Oshtima

Rreth burimeve të historiografisë mbi prejardhjen e Ali Tepelenës dhe fillimet e veprimtarisë së tij

Rilindësit tanë, duke e vlerësuar nga pozita realiste dhe të drejta veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës dhe duke e mbajtur atë si burrë shteti me vlerë, e kanë renditur midis burrave më të shquar të popullit tonë në luftën e tij për liri, pavarësi dhe përparim shoqëror. Në memorandumet drejtuar Fuqive të Mëdha evropiane gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ata e kanë përmendur Ali pashën krahas Gjergj Kastriot — Skënderbeut, Lekë Dukagjinit etj1.
Në mënyrë pozitive e ka vlerësuar veprimtarinë politike të Ali pashës dhe sidomos luftën e tij kundër pushtuesve turq edhe populli shqiptar. Folklori ynë është dëshmi e patundur në këtë drejtim. Në këngët mbi luftën e Aliut kundër sulltanit ndihet jo vetëm miratimi popullor, por edhe një farë krenarie për qëndresën e tij2.
Pra, populli shqiptar dhe udhëheqësit e ndritur të tij i kanë mbajtur brez pas brezi veprën dhe synimet e Ali pashës si pozitive, sepse kanë qenë në të mirë të interesave më themelore të vendit: çlirimi nga sundimi turk dhe zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor. Por, meqenëse kjo veprimtari e këtij burri shteti shqiptar si dhe jehona pozitivë e saj në popullin shqiptar dhe në lëvizjen kombëtare të tij, u bë në fillim të shek. XIX dhe gjatë gjithë këtij shekulli deri në Shpalljen e Pavarësisë, pengesë e fortë për synimet politike të Fuqive të Mëdha, sikurse ishin: Rusia cariste, Franca perandorake e Mbretëria angleze dhe më vonë për ato të shteteve të reja ballkanike e, veçanërisht të Mbretërisë së Greqisë, që synonte gllabërimin e Shqipërisë Jugore, këto fuqi të mëdha e të vogla e luftuan veprimtarinë e Aliut me të gjitha format e mjetet e tyre, duke përfshirë historiografinë dhe letërsinë e tyre. Nuk munguan në këtë frymë të botonin vepra me karakter historiografik e letrar edhe autorë të shteteve të tjera evropiane, që u mbështetën sidomos në shkrimet e autorëve francezë dhe anglezë bashkëkohës të vezirit të Janinës, të cilat u shërbyen si burime bazë3.
Kështu lindi një numër i konsiderueshëm botimesh historike dhe letrare, pjesa më e madhe e të cilit, duke filluar nga çereku i parë i shek. XIX dhe deri në gjysmën e parë të shekullit tonë, megjithëse nuk mohon përpjekjet e vazhdueshme të vezirit të Janinës për t’u shkëputur nga vartësia politike e Stambollit, është munduar ta zvogëlojë dhe ta shtrembërojë rëndësinë e kësaj veprimtarie me lloj-lloj interpretimesh të padrejta, të nxitura jo vetëm nga interesat politike të shteteve të tyre, që kanë qenë në kundërshtim me interesat e popullit shqiptar, por edhe nga dëshira e autorëve të tyre për të bërë «sensacion» dhe për të fituar emër duke ditur se nuk do t’u kundërvihej kush që t’i demaskonte. Përveç të tjerave, kjo literaturë ka synuar ta diskreditojë figurën e Ali pashës, duke i veshur atij veset më të ndyra. Për pasojë, jo vetëm nëpër enciklopeditë dhe fjalorët e mëdhenj perëndimorë thuhet për Ali pashën se kishte prejardhje anadollake, se e filloi karrierën e vet me hajdutëri dhe se «ka qenë i famshëm për krime e keqbërje»4, por edhe vepra të reja letrare me karakter studimi të viteve të fundit vazhdojnë të pasqyrojnë figurën e tij me njolla të paqena ose tepër të fryra5. Kështu opinioni publik botëror vazhdon të ushqehet me të tilla shkrime. Edhe një shqiptar, që shkroi mbi personalitetin dhe veprën e Ali pashës, Myfid bej Libohova, jo vetëm nuk iu kundërvu shtrembërimeve të të huajve me përjashtim të ndonjërës prej tyre që prekte drejtpërsëdrejti familjen e tij, por ia njollosi edhe më keq fytyrën duke u nisur nga pozita politike e klasore për të goditur, si deputet xhonturk që ishte, Lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila, siç u tha më lart, e mbante Ali pashën si burrë shteti që zhvilloi me të gjitha forcat e tij materiale, shpirtërore e mendore luftën për autonomi e çlirim, atë luftë qëllimet e së cilës me një forcë shumë më të madhe lëvizja kombëtare vazhdoi t’i ruante si flamurin e vet edhe në dhjetëvjetorin e parë të shek XX.
Duke i mbajtur ison fushatës diskredituese të autorëve të huaj, pa përjashtuar edhe literaturën shoviniste greke, që mbështeste qeverinë e vet për aneksimin e trojeve shqiptare të Jugut, Myfit Libohova guxoi, siç do të bëhet fjalë më poshtë, t’i mohonte vezirit të Janinës prejardhjen shqiptare dhe ta nxirrte atë si të rrjedhur nga një shtresë e përbuzur shoqërore dhe nga një farefis që e trashëgoi krimin brez pas brezi6.
Meqenëse për pjesën e parë të jetës së vezirit tepelenas nuk ka pasur të dhëna dokumentare, autorët e literaturës së lartpërmendur, duke filluar nga biografët më të vjetër të Ali pashës, kanë vënë në themel të shkrimeve të tyre, burime të dyshimta sikurse janë legjendat apo gojëdhënat që qarkullonin si gjatë kohës që jetonte ai, ashtu dhe pas vdekjes së tij.
Lidhur me këto lloj burimesh që qarkullonin në kohën e Aliut ose menjëherë pas vdekjes së tij dhe që janë vënë në bazën e shkrimeve mbi pjesën e parë të jetës së tij (është fjala për vitet e rinisë dhe të atyre viteve derisa u ngrit në rangun e qeveritarit të Sanxhakut të Delvinës), një nga biografët më të vjetër të tij, A. dë Boshan, ka pohuar se ato kanë qenë të ndryshme dhe qarkullonin sipas interesave e fantazisë të njërit apo të tjetrit, prandaj ky biograf ka shkruar në mënyrë të sinqertë se «pjesa e parë e jetës së Ali Pashës... asnjëherë nuk do të mund të shkruhet në mënyrë autentike».7 Pra, ky biograf pranon qartë se çka është shkruar për pjesën e parë të jetës së vezirit të Janinës është e dyshimtë, mund të mos paraqitë të vërtetën.
Duke u nisur nga një anë prej mendimit se një njeri aq i ulët sa ç’paraqitet prej të huajve Ali pashë Tepelena nuk mund të rrëmbente flamurin e çlirimit nga zgjedha e huaj osmane duke u përgatitur për këtë disa dhjetëra vjet radhazi, dhe, nga ana tjetër, duke gjetur disa të dhëna dokumentare ose dëshmi të mbështetura në dokumente të besueshme të cilat vijnë në kundërshtim të hapët me burimet e historiografisë së deritanishme, ndërmorëm këtë artikull kritik në të cilin do të bëjmë fjalë mbi prejardhjen etnike e shoqërore të Aliut dhe mbi ardhjen e tij në krye të pushtetit të Sanxhakut të Delvinës, duke ballafaquar të dhënat e historiografisë së huaj me dokumentet, për të provuar se ato, burimet e historiografisë së huaj, janë false dhe prandaj nuk pasqyrojnë realitetin historik. Ky është qëllimi imediat, por nga ky fakt ne na jepet e drejta të dyshojmë edhe për burimet e tjera, e, rrjedhimisht, edhe për shkrimet e mbështetura mbi to, si pohime që jo vetëm janë larg vërtetësisë historike, por janë pohime të trilluara me qëllime të paramenduara. Zbulimi i realitetit historik mund dhe duhet të arrihet vetëm duke studiuar me kujdes e me sy kritik të gjitha të dhënat mbi Aliun, aq më shumë kur edhe historiografia dhe letërsia shqiptare, që kanë bërë fjalë deri më sot për figurën e Ali pashës dhe që janë mbështetur në literaturën e huaj, e kanë    paraqitur atë në mënyrë të gabuar8.


1) Rreth prejardhjes shqiptare apo turke të Ali pashë Tepelenës.

Jo vetëm lebërit e tepelenasit por edhe mbarë populli shqiptar nuk e kanë vënë ndonjëherë në dyshim prejardhjen shqiptare të Ali pashës, vezirit të famshëm të Janinës. Edhe shumica dërrmuese e autorëve të veprave historiografike e letrare kanë pohuar se Ali pasha ishte shqiptar nga Tepelena apo rrethi i afërt i saj. Megjithatë nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, dy autorë, njëri grek — Spiro Aravantinu, dhe tjetri shqiptar, Myfid bej Libohova, në veprat e tyre pohojnë se Aliu rridhte nga një i parë anadollak9. Natyrisht kjo çështje, që hedh poshtë prejardhjen shqiptare të tij, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen tonë, aq më shumë kur në shkrimet e disa biografëve të vjetër të Aliut bëhet fjalë se vetë veziri pohonte me gojën e vet që rridhte nga një i parë i ardhur nga Anadolli10.
Si qëndron kjo çështje dhe a ia vlen të sqarohet ajo kur, siç u tha më lart, shqiptarët dhe shumica e autorëve të huaj nuk e venë në dyshim prejardhjen shqiptare të Aliut? Jemi të mendimit se ia vlen të sqarohet kjo çështje për dy arsye me rëndësi. Së pari, sepse pohimi që Aliu ka prejardhje anadollake është nisur nga qëllime me karakter politik të caktuar, dhe së dyti se megjithëqë romani historik «Ali pashë Tepelena» i botuar në Tiranë dhe i ribotuar në Prishtinë është pritur në përgjithësi mirë nga lexuesit e nga kritika letrare, dhe megjithëqë figura e Ali pashës paraqitet drejt përsa i përket qëllimit të tij politik për të krijuar një shtet feudal shqiptar autonom ose të pavarur, prapëseprapë, nën ndikimin e autorëve të huaj, ai jo vetëm e paraqet si një njeri që niset nga parimi «rezultati justifikon veprimin», por le të nënkuptohet prejardhja joshqiptare e tij, duke pohuar se i pari i shtëpisë kishte ardhur nga larg11.
Sipas kryekonsullit francez në Janinë, Fransua Pukëvilë, Ali pasha i kishte thënë në bisedë e sipër se rridhte nga një luftëtar osman me emrin Isa, i cili kishte ardhur në Shqipëri në kohën e sulltan Bajazidit I (Jillderimit) d.m.th. aty nga fundi i shek. XIV12. Këtij pohimi, si Pukëvili ashtu dhe Manzur efendiu nuk i besuan. Nuk i besuan sepse Aliu nuk paraqiste asnjë provë bindëse, prandaj hetuan se si qëndronte e vërteta. Duke hetuar këtë çështje për të zbuluar të vërtetën lidhur me prejardhjen e familjes së Hysove të Tepelenës nga rridhte veziri i Janinës, ata ndeshën në disa pohime të ndryshme, por theksojnë se në ato nuk gjetën asnjë gjurmë mbi prejardhjen anadollake të saj. Përkundrazi gjithçka konvergonte në besimin se të parët e Ali pashës vinin nga ato familje të krishtera shqiptare që përqafuan besimin islam pas pushtimit të vendit të tyre prej osmanëve13.
Ky përfundim që pasqyron jehonën e mendimit të shqiptarëve të fillimit të shek. XIX, mendim që nuk ka luajtur as edhe në ditët tona, por që nuk ka mbetur pa u tronditur, përforcohet edhe nga të dhënat e atij dokumentacioni të pakët që kemi në dorë, por që do t’i përmendim më poshtë kur t’u vijë radha. Mirëpo vjen pyetja: Përse vetë Ali pasha përhapte me gojën e vet fjalën se kishte prejardhje anadollake?
Ibrahim Manzur efendiu hap një shteg me rëndësi për të shpjeguar arsyen përse veziri tepelenas përhapte vetë një gojëdhënë' të tillë që nuk pasqyronte të vërtetën. Ai ishte i detyruar të përhapte këtë gojëdhënë sepse, pohon Ibrahim Manzuri, ekzistonte një ligj që u ndalonte funksionarëve të Perandorisë Osmane me prejardhje shqiptare të merrnin gradën e vezirit me tri tuje14. Ky pohim i renegatit francez nga Strasburgu të jep përshtypjen se nuk duhet të ishte fort i saktë për t’u besuar sa kohë që edhe para Ali pashës kishte një varg feudalësh shqiptarë që e kishin marrë një gradë të tillë. Mirëpo ky fakt i fundit si dhe fakti tjetër që në fermanin e vezirnisë të Aliut thuhej se Ali pasha kishte prejardhje anadollake («anadolelu Ali Pasa», shkruhej aty)15, tregon nga njëra anë se nuk ishte fjalë në erë pohimi i Ibrahimit mbi ekzistencën e atij ligji dhe nga ana tjetër, se pashallarët shqiptarë nuk kishin mbetur duarlidhur për të kapërcyer atë pengesë. Kështu ata kishin mundur të ngriheshin edhe në rangun e vezirit me tri tuje. Duke u nisur nga fakti se në literaturë është folur për prejardhjen joshqiptare të vezirëve Bushatllinj16, të vezir Ahmet Kurt pashës së Beratit, për të cilin thuhet se kishte prejardhje nga Kurdistani etj. kuptohet se përfaqësuesit e familjeve feudale shqiptare që kishin mundur të arrinin gradën e vezirit duhet të kishin mashtruar Portën e Lartë, duke e paraqitur prejardhjen e tyre joshqiptare dhe këtij avazi, sikurse edhe Ali pasha, ata i binin duke biseduar jo vetëm me turqit, por edhe me diplomatët apo udhëtarët e huaj. Ne jemi të mendimit se duke u nisur nga shembujt e lartpërmendur, në mos kishte ndonjë ligj të shkruar, duhet të kishte një opinion pengues në radhët e oligarkisë aristokratike osmane për të pranuar në gjirin e tyre vezirë me prejardhje shqiptare, jo vetëm për faktin se nga shqiptarët ata gjetën rezistencën më të madhe gjatë fushatave për pushtimin e Gadishullit Ballkanik dhe për një kohë të gjatë mbas tij, por edhe se, siç del në dokumentacionin osman të kohës së Aliut, sulltani e funksionarët e lartë që e rrethonin ruanin opinionin se shqiptarët ishin dhe kishin qenë kurdoherë të pabindur ndaj shtetit osman, se ata ishin të rrëmbyer etj. P.sh., kur flitej, që djali i Ali pashës, Veliu, të zinte postin e Kapudan pashës që ishte vakant, Reiz efendiu tha haptazi se Porta e Lartë kishte për princip të mos emëronte shqiptarë në postet e Vezirit të Madh apo të Kapudan pashës, sepse shumica e tyre ishin të pasigurt e turbullues17. Ky shembull tregon fare qartë se ekzistonte me të vërtetë një opinion tradicional kundër feudalëve shqiptarë. Pra, në këtë mënyrë kuptohet se nga njëra anë legjenda e Aliut për prejardhjen anadollake të tij ishte e trilluar prej tij, dhe nga ana tjetër nuk duhet vënë në dyshim prejardhja shqiptare e tij, aq më tepër kur bashkatdhetarët e kohës së tij, miq dhe armiq, nuk dyshonin aspak për këtë çështje.
U tha më sipër se, sipas hetimeve të biografëve francezë bashkëkohës të Aliut, nuk ekzistonte asnjë mendim apo gojëdhënë që të vinte në dyshim prejardhjen shqiptare të tij, dhe se nuk gjendej asnjë gjurmë që të pohonte prejardhjen anadollake. Mirëpo, pasi kaloi thuajse një shekull i tërë e për rrjedhim në kushte të reja lindën probleme e konflikte të reja politike e klasore, në historiografi dolën gojëdhëna që bënë fjalë për prejardhjen anadollake të familjes së Hysove të Tepelenës, pra dhe të Aliut, i cili rridhte nga kjo familje.


Le t’i shqyrtojmë këto gojëdhëna, duke pasur parasysh edhe rrethanat historike kur ato dolën në dritë, si dhe autorët e veprave historiografike që i vunë në qarkullim ato.
Më 1895 Spiridhon Panajot Aravantinoi botoi dy gojëdhëna. Në të parën, shkroi autori në fjalë, thuhej sikur i pari i familjes së Hysove të Tepelenës ishte një farë dervishi me emër Hysen, i cili ishte arratisur nga qyteti Kytahije i Anadollit, sepse kishte kryer një veprim të keq dhe kishte ardhur në Tepelenë aty nga mesi i shek. XVII18. Në gojëdhënën e dytë, sipas tij, Hyseni paskesh ardhur në Tepelenë nga Stambolli si kapuxhibash19. Pastaj, pa u munduar të gjejë nëse këto gojëdhëna kishin apo jo një bazë vërtetësie, cila prej tyre ishte e saktë, përse ato nuk përputheshin me gojëdhënën e përhapur nga vetë Aliu, përse këto gojëdhëna nuk qarkullonin në kohën kur jetonte Ali pasha si dhe gjatë viteve të kryengritjes greke dhe periudhës së parë të shtetit të ri grek, Spiridhon Aravantinoi u kap vetëm pas prejardhjes anadollake të Hysove të Tepelenës që del nga të dy gojëdhënat, dhe, si pa gjë të keq, përfundoi se Ali pasha nuk kishte prejardhje shqiptare. Megjithatë, gjoja për të përforcuar përfundimin e vet, ai përmend dëshminë e Ibrahim Manzur efendiut lidhur me fermanin e vezirnisë të Aliut ku ai konsiderohet me prejardhje anadollake (anadolelu Ali Paça) dhe nuk thotë as gjysmë fjale se biografët francezë nuk i besonin gojëdhënës së Aliut dhe se vetë Ibrahim Manzur efendiu nuk u besonte as atyre fjalëve të fermanit. Në këtë mënyrë Spiridhon Aravantinoi, pa u shqetësuar si studiues që të peshojë gjithçka, hodhi farën e keqe për ta diskretituar Ali pashën dhe për ta rrëzuar atë nga piedestali ku e kishte ngritur populli shqiptar dhe jo më pak edhe ai grek, të cilit veziri kryengritës shqiptar kundër sulltanit i kishte dhënë ndihmë të madhe, veçanërisht në prag dhe gjatë kryengritjes nacionalçlirimtare greke. Me fjalë të tjera Spiridhon Arvantinoi kreu «detyrën patriotike»20, por shëmtoi veten si studiues pa pikën e skrupullit për misionin e tij si historian.
Farës së keqe që hodhi Spiro Aravantinoi me gojëdhënat e tij, i doli si mbështetje një gojëdhënë e re, por e ngjashme, e cila, më 1908, u paraqit nga autori i saj, deputeti xhonturk i Janinës, Myfid bej Libohova si e saktë dhe e denjë për t’u besuar mhasi ajo na qënkësh ruajtur brez pas brezi në familjen e tij e cila zhriste nga ana e qumështit prej motrës së Aliut, Shanishasë. Myfid beu, i cili i mban ison gojëdhënës së parë të Spiridhon Aravantinoit, nuk bën, siç do të shihet më poshtë, veçse një arnim me pe të bardhë të asaj gojëdhëne, e cila ka shumë mundësi ta ketë patur burimin tek ajo e bejlerëve të Libohovës. Po më mirë le ta shohim përmbajtjen e saj.
Aty thuhet se i pari i shtëpisë së Hysove të Tepelenës qënkesh dervish Nazifi e jo dervish Hyseni. Ky dervish Nazifi paskesh ardhur në Tepelenë, bile në fshatin Beçisht aty nga fillimi i shek. XVII dhe paskesh kryer një krim të shëmtuar në Kytahije, kurse dervish Hyseni (për të cilin bënte fjalë gojëdhëna e Spiridhon Aravantinoit) qënkesh djali i dervish Nazifit. Pastaj, sipas Myfid beut, gojëdhëna thotë se dervish Hyseni u martua me një vajzë të çalë nga dera e bejlerëve të Këlcyrës, se nga kjo martesë lindi Mustafa beu (Muço beu) dhe se pasardhësit e këtij mbajtën titullin bej e në këtë mënyrë Hysot hynë në radhët e fisnikëve të Toskërisë21.
Po të vërehet me kujdes brendia e kësaj gojëdhëne dhe të krahasohet me atë të Spiridhon Aravantinoit duket qartë se prejardhja anadollake dhe krimi, mbeten të paprekura pavarësisht nga ndryshimet e tjera. Me këtë, të dy autorët kanë dashur jo vetëm të zbehin respektin e shqiptarëve dhe të grekëve ndaj Aliut, por të mbështetin edhe njollat që literatura e huaj i ka veshur atij për ta paraqitur si përbindësh. Duke pohuar se Hyseni apo Nazifi kishin qenë kriminelë, ata kanë pasur për qëllim të rrënjosin mendimin se edhe Hysot e paskëshin origjinën e tyre nga një familje kriminelësh. Por Myfid beu shkon edhe më tej në rrugën e diskreditimit të Ali pashës, duke treguar se Hysot filluan të mbanin titullin e beut qysh kur lindi Muço Hysoja nga vajza e çalë dhe e mbetur e bejlerëve të Këlcyrës. Edhe kjo insinuatë që nuk gjen mbështetje, nuk ka pasur tjetër qëllim veçse t’u «provonte» shqiptarëve se Ali pasha vinte nga një derë pa emër dhe se fisnikëria e Hysove ishte për t’u përbuzur, meqenëse i kishte rrënjët te një vajzë e papërfillur. Nga ana tjetër Myfid beu, që është kujdesur të përmendë ofiqin e tij si deputet i Janinës, është kujdesur gjithashtu të verë në librin e tij shelgun gjenealogjik të familjes së vet, për të treguar se në dejet e tij rrjedh gjaku i paraardhësve të tij që kishin qenë pashallarë dhe kishin qeverisur sanxhakun e Janinës për dy shekuj me radhë para se këtë qeverisje t’ua rrëmbente Ali pasha22, pinjolli i Hysove, pasardhësi, sipas tij, i kriminelit dervish Nazifit dhe i Muço beut që hyri në radhët e fisnikërisë nga një vajzë e mbetur. Për një pinjoll të tillë, sipas Myfid beut, shqiptarët s’kishin pse të mburreshin, përkundrazi ata duhej të turpëroheshin, të mos e zinin në gojë dhe të ndiqnin pas krerë me prejardhje fisnikërie të lashtë si vetë ai.
Mirëpo gojëdhëna e Myfid beut, përveç insinuatave diskredituese që përmban dhe që e bëjnë të dyshimtë, ka edhe shumë pasaktësi që dalin nga krahasimi me të dhënat dokumentare. Këto pasaktësi e përforcojnë karakterin e dyshimtë të saj. Prandaj le ta shqyrtojmë nga afër këtë çështje.
Në literaturën ekzistuese, duke përfshirë edhe shkrimet e shek. XX mbi Ali pashën, bëhet fjalë edhe për shelgun familjar të Hysove paraardhës të Aliut, edhe për gjendjen ekonomike e shoqërore të tyre, duke filluar sidomos nga Muço Hysoja. Por gjithçka që thuhet për këto çështje mbështetet kryesisht mbi gojëdhënat sepse kanë munguar të dhëna dokumentare. Veçse diçka e shkruar dhe e besueshme është gjetur këto kohët e fundit nëpër arkiva e botime dokumentare. Këto dokumente, sado të pakta që janë prapëseprapë hedhin dritë dhe lejojnë të bëhen krahasime me të dhënat e historiografisë së huaj e sidomos me ato të Aravantinoit dhe të Myfid beut.
Spiridhon Aravantinoi shkruan se Muço Hysoja titullohej «aga», ishte i fuqishëm dhe kishte shtrirë autoritetin e vet mbi një varg fshatrash që i mbante nën mbrojtje kundrejt një shpërblimi të caktuar. Veçse ky autor që e mban Muço Hyson për bir të dervishit të varfër Hysen, nuk e vret fare mendjen se si mund të kishte ndodhur ndryshimi kaq i madh midis gjendjes shoqërore të dervishit dhe të birit të tij. Sidoqoftë të dhënat e lartpërmendura mbi Muço Hyson pajtohen me të dhënat e dokumenteve. Por nuk pajtohen me të dhënat e tij se Muço Hysoja kishte dy djem, Beqirin e Myftarin23, gjë që flet për një përzierje të dhënash me vlerë dhe pa vlerë e në përgjithësi për karakterin e dyshimtë të tyre. Kurse Myfid bej Libohova e paraqet Muço Hyson. krejt ndryshe. Në kundërshtim me të parin që e titullon «aga» i dyti e titullon «bej» duke e mbështetur thënien e tij se këtë titull e trashëgoi nga e ëma, vajza e çalë dhe e mbetur e bejlerëve të Këlcyrës. Pastaj pohon se fitoi gradën kapuxhibash i oborrit të sulltanit, dhe shton se mbante edhe postin e myteselimit të krahinës së Tepelenës.. Më së fundi bën fjalë se nuk kishte dy djem por vetëm një, Sali beun, mbasi Beqiri e Myftari, nënvizon ai ishin djemtë e Sali beut dhe jo të Muço Hysos24. Asgjë nga këto pohime të Myfid beut nuk miratohet prej dokumenteve. Mirëpo nga ballafaqimi i këtyre burimeve me të dhënat e një grupi dokumentesh arkivale nga ato që kemi në duar25, provohet se Muço Hysoja cilësohej «çaush jeniçerësh» dhe «dizdar i kalasë së Tepelenës». Pra rrëzohen ofiqet zyrtare që përmenden në gojëdhënën e Myfid beut. Në një dokument tjetër, ai titullohet «aga» dhe aspak e asnjëherë «bej». Është fjala për një gjyq ku Mustafa agait (Muço Hysos — S.N.) i kthehet nga një bej beratas shuma prej 30 000 akçesh dhe Mustafa agai i kthen beut në fjalë stolitë që ky i kishte lënë peng kundrejt huasë. Nga këto dokumente del edhe njoftimi se Muço Hysoja si derebej ndiqej nga 300 trima dhe se fshatarët përrreth i jepnin ushqime e dhurata në formë poklloni, që ishte një detyrim ndaj «mbrojtësit» që u shkelte në fshat. Të gjitha këto të dhëna gjenden në pjesën e dokumentacionit që u përket viteve 1698-1703.
Duke filluar nga viti 1704 e deri më 1714, kur përmendet për të fundit herë emri i Muço Hysos, pjesa tjetër e dokumentacionit jep të dhëna të tjera. Në to Muço Hysoja përmendet pa titull e grada. Ai emërtohet thjesht si Muço Hyso, si banor i Tepelenës dhe cilësohet si rebel. Cilësohet kështu sepse më 1704 ai akuzohet nëpër shkresat zyrtare si pjesëmarrës e bile si drejtues i kryengritjes së fshatarësisë labe për të mos paguar taksat shtetërore. Së fundi në këto dokumente Muço Hysoja del se ishte ati i tre djemve: Halilit, Ebubeqirit dhe Myftarit26 dhe jo i dy djemve siç shkruan Aravantinoi, apo i një djali siç pohon Myfid beu.
Përveç këtyre të dhënave, dokumentacioni në fjalë nxjerr në dritë se më 1711 djemtë e Muço Hysos arritën të merrnin në sipërmarrje vjeljen e xhizjes në krahinat e Beratit, Mallakastrës dhe Myzeqesë27. Ky fakt, pavarësisht se Muço Hysoja nuk cilësohet me asnjë titull e gradë, tregon se kishte mbetur po ai aga i pasur e i fuqishëm dhe se Hysot vazhdonin të përfaqësonin një familje derebejsh, mbasi vetëm dyer të tilla ndiqeshin nga qindra trima e gëzonin privilegjin e marrjes së pokllonit. Përveç kësaj kjo derë e fuqishme dhe e pasur ishte ngritur në shkallën e shtresës së sipërmarrësve të taksave kryesore shtetërore, grumbullimi i të cilave ishte problem shumë i vështirë në Shqipëri, prandaj u besohej vetëm familjeve feudale më në zë dhe në radhë të parë, atyre të cilave u besohej edhe qeverisja e sanxhaqeve. Pra Hysot nuk përbënin një familje dosido, por një nga familjet më të fuqishme të Shqipërisë Jugore, të cilat rivalizonin me njëra-tjetrën dhe shpesh për shkak të tyre hynin në luftë e armiqësi. Sipërmarrjet i merrnin vetëm familje të tilla mbasi sipërmarrjet lejonin të nxirreshin përfitime të majme. Dhe djemtë e Muço Hysos nuk munguan të nxirrnin sa më shumë përfitime nga sipërmarrja e tyre, duke ngarkuar me pagimin e xhizjes edhe fëmijët nën moshën e caktuar për pagesë. Këtë formë të dytë pasurimi, përveç asaj të rekrutimit të ushtarëve me rrogë dhe të marrjes «nën mbrojtje» të fshatrave, Hysot nuk mundën ta vazhdonin gjatë, sepse të akuzuar për shpërdorim nga rivalët. e tyre, e humbën sipërmarrjen të cilën vitin tjetër e shtiu në dorë Hysen pasha, sanxhakbeu i Vlorës28. Sidoqoftë ata mbetën përsëri derë e përmendur derebejsh e bylykbashësh, gjë që e provon jo vetëm pjesëmarrja e tyre në kryengritjen kundër taksave të vitit 1713-1714, pjesëmarrje që ka pasur për motiv edhe rivalitetin me sanxhakbeun e Vlorës, por edhe pjesëmarrja e Myftar Hysos si bylykbash në luftën veneto-turke të viteve 1714-1718, e sidomos në sulmin për pushtimin e Korfuzit, sulm i cili dështoi dhe ku Myftari mbeti i vrarë29.
Siç del qartë nga këto të dhëna dokumentesh arkivore, burimet gojore mbi prejardhjen anadollake dhe mbi shelgun gjenealogjik e gjendjen ekonomike-shoqërore të Hysove të Tepelenës, janë mbushur me shumë pasaktësira, gjë që i bën tepër të dyshimta. Gojëdhëna e Myfid beut ka edhe pasaktësi të tjera, por ne po përmendim këtu vetëm atë që lidhet me nënën e Ali pashës. Beu libohovit, që thekson se është pasardhës i motrës së Aliut dhe që me këtë kërkonte ta shiste gojëdhënën e vet si më të besueshmen, pohonte se nëna e Aliut ishte bijë e Zenel bej Konicës, kurse në dokumentacionin osman ku bën pjesë një letër zyrtare e vetë Ali pashës, del se Zenel beu ishte daja i tij, pra vëllai i s’ëmës30. Siç del nga ky fakt Myfid beu nuk njihte as lidhjet më të reja të familjes së Hysove e jo më ato të vjetrat. Kështu, «saktësia» që beu në fjalë është munduar t’i japë gojëdhënës së vet rrëzohet dhe zublohet se ajo është e trilluar. Të tilla janë edhe dy gojëdhënat e Aravantinoit e sidomos konkluzioni i tij se Ali pasha kishte prejardhje anadollake e jo shqiptare. Në përforcim të të dhënave dokumentare që bëjnë fjalë për të kundërtën e përmbajtjes së burimeve gojore të shkrimeve të dy historiografëve të lartpërmendur, paraqesim edhe këto argumente kryesore:

a) Po qe se burimet gojore të fundit të shek. XIX — fill. shek. XXdo të ishin pjesë e traditës gojore popullore, ato duhet të qarkullonin edhe në kohën e Aliut. Po të qarkullonin në atë kohë, biografët bashkëkohës të vezirit të Janinës, e veçanërisht Fransua Pukëvilë, armiku personal i tij, i cili i ka veshur Aliut vetitë më të ulta, nuk do të linte t’i kalonte rasti për ta diskredituar qoftë si pasardhës i një dervishi kriminel, qoftë si pinjoll i një familjeje pa emër, dhe nuk do të mungonte as të tallej edhe me burimin e fisnikërisë së familjes së Hysove. Këto gjëra ai do t’i pasqyronte me të madhe sepse do të mbështeste gjithato insinuata fyese e të shtrembëruara të tij në kurriz të armikut të vet politik e vetjak. Prandaj burimet gojore mbi prejardhjen anadollake bashkë me bishtat e tjerë që përmbajnë, e sidomos shkrimet e Myfid beut gjoja të mbështetura në to, janë krijime të kurdisura e të vëna në qarkullim jo nga populli, por nga njerëz me influencë të interesuar për ta diskredituar emrin e vezirit të famshëm në një kohë kur ky emër mbahej në Lëvizjen kombëtare shqiptare si simbol i luftës për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet shqiptar autonom ose të pavarur dhe për paprekshmërinë e tyre nga lakmia e qeverive borgjeze shoviniste fqinje, që synonin me çdo mjet t’i copëtonin e t’i ndanin midis tyre. Përhapësit më të interesuar të këtyre krijimeve të kurdisura nuk mund të mos ishin, së pari përfaqësuesit e oxhaqeve feudale, që dikur kishin qenë mbështetja kryesore e pushtuesve osmanë në Shqipërinë Jugore, sikurse pashallarët e Janinës nga dera e Asllanpashallive dhe të Gjirokastrës nga dera e Kapllanpashallive, të cilëve Aliu u mori pushtetin dhe pasurinë, dhe veçanërisht pinjolli i tyre Myfid beu, i cili në dhjetëvjetorin e parë të shek. XX ishte bërë një nga mbështetësit kryesorë të sundimit xhonturk, i cili shpresonte të vihej në krye të qeverisjes së Shqipërisë Jugore. Së dyti, nuk mund të mos ishte po aq e interesuar edhe rryma greke e fundit të shek. XIX, e cila me kalemxhinjtë e vet sikurse Spiridhon Aravantinoi punonte në fushën e historiografisë t’i mohonte Ali pashës çdo meritë të tij në sy të popullit grek, që nuk mund të harronte as faktin se nën qeverisjen e Aliut ishte rritur e forcuar borgjezia greke derisa mori në duart e veta udhëheqjen e kryengritjes së vitit 1821, as faktin se kapedanët ushtarakë që drejtuan luftimet ishin formuar nën kujdesin e tij dhe, më së fundi, as ndihmën vendimtare që Ali pasha i dha qysh në fillim, d.m.th. kur ajo ishte ende e dobët dhe kur nuk kishte asnjë ndihmë tjetër nga jashtë.

b) Po qe e vërtetë se Muço Hysoja do të ishte biri apo nipi i një dervishi të varfër nga Kytahija, ose dhe i një kapuxhibashi të porsaardhur në Tepelenë, a mund të besohet se ai brenda një kohe të shkurtër mund të arrinte të bëhej aga aq i pasur dhe aq i fuqishëm në një krahinë si Labëria, e cila kishte qenë e vazhdonte të ishte një vatër e përhershme rebelimesh e kryengritjesh dhe një vend ku valonte lufta për pasuri e pushtet nga paria e vet? Asnjë historian, i cili njeh pak a shumë kushtet konkrete ekonomike e shoqërore dhe politike të pjesës më të madhe të shek. XVIII, kur anarkia mbisundonte kryesisht në Shqipërinë Jugore, nuk mund të pranojë ndryshimin e menjëhershëm ekonomik e shoqëror që bëri Muço Hysoja në krahasim me të pretenduarin at apo gjysh të tij të varfër. Përgjigjja më e arsyeshme dhe më e drejtë për pyetjen e lartpërmendur është vetëm ajo që përputhet me tezën e prejardhjes shqiptare të të parëve të Ali pashës. Vetëm duke qenë nga kjo familje feudale-ushtarake vendase me rrënjë të thella që u fuqizua e u pasurua gradualisht në rrethin e Tepelenës, shpjegohet përse Muço Hysoja mbante titujt «Çaush i jeniçerëve», «dizdar i kalasë së Tepelenës» dhe «Aga» i pasur e i fuqishëm sa të guxonte t’u kundërvihej autoriteteve qeveritare diie djemtë e tij të bëheshin sipërmarrës të taksës së xhizjes. Prandaj prejardhja anadollake zhvishet nga çdo mbështetje, kurse teza e prejardhjes shqiptare bëhet plotësisht e besueshme.

c) Po të mos ishte me prejardhje shqiptare dhe po të mos kishte ndjenja shqiptare, Ali pashë Tepelena nuk do t’ia kushtonte veprimtarinë kryesore të jetës së tij shkëputjes së vendit të vet nga vartësia politike e Stambollit. Këtë synim të madh të tij, edhe pse shpesh e shtrembërojnë, nuk e mohojnë as armiqtë politikë të tij. Një feudal anadollak, megjithëse historia bën fjalë për përjashtime, zor se do të mund të ndërmerrte një veprimtari e një synim të tillë, jo vetëm për shkak të prejardhjes së tij, por sidomos për shkak se shqiptarët nuk do t’i besonin e nuk do t’i vinin pas. Ata, në fund të shek. XVIII — fill. shek. XIX, ishin aq krenarë për kombësinë e tyre dhe i urrenin aq shumë turqit sa i përbuznin duke thënë se nuk janë të zotët veçse për të ngrënë çorbë.

 

2) Përgënjeshtrimi i burimeve të historiografisë së vjetër e të re për ardhjen e Ali pashë Tepelenës në krye të qeverisjes së sanxhakut të Delvinës.


Gjithmonë të bazuar në gojëdhënat e ndryshme që qarkullonin në kohën e tyre, biografët më të vjetër të Ali pashës, në krye të të cilëve u dallua dhe u bë i dëgjuar kryekonsulli francez në Janinë, Fransua Pukëvilë, shkrimet e të cilit u morën si mbështetje prej shumicës së autorëve më të rinj, duke përfshirë edhe ato të gjysmës së parë të shek. XX dhe më të reja paraqitën në veprat e tyre edhe rininë e stërnipit të Muço Hysos, Aliut, si dhe rrugët që ndoqi ai për të arritur deri në postin e qeveritarit të sanxhakut të Delvinës. Me vjedhje, grabitje, tradhti të shëmtuara e krime të përgjakshme e përshkruajnë ata rrugën që ndoqi Aliu derisa fitoi gradën pashë dhe postin e qeveritarit të sanxhakut të Delvinës. Por vështrimi kritik si dhe ballafaqimi me të dhëna dokumentare arkivore përgënjeshtrojnë shkrimet e tyre dhe sidomos atë të marrjes me tradhti të pushtetit të sanxhakut të Delvinës nga duart e Selim pashë Kokës.
Para se të hyjmë në këto çështje le të kemi parasysh se me shthurjen e sistemit feudal ushtarak të timarit, që përbënte njërën nga bazat kryesore të grumbullimit të forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, këto forca erdhën duke u pakësuar pa ndërprerje. E detyruar t’u bëjë ballë sulmeve të shteteve armiq, e sidomos prapambetjes teknike të ushtrive të saj në krahasim me ushtritë e shteteve evropiane, Porta e Lartë u detyrua, që qysh nga gjysma e dytë e shek. XVII dhe gjatë shek. XVIII e deri në vitet 20-30 të shek. XIX kur ajo mundi të organizonte ushtrinë e rregullt sipas sistemit evropian, të zbatonte gjithnjë e më shumë sistemin e rekrutimit të ushtarëve me rrogë, sistem që mbështetej kryesisht te komandantët ushtarakë, të cilët pajtonin ushtarë të tillë. Këta komandantë u quajtën zakonisht bylykbashë. Kështu, doli në pah figura e bylykbashit, roli i të cilit u rrit vazhdimisht në jetën e gjithë vendeve ku grumbulloheshin ushtarë me rrogë. Vende të tilla, ku këta komandantë nxorën forca ushtarake me pagesë që u mbajtën për luftëtarë të cilësisë së parë, ishin zonat malore. Krahas kelmendasve, mirditorëve e dibranëve, po aq të përmendur si ushtarë trima e me përvojë mbaheshin lebërit, toskët e çamët. Një pjesë e banorëve të këtyre zonave malore, të detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike e tyre që vinte kryesisht nga mungesa e tokave të bukës, krahas ushtrimit të zanateve të tjera si muratorë, kalldrëmxhinj, çezmaxhinj, sharrëxhinj, druprerës etj., ushtroi edhe profesionin e ushtarit me rrogë, por me afate të caktuara, për të plotësuar të ardhurat e domosdoshme për jetesën e familjeve të tyre, ashtu sikurse vepronin edhe një pjesë e malësorëve bullgarë, maqedonas e grekë, ashtu si patën vepruar dhe u bënë të famshëm malësorët zviceranë, gjermanë, italianë, anglezë e skocezë etj. në mesjetë, kur ushtritë e shteteve dhe principatave feudale përbëheshin nga mercenarë.
Në faqet e shkruara më sipër, u tregua se shtëpia e Hysove, e mbështetur kryesisht në rekrutimin e ushtarëve me rrogë dhe në marrjen nën mbrojtje të fshatrave apo krahinave, nuk ishte në fillim të shek. XVIII një shtëpi feudale dosido, por ishte shtëpi e vjetër, e pasur dhe e fuqishme. Pavarësisht se Fransua Pukëvilë, që bën fjalë për të birin e Myftar bej Hysos, Veli beun, dhe që e paraqet atë jo vetëm si hajdut rrugësh, kriminel e vëllavrasës, por edhe të shthurur, dhe shkaktar të humbjes së një pjese të pasurisë së familjes31, ky Veli bej eci përpara dhe arriti të ngrihej në shkallën e qeveritarit të Sanxhakut të Delvinës dhe në gradën e pashës. Në mbështetje të të dhënave dokumentare zyrtare, historiani i mirënjohur i pallatit të sulltanit Ahmet Xhevdet pasha, kur përmend Ali pashë Tepelenën për herë të parë e quan atë «Veli pasa zade Ali Pasa», d.m.th. Ali pasha i biri i Veli pashës32. Ky fakt tregon se edhe në këtë rast kryekonsulli francez i mbështetur në burime gojore ka pasqyruar gojëdhënën që i ka interesuar për t’ia filluar fushatës së tij diskredituese ndaj Aliut dhe për të përgatitur terrenin që pastaj ta paraqesë edhe vetë armikun e tij, vezirin e famshëm shqiptar lab nga Tepelena, si hajdut kecash, si vëllavrasës e të tjera si këto, siç do të bëjmë fjalë më poshtë. Mirëpo, në mbështetje të së dhënës më të besueshme si dhe te të fakteve që vijojnë, shkrimet e tij mbi Veli beun janë larg asaj që duhet të pasqyronin si realitet historik. Fakti që ky Veli bej u martua me Hankon, bijën e një shtëpie feudale nga më të njohurat e Shqipërisë Jugore, e shtëpisë së Mahmud pashë Konicës, nuk flet në favor të tezës së Pukëvilit, por të tezës se shtëpia e Hysove edhe në kohën e atit të Aliut u bë më e fuqishme dhe më e dëgjuar.

Është e vërtetë se me vdekjen në moshë të re të Veli pashës, shtëpia e Hysove mbeti nën drejtimin e së shoqes, se lufta midis shtëpive feudale për pushtet e pasuri vazhdoi, se në këtë luftë kjo grua ra robë e një sulmi të befasishëm të agallarëve të Kardhiqit dhe se u burgos e u lirua kundrejt një shpërblimi, siç shkruan edhe Pukëvilë33. Këtë e pranon edhe vetë Ali pasha në një letër të tij dërguar vezirit të Madh34. Por kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se shtëpia e Hysove katandisi deri në atë gjendje sa Aliu i ri të fillonte karrierën e vet duke vjedhur keca e dele, duke grabitur fqinjët e rrugët që të nxirrte të hollat që i duheshin për të krijuar çetë, ose t’i ndihte fati dhe të gjente një thesar të fshehur në gërmadhat e një kishe që i dha mundësi të paguante ushtarë të shumtë dhe me ta të fitonte pasuri e emër, siç bën fjalë kryekonsulli francez, e kështu të bëhej dhëndër i Kapllan pashës së Delvinës dhe të jepte për nuse në këtë derë motrën e vet Shanishanë35. Ali pasha tallej me përmbajtjen e këtyre legjendave dhe i quante pikërisht përralla pa vlerë dhe larg së vërtetës, pavarësisht se nuk merrte ndonjë masë kundër përhapësve të tyre. Ai mbante këtë qëndrim sepse ato edhe pse nuk pasqyronin të vërtetën, i leverdisnin meqenëse e paraqitnin si një njeri me fat të madh, të cilit i buzëqeshte një e ardhme e ndritur dhe shtonte se po të ishte lindur në kohën e Muhametit ishte rrezik që, në sajë të këtyre përrallave, të ishte bërë profet më parë se ai36.
Pra, gjithë sa është shkruar në botimet e biografëve lidhur me rininë e Ali pashës dhe me rrugët që ndoqi ai për të ngritur më tej emrin e shtëpisë së vet, nuk paraqesin të vërtetën. Këtë, e tregon edhe ky fakt: Edhe Ibrahim Manzur efendiu, i cili hyri në shërbim të Ali pashës aty nga viti 1816, kur Pukëvilë kishte kohë që ishte larguar nga Janina, bën fjalë për robërinë dhe burgosjen e Hankos. Mirëpo ndryshe nga Pukëvilë ai shton se bashkë me Hankon gjendej edhe e bija, Shanishaja, dhe se të dyja u përdhunuan nga agallarët e Kardhiqit37. Duke u nisur nga fakti se në vitet kur shërbeu Ibrahimi kishin shkuar disa vjet nga shkatërrimi e gjakderdhja e Kardhiqit, dhe nga fakti tjetër se në këngët kardhiqote që kanë dalë pas kësaj ngjarje të vitit 1812, Hankoja është cilësuar si «kape» (e shpërdalë — S.N.) ka shumë mundësi që kardhiqotët e dëmtuar rëndë dhe të zemëruar me Ali pashën të kenë shpifur shtojcat e Ibrahim Manzur efendiut. Pra burimet gojore në kohë të ndryshme paraqiten sipas rrethanave dhe interesave të njërit apo të tjetrit. Mirëpo shtojcat e Ibrahim Manzur efendiut apo të njerëzve që ia treguan variantin që pasqyroi ai në librin e vet rrëzohen nga faktet e pamohueshme që nuk i kundërshton asnjë autor. Po të ishte e vërtetë shtojca e tij, a do të heshtte Pukëvilë dhe a do të ishte e mundur që Kapllan pasha të lidhte krushqi, duke i dhënë vajzën e vetme të birit të një nëne të shpërdalë dhe të merrte për nuse në shtëpinë e vet një vajzë të përdhunuar? Këtë nuk do ta bënte jo vetëm një pasha si ai por as kushdo tjetër edhe sikur të ishte përfaqësuesi i ndonjë shtëpie shqiptare më të ulët. Pra arsyetimi kritik, i mbështetur në fakte të patundshme nuk mund të pranojë gjithçka është shkruar.
Të nisur nga fakti tjetër se Aliu i ri ishte bir i një ati me gradën e pashait dhe i një nëne, bijë e një familjeje feudale nga më të dëgjuarat e Shqipërisë Jugore, ai s’kishte përse ta fillonte karrierën e vet duke vjedhur dhi e dele etj., por sikurse edhe pinjojtë e tjerë të familjeve si ajo e tija, Ali beu, ndoqi rrugën e edukimit të vet si prijës ushtarak që e kishte për traditë dera e tij, u vu në krye repartesh me ushtarë të rroguar dhe shërbeu si bylykbash brenda e jashtë sanxhaqeve të Shqipërisë Jugore atje ku paguhej më mirë. Në sajë të aftësive të veta, të përkrahjes së miqësive, krushqive, ryshfeteve si dhe dhunës e shfrytëzimit të «të mbrojturve» të tij, ai nuk vonoi të fitonte emër e pasuri. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që më 1768 ai lidhi krushqi dyfishe me Kapllan pashën e Delvinës38 dhe më 1784 u gjend në Sofje në shërbim të valiut të Rumelisë me gradën pashë39. Vetëm kështu duke qenë se Ahmet Kurt pasha i Beratit e martoi bijën e vet më 1774, me Ibrahim pashë Vlorën, d.m.th. gjashtë vjet më pas martesës së Aliut, del fare qartë se tregimi romanesk mbi dashurinë e Aliut për bijën e Ahmet Kurt pashës dhe refuzimi i këtij për ta bërë dhëndër, si dhe pasojat e tjera nuk janë veçse fantazi pa bazë reale që Pukëvilë me shokë i kanë përdorur si motiv për të bërë të besueshëm të ashtuquajturin konflikt midis Ali beut të Tepelenës dhe qeveritarit të fuqishëm të Beratit.

Tani le të vijmë te burimi i shkrimeve të biografëve të Aliut mbi ardhjen e tij në krye të qeverisjes së Sanxhakut të Delvinës.


Autorët e huaj si dhe Myfid bej Libohova e lidhën këtë ngritje të Aliut në postin e qeveritarit të Sanxhakut të Delvinës dhe të marrjes së gradës pashë me dy tradhti e krime të shëmtuara që ia veshin Ali bej Tepelenës. Së pari, shkruajnë ata me Fransua Pukëvilin në krye se Ali beu, i cili synonte të merrte pushtetin e sanxhakut në fjalë, e akuzoi fshehurazi vjehrrin e vet në Stamboll se pretendonte të bëhej sundimtar i pavarur, dhe se, për këtë arsye, ai nuk zbatoi urdhrin për të shtypur kryengritjen e Himarës që mori anën e Rusisë në luftën ruso-turke të viteve 1768-1774. Për rrjedhim Kapllan pasha u thirr në Manastir prej valiut të Rumelisë dhe aty u ekzekutua. Mirëpo qeverisja e Sanxhakut të Delvinës iu dha djalit të madh të Kapllan pashës dhe burrit të Shanishasë, Ali beut. Por në grindje me të vëllezërit ky u vra dhe sanxhaku kaloi në duart e një familje tjetër feudale, asaj të Kokajve të Delvinës. Edhe për këtë grindje e vrasje shkaktar, sipas literaturës, u bë Ali bej Tepelena, i cili deshi të arrinte në qeverisjen e sanxhakut me çdo mjet40.
Së dyti, dhe këtu fillon tregimi i falsifikuar i biografëve bashkëkohës të Aliut dhe i përsëritur thuajse nga gjithë autorët e rinj, për të cilin do të bëjmë ballafaqimin me dokumentet. Sipas Pukëvilit, pushteti i sanxhakut ra në duart e Kokajve, e pikërisht në ato të Selim pashë Kokës, kurse sipas Myfid bej Libohovës dhe Remeranit, që mbështetet tek ai, pushteti iu dha në fillim Mustafa aga Kokës. Mirëpo nuk shkoi gjatë dhe ky u gjend i vrarë në banesën e vet41, prandaj qeverisjen e sanxhakut e trashëgoi Selim pashë Koka. Me këtë rast Ali bej Tepelena, u bë miku i tij, por theksojnë biografët, ai e kallzoi Selim pashën në Stamboll, duke e akuzuar se u shiti venedikasve një pyll rreth. Butrintit, me qëllim gjithmonë që të shtinte në duart e veta pushtetin. Porta e Lartë, pa kryer hetimet përkatëse e dënoi Selim pashën me vdekje, kurse ekzekutimin ia ngarkoi Ali bej Tepelenës. Ndërkohë, ky qëndronte në Tepelenë, por me të marrë fermanin e dënimit, u nis nga Tepelena dhe mbërriti në Delvinë. Aty Selim pasha e priti me ngrohtësi të madhe dhe e strehoi në pallatin e vet. Duke përfituar nga kjo rrethanë, Ali bej Tepelena u shti si i sëmurë për ta tërhequr Selim pashën në dhomat ku ishte strehuar dhe aty të kryente ekzekutimin. Sipas Myfid bej Libohovës, Ali beu u strehua në shtëpinë e Ibrahim aga Kallapodhit, i cili ishte kundërshtar i Selim pashës. Sidoqoftë, Selim pasha shkoi për vizitë te miku i vet për t’i uruar shërim të shpejtë, mirëpo kur u gostit me kafe, Ali bej Tepelenës i ra nga duart filxhani. Kjo ishte shenja për njerëzit e tij të fshehur që të sulmonin e të vrisnin Selim pashën. Menjëherë pas vrasjes Ali beu nxori fermanin e sulltanit për të ligjëruar tradhtinë e krimin e tij dhe për të mos ndodhur gjakderdhje midis njerëzve të të vrarit dhe njerëzve të tij. Pastaj sekuestroi pasurinë e Selim pashës, mori peng djalin e tij, Mustafa beun, dhe, sipas Pukëvilë, la përkohësisht si zëvendësqeveritar Demir Dostin nga Kardhiqi dhe u kthye në Tepelenë. Si shpërblim Porta e Lartë i dha detyrën e qeveritarit të Sanxhakut të Tërhallës dhe atë të derbend pashës. Myfid bej Libohova në variantin e tij thotë se Aliu e mori peng jo vetëm Mustafa beun, por edhe Shahin beun, nipin e Selim pashës, dhe se Ali beu nuk u shpërblye me Sanxhakun e Tërhallës por me atë të Delvinës dhe me gradën e pashës, kurse zëvendës nuk la Demir Dostin por Ibrahim Kallapodhin42.


Tani le të shqyrtojmë me kujdes dokumentacionin për të bërë ballafaqimin dhe të shohim se si qëndron e vërteta.


Duhet pasur parasysh se si Pukëvilë, që i vendos këto ngjarje gjatë viteve të luftës 1768-1774, ashtu edhe Myfit beu e Gabriel Remerani, që i vendosin në periudhën 1775-1780, gabohen. Ata kanë vepruar me hamendje. Ngjarja ka ndodhur në gjysmën e parë të viteve 80 të shek. XVIII.
Aty nga viti 1781, kur Sanxhakun e Delvinës e qeveriste Mustafa pashë Koka, midis feudalëve delvinjotë dhe autoriteteve venedike fqinje, që kishin në duart e tyre qytetet bregdetare shqiptare në detin Jon — Butrintin, Pargën, Prevezën etj., kishte lindur një mosmarrëveshje për punë të tokave kufitare që rrethonin Butrintin. Këto toka i përkisnin Republikës së Shën Markut, mirëpo kishte një gjysmë shekulli që ato shfrytëzoheshin në formë çifligjesh prej feudalëve delvinjotë. Kjo mosmarrëveshje u acarua sidomos në kohën kur pushteti i Sanxhakut të Delvinës kaloi nga duart e Mustafa pashës në ato të Selim pashë Kokës, që rivalizonin midis tyre. Në këtë kohë d.m.th. kur ende nuk ishte vrarë Mustafa pasha, bajli i Venedikut në Stamboll, e shtroi mosmarrëveshjen në Portën e Lartë dhe kërkoi prej saj zgjidhjen e duhur, ndryshe Republika do të vinte dorë me forcë mbi tokat që i përkisnin. Në këtë rast Porta u gjend para një problemi shqetësues sepse po të urdhëronte dorëzimin e tokave tek autoritetet venedike, kishte frikë se mos revoltoheshin feudalët delvinjotë, të cilët, sipas letrës së Vezirit të Madh drejtuar sulltanit, mund të ngrinin gjer më 10 000 vetë të armatosur dhe kështu do të shkaktonin ndonjë ngatërresë me pasoja të rënda në Shqipërinë Jugore, ku bylykbashët e dëbuar me forcë nga Moreja, të cilën e kishin kthyer në koloni të tyre, nuk kërkonin veçse shkak për trazira. Po të mos jepej zgjidhja që kërkonte ambasadori venedikas, forcat ushtarake të republikës do të hynin në trojet që u përkisnin dhe për pasojë do të lindte ndonjë ndërlikim më i madh. Divani perandorak e shqyrtoi këtë çështje dhe mori vendimin, siç i shkroi Veziri i Madh sulltanit, për këtë lloj zgjidhjeje të përkohshme: Meqenëse ambasadori venedikas po largohej nga Stambolli për t’u zëvendësuar me një tjetër, dhe gjersa të vinte ambasadori i ri do të shkonin disa muaj, Selim pasha të pushohej nga detyra e qeveritarit, por ky ofiq të mos i jepej as rivalit të tij Mustafa pashë Kokës. Qeverisja t’i jepej vezir Sulejman pashës, që ishte në krye të sanxhakut të Tërhallës. Këtij t’i jepeshin si shtesë sanxhaqet e Delvinës dhe të Elbasanit. Në këtë mënyrë feudalët delvinjotë do të përmbaheshin dhe nuk do të guxonin të shkaktonin ndonjë incident. Sulltani e miratoi këtë zgjidhje të përkohshme43.
Nuk dihet sa kohë zgjati pushteti i vezir Sulejman pashës mbi Sanxhakun e Delvinës dhe sa kohë mbeti pezull plotësimi i kërkesës së venedikasve lidhur me tokat përreth Butrintit. Dokumentet bëjnë fjalë se në fillim të vitit 1784 pushteti i sanxhakut i kishte kaluar Mustafa pashë Kokës dhe se ky qeveritar natën e 27 marsit 1784 u sulmua në shtëpinë e vet nga njerëz të panjohur të cilët e vranë. Porta e Lartë caktoi si qeveritar në vend të tij Abdurrahman pashën nga Ajdonati (Paramithia) i Çamërisë, por ky nuk guxoi të shkonte në Delvinë për të marrë pushtetin44. Rrjedhimisht qeverisja e sanxhakut ra në duart e Selim pashë Kokës, të përkrahur nga dy të afërmit e tij Hasan bej Koka dhe Ibrahim bej Koka. Mirëpo Porta e Lartë, që e mbante Selim pashën për ngatërrestar, sepse siç ka shkruar Ahmet Xhevdet pasha, ai kishte mbledhur rreth vetes banditë shqiptarë dhe hante e gllabëronte pasurinë shtetërore, jo vetëm nuk pranoi t’ia njihte pushtetin, por e dënoi atë dhe përkrahësit e tij me vdekje si rebelë, kurse ofiqin e qeveritarit të ligjshëm ia ngarkoi aty nga muaji shtator-tetor 1784 Ali pashë Tepelenës dhe jo Ali bej Tepelenës, siç pretendojnë biografët evropianë. Ky i fundit, duke shërbyer pranë seraskerit të Rumelisë, Hasan pashë Algjerianit, në Sofie e kishte fituar gradën e pashës para se të ngarkohej me ofiqin e qeveritarit të Sanxhakut të Delvinës. Bashkë me ofiqin, Ali pashë Tepelena u ngarkua të zbatonte edhe vendimin për ndëshkimin me vdekje të Selim pashë Kokës e përkrahësve të tij, të cilët ishin bërë shkaktarë që të mos mund të vileshin taksat shtetërore nga banorët e Sanxhakut të Delvinës dhe veçanërisht nga ata të viseve malore45.
Ali pashë Tepelena pasi u vu në krye të një force ushtarake mjaft të fuqishme, gjë që nuk mundi ta kryente Abdurrahman pashë Ajdonati, hyri në Delvinë me forcë dhe, pasi kapi Selim pashë Kokën e dy bejlerët që e përkrahnin, u preu kokat46. Kështu, sipas traditës që zbatohej kundër qeveritarëve të pabindur e të dënuar me vdekje, Ali pasha mori në duart e veta pushtetin e Sanxhakut të Delvinës.
Porta e Lartë menjëherë njoftoi ambasadorin venedikas, Agostin Garconin, për vrasjen e Selim pashës, kurse ambasadori në fjalë njoftoi me shkrim Senatin e Republikës. Në letrën e tij, që mban datën 25 nëntor 1784, Agostin Garconi shkruante se reis efendiu, që i bëri të njohur ekzekutimin e Selim pashës, i la të kuptojë se «do të jetë e dëshirueshme që kjo ngjarje të kontribuojë për të lehtësuar zgjidhjen në favor të çështjeve të Butrintit47». Nga ky dokument kuptohet se Selim pasha kishte qenë pengesë për zgjidhjen e problemit të tokave kufitare në favor të Venedikut d.m.th. se ai kishte qenë në krye të feudalëve delvinjotë që kërcënonin të ngriheshin me 10 000 forcat e tyre po qe se Porta e Lartë urdhëronte dorëzimin e tokave përreth Butrintit autoriteteve venedike.
Ndër të dhënat mbi rrugët e ardhjes së Aliut në krye të Sanxhakut të Delvinës, janë edhe ato që dalin nga disa letra të tij të nënshkruara si qeveritar i sanxhakut në fjalë. Pasi hyri në Delvinë dhe ekzekutoi Selim pashën, Ali pasha me letrën e tij të 27 janarit 1785 njoftoi Portën e Lartë se u inventarizua pasuria e të vrarit, por doli se, për shkak të grindjeve e konflikteve të vazhdueshme që kishte pasur, ai ishte mbytur në borxhe dhe, për këtë arsye, çifligjet e kullotat ua kishte bërë shitje djemve të tij në rrugë ligjore. Meqenëse djemtë e tij, theksonte Ali pasha kishin pranuar të shlyenin detyrimet e atit të tyre dhe duheshin mëshiruar, propozonte që atyre të mos u konfiskohej pasuria48.
Po të kemi parasysh të gjitha faktet që u përmendën më lart në sajë të dokumenteve zyrtare osmane, dhe konkretisht se Aliu kishte fituar gradën e pashës para se të emërohej qeveritar i sanxhakut të Delvinës, duke shërbyer pranë valiut të Rumelisë në Sofje e nuk ishte bej siç thuhet në gojëdhënë; se hyri në Delvinë me forcë në krye të një ushtrie të fuqishme e jo me pak njerëz duke u nisur nga Tepelena, se nuk e ekzekutoi Selim pashën me tradhti, duke shkelur mikpritjen shqiptare; se nuk mori peng dhe burgosi djalin e nipin e Selim pashës, po përkundrazi i përkrahu djerntë e tij duke kërkuar që t’u liheshin çifligjet e kullotat etj. kuptohet fare qartë se shkrimet që e njollosin Ali pashën me vulën e tradhtisë, me shkeljen e traditës së mikpritjes dhe me njolla të tjera të kësaj natyre, janë krejtësisht të pathemelta. Ne mendojmë se burimin e këtyre shkrimeve duhet ta kenë trilluar pasardhësit e Selim pashë Kokës, Mustafa pasha i Delvinës dhe vëllai i tij. Siç dihet, duke filluar nga viti 1797 e deri më 1812 kur u krye procesi i bashkimit nën një pushtet të vetëm efektivisht autonom i Shqipërisë Jugore. Ali pasha i mënjanoi ata nga pushteti, ashtu siç kishte mënjanuar njërin pas tjetrit edhe oxhakun e Vlorajve nga Berati e Vlora, atë të Kapllanpashallive apo Asllanpashallive nga Janina e Gjirokastra, si dhe agallarët e Çamërisë dhe ata të Kardhiqit nga Labëria.

 

 

Stavri N. Naçi, «Studime Historike» 2, 1981, f.

 

 


 

 


1)  Dokumente mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në «Studime historike», 1978, nr. 2, f. 219, 236.
2)  Këngë popullore historike, Tiranë 1956 (shih këngët mbi luftën e Ali pashë Tepelenës).
3)  A. de Beauchamp, Vie d’Ali Pacha, visir de Janina, surnommë Aslam ou Lion, 2e ed, Paris 1822; F.C.H.L. Pouqueville, Histoire de la régénëration de ia Gréce, Paris 1825; Ibrahim Manzour efendi, Mémoires sur la Gréce et. l’Albanie, Paris 1827, Thomas Smart Hughes, Voyage a Janina en Albanie, par la Sicile et la Gréce, Paris 1821; G (de) Vaudoncourt, Memoirs on the Jonian Islands..., London 1816; Compendio della Storia del Risorgimento della Grecia dal 1740-1824, Italia 1825 D.S., Ali Tebelen, pascia di Janina, racconto storico, vëll. I-IV Torino 1847-1848; T.E, Evanghelidhu, Istoria Ali Pacha tu Tepelenli, satrapu tis Ipiru (1741-1822), Athinë 1896.
4)  Enciclopedia italiana — G. Treccani, f. 488; Nouveau Larousse illustré, f. 189; Larousse Universal, vëll. I, f.52, Paris 1922 i ribotuar në vitet 40 të shekullit tonë etj.
5)  G. Remérand, Ali de Tébélen, pasha de Janina (1744-1822), Paris 1928; W. Plomer, Ali the Lion (Ali of Tebelen, Pasha of Janina 1741-1822), London 1936; W. Plomer, Yanya sultan, çeviren Murat Belge, Istanbul 1972; J.W. Baggally, Ali Pasha and Great Britain, Oxford 1938; G.L. Arsh, Alhanija i Epir v Konce XVIII-naçalje XIXv, Moskva 1963.
6)  Ahmet Myfit, Tepedelenli Ali Pasa (1744-1822), Istanbul 1908.
7)  Beauchamp, vep e përm., f. 28.
8)  Historia e Shqipërisë, Tiranë 1967, botimi i dytë, vëll. I, f. 434; S. Godo, Ali pashë Tepelena (roman historik — S.N.), Tiranë 1970, kap. I.
9)  Spiro P. Aravantinu, Istoria Ali Pasa Tepelenli, Athinë 1895; Ahmet Myfit, vep. e përm.
10) A (de) Beauchamp, vep. e përm., f. 29; Fr. Pouqueville, vep. e përm. vëll, I, f. 9; Ibrahim Manzour efendi, vep. e përm. liv. I, f. 4.
11) S. Godo, Ali pashë Tepelena, Tiranë 1970, Prishtinë 1972.
12) Shih shën. nr. 10.
13) Po aty.
14) Ibrahim Manzour efendi, vep. e përm., liv. I, f. 4.
15) Po aty, Autori dëshmon se e kishte lexuar vetë fermanin në fjalë.
16) 19)     S.N. Naçi, Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllive, Tiranë 1984, f. 59-65.
17) 20)     Haus-Hof-und, Staatarchiv, Wien Politisches Archiv (më tej HHStAPA), Turkei VI/1-3, Diplomatische akten 1807-1848, 43, Konsulate in der Turkei, letra e internuncit Sturmer — kontit Meternik 10.2.1810.
18) Sp. P. Aravantinu, vep. e përm., pj. I, kap. I, f, 1-4,
19) Po aty.
20) Tërheqim vëmendjen e lexuesit se qeveritë greke kishin kohë që ia kishin filluar pretendimeve të tyre për të përvetësuar trojet shqiptare të Jugut. Me këtë rast duhet patur parasysh se kësaj politike iu përshtat edhe historiografia greke. Është fakt, shkruan historiani grek Perikli Rodhaqi, se 30-40 vjet pas kryengritjes së 1821-it, mbizotëroi mendimi se Aliu ishte një përbindësh gjakpirës që deshi të çorodiste kombin grek. Çdo të keqe të administratës turke ia veshën Aliut (P. Rodhaqi, Kleftë dhe Armatolë, Athinë 1975, kap. VI, f, 337-338).
21) Ahmet Myfit, vep. e përm., f. 32. Krahaso këtë përmbajtje me kapitullin «Rruga e një kaçaku» në romanin e S. Godos «Ali Pashë Tepelena» për të parë përpikmërinë që i bëhet gojëdhënës së Myfid Beut.
22) Po aty.
23) Sp.P. Aravantinoi, vep. e përm., f. 1-4.
24) Ahmet Myfid, vep: e përm. f. 32-34.
25) Arkivi Qendror i RPSSH (më tej AQSH), sixhilati i Beratit, dosja 2,fl. llb-12a, dosja 21, fl. 89a, dosja 9, fl. 32a.
26) Po aty, Shiko edhe vëllimin me dokumente osmane të    përgatitur nga    S. Pulaha,
Qëndresa e popullit shqiptar kundër sundimit osman nga shek. XVI deri në fillim të shek. XVIII, Tiranë 1978, dok. nr. 190, 193, 195, 208, 216; 223, 226, 227 228, 231, 242, 252.
27) AQSH, sixhilati i Beratit, dos. 18, fl. 51 b, 6; fl. 40 a, b, «Qëndresa...», f: 255-256.
28) Po aty, fl. 40 a, b.
29) A (de) Beauchamp, vep. e përm., f. 30.
30) Baçbakanlik Arsivi, Hattihumayun defterleri nr. 1-2, letra datë xhemazi ul aher 1201 H (mars 1787).
31) Fr. Pouqueville, vep. e përm., f. 11-14.
32) Ahmet Xhevdet pasha, Tarihi, vëll. II, f. 302.
33) Fr. Pouqueville, vep. e përm. f. 16-17.
34) Baçbakanlik Arsivi, Hattihumayun defterleri nr. 1-2, letra 21 Sefer 1227 H (7.3.1812).
35) Fr. Pouqueville, vep. e përm., f. 19-23.
36) Po aty, f. 21, shih edhe shënimin në këtë faqe.
37) Ibrahim Manzur efendiu, vep. e përm., liv. I, f. 7.
38) Ahmet Myfit, vep. e përm., f. 42.
39) Ahmet Xhevdet pasha, Tarihi, vëll. III, f. 123.
40) Fr. Pouqueville, vep. e përm., f. 29-30; Ahmet Myfit, vep.e  përm. f. 42-451
G. Remerand. Ali de Tépélen pacha de Janina (1744-1822) Paris 1928, f. 25-27.
41) Fr. Pouqueville, vep. e përm., f. 37, Ahmet Mufit, vep. e përm., 45-49, G. Remerand, vep. e përm. f. 27.
42) Fr. Pouqueville, vep. e përm., f. 35-40; Ahmet Myfit, vep. e përm. f. 46-49; G. Eemerand, vep. e përm., f. 26-29. Shih edhe S. Godo, vep. e përm., f. 22-25.
43)  Basbakanlik Arsivi, Hattihumayun deft. nr. 1-2, dokument pa numër e datë. Por duhet të jetë para vitit 1784 sepse Mustafa pashë Koka u vra më 27 mars 1784.
44) Ahmet Xhevdet pasha, Tarihi, vëll. III, f. 123
45) Po aty.
46) Po aty.
47) Parga. Pragë 1908, f. 43.
48) Basbakanlik Arçivi, Hattihumayun deft. nr. 1-2, letra e Ali pashë Tepelenës, dt. 27 Rebiul evvel 1199 H (27.1.1785).

 

Stavri N. Naçi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...