Oshtima

Organizimi luftarak sipas Ligjit të Maleve në Labëri

Kreu 10

Organizimi luftarak i vetëmbrojtjes së vendit


Neni 114. Organizimi i vetmbrojtes

Organizimi i vetëmbrojtjes së vendit, të zonave të vetëqeverisjes vendore bëhet nga Kuvendi i fshatit ose krahinës dhe bazohet në organizma (çeta) të burrave, në çetat e armatosura.

Neni 115. Përbërja e çetave vullnetare1

Në çeta bëjnë pjesë luftëtarë vullnetarë, fshatarë, kryesisht djalëria, si rregull, burrë për çdo shtëpi, i aftë për mbajtjen dhe përdorimin e armës.
Gratë, ndonëse nuk marrin pjesë në çetë, ndihmojnë luftëtarët e çetës, me ushqime, me furnizim me fishekë dhe çdo ndihmë tjetër. Në raste të veçanta, ato luftojnë edhe me armë bashkë me luftëtarët e tjerë.

Neni 116. Detyrat kryesore të çetës vullnetare

Çeta vullnetare ka për detyrë kryesore mbrojtjen e kufijve tokësorë të fshatit apo të krahinës e më gjerë, të vetëqeverisjes vendore, të jetës, të shëndetit e të pasurisë, të nderit e të dinjitetit të personit, nga çdo sulm i armikut të huaj ose të keqbërësve të tjerë. Çetat vullnetare krijohen për një ose më shumë veprime të caktuara dhe pasi ai përfundon shpërndahen.

Neni 117. Territori ku formohen çetat

Çdo çetë formohet në bazë fshati. Kur paraqitet nevoja, ajo formohet edhe në bazë të dy ose më shumë fshatrave, ose të krahinës.

Neni 118. Drejtuesi i çetës vullnetare2

1. Në drejtim të çetës caktohet një nga burrat e njohur për trimëri dhe me përvojë në luftë. Ai quhet çetobash ose kapedan.
2. Drejtuesi i çetës (çetobashi ose kapedani) gëzon autoritet dhe besimin e pjesëtarve të çetës. Urdhrat zbatohen me vullnet të lirë nga çdo pjesëtar i çetës.

Neni 119. Heqja e drejtuesit të çetës vullnetare

1. Kur drejtuesi i çetës vullnetare (çetobashi, kapedani) nuk e kryen mirë detyrën ose tregohet frikacak, hiqet nga vetë çeta dhe zëvendësohet me një tjetër të aftë.
2. Zëvendësimi i tij bëhet edhe atëherë kur ai vritet ose plagoset rëndë në luftim dhe nuk mund të drejtojë më çetën.

Neni 120. Çeta vullnetare jo organizim i përhershëm3

1. Çeta vullnetare nuk është organizim luftarak i përhershëm, por krijohet kur paraqitet rreziku i sulmit nga armiku, kur jepet kushtrimi për vetëmbrojtje, a për sulm kundër armikut.
2. Pasi kryen detyrën e caktuar të vetëmbrojtjes, çeta kthehet në fshat, shpërndahet dhe luftëtarët e saj merren me punët e përditëshme bujqësore e blegtorale.

Neni 121. Çeta ose lëvizja e kaçakëve – organizim i qëndrueshëm4

1. Çetat e kaçakëve, të drejtuar nga kapedanë trima, që kanë vashdimësi e qëndrueshmëri të lartë, kryejnë veprimtari të gjerë luftarake në mbrojtje të vendit, për liri e pavarësi kombëtare, si dhe në ndihmë të bashkëkombasve jashtë kufijve të atdheut.
2. Çeta të tjera kaçakësh, përbëhen nga persona që kryejnë grabitje, rrëmbime, plaçkitje dhe fshihen maleve për të mos iu dorëzuar organeve qeveritare, qëndrojnë në arrati.

Neni 122. Lejimi për të shkuar ushtarë në vend të huaj

Këshilli i pleqve (pleqësia) ka të drejtë të vendosë që, në rrethana të veçanta, sidomos për nevoja ekonomike, të lejojë të shkojnë luftëtarë në ushtritë e huaja në mënyrë të organizuar me një komandant besnik të tyre, për një afat të caktuar dy deri në pesë vjet dhe të kthehen pranë familjeve të tyre.

 


Ismet Elezi, Kanuni i Labërisë, Toena, Tiranë 2006.


1)  Në luftë kundër pushtuesve osmanë, përmendet Maro Kondi, e cila u hodh nga shkëmbi e u vra bashkë me ushtarët turq, për të shpëtuar e mbrojtur çetën e patriotit Gjoleka, në mal të Çorre. Po ashtu Miro Terbaçija, një vajzë trime nga Tërbaçi mori pjesë në kryengritjet antiosmane.
Shembull tjetër është ai i Emine Zhupës nga Fterra, e cila luftoi kundër ushtrisë pushtuese greke (andartve) më 1914, duke qëndruar vetëm në Galisht dhe zbrazur kundër tyre mëse 70 fishekë.
2)  Fshatarësia labe ripërtëriti traditat e dikurshme iliro-arbërore të “stradiotëve” me emërtimin e ri të “kapedanëve himariotë”, përpjekje për të krijuar e organizuar një çetë luftarake mbrojtëse të Lumit të Vlorës kundër kërcënimeve të gjeneralit grek Griva në vitet 1850-1854, bëri Mahmut Vlora (babai i Ismail Qemalit) në bashkëpunim me Shako Xhak Tërbaçin.
3)  Shembull i këtyre që fshiheshin nga organet qeveritare njihen ajo e Mero Lamçes e Shaqo Llapes, Mehmet Hysenit etj.
4)  Shembull i patriotizmit të lartë ishte Gjoleka nga Kuçi e Sokrat Leka nga Qeparoi, të cilët me çetat e tyre shkuan dhe luftuan në ndihmë të bashkëkombasve në Mal të Zi, deri sa Gjoleka ra heroikisht në vitin 1851.

Ismet Elezi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...