Oshtima

Deka e Omerit

Argumenti: Muji së bashku me Halilin e me Omerin del në bjeshkë për m’u grî me shkjé. Halilin e qet në Maje të thatë e Omerin tu Kisha në fushë të Krajlnís. Omeri vret popin e n’at pushkë e rrethojnë shkjét e i bâjnë nândë plagë në shtat e kërkojnë me e bâ me dalë jashtë, por ai nuk rrehet e i ligshtuem lshon nji gjame, të cilën e ndien Halili në Maje të thatë. Halili nget tu Muji e të dy bashkë u bín shkjeve e i shpërndajnë. Mandej shkojnë te Omeri, e vên në gjog, por u vdes në bjeshkë, tue i porositë mos t’i diftojshin nânës.

 

Grues s’vet Muji m’i kishte thânë:
- Çou trí shûjtë gadi me na i bâ!
Njat t’êmën me uj prej bunarit,
Njat t’Halilit me lâng prej sheqerit
E njat t’Omerit me tamël prej gjiut.
Grueja Mujit ká qitë e i ká thânë:
- Pásh at Zot, Mujo, qi t’ká dhânjë,
Mos Omerin shpijet me m’a tretë,
Se shtatë Omera t’mirë si i pata,
Shtatë Omera jam kah kjáj e ngrâta,
E s’po dij as vorret ku po i kan,
Se t’shtatët dekun n’bjeshkë ti m’i ké lânë
Muji grues çka qitë e i ká thânë:
- Mos kjaj djemt qi n’luftë kan dekë,
Mos kjáj t’gjallët, qi n’bjeshkë duen me çetue,
Se dekë mâ e amel, s’âsht se n’luftë m’u pré.
N’luftë m’u pré pa i lânë marre vedit.
Trí shûjtë gadi prandej me na i bâ,
Se n’bjeshkë sot un po due me dalë;
Ndoshta e kam exhelin me dekë,
E pá zanat Omeri po m’jet.
Kúr t’i bijë huj djalit gjí me pí,
Lâng sheqeri i ap sá t’duejë m’u ngî:
Kúr t’i bijë huj djalit për me fjete,
N’petë s’sylahit e vndoi me fjete.
Qatëherë grueja trí shûjtë i ká gatue.
N’shpinë gjogave trimat m’u kan kcye,
Tim e mjegull gjogat m’i kan bâ,
N’maje t’bjeshkës fort shpejt kanë dalë,
Trí dit rresh npër bjeshkë janë ndalë,
Kurrkund çetë me sý s’kan pá,
Dikúr vonë Muji ká thânë:
- Ti, Halil, n’Maje t’rreptë me dalë
Si n’mujsh kund çetë shkjaut me pá,
Sá mâ parë ti ktu me ardhë.
Shpejt Halili âsht çue n’kâmbë,
Në shpinë gjogut i ká hipë,
Ká marrë rrugën nëpër kreshtë,
Nëpër kreshtë drejtë Majes s’rreptë.
- Ti Omer, Omer Aga i rí,
A thue tutesh për me rá n’krajlí,
N’fushë t’krajlís â ‘i kullë e bardhë,
Kulla e bardhë âsht kisha e shkjaut.
N’kjoftë se dera e çilun ká qillue,
Mos guxo kishës me i u afrue;
N’kjoftë se dera mbyllun ká me kenë,
Shpërthe derën e mbrendë ngujoju;
E ruej se t’rrêjnë shkjét për me dalë,
Ruej se t’rrêjnë shkjét për me t’grî.
Se kúr t’dalë nesër drita, daltë e bardhë,
Shkjé t’pá farë tu kisha kan me ardhë
Pse ditë e diellë nesër ká qillue,
Pushkën shkjeve prej kishet me u a fillue,
N’trí rrugë kryq un due m’u shtërngue,
Nuk lâ kënd asajt me kalue.
Si sokol Omeri n’kâmbë âsht çue
M’i ká kcye gjogut në shpinë,
Tim e mjegull gjogun e ká bâ,
Kundruell kishës djali kúr ká dalë,
M’i ká ndalë vrapin gjogut t’bardhë,
Dorën ballit i a ká vndue,
Pse turbí me vedi s’i ká qillue,
Derën e kishës mbyllun e ká gjete,
Sá trimnisht tu kisha ká vojtë,
Me nji shtjelm derën e ká thyr,
Edhe mbrendë Omeri âsht ngujue,
E përmbrapa derën e ká ndry,
E gjith natën vetun ká ndêjë.
Kúr ká nisë drita për me dalë,
Ká pá popin n’kishë kah don me ardhë,
Djali popin n’pushkë e paska gjue,
Dekun n’tokë popin e paska lshue.
N’tânë krajlnín u qit me ‘i herë kushtrimi
Gjith rreth kishën shkjét m’a kan rrethue
S’po pushojnë trimat tue luftue;
Por kush mbrendë s’ká mujtë me hî,
Por kush mbrendë s’ká mujtë me pá,
Nj’a nândë plumbe Omerit m’i kan rá,
Shpirti t’mjerit gadi i ka dalë.
Ç’ish kujte nji shkinë, e vrafti Zoti!
I a ká shkrue syretin n’Mujin,
I a ká qitë me e pá n’prezore.
- Del, Omer, me pá i gjellë në jé,
Se na Mujin sot-o t’a kém pré.
Ká qitë Omeri e i ká thânë:
- Ik mori shkinë, shkina e pá lame,
Se un për Mujin nuk kam dert.
I a ká qitë syretin n’Halilin,
Syretin me konop në fyt.
- Del, Omer, Zoti të vraftë,
Se vr1a e furë Halilin të kena.
Shndosh e mirë Muji e Halili ishin,
Nji sahat pushueshëm trimat s’rrijshin,
Edhe mjaft shkjé vrá qi kishin;
Por Omerin dojshin për me e rrê,
As jashtë t’dale për me e vrá.
Kúr i a qiten syretin e Halilit,
Atëherë drita i u turbullue,
E kujtoi, se â dekë e shkue,
Nji gjame për dhé Omeri e ká lshue,
Fíll në vesh Halilit te i ká shkue,
Për t’poshtë trimi shpejt âsht fillue,
N’trí rrugë kryq Mujin e ká gjete,
- Zo’, nji gjame, Mujo, çka do t’jét!
Gjâmët e Omerit për dhé mue m’kan ardhë,
Bé në Zotin Halili i ká bâ,
Fort ngusht Omeri po âsht.
Halla n’kâmbë trimat kânkan çue,
Në shpinë gjogave u kan hipë,
E kan marrë rrugën e janë nisë,
Kundruell fushës së krajlnís kúr kan rá
Sá t’madhe Muji âsht hallakatë,
Gjethi i ahit, thonë për tokë ká rá,
Mnera e madhe shkjét i ká marrë
Ika e madhe shkjevet u âsht dhânë;
Kan fillue trimat tue luftue,
Po don Zoti vllaz’n’et me u ndimue,
Po don Zoti e u âsht e u asht dhânë e mbara,
Shum kan vrá, mâ shumë kan vû përpara,
Larg kthye prap e kishës i u kan afrue,
T’madhe Muji ká bërtite:
- A jé gjallë, Omer Aga i rí?
Çou ti derën neve me na çilë!
Bé në Zotin Omeri ká bâ,
Qi kurrkujt un derën nuk i a çili,
Për pá ardhë Muji, ndo Halili.
Atëherë Muji i ká thânë:
- Çou, Omer, derën me na e çilë,
Se ktu âsht Muji me Halilin.
Kqyr çka ká thânë Omeri i rí:
- Nândë varrë pushkët n’shtat i kam,
Nuk po muj derën me jua çilë,
Po si n’kjoshi ju Muji e Halili,
Shtjelm derës ju për me i rá,
Copë e grimë derën ju po e bâni;
Por n’mos kjoshi Muji e Halili,
Gjallë s’u lâ derën për e çilë.
Me idhnim Muji derës shtjelm i ká rá,
Copë e grimë derën e ká bâ,
Atëherë trimat mbrendë kan hî,
I a kan bâ për hajr varret Omerit,
N’vithe t’gjogut Muji e ká vû,
E për vedi me kollana e ká njëshe,
E kan marrë bjeshkën përpjetë.
Nalt në bjeshkë trimat kúr kan dalë,
M’a ká fole Omeri nji fjalë:
- Pash ‘i Zot, Mujo, qi t’ká dhânë,
Vend me xânë e ktu m’u ndalë,
Se kah don shpirti për me dalë,
E ‘i amanet due me t’a lânë,
Nji fjalë nânës me m’i a thânë,
Nji fjalë nânës me m’i a çue:
Thuej Omerin tu daja e kam çue,
Se jam dekë mos me i diftue,
Se m’ká dashtë, e nisë me vajtue,
Se m’ká dashtë, e nisë me mjerue,
Me mjerue e vorrin tuj m’a lypë.
Atëherë shpirti Omerit i ká dalë,
Edhe n’bjeshkë vorrin i a kan bâ,
E e kan shkprepë nji gúr prej malit,
E kan lshue mbí vorr të djalit
Trimijë burra mos me mujtë me e luejtë.
E ç’ka qitë Muji e ká thânë:
Hej medet – tha – mori bjeshkë,
Se tetë Omera t’mirë si i paçe,
E tetë Omer ndër jú t’dekun i laçë,
Jú u thaçin Bjeshkët e thata,
Dushk as bár ndër jú kurr mos daltë,
As uj ndër jú kurrë mos u piftë!
- Amanet, maje, jau paça lânë:
Ortek boret ksajt mos me rrxue,
As ktij vorrit mos t’i afrohet,
Omeri i rí m’merohet.
Amanet, zogj, jau paça lânë:
Kurr ksajt, mos me kndue,
Omeri i rí e m’merohet,
Amanet, çobaj jau paça lânë:
Kurr gjân ksajt mos me e prû,
Ndien Omeri kumbonte tuj tingullue,
Ndien barit fejve kah u bín
Asht i rí e përmallohet.
Amanet, mor llavë, jau paça lânë:
Kúr t’u qesin rruga ksajt me rá,
Mos me britë, as dajre mos me bâ,
Pse kam Omerin ktu djalë të rí
M’përmallohet e malli e merr për shpí.
U kan hyp gjogave në shpinë,
E n’shpí trimat kúr kan shkue,
Ká fillue grueja e i ka pvetë:
- Po Omerin, Zo’! ç’e ká gjete?
A thue n’bjeshkë edhe ai si të tjerët ká dekë?
Ká marrë Muji e grues i ká thânë:
- Na te dajat Omerin e kém lânë.
Bé në Zotin prap grueja te u ká bâ:
- Se pá mue Omeri n’daja s’â kânë,
Por në bjeshkë dekun si e keni lânë.
- Mori, nuse, Halili i ká thânë:
Na Omerin n’bjeshkë dekun si e kém lânë,
Edhe vorrin n’bjeshkë i a kém punue,
Ti veç shndosh me gjith kra robt t’ú.


Curraj Epér – Lulash Zefi

 

Visaret e Kombit – Vëllimi II, Tiranë 1937, f. 218 - 223

Visaret e Kombit


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...