Oshtima

Orët e Mujit

Argumenti: Nji Slav, êmnit Paji i Harambashit, del në bjeshkë, ndeshet me Orë të Mujit e njanës ndër to i then krahun, pse nuk i përgjegjet, n’êmën të shoqeve, me i ndihmue tjetërkuj, veç Gjeto Basho Mujit. Ulen tue kjá te Muji e i lypin gjakun. Muji, tânë idhnim, tue përbuzë ndihmën e vllaut të rí, të Halilit, i hypë Gjokut e del me u pré me Slavin në bjeshë. Halili niset, mbas këshillit të nânës, fill e te kulla e Pajit, i hŷn mbrendë e kúr merr Paji me u kthye me Mujin rob, Halili e mbytë. Shpëton Mujin me Agë, e bashkë me gruen e Pajit këthehet për në Jutbinë. Ndeshën ndër orë në bjeshkë. Ora e madhe u del dy vllazënve para, u përpjek duert, tue i këshillue, mos të dilnin në çetë ndamas, pse “mjer zêmra e atij qi vllá nuk ká!”

 

Të lumët na për t’Lumin Zot.
Qi s’jém kânë e Zoti na ká dhânë!
Terri i natës ashtën e ká mlue:
Drita e hânës veç tue ndritë n’për aha:
Tue prarue ahat e ashtit1;
Mirë po i lbardhë2 fushat e bjeshkve;
N’terr po i lên ballët ndër gropa;
Mnera t’merr syni me i pá,
Mo’Zo’ rruga asajt me t’qitun natën!
Njiket natë ka zgjedhun Paji i Harambashit
Bjeshkve Mujin kund me e ndeshë,
N’mejdan t’natës kryet me i a pré.
 veshë Shkjau me çelik e pancirë3
I ká hypë Curanit në shpinë,
N’maje t’bjeshkve edhe ká dalë,
Kurrkund Mujin nuk e paska hasë:
Idhnim t’fortë Shkjau na ká marrë.
N’tri orë t’bardha kênka ndeshë,
N’buzë t’nji kronit n’dritë të hânës,
N’dritë të hânës kah po lodroshin.
Ká qitë orët e po i pëvetë:
“Ç’jeni ju qi ksajt lodroni?”
- “Jemi vetë t’Lumet e Natës!”
“He jú Zoti shtoftu4 vargun!
Kuj, ju orë-o, po i ndimoni?”
Ká qitë njâna e i paska thânë:
“Na jém orët e trimit t’dheut:
“Na i ndihmojmë Gjeto Basho Mujit!”
Sá inat Mujit Shkjau i kish pasë!
Njanën orë për krahit e ká kapë,
Copë e grimë krahin po i a thermon.
Vetë me veti orët fort janë çuditë:
“Shka âsht ky njeri, qi orve kshtu jua bân?”
Idhëshëm orët, si gjarpni, Shkjaut po i thonë:
“Kurr ksí njeri dér më sot s’kém pá!
“Me dashtë na ktu gúr të gjallë po t’bâjmë,
“Por n’Jutbinë qetash kém dá me rá:
“Hallet t’ona Mujit me i a kjá:
“A don gjakun, Mujë, né me na e marrë?”
Pshtetë për ah, pshtetë për pancir,
‘I gaz t’madh Shkjau paska bâ:
“Mujin me bâ vetë  qi me e xânë,
“Kurrkund kutrudhë5 nuk mundet Muji me m’dalë!”
Njat-herë rrugën orët për t’poshtë e kan marrë.
Ká zbardhë dritë e â errë natë,
Kurrkund hapin nuk p’e ndalin,
Veç po pín uj nëpër kroje.
N’fushë t’Jutbinës nata i ká xânë;
N’mid,s t’fushës natën p’e bâjnë,
N’hije t’blînit n’dritë të hânës,
N’dritë të hânës mirë po pushojnë
Dy pushojnë e nji po rri tu kroni.
Ka nisë drita me ague,
Muji herët kênka çue,
Kênka mbathë, kênka shtërngue,
M’a ká ndezë zjarmin në votër,
M’a ká vû xhezen në zjarm,
E ká kallë kamishin me duhan,
M’a ka çilë dritoren e sarajit:
Synin rrokull fushës m’i ká lshue,
Trí orë t’bardha midis fushës ká pá:
Dy kin’nisun lojën e po luejnë,
Nja, e liga, rrin e po shikjon.
Vetë me veti Muji â çuditë.
Aspak kafen nuk e pin,
Aspak gjog as shpatë s’ká marrë,
Por për deret jashtë Muji ká dalë,
E ká marrë fushën për të gjatë.
Tu orët Muja kúr â shkue.
“Mirë me log”- Orvet u ká thânë -
- “Mirë se vjen! Mujit i kin’përgjegjë
Dy të shndoshtat.
Ajo e liga Mujit ç’a po i thotë?
“Si â mâ zí për mue, more Mujë, â bâ!
“N’bjeshkë të nalta parmbramit Shkjau ká dalë
“N’né ka hasë, e né edhe na ká shá,
“Ka qitë né e na ká pvetë:
- Ju kuj, orë, - tha – po i ndimoni? -
“Vetëm unë jam qi kam i fole:
“Na i ndimojmë veç Gjeto Basho Mujit!
“Sá inat, t’a kish pasë!
“Mue për krahit me dorë të merllânët m’ká kapë,
“Sá fort dorën m’a shtrëngoi!
“Copë e grimë mue m’a thermoi.
“Kém qitë Shkjaut edhe i kém thânë:
“Gúr të gjallë na ktu me dashtë po t’bâjmë,
“Por na mbrapa ty s’po duem me t’rá,
“Por Mujit hallin duem me i a kjá.
“A don, Mujë, mbrapa me na rá?
“A don gjakun, Mujë, né me na e marrë,
“Se tý ndorja kurr mâ keq nuk t’pritet!”
- Muji mirë po fshan!
Ka qitë burri e orvet u ká thânë:
“Kúr t’a lâ vetë gjakun t’uej pá e marrë,
“T’gjallët nuk ç’e bâj!”
Muji në saraje kênka shkue:
Ka zgjidhë gjogun e ká shilue,
“Ndimo ora e bjeshkve!” – e n’shpinë i ká kcye,
“Hajr-e Mujë! Po kshu kah jé fillue?
E përvetë Sokol Halili.
Njat-herë Muji i ka kallxue:
“Kênka çue Paji Harambash,
“Edhé natën n’bjeshkë të nalta â dalë,
“N’t’lume t’natës6 â ndeshë edhe i ká rrahë.
“Kan ardhë orët e bardha e m’kan kallxue.
“Tash po dal e i mbledhë tridhetë agët e mij.
“N’bjeshkë të nalta ‘i herë m’at Shkjá m’u ndeshë,
“Gjakun orve t’bardha për me jua marrë.”
Shka ka qitë Halili Mujit e i ká thânë:
“Edhé vetë, Mujë, n’çetë due me dalë!”
Kah7 dredhë gjogun Muji me u fillue,
Kshtu i përgjegjë Halilit:
“N’çetë me veti ty s’po due me t’lânë,
“Se t’çoj me dhí, e po m’i lên n’mal;
“Se t’çoj në çetë me dalë,
“E se ç’â çeta ti gjâ nuk po din!
“Luftë e madhe ka me u bâ,
“Notojnë trupat nëpër gjak,
“Deri n’bark atllarve gjaku u bjen;
“Aty burrat kapën fyt me fyt,
“Shoqi i yt meç mêç me dalë!” -
Njat-herë â nisë Muja e ká shkue.
Fort Halili kênka idhnue,
Me duer n’í shkallve po u ngjitet,
Në saraje mbrendë ka hi,
N’at oxhak sa idhun qi po rrin,
Ka qitë nâna e po pvetë:
“Ç’ké Halil? Idhun qi po m’jé!”
Paska qitë Halili e ka thânë:
“Mují me agaj në çetë ka dalë,
“Mue me veti se kje dita s’m’muer.
“Dhe ‘i fjalë t’rândë Muji m’a ká thânë,
“ – T’çoj me dhí – m’i lên në mal,
“ – E do me u pré me Pajin Harambash! -
“Qi tridhet’ agajt qi i ka marrë,
“T’tânë mâ të zez, moj nânë, se un po janë!”
Ka qitë nâna djalit e i ká thânë:
“Hiç idhnim, t’pasët lokja, mos me marrë!
“Pse tý baba gjogun t’a ká lanë,
“Se edhe shpatën të prefët fort t’a ká lanë;
“Por ndigjoje lokën kah po t’mson!
“Qi hiç mbas Mujit mirë nuk bân me shkue,
“Por në shpinë të Gjogut ké me i hypë;
“Merre dromin, qi t’çon fill n’krajlí,
“Kúr t’lêsh bjeshkën edhe t’hîsh n’krajlí,
“Gjogut kryet, biró, ké me i a lshue:
“E din gjogu vetë se ku me t’çue,
“Se baba i yt e ka pa’msue.
“Se’i probatin baba t’a ká lanë,
“Raja e krajlit qi po m’âsht,
“N’êmën i thonë Begu Ymer-Beg:”
“Aj të mson Shkján si me e pré!”
Gati gjogun nâna i a ka bâ;
Shpatën n’dorë Halili e ka marrë:
N’shpinë të gjogut Halili i ká hypë;
“Udha e mbarë!” – nâna i ka thânë,
Vrapin gjogut i a ká dhânë,
Kurrkund vrapin dér n’krajlí s’i a ndalë.
Kúr ká dalë në Zogaj të krajlís,
Veç q’at-herë kryet gjogut po i a lshon,
Pa shmângë rrugë, në derë t’probit fill e çon,
N’derë të probit trimi kur ká vojtë,
A dalë miku e gjogun i a ká marrë,
N’për oborr i a ká shetitë,
Edhe n’burg i a paska lidhë,
E n’saraj Halilin e ká njitë.
Kan çilë kuvendin e po kuvendojnë:
“A je kânë, Halil, ndo ‘i herë n’kto ana?”
“Ç’se jam lé n’krajlí kurr nu’jo kânë!”
- Kshtu po i gjegjë Halili probatinit -
“Nevojë e madhe ktu, probo, m’ka pr    û!
“Për nji msim sot t’a kam msŷ:
“Kërkund vetëm mos me m’lânë,
“Se un me pré due Pajin Harambash!
“Edhé kullat do t’m’kallxojsh ku i ká:
“Rrash me tokë due me i a bâ!” -
Bé mbí Zotin probi i ka bâ:
“Se me ty, Halil, njaty nuk muj me ardhë
“Tash nândë vjet mue Paji n’haps m’ká mujtë,
“Sall tre janë hapsit qi i kan pshtue;
“Me bâ Paji e me m’hetue,
Kurr prej burgut s’ká me m’lshue!”
Pak hikatshim Halili e ká marrë:
Be’ mbí Zotin i ka bâ.
“Çajre Zoti bâ nuk t’ká,
Por njetash me mue me ardhë,
“Ndo njetash n’mejdan me m’dalë!”
Sa ngusht probi paska rá!
Me shkue me tê, Shkján fort po e dron,
N’mejdan ktij s’po mund i dalë.
“Në mejdan, Halil, s’mundem me t’dalë,
“Por me tý tek jam tue ardhë.
“Veç t’a dijsh, se rob Shkjau na ká xânë:
“Drit’n e diellit kurr mâ s’kém me e pá!”
“Mos kij gajle!” – Halili i ka thânë.
Janë çue n’kâmbë, atllarve edhe u kan hypë;
Kan marrë rrugën e janë nisë me shkue;
Ora para Halilit i ka dalë,
Paska qitë e i paska thânë:
“Nj’et bar n’orë dua me t’a dhanë!
“Si t’tham un ti ké me bâ!
“Kúr t’vesh tu saraji i Shkjaut,
“Nândë bojësh kullat i ká.
“Vetë ka dalë Shkjau me çetue,
“Vetëm babën mbrendë n’saraj ká lanë,
“N’êmën i thonë Trashi i Marjanit:
“Burrë i vjetër nandëqindvjeç.
“Qe ket bár, e derës ké m’i a qitë;
“Dera tý ká me t’u çilë,
“Atëherë mbrenda ké me hi!
“Kurkend mbrenda mos me lanë!
“Der’n përmbrenda ké me ndry,
“Vetë mbas deret ké me ndêjë!
“Kúr të vîjë Paji Harambash,
“Ká me qitë babës, ká me i thirre:
“ – M’u çue derën me m’a çilë! -
“Kush me tê nuk ká me folë:
“Idhnim fort Shkjau ká me marrë,
“Ká me zdeshë çelik e pancir,
Me ‘i shtjelm derës ká me i rá,
Copash derën ká me e bâ,
“Atëherë mbrenda ká me hî
“Me topuz gadi me i ndêjë,
“Sa ku t’mundesh Shkjaut me i rá,
“Qat-herë dekun e ké bâ!”
A shdukë ora e djali rrugën prap ká marrë;
N’derë t’sarajit Shkjaut shpejt i ká vojtë!
At bár derës i a ká qitë,
Me t’shpejtë dera i kênka çilë,
Aty gjetka plakun nandëqindvjeç.
“Mirë se t’gjetëm!” – plakut i ká thânë,
Sá çudë plakut i ká ardhë:
“Po ju mbrendë si keni hi?
“Mbrendë me mue ktu mos me ndêjë!
“Me bâ djali ktu m’u gjete,
“Copë e grimë ju ka m’u bâ!”
Kqyr Halili shka i ká thânë:
“Çou shpejt plak, odat me i shdrŷ!”
Bé mbí Zotin plaku qi po i bân:
“Kurkund menden nuk e kam
“Odat ty sot me t’i shdrŷ!”
Njânën ndër kundra  Halili e ká hjekë,
Ka nisë krés plakut po i bjen:
“Shpejt ti odat me m’i çilë!”
Sá shpejt plaku kênka çue,
Ka nisë odat me i a çilë,
Aty gjetkan trí copë makinë,
Qi po qitshin ár flori.
“Edhé tjetrën, plak, shpejt me m’a çilë!”
- “Mo’ Zot mbrendë ti sod me hî!”
“Njatê s’mundem me t’a çilë,
“Se aty âsht Januka e bardhë,
“Qi tri vjeç djali e ka marrë,
“E kurr odet nuk ká dalë;
“Kush me sy kurr s’e ká pá!
Nji shtjelm krés Halili rá edhe i herë i ká.
“Ja i ké çilë dyert shpejt e shpejt,”
“Jase drita e syve qetash t’u ká errë!”
A çue plaku e rrshanas kânka çue.
Kur po hîn Halili mbrendë,
Aty e marrka Jankën e bardhë.
E i ka marrë trí copë makinë,
Edhé n’shpinë plakut i a vên,
“Me hecë para!” – u ka thânë,
Edhé jashtë me ta ka dalë,
- Grueja kjaj e plaku fshaj.
N’zêmër t’ashtës te i ká çue,
N’nji shpellë t’ashtë vend kan xânë;
Aty mbrêndë Halili te i ká lanë
Probatinin e Jankën e bardhë.
Vet â dredhë8 me plakun nandqindvjeç,
Vetë â dredhë e n’saraje ka shkue.
Se s’i mêni plaku kurkund fjalët!
N’pope t’Kullës Halili te’e ká hypë,
Plakut t’shtŷmen i a ká dhânë,
N’kalldram copash e ka bâ.
At-herë derën e paska ndrŷ,
Për mbas deret gadi mirë po rrin.
Kúr po vjen Paji Harambash,
Mujin me tridhetë agë rob e kish xânë,
T’gjith me gur, si kual, i kish ngarkue,
Ka nisë babës fort t’madhe qi i ká thirrë:
“Çilma derën, bre Trashi i Marjanit!”
As kërkush s’i ká përgjegjë:
“Çilma derën Januka e bardhë,”
“Se me ndeshë çelik e pancir,
“Copë e grimë cok kam me t’ba!”
As kërkush me tê s’ki’folë.
M’i ka ndeshë çelik e pancir
Me nji shtjelm derës i ká rá,
Me qemerë mbrendë e ka qitë.
Gati rrite mbrendë Sokole Halili.
Me ‘i topuz Shkjau e ká gjue,
Dekun n’tokë Shkján e ka hjedhë.
Njat-herë jashtë Halili â dalë.
Tridhet agë ngarkue kúr i ká pá,
Bé mbí Zotin Halili ká bâ:
“Për mejdan mos kjosha mâ!
“Qeraxhí sot due me u bâ,
“Se ksi kualsh kush nuk i ká!
Ka nisë agët e po i shgarkon,
Mujin hiç nuk po ndigjon.
Ka marrë rrugën edhé â nisë me shkue,
E m’ká vojtë tu Probja e Januka9 e bardhë.
Muji mikut tu kâmbët i ká rá:
“Qi Halili mue gurt me m’i shkarkue!
Kryet ka luejtun Sokole Halili
E n’sherrí Mujit i ka thânë:
“Kurr mos t’lashtë Zoti pa vllá!”
At-herë gurt i a ká shgarkue.

     * * *

Për Jutbinë rrugën kan marrë.
Kúr kan dalë ndër bjeshkë të nalta,
Orët e bardha para u kan dalë.
Ora e madhe duert jua ká përpjekë:
“Pa ndigioni Muji e Halili
Vllazën jeni e vllazën kjoshi!
“Pa shoshojnë kurr mâ n’çetë mos me dalë,
“Se mjer zêmra e tij qi vllá nuk ká!”
Kur kan shkue në Jutbinë,
Për trí javë darsma s’ka prâ.
Njishtu thonë se na atje kurr s’jém kânë;
Njishtu thonë e ka kânë motit,
Ndimën paçim na prej Zotit!

 


1) Pýll ahash
2) Zbardhë
3) Lorica, Panzer, corrazza: nji lloj parzmorjeje
4) I u shtoftë
5) Kundruell
6) Ndër orët e bjeshkvet
7) Ndërsá
8) Asht këthye
9) Motërzime të tjera e quajnë: Janka e bardhë



Visaret e Kombit – Vëllimi II, Tiranë 1937, f. 11 - 19

 

 

Visaret e Kombit


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...