Oshtima

Kryelartësia kombëtare

Kemi në Shqipëri një tok shqiptarë, që mbahen të mënçur, të ndritur dhe të ekuilibruar, të cilët nuk gjejnë asnjë shkak për mburrje dhe kryelartësi kombëtare. Këta njerëz me kokë të varura dhe me buzëqeshje të hidhur, janë të ftohët si bora. Këta besojnë se fakti, që janë pjesëtarë të një kombi të vogël, është një fatkeqësi dhe me bëmjet e tyre dëshmojnë qartazi se e gjithë puna është një tallje, dhe se më e mira e punëve është të tallesh me çdo gjë e sa të mundësh. Këta janë apostujt e talljes dhe të disfatismës më të dobët kombëtare. Në gjithë lëvizjet e këtij vendi, këta nuk shohin gjë tjetër, veçse mundësinë për të siguruar jetën materiale dhe për të rritur fëmijët e tyre me ndonjë bursë shteti, që të mund të bëhen dentistë ose veterinerë, që kështu, edhe ata të kenë të siguruar bukën! Asnjë interesim për gjëra dhe mendime, që s'kanë të bëjnë drejt për së drejti me atë të shkretë bukë!

Këjo klasë njerëzish, të sëmurë shpirtërisht, ekziston. Dhe ka të keqen e madhe që mendësinë e saj të degjeneruar e propozon edhe ndër të tjerë. Kështu që klasa e njerëzve që tallen, klasa e disfatistëve, sa po vjen e shtohet.

Kjo është një nga sëmundjet e shoqërisë sonë. Jemi nga ata që besojmë se është mirë të vihet gishti guximtarisht ndër plagët shoqrore. Kështu mund të shërohen.

Kjo sëmundje, pra, i ka shkaqet e saj. Një nga shkaqet kryesore është mënyra e qeverisjes së këtij vendi prej Musa efendive dhe Abdurahman Dibrave me shokë. Dëmet morale që ka pësuar vendi nga këta njerëz janë më të mëdha nga dëmet materiale. Këta, i vunë shqiptarët në pamundësi të interesohen për punët shtetrore dhe kombëtare. Para 21 tetorit çdo interesim në punët e vendit ishte faj. Nga ky shkak fare natyrisht, shumë njerëz u shtrënguan ta kthejnë punën në tallje. Tallja dhe disfatisma, s'kish ndonjë rrezik. Nuk të shpinte në Porto-Palermo. Përkundrazi.

Mirëpo kur ke një klasë njerëzish e shtrënguar ose jo, merr një drejtim, formon një psikologji, atëherë bëhet e zorshme që të shkëmbehet drejtimi dhe mentaliteti. Nga kjo arsye shohim sot një tok disfatistë, që s'besojnë në asgjë të mirë shqiptare. Të këtillë do të kemi dhe nesër. Njerëz që do të zgërdhijnë dhëmbët kurdoherë që do të thuhet një fjalë e thekur kombëtare, do të kemi dhe nesër. Marifeti është që t'i njohim këta njerëz dhe kurdoherë që do të na dalin përpara me të zgërdhiturat e tyre, t'u japim nga një të shtytur të fortë.

Sot është koha që të jemi kryelart për lirinë dhe kombësin tonë. Sot është koha që të besojmë se ky vendi ynë i vogël, le që mund të bëhet një ditë edhe i madh, por ajo që është edhe më me rëndësi, është se ky Atdhe po futet definitivisht në rrugët e ndritura të qytetërimit. Sot është dita që të besojmë fanatikisht se ky Atdhe ka gjithë të mirat dhe bukuritë. Dhe se fisi ynë, megjithëse i prapambetur, është brumë i mirë me cilësi të jashtëzakonshme. Ky fis mund të prodhojë krijonjës një ditë. Dhe na si bijtë e këtij fisi, nuk mund veçse të përpiqemi me çdo mënyrë që ditët e lumtura të vijnë sa më parë.

Është koha që të bëhemi fanatikë për çdo gjë që është shqiptare. Është koha që kryelartësia jonë kombëtare të gjejë justifikimet e saj në përpjekjet tona të sinqerta për t'u shërbyer interesave të sotme dhe të nesërme të Shqipërisë sonë.

Arbënia 1936.

Ismet Toto


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...