Oshtima

Martesa e Halilit

Argument: Halili merr Tanushën.
Âsht dimën. Ndërsá granija e Jutbinës dalin me kërkue uj për gjâ të gjallë, Muji me kreshnikë del në mal për gjoje. Nisë bora rishtas e me mzi kapen ke kulla e Mujit, ku trimi avitë turrën e druve me xé miq, si âsht doke ndër male. Qatje vonë, si xehet kuvendi, pyesin Mujin, pse s’e martonte Halilin. Si Muji si Halili u gjegjin pleqve, se donte me marrë – Halili – të bijën e krajlit për grue, mbasi kishte bâ bé, mos me u martue me bijë prej krahine. Halili, i pezmatuem prej fjalësh të pleqve, mallkon borën, qi i ká zânë bjeshkën e s’mund të dalë në krajlí. Çon Zoti mot të lig: shkrihet bora e në trí javë lirohen qafat e nisë prenvera. Halili, niset me qortime të Mujit, qi mbas lutjes së nânës, i ep edhe gjokun e vet, ashtu edhè t’orës, fill e ke Tanusha e Krajlit. Vajza, qi trémbet ne e parë, kur e shef unazën e rrotullueme prej djalit, e njef, edhe e shtjen në shatorr. Del drita e Halili gdhin veshë si mâ e mira shoqe e Tanushës. – Nâna e Tanushës, e tmerueme prej njij andrre, - pau nji ujk në mjedis të delevet, buzë Tune – e ngushton të shoqin me shkue ke e bija. Tanushës me shoqe i duhet me kthye në Kotorr, ku ndrŷhet në nji kullë buzë detit me gjith Halilin. Tue mendue si me hikë për në Jutbinë, trakllon nâna vetë në derë. Tanusha matet, por mandej, në besë të nânës, çilë derë. Kjo bâhet si bisha e me ‘i herë lëshon kushtrimin. Krajli qet të bijën në rrugë të madhe e Halilin e shtjen në burg. – Asht ditë e diellë e Slavët janë mbledhë ke kisha me pa dekën e Halilit. Para se me dekë, i lypë lahutën krajlit, i cili i a nep burrnisht, mbasi i bân do pyetje.Djali lshon nji gjame dishprimi me kângë kundra diellit e zanave, pse po mbaronte ndorja e tyne. Muji, tue dyshue për shkak të gjogut, qi kishte kthye ke shpija vetëm, i kumtuem prej njaj bije Jutbine, se ishte djali kah mbaronte, kishte pasë lshue kushtrimin e zânë shevarinë e detit. Nep nji gjame e i rraset Kotorit përmbrenda, qi – pá farë dhimbet – shêmbë kulm e themel, pse trathtoi nânën bija e vet. Prandej as merr plaçkë as robinë me vedi, por me Tanushën e Halilin këthen për në Jutbinë, ku me miq e dashamirë bân darsmat e të vllaut. Ky dram tragedik shvillohet në Jutbinë, në Breg të Tunës e ndër Kotorre të reja.


Shënim – Kjo rapsodi, e përmbledhun mbas shqyptimit të tre rapsodve të Curraj, mund të quhet, bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të tij Homerit, nji ndër mâ të bukurat e mâ delikatet, qi kemi shqip, ku populli poet, me nji disinvolturë klasike – si e pat vû n’oroe edhe Byron-i në Child Harold e e bjen mendimin e tij Camarda në Gram. alb. App. XVII – herë të paraqitet si liriko-dramatik, herë merr një styl narrativ të planet, herë bâhet epiko-tragjik në zhvillimin e njaj subjekti, me të cilin njeriu kishte me mujtë me êndë nji epope. Sa piktura mandej mbrenda kësaj rapsodije! Sa mendimi i njomë e ç’fuqi gjuhe në përshkrim t’objektivavet! Posë pikpamjes psyhologike të karaktereve e të virtyteve të ndryshme, - si burrnija e Mujit, urtija e trimnija e tij, koncepti i naltë, qi kanë pleqt si herojt e Homerit dikúr, për nderë, lidhnija e gjakut, guximi i herojt të rí, si në “Nibelungen-Lied” besimi i plotë ndaj hyjnít, qi, si ke Homeri, ashtu edhe në poezi popullore t’onën, marrin kreshnikët për ndore, i rrijnë ngjat e e mprojnë; posë ktyne pikave, âsht për t’u vû re koncepti, që ká shqiptari për kombi sllav: e njef trim, por të pa-besë e mizuer. Pse, mbas bindjes së rapsodit shqiptar, ktij nieri-slav i mungon ajo nama e burrnis, e trimnís e e jetës ndër të gjitha lidhnit, qi ka njeriu në jetën e vet shoqnore deri mbas dekjet: d.m.th. besa, qi për Shqiptarinë âsht lidhnija kemike, qi përdoron harmonisht të gjitha virtytet mbrenda idés njeri; prandej aj, qi s’ka besë, s’â njeri, por mizuer, i ndŷt, bishë; e ky â Slavi, qi Malcija e Lekve, e regjun ndër lufta me ta, e quen kategorisht: mizorí. Prej intuicjonit psihologjik na mund të nxjerrim edhe nji tjetër të vërtetë historjake: mjeti i përpajnimit të sllavizmit ndër né nuk kje shpata aq fort sa grueja. Mjafton nji shetí ndër male të Vasoviqit, të Palëbardhit e Piprrit, me kuptue, se shka i bâni slavë kta vllazën Hotënsh, Triepshnjanësh e Nikajsh: nuk kje tjetër veç njaj mikrob latent – martesa e përziemë me kombsí të hueja, – qi kishte nisë me dermue familjen ilirjane qysh në kohë të Kotuzit, të Mujit e Halilit ndër ato fushat e Bosnjes, ku Malcija e Madhe dhe Dukagjini edhe sot lidhë tradicjonin e dyndjes s’vet e ku sot i Boshnjaku, i i Pulëbardhasi me të Vasoviqasi, këndon njato rapsodi, qi kndon Leka i Malcis s’onë dhe i “Ilirasi” i maleve të Dukagjinit, me ket ndryshim por se njani i kndon trimnít e të parve shqip e tjetri në gjuhën e atij mizori, qi tue mos mujtë me marrë me luftë fiset ilirjane, i msŷni veças; i msŷni shpi për shpi, katund në katund, tue u terrnue gurët e themelit, nânat ilirjane.


Lum për tý, o i lumi Zot!
Fort po shndritë njaj diell e pak mo xe’!
Ç’p’e merr frima rrapin e Jutbinës!
Borë e madhe, qi ká rá,
Rândojnë ahat për me u kthye;
Ki’n çetinat vetëm kreshtat:
Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,
Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.
Janë rá vashat me gjâ n’lumë,
Kan gjete lumen tânë ngri akull;
Kan nisë vashat me lypë krojet,
Kan gjete krojet tânë ngri hej,
Ça kan qitun e kan thânë?
“Kúr t’bâjë Zoti me e lirue,
“Gjâja e gjallë, druem, ká mbarue!
“Po, Zot, ç’janë njata shtegtarë,
“Veshë e mbathë porsi zotnij?
“Mos janë nisë trimat për me çetue?
“Qi ata qafat kurrë s’und i kalojnë!”
Ka qitë Jeta edhe u ká thânë
- O nuk janë, jo krushq darsmorë,
- Se ata paresh kanë ranë n’lumë;
- Ka dalë Muji me kreshnikë:
- A thue ndeshet m’ndo’i gjâ malit!
T’kjoshim falë, o i Madhi Zot,
Sa shpejt diellin m’a xû rêja!
Shpejt m’a êndi ‘i pëlhurë t’gjânë e t’gjatë!
E i ká veshun majet rreth e rrokull,
Qi kúr janë kapë trimat tu lumi,
Kaq përzí i ká frima plajm e rê,
Askurrnjâ shoshojnë trimat s’p’e njofin.
I’n ngri trimat me sharrue;
Por n’breg t’lumit – kulla e Mujit.
T’tânë për darkë Mujit i ka ndalë.
Kqyr shka bâni Gjeto Basho Muji!
E ka vû nji barrë drû t’vogël n’zjarm,
Treqind vetë p’r ‘i herë m’ xé,
At-herë trimi u ká avitë bucelat,
At-herë trimi u ká avitë fuçijat;
- I’n bucelat plot raki,
I’n fuçijat plot me vênë.
Sa shpejt frima burrave u ká ardhë!
Sa shpejt gjaku trimave po u xehet!
Kan marrë llafin e po llafiten;
Kan marrë gazin e po gazmojnë;
Kan nisë trimat Mujin p’e pëvetin:
“N’votër t’ânde kém qillue,
“Mos na ki rândë për nji fjalë!
“Pásh nji Zot, Mujl, qi t’ká dhânë,
“Qysh Halilin s’e martonve?!
“Janë martue krej moca e tij;
“Djelm e çika Zotyn u ká falë;
“Djejmt e tyne n’lojë t’tânë janë dalë.
“A t’u dhimtën paret për me i dhânë?
“A t’u dhimtën darsmat për me i bâ?
“Tut’na djalin dikush po na rrê;
“Shpesh e shpesh po bje’ n’Kotorre t’reja,
“Rob të gjallë djalin p’e xânë.
“Le’ konakun, Mujë, qi s’po t’a fikin
“Mâ zí fisin, Mujë, po na koritin.”
As bé m’Zotin trimi nuk ká bâ;
“Faqe-bardhë, more shokë, ju kjoshi,
“Se mirë hallin po m’a dik’i, burra!
“Maná paret s’m’u kan dhimbët me i dhânun!
“Maná, darsmat s’m’u kan dhimbët me i bânun!
“Ju t’pa-vllazën, shokë, s’kini qillue:
“Kuj po i dhimen darsmat për vllá t’vet?
“Ky edhe s’âsht, or burra, cub flligshtísh,
“Mirë e njihni, se â dají trimnísh.
“Qi për n’dashtë me m’prû marren te shpija,
“He ktij Zoti i shkimët hisen e diellit!
“E n’pastë menden me na koritë fisin,
“Gjujma, rê, qetash me kokër rrfeje!
“Zirma, tokë, përjashta n’natë të vorrit!
“At bé m’Zotin djali por ká bâ:
“ – Kah jam vllá e kah kam motër,
“ – Deksha para, n’u martosha!
“ – Se gjith grat e krahinës, ku janë,
“ – Se gjith vashat e Jutbinës, ku janë,
“ – Bash si motra qi po m’duken.
“ – Dheu m’ka mlue, e fat s’i qita vedit,
“ – Po s’e mora Tanushën e krajlit.
“ – E un Tanushën vetë e ko’pá.
“ – Kúr kém pasë besë me krajlí:
“ – Gjâ mâ t’mirë s’shef njeri nën ket diell!
“ – Vetulla e saj ndrejt si fiskaja;
“ – Shteku i ballit, si shteku i malit,
“ – Kur merr hana me pranue;
“ – Syni i saj, si kokrra e qershís;
“ – E ka qerpikun, si krahi i dallndyshës;
“ – Ftyra e saj, si kuqet molla n’degë;
“ – Hunda ndrejt, si kalemi i Tushës;
“ – Goja e vogël, si lula qi shpërthen;
“ – Dhamët e bardhë, si gurzit e lumit,
“ – Fill mbas shiut kúr po i shndritë dielli;
“ – Qafa e saj, si qafa e pllumbit;
“ – Shtati i saj, si ‘i shtat çetinet;
“ – Misht e dorës, porsi rremi i shimshirit.
At’herë djali mâ s’â pritë pa fole:
Dorën gojës Muji i a ká vndue,
Aq mâ tepër djali â pezmatue:
“Prapou, Mujë, se m’ká ardhë dita e dekës!
“Rend me rend, Mujo, po flasim!”
Ka britë t’madhe plaku Basho Jana;
“S’e kam lânë, or shokë, për mik, pse s’gjeta.
“S’e kam lânë për pare, pse nuk pata;
“S’e kam lânë për vashë, pse nu’mund hasa,
“Veç s’ka dashtë vetë m’u martue!”
“Pa ndigjo, more ti djalë!
- Ka fole plaku Osman Aga -
“Ditë e madhe nesër ka qillue;
“Tridhet agë kan me u bashkue;
“Tridhetë vasha t’i kan prû.
“Njat mâ t’mirën ké me e zgjedhë,
“Tridhetë agë për hajr t’a bâjmë!”
S’p’e lên djali plakun mâ me fole:
- Zoti u vraftë, more agët e Jutbinës!
- Po ku â ndie n’mjet tokës e t’qiellës,
- Se muer vllau motrën e vet?
- Qi tânë bijat e krahinës, ku janë,
- Tânë si motra qi po m’duken.
- Nji bé t’madhe qi kam bâ,
- Nji bé t’madhe n’êmën t’Zotit,
- Njatij t’Lumit, qi vrân e kthiell,
- Rendon tokë e rendon qiell,
- Qi, ja martohem me gúr e dhé,
- Ja e kam marrë Tanushën e krajlit.
- E a ndigjuet, ju agët e Jutbinës:
- Ndêja kuk, si notën e vorrit,
- E n’krahinë cok s’u martova!
- Por n’qafë m’paçi, mori bjeshkët e nalta,
- Kurrkû’i shtek qi nuk m’a lát,
- Për me dalun deri n’at krajlí!
- Kjeçë tuj e bâ nji hjeksí t’vogël,
- T’mujshe detit me i prî der’ndër qafa,
- Me m’a dêjë krejt atá borë,
- Sall sá t’dal me qitë kunorë,
- Qaq fort gazin shokët qi po m’a vndojnë,
- M’a kan ngjitë “taraku i Kotorrit”,
- E frima e gjallë s’u lânka peng për log!”
Sa mirë nâma bjeshkët m’i paska gjue!
Sa shpejt deti djalin ká ndigjue!
E e ká çue nji frimë të fortë,
E e ká çue nji frimë të xetë,
E e ká lëshue krejt rên e zezë:
Bín ortiqet nëpër gropa;
Ushtojnë malet, si prej motit.
Por trí dit e mâ s’ka ngjatë,
A shkri bora e ká rá n’lumë:
Por trí javë e mâ s’ka ngjatë,
Shka e ká bâ luma atá t’bardhë?
T’bardhët e bjeshkëve krejt e ká mbytë n’dét
Lum për tý, o i Madhi Zot,
Ç’po këndojnë bylbylat n’mal!
Ç’po lodrojnë fmija n’për fushë!
“Shpejt me dalë të tbani
“Se ka shpërthye ahi!”
At-herë djali Muji i ká thânë:
“Qetash gjogun, Mujë, ti me m’a dhânë!
Aspak gjogun Muji s’i a ká dhânë.
Gjogut t’vet në shpinë i ká rá,
Edhé â nisë Tanushën për me marrë.
Kúr ká bâ Muji m’u dredhë,
Mirë po i flet nâna e motnueme:
“Po ti ç’bâne, more bír,
“Gjogun djalit qi s’i a dhae?
“Rrezik djali me bâ me e pasë,
“E n’krajlí gjâ me t’a gjete,
“Sá t’jésh gjallë djalit i a kujton!”
Sa shpejt Muji kênka dredhë!
“Ndal, Halil!” – djalit i ká thânë;
Gjogun e vet Muji i a ká dhânë.
E’i msim t’mirë qi i a ká dhânë.
“Udha e mbarë të kjoftë tash, more vllá!
“N’megje t’krajlíve kur t’bâjsh për me dalë;
“Kurrkund kryet gjogut mos me i a ndalë;
“Gjogu t’çon te Vuk-e Harambashi;
“Probatin Vukën vetë e kam pasë:
“Falë me shndet Muji, thuej t’ká çue;
“Për nji punë, ti vlláth, sot me m’ndimue,
“Me m’ndimue me grosh e me shpatë,
“Me m’ndimue Tanushën për me e marrë!”
At-herë djali i ká kcye gjogut n’shpinë;
“T’mirë u pashim!” – Mujit i ká thânë;
Ká marrë dromin për krajlí,
Dý herë djalin kurrkush s’e ká pá.
Kalojnë male e kalojnë lugje,
Kalojnë breshtë e kalojnë ashtë,
Kalojnë dit e kalojnë net,
N’rob të Zotit kurrkund s’hasin.
Po thotë dielli: â ndorja e ême!
Ká thânë hana: â ndorja e ême!
Kan thânë orët: â ndorja e jonë.
Zot! A flet dhija në mal?
Paska folë dhija në mal!
Ça ká qitun e ká thânë?
“Sa t’bâjë dritë ka ndoren dielli,
“T’errmën natë, ká ndoren hana,
“Armët e brezit i a rue zana!”
Fort Halili m’âsht frigue:
“Ç’âsht ky zâ, Zot, nëpër çeta?
“P’a thue flasin dhít e malit?”
- Mos gabo, se s’jém dhí malit,
- Se ne jém trí dhí prej shkamit
- Qi rrijmë bashkë me zâna!”
Sa mirë djali u ká përgjegjë:
“Mirë p’e dí se â logu i zânave,
“E fjalës s’uej un nuk i luej!
“Syni i jem me ndore t’diellit,
“Kâmba e ême ndorja e hânës,
“Erzi i armve ndorja e zanës,
“Deka e ême me orë çue!”
Kúr ká dalë n’bjeshkën mâ t’naltën,
Na e ká pá ‘i lum t’gjânë e t’gjatë:
I gjatë ishte dét e n’dét,
Andej lumit veç lpé.
Ká bâ gjokut me i dhânë uj,
Tre pash gjoku â dredhë përmbrapa;
Páka ‘i njeri për buzë shkami:
Sa mirë ora p’e pëvetë:
“Kah jé nisë, djaló, me shkue?”
Ndêjshëm djali fort qi po i përgjegjë:
“Për krajlí ‘i herë jam drejtue,
“Der’tu Vuku i Harambashit!”
Fort ka qeshë ajo ora e malit!
Kërkund djali s’po kujtohet,
Ç’âsht aj njeri, qi po i flet.
Sa mirë ora e paska msue!
“Pa mba vesh or djalë i rí!
“P’e dí mirë, pse kha jé dalë,
“Se t’kam pá ndër Lugje t’verdha,
“Se t’kam dashtë si syt e ballit,
“T’kam ruejtë natën, t’kam ruejtë ditën;
“M’ké pasë hije për mbas trupit.
“Aty Vukën ti s’e gjê’;
“Aj kah mot â dyndë krajlijet;
“Por avitu ‘i herë prej mejet!
“A p’e shef qat lumë te gjânë?
“Atje i thonë “Te-Lumi-i-Tunës”.
“Ndale synin n’at breg lumit!
“Merr teposhtën der’tu hijet!
“A po i shef do çadra t’bardha?
“N’mjedis t’tyne ‘i shatorr t’kuq?
“Frênin gjokut mos m’i a ndalë,
“Fíll t’ka çue te e bija e krajlit!”
Ora â shdukë e hupë në mal;
Djali â shdukë e ra në fushë;
A’ varë dielli me pranue;
Qat-herë dita m’konka errë.
Lum për ty, o i lumi Zot,
Ké fal ditën me pûnue,
Ké falë natën me pushue!
“Ça ka hana, qi s’po del?”
Kan pëvetë bylbylat malit.
“Pritni pak, more zo’jt e malit!
“Ju me kndue, tjetër punë s’keni;
“Hâna sande ká ndolle xânë,
“Ká nji ndore me përcjellë!”
Ka përgjegjë dhija në shkam.
Qatë-herë djali sa kish’rá n’breg t’lumit;
Ká lidhë gjokun mbrendë n’nji ishmtë,
Imshta ishte tânë ahishtë,
Vetë shatorret n’për muzg t’natës po i lypë,
Kur ká mrrijtë te çadra e kuqe,
Qat-herë djali por ká ngulë,
Ka xânë vend përmbas nji lisit;
Rrânjët e lisit shpërdá n’lumë.
Sa fort djali po mërzitet,
Ça ká qitun e ká thânë?
“Po si s’erdh kurr kjo mjesnatë!”
Kúr ká falë Zotyn mjesnatën,
Sa urtisht djali qi p’e msŷn!
M’a ka xjerrë thikën mâ t’preftën,
Kâmba-doras âsht avitë,
Edhé e pritka nji copë shatorr.
Ka bâ dorë mbrendë me shtî,
Aty djali ka gabue,
Se aty dora ndeshë n’ball t’njerit;
Njeri ishte e bija e krajlit.
Ka lshue vasha nji brimë t’keqe
Edhé ndenje e çue prej tremet.
Treqind çika p’r ‘i fjalë jânë mbledhë:
“Ç’kje kjo brimë?” – Tanushës po i thonë
“Qi kso vigme kurr s’ké bâ?”
Sa butë vasha u ká përgjegjun çikavet!
“Shkoni e bini, mori shoqe!
“Si lugat dishka m’u shti,
“E prej tremet gjumi m’duel!”
Me ‘i herë çikat kênkan shkepë;
Me’i herë vasha â ulë me rá,
E’i unazë n’tokë rrotullohet:
Shpejt e çon Tanusha toket.
Kúr ka pá ftyrën e djalit:
- Po ket ftyrë, Zot, ku e kam pá,
- Qi po m’giet me t’Halilit?!
Tjetër djali s’âsht durue:
“Zoti t’vraftë! – Tanushës po i thotë:
“Po a jé nieri qi ké besë?”
- T’thashin krahët, more djalë i rí!
- Se fort féll paske hî,
- Treqind shpirtna n’trup me i pasë,
- Kurrnjâ drita s’t’a ká xânë.
- Hakde mbrendë, kopil! – po i thotë:
- Se ja desim t’dy për nji herë,
- Ja kém pshtue t’dy për nji herë.
Sa mirë djali nuk po ngutet!
“Ndal nji herë!” – çikës i ká thânë.
E t’m’ka xjerrë shpatën prej millit;
Ka xânë pritën n’shtek t’shatorrit;
Ka lshue synin rreth oborrit;
Rob i gjallë asaj nuk shifet;
At-herë djali mrendë ká hî.
E ka marrë vasha për doret,
Shpejt e shpejt te ‘i odë i prîn.
Oda ishte mbushë me pajë.
Tu’i kan zgiedhë ‘i parë petka ma t’mirat,
T’gjith ngrî n’ari si ko’kan kânë,
E Halilit para i a ká shtrue:
“Çou, Halil, shpejto m’u veshë!
“Se me t’xânë drita qyshe jé,
“T’dyvet krajli veç na pret!”
Krejt si çikë djali po dán.
Ka nisë dritë me lbardhë terrin:
Mârrtas dielli kênka çue.
Zot, ç’po bâjnë çikat e krajlit,
Qi kaq herët kênkan çue?
Po ngarkojnë lesh sa kû munden,
Për me rá deri n’at lumë:
Po shpërdahen gurve t’lumit,
Gurve t’lumit, kah po lajnë,
Herë po lajnë herë po këndojnë.
Del Tanusha n’at breg lumit
Vetë e dyta gisht për gisht;
Vênd po xân te gurt e lumit
Kan qitë çikat e e kan pvetë:
“Amanet, mori e bukra e dheut,
“Po kjo vashë n’dorë qysh t’ka rá,
“Qi né pahin krejt na paska marrë?!
“Syni i saj, si syni i zanës;
“Balli i saj, si balli i hânës;
“Shtati i saj, porsi hala n’bjeshkë:
“Kurrkund shoqen nën ket diell s’e paska!”
- Zoti u vraftë, mori treqind çika!
- Gjâ e pa shoqe s’âsht n’ket jetë.
- Fukaré, e mjera ka qillue;
- E ka xânë pasha i Dumlikës,
- Por kjo pajë s’ka ku me marrë:
- Baba dekë e kalbë nën dhé,
- I a ka msy kullën tatës krajl,
- A s’â send ndo ‘i pare me i a falë.
- Por ju lani, u pastë Tanusha,
- Lani lesh e mos u tallni!
Askurrnja mâ s’po e pëvetë,
Por po lajnë lesh gurve t’lumit,
Kush po lán e kush po kján prej dhimet.


* * *

Lum për tý, o i lumi zot,
Se ç’do t’bâjë krajlica n’at Kotorr?
‘I ândërr t’vshtír e paska pá:
Páka n’ândërr nji tufë berresh,
- Tufa ishte treqind delesh
N’mjedis t’tufës nji uk të zí:
Uk i zí si ‘i dash galan.
Trêmshem grûeja konka çue!
Fíll tu krajli konka shkue:
“Çou, bre krajl, tý Zoti t’vraftë!
“Se nji çikë Zoti t’ka falë,
“Tjetër djalë n’votër nuk ké,
“E qe ‘i motmot me sy nuk e ké pá.
“Hypi gjokut, kû t’jét mâ i shpejti,
“Se ‘i ândërr t’vshitë sonte kam pá”
- Hajre kjoftë! – i britka krajli.
“E ishte çue nji uk Jutbinet
“E treqind çikat i kish përdá”
Me ‘i herë krajli âsht mërthye;
Mirë e shtrëngon dorín e mejdanit;
Mirë shtrëngohet me hekurat e shtatit;
Ká marrë rrugën, qi çon te bregu i Tunës.
Treqind çika qi po i njehë,
Nji mâ tepër qi po i del,
Ajo mâ e bukura qi m’ishte ndër shoqe,
“Oj Tanushë, lum baba!” i ka thânë:
“Po kjo çikë n’dorë kah t’ká rá,
“Qi n’dynjé shoqen s’e paska?!”
- Fukaré, e ngrata ka qillue,
- Tata dekë, e nâna mbete rrugash,
- E ká xânë Pasha i Dulmikës.
- E pá pajë, qyqja ká ndodhë,
- Fill ká ardhë e ká msy tý,
- A s’â send ndo ‘i pare me i a falë!
Sá mirë krajli âsht pshtjellue:
“Tash po nisna për Kotorre t’reja,
“Ti me vedi çikën ké me e marrë!”
Ka dhânë emër krajli me bujrí,
Treqind çikat me i shtërngue!
Shpejt meqaret i kan ngarkue;
Për Kotorr tek janë fillue;
Asht Tanusha n’t’mramin rresht
Me Halilin gisht për gisht:
Djali m’gjok – vasha n’dorí.
Mirë ushtrija qi po i rue.
Kurrkund giasë s’po i shofin për me hikun
Mbas trí ditsh e mbas trí netsh
A kapë çeta te Kotorret e reja,
Treqind çika jânë shkrepë ndër koniqe;
E ká zgjedhë Tanusha ‘i kullë mâ t’mirën,
N’breg të detit, përmbi ‘i shkam,
Dymdhetë ketesh kulla e naltë,
Kërkund shoqen nuk e kishte,
Treqind hapash kulla e gjânë,
Të tana ballët guri s’latue,
Latue shkami prej mermerit.
Aty gurrat me u flladitë,
Aty kopshti me u mahitë,
Aty velat me velzue,
Me velzue për shpînë të detit.
Kur po hîn njeri n’at kullë,
Me kujtue se ká ndrrue jetë.
Me Halilin mrêndë kan hî.
Paskan ndêjë trí dit e net,
As kan hângër, as kan pí;
“Qysh i a bâjmë me kthye n’Jutbinë?”
Sa mirë vasha âsht kujtue!
“Me i dhânë gjokut shpîn’n e detit;
“Na po hîm m’nji barkë me rrema;
“Na po hîm m’nji barkë me vela;
“Ti vozit, un drejto velat!
“Na çon Zoti ‘i freskí t’hollë;
“Na i shtyn velat për krahinë,
“Aty n’breg gjoku na pret;
“Se un drue nânës me i kallxue!”
I kan dhânë gjokut shpînën e detit.
Por ç’ka bâ Shkina e Kotorrit?
Kish pá gjokun mjedis valës s’detit;
Fíll te krajli kenka shkue:
“Zoti t’vraftë!” – krajlit i ka thânë:
“Tash trí dit çika n’Kotorr â ardhë,
“E as un as ti me sy s’e kemi pá!?
- Hajt sa t’duesh, për n’daç me e pá,
- Se mue ngaëja kurrkund sot s’m’a qet!
Sa fort shpejt krajlica gadi â bâ!
E ka marrë rrugën e bregut t’detit,
Për me shkue te kulla e bukur;
Aty m’gjêka kullën xânë.
Sa mirë zânin, Shkina, e ka t-hollue!
“Oj Tanushë, lum nâna!” – m’i ka thirrë:
“Çilma derën ‘i herë synin t’a shif,
“Se malli i yt â kah m’çon n’tjetër jetë!
A dridh çika për mbas deret:
“Po si m’thue, Halil, me bâ?
Çilja derën, n’bafti t’Zotit!
Kurkund zêmra s’i bân me shdrŷ derën,
Sa shpejt n’mend i ra çikës edhè ‘i fjalë!
“Pa ndigjo, lum nâna! – i thotë:
“Po qysh t’dal, e mjera, derën me t’a çilë,
“Me ket dergjë, qi shtatin m’a ka kputë!”
- Hajt, moj bí, lum nâna!” – i thotë:
- Vetë, t’pastë lokja, e ré qi kam kânë,
- E q’aso dergje shum herë qi m’ká rá:
- Por po t’ap besën e Zotit,
- Se tý dergjen nâna t’a ká shndoshë;
- Por çilm derën e mos m’lên me pritë,
- Se ti nânën nânkë ké për t’a pasë!
A rrejte bija e zêmra hiç s’po e rrê;
N’bahti t’Zotit tek ká rá për shkallësh,
Aspak pênin doret s’e ká hjekun;
Aspak velin m’ânesh s’e ká tretun,
Edhe derën nânës i a paska çilun.
Po, por nâna s’ish’ kênë nânë:
Ish’kênë bishë qi hate drangujt.
Kúr ká pá Shkina Sokol Halilin,
A dredhë mrapësht, si dredhet gjarpni:
“Zoti t’vraftë, moj bí, si t’paska vrá!
“P’a me cuba kullën e ké mbushë?
Edhè derën e ká shkrepë,
Fill tu krajli tek â shkue:
“Ke mberue, krajl kapede!
“T’kan ardhë cubat e Jutbinës,
“E tý kullat t’i kan zaptue,
“Erzin marrë, çikat shnjerzue!
- T’u thaftë goja! Ç’jé kah thue?
Ka britë t’madhe Shkjau i Kotorrit,
Edhè ftyra zjarm i paska marrun.
Shpejt konka shterngue,
E e rrethueka krej bregun e detit;
E e ka msye kullën e shkamit,
- Hiç s’po i nepet djalit me qindrue
T’dy për krahit krajlit i ká kapun:
“Si m’shnjerzove kshtû, Tanushë, mjerë baba!
“Qysh me ndêjë me cuba të Jutbibës?”
N’burgje t’fella Halil’n e ká ndry,
Rrugën e madhe Tanushës i a ka dhânë:
“Qetash udha e mare t’kjoftë, mori bí!
“Se kto jânë rrugat, qi ké dashtë me marrë!
“E ruej se e msy tjetër derën e shpís;
“Se babës e vedit i a ké mbyllë me ferrë!”
Qat-herë vajin ka marrë çika e rrugën;
Ka marrë gjâmën e fort po gjâmon,
Krejt e mjeron rrugën, kah po shkon.
Kan dalë gjindja me veshtrue ata vaj,
As me i u avitë kurrkush nuk po guxon;
Kaq rojë t’madhe krajli i kishte vû.
Kur ká mrrijtë te kryet e Kotorrit
Mirë p’e ndajë Jovani e p’e pvetë.
“Ç’â kta vaj, Tanushë, lum motra! i thotë:
“Se kso brimet kurr nuk kemi ndi!
“Ktheu nji-herë e t’hîm mrenda në shpí!
“Ty dishká po deshtka sot me t’gjetë!”
“S’ké pse m’ton, Jovan, për me dredhue!
“Rob kan xânë Halilin e Mujit,
“E mue rrugat tata m’i ka dhânë,
“Mâ për t’gjallë te shpija mos me kthye!”
- Po ty, bí, hjeksín kush t’a ka bâ?
“Ah mos pritshma, Jovan, me kânë!
“Nâna qi m’paditi.
“Por amanet, Jovan, t’a paça lânë,
“Nji fjalë Mujit tu dera me i a çue:
“Qi me i rá mbrapa Halilit sa mâ parë,
“Ndryshej djali n’burgje t’u ká kalbë!”
Mirë Jovani e ká drejtue:
- Unë Mujit shtek as gjurmë s’i dí
- Por e ká ksajt nji bij krahinet,
- E ká kullën shi në krye t’Kotorrit,
- Derën e ré, t’ndreqme sivjet.
Fíll tu dera Jovanit e ká përcjellë,
E tu dera gruen e paska hasë,
Kah po kthete me bulirë prej kronit.
“Shka t’ká gjete, Tanushë-motra?”
Mue m’ká gjete shka mos t’gjetët kushi:
- Tata rrugat m’i ka dhânë;
- Derën e shpís mâ mos me e msye,
- Rob m’kan xânë at Halilin e Mujit;
- Tutem, djali ká sharrue,
- Po s’erdh Muji për me e pshtue.
Grue prej sisit qi kish’kânë.
Sá me ‘i herë i a shndosha zêmrën:
“Qi n’kjoftë Muju i gjallë e për të gjallë,
“Sot trí dit t’ka prî me qitë kunorë.”
E ká gjete nji njeri besët;
Me ‘i herë Mujit natën i a ká nisun;
N’nesret nadje djali â kapë tu kulla;
Nji kah nji krejt punët i a kallxon Mujit.
T’madhe burri paska nisë me qeshë:
“A t’kam thânë, Taraku i Kotorrit,
“Se Kotorret kan me t’a hângër kryet!
“Mos me m’ardhë marrja e Jutbibës,
“Tybe n’Zotin kâmbën nuk e luejta!”
A dalë trimi në beden t’Kullës,
Me ‘i kushtrim ká thirre Jutbinë e krahinë:
“Për nji punë, qi sot ká ndodhë.
“Kushtrim, djalë, me çetue!”
Me ‘i herë trimat kênkan mbledhë.
“Hajre, Mujë!” Kan qitë agët e kan thânë.
“S’kam shka u thom, more agët e mij,
“Veç m’koriti Sokol-e Halili!
“E kan xânë mbrendë në Kotorre t’reja,
“Qi tybe n’Zotin mbrapa n’i bie,
“Mos me m’ardhë marrja e Jutbinës!
“Me u shtërngue, burra, si t’mundi,
“Se dita e dekës mâ vshtirë ndryshej nuk vjen!
Treqind agët mirë janë shtërngue;
Kanë bâ ashtat trimat me ushtue,
Kan bâ lumet trimat m’u turbllue,
Kan â gjogat trimat me flurue,
E t’janë kapë te Kotorret e reja.
N’shevarinë t’detit kúr kan rá,
N’për rânë t’detit Muji i ká shpërdá:
“Ver me gojë mos guxo kush me bâ!
Sa mirë agët jânë mshehë e t’gjith pá zá po rrijnë.


* * *


Të lumët na për Zotin t’Lumin,
Se shumë njeri kênka mbledhë
Ndër ato Kotorre t’reja!
Me kushtrim krajli i ká thirre;
Tânë Kotorri tu kisha janë rá
Ditë e dielle si m’kish qillue,
N’mjedis t’logut nji djalë i rí,
Hekrat duersh, bugagít kâmbësh,
Aj âsht Halil aga i zi,
Mbarë Kotorret me ta qi po qeshen.
Mbet e i foli krajle kapedani:
“A p’e shef, Halil, dekën me sy?
“Kurr mâ ngusht, Halil, a thue jé kânë?
- Se kuvend burrash djali paska shtrue:
- Pa nigjo, more krajle kapedane!
- S’â ngusht njeri deri n’ditë të dekës:
- Deka vjen mbas mikut t’pré,
- Deka vjen mbas besës s’thyeme,
- A ‘i kue bukë mos t’kesh për mik.
- Sá mâ ngusht, krajli, qi ka kánë,
- Q’aq mâ lirë Zoti m’a ká bâ!”
“Fjal’n e mbrame, n’e paç, për me fole,
“Se ty jeta m’njat hû t’u ká sosë!”
- Zoti t’vraftë, bre krajle kapedani!
- Se Zoti e di, për kâ e ké ngulë at hû!
- Pesë dekika liri për me m’dhânë!
- Tjetër t’mirë né t’parët nu’na kan lânë,
- Kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme;
- Por me shpata m’u pre tuj këndue.
Sa burrnisht krajli e ka çue!
“Gjith sa t’duesh, Halil, me kndue!
Edhe duert mirë i a shpengojnë,
I a kan dhanë lahutën n’dorë;
Kurrkush djalin vesht s’und e ká marrë,
Krejt p’e kndon kângën n’gjuhë të parve;
“E kshtu drita e mbrame m’paska ardhun-o!
“Dielli xânë e majet xânë!
“Ku e lát ndoren, more diell?
“Ku e ké ndoren, mori zânë?
“P’a kjo â besa, qi m’patët dhânë?
“A po m’gjegjesh, more diell?
“Pásh njat dritë, qi t’flakron n’báll,
“Amanet t’a paça lânë,
“Amanet për t’mramën herë!
“Kërkoe bjeshkën kep e m’kep!
“Kërkoi mrizet gjithku janë!
“Ndezi ashtat anë e m’anë!
“Zirjau gjumin orëve n’mal!
“Zânës s’madhe falë me shndet!
“Thuej: Halili qetash mbet!
Ka fluturue nji zog prej malit;
U ndal zogu n’degë të nji ahit:
“Amanet, more zogu i malit,
“A ké flatra me fluturue?
“Pásh njat degë, ku rri pushue,
“Falë me shndet Gjeto Basho Mujit!
“E ate gjumi n’e pastë xânë,
“Kurr kryet shndosh-o mos e çoftë!
“Për n’kjoftë bjeshkve kah çeton,
“Kurr te shpija shndosh mos voftë!
“E për n’kjoftë kund ksajt tuj ndî,
“Kurr mâ ngusht vedin s’e dí!
Qaty Muji për fushë â dalë,
E e ká bâ nji piskamë t’madhe,
Janë shêmbë kullat der’n’themele!
E t’â trandun deti me hî mbrendë,
Kan gjimue malet, si për mot t’lig:
Kurrnja trimat nuk p’e lânë me hikë.
Luftë e rrebtë aty qi po bâhet,
Me dhâmbë trimat duen shoshojnë me shkye;
Me dhâmbë gjogat duen shoshojnë me marrë;
Notojnë kurmat féll në dét;
Notojnë trupat nëpër gjak;
Hiç s’po lodhet Gjeto Basho Muji:
Sa féll trimi m’paska hî!
“Ruej, bre Mujë, se krajlin po m’a çartë!”
Fort ka britun Sokole Halili:
“Zgidhmi kush prângat prej dore!
“Se kam bâ bé n’t’Lumin Zot,
“Qeky hû shpirtin me i a marrë!
Muji djalin e ka shpengue.
A turrë djali si i tërbue,
Gjallë me dorë krajlin ká xânë:
Me shpinë n’hû ditt i mbaroi.
Qat-herë burrat kan rrokë ûnat;
Shpejt gjyteti ka marrë zjarr,
Ka marrë zjarr krejt n’fund e n’maje.
Sa fort Muji m’âsht tërbue!
Aspak dhimbe trimi s’po ká,
As për kulla, qi rrënohen,
As për t’dekun, qi shkrumbohen,
As për fmij mbrendë kah po digjen.
Trí herë dielli ká pranue,
Trí herë hana ka ague,
Kërkund zjarrmi me pushue.
Kur ká bâ trimi me dredhë,
Kênka sjellë prej Kotorresh t’reja:
“A po ndieni, mori troje të rrênueme?
“Drumi i juej për tokë e dét.
Kushdo t’pvesë për tokë e dét:
“Po pse krajli u ka lânë shkret?
“Tradhtoi bín, thoni, nâna e vet!
“Ka xjerrë Muji vllán e vet!
“Mur Halili i vashë mbetë shkret!”


Visaret e Kombit – Vëllimi II, Tiranë 1937, f. 23 - 41

 

Visaret e Kombit


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...