Oshtima

Çështje të ekonomisë kombtare

DISA VROJTIME MBI TREGËTINË E DRITHRAVET E MBI ENTIN E GRUMBULLIMEVE 

I - TREGËTIJA E DRITHRAVET ËSHTË NJË FUNKCJON SHOQËROR DHE POLITIK

Tregëtija e drithravet dhe e sendeve ushqimore përgjithësisht, për t’i marrë nga prodhuesi e për t’i vënë në dispozicion të konsumuësit është veçanërisht në rrethanat e sotme, jo një fakt tregëtar i thjeshtë i një interesi privat, po një funkcion shoqëror dhe politik.

Shteti, si ekspresion i organizuar i interesave kolektive dhe permanente të vendit , dhe i të gjithë klasave ekonomike, ka të drejtë, e mbase e ka për detyrë të kontrollojë këtë aktivitet të rëndësishëm.

Kontrolli lipset të vështrojë, veçanërisht, çmimin e blerjes e të shitjes së drithravet, pët t’i harmonizuar me nivelin e përgjithshëm të çmimeve të mallrave të tjera. Kur kontrolli nuk jep përfundimet e duhura ose kur reparticioni bëhet me mungesa, Shteti mund të marrë në dorë, ay vetë, këtë aktivitet, drejt për drejt ose përmjet organesh të krijuara apostafat.

Pa fjalë se është, më anë tjetër, një padrejësi shoqërore dhe ekonomike e rëndë politika e caktimit çmimesh të ulta për drithë dhe çmime të nalta për prodhimet e industris ose lënia e këtyre të fundit në kapricën e tregut të lirë. Një politikë e tillë do të thotë shfrytëzim i një kategorije prej një tjetre, ose, si është në Shqipëri, i kategorisë bujqësore prej kategoris tregtare-qytetare.

II – MONOPOL EDHE TREG I LIRË

Praktika e tregut të lirë ose e konkurencës së lirë është një praktikë esencialisht liberaliste e shekullit të kaluar.

Kjo praktikë është vërtetuar se shpje – në gjithë kohët e në gjithë vëndet – në koalicionin e një numuri të vogël kapitalistash për të zotëruar e shfrytëzuar tregun, dyke diktuar çmimet si pas interesave të tyre.

Në dëm të kujt?
- Të prodhuësit të cilit i paguhen çmime të ulta.
- Të konsumuësit, të cilit i pretendohen çmime të nalta.

Tregu i lirë, i pa zotëruar prej autoritetit shtetnor, shpje, automatikisht, në një monopol “de facto” e në shfrytëzimin e shumicës prodhuëse dhe të shumicës konsumuëse pre një pakice spekulluëse.

Pa fjalë se Shteti, si ekspresion i harmonisë shoqërore, nuk mund të lerë të lirë këtë lodrë të shfrytëzimit.

Në një fazë fillestare ay ndërhyn me masën e caktimit të pmimit të blerjes dhe të shitjes, për vleftësim normal të prodhimeve në favorin e prodhuësit. Në një fazë të dytë, kur e para nuk jep pemët e duhura, Shteti ndërhyn në aktivitetin ekonomik me introduktimin e monopolit, në favorin e një enti të kontrolluar prej tij, ose më mirë, të një instituti shtetnor.

Kujtojmë këtu se sistemi i monopolit nënë tregtin e drithërave u pat provuar në të kaluarën në Perandorin Bizantine dhe në kohrat e sotme në shumë shtete.

Në vjetët para luftës ish-Jugosllavia kish provuar monopolin e eksportimit të misrit, për t’a shpëtuar prodhonjësin nga tiranija e grosistit kombëtar dhe të huaj, i cili diktonte çmime spekullonjëse.

Sot në Rumani blerja e drithit bëhet përmjet organeve shtetnore. Gjithashtu në Bullgari, Gjermani e gjetkë.

Sa për nivelin e çmimeve të drithërave, në caktimin e tyre duhet marrë gjithmonë parasysh niveli i përgjithshëm i çmimeve dhe veçanërisht i prodhimeve industriale. Ndryshimi i këtyre të fundit lipset të sjellë dhe ndryshimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore.

III – USHTRIMI I MONOPOLIT.

Trajta e ushtrimit të monopolit, jo vetëm për tregëtinë e drithravet po edhe për shumë objekte të tjera, janë drejt për drejt në funkcion me koncepcionin politik që zotëron në organizimin e Shtetit dhe sidomos në fuqinë politike të tij.

Ne çquajmë këto trajta kryesore:

1) Monopol i dhënë si koncesion një enti privat.
2) Monopol i dhënë si koncesion një instituti parashtetnor ose një enti mikst, me kapital dhe udhëhqje të përbashkuar, privat dhe shtetnor.
3) Monopol shtetnor i ushtruar drejt për drejt prej Shtetit, përmjet një organi të posaçëm.

Brenda sikujt nga këto sisteme mund të bëhen varacione, adaptacione, me ngjyra të ndryshme si pas vendit edhe sipas rrethanave.

Bjé fjala, në sistemin e parë, të entit privat, ky ent mund të jetë një ent me kapital të huaj si Banka Kombëtare e Shqipnis ose një ent me kapital kombëtar si shoq. S.T.A.M.L.E.S. , S.I.T.A. , etj. , sipas rrethanave politike, ekonomike, ose një ent me kapital mikst.

Një ndryshim tjatër ësht ay i kontrollit shtetnor përmbi veprimet e entit që ushtron monopolin dhe i cili mund të jetë më i madh ose më i vogël.

Përgjithësisht në Shtetet e dobëta dhe pa kapitale ushtrimi i monopolit u jepet enteve private.
Shtetet e fortë janë, përgjithësisht, kundër këtij sistemi dhe nuk i përdorën përveç se për veprime që nuk paraqesin një rëndësi të veçantë për jetën kolektive, dyke rezervuar që shërbimet me rëndësi t’i ushtrojë vetë Shteti.

Sa për monopole të koncesjonuara kapitalit të huaj, këto luftohen kudo dhe vetëm shtetet e dobëta politikisht i vënë në veprim.

IV - SISTEMI SHQIPTAR.

Që në vitin e kaluar (1942) Shteti Shqiptar ka introduktuar një monopol relativ, pjesëtarisht, për tregëtinë e drithravet.

a) për blerjen, transportimin dhe shpërndarjen e tepricave të Tokave të Liruara.
b) Për marrjen në dorëzim edhe shpërndarjen e drithravet të të dhetave në gjithë tokën e Mbretërisë.

Blerja e shitja brenda tregjeve të ndryshme të vëndit ka mbetur, praktikisht, e lirë.
Barra e blerjevet të drithrave, me pmime të caktuara, dhe barra e shpërndarjes së tyre i është ngarkuar, përmjet disa kontratave koncesjoni, një enti privat, Shoqëris S.A.S.T.E.B. – Shoqërija Anonime Shqiptare Tregtare dhe Bujqësore.

Gjithë këtij enti i ësht ngarkuar edhe barra e blerjeve edhe shpërndarjeve të sendeve të kontrolluara (miell, makarona, sheqer) që importohen me anën e Shoqëris italiane “E.A.G.A.” – Ente Albanese Gestione Amassi.

V - SHOQËRIA S.A.S.T.E.B.

a) Si u krijua 

Shoqëria “S.A.S.T.E.B.” mori fill në Prill 1942, me iniciativën dhe bashkëpunimin e fabrikantëve të mjellit; me një kapital prej 1 miliun fr. shq. dyke patur si qëllim të parë blerjen e drithërave për nevojat e industris përkatëse.

b) Modifikimi dhe organizimi i S.A.S.T.E.B.-it

Në verën e vitit 1942, kur vihej intensivisht çështja e nozullimit të vendit, qeverija e mori Sasteb-in si bazë qendralizimi për regëtin e drithërave.

Me këtë rast u zgjerua rethi i Veprimit të Shoqërisë dyke iu dhënë atribucione të reja – të cilat më parë i kish Eaga – për shpërndarjen më tregtarë grosista të autorizuar prej Ministrisë, të sendeve të kontrolluara (sheqer,makarona, mjell, oriz) si dhe grumbullimi i të dhjetave.

Importimi i sendeve të kontrolluara i mbeti gjith Shoqëris Eaga.

Me zgjerimin e atribucioneve u madhua dhe kapitali, më parë 3 miliun dhe pastaj 5 miliun fr. shq.
Nga ky kapital 61% duhej të mbetej shqiptar dhe 29% italian.

Pa fjalë se dyke u marrë parasysh fusha e gjerë e vepërimit, dhe veçanërisht sasija e drithit për t’u blerë në Kosovë, as kjo shumë nuk ish e mjaftueshme. Sasteb-i për t’i bërë ballë misionit të vet duhej të kish nji kredi prej të paktën 15 miliun fr. shq.

c) Organizimi i sotmë.

Kapitali efektivisht i sotmë i Shoqëris Sasteb është 4.090.000 fr. shq. nga i cili 52.5% është italian dhe 47.5% shqiptar.

Sbritja e kuotës shqiptare nga 69% në 47.5% i detyrohet faktit se shumë akcionista nënshkruan kapital e nuk derdhnë dhe disa të tjerë shitnë pjesat përkatëse.

Me anë tjetër duhet nënvizuar se grupi shqiptar prezantohet amorf dhe pa unitet (89 akcionista), kurse grupi i enteve krejt i organizuar dhe në gjendje të impozojë legalisht vullnetin dhe pikëpamjen e tij.

d) Struktura financiare

Pa fjalë se kapitali prej 4.090.000 fr. shq. nuk mund të mbulojë nevojat financiare të Shoqërisë Sasteb për kryemjen e misionit të vet.

Ky kapital duhej të ish plotësuar qysh në vitin e parë të vepërimit, me kredi nga ana i instituteve financiare, kredi të cilat patnë munguar.

Shkaku i vërtetë dihet: nuk lipsej të zhvillohet një ent me karakter shqiptar, veçanërisht kur eksistonte një tjatër ent si Eaga.

Shkaku aparent: difikultete organizimi dhe administrate në këtë fillim vepërimi.

Dhe u krijua këshilloj një gjendje paradoksale që institutet bankare të mos financojnë vleftësimin e prodhimeve bujqësore, me garanci reale, po vetëm spekullime tregtare dhe sipërmarrje të huaja.

Vëndin që duhej t’a zinin institutet bankare, të cilat duke financuar tregëtin e drithit, financonin në mënyrë indirekte bujqësinë e zuri Shteti shqiptar me shumat qo o detyroheshin nga të dhjetat dhe nga llogarija FAPI (diferencë çmimesh, pra taksa mbi konsum, midis blerje e shitje të sendeve të kontrolluara).

Kjo gjendje solli ndërlikime në llogari dhe veçanërisht konflikte midis Shtetit dhe Shoqërisë, kjo e fundit dyke konsideruar mallin si të shtetit dhe dyke mos mundur t’i paguajë shumat e detyruara, nga mungesë fondesh.

VI - KRITIKA QË I SILLEN SHOQËRIS S.A.S.T.E.B.

Në trjatën e sotme, si ent privat i pajisur me një monopol shtetnor me kaqë rëndësi si është funksioni i grumbullimit dhe i shpërndarjes së sendeve yshqimore, Shoqërisë i sillen një varg kritika dhe kryesisht këto që vijojnë:

1) Në kapitalin dhe udhëheqjen e Entit nuk merr pjesë kategorija e prodhuësvet të drithravet që janë furnizorët e tij, po vetëm entet financiare të huaja dhe disa industrialë e tregtarë të vendit.

2) Në kapitalin dhe udhëheqjen e gjith atij enti nuk merr pjesë Shteti i cili është – në analizën e fundit – klienti i vetëm i tij, sepse blerjet dhe shitjet bëhen për llogari të vet.Efektivisht, deri në kohët e fundit, Sasteb-i ish udhëhequr prej Enteve financiare përmjet drejtorit të qendrës dhe atij të Prizrenit. Është e vërtetë se Entet kanë derdhur sot pjesën më të madhe të kapitalit (2.062.500 Fr. Shq.) po nuk duhet të harohet se Shteti i ka dhënë Sasteb-it, përveç të drejtës së monopolit dhe administrimin, përkohësisht të shumave që i takojnë nga të dhjetat dhe nga llogarija Fapi- të cilat kapin shpesh herë, shuma më të mëdha se sasija vetë e kapitalit.

3) Funksioni i Shoqërisë “Sasteb” nuk ësht i plot dyke qenë se i mungon barra e kryemjes së transportit, fakt i cili sjell turbullime edhe vonesa të mëdhaja në transportimin e mallrave.

4) Shoqëris “Sasteb” i mungojnë mjetet financjare të afata për plotësimin e barrës dhe të monopolit që i është akorduar. 

Madhimi i rrethit të aksionistëve dhe hyrja e enteve financiare u pat bërë pikërisht për t’u shtuar këto mjete me anën e kredinave, gjë e cila, për rezerva që nuk i diskutojmë këti, nuk u pat realizuar.

Sot ay që financon vepërimin kryesor të entit është Shteti i cili i ka lënë në dispozicion, pa kamatë, shuma të mëdha nga llogarija “Fapi” dhe nga të dhjetat.

VII – PROPONIME PËR RIORGANIZIMIN E SHOQËRIS.

Për të përmbushur misionin e vet në mënyrë sa më të mbaruar – si organ ndihmës i Shtetit – dhe për të vënë në praktikë parimet themeltare që treguam më sipër mi tregtinë e drithit, ndejhet nevoja e riorganizimit të Shoqëris “Sasteb” në baza të reja me transformimin e saj si ent parashtetnor e me ngarkimin e kryemjes të transporteve përkatëse.

Prezenca e Shtetit brenda Shoqëris “Sasteb”, si aksionist dhe drejtonjës është një e drejtë krejt elementare për këto arsye:

a) Shteti hyn si përfaqësues i prodhuësve të drithërave;
b) si furnizori më i madh i entit me të dhjetat;
c) si kreditori më i madh për shumat që i detyrohen për llogarinë “Fapi” e për të dhjetat, të cilat janë të holla publike dhe që duhen kontrolluar drejt për drejt;
d) si koncesionar i një të drejte regaliane si është monopoli i drithrave. 
e) për madhimin e kapitalit të entit.

Nënëvizojmë se edhe një i vetëm argument nga më sipërmet vlente krejt për hyrjen e Shtetit në Shoqërinë “Sasteb” si aksionist.

Në entin e riorganizuar do hynë si aksionistë edhe disa transportuës dyke sjellë si kapital automjetet e tyre.

Kapitali i arthmë i entit duhet të kapë shumë prej 10.000.000 fr. shq. të ndarë kësilloj:

Industrialë, tregtarë, privatë . . . . . . . . . . .     Fr. Shq. 2.000.000
Institute financiare .. . . . . . . . . . . . . . . . . .  .Fr. Shq. 2.000.000
Transportuës . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .  Fr. Shq. 2.000.000
Institute financiare .. . . . . . . . . . . . . . . . . . . Fr. Shq. 2.000.000
________________________________
Gjithsej Fr. Shq. 10.000.000

Në administrimin e Entit duhet tl hynë edhe përfaqësuesit e Shtetit (Ministrija e Financavet edhe Ministrija e Ekonomisë Kombëtare)

Duhet caktuar që në fillim se akcionet e asenjuara çdo ketegorije nuk mund të kalojnë në tjetër dore, pa autorizimin e Shtetit, i cili ka të drejtë prioriteti poër blerje eventuale.

Shteti mund të vendosë që pjesa e fitimit që i përket të përdoret për ndërtim magazinash të cilat mbeten pronja e tij.

Nënëvizojmë se hyrja e Shtetit si akcionist është e mundëshme financjarisht sepse Shteti ka gjithmonë pranë Shoqërisë “Sasteb” shuma prej disa milion fr. shq. nga llogarija “Fapi” edhe nga të dhetat, dhe për të cilat sot nuk merr asnjë të ardhur.

Dinamizmi i këtyre shumave ësht një nevojë financjare edhe njëkohësisht, i përgjigjet një nevoje politike-ekonomike.

Nënëvizojmë, gjithashtu, nevojën e marrjes së shërbimit të transportimeve prej Entit, dyke pranuar si akcionista transportuesit e sotmë.

 

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli)


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...