gjergj Elez Alisë jepet në këngët: «...Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë,/ lik përmjet balozit te i ka ra/. A trandë fusha kur a rrxue balozi./ Me ’i herë trimi shpatën ma ka nxjerrun...» Gjergj, Elez Alia», Po aty, vëll. 1, Tiranë, 1966; f. 90.
Në armët e luftimit të largët bënin pjesë: harku prej druri apo metali me shigjetat e zakonshme e të helmatisura (sinonimet: shëngjeta, zhgjeta), baheja (sinonimet: sabeja, hobeja, prazhga). Në këto këngë më rrallë ndeshet përdorimi i pajisjes mbrojtëse vetjake, siç ishte panciri, (një lloj parzmoreje, e cila në lashtësi ishte prej lëkure dhe më vonë prej hekuri dhe çeliku).
Në këngët e kreshnikëve shqiptarë dallohen lidhjet e ngushta që ata mbanin me armëtarët shqiptarë: me farkëtarë (kovaçë) dhe mbathtarë (nallbanë, patkonjpunues). Këto lidhje tregojnë për një gjendje ekonomiko-shoqërore të zhvilluar, për një traditë të lashtë të zejtarisë së nxjerrjes dhe të përpunimit të metaleve, për mjeshtërinë aq të njohur të mbathtarëve shqiptarë në Evropë, sidomos në shek. XIV3.
Pjesa dërrmuese e këtyre armëve (përjashtuar shpatën damaskine, e cila i përket shek. XVI-XIX): heshtat, shpatat, harku prej druri e metali, shigjetat e zakonshme dhe të helmatisura etj., kanë qenë në armatimin e ushtrisë ilire. Ato i ndeshim edhe tek autorët antikë, madje qysh në këngët homerike. Gjenia krijuese e popullit në këngët e kreshnikëve ka derdhur fantazinë dhe imagjinatën, duke përshkruar bëmat legjendare të gërshetuar me elementet e mitologjisë, por megjithëkëtë në përshkrimin e armëve nuk është shkëputur nga realiteti i kohës. Si armë kryesore kreshnikët përdorin armët e bardha. Në këtë cikël nuk mund të mos përfshiheshin edhe armët e zjarrit. Populli ynë, në kohën e shpikjes së barutit, që revolucionarizoi mënyrat e luftimit, krijoi këngë e vargje për barutin, kullën e barutit, topin, topin habertar, pushkën e gjatë, pushkën habertare (lajmëtare, kushtrimdhënëse), xhiverdaren apo xheverdaren, shahinë (lloj topi prej trungut të lisit ose prej gorrice), plumbin, fitilin, depon e barutit etj. Me gjithë futjen në përdorim të armëve të zjarrit, armët e bardha bashkëjetuan me to edhe në mesjetën e vonë. Rapsodi shqiptar këndon: «...Mirëpo e çil nji odë e madhe,/ ish kanë oda xhebehanej thasë mbi thasë baroti deri n’kulm./ Ma mbaron nji fitil t’gjatë/ e n’barot e paska shti...» «Muji e Behuri», Po aty, f. 99, ose «...Po dal n’beden t’sarajt/ Po e shprazi pushkën habertare/ të marrin vesht Jutbinë e Krahinë...» «Ali Bajraktari (Besa)» «Epika legjendare», v. 1, Tiranë, 1966, f. 131.
Në legjendat e trashëguara në disa variante, tregohet se kur dolën armët e zjarrit, rreth viteve 1378-1393, kreshnikët nuk jetonin më. Për ilustrim po përmendim një pjesë të njërës nga këto legjenda: «...Muji dhe Halili paskan ndeshur nëpër mal një bari që mbante në brez një pushkë të moçme.»
—  Ç’ka asht ai send — e pyt Muji barinë — e shka duhet?
—  Ky send ia kthen baria — asht për me mbytë njerin pse e shpon an’ e m’anë. — Muji u habit, pse s’e kishte pa kurr e tue ia qit para shplakën i thotë bariut: — Po bjer’ i herë a mund ta shpojsh! Edhe bariu s’e çoi më gjatë por t’ia dha zjarrm e i a shpoi dorën. — Lum Halili — i tha Muji t’vllat — na skem shka me ba ma mbi ftyrë të tokës! — e të dy bashkë hynë në birë të dheut e s’u panë ma...»4.
Përdorimi i dylbisë (turbisë, dyrbisë) prej Mujit dhe kreshnikëve të tjerë në këngët e kreshnikëve shqiptarë ka hyrë tepër vonë, mbasi ajo është një vegël (mjet) optike e re. Dihet. se shpikja e gypit (monokularit) optik nga G. Galileu i përket shek. XVII, kurse përdorimi i dylbisë në ushtritë moderne ka hyrë në përdorim andej nga çereku i fundit i shek. XIX. Ja sesi paraqitet një rast i përdorimit të dylbisë: «...N’beden t’kullës tha paska hypë,/ na ka marrë turbinë në dorë / për të gjatë fushën ma ka shikjue...» (Visaret e Kombit» kënga «Gjogu i Mujit; Hargeleja», v. 2, Shkodër, 1937, f. 77).
Nga sa parashtruam, del se këngët e kreshnikëve, edhe të shqyrtuara nëpërmjet teknikës së armatimit të përdorur, janë një krijimtari shumë e hershme e popullit shqiptar. Cikli ka lindur, është zhvilluar dhe është përhapur në popullsinë malore, kryesisht në Alpet Shqiptare, në Hot, Grudë, Kelmend, Dukagjin, Malësi e Madhe, Postribë, Pukë, Mirditë, Bregu i Matit, Krajë, Anamal, Rrafshi i Dukagjinit e deri thellë në Kosovë, në popullsinë shqiptare të Serbisë,. Malit të Zi dhe në atë të Maqedonisë Perëndimore, duke pasqyruar dhe mbajtur të gjallë frymën e qëndresës shumë shekullore kundër pushtuesve të ndryshëm. Kjo epikë pasqyron bazën ekonomiko-shoqërore të një populli të paepur, i cili ruajti doket zakonet, gjuhën, veshjet, trimërinë, burrërinë, besën, nderin, mikpritjen dhe armët tradicionale. Ky popull nuk jetonte i izoluar, i mbyllur në male. Përkundrazi, ai kishte marrëdhënie me zonat, përreth, ku lulëzonin qytete të tilla, si: Tivari, Ulqini, Shkodra, Shirgji, Shurdhahu (Sarda): Balëzi, Danja, Drishti (Drivasti), Lezha (Lisi), Durrësi (Dyrrahi), Kruja, Peja, Gjakova, Prizreni etj.
Zbulimet arkeologjike na kanë dhënë, përveç të tjerash, dhe një sasi armësh, të cilat dëshmojnë për një zejtari të zhvilluar të prodhimit të armëve të bardha. Këtu mund të përmendim armët e gjetura në Kalanë e Dalmaces, (në Koman të Pukës), që u përkasin shek. IV-XII. Ndër to mund të përmenden maja shtizash, maja heshtash, shpata hekuri, thika, kmesa etj. Këto armë kanë ngjashmëri me ato të pikturës së shkëmbit të Spiles në shpellën e Trenit (Korçë), ku dallohen mirë heshtat dhe përkrenaret e kalorësve ilirë dhe të shqiptarëve mesjetarë. Po kështu mund të përmendim edhe majën e shtizës dhe kosën luftarake të gjetur në inventarin e varrit të shek. VIII, të zbuluar nga arkeologët tanë në Qafën e Kalasë së Lezhës. Koleksione shumë të pasura të këtyre armëve gjenden në Muzeun Arkeologjik, në Tiranë dhe veçanërisht në Muzeun Kombëtar të Armëve, në Gjirokastër. Këto të dhëna, ndonëse ende jo të plota, janë dëshmi e vazhdimësisë nga kultura ilire tek ajo shqiptare5.
Një argument tjetër për lashtësinë e armëve janë dokumentet e shkruara arkivore, në të cilat përmenden disa nga farkëtarët shqiparë. Ndër ta shënohen Brato Shpatari, në Tivar më 1359 dhe Nikollë Shpatari në Ulqin më 13996. Mjeshtrit shqiptarë Stojan Shkodrani dhe  Martin Balistari, më 1388-1393 prodhojnë balista dhe 20000 shtiza të shkurtra (veretona) dhe topa (bombarda) prej hekuri. Armëtari shqipar Martin Balistari deri në fundin e shek. XIV ka prodhuar në Raguzë (Dubrovnik) pjesën më të madhe të topave (bombardave). Në një dokument venedikas përmendet edhe mjeshtri shqiptar, Mark Bogiti, nga qyteti i Drishtit, i cili dinte të riparonte bombardat dhe spingardat (lloj topi) dhe të prodhonte barutin me tym (të zi), në Drisht qysh në vitin 14687.
Një dëshmi tjetër e lashtësisë së ciklit është se në armatimin e kreshnikëve shqiptarë përmendet edhe baheja. Kjo lloj arme është përdorur jo vetëm në ushtrinë ilire, por edhe në atë të Skënderbeut8. Sipas profesor E. Çabejt, ajo përmendet edhe nga shkrimtarët Barleti, Bogdani, Bardhi, Gazuli, Santori, Mitko, Kristoforidhi dhe nga studiuesit e huaj: Reinholdi, Hahni, Mayeri, Pukëvili, Liku etj9.
Për lashtësinë e këtyre armëve ka shkruar edhe historiani kroat Milan Shuflai në librin «Serbët e shqiptarët». Ai shënon se armët e malësorëve shqiptarë, në shek. XIV-XV. ishin: baheja, shkopi i trashë (topuzi) dhe harku me shigje tat e helmatisura10. Kronisti turk, Kemal Pashë Zadeja (1468-1534) i përshkruante në vargje armët e shqiptarëve: «...Si vetëtima zjarr shpërndan ushta e tij / shigjeta që hedh e shpon edhe gurin/ majën e hekurt të shigjetës e ka si një brisk të mprehtë / dhe ai vetë është më helmues se grerëza...»11 Të shumta janë dëshmitë e relatorëve mesjetarë për armët e malësorëve, për ato vende ku këndohen këngët e kreshnikëve. Kështu që po të ishte se këngët do të kishin origjinë të vonë, heronjtë kryesorë, Muji, Halili, Omeri dhe Gjergj Elez Alia, nuk do të luftonin me shpata dhe heshta (mizdrakë), por me armët e zjarrit, të cilat, ishin përhapur edhe në ato male qysh në shek. XV, siç shkruajnë M. Barleti dhe F.S. Noli. Përdorimi i armëve të zjarrit nga heronjtë e ciklit, për mendimin tonë, duhet të konsiderohet thjesht si shtresim i vonë.
Siç dëshmon Qiro Truhelka, në fondet e Muzeut të Vendit në Sarajevë, ndodhet një sasi shpatash të prodhimit dhe të modelit shqiptar të shek. XV, të cilat ky studiues qysh në vitin 1914 i ka emërtuar: «Albaneski maç» (Shpata shqiptare). Këtë mendim e ka mbështetur edhe studiuesi tjetër V. Qurqiq12.
Me interes është dhe fakti se në këngët historike të Luftës së Kosovës (25 qershor 1389), të cilat ruhen ende të gjalla në shqiptarët e Kosovës, përmendet hanxhari13, ndërsa në këngët për Skënderbeun të ruajtura tek arbëreshët e Italisë përmendet shpata (sinonimet shabia, mahera)14. Së fundi, gjurmë të përdorimit të këtyre armëve kanë ardhur deri në ditët tona, siç është rasti tek «Vallja e shpatave», e cila kërcehet në Malësi të Madhe dhe në Kosovë (në Rrugovë)15, pa muzikë.
Nga të gjitha sa përmendëm del se djepi i ciklit të kreshnikëve është përkundur nga fshatarësia e lirë e malësive shqiptare. Ai shtrihet edhe tek shqiptarët që banojnë në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Kosovë.
Duke përfunduar mendojmë se një ndihmesë për saktësimin e lashtësisë së ciklit të këngëve të kreshnikëve shqiptarë e përbën dhe pasqyrimi e shqyrtimi i tyre edhe nëpërmjet lashtësisë së armëve.

 



1)  Q. Haxhihasani, «Folklori shqiptar 11»; «Epika legjendare», Ti ranë, 1966, v.ëll. 1, f. 7-49, 51, 90-99 dhe 131.
— Q. Haxhihasani, «Këngë popullore legjendare», Tiranë, 1955, f. 122-300.
— E. Çabej, «Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme* Tiranë, 1936, f. 61.
— I. Kadare, «Autobiografia e popullit në vargje», Tiranë, 1980, f. 106-140.
— «Historia e letërsisë shqipe», vëll. 1, Tiranë,' 1959, f. 63-87.
— «Visaret e Kombit», vëll. II e III, Shkodër, 1937, f. 77.
— K. Taipi, «Zana popullore», Shkodër, 1933.
— D. Shala, «Këngë popullore legjendare», Prishtinë, 1972, t. 202-205, 263-265; 290-2.93.
— L. Mulaku, Këngë kreshnike nga Shala e Bajgorës, në «Glasnik Muzeja Kosovo i Metohije», Prishtinë, 1965, f. 587-612.
— V. Sejko, Mosha e ciklit të kreshnikëve, gazeta «Bashkimi» Nr. 297 (10907), Tiranë, 14 dhjetor 1980.
2)  M. Lambertz, «Epika popullore e shqiptarëve», Leipzig, 1955.
— A. Schmaus, «Epika popullore e shqiptarëve», (përkthim), f. 25.
— D. Miqoviq, Mbi këngët e kreshnikëve shqiptarë dhe marrëdhëniet e tyre ndaj poezisë epike boshnjake-hercegovase myslimane (përkthim), f. 36.
— V. S. Karaxihiq, «Srpske narodne pjesme», knjiga II, Beograd, 1969, f. 45-46, 228-231; 257-260.
— «Srpski rjeçnik», Beograd, 1935, f. 88, 607, 642.
3)  «Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë», Burime të zgjedhura, vëll. 1, Tiranë, 1965, f. 145, 171, 229, 373, 374.
— «Historia e Shqipërisë», vëll. 1, Tiranë, 1959, f. 217-218, 269-287.
4)  «Visaret e Kombit», vëll. II, Shkodër, 1937; f. 2; 40, 47, 51, 56, 57, 77, 87, 168, 172.
5)  M. Korkuti — D. Komata — Dh. Budina — Zh. Andrea, Albumi: «Shqipëria Arkeologjike», Tiranë, 1971, Fotografitë e armëve Nr. 26, 29, 32 dhe 47.
6)  L. Thalloczy — C. Jireçek M. Sufflay, «Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis illustrantia», vëll. II (1344-1406), Vjenë, 1918, dok. Nr. 140, 240, 622.
7)  Arkivi i Institutit të Historisë; Mikrofilmi i ASHV; Sen Mar- VIII/166.
8)  M. Barleti, «Historia e Skënderbeut», Tiranë, 1964, f. 408.
9)  E. Çabej, «Studime gjuhësore — Studime etimiologjike në fushë të shqipes», vëll. 1. Prishtinë, 1976, f. 47.
10)  M. Sufflay, «Srbi i Arbanasi», Beograd, 1925, f. 142.
11)  Arkivi i Institutit të Historisë, Kronistët Osmanë për Shqipërinë (përkthim) Kemal Pashë Zade (1468-1534) «Tevarih-i -al-i Osman», f. 275.
12)  G. Shkrivaniq, «Oruzhje u, srednjovekovnoj Srbiji, Bosni i Dubrovniku», Beograd, 1957, f. 46-68, 172-173.
— Q. Truhelka, «Osvrt na srednjoveçne spomenike Bosne» GZM, BH, XXVI, 1914, f. 221-252.
— V. Qurqiq, «Starinsko oruzhje u Bosni i Hercegovini» GZM, XXXVIII, 1926, GHDM, 1943, f. 88-89.
13)  Sh. Pllana, «Epika popullore shqiptare mbi luftën e Kosovës»,2, Prishtinë, 1976 f. 111-128.
14)  A. Scura, «Gli albanesi in Italia e i loro canti tradizionali» Cozena, 1962, f. 228-238. 246-303.
— D. d’lstria, Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore në «Revue de Deux Mondes» 1866 (përkthim shqip).
15) R. Sokoli, «Gjurmime folklorike,» Tiranë, 1981, f. 147-225.


Çështje të folklorit shqiptar, 3, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1987, f.

Riza T. Drishti


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...