Oshtima

Rreth origjinës së flamurit të Skënderbeut

Kumtesë e mbajtur në sesionin shkencor organizuar në Krujë me rastin e 519-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

 

Dihet se për arsye të njohura historike (për shkak të pushtimit të gjatë osman) asnjë flamur origjinal i Skënderbeut, i përdorur prej tij në shek. XV, nuk ka mundur të vijë deri në ditët tona. Megjithatë burimet historike që sinjalizojnë ekzistencën e tyre japin të dhëna më se të mjaftueshme për t’i përfytyruar ata në mënyrë pak a shumë të saktë. «Skënderbeu — shkruan Barleti — mbante flamurë të kuq të qëndisur me shqiponja të zeza dykrenore. Ky ishte flamuri i fisit të tij»1 Të njëjtën informatë ofron edhe tradita popullore: Në Mat, Kastriotët e Shtjefnit, të cilët e konsiderojnë veten si pasardhës të Kastriotëve, kanë ruajtur deri në ditët tona në duvakun e nuses shqipen me dy krerë, si simbol të flamurit të Kastriotëve2.
Gravura dhe koleksione të ndryshme stemash mesjetare të bëra nga autorë të ndryshëm të huaj të shek. XVI-XVII, të cilat ruhen si dorëshkrime, vizatime në biblioteka e arkiva të shteteve të ndryshme të Evropës, paraqesin po ashtu si element kryesor të stemës së Kastriotëve shqiponjën me dy krerë3. Zbulimi më i gjurmës së vulës së madhe të Skënderbeut në dyllë në një dokument të dalë nga kancelaria e tij, që paraqet po ashtu një shqiponjë dykrenore, vërteton përfundimisht jo vetëm saktësinë e burimeve të lartpërmendura në lidhje me të, por edhe lejon të njihet saktësisht pamja konkrete e saj4. Çfarë simbolizonte kjo shqiponjë për Kastriotët, ç’domethënie kishte ajo për ta, kujt i referoheshin me të, cila ishte pra origjina e saj? Kjo ka qenë dhe është një nga pyetjet më ngacmuese, dhe më interesante në njohjen e historisë së Kastriotëve.

Problemi nuk është i patrajtuar në historiografinë tonë. Arsyeja sigurisht është e qartë, sepse në thelb fjala nuk është vetëm për flamurin e Kastriotëve, por njëherazi edhe për flamurin tonë kombëtar. Si i tillë, nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte një problem i zakonshëm me karakter thjesht «historik» që mund të interesonte vetëm një rreth të mbyllur studiuesish, përkundrazi ka interesuar tërë shoqërinë shqiptare, gjithë ndërgjegjen tonë kombëtare. Pikërisht në përgjigje të tyre prof. A. Buda botoi më 1962 shkrimin «Pse flamuri ynë e ka shqiponjën me dy krerë»5; më 1962 Dh. Pilika botoi në organin «Zëri i popullit» shkrimin në formë njoftimi me titull: «Zbulohet vula zyrtare e Skënderbeut. Nga rrjedh shqiponja jonë»,6 të dhëna këto që autori i publikoi edhe në kumtesën e tij me titull «Duke kërkuar Albanica ndër arkiva dhe biblioteka të jashtme», mbajtur në Konferencën I të Studimeve Albanologjike organizuar në Tiranë më 19627. Më 1967 dhe 1976 K. Frashëri botoi respektivisht shkrimet: «Flamuri i Skënderbeut»8 dhe «Origjina e shqiponjës dy krenare në flamurin tonë kombëtar».9 Studime kushtuar këtij problemi ka edhe në historiografinë shqiptare para Çlirimit. Pa dashur të bëjmë këtu një paraqitje të plolë bibliografike përmendim me këtë rast për vlerat që përmban, shkrimin e K. Floqit «Shkaba dy krenare»10 etj.
Si simbol dhe shprehje e drejtpërdrejtë e identitetit kombëtar shqiptar flamuri i Skënderbeut nuk mund të mos tërhiqte me të njëjtën forcë edhe studiues të popullsisë shqiptare të Kosovës. Këtu mund të thuhet madje se punimi më i gjerë dhe më i saktë kritik në lidhje me vulën e madhe të Skënderbeut i përket pikërisht studiuesit Tefik Gjeçi11.
Ndonëse ekziston një literaturë e mirëfilltë kushtuar pjesërisht ose tërësisht këtij problemi çështja në vetvete është akoma e pazgjidhur, mendimet janë nga më të ndryshmet. Sipas disa studiuesve shqiponja me dy krerë e flamurit të Kastriotëve, është ndikim i drejtpërdrejtë i shqiponjës me dy krerë të Bizantit, të tjerë autorë, që kundërshtojnë këtë pikëpamje, sugjerojnë për të parë tek shqiponja me dy krerë e Kastriotsve traditën letrare të popullit tonë për të përfytyruar trimat e jashtëzakonshëm me dy zemra (Gjeto Basho Muji) ose fuqinë e jashtëzakonshme me dy krerë (dragojt), për ndonjë tjetër dy krerët e shqiponjës përfaqësonin për Skënderbeun Toskërinë dhe Gegërinë etj.
Në morinë e këtyre pikëpamjeve të fundit, që janë në shumicën e rasteve me karakter tepër subjektiv, pa ndonjë bazë historike të verifikueshme dhe argumentim shkencor të mjaftueshëm, tërheq vëmendjen për bazën deri-diku historike mbi të cilën mbështetet pikëpamja që përpiqet të shpjegojë shqiponjën e flamurit të Skënderbeut si transplantim të drejtpërdrejtë nga një traditë e lashtë popullore e periudhës së antikitetit. Për vetë rëndësinë që paraqet për ne si shqiptarë një pikëpamje e tillë, jemi të prirur ta shqyrtojmë me një interes të veçantë dhe t’i bëjmë asaj gjithë shërbimet e mundshme, pra ta mbështesim me të gjitha faktet e mundshme para se ta braktisnim si shumë të tjera që nuk na duken se kanë, (me gjithë predispozicionin e tyre të mirë) ndonjë konsistencë për t’u marrë në konsideratë.
Arsyet përse ka një larmi të tillë mendimesh rreth çështjes në shqyrtim janë sigurisht të kuptueshme: së pari, të dhënat e mirëfillta historike që njoftojnë ekzistencën e flamurit të Kastriotëve (M. Barleti, Dh. Frengu, Fr. Bardhi etj.) heshtin plotësisht kur është fjala për të sqaruar origjinën e tij, së dyti, shqiponja me një ose dy krerë ka një përhapje jashtëzakonisht të gjerë në popuj e vende të ndryshme, si simbol pushteti apo objekt mitologjik, duke filluar nga antikiteti e deri në periudhën e Skënderbeut, që na intereson posaçërisht. Një shqiponjë e tillë dykrenare, për të sjellë këtu vetëm një shembull, haset p.sh. që në antikitet tek Hititët e lashtë.
Siç shihet problemi është mjaft i vështirë dhe çdo zgjidhje e dhënë, përfshirë këtu edhe mendimin tonë që do të japim më poshtë, është tepër e diskutueshme. Megjithatë rëndësi ka të diskutohet rreth kësaj çështje, që pa fjalë meriton vëmendje; të hidhen pra të gjitha faktet dhe argumentet që janë për njërën apo tjetrën zgjidhje. Vetëm kështu mund të arrihej një zgjidhje përfundimtare. Këtij qëllimi i shërben shkrimi ynë.


* * *

Nga të gjitha pikëpamjet e shprehura lidhur me flamurin e Kastriotëve, pikëpamja më me peshë është sigurisht ajo që e shpjegon shqiponjën e Kastriotëve si ndikim të Bizantit dhe rrjedhimisht pa qëruar më parë hesapet me të, asnjë shpjegim tjetër nuk mund të jetë i pranueshëm. Është pikëpamja më me peshë, sepse ka një bazë historike dhe logjike mbi të cilën mbështetet: Bizanti ka qenë për shekuj me radhë pushtet qendror në trevat shqiptare, dhe, për feudalët shqiptarë, me të cilët lind tradita e mbajtjes së stemave në Shqipëri, nuk ka qenë pa interes të merrnin stemën e tij, sepse dhënia e saj ishte shprehje e njohjes së pushtetit të tyre nga pushteti qendror.
Rrjedhimisht, të mohohet kategorikisht ndikimi i Bizantit në stemat shqiptare, siç vëmë re në disa shkrime, në një kohë kur çështja paraqiste në vetvete interes politik për feudalët shqiptarë, do të thotë ta trajtosh deri-diku problemin jashtë situatave konkrete historike dhe në kundërshtim me faktet. Një nga argumentet më interesante, që është ngritur nga studiuesit tanë për të kundërshtuar tezën e ndikimit të Bizantit në atë të Kastriotëve, është edhe ky: «Shqiponja vazhdimisht ka jetuar në malet e Shqipërisë, përherë ka jetuar mbi kokat e shqiptarëve». Argumenti sigurisht është me vlerë, megjithatë edhe ky për fat të keq nuk na duket në fund të fundit se përbën një arsye të padiskutueshme për të pranuar se ai është edhe shkaku që shqiptarët e morën atë si simbol pushteti, për arsye se shqiptarët kanë marrë si simbol pushteti edhe Luanin (p.sh. tek stema e Karl Topisë), që siç dihet nuk ka jetuar asnjëherë në Shqipëri. Kjo na bën të mendojmë se nuk kanë qenë me sa duket preferencat e rastit të Kastriotëve për këtë shpend të shkathët dhe energjik, që i shtynë ata të merrnin atë si simbol pushteti, siç do të na pëlqente edhe ne të besonim, por motive të tjera shumë më të thella, të cilat duhen kërkuar në këtë rast. Përpjekjeve pozitive që kundërshtojnë ndikimin e Bizantit në stemën e Kastriotëve ne do t’i vinim në ndihmë jo me argumentime të kësaj natyre që u vunë në dukje më lart por me një mënyrë tjetër arsyetimi, që del nga shqyrtimi i materialeve:
Në shek. XII-XIV kemi praktikisht një larmi stemash feudale, pra jo të gjithë zotërinjtë shqiptarë mbajnë praktikisht stemën e Bizantit. Që këtej rezulton se ndikimi i Bizantit, në stemat shqiptare nuk duhet absolutizuar, Për më tepër, i pari shtet shqiptar që doli pikërisht në kohë të Bizantit, shteti i Arbërit, ka një stemë siç dihet të ndryshme prej tij, ndonëse kishte edhe marrëdhënie të tilla martesore që e lidhnin me një farë mënyre me Bizantin. Këto fakte të marra në tërësi lënë pra mjaft për të dyshuar për të pranuar apriori ndikimin e Bizantit në flamurin e Kastriotëve. Në kushtet kur të dhënat historike për flamurin e Kastriotëve heshtin plotësisht, kur është fjala për të shpjeguar origjinën e tij, mendojmë se ka rëndësi nga pikëpamja metodike të kuptojmë më parë qartë, në materiale të tjera te kohës, logjikën që zotëronte tek zotërinjtë shqiptarë kur përvetësonin këtë apo atë stemë, logjikën e kohës pra në një çështje të tillë. Pa pasur të qartë këtë çdo shpjegim për flamurin e Kastriotit do të ishte tepër i nxituar e i paargumentuar. Kjo kërkon para së gjithash të mos gozhdohemi me ato fakte që kanë të bëjnë vetëm me stemën apo flamurin e Kastriotëve, por të merren në konsideratë të gjitha të dhënat që disponohen për stemat e principatave të tjera të kohës.

Një shqyrtim i përgjithshëm mbi pak të dhëna që disponojmë zbulon qartë, mendojmë ne, se çështja e stemës ishte një moment tepër i rëndësishëm politik në historinë e principatave shqiptare: se nuk ishin dëshirat subjektive e të rastit të zotërinjve ato që determinonin në zgjedhjen e kësaj apo asaj steme, por interesat e thella politike të klasës feudale, të kryezotërve feudalë që kërkonin, me mjete të tilla përfaqësimin në marrëdhëniet midis tyre dhe botën e jashtme, të konsolidonin pushtetin e tyre feudal. Të dhënat dëshmojnë se secili princ i kohës kërkonte dhe bënte të vetat ato simbole, për stemën ose flamurin e tij, që i shërbenin si argumente historike, juridike të së drejtës së pushtetit të tyre në trevën ku kishte shtrirë ndërkohë sundimin e tij, apo edhe në trevat e tjera ku pretendonte ta shtrinte atë më tej. Një tendencë të tilla e shohim qartë në materialet e kohës, në disa momente. Me një qartësi të veçantë kjo shihet sidomos tek Muzakajt: për krijimin e stemës së tyre, Muzakajt siç na njofton në kronikën e tij Gjon Muzaka (një bashkëkohës i Skënderbeut) kishin rrëmuar (studiuar) në kuptimin e plotë të fjalës historinë e vendit, kronikat dhe autoret e vjetër, gjithçka pra që fliste për trevën ku ata kishin shtrirë praktikisht sundimin e tyre dhe, vetëm pas këtij shqyrtimi të hollësishëm, ata zgjodhën si emblemë të tyre «një burim të gjallë që dilte nga toka me dy pishtarë.. .» «atë burim të vjetër të Epirit, për të cilin flisnin sipas tij, shumë autorë të vjetër se shuhej e ndizej.. .»12 Dëshmia është më se elokuente për të kuptuar këtu se Muzakajt kërkojnë të gjejnë lidhje historike mbi trevën ku kishin shtrirë sundimin e tyre. Mirëpo me kohë, siç na njofton më tej kronisti ynë, Muzakajt bënë të tyre shenjat e pushtetit bizantin «shqiponjën me dy krerë, të kurorëzuar me një yll në mes».13 Në tregimin e tij Muzaka na shpjegon qartë, (çka na intereson ne në mënyrë të veçantë për problemin në shqyrtim,) mënyrën se si e bënë të tyre këtë stemë. Ata e morën këtë jo thjesht sepse ashtu u pëlqeu atyre, por vetëm atëherë kur vetë Bizanti ua njohu të drejtën ta përdornin këtë stemë. Dhe kjo e drejtë iu dha me një diplomë përkatëse të vulosur me vulë ari, si shpërblim për ndihmën që i kishte dhënë Bizantit Andrea II Muzaka në luftë kundër sundimtarit serb Vukashinit14. Diploma, sigurisht, ishte me rëndësi të madhe për Muzakajt, sepse ishte shprehje e njohjes së zotërimit të tyre nga pushteti i vjetër qendror, një fakt me peshë për të mbështetur mbi një bazë juridike legjitimitetin e pushtetit të tyre në kushtet e rivalitetit të ashpër për pushtet në radhët e klasës feudale shqiptare në shek. XIV-XV.
I njëjti sens logjik na duket se udhëheq në thelb edhe Topiajt në krijimin e stemës së tyre. Ndryshe nga Muzakajt, ata përkundrazi bënë të tyren stemën e Anzhuinëve, ose më saktë përfshinë në stemën e tyre edhe atë të Anzhuinëve. Një domethënie të tillë kanë tre zambakët e stemës së Anzhuinëve në stemën e njohur të Karl Topisë15. Ne jemi të prirur për të parë këtu jo thjesht një qëndrim të zakonshëm për t’u mburrur për origjinën, siç mendohet thjesht shpeshherë, por përpjekje të shkathta politike nga ana e Topiajve për të shpallur veten trashëgimtarë legjitimë të pushtetit të vjetër anzhuin në trevat shqiptare, të asaj «Regnum Albanie» që u formua prej Anzhuinëve që më 1272. Një domethënie të tillë politike kishte, sipas nesh, edhe fakti që K. Topia e shpallte veten me gjak francez, siç ishin anzhuinët16. Sido që të jetë për ne ka rëndësi fakti se edhe në rastin e Topiajve vemë re se ata përvetësojnë një stemë për të cilën ishin në gjendje të jepnin prova se u takonte me të drejtë.
Të kthehemi tani tek Kastriotët. Ndryshe nga shumë sundimtarë të tjerë të kohës, ata ishin një familje relativisht e re, që u ngrit e doli në plan të parë në historinë politike të vendit kryesisht me Gjonin; një familje pra që nuk kishte kryer asnjë shërbim ndaj pushtetit bizantin që të pretendonte, sikundër Muzakajt stemën e tij, sepse ngritja e kësaj familje përkon në një kohë kur Bizanti kishte hequr shpirt, të paktën në Shqipëri. Ç’vlerë mund të kishte për Kastriotët të merrnin stemën e Bizantit kur me këtë stemë çështja ishte të përfaqësoheshin në marrëdhënie me kryezotër të tjerë shqiptarë? Me se mund ta justifikonin Kastriotët para Dukagjinasve, Muzakajve, Arianitëve, Balshajve etj. mbajtjen e kësaj steme, kur këta të fundit e dinin mirë se familja e tyre nuk kishte pasur asnjë lidhje me Bizantin? Është ky arsyetim së pari që na dikton të shohim me dyshim stemën e Bizantit në atë të Kastriotëve*
Mirëpo në rast se nuk është stemë e Bizantit, ç’mund të jetë atëherë? Mund të jetë stemë e trashguar nga zotërinj të tjerë paraardhës, mbi të cilët shtrinë pushtetin e tyre Kastriotët, por mund të jetë akoma më e lashtë në domethënien e vet. Një varg të dhënat indirekte, që kanë të bëjnë me Kastriotët, duket se këtë mendim të fundit kërkojnë të mbështesin. Janë disa të dhëna që nxisin për të parë tek Kastriotët të njëjtin qëndrim në krijimin e stemës së tyre siç vumë re tek Muzakajt kur krijuan stemën e tyre të hershme (burimin me dy pishtarë) domethënë mbështetje në historinë e vendit, kërkim lidhjesh historike për krijimin e stemës së tyre.

Së pari, fakti që na kumton Barleti: emri SKËNDERBE, (me të cilin heroi ynë mbeti përjetësisht i famshëm ndër shekuj) iu dha atij nga osmanët (pas dorëzimit peng së bashku me vëllezërit e tij në oborrin e sulltanit), dhe me këtë emër ata kishin parasysh Aleksandrin e Madh të Maqedonisë17.
Siç shihet turqit, bëjnë këtu një lidhje midis Skënderbeut dhe Aleksandrit të Madh. E rastit qe kjo? Ç’trimëri mund të ketë një fëmi 9-vjeçar si Gjergji i vogël për ta merituar një emër të madh si Aleksandri? Të shkojmë më tej: nga vepra e Barletit rezulton se shqiptarët e konsideronin Aleksandrin të tyre. Ka mëse disa raste ku pohohet pa asnjë mëdyshje sa thamë më lart18. Përse e konsideronin të tyre? Sepse në shek. XV njiheshin tashmë mirë kronikat dhe autorët e vjetër greko-romakë; shek. XV ishte epoka e shpërthimit të lëvizjes kulturore të humanizmit e cila nxori në dritë me tërë shkëlqimin e saj kulturën dhe qytetërimin e lashtë greko-romak, heronjtë dhe artistët e saj, historianët dhe filozofët e mëdhenj, e bashkë me to emërtime të vjetra (antike) popullsish dhe trevash të ndryshme, të rënë prej shekujsh me radhë deri atëhere në mjegullën e plotë të harresës. Të përfshirë në këtë lëvizje të gjerë përparimtare, humanistët shqiptarë me Barletin e madh në krye, të interesuar drejtpërdrejt për të zbuluar rrënjët historike të kombësisë shqiptare19, duke u nisur nga emërtime antike që ishin shtrirë dikur në trevat shqiptare, bënë të tyre mendimin se shqiptarët (arbërit) ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të epirotëve dhe maqedonasve të vjetër, të Pirros dhe Aleksandrit të Madh20. Për këtë të fundit, kronikat dhe historianët e vjetër thonin qartë se ishte një epirotas i kulluar mollos nga e ëma21. Për shqiptarët (arbërit) e shek. XV, që e mbanin veten epirotë, kjo e dhënë ishte plotësisht e mjaftueshme për ta konsideruar Aleksandrin e Madh sikundër edhe Pirron një paraardhës të lavdishëm të fisit epirot.
Pas këtyre që thamë kuptohet qartë përse osmanët bëjnë lidhje midis Skënderbeut dhe Aleksandrit. Tani shtrohet pyetja: A ia dhanë turqit atij emrin Skënderbe (= Aleksandër) thjesht sepse shqiptarët e mbanin veten pasardhës të Aleksandrit apo se edhe vetë kastriotët pretendonin (pavarësisht se nuk kishin ndonjë fakt) të ishin pasardhës të Aleksandrit? Edhe njëra edhe tjetra mund të jetë. Mirëpo fakti që dimë që Gjergj Kastrioti e mbajti emrin SKËNDERBE gjatë gjithë jetës së tij22 (pra edhe pas kthimit në Shqipëri) lë për të kuptuar se ai e hiqte veten pasardhës të Aleksandrit. Ka edhe një fakt tjetër që sugjeron për të menduar një gjë të tillë; përkrenarja e tij me simbolin aq të njohur të dhisë me dy brirë23. Studiuesi kosovar Sh. Pllana, ka dhënë një material interesant më se të mjaftueshëm, sipas mendimit tonë, për të pranuar se përkrenarja e Skënderbeut është në thelb një sajim i vetëdijshëm nga ana e Skënderbeut i përkrenares së Aleksandrit të Madh, emrin e të cilit mbante me krenari24.
Mirëpo në qoftë se Skënderbeu e mbante veten pasardhës të Aleksandrit dhe krijon edhe një përkrenare sipas shembëllimit apo përfytyrimit që kishtë për të, atëhere përse të mos mendohet se do të kërkonte të krijonte edhe një stemë apo flamur sipas shënjave ushtarake të Aleksandrit apo të Pirros, kur këta gëzonin kaq popullaritet tek shqiptarët e shek. XV, si paraardhës e themelues të lavdishëm të fisit epirot25? Ç’gjë kontradiktore ka një këtë mes? Pastaj, në kushtet e luftës së madhe antiosmane që zhvillonin shqiptarët në shek. XV, ç’figura të tjera më frymëzuese se këta mund të kishte kur kërkohej guxim e besim në forcat e veta?
Në veprat e Barletit, a nuk hyjnë këta «heronj» të antikitetit pikërisht me një funksion të tillë26? Ne mund të thoshim pa gabuar aspak se këto figura kanë luajtur tek shqiptarët e shek. XV në thelb pak a shumë po atë rol që ka luajtur edhe Skënderbeu (natyrisht në përmasa pa diskutime shumë më të mëdha) tek shqiptarët e shekujve pasardhës. Këtu mund të bëhej pyetja nëse ishte praktikisht e mundur të imitoheshin shënjat e Pirros dhe të Aleksandrit, me kushtet kur këto shënja nuk njiheshin (siç është për të besuar). Kjo do të ishte një pyetje pa vend, do të mendonim ne, sepse ato do të sajoheshin dhe do të shpalleshin si shenja të Aleksandrit, Pirros, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pa qanë detyrimisht e nevojshme të ishte origjinali për imitim. Rëndësi ka të lindte nevoja e shoqërisë për t’u referuar tek ndonjë figurë historike, ndërsa zgjidhja gjendej dhe zgjidhje të kësaj natyre janë bëre dhe bëhen lehtë edhe në ditët tona brenda e jashtë vendit.
Një rast tipik kemi pikërisht me flamurin tonë kombëtar: Rilindasit tanë, kur përgjithësuan p.sh. flamurin e Skënderbeut si flamur kombëtar, nuk kishin aspak në duart flamurin origjinal të Skënderbeut (i cili siç u tha nuk arriti, të vinte si objekt origjinal deri në ditët tona) që të mund ta rikrijonin atë ekzaktësisht. Megjithatë, ata e krijuan atë, bile fillimisht edhe pa pasur njoftimin tepër të rëndësishëm të Barletit lidhur me flamurin e Skënderbeut. A. Buda në shkrimin e tij ka shpjeguar qartë pikërisht se fillimisht pati përfytyrime të ndryshme nga rilindasit lidhur me flamurin e Skënderbeut, derisa zbuluan tek Barleti njoftimin e tij për këtë çështje, i cili sigurisht ishte më se i mjaftueshëm për ta zgjidhur shkencërisht (domethënë mbi një bazë të sigurt historike) një herë e mirë këtë çështje27.
Megjithatë për Kastriotët një farë modeli për të imituar apo sajuar një stemë me domethënien që t’i lidhte ata me Aleksandrin dhe Pirron nuk mungonte. Modelin e ofronte Pirrroja, një epirot (molos) kokë e këmbë fis i Aleksandrit, të cilin, siç thamë, shqiptarët e shek. XV e njihnin me krenari, siç na kumton në tërë veprën e tij M. Barleti, si paraardhës të tyre të drejtpërdrejtë. «Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, — i shkruante me krenari e zemërim bashkë Skënderbeu princit mendjemadh të Tarentit më 1460 në përgjigje të letrës së tij fyese e përçmuese ndaj vlerave luftarake të shqiptarëve, — ne quhemi epirotë dhe duhet ta dini se në kohë të tjera, stërgjyshërit tanë kanë kaluar në vendin tuaj që mbani ju sot dhe kanë bërë me romakët luftime të mëdha dhe e dimë se me të shumtën e herës u ndanë me nder se me turp»28. Aluzioni për Pirron është fare i qartë. Nuk është pra vetëm Barleti, si njeri i letrave dhe i kulturës klasike, që tërhiqet pas Pirros dhe Aleksandrit, siç mund të mendohej për t’i marrë me dyshim të dhënat e tij për këto figura, por është edhe vetë Skënderbeu më parë si burrë shteti etj. e bashkë me të tërë ndërgjegjen e shoqërisë së kohës, që ushqente të njëjtat mendime. Flitet për kronika të vjetra, për fat të keq të zhdukura një herë e mirë në valët e trazuara të historisë sonë kombëtare që pasqyronin historinë e Pirros, dhe kjo do të thotë se njihej sigurisht Plutarku dhe autorë të tjerë të vjetër, që trajtonin historinë e Pirros, luftërat e tij.
Duke treguar jetën e Pirros, Plutarku shkruante midis të tjerash se kur ai u kthye në atdhe plot lavdi «epirotët e pritën duke e përshëndetur me emrin shqiponjë. Është merita juaj u tha ai që unë jam shqiponjë dhe si të mos jem kur ju dhe armët tuaja më kini ngritur lart si me krahë të shpejtë»29. Lënda është më se e mjaftueshme për të sajuar, sigurisht me fantazi, stemën e kërkuar me qendër një shqiponjë prej së cilës mund të mendohet se vjen në domethënien e saj të hershme edhe shqiponja e flamurit tonë kombëtar.
Ka edhe një të dhënë tjetër, sigurisht indirekte, që shpie për të menduar një mundësi të tillë: vula tjetër e Skënderbeut, e njohur në literaturën tonë me emrin «vula sekrete» e tij30. Sikundër edhe vulën e madhe zyrtare të tij edhe këtë e njohim nga gjurma në dyllë që ka lënë ajo në letrat autentike të heroit tonë dërguar në Raguzë aty nga viti 1459. Mendohet se i ka shërbyer edhe të jatit, Gjonit, pra kemi të bëjmë me një dëshmi akoma më të hershme për historinë e Kastriotëve. Sipas studiuesve, paraqet Ledën, perinë pellazgjike së cilës i qëndron pranë Zeusi i Dodonës i shndërruar në mjellmë. Frymëzimi siç shihet është antikiteti, pellazgët, një e dhënë interesante kjo e fundit, që lë për të menduar se shkohej shumë më thellë në histori për të kërkuar rrënjë të stërlashtë të kombësisë.
Dhe në rast se në njërën vulë siç është kjo e fundit frymëzimi është kaq i lashtë e domethënës, përse të mos mendohet se edhe në tjetrën që paraqet shqiponjën dykrenare të kemi gjithmonë të njëjtin frymëzim që niset nga antikiteti, nga historia e lashtë e popullit? A nuk ka në këtë mes një lidhje logjike që shtyn për të pranuar këtë mendim?

 

 


«Studime Historike» 3, 1987, Tiranë, f.


 

 


1)  M. Barletius. Historia de vita et gestis Scandergegi Epirotarum principis, impressum Roma per B. V. Të dhënat i kemi nxjerrë nga M. Barleti Historia e Skënderbeut, (përkthyer nga origjinali latinisht nga S. I. Prifti), botim i dytë, Tiranë, 1967, f. 93.
2)  D. Kurti. Kastriotët nëpërmjet legjendave (botuar në gazetën Bashkimi, 7 maj 1967. Tradita popullore ka të dhëna interesante rreth stemës dhe flamurit të Kastriotëve. Sipas krutanëve p.sh. «përmbi portën e madhe (të kalasë së Krujës — L.M.) në faqen e jashtme, ku duket vendi edhe sot, ka qenë nji pllakë mermeri. Kur u zaptua kalaja këtë pllakë e muarën Turqit ene e tretën. Thuhet se kjo ka pas shejat e Skënderbeut» në Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun. Përgatitur nga Q. Haxhihasani, Tiranë, 1967, f. 42. «Pleqtë na thojshin se flamuri i Skënderbeut ka qenë kuq e zi. Prandaj edhe gratë tona vishen me qashe të zeza e me spika të kuqe» (Bulqizë-Dibër, 1950). Po aty, f. 32, etj.
3)  A. Matkovski. Stemat shqiptare në të kaluarën, botuar në revistën «Gjurmime albanclogjike», 1969, nr. 2, f. 100.
4)  Duke marrë parasysh faktin se në vulën e madhe të Skënderbeut dhe në disa materiale të tjera me vlera të mirëfillta historike shihet edhe një yll i vogël gjashtëcepësh që qëndron lart midis dy krerëve të shqiponjës, duhet menduar se ky ka qenë një element tjetër i rëndësishëm i stemës dhe flamurit të Kastriotëve por për këtë nuk do të bëhet fjalë në shkrimin tonë.
5)  Gazeta «Mësuesi» 30 mars 1962.
6)  Gazeta «Zëri i popullit», 25 nëntor 1962.
7)  Konferenca I e Studimeve Albanologjike (15-21 nëntor 1962) Tiranë 1965 f. 719-724.
8)  Gazeta «Drita», 31 dhjetor 1967.
9)  Revista «Shkenca dhe jeta», 1976, nr. 5.
10) Revista «Leka», 1934, nr. 12, f. 414-415.
11) T. Gjeçi. «Mbi sfragjistikën e Kastriotëve», botuar në Simpoziumi për Skënderbeun, (9-12 maj 1968). Prishtinë, 1969, f. 229-249.
12) Ch. Hopf, Chroniques greco-romanes, Berlin, 1873, f, 278,
13) Po aty.
14) Po aty.
15) Th. Popa, Të dhëna mbi princat mesjetarë shqiptarë në mbishkrimet e kishave tona, në rev. «Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës», Seria e shkencave shoqërore, 1957, 2 (4), f. 185-206 etj.
16) Po aty.
*) Mund të mendohet të jetë stemë e Bizantit, huazim i drejtpërdrejtë i saj në kuptimin që me luftën e tij kundër osmanëve Skënderbeu shpallte para shtetasve evropianë (të cilit kërkonte t’i angazhonte) se ndërmerrte një luftë që synonte të çlironte trevat e dikurshme të Perandorisë Bizantine, tashmë treva të lira shqiptare; mundet, por megjithatë vetë Skënderbeu nuk ka shprehur në asnjë rast një domethënie të tillë të luftës së tij. As shtetet e tjerë të kohës që kanë pasur, siç dihet, lidhje të vazhdueshme diplomatike më të gjatë gjithë periudhës së luftës antiosmane, nuk ka shprehur ndonjë gjë, mund të shpjerë në mendimin se në stemën e Skënderbeut kemi të bëjmë me atë të Bizantit. Dhe dokumentacioni (domethënë korrespondenca e Skënderbeut me botën e jashtme) nuk është i pakët që të mund të mendohet se e ka fajin ai që nuk e shpreh këtë që supozohet.
17) Emrit Iskender në turqisht i korrespondon emri i krishterë Aleksandër. Për rënien e I-së nga Iskander shih: Sh. Pllana. Skënderbeu në krijimtarinë gojore të Kosovës dhe të Maqedonisë, në Simpoziumi për Skënderbeun. (9-12 maj 1968), Prishtinë, 1969, f. 298.
13)
18) Në rrethimin e Sfetigradit nga turqit, komandanti shqiptar i saj, Perlati, iu drejtua, sipas Barletit, me këto fjalë ushtarëve të tij: «Mos kini dëgjuar ju vallë se kështu edhe ai Dari, mbreti ... i persëve, i dërrmuar nga Aleksandri ynë duke marrë arratinë ... (M. Barleti. vep. e përm:, 1. 224). Në pritjen e organizuar për Skënderbeun në Raguzë (me rastin e ndalimit të përkohshëm të tij gjatë udhëtimit për në Itali në ndihmë të Ferdinantit të Napolit) «një farë Davidi — shkrimtar raguzinas» iu drejtua Skënderbeut (Barleti këtë e kishte me të dëgjuar), midis të tjerash me këto fjalë: «Vetëm ti me të vërtetë je bërë tmerri i turqëve, vetëm ti ke ditur t’i thyesh turqit... As Aleksandri yt epirotas...» M: Barleti. vep. e përm. f. 400 etj.
19) E. Dule. Koncepti Epir dhe epirët në shek. XIII-XVI, kumtesë e mbajtur në Konferencën kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar, të Gjuhës dhe të Kulturës së tij, që zhvilloi punimet në Tiranë, nga data 2-5 korrik 1982.
20) Dëshirojmë të theksojmë këtu, për të evituar çdo keqkuptim që mund të lindë, se nuk na intereson çështja e përkatësisë etnike e Aleksandrit të Madh. Për ne ka rëndësi në këtë mes vetëm një çështje: Ç’mendim kishin lidhur me Aleksandrin e Madh shqiptarët arbër të shek. XV, pavarësisht nga fakti nëse ky mendim ishte apo nuk ishte i drejtë.
21) «Aleksandri pra ishte epirot dhe nga ana e nënës prej aiakideve». Pausania Deseriptio Graeciae në Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. I, Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. Tiranë, 1965, f. 241. (më pas Burime të zgjedhura).
22) Me letrat e tij që dërgonte jashtë Skënderbeu përdorte vazhdimisht këtë emër. Këtë emër përdornin edhe shtetet e tjera kur i drejtoheshin atij. Shih J. Radonic. Gjuragj Kastriot Skendërbeg i Arbanija u XV veku. Beograd, 1942.
23) Sipas studiuesve të çështjeve të besimeve totemiste, brirët e dhisë kishin një forcë magjike që siguronin mbrojtjen e personit që i mbante ato. A. Shmaus. Dhitë e egra brirarta të Zanavet shqiptare, në rev. «Jehona», Shkup, nr. 3, 1967, f. 37-43; D. Frezer. Zlatna grana — studija motije i religije, Beograd, 1937. «Në literaturën folklorike, letrare, historike dhe në numizmatike ky totem, shkruan studiuesi kosovar Sh. Pllana, njihet si i Lekës së Madh...» Sh. Pllana. Skënderbeu në krijimtarinë gojore të Kosovës dhe të Maqedonisë, në Simpoziumi për Skënderbeun. Simpozijum o Skederbegu (9-12 maj 1968), Prishtinë, 1969, f. 287-301.
24) Shih gojëdhënën kosovare mbi përkrenaren e Skënderbeut në Sh. Pllana, art. i përm., f. 297-298. Gojëdhëna bën fjalë për një njeri «prej gjakut tonë» të quajtur Zylkarnejn i cili kishte bërë zap tërë botën. Kishte lindur me dy brirë dhije në kokë, por nuk ja kishte parë asnjë përveç prindërve dhe berberit. Meqenëse ky i fundit nuk mund të mbante këtë sekret në vetvete, i kishte hipur kalit dhe kishte ardhur në fushën e Krujës ku natën kishte thirrur se Zylkarnejn kishte lindur me dy brirë. Në këtë vend, më vonë, Gjergj Kastrioti, duke luajtur si fëmi kishte prerë një pip për fyell, por kur filloi t’i bjerë, fyelli kishte filluar të fliste «Zylkarnejn ka dy brirë dhije». Fëmija i habitur ia tregoi këtë të jatit. Ky i fundit kuptoi se toka e kishte ruajtur këtë mesash për të birin dhe se ky do të bëhej si Zylkarnejni i madh. Si rrjedhim i bëri të birit një kapë me dy brirë dhije të clin Gjergji e mbajti gjithë jetën në luftë se i sillte mbarësi. Siç shihet është një gojëdhënë interesante, por si gojëdhënë duhet vlerësuar me kujdes. Së pari, sa e vjetër është në thelbin e saj; është pas Skënderbeut apo shumë e vjetër dhe rrjedhimisht njihej edhe nga Skënderbeu që të shfrytëzonte të dhënat e saj për të sajuar një përkrenare me dy brirë dhije, sipas përfytyrimit të «kokës» së Aleksandrit domethënë përkrenares së tij.
Së pari, cili është ky Zylkarnejn? Sami Frashëri në enciklopedinë e tij (Kamus al-âlâm) sqaron se në vendet e Lindjes emri «Dhu l-Karnejn» (pronar i dy brinjëve) është llagap i Aleksandrit të Madh. (Sh. Pllana ar t. i përm., f. 299). Gojëdhëna pra ka një bazë historike. Sh. Pllana informon (dhe kjo është me shumë rëndësi) se me këtë emër (Dhu l’Karnejn) ai përmendet edhe në Kuran. Pra çështja themelore që na intereson në gjithë këtë mes (që Aleksandri paskësh pasur dy brina në kokë) dihej fare mirë në kohë të Skënderbeut, qoftë nga kurani qoftë nga legjendat e përhapura në vendet e Lindjes etj. Në këto kushte rikrijimi (me fantazi sigurisht) i një përkrenareje të tillë, kur kishte kaq të dhëna, nuk ishte punë e vështirë për Skënderbeun. Me këtë që thamë, nuk përjashtojmë mundësinë që përkrenarja e Skënderbeut të jetë ndoshta edhe rikrijimi i përkrenares së Pirros, të cilin shqiptarët e konsideronin po ashtu si Aleksandrin, paraardhës të tyre. Ky dyshim na lind sepse për një përkrenare të tillë me një brirë cjapi dhe pupëz të lartë bën fjalë shprehimisht historiani dhe filozofi grek i shek. I të erës sonë Plutarku. Duke bërë fjalë për jetën e Pirros ai shkruan në tregim e sipër: «Në fillim njerëzit nuk e dallonin dot (Pirron L.M.) pse nuk kishte përkrenare, por pastaj kur (ai — Pirro L.M.) e kuptoi këtë gjë dhe vuri përkrenaren u njoh nga pupza e lartë dhe nga briri i cjapit. Atëherë disa nga maqedonasit vrapuan tek ai ...» Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë. Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë, 1965, f. 223.
25) Është interesant në këtë mes njoftimi që kumton J. V. Hahni në librin e tij Albanische Studien (Wien 1853) lidhur me një hartë që dispononte ku shënohej (ndoshta në bazë të traditës) si vendlindje e Aleksandrit një fshat i Matit.
26) Duke bërë fjalë për gëzimin e përgjithshëm të fitores mbi Muratin II në rrethimin e Krujës (1450) dhe lodrat e organizuara me të rinjtë në këtë rast, M. Barleti shkruan: «Njerëzit, kur vështronin atë rini luftarake dhe kur shikonin ata lule burrash rreth Skënderbeut, nuk u dukej aq çudi, që fuqitë e Muratit. ishin thyer prej arbërvet. Me të vërtetë, ishin kthyer atëhere përsëri shkëlqimi i lashtë i Maqedonisë dhe dukej se kishin ardhur prapë, tamam siç ishin dikur, kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe të Pirros» (M. Barleti, vep. e përm., f. 285). Në përkushtimin që i bën «Princit shumë të ndritur të Epirotëvet, Kastriotasit Donferand» nipit të Skënderbeut, Barleti, duke përshkruar lavdinë e dikurshme të vendit dhe gjendjen e rëndë të tij, nën pushtimin osman, shkruan midis të tjerash: Përkundrazi gjithë lumturia dhe lavdia epirote u përplas përdhé nga kulmi i saj me nam pothuajse në një çast dhe liria u shemb e u thërmua aq keq, sa që të mos duket tanimë jare asnji gjurmë e burrërisë aq të madhe dhe asnjë shenjë e bujarisë së stërlashtë. Prandaj, sikur të ngjallej ai Aleksandri i ndjerë, që i pari bëri të mbahej në gojë emri i fisit ..., sikur të kthehej në jetë ai mjeshtri i lujtërave, Pirroja, me siguri që nuk do ta njihnin Maqedoninë e tyre, nënën e kryetrimavet, do ta braktisnin vendin që e patën vatër të lirisë dhe do ta perbuznin si të vjetëruar. (M. Barleti. vep. e përm., f. 50)
27) Të njëjtën gjë do të thoshim ne edhe për raste të tjera: Për Baton psh. udhëheqësin e njohur të kryengritjes antiromake, për Teutën, mbretëreshën e guximshme të ardianëve, M. Barletin, humanistin tonë të shquar etj. nuk ka buste, skulptura, piktura të kohës kur jetuan dhe vepruan, por ne i krijuam ato sapo lindi nevoja në muzetë tanë për paraqitjen e tyre).
28) Historia e    Shqipërisë,Tiranë, 1967, f. 300.
29) Burime të    zgjedhura për historinë    e Shqipërisë, f. 222.    Klaud Eliani    
një autor tjetër klasik i shek. II e.r., i mbështetur në burime letrare të kësaj natyre kuptoi me sa duket me fantazi se Pirro kishte si shënjë të tij shqiponjën.«Ka një lloj    shqiponjash, shkruan ai, që i duan ata që i ushqejnë, siç ishte shqiponja e Pirros.
Pirro gëzohej kur dëgjonte që i thoshin shqiponjë». Po aty, f. 282-283. Njoftimin e rëndësishëm të Plutarkut e ka kapur (për herë të parë me sa dimë ne) si argument të mundshëm për të shpjeguar emrin nacional të shqiptarëve nga shqiponja J.V. Hahn. Albanische Studien. Wien, 1853. f. 230.
30) Dh. Pilika. art. i përm., f. 720-21; Th. Gjeci: art. i përm.

 

Luan Malltezi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...