Oshtima

Qyteti ilir i Lisit

Origjina dhe sistemi  fortifikimit të tij.


Gjatë gërmimeve, të cilat qenë të parat që u ndërmuarën në këtë truall të lashtë me histori shumëshekullore, u bë edhe një rikonjicion i hollësishëm topografik i zonës së qytetit të Lisit, duke përfshirë këtu edhe majën e Shelbuemit që e zotëron qytetin nga sipër dhe ku Prashniker e Shober, të parët dalluan mbeturinat e fortifikimit të Akrolisit1
Me këtë rast u diktuan gjurmë muresh rrethuese të panjohura më parë. të cilat teknikisht ndryshojnë shumë jo vetëm midis tyre, por edhe nga vetë muret mbrojtëse, tashmë të njohura të Lisit dhe të Akrolisit.
Gjurmët e mureve më të hershme, mbeturina këto të sistemit fortifikues të një vendbanimi prehistorik ilir, u konstatuan mbi majën e malit të Shelbuemi ndërsa gjurmët e mureve teknikisht më të përparuara u diktuan në anën jug perëndimore të Kodrës së Kalasë, mbi të cilën ishte vendosur qyteti.
Muret e vendbanimit të fortifikuar ilir, mbi majën e Shelbuemit, janë ruajtur pjesërisht dhe në një lartësi maksimale deri në 1.50 m. Dy faqet e dukshme të murit janë ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë të papunuar dhe të vendosur njëri mbi tjetrin në të thatë, duke krijuar shpesh zbrazëti të mëdha midis tyre. Hapësira në mes të faqeve të murit ka qenë e mbushur me gurë mesatarë e të vegjël. Trashësia e tij arrin në 3.20 m. Në anën juglindore të majës së malit u diktuan edhe gjurmët e një hyrje.
Në përshkrimin mjaft të hollësishëm, që i bëjnë Akrolisit Prashniker dhe Shober, nuk përmenden fare këto lloj muresh, megjithëse në skicë-planimetrinë e tyre ato janë shënuar, madje edhe me të njëjtën ngjyrë sikurse edhe muret antike të Akrolisit2. Kjo tregon se arkeologët austriakë i kanë vërejtur këto mure por nuk i kanë dalluar teknikisht dhe si rrjedhim kronologjikisht nga muret e Akrolisit antik. Për ne, këto ndërtime fortifikuese ndryshojnë në çdo pikpamje, prandaj dhe duhen dalluar në kohë. Tipologjikisht ata kanë ngjashmëri të madhe me ato të qytezave ilire të Marsheit e Gajtanit të rrethit të Shkodrës të cilat në mbështetje të të dhënave stratigrafike të përfituara nga gërmimet sistematike në Gajtan, datohen si të fillimit të epokës së hekurit3. Për analogji tipollogjike, kësaj periudhe i përkasin dhe muret rrethuese të vendbanimit ilir të Shelbuemit.,
Një interes të veçantë paraqesin sidomos mbeturinat e mureve, që u gjetën në anën jugperëndimore të Kodrës së Kalasë. Këto i përkasin një vendbanimi të dytë të fortifikuar ilir. Muret janë të ruajtur në një lartësi maksimale deri në 1.20 m. dhe rrethonin, siç duket, të gjithë majën e kësaj kodre.Nga sa mund të dallohet, këto mure kanë qenë ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe mesatarë, të punuar përciptas ose fare të papunuar dhe të vendosur njeri mbi tjetrin në të thatë. Blloqet e përpunuar krijojnë vënde-vënde mundësi për një puthitje normale, sidomos në fugaturat horizontale, ndërsa ato të papunuarat lënë boshllëqe midis tyre nganjëherë të mëdha, të cilat janë mbushur me gurë të vegjël.
Në krahasim me muret rrethuese të vendbanimit të parë mbi majën e Shelbuemit, muret e vendbanimit të dytë shprehin qartë një shkallë më të lartë përsa i përket teknikës së punimit të gurëve dhe të vendosjes së tyre në muraturë dhe si rrjedhim, një periudhë relativisht më të vonë historike të ndërtimit të tyre. Po t’i krahasojmë tani këto mure me konstruksionet e fuqishme dhe të ruajtura mjaft mirë të sistemit mbrojtës të qytetit të Lisit, do të vërejmë se midis tyre ka lidhje gjenetike, lidhje që shfaqen në ngjashmërinë teknike të nxjerrjes dhe të copëtimit të shkëmbenjve në blloqe dhe në mënyrën deri-diku të përafërt të punimit të gurëve. Në këto rrethana muret e këtij vendbanimi të dytë ilir, që, siç duket, zëvendësoi të parin për arësye të kushteve jo të favorshme topografike dhe ekonomike të tij, duhen konsideruar si një fazë pararendëse e sistemit fortifikues të qytetit antik të Lisit.
Për datimin e mureve rrethuese të vend-banimit të dytë jemi të detyruar, hëpërhë, në mungesë të të dhënave stratigrafike, t’i referohemi teknikës së ndërtimit të tyre, e cila të çon përpara shekullit IV p.e. sonë. Kësaj periudhe i atribuohen edhe ato pak fragmente qeramike lokale, që u gjeten rastësisht pranë këtyre mureve ose gjatë gërmimeve të rregullta, si elemente sporadike në shtresat e përziera të periudhës helenistike-romake. Këto fragmente, nga pikëpamja teknike dhe tipologjike, riprodhojnë të gjitha veçoritë e poçerisë prehistorike ilire.

Në qoftë se për të dy qendrat e sipërpërmendura të fortifikuara ilire bëhet fjalë për të parën herë në këtë punim, ndryshe qëndron çeshtja me muret e sistemit mbrojtës të Lisit antik, të vëna në dukje që në shekullin XV nga Qiriaku i Ankonës4. Siç dihet, muret rrethuese të këtij qyteti, për një kohë të gjatë u tërhoqën vëmendjen studjuesve të huaj dhe në mënyrë të veçantë Prashniker-Shoberit, të cilët u morrën me përshkrimin e hollësishëm dhe me studimin e gjithanshëm të tyre. Por, gjatë vlerësimit arkeologjik të pjesshëm apo të përgjithshëm të këtyre mureve, studjues të ndryshëm shfaqën edhe mendime të ndryshme, sidomos për çështje të karakterit konstruktiv, stilistik dhe kronologjik të tyre. Këto mure, duke i shikuar sot në dritën e vëzhgimeve të reja arkeologjike dhe të rezultateve të gërmimeve sistematike, diktojnë nevojën jo aq për koregjime të rastit, se sa për një rishikim dhe vlerësim të gjithanshëm të tyre.
Përsa i përket planimetrisë së mureve rrethuese të Lisit, të hartuar nga Prashniker e Shober5, në vija të përgjithshme ajo i afrohet gjendjes së vërtetë. Me plotësime të pranueshme, arkeologët austriakë kanë arritur të mbyllin rrethin e mureve mbrojtëse, duke i zbritur ato deri në breg të lumit Drin. Me dyshim duhet të shikohet, në këtë planimetri, vendosja e disa kullave të tepërta, veçanërisht në dy krahët anësor të mureve që zbresin paralelisht tatëpjetë kodrës. Në përcaktimin e këtyre kullave, hartuesit e planimetrisë janë mbështetur në disa kritere, sipas mendimit tonë jo gjithmonë të drejta, siç janë grumbujt e gurëve të rrëzuar dhe kthesat e murit6. Ka edhe pasaktësi të atilla, të cilat kanë rrjedhur si përfundim i vrojtimeve nganjëherë të përcipta dhe të shpejta, pasi nuk ka se si të shpjegohet fakti që kthesa drejtkëndore e murit verilindor të merret si kullë7, aq më tepër kur dimë se kjo planimetri u hartua një gjysëm shekulli më parë, kur muret me siguri ishin në një gjendje që mund të shiheshin më mirë.
Vrojtimet e kujdesshme si edhe rezultatet pozitive të gërmimeve arkeologjike dhanë mundësi të hartohet një planimetri tjetër më e saktë dhe më e plotë nga ajo e para8. Në këtë planimetri, janë vendosur të gjitha hyrjet e zbuluara bashkë me kullat e tyre mbrojtëse, është fiksuar në tërë gjatësinë e tij muri i brendshëm dhe janë paraqitur gjurmët e një muri tjetër, të panjohur, të zbuluar rastësisht në afërsi të bregut të Drinit gjatë ndërtimeve të reja në qytet. Megjithkëtë, duhet thënë se edhe ne nuk kemi arritur akoma të zgjidhim si duhet të gjitha çështjet lidhur me planimetrinë e mureve rrethuese, për arësye se një pjesë e tyre është zhdukur fare ose mbuluar nga riforcimet dhe nga ndërtimet e mëvonshme. Muret mbrojtëse të Lisit, siç duket edhe nga planimetria, rrethonin shpatin perëndimor të Kodrës së Kalasë. Ata përfshinin gjithë majën e kësaj kodre dhe zbritnin në dy krahë deri në breg të lumit. Vendbanimi i rrethuar zinte një sipërfaqe prej rreth 20 hektarësh. Muri i ndërtuar brenda këtij rrethimi, e ndante qytetin në dy pjesë: në qytetin e sipërm dhe në qytetin e poshtëm. Nuk mund të themi, tani për tani me siguri, se një ndarje e tillë, ekzistonte që në fazën e parë të ndërtimit të sistemit mbrojtës të qytetit, pasi muri ndarës, siç do të shohim edhe më poshtë, i përket tërësisht një periudhe më të vonë ndërtimi, me përjashtim të një trakti shumë të vogël që mund të atribuohet periudhës së parë. Ky trakt është ruajtur afër vendit ku muri i brendshëm lidhet me atë perimetral në anën veriore të qytetit. Këto janë të vetmet gjurmë, që lënë shteg për të menduar në mundësin e ndarjes së qytetit në dy pjesë që në periudhën e parë të forcimit të tij.
Muri i zbuluar rastësisht në breg të Drinit, mendojmë se duhet të ketë mbyllur rrethimin e qytetit të poshtëm, duke e kufizuar atë nga porti breg-lumor tij, i mbrojtur në të dy krahët me mure e kulla.

Qyteti i sipërm ka formën e një poligoni të parregullt të krijuar nga hyrjet dhe daljet e mureve, të cilat synonin të përfshinin sa më shumë terraca banimi dhe një mbrojtje sa më të mirë të tij. Terraca më e madhe dhe më e përshtatshme për banim në këtë pjesë të sipërme dhe shumë mirë të fortifikuar të qytetit, shtrihet në anën jugore dhe perëndimore, e kufizuar gjithkund me mure rrethuese të ruajtura mjaft mirë. Mbi këtë rrafsh kodrinor janë dalluar dhe gjurmë ndërtesash të periudhës së hershme të qytetit, si edhe mbeturinat e një dyshemeja banese të shtruar me parket tullash të kohës romake.

Qyteti i poshtëm i ngjan një katërkëndëshi të formuar nga zbritja e mureve anësore pothuajse paralelisht tatëpjetë kodrës që ndërlidhen tërthorazi nga muri i sipërm i brendshëm dhe nga ai buzë Drinit.
Për të qënë më të saktë, duhet të shtojmë se, ndërsa muri i anës veriore të qytetit ndiqet me ndërprerje në të gjithë gjatësinë e tij deri në breg të lumit ai i anës jugore, që mbronte qytetin e poshtëm, në ditët tona nuk ruan asnjë gjurmë, prandaj dhe jemi të detyruar ti referohemi të dhënave planimetrike të Prashnikër-Shober në heqjen e vijës së këtij muri.


* * *


Kriteret themelore të ndërtimit të mureve fortifikuese të Lisit janë të përcaktuara qartë. Muri mbështetet mbi një themel të shëndoshë të ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh të vendosur njeri bri tjetrit. Sipërfaqja e këtyre blloqeve është gjithmonë e gdhendur rrafsh dhe në mjaft raste e pragëzuar në anën e përparshme, me qëllim që të ndalohet rrëshqitja eventuale e muraturës. Në gjatësi të ndryshme ky themel pëson shkallëzime të diktuara nga pjerësia e terrenit. Ka raste, megjithëse të rralla, kur si gurë themeli janë shfrytëzuar edhe shkëmbijt.
Mbi këtë themel ngrihet muri. — Ky përbëhet nga dy faqe të ndërtuara me gurë të mbëdhenj gëlqerorë të nxjerrë nga shkëmbinjtë masivë të vetë kodrës dhe të copëtuar në blloqe me anën e pykave metalike, siç c tregojnë edhe vetë gjurmat e këtij instrumenti të lënë mbi to. Boshllëku i krijuar, midis këtyre dy faqeve është i mbushur me gurë madhësije të ndryshme dhe sidomos ma çakëll të trashë të përfituar nga thyerja e gurëve gjatë proçesit të gdhendjes së tyre. Në largësi të ndryshme këto faqe lidhen midis tyre me breza muresh transversalë, të ndërtuar prej gurësh të mëdhenj të papunuar. Trashësia e murit luhat nga 3.20 deri 3.50 m.
Blloqet e dy faqeve të murit janë daltuar anash aq sa ishte e nevojshme për të siguruar një mbështetje dhe puthitje të mirë midis tyre, si në fugaturat horizontale ashtu edhe në ato vertikale. Faqet ballore të blloqeve janë lënë të gufmuara pas një punimi të trashë me çekiç. Ato kanë kryesisht formë trapezoidale të parregullt dhe përcaktojnë në përgjithësi stilin kryesor të mureve rre thuese të qytetit; ndeshen edhe forma poligonale, por këto janë shumë më të rralla.
Blloqet kanë përafërsisht këto përmasa; 162x0.54x0, 42 m.; l,58x0,54x X0,45m.; 0.82 X0.30 X0.40 m.; 0.58 X0.52 X0.30 m. etj. Përsa i përket rrjeshtimit të tyre, në muret e portave dhe të kullave, vërehet një prirje drejt vendosjes së blloqeve në rrjeshta afërsisht horizontalë me lartësi të ndryshme (ndërtim pseudoisodomik). Në pjesët e tjera të mureve rrethuese, përkundrazi, rrjeshtimi i blloqeve nuk është uniform. Krahas rrjeshtimit vijëdrejtë, ekziston edhe rrjeshtimi i valëzuar, ai i shkallëzuar nga dhëmbëzimet e blloqeve dhe thurja poligonale.
Vendosja e blloqeve në murë bëhej duke i rreshqitur ata në rula nëpërmjet planeve të pjerrta të ndërtuara posaçërisht ngjitur mureve.
Gjurmët e disa gropave të vogla, që janë gjetur të gdhendura në dy faqet anësore të blloqeve, tregojnë se për ngritjen e tyre në drejtimin vertikal është përdorur makaraja e pajisur me një vegël të posaçme metalike, që kishte afërsisht formën e një dare të madhe.
Qoshet e kullave, portave dhe kthesave drejtkëndore të mureve rrethuese, janë gjithmonë të gdhëndura në drejtim vertikal me një shirit të profiluar kënddrejtë, element ky gjerësisht i njohur në fotifikimet iliro-epirote.
Duke i përcaktuar, siç u tha edhe më sipër, muret fortifikuese të Lisit, në përgjithësi si të stilit trapezoidal të parregullt, nuk duhet lënë pa sqaruar dhe pozicioni i poligonalit në këtë lloj murëzimi. Detyrohemi të ndalemi në këtë problem, meqenëse ekzistojnë pikëpamje të ndryshme përsa i përket raportit kronologjik të këtyre stileve.
Prashniker-Shober, me të drejtë, i konsideruan këto dy stile të veçanta murëzimi në sistemin mbrojtës të qytetit, si të një faze të vetme ndërtimi9. Ata nuk na duken edhe aq bindës, vetëm kur përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen me natyrën herë të pjerrët. herë të sheshtë të terenit mbi të cilën ngriheshin këto mure10.
Bashkekzistenca e këtyre dy stileve në sistemin fortifikues të Lisit, mendojmë se duhet shpjeguar jo aq me relievln e terrenit, se sa me formacionin shkëmbor masiv të vëndit, prej të cilit jane nxjerrë gurët si edhe me nevojën e një shfrytëzimi maksimal të blloqeve me vëllimet dhe me format e nxjerra nga gurorja.
Ndryshe nga arkeologët austriakë, Bomo, i cili në kohët e fundit u muar me shqyrtimin e kronologjisë të disa fortifikimeve iliro-epirote, dallon në sistemin mbrojtës të Lisit jo një, por dy faza ndërtimi. Fazën e parë, të përfaqësuar, sipas mendimit të tij, nga stili poligonal pa rrjeshta (incoursed poligonal), ai e lidh me ekzistencën e një vendbanimi fortifikuar para shekullit IV p.e. sonë, kurse fazën e dytë, të përfaqësuar nga stili poligonal këndrejtë me rrjeshta (coursed-poligonal, ose sipas emërtimit tonë, trapezoidal i parregullt), si vepër e Dionizit plak të Sirakuzës11. Agrumentat që ai sjell në favor të këtij periodizimi, mbështeten në kritere thjesht stilistike, të cilat sipas mendimit tonë, jo gjithmonë të shpien në konkluzione të drejta kronologjike. Përveç kësaj, duhet thënë se fotografitë e përdorura nga Bomo për të ilustruar diferencimin stilistiko-kronologjik të mureve të Lisit, nuk mund të merren për bazë, meqenëse ato përfaqësojnë në të vërtetë pjesë të ndërlidhura organikisht me muret trapezoidale.
Zbulimet e reja në muret rrethuese si edhe në portat e kullat e qytetit, të panjohura më parë, kanë dhënë mundësi që të bëhen vrojtime të hollësishme në këtë drejtim. Nga këto vrojtime rezulton se blloqet poligonale në të gjitha rastet paraqesin të njëjtën teknikë punimi sikurse edhe ato trapezoidalë të parregullt dhe se murëzimi poligonal në përgiithësi nuk formon trakte të shkëputura, por gjendet i shpërndarë në muret trapezoidale të parregullt, i lidhur dhe i gërshetuar me të aq mirë, sa që nuk lë asnjë shteg për të dyshuar në karakterin bashkëkohës të tyre. Ka raste madje kur në të njëjtin trakt muri, njëra nga dy faqet e tij është e stilit poligonal dhe tjetra trapezoidal.


* * *


Në vende të ndryshme të sistemit mbrojtës të qytetit ruhen disa gjurmë të shkëputura muresh, të cilët, përsa i përket trajtimit stilistik të blloqeve, kanë ngjashmëri të madhe me muret e njërës nga kullat lindore të qytetit të sipërm, të ndërtuar që nga themelet dhe që dallon qartë si e një periudhe tjetër ndërtimi në krahasim me atë të mureve të sipërpërshkruara.
Studimi i plotë i veçorive tekniko-stilistike të këtij tipi të ri muri si edhe inkuadrimi kronologjik i tij, u bë i mundur vetëm nëpërmjet gërmimeve dhe punimeve rrënjësore restauruese që u kryen në murin e brëndshëm ndarës të qytetit. Ky mur, i ndërtuar që nga themeli në të gjithë gjatësinë e tij me të njejtën teknikë, lidhte dy krahët e mureve perimetralë të qytetit në dy pikat më të afërta të tyre. Prashniker-Shober e konsideruan këtë si të njëkohshëm me muret rrethuese të qytetit.
Muri i brendshëm ka një gjatësi rreth 200 m. dhe trashësi 1.70 m. Dy faqet e tij lidhen njëra me tjetrën me anën e disa blloqeve të gjatë të vendosur në drejtim të tërthortë me gjatësinë e murit. Hapsira midis këtyre dy faqeve është mbushur me gurë të vegjël.
Blloqet kanë përafërsisht këto përmasa: 1,10 X 0, 64x0,47 ; 1, 38 X 0,55 x X 0,57 ; 0,80 X 0,60 X 0,50 m. Ata janë të gdhendur mirë në faqet anësore. Faqja ballore e tyre nuk është më e gufmuar si tek muret e periudhës së parë, por e daltuar rrafsh dhe ka forma trapezoidale të parregullta me prirje drejtkëndore. Shpesh herë, faqet e gurëve janë të lugëzuar me daltë majëmprehtë në drejtime të ndryshme. Duhet të shtojmë se ky trajtim i përsosur i gurit nuk ndeshet në të gjithë gjatësinë e murit dhe aq më pak në faqen e brendëshme ku ajo pjesërisht mbuliohej nga dheu. Në vendosjen e blloqeve në muraturë bie në sy prirja për një rrjeshtim izodomik të tyre Në këtë mur gjejmë, për të parën herë, edhe grykën e një kanali të mbuluar dhe me lug të dalë e të gdhëndur, nëpërmjet të cilit shkarkoheshin ujrat e qytetit të sipërm.
Këto veçori tekniko-stilistike janë më se të mjaftushme për ta dalluar këtë mur të brendshëm si një ndërtim të dytë. Kjo bëhet akoma më e qartë kur kemi parasysh se trakte të vogla muresh, me të njëjtën teknikë e stil, janë gjetur të vendosura aty këtu edhe mbi muret e periudhës së parë.
Ndërtimet e periudhës së dytë, me karakter riforcimi, prekën të gjithë sistemin mbrojtës të qytetit.
Këtij muri, nga ana e mbrendëshme i mbështeten një radhë ambientesh me forma drejtkëndore dhe madhësi të ndryshme, ndërtuar me blloqe gurësh të njëllojtë me ato të murit ndarës. Punimet për zbulimin dhe restaurimin e këtyre ambienteve porsa kanë filluar, prandaj është akoma herët të shfaqim ndonjë mendim të përcaktuar mbi karakterin funksional të tyre. Megjithkëtë një gjë është që tani e sigurtë, se këto ambiente vazhdonin edhe përtej murit ndarës, deri tek Porta e Burimit


* * *


Qyteti ka pasur shumë hyrje të jashtme, nëpërmjet të cilave ai komunikonte me krahinat përreth, dhe hyrje të brendshme, që lidhnin rajonet e qytetit midis tyre. Vetëm qyteti i sipërm kishte dhjetë hyrje, shtatë nga të cilat janë zbuluar dhe pjesërisht restauruar. Në rajonin e poshtëm të qytetit ku muret në përgjithësi janë zhdukur nga ndërtimet e mëvonshme shumë shekullore, nuk është zbuluar deri tani asnjë hyrje, megjithëse të tilla pa tjetër duhet të kenë ekzistuar. Një numër kaq i madh hyrjesh, aspak i zakonshëm dhe për qytetet e mëdha të botës antike, e paraqesin Lisin si një qytet të rëndësishëm me një sistem urbanistik të zhvilluar, me një potencial të konsiderueshëm ekonomik dhe me një lëvizje të madhe popullsie.    .    .
Në përgjithësi hyrjet e zbuluara, nga pikëpamja planimetrike, konstruktive dhe arkitektonike kanë ngjashmëri të madhe midis tyre. Nga hyrje: e jashtme të studjuara, tri paraqiten si më kryesoret: ajo e Gaviarit12 në anën jugore të qytetit të sipërm, ajo Veriperendimore dhe hyrja e madhe me dy kulla në anën veriore të tij. Këto dallohen nga portat e tjera për përmasat e tyre të mëdha si edhe për pozicionin e rëndësishëm që ato zinin në shtrirjen topografike të qytetit, duke e lidhur atë me rrugët kryesore të komunikacionit që vinin nga veriu, nga jugu apo nga deti.
«Porta e Gaviarit» formohet nga ndërprerja e murit rrethues jugor me atë juglindor, pikërisht në qoshen ku takohen këto dy mure. Gjerësia e kësaj është 3.30 m., kurse gjatësia e korridorit 4.80 m. Në krahun e djathtë të hyrjes, porta është e mbrojtur nga një kullë drejtkëndëshe (11.20 x 9,60 m.) që del jashtë faqes së murit 5.50 m. Pragu i portës i vendosur 1.50 m. në brendësi të korridorit, përbëhet prej pesë blloqesh të mëdhenj, nga të cilët, dy anësorët janë pajisur me nga dy gropa drejtkëndëshe të dimensioneve të ndryshme që shërbenin për të fiksuar në to trarët e kasës dhe mekanizmat lëvizëse metalike të dy kanateve të portës.
Në afërsi të blloqeve anësorë gurët e pragut janë ngrënë në formë kanali, gjurmë këto të mbetura nga qarkullimi i vazhdueshëm i karrocave apo i qerreve të transportit. Kjo ka qenë një nga hyrjet nëpërmjet të cilave Lisi lidhej me Akrolisin si dhe me qytete të tjerë të vendosur në jug të tij. Në krahun e djathtë të hyrjes së kësaj porte ruhen gjurmë të një meremetimi të bërë, me sa duket, në periudhën e vonë antike. Ky është një trakt muri i ndërtuar me gurë të vegjël, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me fugatura të shënuara me mistri. Kjo tregon se hyrja ka funksionuar për një kohë të gjatë, së paku deri në prag të mesjetës; pas kësaj kohe ajo qe mbyllur me një mur të lartë gurësh të mëdhenj. «Porta Jugperëndimore» është e vendosur në krahun jugperëndimor të qytetit të sipërm dhe ka këto përmasa: gjerësia e hyrjes, 4.05 m., kurse thellësia e korridorit — 4,10 m. Kjo hyrje, ndryshe nga ajo e Gaviarit dhe e portave të tjera, e ka pragun në fillim të saj dhe korridorin brenda portës shumë të shkurtër. Në të djathtë të hyrjes, si zakonisht, porta është e mbrojtur nga një kullë e madhe në formë katërkëndëshi të çrregullt. Balli i hyrjes dhe njëra nga faqet e murit të korridorit të saj janë ndërtuar me blloqe të punuar me të njëjtën teknikë, po me dimensione më të vogla se ato të mureve të rrethimit të periudhës së parë. Këto përmasa të reduktuara lënë shteg që të mendohet për një rindërtim të mundshëm të kësaj hyrje në një kohë më të vonë, sidoqoftë përpara shekulli i I para e. sonë.
«Porta e madhe» me dy kulla është vendosur në anën veriore të qytetit me aksin e korridorit të saj në drejtim lindje-perëndim. Nëpërmjet kësaj hyrje qyteti lidhej kryesisht me krahinat malore dhe ato të veriut. Kjo është porta më e madhe e më e fortifikuar nga të gjitha portat e zbuluara deri tani. Porta mbrohet nga dy kulla të vendosura në të dy anët e saj përbrenda mureve rrethuese. Kullat kanë forma përafërsisht katrore dhe përmasa pothuajse të barabarta: 9.40 X 9,70 ; 9.50 X 7.80 m. Korridori i hyrjes, i formuar nga muret e kullave anësore, është i gjatë 9.60 m.; kurse gjerësia e tij në mes 4.20 m. Mbi pragun e shkallëzuar të portës gjenden tre blloqe: dy anësorët janë të ngjitur me muret e korridorit, kurse i treti, i vendosur në mes vertikalisht, shërbente për fiksimin e kanatave të portës gjatë mbylljes së saj. Në blloqet anësore, të cilat kanë forma të rregullta drejtkëndëshe dhe madhësi afërsisht të barabartë, gjenden të gdhendura gropëzat e inkasimit të portës. Në njërën prej tyre është ruajtur komplet dhe vetë çerniera metalike (prej bronzi), nëpërmjet së cilës viheshin në lëvizje kanatat e portës. Në murin e korridorit, në të majtë të hyrjes është gdhendur dhe gropa ku fiksohej llozi i portës.
Krahas këtyre portave kryesore, në qytetin e sipërm ka edhe hyrje të tjera më pak të rëndësishme, siç është «Porta e Vogël» e vendosur në mes të «Portës së Gaviarit» dhe asaj Jugperëndimore dhe «Porta e Burimit», pranë «Portës së Madhe», që të dyja këto të hapura pranë burimeve. Kjo gjë të shtyn të mendosh i se ato duhet të kenë shërbyer kryesisht për furnizimin e popullsisë së qytetit me  ujë të pijshëm.
«Porta e Vogël» është e mbrojtur me një kullë të vendosur në të  djathtë të hyrjes së saj. Ajo është më e vogla nga portat e jashtme të qytetit. Ka një gjerësi 1.57 m. dhe një korridor të gjatë 3.20 m. Pragu monolit i portës është i gropëzuar vetëm në njërën anë të tij. që tregon se porta mbyllej me një kanatë të vetme.
«Porta e Burimit», një nga portat më mirë të ruajtura, është e vendosur me aks të drejtuar perëndim-lindje dhe mbrohet nga një kullë katërkëndshe në të djathtë të hyrjes. Gjerësia e saj tek pragu, i vendosur në fund të korridorit, është 2,80 m., kurse gjatësia e korridorit 3.80 m. Dyshemeja përbrenda pragut të portës është e shtruar me pllaka të mëdha guri me trashësi 12  cm. element    ky
Që nuk gjendet     ose së paku nuk është ruajtur në hyrjet e tjera
Në murin e brendshëm ndarës të qytetit, i cili siç u tha edhe më sipër, përfaqëson një periudhë të dytë ndërtimi, u zbuluan dy porta, ndër të cilat ajo më e madhja, është e vendosur afërsisht në mesin e gjatësisë së murit, kurse tjetra më e vogël, 75 m. në jug të saj.
«Porta e Madhe e brendshme», u gjet shumë e dëmtuar dhe me spostime të theksuara themeli, të shkaktuara nga një rrëshqitje masive e shpatit të kodrës bri të cilit ajo është vendosur.
Në sajë të punimeve intensive restauruese që u bënë, kjo hyrje u ringrit duke marrë po atë formë që kishte pasur përpara se ajo të rrënohej krejtësisht,
Kjo hyrje paraqet në vetvete një sistem të veçantë dhe më të ndërlikuar mbrojtës, në krahasim me të tjerat. Hyrja në qytetin e sipërm bëhet me kthesë dhe mbrohet përpara portës nga kulla që ajo ka në krahun e majtë, kurse mbas portës, në kthesë, ajo kontrollohet prej një ambienti me planimetri drejtkëndëshi, që mund të konsiderohet fare mirë si një kullë e dytë e brendshme. Pragu e kësaj porte është vendosur në mes të korridorit dhe, përsa i përket mënyrës së ndërtimit dhe materialit të përdorur, ka ngjashmëri me pragun e «Portës së Madhe», me dy kulla dhe me atë të «Portës Jugperëndimore». Në blloqet anësore të tij u gjetën «in situ» dy çernierat prej bronzi të inkasuara dhe të fiksuara me plumb, po ashtu si edhe në pragjet e portave të tjera ku ato janë ruajtur. Del e qartë, nga sa u tha më sipër, se këta elemente duhet të përfaqësojnë si në «Portën e Madhe» me dy kulla, ashtu edhe në portat e tjera, mbeturina ndërtimesh më të vona të njëkohshme me ato të periudhës së dytë të ndërtimit. Edhe kjo portë mbyllej nga brenda me anë të llozit gropa e mbërthimit të të cilit ruhet në murin e djathtë të saj.
Periudhës së dytë i përket edhe rindërtimi i një hyrjeje tjetër të jashtme të vendosur në murin verilindor të qytetit të sipërm, rreth 30 m. mbi «Portën e Madhe» me dy kulla. Nga kjo hyrje është ruajtur njëri nga muret e korridorit të saj, i cili nga pikëpamja stilistike është krejt i ngjashëm me murin e brendshëm.
Në qoftë se ne sot njohim shumë mirë zgjidhjen planimetrike të hyrjeve të Lisit, sistemin mbrojtës dhe veçoritë teknike dhe funksionale të tyre, ndryshe qëndron çështja me mbulesën e tyre. Ne nuk dimë se si ka qenë zgjidhur kjo nga pikëpamja konstruktive dhe arkitektonike, meqenëse nuk është gjetur deri tani asnjë element që të na orientojë në këtë drejtim. Këtu nuk e kemi fjalën për portat e vogla, të cilat mund të kenë qenë mbuluar me arkitrarë, por për portat me hapësirë drite të madhe, ku përdorimi i arkitrarëve monolitë është i pamundur Gjithashtu është vështirë të mendohet edhe për një përdorim të sistemit të harkuar të mbulesës, meqenëse qoshet e këtyre portave, megjithëse janë të ruajtura në një lartësi të konsiderueshme, nuk japin shenja kurbëzimi.


* * *

Muret dhe hyrjet e qytetit kanë qenë të mbrojtura nga një numër i madh kullash. Vetëm në rrethimin e sipërm të tij dallohen qartë 17 të tilla; ndër to 6 i përkasin periudhës së dytë të ndërtimit. Ngritjes së kullave i është kushtuar një kujdes i veçantë sidomos në vendosjen e blloqeve. Stilistikisht ato priren drejt murëzimit trapezoidal pseudoizodomik. Me përjashtim të një kulle të rrumbullakët e cila gjendet në kthesën e murit jugor, të gjitha të tjerat janë katërkëndëshe. Kullat gjenden larg njera-tjetrës zakonisht 40-50 m. Ne vende me pjerrësi të theksuar, funksionin e tyre e kanë kryer kthesat drejtkëndëshe të murit; këtë zgjidhje e vërejmë të përsëritur dy herë në murin juglindor dhe një një rast të vetëm, në murin verilindor.
Kullat dalin nga faqja e mureve 5,5 4-8m, kurse gjatësia e ballit të tyre lëviz nga 6-M 0.50. Përbrenda kullat janë gjithmonë të mbushura me gurë madhësije tëj ndryshme deri në lartësinë e qarkullimit të mbrojtësve. Ngjitja në këto kulla bëhej me anë të shkallëve të ngurta të vendosura përbri mureve të tyre Këto shkallë ruhen pjesërisht në kullën e «Portës së Vogël» dhe në atë Jugperëndimore; kurse gjurmët e bazamentit të tyre duken në kullat e «Portës së Graviarit» dhe të asaj të «Burimit».


* * *

Paraqitja e këtyre veçorive konstruktive arkitektonike dhe stilistike të sis temit rrethues të Lisit, që posa i analizuam shkurtimisht në këtë punim, nuk do të ishte e plotë po të mos shtrohej edhe çështja e inkuadrimit kohor të këti rrethimi, aq më tepër kur dihet se për datimin e tij janë shprehur edhe mendime të ndryshme. Kështu, si shembull, disa studjues, të cilët e quajtën Lisin krijesi të veprimtarisë kolonizuese të Dionizit të Sirakuzës në Adriatik, caktuan si kohë të ngritjes së mureve rrethuese të tij fillimin e shekullit IV p.e.sonë13. Prashniker e Shober i konsideruan këto mure edhe si një burim datimi për konstruksiontet e tjera fortifikuese të ngjashme tipologjikisht me ato të Lisit. Bomo, në këtë drejtim, shkoi edhe më larg. Ai i vlerësoi këto si një bazë kryesore për vendosjen e një kronologjie absolute të mureve iliro-epirote14.Novaku dhe tani së fundi Garasanin, në kundërshtim me të parët, e konsiderojnë Lisin si një qytet ilir; duke u nisur nga burime të tërthorta historike, nga të dhëna epigrafike dhe krahasime tipologjike i datojnë këto mure: i pari në fund të shekullit IV ose nga fillimi i shekullit III p.e. sonë15, ndërsa i dyti në periudhën midis kalimit të shekullit IV dhe çerekut të tretë të shekullit III p.e. sonë16.
Për datimin e themelimit të qytetit, rrjedhimisht dhe të mureve rrethuese të tij, ne jemi mbështetur në rezultatet e gërmimeve arkeologjike të këtyre viteve të fundit.
Duhet thënë që në fillim se, gjatë zbulimit të portave ku përqëndruam kryesisht gërmimet, nuk hasëm në asnjë vend depozitime të rregullta kulturale. Ky fenomen ka shpjegimin e vet. Portat, siç e treguan edhe gërmimet, funksionuan për një periudhë shumë të gjatë deri në kohën e vonë antike apo mesjetare, në të cilën ato qenë mbyllur. Në këto rrethana mbushja e tyre u bë vonë dhe pak a shumë e shpejtë me rënjen e dherave nga lart, të përziera edhe me hedhurina të ndryshme. Megjithkëtë, ka rëndësi të shënohet fakti, se në këto depozitime të çrregullta kulturale të përfaqësuara nga fragmente të shumta objektesh qeramike dhe metalike me karakter, destinacion dhe moshë të ndryshme, si edhe nga mjaft monedha helenistike, romake dhe bizantine, materialet më të hershme nuk shtyhen kurrë përtej fundit të shekullit IV dhe fillimit të shekullit II p.e.sonë. Pikërisht kësaj kohe i përkasin edhe fragmentete qeramikës së tipit apul të datuara mirë.
Datimit të mureve rrethuese të qytetit i shërbyen edhe dy gërmime të vogla kontrolli, që u bënë njëri në majën e Kodrës së kalasë dhe tjetri në afërsi të bregut ië Drinit. Edhe në këto dy pika sondazhi, kësaj radhe me stratifikim deri diku të rregullt kulturash; mesjetare dhe romake me përzjerje objektesh helenistike në kala, dhe romake-helenistike buzë Drinit, elementet më të hershme i përkasin gjithashtu fundit të shekullit IV ose fillimit të shekullit III p.e. sonë. Janë pikërishl këto të dhëna arkeologjike stratigrafike të përfituara nga gërmimet e deritanishme, që na shtyjnë të mendojmë se fundi i shekullit IV p.e. sonë duhet të shënojë dhe kohën e themelimit të qytetit dhe fillimin e ngritjes së mureve mbrojtëse të tij.
Kjo është edhe periudha e formimit të një vargu qytetesh dhe qytezash të tjera të fortifikuara ilire jo shumë larg Lisit, siç janë Skodra, Zgërdheshi në rrethin e Krujës, Xibri në Mat etj. gërmimet arkeologjike në Zgërdhesh17 e Xibër18. duke përfshirë dhe ato të Lisit, kanë dhënë materiale të shumta që i lidhin këto qendra të fortifikuara ilire jo vetëm nga pikëpamja kronologjike, por edhe ekonomiko-kulturale.
Në dritën e këtyre të dhënave të reja kronologjike, duket qartë se nuk mund të qëndrojë më datimi tradicional i themelimit të Lisit në vitin 390 ose 385 p.e.s. dhe aq më pak teza që e lidh themelimin e tij me veprimtarinë kolonizuese të Dionizit plak të Sirakuzës.
Për forcimin e këtij mendimi do të ishte me interes të përmendet edhe fakt se deri tani, në asnjë vend të zonës së qytetit antik, nuk është gjetur, qoftë edhe rastësisht, ndonjë mbishkrim greqisht ose monedhë parahelenistike, që të tregojë, të paktën tërthorazi, për qënjen e Lisit koloni helene; nuk ka asnjë fragment arkitekture dhe qeramike të prodhimit klasik të shekullit IV p.e.sonë, që të flasë për zhvillimin e veprimtarisë qytetare në këtë kohë. Të gjitha këto, për mendimin tonë, dëshmojnë «ex silentio» për fillimin e jetës qytetare në Lis jo përpara fundit të shekullit IV p.e.sonë. Natyrisht, ky qytet nuk u ngrit në një vend të zbrazët, por të banuar që më përpara nga popullsi ilire, e cila mbrohej nga qendra e saj e fortifikuar mbi majën e Kodrës së Kalasë. Ishte, siç duket, ky vendbanim i fortifikuar ilir, i cili në proçesin e zhvillimit të pandërprerë ekonomiko-shoqëror, u shndërrua në një qendër të madhe me ekonomi e kulturë qytetare ilire, të rrethuar me mure të reja fortifikimi më të fuqishme se sa ato të banimit pararendës, me një konstruksion të përsosur për atë kohë dhe me një stil ndërtimi trapezoidal-poligonal karakteristik për mjaft qendra të fortifikuara të njëkohshme iliro-epirote. Këto mure të sistemit mbrojtës të qytetit, sa të bukur aq edhe madhështorë, janë padyshim vepër e mjeshtërve vendas ilirë, të cilët ndërtuan sipas stilit të kohës, duke pasur si bazë edhe përvojën e tyre shumëshekullore. Ato nuk janë vepër e konstruktorëve helenë, siç i quajtën pa të drejtë Prashniker-Shober.
Për datimin e mureve të periudhës së dytë të ndërtimit në sistemin e fortifikimit të Lisit, ne jemi nisur nga fragmentet e qeramikës së shekullit II-I p.e. sonë, të zbuluara në mbushjfen e murit të brendshëm, si edhe nga dy mbishkrime dative latine të gjetur në vitin 1968. Në këto mbishkrime bëhet fjalë për ripërtëritje muresh, të një kulle dhe të një porte, të kryera me vendim të këshillit të qytetit dhe nën përkujdesjen e magjistratëve ekzekutivë të tij L.Gaviarit augur dhe Meges libert i K.J. Qezarit. Mbishkrimet i përkasin mezit të shekullit I p.e.s. Për një riforcim të tillë të sistemit mbrojtës të qytetit flet edhe tradita e shkruar historike. Vetë Qezari, nën juridiksionin e të cilit giëndej aso kohe Lisi, në veprën e tij «Mbi luftat civile» e përmend këtë fakt me fjalët: «.... këshilli i qytetarëve romakë, që kishte në dorë Lisin, qytet të cilin ua kishte besuar më parë Qezari dhe ishte përkujdesur ta fortifikonte.. .»19. Siç shihet pra, këtu kemi të bëjmë me një përputhje të përsosur të burimeve historike me ato epigrafike për çështjen e kohës së përforcimit të mureve rrethuese të qytetit, që do të ishte pikërisht mesi i shekullit I p.e. sonë.
Meqë ra rasti, duhet thënë se mbishkrimet e sipërpërmendura, të cilat kanë qenë murosur dikur në vende të ndryshme të rrethimit, për të përkujtuar magjistratët që u kujdesuan për forcimin e Lisit dhe për bashkësinë qytetare, me shpenzimet e së cilës u kryen punimet, nuk janë të parat që zbulohen në truallin e këtij qyteti të lashtë. Që në vitin 1436 Qiriaku i Ankonës pat parë dhe pat lexuar mbi mur një epigram të tillë të ngjashëm nga përmbajtja20, që u datua si i periudhës së hershme perandorake21 dhe që u shërbeu studjuesve si dokument për të provuar një rindërtim të dytë të mureve rrethuese mbas atij të shekullit I p.e.sonë. Mirëpo në dritën e mbishkrimeve të reja ne kemi bindjen se ky epigram i Qiriakut, sot i zhdukur, është lexuar gabim në rrjeshtin e parë dhe datuar gjithashtu gabim. Kështu, fjala ARNN që vjen fill mbas emrit gjentilik GAVI dhe të cilin Momsen e quajti si një patronim apo emër tribuje22, të plotësuar më vonë me pikëpyetje ARNNENSIS23, sipas mendimit tonë duhet lexuar ARIUS, duke e konsideruar këtë si mbaresë të emrit gjentilik GAVI-ARIUS. Kështu, në rrjeshtin e parë, në vend të L.GAVI, ARNN, AUG, do të kemi L. GAVIARIUS AUG.., që do të ishte në rastin tonë po ai GAVIARIUS AUGUR për të cilin bëjnë fjalë mbishkrimet tona të shekullit I p.e.sonë. Me këtë korigjim leximi dhe datimi, privohet nga baza dokumentare dhe mendimi për një rindërtime të dytë të Lisit në periudhën e hershme perandorake24. Natyrisht, riforcimi në sistemin e fortifikimit të qytetit ka pasë edhe më vonë, por jo në shekujt e parë të e. sonë. Shumë-shumë, ato mund të lidhen me periudhën e vonë antike. Ato janë riforcime të pjesshme që dallojnë nga të parat për karakterin e tyre të shpejtë dhe shkeleshko, duke vendosur në mënyrë të parregullt njërin mbi tjetrin blloqet e rrëzuar dhe duke reduktuar trashësinë e murit fillestar perimetral nga 3.20 m. që ishte, në 2 m.

 

* * *


Duke përmbledhur, nga sa u tha më sipër, del se Lisi nuk ka qenë asnjëherë koloni sirakuziane, por një qytet i madh dhe i fuqishëm ilir pranë Adriatikut. Fjala Lis, në tekstin e Diodorit të Siqelisë, duhet lexuar ose së paku nënkuptuar Issa. Këtë mendim e kanë shprehur shumë dijetarë, duke u nisur që nga gjysma e dytë e shekullit XVII. Kështu, jo Lisi, por Issa ka qenë themeluar në fillim të shekullit IV p.e.s. nga Dionizi plak i Sirakuzës.
Si qytet, Lisi, u formua nga fundi i shekullit IV p.e.s. Pasi shpërtheu kufijtë e ngushtë të vendbanimit pararendës ilir me një ekonomi e kulturë paraurbane qyteti u zgjerua tatëpjetë shpatit të Kodrës së Kalasë deri në breg të lumit Drin Ai u fortifikua me mure të fuqishme, në të cilët bashkekzistojnë në një thurje mjeshtrore dhe harmonike të dy stilet e njohura të kohës, trapezoidali i parregullt dhe poligonali.
Në sajë të pozicionit gjeografik shumë të favorshëm, Lisi u rrit shpejt si një qytet i madh dhe i pasur ilir me një prodhimtari intensive zejtaro-agrare dhe me një kulturë të zhvilluar qytetare. Ai u bë qendër e dalluar politike dhe strategjike brenda kufijve të shtetit ilir të Agronit dhe një nyje e rëndësishme komunikacioni tregëtar tokësor dhe detar.
Nga fundi i shekullit II ose nga fillimi i shekullit I p.e. sonë, muret e rrethimit të qytetit kishin pësuar dëmtime të rënda. Fuqia mbrojtëse e tyre ishte do. bësuar. Ndërkaq Lisi rrezikohej, me sa duket, nga lëvizja kryengritëse e Pirustëve. Ishin ndoshta pikërisht këto rrethana pasigurie, që e detyruan këshillin e dekurionëve të qytetit për të marrë masa urgjente për riforcimin e sistemit mbrojtës të tij.
Dy vendbanimet më të hershme të fortifikuara ilire mbi malin e Shelbuemit dhe mbi Kodrën e Kalasë, paraqesin dy faza suksesive pararendëse në procesin e ngadalshëm, por të pandërprerë të formimit të qytetit antik. Kjo ecuri e shkallëzuar në rrugën e formimit të kësaj qendre të rëndësishme ekonomike dhe politike ilire, ndiqet jo vetëm në zgjerimin progresiv të sipërfaqes së vendbanimeve të përmendura, por edhe në përmirësimin për herë e më të madh të teknikës së ndërtimit të mureve rrethuese të tyre, përmirësim ky i arritur si rezultat i zhvillimit në vijë rritëse të forcave prodhuese të ilirëve të kësaj krahine të pasur bregdetare.

Zhvillimi progresiv tekniko-stilistik i mureve të ndryshme, në zonën e qytetit antik të Lisit gjatë mijvjeçarit të fundit para e. sonë, mund të paraqitet përmbledhtazi në këtë stratifikim kronologjik relativ:
LIS I — muret rrethuese të vendbanimit prehistorik ilir mbi majën e Shelbuemit.
LISII — muret rrethuese të vendbanimit të dytë paraqytetar ilir mbi kodrën e kalasë.
LIS IIIa — muret rrethuese të qytetit të Lisit.
LIS IIIb — muret e rindërtimit të Lisit.
Gërmimet dhe punimet restauruese, që do të vazhdojnë në vitet e ardhshme, do të hedhin më tepër dritë, si mbi problemet të cilat u shqyrtuan në këtë punim, ashtu edhe mbi çështjet e tjera shumë të rëndësishme të karakterit ekonomik dhe kultural të Lisit, të cilat mendojmë t’i trajtojmë në një rast tjetër.

 


Frano Prendi, Koço Zheku, «Iliria» II, 1972, f  215- 244.

 

 

1)  Praschniker-Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro,Wien 1919, f. 23-25;
2)  Praschniker-Schober, Vep. e cit., f. 23-25.
3)  S. Islami — H. Ceka, Të dhëna të reja mbi lashtësinë ilire në teritorin e Shqipërisë, «Konf. e Studimeve Albanologjike», Tiranë 1965, f. 450, 451.
4)  CIL III, nr. 1704.
5)  Praschniker-Schober, Vep. e c!t., f. 15, fig. 22.
6)  Praschniker-Schober, Vep. cit., f. 15, fig. 22.
7)  Po aty, f. 20, fig. 22.
8)  Rilevimet topografike janë bërë nga topografi P. Maraçi.
9)  Praschniker-Schober, vep. e cit. f. 20.
10) Praschniker-Schober, vep. e cit. f. 16.
11) R. L. Beaumont, Corinth, Ambracia, Apollonia (shih shtesën f. 72). Për mure të tilla poligonale më të hershëm në Lis, bën fjalë edhe R. L. Scranton, Vep. e cit., f. 84
12) L. Gaviari, me emrin e të cilit ne kemi emërtuar këtë portë, ishte magistrati ekzekutiv Lisit që u përkujdes për riforcimin e mureve rrethues të qytetit. Këtë e tregon mbishkrim i zbuluar brënda kësaj hyrje.
13) Praschniker-Schober Vep, e cit. f. 14 marrin si datë të themelimit të Lisit dhe të ndërtim të mureve, vitin 385 p.e.s.; ndërsa Fluss në Pauly Wissova, Real-Encyclopadie sv. Lisso, duke e konsideruar gabim datimin e arkeologëve austriakë, shënon si kohë të themelimi të qytetit vitin rreth 390 p.e.sonë.
14) R.L. Beaumont, Corinth, Ambracia, Apollonia, f. 69.
15) G. Novak, Vep. e cit., f. 115. Autori, duke dashur të përcaktojë kohën e themelimit të qytetit të Lisit dhe të fortifikimit të tij, nxjerr si «terminus post quem» vitin rreth 335 p. e. sonë kohë kur Pseudo-Skylaksi shkroi periplusin e tij, në të cilin nuk përmendet fare Lisi si qytet, kurse si «terminus ante quem» kohën e sulmit maqedon mbi Lisin dhe Akrolisin të përshkruar me aq vërtetësi nga Polybi (Polyb. VII) 13, 14). Kështu Lisi përfundon Novaku. — nuk ka qenë i fortifikuar para v. 335 p.e.s., por para v. 213 p.e.sonë, pra në fund të shekullit IV ose në fillim të shekullit III p.e.sonë,
16) M, Garasanin, Moenia Aeacia, «Starinar», N.S. XVII, Beograd, 1967 f. 32.
17) S. lslami, Qyteti Ilir në Zgërdhedh, në këtë vëilim.
18) S. Islami, Kalaja ilire e Xibrit, Konf. e II Albanologjike, vëll. II, Tiranë, 1969, f. 215 v.
19) Caesar, B. civ. III. 29.
20) CIL III n. 1704; Th. Ippen, Vep. e cit., f. 57; P. C. Sestieri, Nënshkrime latine të Shqipnisë «Studime e tekste», dega II, nr. 1 Tiranë 1943, f. 49
21) Praschniker-Schober, Vep. e cit., f. 20, P. C. Sestieri, Vep, e cit f. 49.
22) CIL, III, n. 1704.
23) Th. Ippen, Vep. e cit.. f. 57; P.C. Sestieri, Vep. e cit., f. 49.
24) Praschniker-Schober, Vep. e cit. f. 20.

 

F. Prendi, K. Zheku


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...