Oshtima

Ismet Totua-Heroji i shpirtit, i mendjes edhe i trupit

Kur rri dhe mendohem ne jeta dhe vepra e Ismet Totos më kujtohet vjersha e Gottfried Keler mbi ylberin dhe mbi udhëtarin. Binte në Perëndim, thotë poeti, një shi i hollë. Dhe një udhëtar udhëtonte. Mbi kryen e tij kish ylbere që ndrinin. Këta ylbere askush nga ata që ishin pranë nuk ja shihnin dot.
Po prej së largu i dukeshin përsipër, si kurorë lavdie.
Sikundër se për të parë ylberet duhet perspektiva e distancës gjith ashtu edhe për të çmuar vlerën e vërtetë të dikujt duhet perspektiva e viteve. E vërtetë në viset e tjera, kjo është aqë më e vërtetë në shoqërinë e vrazhdët shqiptare, ku sa rron njeriu kurora e trëndafilave – i zëvendësohet shpejt e shpejt me kurorën e gjëmbave.
Këtë perspektivë për të gjykuar jetën dhe veprën e Ismet Totos e kemi tani. Jo vetëm si kohë po dhe si evenimente të rëndësis historike.
Kemi diçka më shumë : veprën inedite të tijnë, shënime të përditëshme e të tjera, e cila po merr tani trajtën e një libre1.
Diagnostiku i Ismetit mbi jetën shqiptare ish ay i vërteti. Kjo botë vuante – dhe vuan – nga sëmundje e mentalitetit të ndryshkur i cili dekompozonte jetën tonë. Dhe vuante nga tjatër gjë : nga mungesa e një spiritualiteti transfiguronjës. Spiritualist ay vetë, vizionar i një jete ideale dhe idealiste, e më fort : anti-materialist, ay vështronte rrezikun e materializmit dhe të mjeteve  të përdorura prej të gjithëve për t’i arritur këtij materializmi.
“Unë nuk di – shkruante Ismeti në ditorin e tij më 24 Shkurt 1931 – por besoj se ajo që pengon përparimin e këtij vendi është mentaliteti i ndryshkur, karakteri i dobët, morali i unjët e një klase të degjeneruar që sot është drejtonjësia e këtij vendi”.
Dhe gjith në atë kohë : “Shqiptarët s’kanë ngrehur, e as e kanë filluar ndërtesën e mermertë të një ndërgjegje, shqiptarët janë pas, edhe me të vërtetë pas nga shumë pikpamje. Reziku i math është se shqiptari u përpoq drejt për drejt vetëm me materializmë, kurse në botën e mëndies e të ndjenjës s’pat asnjë afrim. Kështu që frika është mos bëhemi çifutë” !
Frika e tridhjetë e njësë u provua tetë vjet më vonë, kur turma e arrogante e dallkaukëve që i kishin thurur dithiramba gënjeshtre Zogut për të fituar “mall e memuriet” e trathëtonin përpara se të kalojë Qafën e Krabës, dyke iu falur, çifutërish, Duçes dhe Viktorit të vogël të Savojës e dyke parakaluar me kryenaltësin e servilizmit përpara Kontit Ciano.
Nga se erdhi kjo?
Nga mungesa e një spiritualiteti, e një drite të brendshme.
Këtë bosh rrahu ta mbushë Ismeti me fjalën e tij. Po fjala e tij nuk bënte prizë si nuk bën prizë hekur me baltën. Hekurit të tij i duhej brumi i çimentos që nuk e kish bota e ahershme.
Dhe atëherë ngriti krye, dyke shkuar drejt vdekjes me një kthjelltësi pa shoq në botën shqiptare të asaj kohe.
Suljotët patnë kënduar :

Vem e vdesëm në vënt t’ënë,
Atje ku na u pat thënë;
Vdesëm me armë në dorë –
Si dhëndurët me kurorë.

Pa kënduar, gjith si dhëndër me kurorë (për të kurorëzuar me vdekjen) shkeli edhe Ismeti ndaj trikëndëshi i litarit.
Po gjer në grimën e fundit zemra s’i pushoi së rrahuri e mendja së menduari.
Mendimet e fundit, fjalët e fundit ja kushton Atdheut, dyke pirë gotën që i dha. Sulmova jetën, shkruan ay në burg, përpara se t’i hidhet sipër pëlhura e qefinit, dhe më pushtoi vdekja. Po vdekja nuk e tremb. Sepse vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë janë në lartësinë e vdekjes ... Jeta që s’ka qëllim është jetë kafshe.
Ismeti nuk u trondit prej vdekjes, sepse ay kish një Ideal për të cilin pat luftuar. Më fort se kaq ay kish besimin se “i vdekur munt të jesh m’i math e m’i fuqishmë se sa i gjallë. Më tepër na udhëheqin të vdekurit se sa të gjallët”. Kjo ide nuk ish e re. E kish patur që më 1931 kur shkruante se “tradita është sundimi i të vdekurve mbi të gjallët”.
Kulm i spiritualitetit ky i tija.
Madhështor e zotëronjës.
Përpara tij lipset të përulemi ne dhe ata të gjeneratave që vijnë.
Përmjet tij nga “heroj i shpirtit” dhe “heroj i mendjes” Ismet Totua u bë “heroj i trupit”.
Popuj që kanë të tillë heroj, nuk vdesin !

 

«Revista Letrare»1-VI-1944

 

 

1)  U vu në shtyp dhe do dalë së shpejti “Bota e një djali kryengritës”- Shkrime të zgjedhura të Ismet Totos. E përkujdes : Selahydin Toto.

 

 

Dhimitër Pasko


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...