Oshtima

Halili merr gjakun e Mujit

Argumenti: Zotnijt e Jutbinës dalin me luftue në Shkiení pá Mujin e Halilin. Ndërsá gjindeshin të mbledhun në Kunorën e Bjeshkës, Bud Aline Tali këshillon shokët me shkue ndonjeni ndër ta me e marrë Mujin. Çojnë nipin e Mujit, Dizdar Osman Agën vetë të dhetin. Larg prej konakut të Mujit ndeshin në t’âmën e trimit, tue lá në nji bunar teshat e djalit të vet të përgjakuna. Dizdari përvetë për Mujin; e âma i u kallxon se djali âsht varrue rândë e se gjindet në të shtrueme. At herë kreshinët drejtohen kah kulla e Mujit, ku gjejnë derën e ngujueme. Muji çohet prej së shtruemes e, tue u mbajte, u çilë derën, u kallxon se si Shkjét tinëzisht e kishin varrue rândë. Tue pá atëherë kreshnikët se s’ishte e mundun me marrë me vedi Mujin, lypën prej tij qi t’i epte me vedi mostjetër vllán e vet, Halilin.
Ndërsá Halili shilon gjogun e gatohet për me shkue, Muji u kallxon kreshnikvet varret e shtatit; Dizdari me shokë çuditën, kur shofin nën jergan të Mujit Orën, qi i rri ndêjë te kryet, gjarpnin mbledhë kulaç te varret e ukun kah rrebtas e ruen te kâmbët. Atëherë Dizdari merr me sjellë në bishë, po Muji i ndalon dorën, i thotë, se Ora e ruente; gjarpni e mjekonte e uku s’i lênte kënd me kalue.
Halili niset bashkë me Kreshinë. Kur mrrijnë në Bjeshkë, Tali vên gojë në Halilin, i cili trazohet aq fort sá shkëputet shokësh e kuk vetëm niset për Shkjení. Mrrinë te saraji i krajlit, i cili s’gjindet në shpi n’at kohë, i rrëmben të bin e bashkë me ngujohet në nji shpellë bjeshke. Krajli e dorasi i Mujit qesin kushtrimin e i lëshohen në shpinë Halilit. Halili qëndron trimnisht përmbrenda shpellës e i qet pikë gjallë. Shkjét, tue pá at shëmtim qi u bâ me ta, mësyjnë me turr me pështue prej duerve të Halilit Krajlin e vdekun. Trí Zâna kur shofin Halilin të lodhun, fluturojnë në Jutbinë te Muji e i kallxojnë se Halili gjindej në rrezik të jetës. Muji mjekohet prej Zânash e i shkon në ndihmë vllaut; shpërdán Shkjét e i avitet shpellës, ku shef Llabutanin (dorasin) vdekur. Përgëzohet me Halilin e së bashku dredhin n’Jutbinë, ku thrrasin mbarë Krahinën në darsëm të gjakut të marrun.


Të lumt na për t’Madhin Zot
Qi s’jém kânë e Zoti na ká falë!
Erë e madhe n’Jutbinë kênka çue!
Pluhun i maadh, si rê, tek âsh pshtjellue:
Kah m’janë nisë sot treqind Agallarë?
Ku po dalin kta me treqind atllarë?
Duen me dalë n’at Kunorën e Bjeshkës.
Nji lamë t’bukur me sy po kundrojnë,
Ah e rrnej për anë qi p’e rrethojnë,
E npër ta brej e çetina:
Ishte breu theu njimí vjeç,
Ishte hala thue trimi vjeç.
Aty gjogave Agët u kan zdrypë;
Kan xânë vend trimat e po pushojnë.
Si mërzitshëm burrat na ki’n qillue,
As kuvendi kurrkujt nuk po i hecë,
As për fllad gurrat s’po i kërkojnë;
Veç po i lshojnë gjogat atij ashtit,
Vetë po mblidhen tu ajo hija e ahit.
Atëherë foli Bud Aline Tali:
Me habi Agët ai po m’i kqyrë:
“Mirë se n’çetë, mor shokë, ne kemi dalë:
“At mâ t’mirin këtu nuk po e kém:
“Nuk kém trimin, qi dridhe gúr e dhé;
“Ktu s’po kém at Gjeto Basho Mujin.
“I parë çete Mujë m’âsht,
“Zanát çetën po m’a ká,
“Pllambë për pllambë krajlín m’a njef:
“Pá tê n’çetë nuk kém shka bâjmë,
“Me tê n’çetë nuk kanë shka na bâjnë:
“Cillin t’çojmë prá Mujin për m’e marrë?
“Po çojmë plakun Dizdar Osman Agën!
“Nip e ká e hatrin fort m’i a ká,
“E njaj Mujin në çetë po na bjen.”
N’kâmbë Dizdari fill tek kênka çue,
Po shkundë tirqit, po i mbërthen dyslleqet,
Dý-trí herë mustakave m’i u ká dhânë:
Sá me shpejt ai gjogun m’a ká thirre:
“Hajde, gjog, të nisna për Jutbinë!”
Hinglloi gjogu , - bumbulloi tânë logu.
Kaq të bukur Zoti m’a kisht falë:
Shtati i tij tânë roga-roga
Rogat ishin bardh e kuq e zí,
Porsi lulet kúr po çilin n’vrrí.
“Hajt, bre bacë – Dizdari m’i ká britë,
Kah don frenin me i a shti në gojë:
“Mjaft jé shkundë n’at barin e Bjeshkës;
“Shtrëngo shtatin se do t’bijmë n’Jutbinë,
“Për me marrë njatë Gjeto Basho Mujin!”
Hinglloi gjogu, me kâmbë çukërmoi:
“Rri urtë, gjog, bre”, plaku m’i ká britë;
Si ‘i zet vjeç në shpînë m’i ká kcye,
Për Jutbinë rrugën e ká marrë:
Dizdar Aga me dhetë shokë n’atllarë.
N’livadh t’Mujit trimat kúr jan vojtë,
Nânën e Mujit aty e paskan gjete,
Kah lán tesha aty n’nji bunar;
Krejt me gjak gurrën e kish bâm.
Hinglloi gjogu, prap me kâmbë po grrye.
Qaty plaku vetullat m’i ká vrâ:
“Zot, kta gjak, bre nânë, shka m’âsht?
“Ku ká krisë, burrneshë, kjo çetë e zezë?
“Gjâ s’kém dijtë as gjâ nuk kemi ndie!”
Nâna e Mujit trimnisht po i përgjegjë:
Kúr jam çue nade n’sabah
Kam marrë fushën larg me sy,
Kam shikjue bjeshkë të zeza,
Kam shikjue do lugje e do gurra,
Askund Mujin s’e kam pá:
Por ka pá dý kual mbas deret,
“Me çetë n’Bjeshkë Muji m’ká dalë:
“N’çetë të krajlit djali kúr m’ká ndeshë,
Se tinëzisht fort Shkjét m’a ki’n rrethue,
“M’tridhetë heshta p’r’i herë m’a ki’n gjue
“Dhetë për shtat ngulë e kan shpue.
“Ká dashtë Zoti e gjogu e ká pshtue:
“Gjogu i mirë te shpija m’a ká prû.”
Me t’peshueme plaku ‘i fjalë ká folun:
“Qetash dashka Zoti me na fikun!”
Edhe gjogu n’mamuza m’a ká therun.
Idhshëm trimat, idhshëm gjogat ngasin,
Turr e vrap rrugën po m’a marrin.
N’derë t’konakut Mujit na i vojtën.
Edhe derën Muji vetë i a paska çilë,
E tu’u mbajte Muji n’shtroje paska dredhë:
Qitka Mujit Dizdari e i ká thânë:
“Po ç’kje kshtu, bre Gjeto Basho Muji?
“Po kto varrë, bre burrë, ti ku m’i more?
Me buzë n’gaz Muji i kish’ përgjegjë:
“Kam pasë dalë n’at bjeshk-o për me gjue,
“Çeta e krajlit tinzë m’ki’rrethue
“Tridhetë zhgjeta n’shtat m’i kan vringllue
“Dhetë për shtat, tjerat në gunë m’janë ngulë;
“Trí në zêmër, besa, m’kan ligshtue,
“Deshti Zoti, gjogu më ká pshtue,
“Dér n’saraj nuk dij se si m’ká prû.
“Se ç’âsht varra deri m’sot s’kam dijtë,
“Por kjo kênka nji hall fort i rândë,
“Pse i varruemi kênka vorr për shpi,
“Rândë për vedi, mâ rândë për shoqní!”
E n’të shtrueme Muji m’paska hi.
Sýt me lot Dizdarit m’i u kan mbushë,
Po e rrê mendja Muji s’çohet tjetër.
Mbarë e mbarë kuvendin m’ká fillue:
“Hall mbí hall, bre Muji na paska xânë,
“Treqind Agajt n’Bjeshkë un i kam lânë,
“Fíll te ti, Muji, m’kan çue me t’marrë,
“Për rrezik qi t’ká gjete tý e né,
“Kurrnja nesh erë sendit nuk kém ndie.
“Na prej Bjeshke s’kém tash kursi kthejmë,
“Nji rixha, Mujo, un do t’a bâj:
“A s’na falë njatë Halil Agën e rí,
“Bashkë në çetë me dalun ndër krajlí?”
Mundshim Muji plakut m’i përgjegjet:
“S’muj Halilin, Dizdar, me t’a dhânë,
“N’çetë pá mue kurrkund nuk ká kânë,
“Nji fjalë t’rândë me u gjete kush me i a thânë,
“Âsht i rí e fjalën nuk e bán!”
I a pret fjalën atëherë Dizdari n’gojë:
“Se kto fjalë, bre Mujo, gjâ nuk janë.
“Sot Halilin, Mujo, m’a ké dhânë;
“Nji fjalë t’rândë po goxoi kush me i a thânë,
“Po t’ap fjalën, Mujo, se zot i kam dalë.”
Prej Halilit Muji kryet ká sjellë:
“Çou, or bacë, prá gjogun me shilue,
“Me kreshnikë në çetë me shkue,
“Shtërngou n’armë, bacë, sá mâ mirë të mundesh
“As për mue mos kij hiç mërzi.”
Por Halili Mujit na i ká thânë:
“Mirë se n’çetë, Mujo, tash po dal,
“Fort të lig n’të shtrueme jam tue t’lânë
“As s’e dij, bre bacë, se kush t’ká vrá!
“Pásh ‘i Zot, bre bacë, qi të ká dhânë,
“Pásh ket, loke qi na ká përkundë,
“Kush të vrau, bre Mujo, me m’kallxue
“Se un gjakun s’po e dí se ku t’a marr!”
“Po t’kallxoj, more vllá, se kush m’ká vrá:
“Vrá më ká njaj Llabutani i krajlit:
“N’krye t’krajlís sarajin qi m’a ká,
“N’krye t’krajlís qajo kulla e bardhë;
“E hajdi tash e çeta e mbarë u kjoftë!”
Atëherë foli Dizdar Osman Aga:
“Qetash, Mujo, jena tue u çue,
“Sá Halili po shtrëngohet,
“Edhe gjogun p’e shilon,
“Varrët e tua, Mujo, due me i pá!”
Pak jorganin Muji e ká shpërvjelë
Varrët e shtatit Muji m’i ká zblue:
Kob të rândë po shef plaku me sý:
Gjak e qelb tânë shtati m’i u kisht bâ.
Ishte varra n’gjoks sá me hî grushti,
Tânë mushknít nepër at varrë po shifën,
Edhe zêmra e burrit kah po i rreh:
Ishte zêmra të tânë kodra-kodra.
Fort jorganin Muji e ká shpërvjelë
Frigë e madhe plakun m’a ká marrë,
Te kryet e trimit ora po i rrin ndêjë.
Si mërzitshëm trimin po m’a kqyrë
Pshtetë m’nji brryl synin s’po i a dán.
Gjâ e vogël ora qi po ishte,
Si dý rrfé n’at báll dy sy m’i kishte
Dý herë rresht plaku s’mund e ká kqyrë.
Aty shef at gjarpnin pshtjellë kulaç:
Kishte shpinën të tânë shkrola-shkrola
Por nën krye na i kishte dý duer t’holla.
Kúr po i shkon plakut syni te kâmbët:
Shi ndër kâmbë m’ish ndêjë bisha pshtetë;
Sy për sy të dy kúr kênkan ndeshë,
Dhâmbët përjashta e buzën ká dridhe uku;
Njanën kâmbë kadalas m’a ká shtri;
Edhe shtatit kadalë m’i ká dhânë;
Si bân bisha kúr don me u çue në kâmbë:
Atëherë plaku fort na âsht frigue
Pak âsht zmbrapë e dorën n’shpatë ká çue;
Qatê Mujit dashe ka me i a pré.
T’madhe trimi por m’i ká bërtite:
“Mos, Dizdar, bre, t’plaçin të dy syt!
“Se kta mue, gjâ nuk janë kah m’bâjnë:
“Por ndimë t’madhe, besa, janë tuj m’dhânë.
“A po e shef ket Orë, qi m’rri te kryet?
“Natë e ditë mue njikshtu m’ruen.
“E ky gjarpën qi m’shetit npër varrë,
“Për ndimë t’madhe Zoti m’a ká dhânë,
“Nândë soj barnesh për nën gjuhë m’i ká,
“Trí herë n’ditë tânë varret po m’i lán.
“Se kúr dhimbat tepër më lodhin,
“Atëherë nisë gjarpni me këndue,
“Nji soj këngësh, qi kurrkund s’i ndí:
“Harroj dhimbat dhe bí n’kllapí:
“M’duket vehtia ka ‘i herë tue çetue,
“M’duket vehtia ka ‘i herë tue mrizue,
“Herë me dhí marr çetat un përpjetë,
“Herë bâj not nepër ujna e dét;
“Kúr m’lshojnë andrrat atëherë m’lshojnë dhimat.
“Nji ky uk i idhtë, qi m’rri te kâmbët
“Me kalue kërkênd nuk âsht tue lanë.”
Atëherë shpatën plaku e ká ndalë.
Edhe Mujit dorën po m’i a merr:
“Mos u mërzit, bre Gjeto Basho Muji!
“Se me ç’giasë, qi jam tue pá
“Na ké xânë Bjeshkve tue çetue!”
Fíll për Bjeshkë janë nisë trimat me shkue.
N’maje t’Bjeshkës kúr na kan dalë
Aty gjetkan treqind Agallarë
Si mërzitshëm me Halilin falën:
“A mujtë, burra?” – u kan thânë:
“Mjaft kadalë” – burrat i ki’n përgjegjë.
Keq ká folun Bud Aline Tali;
Dizdar Agës ká qitë e i ká thânë:
“Na për Mujin Dizdar t’patëm çue
“Halil Agën shka po don me e bâ?
“Âsht i zí e për çetë s’`vin gjâ;”
“Sá keq plakut kjo fjalë m’i ká rá.
Atëherë Dizdari na i ká thânë:
“Falë-me-shndet, or shokë, Muji u ká çue
“Çeta e mbarë u kjoftë n’krajlí!
“Të tânë varra shtati m’u ká bâ:
“Diku puna m’qiti dér në Bjeshkë,
“Aty n’pritë shkjét më ki’n dalë;
“Se ç’â bâ aty, un mâ nuk dij:
“Gjogu i mirë te shpija më ká prû.
“Ju qi doni me çetue
“Çeta e mirë e e mbarë u daltë,
“E me vedi po u nap Halil Agën e rí!”
Por Halili aty mâ s’â pá
Kaq fort djali m’ite kenë idhnue:
Ky trí herë shpatën ká dá me e xjerrë,
Por nder mend i kan rá fjalët e Mujit:
“Nuk hjekë burri kurr në log m’u pré!”
M’a ká marrë gjogun për frenit;
Kesh te gurra â nisë me i dhânë uj gjogut.
Qaty gjogun mirë m’a ká shtërngue
Sa me t’ambël gjogun po m’a merr:
“A nuk ndjeve, gjog, shka foli Tali?
“Shpejt e shpejt n’at krajlí me m’çue:
“Gjakun Mujit sot na do t’a marrim,
“Ndo të dy na sot p’r’i herë do t’jesim!”
Hingllon gjogu, qi â dridhe ashti
Kúr i kcen n’shpinë Halil Aga i rí
Flakë të verdhë për turish ka qitun;
I idhtë gjogu, mâ i idhtë kalori
Me tërbim kaq rrugën m’a ká marrë
Sa shkyen ahat kúr po bjen npër ashta
Rê prej pluhunit po çon kúr bjen fushës
Dér qi mrrîn te nji kullë e bardhë;
Aty gjogun vrapin n’a ká ndalë
Aty m’ishin sarajet e krajlit;
Kulla e parë trí ketsh e Llabutanit.
Hîn Halili mbrendë me kál për doret.
“Kush jé tí? – nji vashë m’a ki’te pvetë:
“Kush jé ti? – djali m’i ká përgjegjë.
“Jam bí krajlit un, po ti kê deshtë?”
- “Për nji borxh, mori vashë, un ktu kam ardhë!
Në kto fjalë, vashën e ká kapë;
Nji brimë t’madhe vasha m’a ká bâ!
“Sot a kurr, bre gjog!” Halili briti.
Për mjedis të gjytetit po ká rá,
Ndër kalldrame gjinden po i përplasë;
Vasha kjáj, Halili brit:
“Kshtu merr gjakun Halil Aga i rí!”
Edhe Bjeshkën djali m’a ká marrë.
Kaq trishtimi shkjét m’i ká marrë.
As s’po dijnë se ç’i ká gjete.
Tuba-tuba shoshojnë po pvesin:
Ç’kje kjo gjame qi na rá n’krajlí?
“Thonë se kje Halil Aga i rí.”
Pak vonon e shum s’ká vonue,
Fíll ke shpija Llabutani shkon.
Kqyrë për Rushën, Rushën s’m’a ká gjetë.
Kah po kjajnë do plaka po i pëvetë:
Kish’ qillue nji shkinë me shtatë zêmra:
“Po të kujin krye more Llabutan m’ké pré?
“Qi né çikën Muji na grabit.
Tânë krajlía me marrë sot e qiti:
“Se ç’a bâ m’né s’di kush me t’kuvendë:
“Na nji gjok veç kém ndie tuj hingllue
“Qi kúr kém marrë me kundrue rrugën
“S’âsht pá kali, as s’âsht pá kalori!”
 frŷ tëmthash shkjau, rrashta me i plasun:
 frŷ vetllash, çartun sysh ká britun:
“Ti jé shkinë – me turr m’i ká folun:
“Nuk jé shkjá, qi shpata për me t’pré,
“Se nuk të ndrroj qetash për Mujin e Halilin.
“Se shtatë zêmrat Muji ku m’i ká pasun
“Nji kah nji me shpatë i a kam kërkue
“Se shtatë djelm në një vjetë me t’i falë Zoti,
“Shtatqind vjetsh tý djelmt t’u kan bâ,
“Se i pret shpata e Gjeto Basho Mujit.”
E ká bâ shkjau nji brimë të madhe:
I ká thirre çetat në kushtrim:
“Na koriti Halil Aga i rí!”
Tânë shkjenija n’âsht çue në kâmbë.
Me tërbim kaq Bjeshkën m’a kin’marrë;
Ka hikë gjâja çetave përpjetë,
Por s’po hikë njaj Sokole Halili.
N’nji shpellë malit trimi paska hî
Edhe zânin shkjeve m’u ká lshue:
“A ktu u pret, more, Halil Aga i rí!”
Si i tërbue krajli ká marrë përpjetën.
Ma nafakë Halili kushte lé;
N’derë të shpellës krajli kúr ká mrrîjtë
N’mezdrak të madh Halili e ká shinue
Dekun në tokë krajlin e la pushue.
Hinglloi gjogu mbrenda shpellës prej gzimit
Briti vasha mbrenda prej trishtimit.
Kâmbën n’bark e shpatën tuj e xjerrun
Qitka Halili e shkejve u ká thânë:
“Po ndigjoni, more shkejt e krajlís,
“Po ndigjoni djalin e Jutbinës?
“Me turr luftën mos e merrni
“Shkoni në shpi e zgidhni nji krajl të rí,
“Se njiktí un do t’i a kpus kryet,
“Baca Mujit n’t’shtrueme do t’i a çoj!”
Kúr don trimi kryet me i a shkurtue
Kan msŷ shkjét për anë porsi të terbue;
Lum të tý, o Zot i Lum,
Se mâ rrebtë lufta nuk ká si bâhet!
Shum i mbyti trimi shkjét me shkamba
Jua mbledh heshtat sall si thupra shelnje;
Me ‘i dorë mbledhë e m’tjetrën po shinon,
Nji po e shtyn, me tê tridhetë po ‘i rrxon,
Nji po therë tridhetë po i shklet me thêmër
Ata msŷj yrysh si bisha malit
Ai qindro n’at shpellë si dreng luanit.
Se për kâmbet krajlin m’a k’a kapë
Se në bark shtjelmin djali m’ká vû,
Të madhe shkjevet djali m’u ká britë:
“Dalë kadalë, bre burra, pse po nguti
“Kúr të jes un ju krajlin tash po e merrni”
Edhe shqyp ai gjogut m’i ká britë:
“Yrysh gjog, t’i xjerrim shkjét përjashta!
“Krah për krah me mue ti me luftue,
“Ti me shtjelma vetë me shpata e heshta!”
Aty zanave djali m’ju ká dhimbtë.
Shkojnë trí zanat fill tue fluturue
Dý për tokë e nji mâ e leta qiellës:
Në të shtrueme Mujit na i ki’n vojtë:
“Ku jé, Mujo, he ty Zoti t’vraftë!
“E kurr gjumi sysh ty mos t’u daftë!
“Qi s’po di kurrgjë se ç’â kah bâhet,
“Shpejto n’kâmbë tash fill me u çue,
“Kurr mâ ngusht Halili s’ká qillue!
“Gjith rreth shkjét t’a kan rrethue!”
E për krahit trimin n’kâmbë e çojnë;
Varrësh e lidhin, vetë po e mjekojnë,
Ata gjogun vetë qi po e shilojnë;
Nji erë barit trimit m’i a kan dhânë
Të tânë forca trimit m’i kâ dhânë
Qi kúr marrin tërmalen e bjeshkës
Gjithkund mbrapa Zânat m’i ká lanë,
Mallim bjeshkën gjith kah p’e kundron,
Porsi shqypja kur don m’u lshue n’gjâ.
Në Lugjet t’Verdha trimi kúr ká dalë,
Tue kundrue aty pak po ndalet,
Gjâmën e luftës aty m’a ki’ndie.
Prap në shpellë Shkjét djalin e kin hî,
Por në dorë nuk kishin mujtë m’e shtî.
Prap në shpellë me gjogun ishin kenë ndrŷ.
Të madhe Muji atëherë âsht hallakatë,
Të dy gjogat për nji herë hingëllojnë,
Gjeti i ahit për tokë kish pasë rá,
Fort Shkjét friga i kish pasë marrë,
I pari t’mbramin mâ nuk e ká pritë.
“Hik, bre djalë!” – shoshojt i kan britë,
Edhe shpellën vetëm m’a kan lanë,
Me ‘i rojë t’mirë derën e kanë xânë,
E kan xânë me Kralje Kapeda’n.
Kúr ká mrrijtun Muji për buzë shpelle
Braf! Prej gjogut, burra, tek ka zdrypë,
Rrebtë p’e kqyrë nji shkjá, mâ t’madhin shkjá!
“Pse p’e sjellë, bre bacë, at shkjá për s’mbarit?”
Me idhnim Halili m’i ká britë Mujit:
Buzën n’gaz veç Muji m’a ká bâ:
“P’a s’po shef, Halil, se ç’paske bâ?
Se ti gjaksin mue m’a paske vrá:
Vrá ké krajlin, vrá ké Llabutanini!”
“Baca Muji, pse po m’shpotitë?”
I a kthen djali kah po lidhë do varrë:
“Se me kenë, si ç’thue, Llabutani,
“Kjeçë t’u e lidhë për bishtit të gjogut,
“Rrshânë m’e ngrehë qênin n’për rrgalle,
“Zhag m’e ngrehë qênin n’për zalle,
“Nëpër zalle ktu e n’Jutbinë!”
Aspak fjalën Muji s’m’i a pëlqen:
“Ç’jé kah thue, Halil, të vraftë Zoti!
“Sall prej t’dekunish, marre tý me t’ardhë!
“Gjak as fis me shkjé na nuk i kemi,
“Qi me t’dekun punë né me na dalë!
“Lufto t’gjallët, se t’dekunt s’kan ça t’bâjnë,
“Si kanû qi na kan lanë të parët.
“Se tânë trimnija, Halil, qi m’paske bâ
“Me ket fjalë ti vedit i a ké hupun!”
Edhe gjogut m’i kan kcye n’shpinë,
Kan marrë rrugën qi çon për Jutbinë:
E kan lshue kushtrimin në Krahinë:
Byrm! Kush t’duesh me ngrânë, me pí,
“Ka marrë gjakun Halil Aga i rí:
“Ká vrá krajlin te shpella e nji malit,
“Pré m’i a ká kryet njatij Llabutanit
“se për vedi ká marrë t’bín e krajlit!”

 

Mertúr – Dushman (Tomë Sokoli).

 

Visaret e Kombit – Vëllimi II, Tiranë 1937, f. 175 - 185

Visaret e Kombit


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...