Oshtima

Zëmra e Shqipnis ethnike është Tirana

Fjalim i mbajtur nga deputeti Xhelal Mitrovica, në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e votëbesimit të Qeverisë Dine në korrik të vitit 1944.

Shkëlqesa, Zotnij Përfaqësuesa të popullit!

Programi që shkëlqesa Fiqiri Dine pati mirësinë me aqë kjartësi me na paraqitë asht një përmbledhje besnike dhe nji pasqyrë e kjartë e preventiviti të nji Qeverije që ka marë përsipër barrën e randë të drejtimit të vendit t’onë në çaste kaq të rrezikëshme për jetën t’onë kombëtare.

Ndërsa ne flasim, Shqipnija, në pjesën ma të madhe asht në zjarmë dhe flaka ka tendenca, po qe se fuqinat t’ona kombëtare nuk i bashkohen në nji vullnet të çelniktë e të pathyeshëm me u zgjanue tue vue në rrezik qenjën fizike të racës s’onë.

Programi asht naltësisht patriotik, i bazuem në nji mendësi të gjanë bashkëpunimi politik, por do t’ishte letër e vdekun për ne, po të mos kishim bindjen e plotë në personalitetin politik të Shkëlqesës Fiqiri Dine i cilli, në sajë të karakterit të tij fisnikisht shqiptar, në gjendjen e tanishme përfaqëson një shtyllë të fortë bashkimi dhe bashkëpunimi të të gjitha partinave politike shqiptare.

Qeverinat fatkeqësisht, për natyrën e tyne të përkohëshme, kanë një kufi kohe për zbatimin e programit të tyne: preventivet dhe konsuntivet duhet t’i llogarisin në frymën e këtij faktori, tue mos u nxit, të rrëmbyem nga pasjonet e çastit, në gjykime të gabuara.

Sod Dhoma duhet t’i pranojë preventivet, tue shpresue se konsuntivet nesër do të jenë në mos të barabarta, t’fata me e kënaqe pritjen t’onë të përgjithshme.

Qeverija e kryesueme prej Shkëlqesës Fiqiri Dine, siç e dijmë të gjithë, asht një kompleks koalitive që, në rastin e tanishëm, në mes të flakës dhe të zjarmit të vëllavrasjes, do të mundohet me i kalue të gjitha vështirsinat për t’i a mbrrijtë qëllimit kryesuer: shpëtimit të Shqipnis. Dërmimi i të gjitha tendencave ideologjike që kërkojnë themelimin e supremacisë politike me anë të forcës brutale asht nji pikë që ne do të përkrahim me të gjitha fuqinat t’ona për t’i sigurue popullit shqiptar nji të nesërme ku çdo grindje politike apo regjimore do të resultohet me anën e vullnetit direkt të popullit.

Si deputet kosovar falenderojë nxehtësisht Shkëlqesën Dine për këtë politikë t’urtë dhe të matun, tue u përgëzue veçanërisht për deklaratën solemne se ruejtja e kufijve ethnike asht bazë kryesore e politikës së Qeveris së tij.

Gjej rastin me ba nji konstatim t’idhtë por të nevojshëm; para kësaj Dhome ku problemet e popullit shqiptar, prej Prishtine deri në Konispol duhet të rrahën me nji sinkronizëm mendimi dhe veprimi dhe nji guxim që vet mandati populluer na garanton.

Ky konstatim asht se pjesëmarrja e grupit kosovar asht shum e pakët në relacjon me rëndësinë e çastit dhe në lidhje me sakrificat e kryeme nga Kosova, në mos tjetër, prej datës S’Asambles Kushtetuese të Shtetorit 1943 e deri sod.

Rreth kësaj çështje diçka na ka thanë kumtesa zyrtare. Diçka na kanë ndigjue vesht. Por diçka që na ka prek thellësisht, ne kosovarve, asht pëshpërit këtu-aty autonomizëm, separatizëm. Personat që i kanë përhapë këto fjalë sigurisht nuk janë miqët e popullit shqiptar apo më keq janë në shërbim t’anmiqve t’onë tradicjonalë. Asht e nevojshme pra, për hire të ndërgjegjes s’onë kombëtare të pastër dhe për hire të gjakut të derdhun nga kosovarët për bashkimin e Kosovës me Shqipni, të deklarojmë solemnisht para kësaj Dhome se Kosova nuk ka mendue, nuk mendon, dhe nuk do të lejojë që të mendohet, për asnji çast, në nji rindamje të sajë nga Nana Shqipni.

Zemra e Shqipnisë Ethnike për ne ësht Tirana.

Vetëm Zoti i plotfuqishëm mund të na ndaj, njerzit dhe anmiqtë kurrë!
Këtë për të qenë të drejtë, për t’i nda përgjegjësinat dhe të vue në dukje vlerën naltësisht morale të popullit kosovar.

Shkëlqesa! Zotnij Deputetë!

Ne besojmë se çdo gja të rregullohet. Shresojmë veçanërisht se vullneti i Kosovës do të respektohet ashtu si ç’asht parashtrue. E këto shpresa dhe bindje na vijnë nga fakti që Kosova asht nji realitet politik, demografik, ekonomik dhe racjal dhe në sajë 700 000 banorëve ka të drejtën e sajë me qenë e pranishme në çdo kombinacjon qeveritar. Kosova, zotnij të ndershëm, asht nji faktoir ndërtimtar dhe beson vetëm në fuqinë e Shtetit e këtë besim e ka tregue në rastet e rrezikut kombëtar me fuqinë e vullnetit të sajë.

Grupi kosovar ka ardhë në Asamble n Kushtetuese të Tiranës me 150 përfaqësuësa të vendosun me çdo kusht m’e rithemelue Shtetin Shqiptar e m’e shtypë çdo tendence që kërkonte shkatërrimin dhe rënimin e autoritetit shtetnuer, e prandaj, nuk asht e drejtë që t’akuzohet si shkaktar dasinash apo grindjesh sepse, me plotë të drejtë, nuk ka pranue me hye si aktor i dorës së tretë në skenën e madhe shqiptare ku luhet sod fati i krejt Kombit Shqiptar.

Janë përgjegjësina tepër të randa këto, për t’u marrë nga grupi kosovar, ndërsa çdo personë asht i lirë me veprue ashtu si ma mirë i-a ha mendja, e si ma mirë i pëlqen.

Mungesa e nji përfaqësije të plot kosovare në Qeveri asht nji e metë që shpresojmë do të plotësohet për së shpejti sepse rasti i kundërt do t’i linte vend interpretimeve të shumta, të cillat mund të mërrijnë deri në dyshime serioze të nji natyre politike ndërkombëtare që mund të vrasin dhe cenojnë tepër larg. Këto dyshime për ne kosovarët nuk janë tjetër veç se fryma e nji shpirite mohimtare të të drejtave t’ona fillesatare me jetue si komb dhe si Shtet.

Zonti të ndershëm

Pamëvarësisht nga këto konsideracjone Qeverija e zotit Dine duhet përkrahë, sepse mandati na asht besue nga populli, i cili sod asht i kërcënuem me vdekje nga vala pansllaviste nën formën genjështare të komunizmit, vetëm e vetëm për t’i bashkue fuqinat në mbroje të racës shqiptare, të jetës, të nderit dhe të pasunis së qytetarit.
Dëshmija ma e kjartë e këti vullneti ash zani i shqiptarizmës së krahinës që, un kam nderin m’e përfaqësue këtu, za i cilli po buçet fuqishëm atje në fushën e burravet, atje ku luftohet dhe vdiqët për Shqipni, për bashkim.

Përfaqësuesave të Kosovës, intelektualë apo prodhimtarë, iu përket me i këthye atje dhe m’e u bashkue me bujkun t’onë për t’derdhë bashkarisht gjakun që të sigurohet jeta dhe lirija politike e krej popullit shqiptar.

Në këtë rast asht për mue nji gëzim i math me i parashtrue Qeverisë së Shkëlqesës Fiqiri Dine urimet e mija ma të nxehta për nji punë të mbarë dhe nji sukses të plotës, tue e përsëritë para përfaqësuesave të popullit dhe para botës mike dhe anmike fjalën t’onë tradicjonale kosovare:

“Të bashkue me vllaznit t’onë deri në vdekje”

 

 

«Lirija e Shqipnis», 31-VII-1944.

 

Xhelal Mitrovica


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...