Oshtima

Asnjanësia e Shqipërisë në Luftën e II Botërore (1943-1944)

 

DEKLARATË E MINISTRIT TË BRENDSHËM, XHAFER DEVËS, DREJTORISË BRITANIKE TË  

OPERACIONEVE TË POSAÇME 
 

(origjinali në anglisht)

Gjenerali Hill ishte mjaft i sjellshëm tek u angazhua për disa minuta me çështjen shqiptare, duke iu drejtuar popullit dhe jo qeverisë, sepse, sipas opinionit të tij, qeveria e Tiranës nuk pëlqehet nga populli shqiptar e kësisoj mund të renditet në kategorinë e “qeverive kuislinge”. Për më tepër, gjenerali përmendi dhe emrin tim, duke shtuar se një farë Xhafer Deva bashkëpunuaka ngushtë me gjermanët dhe e ka vënë veten në shërbim të tyre.

Për këto arsye gjenerali Hill më detyroi t’i përgjigjem. Gëzohem që me cilësinë time si shqiptar kam rastin dhe lirinë t’i përgjigjem gjeneralit përmes Radio Tiranës, jo sipas mënyrës së tij të shprehjes, por sipas mënyrës së një shqiptari të Kosovës që në vetvete ka respekt të veçantë për popullin anglez, duke qenë se ka pasur dhe rastin të njohë gjuhën angleze dhe madhështinë e këtij populli.

Pa ndonjë qëllim të këshilloj të tjerë, ndihem i detyruar ta theksoj që në fillim se jam një shqiptar i mirë e si i tillë i qëndroj besnik folklorit tonë. Ka një thënie mes tonë në lidhje me atë se kafshatën e madhe duhet ta përtypësh mirë para se ta kapërdish, e sakaq të mos flasësh fjalë të mëdha para kohe. Në dritën e këtij folklori do t’i përgjigjem dhe gjeneralit të nderuar.

Nga njëra anë ju i bëni nder popullit shqiptar duke e lëvduar atë si të ndershëm, fisnik e mikpritës, e nga ana tjetër, këshillat të cilat ia jepni popullit, e jo qeverisë (sepse këtë refuzoni ta njihni), bien ndesh me vetë parimet e ndershmërisë, fisnikërisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar. Shqiptari Xhafer Deva, i cili ka nderin t’ju përgjigjet, fare qartë ju thotë se nuk është në shërbimin e gjermanëve, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në shërbimin e tyre, por në të njëjtën kohë nuk është as në shërbimin e britanikëve, amerikanëve a sovjetikëve. Xhafer Deva ka nderin të jetë në shërbimin e popullit shqiptar dhe sigurisht që ky shërbim është nderi më i madh që ai mund të gëzojë.

Nëse ju konsideroni shqiptarë të mirë vetëm ata që janë në shërbimin e britanikëve, në emër të sterlinave të tyre të çmueshme, atëherë jam i detyruar t’ju them se paraja nuk bën miq, z. gjeneral. Dallimi mes qëndrimit tuaj dhe qëndrimit tim është se ju keni dalë në treg për të gjetur shqiptarë që të vihen në shërbimin tuaj dhe ndërkaq quani tradhtarë të gjithë ata që nuk pranojnë të vihen në shërbim të të huajve. Unë i përkas asaj kategorie njerëzish që janë krejt në shërbimin e vendit amë dhe jo në shërbimin e britanikëve, gjermanëve apo sovjetikëve.

Ju sigurisht që nuk po nderoni as veten e as kombin tuaj nëse konsideroni si shqiptarë të mirë vetëm ata që janë nën rrogën e britanikëve apo sovjetikëve.

Për mua është kënaqësi e veçantë të di që në kohë paqeje, ju keni dhënë kontribut për Shqipërinë duke i organizuar asaj xhandarmërinë kombëtare, gjë që përbën kontribut të çmuar në sigurimin e një force shtetërore që është ruajtëse e qëndrueshmërisë dhe e rendit.

Mund të jeni i sigurt, gjeneral, se dhe unë si shqiptar i thjeshtë dhe aspak në shërbimin e të huajve, po punoj ditë e natë me mundësitë e mia mendore e fizike për të vazhduar punën tuaj në mirëorganizimin e kësaj qëndrueshmërie dhe paqeje, në të cilën kanë nderin të marrin sot pjesë dhe shqiptarët e Kosovës së lirë. Nëse kontributi që Kosova po bën, nuk kufizohet vetëm në materialet ushqimore por dhe në fuqinë e punës, krah për krah me vëllezërit e pjesëve të tjera të Shqipërisë, në mënyrë që të shmanget gjakderdhja që ju zoti gjeneral keni shkaktuar duke avancuar interesat e vendit tuaj, gëzohem këtu t’ju përgjigjem në mënyrë që të keni mundësi të pyesni për shpjegime më të gjegjësishme rreth çështjes së agjentëve tuaj që gjenden nëpër Shqipëri.

Është më se e drejtë të thuhet se qeveria shqiptare i përdor forcat e saj kundër elementëve të tillë që shkaktojnë shqetësime në trojet shqiptare. Ne duhet ta përsërisim se të vetmit njerëz që shkaktojnë shqetësimin e paqes dhe rendit publik në Shqipëri, janë të ashtuquajturit “nacional-çlirimtarë”, apo siç populli i quan, “nacional-shkatërrimtarë”, apo më mirë akoma, komunistët, të cilët hasen sot vetëm në jug të Shqipërisë sepse nuk ka vend për ta në Shqipërinë e mesme a në veri.

Komunistët sigurisht që gëzojnë ndihmën e Britanisë së Madhe, hamendas me ndihmën e zyrës suaj. Por këto ndihma ndaj komunistëve, mes të cilëve nuk mungojnë kriminelët ordinerë, i kanë shkaktuar shumë dëme Shqipërisë, ndërsa po e kam të pamundur të vërej nëse i kanë shkaktuar ndonjë dëm, armiqve tuaj, gjermanëve...

Gjendja, kështu siç ka ardhur, më bën të pyes se a nuk do të ish më mirë sikur Britania e Madhe t’i sillte popullit shqiptar barna përmes Kryqit të Kuq në vend të armëve dhe municioneve, të cilat me radhën e vet përdoren vetëm për promovimin e interesave të Dushanit dhe Miladinit?!

Populli shqiptar do t’i ishte mirënjohës Britanisë së Madhe, nëse shihte se ajo po mendon për shërimin e plagëve të tij, dhe madhështia britanike do të rritej dhe më, falë dëshmisë së një ndihme të vërtetë në ditët e sotme si dhe pas lufte.

Kemi mësuar me shumë keqardhje se ju mbani qeverinë shqiptare përgjegjëse duke pohuar se trupat shqiptare janë përdorur jashtë kufijve të Kumanovës dhe Preshevës. Gëzohem të kem rastin të theksoj botërisht se qeveria shqiptare as me hir as me pahir nuk ka dërguar asnjë ushtar shqiptar jashtë kufijve kombëtarë. Mohimet e mia mbështeten mbi të vërtetën e pastër dhe kjo deklaratë mund të verifikohet fare lehtë.

Kërcënimet e bëra nga ju në drejtim të një qeverie, të cilën refuzoni ta njihni, janë të kota dhe mbajnë aq vlerë sa fjalët në erë. Por duke qenë se argumenti ka të bëjë me kufijtë shqiptarë, do t’ju isha mirënjohës të dëgjoja prej jush personalisht, jo thjesht kërcënime të thata, por pohime më të përcaktuara dhe të qarta.

Është kënaqësi për mua t’ju vë në dukje se qeveria shqiptare nuk ka në programin e saj asnjë kërcënim kundër asnjë populli. Ajo ka detyra për të përmbushur në të mirën e popullit të saj brenda kufijve dhe një prej këtyre detyrave më të rëndësishme është ndihma ndaj familjeve të dëmtuara dhe shpëtimi i qytetarëve shqiptarë të goditur nga bombardimet anglo-amerikane.

Për sa i përket ideologjive, shqiptarët, si pjesëtarë të një kombi të vogël, nuk janë aspak të interesuar se cila prej formave të qeverisjes, nacional-socializmi apo komunizmi janë të mira a të këqija. Nuk është në dorën tonë të japim gjykim për gjëra të cilat populli gjerman mund t’i kryejë vetë. Ne shqiptarët nuk jemi gjë tjetër veçse shqiptarë, e kemi simpatitë tona, disa për Mbretin, disa për Republikën, por askush nuk ka ndonjë simpati për ideologjitë e huaja. Pra do të ishte më me mend për ju që të mos vrisni kohë duke u përpjekur të na konvertoni në komunistë a nacional-socialistë, duke qenë se këto janë prirje politike që do të dështonin katërcipërisht për shkak të markës së tyre të huaj.

Për sa i përket gjermanëve, vlen për ne të theksohet se ata nuk kanë ndërhyrë fare në çështjet tona dhe janë sjellë siç do të ishin sjellë dhe forcat britanike sikur të kishin ndaluar në Shqipëri.

Ka diçka që na duhet ta vëmë në dukje dhe kjo është se shqiptari nuk mund të bëhet assesi komunist, siç po përpiqeni ju ta bëni. Ka arsye për këtë dhe këto arsye duhet t’i keni mësuar tashmë prej qëndrimit tuaj në Shqipëri. E në fund, për sa i përket fjalimit të 1941-it të kryeministrit Çërçill, ai fjalim ka të njëjtën peshë për ne që ka dhe për popujt e tjerë të Evropës.

Në mbyllje jam i detyruar të theksoj se kërcënimet tuaja kundër qeverisë së rimëkëmbjes, e cila është vetëm e vetëm në shërbim të vendit amë, thjesht mbështesin argumentet e armiqve tuaj. Ne nuk i frigohemi gjyqit luftarak e as akuzave tuaja, sepse jemi të bindur, z. gjeneral, se nuk do të jeni ju gjykatësi në atë gjyq. Ju jam mirënjohës për atë pjesë të fjalimit ku na këshilloni të jemi të bashkuar pavarësisht prirjeve politike dhe t’i qëndrojmë besnikë flamurit shqiptar dhe jo atij të sovjetikëve.

Për sa i përket apelimit tuaj të ngrohtë për bashkim të cilin ia drejtoni të gjithë shqiptarëve, ju meritoni falënderimet e mia dhe mirënjohjen e popullit shqiptar.

Për sa i përket grindjeve tona të brendshme, për mendimin tim, ato janë shenja të foshnjërisë sonë politike dhe ne, si të gjithë fëmijët, pas disa rrahjesh do të lëndohemi e mandej do të nxjerrim mësim.

AQSH. Tiranë, 27.4.1944                                                                                                                                                                                         

 

Xhafer Deva


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...