Oshtima

Kodërvarreza ilire e Komsisë

Komsia gjindet 5 km. në perëndim të qytetit të Burrelit. Ajo është një tarracë lumore që shtrihet midis Sheut të Thatë, Zallit të Germanit dhe majës së Stragjut, që shënon kuotën më të lartë 1074 m. mbi nivelin e detit.
Rreth 300 m. mbi vendin ku bashkohet Sheu i Thatë me Zallin e Germanit ndodhet një tumë ilire me përmasa 15x1 m. Përreth kësaj tume ka edhe suka të tjera, por për shkak të dëmtimit nuk përcaktohet natyra e tyre.
Gjatë hapjes së një kanali në oborrin e Shkollës 8-vjeçare Komsi më 1972 dolën disa stoli bronxi, që më vonë u pasuan nga gjetje të tjera. Pikërisht për të fiksuar dhe shpëtuar varret e dëmtuar muzeu lokal ndërmori një gërmim shpëtimi.

Tuma është 500 m. larg nga e para dhe në perëndim të saj. Forma e kësaj të fundit është diçka e veçantë nga tumat e zakonshme. Ajo nuk ka formë gjysmë sferike, por eliptike me gjatësi në drejtimin V-J 60 m. dhe gjerësinë L-P 20 m.
Tuma është ndërtuar prej dheut, në tabanin e së cilës u gjet një kalldrëm me gurë mbi të cilin ishin kryer varrimet dhe se fundi qe mbuluar me këmishë gurësh. Kalldrëmi dilte nga sektori i I në të II duke vazhduar drejt qendrës. Mbulesa ruhej e plotë në sektorin e II, duke vazhduar pa ndërprerje në të dy krahët e gjatësisë veri-jug. Gurët ishin ngjeshur njeri mbi tjetrin.
Me gjithë dhunimin pjesor të varreve, në një vështrim të përgjithshëm dhe kapjen e plotë të arkitekturës së disa varreve na jepet mundësia të japim një ide të qartë mbi ndërtimin e tyre.

Varret qenë ndërtuar me gropë dhe konstruksion gurësh. Ato me konstruksion kanë formë gati katërkëndëshe me prerje eliptike në dy skajet. Dallohet ndërtimi me nji rresht gurësh anash si të tumës së Burrelit dhe aty këtu gurë të hedhur si mbulesë përsipër. Përveç këtyre pati dhe varre, që gurët anësorë kishin marrë karakterin e një muri të ndërtuar në të thatë, kur gurët ishin vendosur të ngjeshur me cip mbi cip në dy-tre radhë duke formuar kështu një mur.
Nga pikëpamja e shtresimit më të hershëm janë varret Nr. 1, 2, 5, 6 që u gjetën në tabanin e tumës. Midis varreve që dha sektori i II ku u përqendruan dhe gërmimet për këtë fazë, më i hershmi qe varri nr. 2 mbi të cilin ishte varri nr. 7 dhe mbi këtë varr dhe pjesërisht varrin nr. 4 ishte varri nr. 3 i cili qe më i riu ndër të gjithë varret, pasi ky qe pjesërisht edhe mbi varret nr. 5, 6.
Si në tumën e Burrelit, vihet re varrimi me vendosje kufome. Në varret mbisundon drejtimi lindje-perëndim.

Gjatë gërmimit u fiksuan 7 varre, të cilët ndonëse pjesërisht të dhunuar dhanë një inventar mjaft të pasur. Faza e parë që ka të bëjë me zanafillën e tumës, i përket shek. VIII-VII p.e.s. Me këtë periudhë lidhen të gjithë varret Nr. 1, 2, 4, 5, 6 kurse varri nr. 3 i takon shek. IV-II p.e.s. Inventari i varreve të parë qe mjaft i pasur dhe përbëhet nga enë balte të pjekur, armë hekuri, thika, stoli prej bronxi, qelibari, qelqi.
Heshtat dhe thikat prej hekuri të gjetura në varret nuk kanë ndonjë veçori me gjetjet e mëparshme të Matit. Midis katër enëve prej balte, tre janë bikonike me dy vegje. Midis tyre ojnoheja dhe njëra nga enët bikonike janë zbukuruar me kanelyre. Ojnoheja për nga zbukurimi, ngjan me një dyvegjake të zbuluar në gërmimet e mëparshme të Mati; prerja e vegjës në formë trekëndëshi dhe tepër e zhvilluar përkon me enët e fazës së parë të tumës së Karicës, kurse tëmthu nën buzë me ato të tumës së Kuçit të Zi e Korçës. Ndërsa vegjakia për nga ngjyra, teknika e punimit është e njëjtë me enët e banimit shpellor të Brucit në Mat. Midis enës së varrit nr. 4 dhe atyre që prodhojnë poçarët e sotmë Gërmanas, vihet re një ngjashmëri e dukshme në teknikën e punimit.

Në inventarin e kësaj faze për t’u shënuar janë tipet e dy varëset prej bronxi. Varësja me dritare për sa i përket verigës dhe trupit, ngjan me një të tillë që ka dhënë varri nr. 76 i tumës së Burrelit, kurse për nga trupi dhe shputa me varëset e tumës së Kuçit të Zi, vendbanimit shpellor të Trenit, Trebenishtit, Patelit, por që në disa raste tek qendrat e fundit veriga ndryshon duke u dhënë karakter zoomorf.
Një interes të veçantë paraqet varësja tjetër, duket sikur tregon trupin e njeriut, e cila jep një skematizim të qartë duke forcuar origjinën antropomorfe dhe paralelizmin me «perëndeshën e madhe mikenase». Duke shikuar figurinat mikenase, këtë varëse dhe atë mesjetare të Derjanit shohim midis tyre rrugën e zhvillimit nga bronxi në hekur dhe deri në mesjetën e hershme shqiptare.
Midis objekteve të Komsisë shohim edhe një gjilpërë hekuri me kokë, analogjinë e së cilës i gjejmë tek faza e parë e tumës së Karicës dhe në fazën II b të Glasinacit.
Rruazat prej bronxi tipologjikisht janë të njëjta me ato që ka dhën tuma e Burrelit, veçse janë më primitive si punim, dhe me sa duket më të lashta.
Inventari i fazës së parë Komsisë në pikëpamjen tipologjike, ndonëse shënon veçori stilistike, gjë që dëshmon për një prodhimtari vendase, ngjajnë me objektet e hekurit të hershëm të tumës së Burrelit dhe të Karicës në Mat, Kuçit të Zi, Tren III të Korçës, II b të Glasinacit dhe II A të Trebenishtit të datuara në shek. VIII-VII p.e.s.

Faza e II e tumës, sikurse kemi thënë i takon shek. IV-II p.e.s. Në këtë kohë janë bërë edhe hedhje mbi tumë. Kështu veç inventarit të varreve nr. 3 i cili qe i pasur me katër enë, me një rruazë balte, u gjetën fragmente enësh me vernik të zi dhe tasash të zakonshëm.
Objektet e kësaj periudhe paraqesin një interes të madh, pasi në shek. IV-II në vendin tonë merr një zhvillim të dukshëm kultura qytetare. Kështu gjinden një seri kalash e qytezash. Si rezultat i këtij zhvillimi, zejtaria përqendrohet në qytete. Varri nr. 3 dha një kilik, një hidrie dhe dy enë bikonike dyvegjake. Njëra prej enëve të fundit është prodhim i traditës së lashtë kurse tjetra për nga ngjashmëria është e njëjtë me të parën, duke ndryshuar nga fakti se është prodhuar me qark dhe ngjyra e saj përkon me prodhimet qytetare.
Profilet e përfituara nga fragmentet e disa tasave të gjetura në varr si dhe objektet e sipërme, kanë ngjashmëri me objekte të tilla të zbuluara në kalanë ilire të Xibrit, Gajtanit, Zgërdheshit, kodërvarrezën e Çinamakut, qytetit bregdetar të Dyrrahut, varrezën e dystë të Burgajetit të shek. IV-II p.e.s.
Tuma e Komsisë, ndonëse me një gërmim pjesor, jep një kontribut qoftë edhe të vogël për pasurimin e fondit arkeologjik të kulturës së Matit dhe përforcon mendimet e shprehura më parë për lidhjet e kulturës ilire të Matit në kulturat e Ilirisë qendrore dhe njëkohësisht të Ilirisë së Jugut, duke shërbyer si një zonë ndërmjetëse midis dy kulturave.

 

«Buletin Arkeologjik», 4, 1974.

 

Dilaver Kurti


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...