Oshtima

1879 - Letër qarkore e Mitropolitit të Drinopolit

Dokumenti i mëposhtëm është një letër qarkore e Mitropolitit të Drinopojës (Gjirokastrës) në të cilën u bëhet thirrje banorëve shqiptarë të kësaj krahine për të kundërshtuar Lëvizjen Kombëtare shqiptare.
Kjo qarkore u botua disa javë më vonë në fletoren “Zëri i Shqipërisë”. Fletore e cila shtypej në Athinë nga veprimtarët e Lëvizje Kombëtare.

 

 

Fort të shenjtë Igumenë, fort të devotshëm priftërinj, fort të ndershëm parësi e pleqësi, dhe të gjithë të tjerët të bekuar të krishterë të eparkisë sonë të shpëtuar prej Perëndisë, bij të Zotit shumë të dashurit tonë, hiri qoftë mbi juve dhe paqa nga Zoti; dhe nga neve uratë, bekim dhe falje!

E kemi për detyrë që të kujdesemi jo vetëm për interesat shpirtërore të të krishterëve të bekuar të eparkisë sonë të shpëtuar prej Perëndisë, por edhe për shumë të tjera që ndihmojnë për lumturinë e tyre dhe për përmirësimin e tyre moral. Për këtë kemi treguar kurdoherë gatishmëri dhe zell, dhe mendojmë se është me ngutshme që në këto rrethanat e sotme ta tërheqim vëmendjen e grigjës sonë të dashur për kurthet që po ngrihen, me anën e të cilave duan ta shpjenë atë në rrugë të këqija e të rrezikshme, të cilat çojnë jo në kullota shpëtimtare, por në humnerën e shkatërrimit dhe të humbjes.  Të shtyrë nga një interes personal disa, dhe duke mos ditur se u shërbejnë ambicieve komprometuese, që synojnë jo në realizimin e dëshirave të ligjshme të ndonjë kombësie të mospërfillur, por në kryerjen e planeve grabitqare pse në prishjen e unitetit të nevojshëm për Shtetin tonë të lartë, duan të krijojnë një çështje shqiptare atje ku s’ka Shqiptarë, dhe për këtë qëllim ata kanë çpikur alfabet dhe kanë hartuar libra, për të mësuar gjoja gjuhën shqipe, dhe i shpërndajnë ato kudo në Epir, dhe si rrjedhim, edhe në eparkinë tonë.

Është e vërtetë se mësimi i gjuhëve, që kanë zhvillim dhe letërsi është i nevojshëm për cilindo për të shtuar njohuritë dhe për përhapjen e qytetërimit të vërtetë; por çfarë njohuri të dobishme mund të na japë një gjuhë si shqipja, e cila s’ka asnjë letërsi, që s’është formuar akoma, dhe që ndodhet ende në shparguat? Po përveç kësaj, çka të përbashkët midis jush, bijtë e mi të bekuar, që keni mësuar dhe keni folur qysh prej shekujsh gjuhën tuaj stërgjyshore dhe atërore greke, dhe që fali me atë dhe i drejtoni lutje Zotit, dhe Shqiptarëve gjuhën e palëvruar të të cilëve disa nga juve u detyruan ta mësojnë vetëm me qëllim që t’u shërbejnë nevojave të jetës së tyre? Asgjë natyrisht, siç del edhe nga historia, nga traditat, dhe nga doket dhe zakonet tuaja. Por a është arsye e fortë dhe e domosdoshme, që mbasi disa nga juve flasin shqip, të konsiderohet si atdheu i juaj se bën pjesë në kombësinë shqiptare? Një gjë e tillë është aq e paarsyeshme, sa do të ishte marrëzi dhe budallëk që atë që bëjnë këto punë të përpiqeshin që të dërgonin libra shqip në shumë banorë të Mbretërisë Greke që flasin shqip. Po përveç këtyre pikëpamjeve që janë shumë të rëndësishme, i kundërshtojnë dhe i deklarojnë të huaja edhe nga pikëpamja fetare ato përpjekjet e komprometuara të anëtarëve për pikëpamjen e gjuhës shqipe, sepse jo vetëm që dyshojmë që në librat shqipe të përmendura mund të ketë pjesë si nga Dhiata e Vjetër ashtu edhe nga Dhiata e Re, dhe ndonjë tjetër gjë që i përket dogmës dhe doktrinës së fesë ortodokse, por kemi edhe informata se ato veprime shqiptare s’janë të huaja nga proselitizmi dhe nën maskën e mësimit të shqipes fshehin përhapjen e ngadalshme dhe të heshtur të parimeve fetare që janë kundër dogmës sonë atërore. Pra, për këto arsye ju këshillojmë që të mos iu a vini veshin sugjerimeve të dyshimta të anëtarëve të shqiptarizmit, të mos i pranoni librat e dërguar ose abetaret e tyre, dhe të vazhdoni të ecni në rrugën në të cilën kanë ecur edhe etërit tanë, si nga pikëpamja fetare ashtu edhe nga ajo e zhvillimit kombëtar.
Këto për detyrë hierarkale hiri i Zotit qoftë me ju të gjithë.

Në Kostandinopojë, më 28 Tetor 1879.  
Episkopi i Drinopolit
ANTHIMOS
Falëtar për juve.


Zëri i Shqipërisë (I Foni tis Alvanias), Athinë, 8-XII-1879.

 

Dokument - Oshtima


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...