Oshtima

Aloktonia kundrejt autoktonisë së shqiptarëve

Statusi gnoseologjik i një pikpamjeje

 

Autoktonia e shqiptarëve në trojet e sotme, falë studimeve thuajse tre shekullore të dijetarëve shqiptarë dhe te huaj, ndër të cilët vende nderi zenë J. Tunman, E. Mashi, W.M. Lik, J.G. Han, N. Jokl, R. Katiçic, E. Çabej etj, ka marrë vlerën e një fakti historik, që ka gjetur një konsensus të kënaqshëm në botën shkencore në përgjithesi.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se gjatë tërë kësaj periudhe nuk kanë munguar as përpjekjet për ta kundërshtuar atë, gjë që është krejtësisht e ligjshme si nga pikëpamja e teorisë së njohjes dhe nga pikëpamja e sociologjisë së shkencës.
Por, në qoftë se ngritja e hipotezave të tilla, që kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve nga pikëpamja e mësipërme mund të përligjej në fillim të shekullit tonë, në punimet e mëvonshme të një numri autorësh, si gjuhëtari rus A. Selishçev, gjuhëtari serb Ivan Popoviç etj. u përdorën si fakte kryesisht argumente, të cilat, si rrjedhim i studimeve të mëvonshme, kishin humbur vlerën e argumentit kundër autoktonisë së shqiptarëve.
Ky drejtim ekstrashkencor, i kundërshtimit të autoktonisë, i nxitur nga motive ekstrashkencore, vazhdon edhe në ditë tona, siç tregoi simpoziumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986, botuar në vitin 1988 në një vëllim të veçantë në gjuhët serbo-kroatisht dhe frëngjisht. Në këtë simpozium shkenca serbe doli me një program të gjerë kundër autoktonisë së shqiptarëve, duke shtruar si detyra kryesore të provonte se:
1. Koncepti i sotëm i shtrirjes teritoriale të ilirëve në pjesën perëndimore të siujdhesës ballkanike, që shkonte në veri deri në brigjet e Danubit, është i ekzagjeruar, andaj duhet revizionuar rrënjësisht deri në 1/3 e territorit që u është njohur deri sot.
2. Dardanët nuk janë një fis ilir, por trak.
3. Në fillim të mesjetës, ilirët e jugut (banorët e lashtë të Shqipërisë së sotme) ishin romanizuar.
4. Kësaj popullsie të romanizuar iu mbivendos një popullsi sllave qysh nga dyndjet e tyre të para në shekullin VI.
5. Shqiptarët, si një popullsi paleoballkanjke, kanë ardhur në trojet e tyre të sotme dikur në mesjetë, nga një zonë e pacaktuar e Ballkanit, nga Dardania, ose zbritën nga malet e Shqipërisë në fushat e banuara nga një popu

llsi sllavo-jugore.


Nga «panilirizmi» tek «ilirofobia»


Burimet e shkruara të lashtësive greke dhe romake na japin një tablo të plotë e madje dhe koherente të shtrirjes së ilirëve në hapësirë e në kohë. Të shqyrtuara në tërësinë e tyre, konceptet e Herodotit, të Strabonit, të Plinit, të P. Melas, të Apianit e deri te Stefan Bizantini krijojnë një tablo të tillë të shtrirjes territoriale të ilirëve: ky popull zinte pjesën perëndimore të siujdhesës ballkanike, duke u kufizuar nga perëndimi me detet Jon e Adriatik, në jug me gjirin e Ambrakisë, në lindje përmes kreshtave të vargmaleve të Pindit, luginës së Vardarit e Moravës, kurse në veri me lumin Sava në Gadishullin e Istrias.
Në mbështetje të njoftimeve të autorëve të lashtë grekë e romakë rreth shtrirjes territoriale të ilirëve erdhën edhe të dhëna të tjera të karakterit gjuhësor, arkeologjik, etnografik etj. Prej këtyre të dhënave duhen veçuar si posaçërisht të rëndësishme të dhënat e shumta gjuhësore nga fusha e antroponimisë e toponimisë që gjenden në veprat e indoeuropianistit të shquar të shekullit tonë, Hans Krahe, në të cilat emrat e njerëzve dhe emrat e vendeve të tërë territorit klasik të ilirëve (me kufi verior Danubin e në lindje me trakët e maqedonët) formojnë një unitet, në ndryshim të theksuar nga territoret fqinje trake, greke, kelte e italike.
Një studim analitik i Radoslav Katiçiçit, gjuhëtarit të shquar kroat të kohës sonë, rreth antroponimisë së lashtë ilire (Die Nuesten Forschungen iiber die einheimische Sprachschicht in den illyrischen Provinzen), nxori përsëri në dritë këtë unitet etnik të tërë territorit klasik të ilirëve për të cilin bëmë fjalë. Edhe të dhënat arkeologjike të arkeologëve jugosllavë, si Stane Gabroveç, Mate Suiç, Alois Benac etj, përputhen me konceptin e derisotëm rreth shtrirjes territoriale të ilirëve, duke e caktuar kufirin verior të tyre përkatësisht në kulturën e Halshtatit (pjesa veriore e Sllovenisë) e kufirin veriperëndimor të tyre deri në lumin Timavus.
Por, në vitin 1984, në mënyrë të papritur e të menjëhershme arkeologu serb Milutin Garashanin parashtroi një pikëpamje të re, që reviziononte rrënjësisht konceptin e pranuar përgjithësisht rreth shtrirjes territoriale të ilirëve. Tani e tutje ai do të linte jashtë trojeve etnike të ilirëve dhe japodët, liburnët, panonët, dardanët dhe dalmatët.
Meqë kjo përpjekje e tij dhe e studiuesve të tjerë serbë është përligjur edhe me nevojën e kapërcimit të konceptit të «panilirizmit», duhet bërë e qartë se çdo identifikim i «panilirizmit» me konceptin klasik të shtrirjes territoriale të ilirëve do të ishte një shtrembërim i madh, sepse dihet që me «panilirizëm» është kuptuar ajo prirje e zhvilluar në vitet 30-50 që u njohu ilirëve një shtrirje jo vetëm ballkanike, por edhe mbarëevropiane, në tërë Evropën Perëndimore e deri në Spanjë.
Së dyti, kthesa e këtij simpoziumi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë për një revizionim të tillë rrënjësor të kufijve etnikë të Ilirisë bie në kundërshtim të hapët me simpoziumet e mëparshme të Sarajevës, ku me një mirëkuptim të plotë shkenca jugosllave konfirmonte kufijtë klasikë të ilirëve. Por Milutin Garashanini, duke injoruar tërë rezultatet e derisotme të kërkimeve historike, gjuhësore dhe etnologjike që flasin për një përkatësi etnike ilire të dardanëve, edhe një fakt të tillë arkeologjik të lidhjes së kulturës ilire të Matit me atë të Dardanisë, mundohet ta shpjegojë me një deus ex machina, me lëvizjen e barinjve shtegtarë. Duke mohuar konceptin fillestar të vetin mbi përkatësinë etnike ilire të dardanëve, por pa sjellë asgjë bindëse për këtë ndryshim, ai arrin në përfundimin se ilirët zinin 1/3 e territorit të Dardanisë në sajë të një dyndjeje të fisit ilir të autariatëve.
Asnjë të dhënë bindëse, qoftë dhe vetëm arkeologjike, nuk ka sjellë për të përjashtuar territoret e japodëve, liburnëve, dalmatëve, panonëve dhe pelagonëve nga territori i përbashkët i ilirëve.
Tërë gjurmët e kulturës materiale ilire në Panoni, Japodi, Liburni. Dardani etj, ai përpiqet t’i shpiegojë me të ashtuqua.itura «enklava ilire», duke e shndërruar tërë pjesën perëndimore të Ballkanit të lashtë në një lloj «arkipelagu» ilir në trojet e popullsive fqinje.
Përpjekja për të mbështetur pikëpamjen e tij me kërkimet gjuhësore të Katiçiçit e të Fanula Papazoglusë kanë dështuar, sepse dihet që Katiçiçi ka provuar me ato të dhëna praninë e një etnosi të përbashkët ilir, brenda të cilit dallon grupe etnikisht më të lidhura. Kështu është interpretuar studimi gjuhësor i Katiçiçit në po këtë vëllim edhe nga ilirologia Papazoglu. Garashanini është përpjekur të shpjegojë faktin që të gjithë përfaqësuesit e dinastisë dardane kanë emra ilirë me një «infiltrim ilir» në Dardani, por në rrethanat e lashtësisë dardane asnjë infiltrim që nuk do të shpinte në përmbysjen e raporteve ndëretnike në favor të infiltruesve nuk mund të shpinte në themelimin e një dinastie ardhësish ilirë (madje as të një mbreti të vetëm ilir). Mund të konsiderohet me vlerë të posaçme për identifikimin etnik të ilirëve edhe fakti që në kohën e tyre, perandorë si Justini e Justiniani i Madh, të lindur në Dardani, quheshin perandorë ilirë. Baza empirike arkeologjike që ai sjell për të mbështetur këtë koncept të ri të tij, është njëkohësisht e dyshimtë dhe shumë më e vogël se korpusi i të dhënave arkeologjike që vërtetojnë unitetin etnik ilir të të gjitha fiseve të atij territori në jug të Danubit.
Përse atëherë duhet ngritur një hipotezë e panevojshme dhe e paqëndrueshme? Përgjigjja që u dha në atë simpozium se koncepti klasik u shërben interesave të politikës shqiptaromadhe, është ekstra shkencore dhe fantastike.


U romanizuan ndonjëherë ilirët e jugut?


Pikëpamja e shprehur në simpoziumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve lidhur me fatin e popullsisë iliro-jugore është se ajo u «romanizua» të paktën qysh në shekullin e gjashtë, duke kuptuar, me romanizim atë proces skajor të asimilimit etnik, që do të arrihej kur kjo popullsi të humbiste vetëdijen etnike dhe gjuhën e saj, duke folur një dialekt të latinishtes vulgare.
Ç’prova u sollën në simpozium për të vërtetuar këtë romanizim të ilirëve të  Jugut?
I vetmi fakt empirik i përmendur aty ishte gjetja në Shqipëri e mbishkrimeve latine me emra vetjakë latinë. Por do të ishte me të vërtetë naive që ta konsideroje këtë si provë të romanizimit të Ilirisë së Jugut.
Së pari, se Iliria e Jugut është vendi me numrin më të vogël të mbishkrimeve latine të zbuluara, në kontrast të theksuar me zonat e njohura si të romanizuara (nga 23 mijë mbishkrime latine, 9500 i përkasin bregdetit dalmat, rreth 7000 pellgut të Danubit të mesëm (Hungari e Austri), 5500 pellgut të Danubit lë poshtëm (Serbi, Bullgari Veriore e Daki) e 800 mbishkrime në Ilirinë e Jugut, në Traki e Maqedoni. Nga këto, në territorin e sotëm të shqiptarëve janë gjetur 200 mbishkrime latine, duke filluar nga shekulli I, nga të cilat gjysma në Durrës (ish-koloni romake) dhe zonën përreth, ndërkohë që ka shumë krahina, në të cilat nuk është gjetur ndonjë mbishkrim i tillë. Vetë kjo analizë sasiore flet kundër çdo procesi intensiv romanizimi në trojet e sotme shqipfolëse (sepse, edhe sikur të gjitha ato të jenë mbishkrime dedikuar latinëve, numri i tyre është aq i paktë, saqë mund të lidhen vetëm me përfaqësuesit e administratës romake në Iliri).
Së dyti, emrat latinë të njerëzve që ndeshen me këto mbishkrime, nuk mund të shërbejnë si kriter i përkatësisë etnike të atyre të cilëve u kushtohen mbishkrimet, sepse dihet që antroponimet (emrat e njerëzve) e huaja mund të përvetësohen nga një popull edhe pa ndodhur ndonjë ndryshim në përbërjen etnike të tij.
Së treti, në një territor të romanizuar nuk mund të ndodhte që, menjëherë pas ndarjes së perandorisë në pjesën lindore e perëndimore, të futej si gjuhë mbishkrimesh greqishtja, siç ka ndodhur në trojet shqiptare.
Të gjitha këto fakte kanë një forcë të mjaftueshme argumentuese për të bindur çdo hetues të paanshëm se asnjë proces romanizimi, në kuptimin e parashtruar më sipër, nuk mund të ketë ndodhur në Ilirinë e Jugut (në trojet e sotme shqipfolëse), siç ndodhi në Dalmaci, ku folësi i fundit i dalmatishtes (një latinishte vulgare) jetoi deri në vitin 1898, në Austri e Hungari, ku një latinishte vulgare është folur deri në shekujt IX-X, e në Daki, ku sot flitet rumanishtja si një gjuhë romane.
Nga pikëpamja metodologjike, Vlladisllav Popoviçi, i cili trajtoi problemin e romanizimit në këtë simpozium, ka proceduar në një mënyrë tepër të dyshimtë. Pa provuar ose argumentuar fare se në kolonitë greko-romake të bregdetit të Ilirisë së Jugut flitet vetëm latinisht (ose greqisht), pa provuar se në qytetet ilire fliteshin këto gjuhë të huaja, shpreh shqetësimin se «...ne nuk kemi ndonjë mënyrë të drejtpërdrejtë për të mësuar se në ç’shkallë ilirishtja flitej ende, apo nëse ajo nuk flitej më fare në vendbanimet më të vogla të fushës dhe luginave të lumenjve». Popoviçi këtu braktis atë që është e domosdoshme, metodën induktive, që do ta bënte të besueshëm përfundimin e tij se «gjuha që flitej në vendbanimet në veri të rrugës Egnatia, para dyndjeve të mëdha sllave, ka qenë në radhë të parë latinishtja». Ai ka arritur në këtë përfundim nëpër një rrugë «të lehtë», duke deduktuar gjuhën e banorëve nga gjuha e mbishkrimeve dhe emrave të njerëzve që gjen në to, ndonëse ato janë, siç pohon vetë «në numër të vogël». Po t’i përmbahej me konsekuencë këtij arsyetimi, Popoviçi do të duhej të pranonte se, pas pushtimit osman duhet të ketë ndodhur një imigrim masiv i një popullsie turke, mbishkrimet e së cilës në gjuhën arabo-osmane kanë vazhduar të shkruhen deri në shekullin  tonë. Ja absurditetet në të cilat mund të shpje rë premisa e gabuar logjike se «Gjuha e mbishkrimeve përcakton karakterin etnik të një popullsie».


Është ngulur ndonjëherë popullsi sllave në Shqipëri?


Pasi ka arritur «romanizimin» e tërë zonës urbane, të fushave e luginave të Shqipërisë, dhe, pasi ka pranuar mundësinë e mbetjes së një popullsie ilire të paasimiluar në malet e paarritshme të Shqipërisë (ndonëse kjo bie në kundërshtim me pikëpamjen e shprehur në atë simpozium nga Fanula Papazoglu, e cila e shikon Dardaninë dhe dardanët «trakë» si paraardhës të shqiptarëve), historiani serb V. Popoviçi arriti në përfundimin se qysh në shekullin VI në trojet e Shqipërisë së sotme ishte ngulur një popullsi sllavo-jugore, e cila iu mbivendos një popullsie ilire të romanizuar. Për të arritur në këtë përfundim, atij i mjaftojnë këto dy pohime:

1. Se në dyndjen e parë të vitit 548 sllavët kishin arritur deri në Dyrrakion (Durrës).
2. Toponimia sllave e Shqipërisë, e cila, sipas tij, nuk mund të lidhet vetëm me «ekspansionin e shteteve bullgar e serb», por në një pjesë të mirë lidhet me dyndjet sllave para këtyre pushtimeve.

Lidhur me faktin e parë, duhet kujtuar se edhe vetë sllavistët ç njohur, si çeku Lubomir Nierderle, kanë provuar se dyndjet sllave të shekullit VI në Ballkan kanë pasur karakter plaçkitës dhe nuk shpunë në formimin e ngulimeve sllave në ndonjë pjesë të Ballkanit.
Lidhur me toponiminë sllave në Shqipëri ia vlen të ndalemi disi më gjatë. Në këtë toponimi kanë lënë gjurmët e tyre shumë procese e dukuri etnologjike, gjuhësore, kulturore dhe administrative, që janë zhvilluar në këtë vend, andaj do të ishte naivitet të identifikohej prejardhja e toponimit me përbërjen etnike të popullsisë së cilës i përket ai toponim. Por problemi i toponimisë sllave në Shqipëri, me të cilin shpesh është abuzuar për të arritur në përfundime të kërkuara, këtu mund të shtrohet thjesht e në një mënyrë racionale:

1. Në Shqipëri gjendet një numër toponimesh sllave, që e kalon numrin e toponimeve latine, greke e turke të këtij vendi.
2. Toponimet sllave të Shqipërisë janë më të shpeshta në zonën rurale fushore e malore.
3.Toponimet sllave në Shqipëri janë të rralla në grupin e emrave të qyteteve, të lumenjve e të maleve.

Studiuesit serbë e konsiderojnë toponiminë sllave të Shqipërisë si pikën e fortë dhe themelin e pretendimeve të tyre rreth një përparësie sllave në këtë vend. Me gjithë se të dhënat që kemi nuk e provojnë drejtpërdrejtë a tërthorasi praninë e ndonjë popullsie sllave në Shqipëri para sundimit bullgar, ne jemi të gatshëm ta marrim seriozisht atë si një hipotezë pune në qoftë se do të vërtetoheshin dy rrjedhime të pashmangshme logjike të saj:
Së pari, se evolucioni fonetik i toponimeve të lashta (ilire) të Shqipërisë është kryer në përputhje me rregullat fonetike të sllavishtes jugore, ose, të paktën, me ndërmjetësinë e tyre.
Së dyti, rregulli i mirënjohur i metatezës së likuideve (metateza e Shevelevit), që veproi në sllavishten jugore deri në mesin e shekullit IX, duhet të ketë prekur toponimet e Shqipërisë, ashtu si edhe toponimet e pjesëve të sllavizuara të Ballkanit. Kjo do të ishte një provë e sigurt se ajo toponimi është formuar para shekullit IX, d.m.th. para pushtimit bullgar të trojeve shqiptare. Vetëm në këtë rast do të mund të thuhej se ajo nuk lidhet me ndikimin administrativ-kulturor të pushtimit, por me një popullsi sllave të vendosur qysh në dyndjet e para sllave në Ballkan.
Falë punimeve të shumta të thuajse dy shekuive të fundit, është provuar se toponimia e lashtë ilire, që është ruajtur deri në ditët tona, i ka evoluar vetëm në pajtim me rregullat fonetike të shqipes e të asnjërës prej gjuhëve te tjera ballkanike. Kështu doli Durrës nga Dyrrakion, Ishëm nga Isamnos, Lesh nga Lissos, Shkodra-Skodra, Buna-Barbana, Nish-Naisus, Shkupi-Skupi. Shtip-Astibos, Mali i Sharrit- Skardonmons. Vlora-Aulona, Vjosa-Aous, Sazan-Sasson, Arta-Araktos, Çami-Thyamis, të cilëve mund t’u shtohen: Gjirokastra (Ergjëria) nga Argiros, Amonica-Amantia, Palokastër-Panotë, Ballësh- Boulis. Edhe disa nga format e sotme lë rreth 30 kalave të lashta, që dalin në një listë të Prokopi të Cezaresë. mund të shpjegohen me veprimin e ligjeve fonetike të shqipes.

Ne vumë re se në toponimet e mësipërme gjenden të atilla (si Skardon mons, Barbana, Argiros), që, po qe se do të kishte me të vërtetë një popullsi sllave në këto troje, në sajë të metatezës së likuideve do të na dilnin sot përkatësisht në format (Skradon, Braban, Ragir). Po kështu, janë disa emra kalash që gjenden në listën e Prokopit të Cezaresë që mund të pësonin këtë metatezë (Therma, Barbat, Bargulis, etj) por, në të vërtetë, asnjëra prej tyre nuk e ka pësuar dhe na dalin përkatësisht në format: Çermë, Pobrat, Margëlliç, Cakran, Labovë, Vergo, Borsh.
Shihet fare qarë se të gjitha të dhënat që mund të nxirren nga shqyrtimi i mësipërm hedhin poshtë çdo mundësi për një prani sllave në këto troje dhe, meqë nuk gjenden gjurmë toponimesh sllave të para shekullit IX në Shqipëri, në mënyrë logjike e të natyrshme del përfundimi së toponimia sllave në Shqipëri lidhet kryesisht me ndikimin administrativ e kulturor të pushtimeve bullgare e sërbe gjatë mesjetës (shekujt IX-XI).


Hipotezë apo dogmë?


Rezultati i palëkundur i tërë atyre kërkimeve rreth 3 shekullore për prejardhjen e shqiptarëve ka qenë: Shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre të sotme.
Ndonëse në kundërshtim me rrymën e përgjithshme të mendimit shkencor evropian, një pikëpamje që mohon autoktoninë e shqiptarëve ka rreth dy shekuj që qarkullon në formën e hipotezave të pakonsoliduara, ndaj dhe jetëshkurtra. Sido që të jetë puna, kemi të bëjmë me një pikëpamje që nuk ka pushuar së shfaquri, me gjithë dështimin e të gjitha përpjekjeve për ta shndërruar atë në një strukturë teorike të besueshme.
Derisa ajo përfaqëson një dukuri reale, është e nevojshme të përcaktohet edhe statusi i saj nga pikëpamja e teorisë së njohjes.
Së pari, duhet thënë se sot, kur autoktonia e shqiptarëve ka marrë vlerën e një fakti historik nuk mund të përligjet zhvillimi i një pikëpamjeje që kundërshton autoktoninë.
Së dyti, gjatë thuajse dy shekujve të qarkullimit të kësaj pikëpamjeje nuk është zbuluar asnjë fakt që do ta mbështeste atë, ose të ndihmonte tërthorazi në argumentimin e saj.
Së treti, ajo as sot, as ndonjëherë tjetër në të kaluarën nuk ka marrë tiparet e një strukture teorike që do të meritonte të quhej hipotezë.
Këtë cen të tretë të pikëpamjes që kundërshton autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme, duhet ta shqyrtojmë pak më nga afër. Baza empirike (faktet historike) mbi të cilën do të ngrihej kjo hipotezë është shumë e dobët, edhe po të guxonim të thoshim se ekziston. Kështu, eksplanandumi (faktet që duhen shpjeguar) i kësaj «hipoteze» përfshin mungesën e të dhënave për shqiptarët në burimet bizan tine për shekujt VI-XI. Se sa i dobët është ky argument për të mohuar praninë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme në atë kohe, del nga fakti se shqiptarët nuk përmenden në atë kohë as në ndonjë vend tjetër të Ball kanit e megjithatë, përkrahësit e aloktonisë se shqiptarëve e quajnë të mundshme që, ata të kenë qenë në zona të tjera të siujdhesës ballkanike.    

Për t’i dhënë pikëpamjes së aloktonisë  së shqiptarëve statusin e një hipoteze, veç eksplanandumit, ajo duhet të pajiset dhe me një eksplanans (një procedurë dhe aparat shpjegues), që do të përshkruante kohën dhe vendin nga erdhën shqiptarët, rrugën dhe rrethanat në të cilat ndodhi ky shtegtim masiv i shqiptarëve. Por, në të vërtetë. deri sot askush nuk ka ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të krijuar një eksplanans të tillë.
Shihet qartë se kësaj pikëpamjeje që kundërshton autoktoninë e shqiptarëve, i mungojnë të dy përbërësit strukturorë që do t’i jepnin statusin e hipotezës. Por, edhe sikur kjo e metë të mos ekzistonte dhe pikëpamja e aloktonisë të kishte arritur të strukturohej plotësisht si një hipotezë, do të shtrohej pyetja:
I reziston ajo vallë verifikimit shkencor?
Kjo përgjigje lidhet drejtpërdrejt me përgjigjen që do t’i jepet pyetjes: Mund të bë hen, në bazë të kësaj hipoteze, prediksione (parashikime) që mund të verifikohen empirikisht?
Një prediksion themelor i kësaj hipoteze do të ishte: Gjurmë të shqiptarëve do të gjenden në atë zonë të Ballkanit që mendohet të jetë djepi i formimit të këtij populli. Por gjurmë të tilla (në toponimi, në kulturën materiale, në besimin popullor etj.) nuk ka qenë e mundur të gjenden në asnjërin prej vendeve të Ballkanit jashtë trojeve të sotme shqipfolëse.
Siç u tregua më parë, në Simpoziumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, u hodh edhe ideja se ky vend mund të ishte Dardania, dhe se shqiptarët mund të jenë pasardhës të malësorëve ilirë të paromanizuar. Të dyja këto ide kanë të përbashkët formimin e këtij populli brenda trojeve të sotme të shqiptarëve dhe ekspansionin e tij dikur në mesjetë në luginat dhe fushat e Shqipërisë, ku asimiluan ose përzunë një popullsi të mëparshme sllave.
Por, siç u tregua më parë, edhe kjo hipotezë rrëzohej përballë verifikimit të prediksionit të saj themelor: Toponimet e lashta të Shqipërisë do të kenë evoluar në përputhje me rregullat fonetike të sllavishtes jugore.
Duke përmbledhur sa u tha këtu, del se:
Së pari, ajo pikëpamje asnjëherë nuk ka arritur të formulohet plotësisht si një strukturë teorike që do të mund të quhej hipotezë.
Së dyti, gjatë thuajse dy shekujve të qarkullimit të saj nuk është zbuluar ndonjë fakt që ta mbështeste atë, as nuk është vërtetuar ndonjë prediksion që mund të rridhte prej saj.

Në rrethana të tilla, të besosh ende sot në atë pikëpamje do të thotë të braktisësh fushën e shkencës për të dalë në mbretërinë e irracionales e të fantazisë, të braktisësh historinë e një populli për të krijuar një fantazmë të tij. Po të mos merren parasysh faktorët ekstrashkencorë (politikë) që e motivojnë sot qarkullimin e kësaj pikëpamjeje, shumë larg statusit të një hipoteze, ajo nuk do të përfaqësonte më shumë se një dogmë të paprovueshme.

 

«Shkenca dhe Jeta», nr. 4, 1989, f. 8-12.

 

Nelson Çabej


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...