Oshtima

Veprimtaria administrative në bajrak

Struktura e organizimit shoqëror në bajrak

Njësia bazë e organizimit shoqëror e administrativ ne bajrak ishte katundi, që ndahej në mëhallë1. Kv emërtim përdorej rrallë, më tepër nënkuptohej, dhe gjithnjë zëvendësohej me një karakterizim topografik (Ana e Poshtër, Qafa, Fusha, Nënrreth, Mollë) ose një patronim si emër vllazërie, që ishte bërë njëkohësisht toponim (Bibaj, Vuksanaj, Culaj, Gjeçaj).
Lagja udhëhiqej nga plaku, që interesohej për mbarëvajtien e punëve dhe shkonte në kuvendin e katundit e të bajrakut si përfaqësues i saj, kurse përpara autoriteteve qeveritare ishte dorëzani kryesor. Askush nuk mund të ankohej diku tjetër pa shkuar më parë te plaku. Kur ky nuk e zgjidhte dot çështjen i drejtohej kreut, i cili ndërhynte së bashku me pleqtë e katundit. Në disa bajrakë (Mirditë, Bajrakët e Ohrit, Malësi e Leshës) stërplaku2 ishte ndihmës e bashkëpunëtor i plakut, të cilin e zëvendësonte sa herë mungonte në kuvend e në veprimtari të dorës së dytë. Stërplaku dilte nga një fis ose vëllazëri tjetër. Në secilën nga të tria lagjet e katundit Gërman të bajrakut të Rranzës banonin nga dy fise. Pleqtë në lagjet Qafë, Hejs e Metre ishin nga fiset përkatëse Xhepmetaj, Briot e Metraj, kurse stërpleqtë nga fiset Malaj, Ruspaj (i Poshtër) dhe Sorraj. Në Malësi të Madhe, Rranxa, Mbishkodër, Postrribë, Shllak e Temal njiheshin me emrin gjobarë, numri i tyre në një lagje varej nga degëzimet e vëllazërive e barqeve. Në katundin Urë e Shtrejtë (Bajraku i Drishtit) në lagjen Sykaj (të fisit me të njëjtin emër) dilnin katër gjobarë sipas vëllazërive: Rametaj, Jahmetaj, Ndreaj e Hasmetaj dhe katër në lagjen Kurtaj nga fiset Kurtaj. Vulaj, Bibaj e Fikaj. Shtjefën Gjeçovi i paraqet gjobarët vetëm si ekzekutues të vendimeve të kuvendit, vjelës të gjobave, ndërsa stërpleqtë si përfaqësues të vegjëlisë3. Mendojmë se ky dallim që bën Gjeçovi ka rrjedh nga dy terma të ndryshëm. Në Lurë thivreshin çekiçë. Në Dukagjin e Pukë lagja kishte vetëm një plak
Kreu ishte i ngarkuar të drejtonte punët e katundit, të mbante qetësinë e rregullin, të zgjidhte ngatërresat e mosmarrëveshjet dhe me praninë e vet ligjësonte marrëdhënie të tilla si pajtim gjaqesh, shitblerje tokash, ndarje pasurie etj. Sipas rasteve që paraqiteshin tubonte pleqtë e gjobarët në kuvend ose edhe katundin burrë për shtëpi. Kush nuk e lejonte të hynin krerët e gjobarët në shtëpi me rastin e ndonjë kundërvajtjeje në Malësi të Shkodrës dënohej me pesëqind groshë gjobë e pesë deshë4. Kreu gëzonte të drejtën e prijës e kryet e vendit në çdo rast shoqëror e familjar në katund, por nuk përjashtohej nga asnjë detyrim në punët e përbashkëta, thirrjet për luftë etj. Mblidhte taksën që paguante popullsia dhe ia dorëzonte bajraktarit. Për faje të ndryshme plaku gjykohej nga pleqtë e stërpleqtë e katundit. Në rast se kundërshtonte kërkohej ndihma e bajraktarit dhe e krerëve të tjerë të bajrakut5. Pleqtë përgjigjeshin për veprimet e tyre edhe përpara autoriteteve qeveritare, sa herë që ftoheshin nga valiu ose senxherdja duhej të paraqiteshin, përndryshe gjobiteshin me nga dyqind e pesëdhjetë groshë e tre deshë6.
Dy katunde të të njëjtit bajrak mund të bënin marrëveshje njëri me tjetrin për çështje të veçanta si p.sh. kullota, ujëra, etj. por pa cënuar, rregullat e përgjithshme, që respektoheshin nga bajraku. Një marrëveshje e bërë me shkrim në mes të Mnelës e të Vigut të bajrakut të Spaçit mban datën 18737. Ishte në kompetencën e kreut, por duhej marrë edhe pëlqimi i pleqve për të pranuar të huaj përkohësisht si tregtarë, klerikë, mullisë, nip bije i mbetur jetim, që merrej për t’u rritur. Autoritetet e katundit kishin detyrë të mbronin cilindo, që kërcënohej nga jashtë, me përjashtim të simahorit (hjeksit) e të besëthyerit.
Secili katund duhej të respektonte të gjitha detyrimet e lidhjet me bajrakun dhe për asnjë arsye nuk mund të shkëputej nga ai, të qëndronte më vete apo të bashkohej me një tjetër. Katundin e pabindur (katund i dalun dore» Mirditë, «Katund përseri» — Dukagjin) e nënshtronte me anën e forcës i tërë bajraku8. Në Malësi të Madhe kjo bëhej kur një lagje ose katund pengonte «ixhranë», d.m.th. zbatimin e ndëshkimit, që jepej me rastin e vrasjeve9. Bajraku ndërhynte kur përçarjet e armiqësitë në një katund ishin kthyer në përleshje të armatosur10.
Në krye të bajrakut emërohej bajraktari, i cili dallohej në mes të krerëve për pozitën e tij ekonomike, shoqërore, dhe për besimin, që gëzonte te autoritetet qeveritare. Ai që e trashëgonte detyrën, shkonte e paraqitej përpara sundimtarit të sanxhakut apo të vilajetit i shoqëruar nga krerët e pleqtë më në zë, për të treguar besimin e miratimin e popullit. Me këtë rast zhvillohej një farë ceremonie e shkurtër. Qeveritari në fjalën e tij kërkonte prej të posaemëruarit të ishte besnik e i bindur ndaj urdhrave të sulltanit. I vinte një nishan11 në parzëm dhe i jepte peshqeshe, zakonisht një çift koburesh12.
Bajraktari si i ngarkuar me detyra administrative, ushtarake e gjyqësore, përgjigjej për ruajtjen e rendit, mbledhjen e taksës e dërgimin e luftëtarëve atje ku kërkoheshin, Ndërmjetësonte e zgjidhte grindje e mosmarrëveshje, drejtonte veprimtarinë pajtuese, kryesisht të gjaqeve dhe zbatimin e vendimeve të kuvendeve. Vetëm ai kishte të drejtën e dhënies së kushtrimit, jo vetëm në raste mobilizimi, por edhe kur bajrakun e kërcënonte diçka nga jashtë ose nga brenda.
Kujdes i kushtohej ruajtjes së rrugëve kryesore, që lidhnin krahina e qytete. Secili bajrak kishte detyrë të mbikëqyrte atë pjesë të drumit apo të rrugës së bajrakëve që kalonte nëpër territorin e tij13. Bajraktari interesohej e ndërhynte për çështje të përgjithshme ose të veçanta lidhur me bajrakët fqinjë, si vrasje, kufij, kullota etj. Deliktet kryesore në dëm të banorëve të bajrakëve të tjerë nuk dënoheshin, veçse kur në mes tyre ishte vendosur besa14. Më 1861 në kuvendin e Shalës u hartua marrëveshja me shkrim në mes të bajrakëve Nikaj, Mërtur, Shalë e Shosh. Studiuesit njohin atë të vitit 1890, të Shalës e Nikajve për sigurimin e rrugës, të barinjve, prashitësve, korrësve, atyre që nxirrnin dërrasa në pyll, gjuetarëve e kundër grabitjes së grave, që u përsërit edhe më 189415. Emërtimi i kësaj marrëveshje si besa e gjasë dhe e çobanit është mjaft i kufizuar dhe tek disa studiues ka pasur keqkuptime. Përmbajtja e saj pasqyron veprimtarinë kryesore ekonomike të atyre bajrakëve.
Në rrethana të acaruara zhvillohen kuvende të armatosura. Në kufirin në mes të bajrakëve takoheshin bajraktarë e krerë për të diskutuar mosmarrëveshjet, ndërsa luftëtarët e secilës anë qëndronin larg aq sa «merrte pushka» të gatshëm për t’u përleshur. Për raste të tilla Shala zhvillonte kuvende me bajrakët fqinjë, te Podi i Bajraktarit me Nikaj, te Rrethi i Qershisë me Nikç e në Qafë të Thanës me Bogë.
Pranë autoriteteve qeveritare bajraktari interesohej, ndërmjetësonte e hynte dorëzanë për banorët e bajrakut. Për faje administrative16, e politike17 dënohej me gjobitje, internim e burgim. Në luftërat, që bëheshin në mes të feudalëve të mëdhenj për të shtënë në dorë pushtetin lokal, përfshiheshin edhe bajraktarët. Mundja e njërës palë sillte humbjen e detyrës të bajraktarëve përkrahës. Nga gojëdhëna popullore marrim vesh se me ardhjen në sundim të Bushatllinjve, u shkarkua nga detyra bajraktari i Shalës, që i përkiste vëllazërisë Mekshaj në katundin Nënmavriq, si përkrahës i Begollajve dhe u zëvendësua me një nga vëllazëria e Pec Pecit në katundin Pecaj. Një rast tjetër është ai i bajraktarit të Rrjollit nga lagjja Kokaj, që u bashkua me familjen feudale të Dervishajve të Shkodrës për të rrëzuar Mustafa pashë Bushatin nga pushteti. Meqë dështuan, detyra e bajraktarit i kaloi një shtëpie në lagjen Kurtaj.
Bajraktari nuk mund t’i shpëtonte gjakmarrjes dhe vrasja e tij për çështje vetjake trajtohej njësoj si të tjerat. Më 1904 u vra bajraktari i Spaçit për gjak. Kur goditej gjatë zhvillimit të veprimtarisë si bajraktar, vrasësi ndëshkohej rëndë, kurse po të ishte nga një bajrak tjetër për të duhet të hakmerrej cilido, pavarësisht se cilit fis a vëllazërie i përkiste. Në fillim të shekullit XX njëri nga katundi Mzi mori gjakun e bajraktarit të Iballës. Në ceremoni të ndryshme, në festa e në vizita brenda bajrakut, bajraktari zinte kryet e vendit; në sofër, përkiste kryet e berrit, i jepej raki e kase me gotë e filxhan të veçantë dhe kudo që ndodhej u printe të tjerëve pavarësisht nga mosha18. Autoriteti i tij vinte jo vetëm nga pozita zyrtare, por edhe nga gjendja ekonomike dhe aftësitë vetjake si udhëheqës. Në ndonjë krahinë ai gëzonte ndonjë privilegj. Kështu në Malësi të Gjakovës i takonte një radhë ujë më tepër për vaditjen e tokës19. Përgjithësisht bajraktarët nuk merreshin me punë të përditshme bujqësore e blegtorale. Në veshje dalloheshin nga burrat e bajrakut e më të pasurit mbanin festanuz, xhamadan me ar, anteri qytetarësh të pasur, tirq cohe etj.
Bajraktari, krerët e pleqtë nuk mund të merrnin asnjë masë administrative individuale ndaj kujtdo qoftë, pa u vendosur më parë në kuvend; zbatimi i dënimeve kishte karakter kolektiv, bëhej në praninë e të gjithë krerëve e pleqve. Bajraktarët dhe krerët paguheshin nga administrata shtetërore, pagesë e cila më tepër se rrogë kishte natyrën e një shpërblimi periodik me një sasi të caktuar drithi. Nga e dhjeta e mbledhur në Zadrimë merreshin njëqind barrë misër në vit për të paguar parinë e Mirditës, tridhjetë barrë misër i jepeshin Kapidanit, nga katër e gjysmë pesë krerëve të mëdhenj, pesë bajraktarëve dhe nga një bar rë secilit nga të njëzet e pesë krerët. Në fillim të shekullit XX bajraktarët e krerët, që ftoheshin nga autoritetet qëvëritarë në qendër të sanxhakut apo të vilajetit merrnin dietë nga dhjetë groshë në ditë. Këtyre u paguheshin edhe shpenzimet për ushqimin e strehimin e kuajve në hanë20, Nga një informacion i konsullatës austro-hungareze në Shkodër, dërguar Ministrisë të Punëve të Jashtme në Vjenë më 1880 marrim vesh se më përpara dieta kishte qenë më e madhe, 25 groshë në ditë.
Bajraktarët e krerët me rëndësi, kur shkonin në kuvende ose tek autoritetet qeveritare merrnin një djalë mbas vedi, të zgjedhur nga më të afërmit në fis, si rojë vetjake dhe për ta mësuar në punët e katundit e të bajrakut. Në ndonjë rast ky dërgohej si veqil (përfaqësues) në takime që nuk kishin rëndësi të madhe. Edhe në rast se nuk fliste asnjë fjalë, ishte njësoj sikur aty të gjendej bajraktari apo kreu pas të cilit shkonte. Të tërë këta djem së bashku thirreshin djelm mbas krenësh ose djelmnia e bajrakut, dhe nuk duhen ngatërruar me Djelmninë (e Shalës), organizatën e vegjëlisë në bajrak. Djelmët mbas krerësh, që shoqëronin bajraktarët e krerët e ftuar në qendër të vilajetit merrnin shpenzimet e udhëtimit. Sipas Kanunit të Skënderbeut e të atij të Lekë Dukagjinit «dy hae bukë» kishte detyrë të jepte secila shtëpi në bajrak për djelmt mbas krerësh dhe diçka e vogël nga gjobat e vjela.
Autoritetet e bajrakut njiheshin me emrin të parë apo pari (parsi) e ndaheshin në pari e madhe (bairaktari, plaku i madh, kamba e fisit e kreu) dhe në krenzit (Pukë) apo pari i vogël (plaku e stërplaku).
Veprimtaria administrative në bajrak mbështetej kryesisht në kuvendet. Lagjja mblidhej burrë për shtëpi nën drejtimin e plakut. Për të ftuar pjesëmarrësit në kuvend nuk dërgohej lajmëtar, por ata viheshin në dijeni tue i lshue za njeni tjetrit». Rëndësi të veçantë merrte ky bashkim. kur plaku i ftuar në kuvendin e katundit ose në atë të bajrakut do të përcaktonte më parë qëndrimin në lidhje me një çështje.
Kuvendet e zakonshëm të katundit e të bajrakut bëheshin dy herë në vit, në pranverë para Shëngjergjit dhe në vjeshtë pas Shmitrit. Në kalendarin e vjetër të malësorit këto dy festa shënonin kufijtë e dy stinëve. Me Shëngjergjin fillonte viti i ri, lidheshin kontrata të ndryshme, nisnin punët bujqësore e përgatitej bagëtia për shtegtim veror. Në kuvendin e pranverës përsëriteshin rregullat e mëparshme dhe po të ishte nevoja bëhej ndonjë ndryshim ose shtesë e vogël, kurse në atë të vjeshtës shqyrtoheshin rastet e kundërvajtjeve dhe viheshin gjobat21. Për të papritura, që trondisnin jetën politike e shoqërore të bajrakut zhvilloheshin kuvende të jashtëzakonshëm. Kur kishte kohë, lajmërimi bëhej me lajmëtar, përndryshe me kushtrim.
Duke u nisur nga pjesëmarrja njihen dy lloj kuvendesh. Në kuvendin e të parëve merrnin pjesë vetëm pleqtë, stërpleqtë, krerët, bajraktari e rrallëherë ndonjë i ftuar njeri në zë. Populli rrinte larg, i veçuar nga paria. Me të përfunduar kuvendin, bajraktari shpallte vendimet dhe sipas zakonit i miratonin duke thënë, të lumtë goja. Në rrethana të veçanta, kur kërkohej një gjykim e një qëndrim i vetëm tubohej bashkërisht pari e popull në kuvendin e dheut.
Pjesëmarrja ishte e detyrueshme22, mungesa pa arsye dënohej me gjobë, në Malësinë e Shkodrës në kohën e Hanit dy deri në katër qese23, kurse në fund të shekullit XIX dyqind e pesëdhetë groshë24. Nga ky dënim nuk përjashtohej as paria25. Në kuvendin e dheut merrnin pjesë edhe ato shtëpi, që gjendeshin të ngujueme, të mbyllura për t’i shpëtuar gjakmarrjes. Me këtë rast viheshin në besën e kuvendit e askush brenda bajrakut nuk guxonte t’i cënonte. Kjo besë zgjaste diell më diell (gjatë tërë ditës). Kuvendet fillonin punën paradreke dhe në qoftë se nuk kishin përfunduar deri me katër sahat ditë26, rifillonin të nesërmen. Asnjë i huaj me qëndrim të përkohshëm në bajrak nuk lejohej të merrte pjesë në kuvend, veçse në rastet kur ftohej për të dëshmuar diçka, që kishte të bënte me çështjen.
Në kuvendin e dheut nuk kishte votë vetjake. Çdo katund, lagje, fis apo vëllazëri nëpërmjet të të parit të vet jepte pëlqimin ose jo: «i rri», «s’i rri këtij kuvendi». Nuk kishte rëndësi sasia e votave, shumica e pakica. Mjaftonte që një vëllazëri të kundërshtonte ose të mungonte e vendimi nuk merrej.
Në kuvendin e të parëve pjesëmarrësit zinin vend «simbas prijet e tagrit»27, në krye bajraktari, në dy krahët e tij krerët me pleq sipas radhës së caktuar, që kishte katundi në rreshtim. Edhe në kuvendin e dheut ruhej kjo skemë, por bëhej më e zgjeruar, merrte formën e një figure të lakuar, si kulari, që vihej në qafën e kaut. Pjesëmarrësit e thjeshtë rreshtoheshin prapa pleqve të lagjeve përkatëse.
Kreu hapte kuvendin e katundit, bajraktari atë të bajrakut, duke treguar qëllimin. Gjatë tubimit kishte rregulla të rrepta, që lidheshin me mbarëvajtjen e punimeve dhe evitimin e përleshjeve të armatosura. Pushkët i linin jashtë rrethit të kuvendit të bëra kapë e po të ndodheshin brenda ia dorëzonin të zotit të shtëpisë. Armët e brezit i mbanin të mbuluara me shami si shenjë e mosqenies së tyre28.
Kuvendet përveç veprimtarisë ligjvënëse dhe asaj gjyqësore (pleqnore) merreshin edhe me çështje administrative. Sipas zakonit të vjetër pjesëmarrësit betoheshin se do t’i respektonin vendimet, duke marrë një gur dhe duke e kaluar me radhë dorë më dorë, nga bajraktari deri në fund. Mbas këtij veprimi gurit i jepej krah për të treguar se si humbi ai gur, do ta pësonte kush do që prishte besën. Në disa bajrakë vepronin edhe kështu: në kuvend, përpara krerëve gjendej rrasa e besë. Të gjithë shtrinin duart mbi të duke e konsideruar si betim.
Dokumentet e shumta, që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe disa të botuara hedhin poshtë mendimin e shprehur nga ndonjë autor se gjoja vendimet nuk kanë qenë shkruar kurrë. Në trevën e bajrakut, ku zotëronte tërësisht analfabetizmi, si sekretarë mund të shërbenin klerikë, bylykbashë etj. Zakonisht pas përfundimit të kuvendit bajraktari dhe krerët shkonin në qytet, siç vepronin edhe në raste të tjera, dhe atje gjenin miq e të njohur, të cilëve u diktonin me radhë vendimet e marra29. Vendimet i gjejmë të shkruara në shqip, italisht ose turqisht. Në fund të tekstit paria vinte vulat ose gishtat, shpeshherë të shoqëruara edhe me emrat e tyre. Një kopje e vendimit i dërgohej për dijeni bylykbashit të malit, serxherdesë, në ndonjë rast edhe valiut30.
Për kundërvajtje jepnin dënim me gjobitje e cila i përkiste kryesisht bajraktarit, krerëve e pleqve. Në Malësi të Madhe bylykbashi e bajraktari merrnin secili sa tre krerë e gjobarët më pak se këta. Në Dukagjin gjoba ndahej njësoj ndërmjet krerëve e gjobarëve, bylykbashit i takonte vetëm një dash. Gjoba paguhej me të holla ose me bagëti, që çmoheshin nga pleqtë. Kur fajtori nuk kishte të paguante, merrte borxh duke lënë peng tokën ose duke shtënë dorëzanë. Kur krenët e gjobarët nuk arrinin të nxirrnin gjobat, në Dukagjin, ndihmoheshin nga i tërë bajraku. E. Koci më 1904 pa në sheshin përpara kishës së Xhajt kufomën e njërit që kishte kundërshtuar me armë pagimin e gjobës bajrakut.
Në Malësi të Madhe atë që nuk dëgjonte të paguante gjobën e padisnin te bylykbashi i malit përkatës, i cili, nëpërmjet të zaptijeve, përpiqej ta arrestonte e kur nuk arrinte, kapte ndonjë nga vëllazëria e tij kur zbriste në tregun e Shkodrës31. Kanuni i vendosur në Kastrat më 1894 caktonte si masë dënimi deri ne pesëqind groshë e pesë deshë për ata që pengonin gjobarët të vilnin gjobat. Për faje, si cenimi i pronës së përbashkët ose shkelja e disa rregullave jo aq të rëndësishme, jepej dënimi me prerjen e një bagëtie, që ndahej në aq pjesë sa shtëpi kishte katundi ose aq barqe sa bëhej bajraku.
Ndonëse lajmtari nuk bënte pjesë në pari, njihej roli i tij i veçantë. Ishte zakonisht një i ri me mend e me kambë, në shërbim të katundit ose të bajrakut, që çonte e merrte urdhra, lajme, ftesa, etj. dhe nuk ngarkohej me përgjegjësi në lidhje me tërë këto. Atë nuk mund ta pengonte kush në rrugë apo ta vriste, me përjashtim të rastit kur dikujt i kishte borxh gjakun. Në disa     bajrakë të Lumës, Iballe e Qerret ata kryenin detyrën e    plakut dhe për     këtë shpërbleheshin me nga tri okë misër për shtëpi. Siç e ka konstatuar Hani, lajmëtarët ishin të varfër dhe për punën që kryenin përjashtoheshin si individë nga shërbimi ushtarak e nga punët e përbashkëta të katundit e të bajrakut. Atyre u krijonin ndonjë lehtësi si p.sh. të bluanin në mulli e t’u punoheshin veglat bujqësore te farkëtari jashtë radhe, kurse radhën e vaditjes e rregullonin vetë me dëshirën e radhatarit. Gjeçovi bën dallim në mes të fjalës kasnec, që përdorej në disa bajrakë të Malësisë së Shkodrës, me lajmëtar33, ndërsa në të vërtetë ata kryenin të njëjtin funksion.


* * *


Në veprimtarinë administrative të bajrakut, rëndësi të posaçme kishin dorëzania, ndoreja e pengu.
Dorëzania u praktikua gjerësisht në marrëdhëniet private, veprimtarinë administrative e gjyqësore34 si brenda bajrakut ashtu edhe jashtë tij. Ajo më parë kërkohej e pastaj pranohej ose jo. Në Kosovë me rastin e lidhjes së kontratave përdorej një dorëzani e veçantë, pa qenë në dijeni dorëzanësi aty për aty që quhej fluturim dorëzani. Në Dukagjin kësaj i thoshin me shti qefil për së kundrejt35. Personaliteti i dorëzanësit ushtronte ndikim të madh në mes të palëve. Atij duhej t’i punonte fjala, kuleta e pushka. Shpeshherë vendimet e kuvendeve shoqëroheshin me vënien e dorëzanëve, që do të garantonin zbatimin e tyre. Këto thirreshin Dorëzanët e fisit ose dorëzanët e usullit. Në bajrakun e Shipshanit ishin 12, në Bytyç, 11. Nga fundi i shekullit XVIII kisha katolike nisi të kërkonte në disa famulli dorëzanë për famullitarët e misionarët për të mos i cënuar kush gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre fetare36.
Në disa raste dorëzania ishte reciproke. të dy palët njëkohësisht venim dorëzanë, me u dorëzanue. Kur shkelej dorëzania merreshin masa administrative e shoqërore ndaj atij që i shmangej detyrimit37 dhe dorëzanësi gëzonte përkrahjen e bajrakut, merreshin masa.
Sipas Kanunit të Xhibalit të dyshimtët duhet t’u linin autoriteteve qeveritare dorëzanë. Në qoftë se ata nuk i përgjigjeshin thirrjes për t’u paraqitur dorëzanët mbaheshin të burgosur derisa të kërkuarit të kapeshin ose të dorëzoheshin vetë38.
Për të larguar çdo dyshim të krerëve, sundimtari kur i thërriste në qytet. së bashku me lajmin dërgonte edhe emrat e dorëzanëve, që i merrnin në besë39.
Sigurimi i jetës e qarkullimi i lirë i atyre, që ndiqeshin për gjak, bëhej me i ra ndore dikujt. Shpeshherë ndoreja realizohej edhe pa praninë e të zotit të ndores. Mjaftonte që dikush të deklaronte: jam ndore të N.N., apo jam duke shkuar në shtëpinë e N.N. Ndorja në asnjë rrethanë nuk refuzohej. Në Shalë thonin: besën (dorëzaninë) e kërkon vetë. ndorja te xen derën40. Mikun, cilido qoftë ai, mund ta shoqëronte edhe një fëmijë, një grua, e cila ecte gjatë rrugës përpara tij (në raste të tjera vetëm burri printe) Ndorja, në pamundësi ta përcillte kush, vinte mbi sup një degëz druri. Edhe shqiptimi i një fjale të vetme, i një emri sillte detyrime. Në fillim të shekullit tonë cuba nga Kthella u turrën të grabisnin disa udhëtarë që po hipnin në një trap në Vaun e Matit, në rrugën Shkodër-Tiranë. Ndonëse ata ishin maskuar mirë, kishin mbështjellë kokën e fytyrën me shall, një grua njohu në zë shërbëtorin e saj të dikurshëm e bërtiti: «Llesh, more!» Kaq u desh, që kryecubi t’i urdhëronte shokët t’i kthenin plaçkat e marra. Forca e ndores duket edhe në një rast të tillë kur vrasësi i ndjekur, pa ditur gjë u fut në shtëpinë e viktimës. Nëna mbasi mori vesh fatkeqësinë e vet, nuk dëgioi t’ia dorëzonte hakmarrjes ndoren dhe me burra besnikë e përcolli jashtë rrezikut. Cubin, që ishte ndoreja, e një bajraku apo e një krahine, forcat qeveritare nuk mund ta kapnin, sepse kjo shkaktonte kundërshtim të armatosur41.
Kur në mes të palëve kishte mosbesim për shkak të marrëdhënieve armiqësore, praktikohej pengu si mjet sigurie. Përveç pengjeve gjyqësore, njihen edhe ato administrative, që sipas të drejtës kanunore janë disa llojesh. Në pengun e ndrruem të dyja palët në marrëveshje me njëra tjetrën shkëmbenin pengje të gjallë (njerëz) siç ndodhte në marrëdhëniet në mes të malësorëve e të feudalëve.
Pengu i razisë ishte i njëanshëm, zbatohej kur pushteti qeveritar mbante një ose më shumë veta nga bajrakët për të siguruar zbatimin e një urdhri, të një marrëveshjeje etj. Në 181042 kapidani i Mirditës, Preng Lleshi, si garanci e besnikërisë së tij ndaj Ali Pashë Tepelenës në Janinë la peng të birin.
Kur malësorët kapnin një zyrtar dhe e mbanin, siç vepruan mirditorët më 1876 me Zenel beg Tivarin, thirrej peng i nxjerrë. Lëshimi i tij u kushtëzua me lirimin e disa të burgosurve.
Autoritetet qeveritare në pamundësi të kapnin fajtorët në bajrakë, gjenin rast në ditë tregu ose kur vinin krerët për punë në qytet dhe arrestonin ndonjërin prej tyre. Ky ishte pengu i kapun apo pengu i ndalun.

 

 


 



1)  Kjo fjalë ka hyrë herët nga osmanishtja, duke zëvendësuar shqipen lagje. Në trevën e bajrakut ka mbetur si kuptim i ngurosur në toponomastikë, Lagje në Orosh, në Vrith të Shkrelit (këtu banorët thirren lanjanë) e në Toplanë. Në lidhje me etimologjinë e fjalës shih: E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1976, f. 305.
2)  Në të folmet e Gegërisë qendrore dëgjohen trajtat stërplak dhe straplak. Për këtë fjalë shih: E. Çabej, vepër e cituar III, f. 178-179.
3)  Sh. Gjeçov K.L.D.; §§ 1168-1175.
4)  Ë. Cozzi, 48/24.
5)  Sh. Gjeçov KLD, §§ 1010-1011.
6)  E. Cozzi, 48/13.
«Baraktarët, krenët dhe gjobarët, që shpërdorojnë detyrën e tyre dënohen me gjyq» (Kanuni i Xhibalit, parag. 21, «Iskodra vilajeti salnamai, Iskodra 1310 (1894).
7)  Sh. Gjeçov, KLD, f. 118.
8)  «Po ndodhi se duel mendesh një katund marë me gjithë pleq e vegjli, athere ngrehen krenët e flamurit me pleq e stërpleq vllaznish e fisesh e me gjith vegjli edhe e bijen në mënd katundin e dalun dore» (Sh. Gjeçov, KLD, §§ 1005).
«Po u çue një katund për me u ngrefë luftë krenvet, pleqvet, stërpieqvet e vegjëlisë së flamurit, nën të cilin gjindet, atbotë do të bahet me dije Dera e Gjomarkut, në za të së cilës do të çohen edhe flamurët tjerë e nën prije të kësaj dere, do të mësyhet katundi i dalun dore, edhe e bjen në mend me ndëshkime gjobësh, me të nxjerrë prej katundit, a edhe me të grime katundisht, në pastë ba kush ndo’i faj për të grimun» (Sh. Gjeçov, KLD, §§ 1006). Më 1865 Bibë Doda kishte ndërmarrë një fushatë për t.ë nënshtruar kundërshtarë në bajrakët e Spaçit e të Kushnenit (M. Da Civezza, Operazione de frati minori 1, 1866, f. 87-89).
9)  Kanuni i Malcis, «Albania», vëllimi A, 9, 1898, f. 152.
10) Në njërën lagje në katundin Rajë të Merturit, që përbëhej nga tridhjetë shtepi, më 1904, ishte marrë një vendim sipas të cilit dy dyqanxhinjtë duhet ta shisnin miellin ose misrin sipas çmimit të caktuar në kuvend. Njëri nga ata nuk e respektoi vendimin dhe për këtë duhej bojkotuar. Tri shtëpi dolën kundër zbatimit të marrëveshjes, duke pretenduar se, kur u mor vendimi ata nuk qenë të pranishëm në kuvend. U kërkua që të gjobiteshin, por ata nuk u bindën. U ngrit katundi dhe i sulmoi për t’u djegur shtëpitë, por ndeshin në qëndresë te armatosur gjatë tërë natës. Të nesërmen si u dha kushtrimi në Mertur, u mblodhën krerët e bajrakut e vunë paqe (Lettere edificanti aelle provincia veneta), Serie XV, Venezia 1905, f. 68.
11) Medalje. Ata krerë që e mbanin thirreshin nishanli në Malësi të Shkodrës.
12) Me rastin e ardhjes së valiut të ri, Abdullah Pashës në Shkodër, u ftuan ne qytet në mes të krerëve të maleve edhe ata të Kastratit së bashku me djalin e bajraktarit të internuar. Pashai gjatë ceremonisë gjeti rastin, që t ia dorëzojë atij armët e të jatit dhe dekretin e trashëgimit të detyrës së bajraktarit (Raport, i dërguar M.P. të Jashtme në Vjenë, shkresë nr. 53/rez. fotokopje në AIH).
13) Në fillim të shekullit XIX disa gucias po rrugëtonin drejt tregut të Shkodrës me një tufë bagëtish. Kaluan natën në katundin Zagorë të bajrakut të Shkrelit. Në mëngjez panë që u mungonte një mëshqerrë dhe shkuan e u ankuan te bajraktari i Shkrelit: «jemi pre në tanen». Mbas njëzet e katër orësh u gjet vjedhësi, që u detyrua t’u paguante të zotëve vlerën e mëshqerrës dhe gjobën e bajrakut sepse kishte pre rrugën e madhe.
14) M. E. Durham qe e pranishme në një kuvend të madh që u bë përpara kishës së Shoshit. Kuvendonin rreth vrasjes së një fëmije në Xhaj nga një shoshjan. Për këtë vrasje të paburrni të gjithë ishin të indinjuar aq sa gjaksori nuk kishte guxuar të qëndronte në bajrakun e vet. Shumë veta në tubim u shprehën për djegien e shtëpisë së vrasësit. Mirëpo vështirësia e zbatimit të një mase të tillë qëndronte në prishjen e rregullit, sepse nuk i dënonte bajraku krimet e kryera jashtë vendit kundrejt personit të një bajraku tjetër. Sipas kanunit detyra e gjakmarrjes i binte shtëpisë së djalit të vrarë. Kuvendi bëri një lëshim, në qoftë se shkonte fisi i viktimës t’i digjte shtëpinë vrasësit, Shoshi nuk do të ndërhynte (High Albania, f. 153-154).
15)  Dokumenti i botuar në Albania, vëll. II, Roma, 1933, na duket më afër origjinalit se ai i vënë në fund të përmbledhjes së Sh. Gjeçov, KLD, 1. 119-120. Shih edhe AQH, Fondi 132, dosja 4.
16) Më 1879 u burgosën bajraktari e pleqtë e Toplanës për vrasjet që kishin ndodhur atje. Më 1897 Ndrecë Kola, Bajraktari i Oroshit, pse nuk i ishte bindur urdhrit të kapidan Kolës u dërgua i lidhur e i shoqëruar nga njëzet e dy zaptije në burgun e Shkodrës.
17) Më 1881 u internua në Adana bajraktari i Ostrazubit si veprimtar i Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit, dhe më 1883 Smjal Martini, bajraktar i parë i Grudës për pjesëmarrje në kryengritje.
18) Çka ka thënë Marash Pali?
Le t’kuvesin bajraktari,
Për të gjith derë po hin ma i pari
19) Sh. Gjeçov. KLD, f. 103
20) Në një dëftesë (shkruar turqisht, pa datë) janë shënuar shpenzimet e bëra në hanin e Mark Vukës për krerët e Hotit (487, 10 groshë, të Grudës (371 groshë) të Kastratit (381 groshë), si dhe shpenzimet e qëndrimit dy ditë e dy netë nga një njeri për mal (15, 10 groshë) Shuma e shpenzimeve arrinte në 1394 groshë (H. Bushati, Toponomastika e Shkodrës, Arkivi i Muzeut Popullor Shkodër, f. 466).
21) «Bajraktarët dhe vojvodët kuvendojnë e ndajnë me shoqi-shojnë gjithsa shka asht për t’u thanë popullit. Gjobarët gjithsejcili për vllazni të vet diftojnë kush e kush ka ra në gjobë, e për mos me harrue, njeni ndër kta i ban rabush. Bajraktarët e vojvodët, t’maruemen kuvendi ndër vedi, thrrasin pleqt e gjobart e bahen bashkë, gjithsecili difton mendimet e veta e kush e kush ka ra në gjobë. Atëherë i thrrasin nji ka nji t’gjobitunit e iu diftojnë pse i kanë gjobitë e sa bagti e pare do t’u apin».
«I gjobituni athere mundohet, për sa mundet, me qëndrue për mos me pague gjobën, por kur t’jenë krent e fortë i duhet domosdo me pague. E për në kjoftë se i gjobituni asht i vorfën do t’i paguej për te kushrinija e vet, e cila mandej kthehet e i merr ndoi tokë, në e pastë, jose do ta presin deri sa të mkamet pak».
«Kur i gjobituni nuk gjindet aty n’kohë qi do t’i vehet gjoba, i çojnë fjalë me ardhë» (Sundimi i Maleve të Mbishkodrës, «Albania» 4 1901, f. 53).
22)  Ky kuvend kërkonte pjesëmarrjen e të zotit të shtëpisë. Vetëm në kuvendin e mëhallës mund të dërgohej një mashkull tjetër, për më tepër, ftohej edhe gruaja e ve, zonja e shtëpisë, për të dëgjuar, Kur çështja, që bisedohej kishte lidhje të drejtpërdrejtë me shtëpinë e saj. Ajo rrinte në fund, larg burrave, me kokën ulur, me shaminë e zbritur deri në vetulla e me duart e lidhura njërën mbi tjetrën tek gjunjët. Në emër të saj fliste më i afërmi i shtëpisë.
23) J. Hahn,  f. 175.
24) Sh. Gjeçov, KLD, f. 126.
25) Tregojnë se Shkreli ishte mbledhur në kuvend, por bajraktari mungonte. U mor vesh se rrugës ishte ndalur në një shtëpi i ftuar për të pirë kafe. Kur u paraqit me shumë vonesë në kuvend njeri nga krerët iu drejtua: «bajraktar, kuvendi e bani gjyqin, ta ka pre nji dash». Bajraktari u detyrue t i nënshtrohej vendimit.
26) Kjo gjykohej si kohë e mjaftueshme, që secili të kthehej në shtëpi të vet pa perënduar dielli se «nata s’ka besë», «shkon gjak hup».
27)  Sh. Gjeçov, KLD, SS 1117.
28) «Në kuvend, sa të flasë njeni, tjetri do ta ndigjojnë e të heshtin».
«Fjala e randë nuk bahet në kuvend».
«Kanuja s’ban qi të shahet kush në kuvend, po bani kush ket punë do të gjobitet mje në 5 deshë».
«Po i tha kush kuej, se rrenë në kuvend, do të gjobitet në 500 grosh».
«Po ia shkrepi kush kuej armën në kuvend, shpija i digjet e sjellsi i armës grihet katundisht e shkon gjak-hupës» (Sh. Gjecov, KLD, SS 1118, 1122-1125).
29)  Kemi vënë re se në vendimet e shkruara në Bogë nga vitet 1900-1930 është shënuar si vend i hartimit të aktit «Scutari» (Shkodër), pastaj vinte data.
30)  Më 13 shtator 1284 (26 shtator 1867) paria e gjashtë e bajrakëve të Dukagjinit i dërgonte një deklaratë serxherdes Sulejman Hoti për vendimin e marrë në lidhje me mbajtjen e qetësisë së vendit. Kopje e vendimit, që morën dy bajrakët e Hotit me 15 maj 1288 iu dërgua bylykbashit A. Hotit (H. Bushati, vepër e cituar, t. 1305).
31)  Më 1900 krerët e bajraktari i Shllakut u penguan të zbatonin vendimin e kuvendit për djegien e shtëpisë së Lazër Palit, prandaj ftuan bylykbashin e malit Dul Idriz Hasin, i cili u vra në pritë te Kroi i Lugje së bashku me djalin pas tij Llesh Kolën. Pas kësaj erdhi nga Shkodra një kompani ushtarësh të cilët dogjën shtatë shtëpi të vëllazërisë së L. Palit që kishin marrë pjesë në kundërshtimin e armatosur për të mos lejuar zbatimin e vendimit të kuvendit dhe në vrasjen e bylykbashit. Paria e Shllakut e detyroi Lazër Palin të dorëzohej dhe ai u internua.
32) Sh. Gjeçov,    KLD, f. 125; E. Cozzi, vepër e  cituar,    155.
33) Sh. Gjeçov,    KLD, f. 106-107.
34) Gjeçov,    KLD,    §§ 687-694, 973-981.
35) S. Pupovci, Marrëdhëniet juridike civile në kanunin e Lekë Dukagjinit, Prishtinë, 1971, f. 241; E. Cozzi, vep. e cit. 55/6.
36) K. Ulqini, «E drejta kanunore përballë të drejtës kanonike e Sheriatit» «Etnografia shqiptare», 16, Tiranë, 1989.
37) Serxherdea dhe bylykbashi i Kelmendit më 30 qershor 1903 me anën e një shkrese njoftonin bajraktarin, krerët e gjobarët e bajrakut të Bogës se gjobën e Lulash Gjekës prej 4000 groshësh e paguan dorëzanët e tij Stakë Deda, Vuksan Toma e Prelë Martini. Për këtë duhej lajmëruar populli se kushdo «qi t’i punojë tokën e t’i ndihmojë në çfarëdo punet, t’i bluaj, ta presin e ta qesin e ta përcjellin ose t’i blejnë, t’i shesin e t’i bajnë pazarin e tij, ai njeri po të diktohet ka për të pasë gjobën dhe do të paguaj tetë qeset dorëzanvet».
38) Iskodra vilajeti Salnamesi, Iskodra, 1312; parag. 8.
39) Më 1912 merxherdia Maliq Sokoli i shkruante bajraktarit dhe krerëve të Shoshit se ftoheshin në Shkodër nga Esat pashë Toptani në besë të qeverisë e «në paç noi shybe për noi punë munem me t’nesh e ka t’lypish prej zotnive (të) Shkodrës qi t’i vesh besë munem me ta shti dorzan e me të sigurue që mos të ke frigë për kurrnji punë edhe ata zotni qi t’i lypish munem qi t’i qes deri në Boks te Adem Haxhia për me u neshë» (C. Libardi, I primi moti patrictici albanesi nel 1910-1911-1912 Specie nei Dukagini; Trenta, 1935 (parte seconda), f. 200).
40) Në Mat thoshin: dorëzania asht pazarllëk, ndoreja asht e ftyrës së burrit (e nderit).
41) Marka Kuli i Zhejanë
vetë i gjashti ka marrë malin, fort shum dam n’nizamë po ban,
Tre bajrakve iu ka thanë:
—  Si më thoni une e baj
per nji gojë të gjith i kan thanë:
—  Forca e Mbretit ty të merr,
Kanuni i Male.ce ty s’të ep.
(K. Taipi, Zana popullore, Shkodër, 1933, f. 194).
42) S.N. Naçi, Pashallëku i Shkodrës në vitet e para të shek. XIX (1796-1831), Tiranë, 1986, f.88.

 

 

Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, Tiranë, 1991.

 

Kahreman Ulqini


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...