Oshtima

Në udhën e nacionalizmës

"Shpirti ynë është plot nostalgji për diçka më të lartë e më të ndritur"

Goethe


Ka ca kohë që ndihet prapë zëri i një kambane: Në udhën e Nacionalizmës. Zëri i kambanës  i kujtonte vdekjen Chateaubriand-it, i cili i ka falur kambanës disa radhë lirike të bukura. Po tek neve ky zë na kujton Jetën dhe na thërret për në Faltoren ku rron e zbukurohet Jeta. Koha, domethënë puna, do të tregojë se ç'përmbajtje pozitive ka ky zë. Ndërkaq neve na mallëngjen dhe na jep shpresa. Pastaj është i vetmi zë që mund të na mbajë në faqe të dheut si Komb e si Shtet. Zëri i kambanës fton edhe intelektualët të bëjnë detyrën që u takon në këtë rast: detyrën e gjurmonjësit e të predikatorit.  
Ne këtu nuk do të dëftejmë me fjalët e zakonshme, të mirat që rrjedhin nga Nacionalizma.  Këtë punë e mbarojnë fare mirë gazetat dhe revistat popullore, që bien në duar të shumta dhe hyjnë në rrethe popullore që kanë nevojë për predikime të thjeshta. Revistat si kjo jona, janë tribuna studimi e kritike. Pra, do të qëndrojmë në këtë shesh për të gjurmuar shkaqe dhe efekte dhe për të kërkuar udhë për zgjidhje. Shqipëria pati dhe ka fatin e keq të bëhet komb në një epokë në të cilën janë përleshur për vdekje nacionalizma imperialiste me internacionalizmën imperialiste, superkapitalizma shkatërronjëse me superantikapitalizmën shkatërronjëse. Po kjo përleshje vigane, në vend  që të na turbullojë e të na trembi, përkundrazi duhet të na japë më shumë qejf e trimëri për të punuar e për të luftuar për këtë vend të vogël e të bukur, i cili nuk ndodhet në  ato kondita shoqërore e politike që shkaktojnë gjetkë turbullime, tronditje e përmbysje.  Dhe merita e jonë do të jetë akoma më e madhe nëqoftëse nuk do ta humbasim toruan nga zhurma e skëterrshme e kohës sonë dhe do të dalim fitonjës për të mirën e Kombit tonë. Vetëm kjo luftë që të bëhet fitimtare i do disa armë: Euritmi  shpirtërore, trimëri  shpirtërore, teori, vetëmohim, solidaritet, sinqeritet, çmuarje të çastit historik,  pamje të zhveshur të problemeve tona të mëdha, ideal  energjik, vullnet heroik për të krijuar histori. Këto duhet të jenë edhe karakteristikat e Nacionalizmës sonë. Si një vend në mes të Evropës, edhe Shqipëria jonë ka zënë e ndjen efektet e përleshjes kuqe-bardhë. Parime e ndjenja internacionaliste nisin e hapen dhe zënë vendin e parimeve  dhe ndjenjave nacionaliste. Sëmundja nuk është akoma e madhe dhe nuk ka zënë akoma rrënjë; ndodhet në fazën e klloçitjes sentimentale. Kështu nuk është i zorshëm edhe bari për shërimin e sëmundjes. Për të caktuar barin e shërimit duhet më parë të bëjmë diagnozën e sëmundjes.


Në radhë të parë sëmundja ngjitet në një pjesë, për fat të mirë shumë të vogël, të  studentëve tonë që jetojnë shumë kohë jashtë për studime. Këta studentë janë të rinj dhe, siç dihet, mosha e re, përveç ndonjë rasti patologjik, është tepër sentimentale. Këta të rinj sentimentalë shohin rreth e rrotull mizerjen ekonomike e shoqërore që mbretëron në vendet ku rrojnë, impresionohen mallëngjehen, zemërohen kundër kësaj  padrejtësie ekonomike e shoqërore, dhe pa ndjerë shkakun bien në gjirin e idesë komuniste. Shembëll tipike dhe klasike e kësaj sentimentalizme është "Thirrja" e Kropotkin-it që u bën të rinjve, thirrje që u drejtohet ndjenjave të tyre për të zhdukur padrejtësinë dhe mizerjen shoqërore. Këtë që pësojnë sot të rinjtë tonë e kanë pësuar në djalëri të tyre edhe njerëz të mëdhenj, që sot janë antikomunistë. Por kur i riu piqet e  mendon dhe fiton eksperiencë të drejtpërdrejtë e praktike të jetës, atëhere kupton se padrejtësia ekonomike dhe mizerja shoqërore mund të shërohen edhe pa Ungjillin komunist që është kundër Atdheut e Familjes. 

Në radhë të dytë sëmundja ngjitet në një kategori të rinjsh, që kanë etje për Ideale. Janë në moshën e entuziazmës dhe të vullnetit për veprim, kërkojnë Ideale energjike  rreth e rrotull, nuk i gjejnë ose gjejnë Ideale boshe, dëshpërohen edhe si udhë ideologjike më të mirë gjejnë Komunizmën. Këta të dëshpëruar nga jeta pa ideale janë të dërrmuar rëndë shpirtërisht,elektrizohen nga teoria utopike, zgjedhin një ilaç shkatërronjës e vrasës për të shuar etjen e tyre, në vend që të qëndrojnë në sheshin e Nacionalizmës dhe të luftojnë në këtë shesh me zemër e këmbëngulje.  

Në radhë të tretë sëmundja ngjitet në klasat shoqërore që vuajnë nga mizerja ekonomike. Ato që dinë kanë  kënduar, dhe ato që s'dinë kanë dëgjuar të bëhet fjalë, se në Moskov  (kështu e quan Rusinë  populli) të varfërit nuk vuajnë po të gjithë hanë një copë bukë. Është kuptimi i trashë materialistik që formojnë klasat e varfëra, të cilat nuk dinë se edhe në Moskov ka varfëri e mizerje të madhe.  

Kategoria e parë dhe e dytë, domethënë kategoritë intelektuale, janë të rrezikshme po të merret parasysh se ç'influencë mund të ushtrojë në evolucionin e një populli intelekti i  kthyer në ndjenjë. Po kategoria e tretë, domethënë kategoria popullore, është me të  vërtetë shumë e rrezikshme, se mund të bëhet shesh për mbjellje të mikrobit komunist dhe  për eksperimente të rrezikshme.
Kjo është diagnoza e sëmundjes. Po bari i shërimit të saj? - Që në krye duhet të na mbushet mendja dhe ta vendosim prerë se sëmundja nuk shërohet me fjalë boshe të mëdha, po do vepra e sakrifica e gjeste të mëdha. Dy ilaçe kemi përpara: Politikën policore, domethënë politikën represive që përpiqet të zhdukë efektet. Politikën ideologjike e shoqërore, domethënë politikën preventive që përpiqet të zhdukë shkaqet. Politika policore është një e drejtë e Shtetit kur ka përpara efekte dhe s'ka si bën ndryshe. Një shtet i mirë përpiqet si e si të mos ketë nevojë për një politikë të tillë, veç se në raste të shtrënguara e të pakapërcyeshme. Po politika ideologjike e shoqërore  është një detyrë themelore për një shtet modern, që i ka caktuar vetes një mision të madh e të lartë për të realizuar edhe ka vendosur të zhdukë shkaqet. Shkaqe dhe Efekte. Domethënë: Ideologji e Kërbaç.
Komunizma është një ide. Një ide antikombëtare, shkatërronjëse. Po është ide. Dhe,siç dihet, ideja nuk zhduket me kërbaç, por me një kundëride më të mirë. Këtë na mëson historia e njerëzisë edhe evolutës së regjimeve shoqërore. Hamleti, që  vërtitet me pallë zhveshur kundër hijes dhe shpreson që ta shpojë, përfytyron në mendjen  e Poetit të madh, njerinë që vërvitet me armë kundër një ideje dhe shpreson që ta shpojë. Po gjer sot s'është gjendur ndonjë çelik kaq i mirë sa për të bërë një pallë që të mundë të vrasë një ide. Një ide s'mund të vritet veçse nga një tjetër ide. Për ne kundëridea më e mirë është vetëm ldeja Kombëtare. Idea Kombëtare me një përmbajtje shoqërore të gjerë e të re. Këtë ide Kombëtare do të mundim ta rritim, ta rrënjosim e ta mbajmë lart në këmbë, vetëm me një Ideal energjik, i cili mjerisht i mungon akoma jetës shqiptare. Si? S'e ka akoma këtë ideal energjik jeta shqiptare, kur se po bëhemi gati të kremtojmë tani afër njëzet e pesë vjet të lirisë sonë  politike? Jo! Jetës shqiptare i mungon akoma ritmi i brendshëm. Ritmi që të frymëzojë e të ushqejë një ideal të mbështetur mbi  parime morale e mendore me vlerë të vazhduar. Më vjen ndërmend një gjë e bukur dhe karakteristike. Në 1920-21 erdhi nga Rumania në Shqipëri një shqiptar i vjetër dhe i mirë: Dr. Meksi. Më thoshte se kur zbriti në Sarandë u mallëngjye dhe qau nga gëzimi kur  pa se Shqipëria lidhet me telefon dhe ka automobile për udhëtime. Nga kjo pikëpamje, nga  pikëpamja e qytetërimit mekanik - Shqipëria ka vajtur shumë përpara. Ka edhe telefone, edhe telegrafe, edhe automobile, edhe udhëra, edhe ura, edhe pallate, dhe shumë gjëra të tjera të mira. Faqja e jashtme e Shqipërisë ka ndërruar tepër dhe ndërron dita me ditë  me çape të mëdha. Duhet të dijë njeriu se ç'ka qenë më parë, të qëndrojë ca kohë jashtë, pastaj të kthehet dhe të shohë e të gëzojë këtë Shqipëri tonë proteiforme e të bukur.  
Po nga brenda, nga shpirti? Faqja e brendshme mjerisht nuk ka ndërruar akoma! Jo vetëm që s'ka ndërruar, po ecën edhe së prapthi. Sa mbarë prapë! Kur e nisëm jetën tonë shtetërore pas luftës së madhe kemi patur ideale patriotike të flakta, entuziazmë patriotik të pambajtur, aspirata patriotike të larta. Duke shkuar koha, idealet, entuziazmi, aspiratat tona patriotike u venitën, u shuan. Dhe në vatrën tonë shpirtërore, në të cilën dikur ngrihesh lart flaka patriotike, tani ka mbetur vetëm hiri i ngrirë dhe i vdekur!  Megjithëkëtë, shpresa s'ka humbur. Flaka patriotike mbahet e ndezur me një ideal energjik. S'mund të ketë asnjë shqiptar që të mos dojë të mirën e vendit të tij. Këtë as e nxë, as e merr dot mendja. Po dëshira e tij është "vague". Nuk është energjike dhe e vullnetshme që të arrijë gjer  në therori. Dikush ka shkruar një herë: "Idetë nuk janë si kapellot që varen jashtë në divan. S'mund të themi: Unë hyj këtu dhe i lë jashtë idetë e mia!". Tek neve ngjan e  kundërta. Kur hyjmë në dhomën e interesave të veta, idetë i lëmë jashtë në divanin e bukur të retorikës. Po rreziku komunist troket në portën tonë. Një rrezik mëngjërosh që duhet ta përballim  e ta luftojmë. Nuk është zor ta luftojmë e ta largojmë këtë rrezik,  që ndodhet akoma në portë dhe s'na ka hyrë akoma brenda në shtëpi. Vetëm duhet të zgjedhim në mes të retorikës dhe të historisë. Domethënë në mes të fjalëve dhe të veprave. Të pajtohemi me veten, të hedhim maskën poshtë, të hyjmë në udhën e idealit energjik. Për të krijuar këtë ideal duhet të kthehemi nga e shkuara kombëtare dhe t'i puthitemi  kohës sonë. Që të shpëtojmë nga  shterpësia jonë shpirtërore, duhet të lidhemi prapë me të Vdekurit tonë të mëdhenj. Kemi një të sotme që duhet ta kapërcejmë për një nesër më të mirë. Për të arritur këtë gjë, të kthehemi nga djeja dhe të frymëzohemi nga shpirti e  nga të rrahurat e saja. E shkuara është  jona. Vepra jonë. Pemë e virtyteve tona.
Ne e realizuam. Dhe të ndjekim këshillën e një kritiku të madh. Sainte-Beuve: "Ta mendojmë shumë dhe sinqerisht të shkuarën, ta kuptojmë mirë, do të thotë ta ëndërrojmë me të vërtetë të ardhmen". Ta kuptojmë mirë të shkuarën. Po. Do të nxjerrim se thelbi i saj  është fryma heroike. Një grusht njerëz që luftuan kundër një Turqie imperiale, kundër një Serbie imperialiste, kundër një Greqie me "megali idhea"-ra. Djersë, therorira, gjak, heroizmë. Këto tregonin valat e Flamurit atë Ditë legjendare të Nëntorit në Vlorë. Fryma heroike e solli lirinë tonë politike. Fryma heroike ka qenë në palcën e idealit energjik të Rilindjes sonë Kombëtare. E! Kjo frymë heroike do ta sjellë  edhe lirinë tonë shpirtërore. Kjo frymë heroike duhet të jetë në palcën e idealit energjik të kohës sonë. Me aspirata të reja. Me puthitje të re. Kur themi frymë heroike, duam të themi vepra të mëdha. Vërtet të mëdha. Të mos ndërrojmë vetëm faqen e jashtme shqiptare. Por edhe ca më tepër, faqen e brendshme. Me këtë frymë dhe me këto aspirata do të nisim të ecim dhe të vemi përpara për rilindjen  shpirtërore të Kombit. Në epokën moderne, kur lind ose rilind një Komb, ka kurdoherë dy çaste që veprojnë: a) çasti mistik- ideologjik; b) çasti praktik-efektual. Marshi i  historisë shqiptare  nuk  deshi që në radhë të parë të vijë çasti mistik-ideologjik (shpirti kombëtar), dhe pastaj të pasojë çasti i dytë. Ky erdhi i pari: u bëmë Shtet,  duke qenë akoma kombësi (tokë, gjak, gjuhë) dhe jo Komb (histori e bashkët, përpjekje të  bashkëta, shpirt i bashkët). Me anën e çastit të dytë do të realizojmë çastin e parë: të krijojmë shpirtin kombëtar. Të bëhemi Komb. Pra, s'ka kuptim se si mund të gjenden Shqiptarë që të mendojnë e të besojnë që mund të bëhemi Inter-Nation pa  qenë  akoma  Nation. Të bëhemi Inter-Nation në një kohë që në tërë botën merr e jep një imperializmë  e tërbuar, do e bardhë, do e kuqe, do e verdhë. Të duam Inter-Nation-in dhe të mos çajmë  kokën për Nation-in tonë, për baltën tonë për Familjen tonë! Për të bërë udhën tonë drejt qëllimit të madh (krijimi i shpirtit kombëtar) është nevojë e domosdoshme të kemi parasysh  disa  gjëra. Jo parime metafizike të thata. Jo fjalë të mëdha. Po vepra të gjalla e të mëdha.
Përvijësojmë sot në mënyrë të përgjithshme e do të kemi rast të kthehemi në to me gjer e  gjatë disa nga këto vepra:

a)  T'i çelim djalërisë shqiptare portërat e jetës shqiptare.
b)  Ta përtërijmë Elitën, domethënë klasën drejtonjëse.
c)  Të luftojmë mizerjen ekonomike e shoqërore me një politikë të përshtatshme.  

S'kam ndërmend të mbar këtu luftën "Pleq e të Rinj" dhe të përtyp sa u thanë dhe u shkruan nga njëra e nga tjetra anë. Nga përpjekja doli se Pleqtë e të Rinjtë duhet të gjykohen e të çmohen nga pikëpamja e mendjes dhe e shpirtit dhe jo nga pikëpamja e moshës. Të vdekur e të pakallur ka nga të dy anët! Dua të kujtoj vetëm se Djalëria  është një faktor i madh në zhvillimin e vendit dhe prandaj duhet t'i çelen portërat e jetës shqiptare. Gjer sot Djalëria është lënë mënjanë si faktor i tillë. I është treguar  sheshi sportiv pas të cilit është dhënë shumë dhe ka treguar mjaft zotësi. I janë  treguar Shoqëritë e vdekura jashtëshkollore në të cilat nuk qaset thua se fare. Asgjë tjetër. Atëhere ç'rol lot kjo Djalëri në jetën shqiptare? Dihet se historia i ka caktuar Djalërisë kudo në botë një rol të radhës së parë për të  ojtur. Në mos ka eksperiencën,  po ka entuziazmën, therorinë, vetëmohimin dhe shumë cilësira të tjera morale që s'i ka të tëra Pleqëria sepse çdo rregull ka përjashtime arteriosklerotike. Kudo që bëhet një përtëritje shpirtërore e kombëtare do të gjejmë patjetër Djalërinë. Djalëria që s'ka  ndonjë rol për të lojtur në vendin e vet zë e bëhet fatalisht komuniste Pirandello-ja ka shkruar një  romanc "Pleqtë e të Rinjtë". Është një romanc politik-shoqëror-historik, që shpërdridhet në Sicilia-n e tij. Pleqtë janë patriotët, ata që bënë Italinë, të cilët, sado që s'janë me në gjendje t'i puthiten kohës, përpiqen t'i lënë të rinjtë jashtë jetës së re. Për reaksion të rinjtë hidhen në gjirin e ideve të mëngjërta. Këtë temë e ka  trajtuar romantikisht edhe Turgenievi në kuadrin e jetës krahinore ruse, si kundërshtim fatal shpirtërash dhe tendencash në mes të një  brezi që perëndon dhe të një brezi që agon. Protagonistët e romancierit-dramaturg italian dhe të romancierit të madh rus janë simbole që përgjithësohen, universalizohen, projektohen në histori, e cila na tregon edhe në ditët tona se ç'përfundime sjell kjo përpjekje e brezave kur s'merren masat e duhura me kohë. Është  nevojë e domosdoshme të përtëritet Elita, domethënë klasa drejtonjëse. Ne s'kemi akoma një Elitë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pra, le ta  marrim  me kuptimin e ngushtë të klasës drejtonjëse, si ajo që mund të kemi sot për sot. Klasa drejtonjëse e sotme ka nevojë për përtëritje. Ka lindur në çaste historike, të cilat e kanë mbyllur qarkun e tyre edhe kanë hapur udhën për çaste historike të reja. Doemos çdo qark historik s'mund të zhduket krejt. Ka elemente të mira e të zgjedhura që do t'i ruajë. Elementet e tjera të vjetëruara e të ngrira do t'i nxjerrë në pension. Vendin e tyre duhet ta zënë elemente të reja, me ato fuqira krijonjëse të reja që lypin kohërat për të bërë të mundur që Kombi të vazhdojë marshin e tij historik  evolutiv. Për  përtëritjen e klasës drejtonjëse duhen marrë parasysh vlera mendore e vlera morale, vlera që të mendojnë dhe vlera që të veprojnë. Po ku është seleksioni i këtyre vlerave? Përgatitja e kuadrove të reja  drejtonjëse? Gjetja e elementëve që t'u përgjigjen kërkimeve të periodës historike të re shqiptare?

Vendi  ynë  s'ka  akoma  një  politikë  shoqërore, që të mos themi se nuk e njeh fare. Mirëpo politika shoqërore është ajo që përbën një nga kujdesjet më të mëdha në vendet e qytetëruara. U kuptua nevoja e domosdoshme se populli duhet ngritur lart, duhet shpëtuar nga thonjtë e komunizmës, e cila përpiqet të spekulojë mizerjen e tij. Tek neve politika shoqërore kufizohet në disa qese misër dhe në ndihmat e vockëla që u japin Bashkitë të varfërve. Ndihmën  e  popullit të varfër ne e quajmë sadaka. E provuan listat e fundit që u botuan nëpër gazetat për ndihmat që u mblodhën dimrin e shkuar për të varfërit. Shumëra kaq qesharake që me mirë të mos jepeshin. Listat që u  botuan janë pasqyra më besnike, barometri më i vërtetë i shpirttharësisë së klasave tona të pasura. Ndihma për popullin nuk është sadaka. Është një detyrë shoqërore. Paraja nuk  është vetëm  pronë e pak njerëzve të pasur, po ka të lozi një funksion të madh në jetën shoqërore. Në qoftë se të pasurit nuk e kuptojnë këtë funksion, e ka detyrë tua dëftojë Shteti. Djalëria, Klasa Drejtonjëse, Politika Shoqërore, nuk janë tërë zgjidhja  e problemit shqiptar, po disa faktorë themelorë për të hyrë në udhën e zgjidhjes, për të rrënjosur një Nacionalizmë me vepra, për të luftuar idenë komuniste, për të krijuar një  Ideali energjik. Një erë e re përtëritje shoqërore e kombëtare duhet të fryjë në vendin  tonë. Të rrahura të reja duhet të ndjejnë zemrat tona. Duhen qëruar vlerat e ndryshkura  dhe myku mendor. Ndodhemi në një të kthyer të historisë, e cila lyp që vendin e një  zgjuarsie të cekët ta zëmë me një punim mendor serioz, metodik, të disiplinuar, për të krijuar një lëvizje iderash të vërtetë e pjellore. Përpjekje pozitive për një shoqëri më të drejtë brenda në kornizën e një lirie të disiplinuar. Hierarki të vlerave. Një djalëri burrërore e jo të tredhurë; me shpinë çeliku dhe jo me shpinë kauçuku. Çmuarje dhe përkrahje efektive e punës mendore për zhvillimin e jetës kombëtare. Mbi të gjitha këto,  frymë  heroike në mendime tona dhe në veprat tona. Në këtë mënyrë brezi ynë i retorikës do të jetë i denjë të  kremtojë në Nëntorin që vjen  kujtimin e atij brezi të historisë që na fali Shtetin e lirë  Shqiptar. Në këtë mënyrë edhe brezi ynë do të kalojë fazën e retorikës për të hyrë në fazën e historisë, e cila vetëm do të na sjellë "diçka më të  lartë e më të ndritur". Një të nesërme të lumtur për Kombin.


"Përpjekja shqiptare", 1937

 

Vangjel Koça


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...