Oshtima

Veprimtaria ushtarake e bajrakut

Fshatarësia e lirë e krahinave malore u dallua gjithnjë për karakterin e saj luftarak, gjë që lidhej ngushtë me natyrën e organizimit të vjetër shoqëror. Njohjen e traditave luftarake në bajrak do ta shikojmë në dy anët e saj, si veprimtari për mbrojtjen e vetë organizimit shoqëror të malësorëve dhe si detyrim ndaj pushtetit osman.
Në kushtet e një gjendjeje lufte të përhershme me armiq e kundërshtarë të jashtëm e të brendshëm, lindja e fëmijve meshkuj dhe edukimi i luftëtarëve merrte një rëndësi të madhe. Kur arrinte djali në moshën e fejesës, sipas mendësisë së asaj kohe, kërkohej për të një vajzë nga «shtëpi djelmësh», që «nuk të mbushte votrën me çika» dhe që t’i përkiste një fisi të përmendur për trimëri. Fëmija shpesh u ngjante dajave, prandaj roli i gruas në trashëgimi merrej parasysh nga malësorët1. I tërë mjedisi ndikonte në formimin e luftëtarit. Këngët më të preferuara qenë ato të epikës heroike, kurse valle ato të tipit luftarak2. Secili bajrak në Malësi të Madhe në një datë të caktuar mblidhej me burra gra në log (shesh) për festën e bajrakut. Në mes të shfaqjeve të gëzueshme të asaj dite zinte vend të veçantë gjuiajtja e shënjit me pushkë e pastaj vinin vrapime e ushtrime me kuaj etj. Nderi më i madh për një trim ishte të këndohej në këngë3.
Në shoqërinë malësore më përpara kërkohej trimi e pastaj burri. Të gjithë duhet të ishin trima si zana, kurse burrëria, mendonin, ishte «me të dhanun». Kështu kur kishte luftë dilte kushtrimi trim për shtëpi, kurse kuvendi lypte burrë për shtëpi.
Ndryshonin në kuptim fjalët mashkull, trim e burrë4. Shtëpia përbëhej nga meshkuj, gra e fëmijë, por të tërë meshkujt nuk ishin trima e aq më pak burra. «Trimi punon me gisht», «zemra e fortë dhe pushka e mirë i duhen trimit». Burri shquhej për mend, besë, nder, mikpritje, qëndresë në fatkeqësi. karakter të pathyeshëm. Ai punonte e sakrifikonte për të mirën e vendit. Një burrë, që i humbte këto cilësi shburrnohej, kurse ai që s’e kishte pasur ndonjëherë thirrej burrec. Në këtë vështrim kuptojmë përmbajtjen e vërtetë të përshëndetjes, A je burrë, si je?» — «Të paçim me nder», përgjigjet tjetri. Kënga popullore ka vënë në gojë të Ali pashë Gucisë, porosinë, që i la gruas. kur u nis të luftojë kundër malazezve për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë.

Rritma djalin si bujar,
të m’dalë burrë    e trim shqiptar.
Sikur t’part e pan zanat5
.

Një ndër detyrat e kryefamiljarit ishte blerja e armës për djalin, kur kishte mbushur moshën6. Me këtë rast e uronin: «e mbajsh me nder», «mos çosh marre tu shpija» etj. Morali i shoqërisë malësore kishte disa kërkesa të rrepta në lidhje me armën. Ajo nuk duhej përdorur kudo, veç aty ku linte nder e lavdi. Ishte turp t’i dorëzoheshe armikut pa i djegur të gjithë fishekët7. Në Dukagjin vrasësi mund të dënohej rëndë me djegien e banesës e konfiskimin e pasurisë për gjobë, por kurrë nuk vihej dorë mbi armët e tij, në qoftë se i ishin marrë gabimisht i ktheheshin8. Në rastin e Shaqir Grizhës nga Llapi i Kosovës, të cilin e rrethuan forcat e xhandarmërisë osmane për ta zënë, shihet shqetësimi i heroit jo aq për fatin e vet, sa për atë të pushkës9.

Murana e ngritur në vendin e rënies përjetësonte kujtimin e trimit. Shtegtari që kalonte andej hidhte një gur e në këtë mënyrë murana i qëndronte kohës dhe disa vende të tillë fiksoheshin në toponomastikë. Në Malësi të Madhe për trimat në za ndërtoheshin varre me blloqe gurësh, ku skaliteshin armët. Për atë që binte në luftë bëhej gjama e madhe e shpesh vajtimet ktheheshin në nxitje për gjakmarrje ose merrnin karakterin e një thirrjeje, një ftese për paqe, që pushonte gjakderdhja. Për të rënët në luftë buka e dekës shtrohej më e madhe10. Një ndër kërkesat për emrin që do t’i vihej fëmijës ishte se ky duhej të mbante emrin e një trimi të dëgjuar.


Disa rregulla, që kishin të bënin me sjelijen e detyrat e luftëtarëve.


Në të drejtën kanunore janë fiksuar norma të posaçme rreth qëndrimit, sjelljes e detyrave të luftëtarëve si në rastin e përpjekjeve të armatosura në mes malësorëve, ashtu edhe në fushatat luftarake ku merrte pjesë bajraku. Shumica e studiuesve të huaj kanë nxjerrë në pah krahas vlerës ushtarake edhe sjelljet e mira të luftëtarëve të bajrakut, me përjashtim të ndonjë autori antishqiptar11. Ishte e ndaluar rrep lësisht që trimi të përdorte jo vetëm armën, por edhe të bënte ndonjë dhunë ndaj grave, fëmijëve e meshkujve, që nuk ishin në gjendje të vetëmbroheshin. Në rastet kur dikush mbetej i rrethuar në kullë apo në mal, vetëm gruaja mund ta kalonte darën e pritës për t’i dërguar të rrethuarit bukë, ujë e fishekë. Hani shkruan se malazezët në luftërat kundër vendit tonë, e kishin bëre zakon, që gjatë ndeshjes t’i vinin gratë përpara pasi e dinin se malësorët nuk i cënojnë dhe vetë rrinin të shtrirë prapa12. Gratë malësore ndiqnin burrat e tyre në luftëra, të ngarkuara me kosha të mbushur me bukë, ushqime e sende të tjera të nevojshme. U jepnin të plagosurve ndihmën e parë e tërhiqnin të vrarët në brendi të vendit. Në brez mbanin të fshehur një hanxhar për ta përdorur në rast rreziku.
Kanuni dënonte si krim dhe i vinte vulën e çnjerëzimit atij që cënonte kufomën. Detyra e parë e vrasësit ishte që trupin e viktimës «ta sillte mbarë», ta shtrinte në shpinë. me fytyrë të drejtuar nga qielli, kurse arma i vendosej nën kokë. Kur largohej me ngut, njeriun e parë që takonte e porosiste të shkonte e ta rregullonte si duhej kufomën. Asnjë send i të vrarit nuk prekej. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit «dorërasi nuk guxon me marrë armën e të vramit, po bani këtë faqe të zezë, ai bjen në dy gjaqe»13. Kufoma nuk gjymtohej. Po të vërtetohej se i vrari ishte goditur me thikë pa arsye, vrasësi quhej dy herë fajtor, binte në dy gjaqe14.
Meritat e luftëtarit vlerësoheshin nga trofetë e fituara, flamuj dekorata etj15. Marrja e kokës së armikut ishte një zakon i lashtë, që në Perandorinë Osmane vazhdoi deri me Tanzimatin. Malësorët ndonëse vriteshin njëri me tjetrin, se paku nga shekulli XIX, nuk e praktikonin prerjen e kokës, përveçse me të huajt. Konsiderohej turp i madh kur koka e një luftëtari merrej nga armiku. Për të mos e lënë të vrarin në dorë të armikut, e hidhnin në humnera. Malësorët nuk trembeshin nga vdekja, por e kishin për turp, për çnderim, kur koka e tyre pritej nga jevgu i caktuar për ekzekutimin e të dënuarve16. Rroka17 ose dyluftimi që u praktikua gjerësisht deri nga mesi i shekullit XIX konsiderohej si një veprim trimërie e fisnikërie. Kur forcat kundërshtare rreshtoheshin përballë njëra-tjetrës, nxirrnin në dyluftim trimat më të shquar; secili prej tyre fillonte me lëvdata e vazhdonte me i kërcënime e fyrje. Sipas rregullave fituesi ia priste kokën të mundurit dhe e merrte me vete. Pas kësaj fillonte lufta. Ka tregime të shumta për rroka që i gjejmë të përshkruara aq gjallë në epikën popullore heroike legjendare. E paharruar ka mbetur deri në ditët tona në Malësi të Madhe e në Koovë rroka e bërë më 1879 në mes të këlmendasit Prelë Memë Ujka e një malaziu18. Edhe sot kujtohen në tregimet popullore «mejdanxhitë» e viteve 1878-1880 si Gjokë Syka i Shestanit, Pllumb Gjeka i Grudës etj. Hani shkruan se kur dikush donte të matej me dikë ngulte një furkë me lesh përpara shtëpisë së tij.
Ishte i njohur edhe dyluftimi kolektiv. Kur dy palë gjatë bisedës acaroheshin me fjalë, mjaftonte të thoshte njeri «e hekim» e të tjerët të përgjigjeshin «e hekim», secili zbrazte koburen në drejtim të kundërshtarit një herë të vetme. Pas kësaj ata që shpëtonin u shërbenin të plagosurve pa dallim. Në këtë rast gjak nuk kërkohej, «u vra kush u vra».
Gjatë zhvillimit të luftës luftëtarit të bajrakut i njihej e drejta të merrte ndore, në qoftë se i kërkohej. I marruri ndore mbetej një rob lufte si të tjerët, por e kishte të siguruar jetën «nuk mund ta çartë kush». Malazezët, që sulmonin viset shqiptare, e kishin mësuar fjalën ndore e sa herë ziheshin ngushtë e përdornin. Kryengritësve shkodranë më 1835 u shkoi në ndihmë edhe bajraku i Shalës. Vrasja e një ushtari turk, rob i shaljanëve, nga disa qytetarë të revoltuar, u konsiderua si «mik i premë në besë». Për këtë u qëlluan dy nga vrasësit. Kjo i hapi rrugën gjakmarrjes, që zgjati tre vjet dhe solli vdekjen e pesëmbëdhjetë vetave19.
Mbrojtjes së vendit i kushtonin rëndësi të dorës së parë. Shfrytëzonin më së miri pozicionet natyrore si maja, qafa, ujëra etj. Në Kelmend thoshin: «lufton vendi, s’lufton Kelmendi» (kelmendasit). Me t’u dhënë kushtrimi se po afrohej armiku sipas katundeve e lagjeve ziheshin shtigjet, në Shalë në Qafën e Boshit, të Astrës, të Pejës, të Dnellit, të Agrit, të Valbonës, Grykën e Shtegut, Kaprejn etj. Ndaj të huajve dhe atyre që nuk ishin banorë të bajrakut ruanin të fshehtat, si burime uji, shtigje të padukshme, vende strehimi, etj. Dënohej me leçitje «kur të shesë dikush katundin e vet me hjeksi e tradhëti»20. Forca ose forceja malësorët quanin disa maja, që natyra i kishte bërë të paarritshme nga armiku; atje mund të strehoheshin në rast rreziku për një kohë të gjatë njerëz e bagëti. «Forca e Kelmendit» gjendet në bjeshkën e Nikçit, ajo e Shkrelit në Lug të Hithit.
Secili mendonte edhe për mbrojtjen e familjes së vet. Zakonisht shtëpitë i ndërtonin në vende të larta; në mjaft bajrakë si banesë karakteristike qe kulla. Disa familje që jetonin pranë njëra-tjetrës, banesat e të cilave nuk kishin karakter mbrojtës, ndërtonin bashkërisht kullën e ngujimit, ndërtesë kjo që përdorej vetëm në raste luftërash e përpjekjesh të armatosura.
Luftëtarët gjatë sulmit kishin zakon të lëshonin britma për të nxitur njëri-tjetrin e për frikësuar armikun21.
Mbrojtjen e vendit malësorët e lidhnin me disa elemente mitologjikë. Sipas besimit popullor, vëllazëria, fisi, katundi e bajraku secili kishin orën e vet. Orët jetonin në bjeshkë, në maja të larta, në pyje të dendura e në shpella ku s’shkelte këmbë njeriu. Vendi i orës së Shalës ishte në Majën e Rrshellit, ajo e Nikajve rrinte në Majën e Kakisë.
Luftëtarët e bajrakut në fushatat ushtarake shkonin të veshur përgjithësisht me veshje cubash, me tirqe e xhamadanë të bëra me lesh të zi. Sipas një kronisti boshnjak, Karamahmut Bushatlliu kur hyri në Sarajevë më 1789, gjysmën e ushtrisë së tij e përbënin malësorët që dalloheshin nga tirqët.
Mbajtja e veshjes kombëtare ka pasur rëndësi të madhe për malësorët, ishte shenjë e luftëtarëve të lirë. Kur forcat e Lidhjes Shqiptare u rreshtuan për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, gazetari S. Gopçeviq, me anë të një letre i kërkoi komandantit Hodo Sokolit lejë që të vizitonte Tuzin. Më 7 korrik 1880 Hodo Sokoli në mes të tjerash i shkruante se «veshja e juaj do të bëjë skandal, Edhe unë kundër vullnetit tim jam shtrënguar të vishem si malësorët»22.
Mjaft të huaj kanë dhënë gjykime të mira për luftëtarët e trevës së bajrakut. Xhevdet Pasha në relacionin e vitit 1881 dërguar Stambollit shkruante se «këta janë popujt më trima e më luftarakë të Rumelisë dhe me të vërtetë janë të vlefshëm në kohë lufte. Sidomos kur është puna për mbrojtjen e vendit të tyre atëhere ata tregojnë se janë ushtarë të rangut më të lartë».

 

 

 

Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, Tiranë, 1991.

 



1)  Nuk jam shkjau prej Babinovcit,
    por jam nip i Ymer Popovcit,
    jam nip trimash prej Leskovcit
                          (Gjakovë)
(Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912), vëllimi III, Tiranë, 1962, f. 284).
2) Me u pre me tagana në Malësi të Madhe, Klliçoja e parë në Lumë, Kërçimi me shpatë në Malësi të Gjakovës dhe, Loja e Rugovës në Kosovë (N. Agolli, Vëzhgime rrëth valleve të karakterit luftarak, «Studime filologjike», 2, 1967, f. 61. K. Halimi, Vendi i lojës së Rugovës në vallet luftarake shqiptare, «Përparimi» (Prishtinë), 5, 1971, f. 427.
3)  «Ata që janë më trimat i çojnë në litar ose u presin kokën. Do të ishin turpi i brezave të ardhshëm, në qoftë se shkojnë drejtë vdekjes me kokën ulur e të mërzitur. Shqiptari ecën drejtë saj burrërisht. Ai këndon vetë në mes të rojeve dhe populli, që e rrethon, aty për aty I nxjerr këngën, e merr me vete për ta kënduar në gostat shqiptare»: (Shkruante nga Shkodra më 14 nëntor 1844 dr. Bellarini — Historiski Arkiv, Zadar —Presidjaini kat. X (Turska) 110/9 fotokopje në AIH).
4) Për zhvillimin etimologjik të fjalës burrë shih E. Çabej, Studime etimologjike në fushën e shqipes A-B, Tiranë, 1978.
5) Për vend tonë jem tuj luftuë, këngë popullore shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, përgatitur për botim nga P. Koçi, Tiranë, 1979, f. 136.
6) Në Malësi të Madhe i zoti i shtëpisë thoshte: «i ti djali ja kam borxh një pushkë e nji nuse se asht ba për ta». Pra më parë përmendej pushka e pastaj nusja.
7) Jam mirditas nuk bi ndore
kam pasë t’parin shpatë mizore,
amanet ai na ka lanë:
armët e mushme mos me i .dhanë
(Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f. 201.
8) L. Mjeda, f. 390.
9) A e sheh se u rrethove?
   A e sheh, hutë, se t'kanë rrethue, ty me t’marrë, mue me m’damtue?
   N'at depojë, ty kanë me t’çue,
   Kanë me t’çue ty n’at depojë,
   mos me t'marrë ty Shaqiri n dorë,
   ka me t’marrë ty ndoj manov,
   qet me ty po vret kaj sorrë,
   thotë: kam ba tash gajret boll.
10) Famulltari i Trieshit kishte shënuar në Libër baptisetorum et matrimonicrum missionis Triepsci, shpenzimet që u bënë nga Gjelosh Vuksan Marku për të vëllain, Prelën, i cili në gusht të vitit 1791 u vra ne afërsi të     Vidinit: 1 ka, 9 dhi, 5 okë tlynë, 6 okë kajmak, 9 okë venë, 6 okë raki, 20 koshiq miell, 30 okë djathë.
11) Ndër ata që kanë sajuar shpifje për të ulur vlerën luftarake e morale të malësorëve qe G. Gjurkoviq. Në kohën kur forcat shqiptare kishin shpartalluar ushtrinë malazeze në rrethet e Plavës e të Gucisë më 1879-1880, ai shkruante, se arti luftarak i shqiptarëve, gjoja «buron nga instinkti i të egrit», se ata nuk zënë rob askënd, nuk i heqin me vete armiqtë e plagosur dhe se çdo shesh lufte që zotërohej prej tyre, është një fushë kufomash në kuptimin e plotë të fjalës..., të vrarëve u shkëputen barbarisht nga trupi hunda, vëshët, koka dhe gjymtyrët (f. 136).
12) H. Hahn, f. 182.
13) Sh. Gjeçov, KLD, SS 847; shih edhe Sh. Gjeçov, shënime të Kanunit. të Lekë Dukagjinit (fragment), Arkivi i Bibliotekës të qvtetit, të Shkodrës, nr. inv.. 380) shih dhe E. Cozzi, vepër e cituar 44/2.
14) «Tërë kohën e qëndrimit tim të gjatë në Shqipëri nuk ndodhi asnjëherë, që të mundonin për sadizëm kafshën e vrarë ose edhe kundërshtarin e vrarë. Ndërsa në sllavët e jugut ndodhin të dyja (F. Nopça, Shqipëria... , f. 32).
15) Hot e Krajë, Shalë e Shosh,
    Postrriba me shkodranë,
    yryç bajnë në Tarabosh, marrin krena e nishanë.
(vargje të një kënge për kryengritjen antiosmane të vitit 1835 në qytetin e Shkodrës)
16) Marash Pali qafatrupi
    mos, o zot, me m’pre magjupi!
17) Fjala rrokë në kuptimin e saj fillestar tregonte mundje; Për dyluftim me armë malësorët përdornin rrokë me tagana dhe rrokë me pushkë.
18) Prelë Memë Ujka ishte nga bajraku i Vuklit, që së bashku me qindra malësorë kishte shkuar të luftonte në mbrojtje të Plavës e të Gucisë kundër malazezëvet. Kur një malazias u tregua i gatshëm për dyluftim, përpara Ali pashë Gucisë u paraqit Prelë Mema Ujka, burrë i shkurtër, me shpatulla të gjera e trim si zana për t’i kërkuar leje t’i përgjegjej armikut. Komandanti i forcave shqiptare iu drejtua malësorit: «Prelë Mema, ma paç faqen e bardhë, por m’duke se je i pakët e shkjau asht azgan. Duke parë këmbënguljen e Prelës, Ali Pasha e lejoi. Kur të dy luftëtaret u takuan, shkjau tha: A ti Prelë Mema don me u pre me mue? Unë s’e kam me kryqali, por me turq.  Njezet kam pre e ti ke me kenë i njizet e njiti. Apo ikë ti, apo t’iku unë? Prela i përgjigjet: «jam shqiptar e der më sot s’i kam ikë kuej». U larguan njeri nga tjetri nji shej pushke dhe Prela e vrau shkjaun e ia shkurtoi kryet, por tradhëtisht u gjuajt nga malazezët. Vdiq nga plaga e rëndë dhe u varros me nderime në Guci. (Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (635 - 1912) vëllimi III, Tiranë, ,1962, f. 321; Folklorëndër malët tona, Shkodër, 1940, f. 242-248.
19) H. Hecquard, f. 146.
20) Sh. Gjeçov, KLD, SS 1179, 1283.
21) Jam Rugoba t’tan në plisa, tan në plisa e n’tagana,
kur baj luftë, vikas si zana.
22) S. Gopcevic, vepër e cituar, f. 115.

 

Kahreman Ulqini


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...