Oshtima

Vendbanimet kryesore të Neolitit të Hershëm

Për të dhënë natyrën dhe kronologjinë e vendbanimeve kryesore Neolitit të Hershëm, evidentimi i tipareve më karakteristike të kulrës materiale, janë pjesë e rëndësishme e të dhënave bazë mbi të cilat mund të ngrihen analizat komplekse për përkatësitë dhe veçoritë e tyre. Në rastin e Shqipërisë mungesa prej shumicës së vendbanimeve Neolitit të Hershëm e të dhënave që vijnë nga datimi absolut i shtresave kulturore, nga analizat e qeramikës, të florës e faunës të cilat lidhen me ekonominë neolitike etj., nuk mundësojnë arritjen e përfundimeve të sigurta. Megjithatë të dhënat e grumbulluara nga gërmimet për kulturën materiale të banorëve të neolitit të hershëm janë të domosdoshme për të mësuar për tiparet më të përgjithshme të tyre. Vendbanimet më të rëndësishme të Neolitit të Hershëm të njohur deri sot në Shqipëri janë:

Vlusha përfaqësohet nga: pika A në Vidhëz dhe B në Armeni ku u gjetën vegla stralli mikrolitike e qeramikë trashanike (Ylli 1980, 1990). Veglat mikrolite janë të ngjashme me ato të gjetura në Konispol, Kryegjatë, Sidari, Crvena Stijena dhe Torre Sabea të Italisë së Jugut (Prendi 2008a: 829; Korkuti 2010: 43-45). Fragmentet e enëve të gjetura në të dy pikat janë trashanike, me pjekje jo të mirë dhe me ngjyrë gri në të zezë dhe shumë rrallë në të kuqërremtë. Të zbukuruara janë pak fragmente me gropëzime të bëra me shtypje dhe shirit plastik të gropëzuar. Nga këto tregues Vlusha është e ngjashme me Sidarin e nivelit C (Prendi 2008a: 839-42; Korkuti 2010: 43-45). Prania e elementeve kulturorë të mezolitit shihet si një mundësi e neolitizmit mbi një bazë më të hershme vendase.

Burim I (Prendi, Andrea 1981) Qeramika trashanike zë vendin kryesor, kurse ajo e hollë ka përdorim të kufizuar me ngjyrë të kuqe  mat. Zbukurimet janë impreso e barbotin dhe aplikohet në qeramikë të trashë. Zbukurimi me pikturim ndeshet shumë rrallë dhe realizohet me vija në ngjyrë kafe të errët pa shumë kujdes, të ngjashme me ato të Kolshit I dhe Rajcë I (Gjipali 1997). Nga interpretimi i këtyre të dhënave, Burimi I është vlerësuar si fazë e vonë e NH për Korkutin (2010: 86-92) dhe Gjipalin (1997), ndërsa Prendi (2008b: 191) dhe Bunguri (2010) e vlerësojnë si fazë të hershme.

Podgoria. Sipas Korkutit (2010: 45) ka dy faza Ia e Ib, ndërsa Prendi paraqet tre faza a, b, c (Prendi 2008a: 834-37) ku qeramika përbëhet nga ajo monokrome e kuqe (duke zënë vendin kryesor) dhe pak monokrome gri në të zezë. Qeramika e pikturuar është kategoria kryesore tipike për Podgorinë. Ajo monokrome e kuqe dhe gri e zezë zbukurohet me dekor plastik. Në fazën e dytë, kur bie cilësia e qeramikës monokrome dhe asaj të pikturuar, del qeramika me dekor barbotin dhe shtohet ai impreso. Të dy autorët mbajnë qëndrim të njëjtë për sa i përket vlerësimit kronologjik brenda rajonit juglindor.

Vashtëmia është e përfaqësuar gjerësisht nga qeramika, ajo monokrome me ngjyrë të kuqe si dhe qeramika e pikturuar që zë vendin kryesor. Pas tyre vijnë qeramika monokrome me ngjyrë gri e gri të errët me përdorim të kufizuar, ndërsa impreso dhe barbotine në sasi fare të vogël. Qeramika monokrome e kuqe, me lustër të dobët në pjesën dërmuese të qeramikës së hollë. Zbukurimet sipas intensitetit të përdorimit renditen: pikturimi, hullia, incizimi, zbukurimi në reliev, impresua dhe barbotini. Dekori me pikturim është kategori kryesore për qeramikën e hollë të zbukuruar. Vendbanimi është konsideruar i një fazë relativisht të vonë të Neolitit të Hershëm, i ngjashëm me Prodromin në Thesali dhe me Presesklon, fazën Magulica (Korkuti 2010: 54-71; Prendi 2008b), por kërkimet e fundit flasin për një fazë të fillimit të Neolitit të Hershëm. (Allen, Gjipali 2010-2011).

Barçi I. Karakterizohet nga qeramika monokrome e kuqe, ajo me pikturim të bardhë mbi sfondin e kuq, qeramika impreso dhe ajo me dekor barbotin. Kronologjikisht është vlerësuar i njëkohshëm me Podgorien Ib (Lera 1993: 15; Korkuti 2010: 71).

Kolshi I. Karakterizohet nga qeramika barbotine, qeramika e zbukuruar me shtypje e pickim thoi, nga qeramika e pikturuar me bojë kafe të errët mbi sfond të kuq me shkëlqim, si dhe nga tryezat e kultit e figurinat antropomorfe që e veçojnë atë si kulturë më vete. Kolshi I ndryshon në disa tipare kryesore nga Podgori I që e lidhin atë me Rudnikun III dhe përfshihet në variantin jugor të grupit kulturor Starçevo Ilb (Korkuti 2010: 72-86). Prendi e lidh atë me Burimin I, ndonëse jo drejtpërdrejtë por me ekzistencën e mundshme të një faze tjetër ndërmjet tyre (Prendi 2008a: 832-4).

Cetush I. Karakteristikë është qeramika e trashë, ngjyrë kafe e nuanca të saj, e kuqja është më e rrallë dhe pa lustër. Qeramika e hollë është shumë e pakët si në Burim. Zbukurimet janë të thjeshta të bëra gati të gjitha në qeramikë të trashë. Vendin e parë e zë dekori impreso me pickim thoi. Incizimi është bërë me vija që mbushin gjithë sipërfaqen e enës, kurse barbotini është përdorur në enë me parete të trasha. Është datuar si fazë e vonë e Neolitit të Hershëm. Sipas Korkutit (2010: 92-96) është i njëkohshëm me Burimin I. Bunguri e inkuadron me kulturën e Burim I edhe në pikëpamje kronologjike (Bunguri 2010: 44).

Blazi I dhe II. Ndryshe nga autorët e gërmimit Prendi e Andrea, të cilët dallojnë një fazë para neolitike dhe një të Neolitit të Hershëm (Prendi, Andrea 1981: 15-49), Korkuti i përfshin të dy fazat në Neolin e Hershëm (Korkuti 2010: 92-96). Qeramika është e pakët si ajo e trashë dhe e hollë. Format kryesore të enëve janë trupë fryrë, ka dhe enë konike e bikonike. Vendin kryesor të zbukurimit e zë impreso (më rrallë impreso-kardium). Fragmentet e zbukuruara me barbotin janë të rralla të cilat nuk e ndryshojnë karakterin impreso-kardium të Blazit II. Në kronologjinë relative Blazi II sipas Korkutit vendoset në një kohë me Kolshin I e rrjedhimisht me fazën Starçevo Ilb (Korkuti 2010: 92- 96). Edhe Prendi nga krahasimet me vendbanimet neolitike Adriatike e Ballkano Qendrore jep të njëjtin vlerësim në pikëpamje kronologjike, por me karakteristika pak më të ndryshme kulturore.

Neziri I. Gjetjet e neolitit të hershëm janë të pakta, qeramikë e trashë me ngjyrë gri, kafe dhe të kuqërremtë, kurse ajo me punim mesatar është zakonisht e lëmuar, me shkëlqim të dobët, me ngjyrë gri e kafe të çelët. Fragmentet e zbukuruara janë të pakta, impreso e barbotin i përfaqësuar vetëm nga dy fragmente. Pozicionohet kronologjikisht në fundin e neolitit të hershëm (Andrea 1989; Korku: 2010: 98).

Katundasi është vendbanim shpellor shumë shtresor. Në shtresën e Neolitit të Hershëm, Katundas I, vendin kryesor e zë qeramika e trashë me ngjyrë gri ku janë realizuar zbukurimet impreso dhe barbotin. Grupi tjetër i qeramikës me parete mesatare mund të quhet monokrome jo tipike, sepse ngjyra gri ose kafe nuk është uniforme. Dekori impreso është mjaft i rregullt e rrallë me pickim thoi. Mungon impreso e stilit devollit, si dhe impreso-kardium. Dekori barbotin është me përdorim të kufizuar. Materiali i shtresës të Katundasit I si qeramika e trashë, ajo monokrome jo tipike, zbukurimi impreso e barbotin, e vendos atë në një fazë fundore të Neolitit të Hershëm, në një pozicion të ndërmjetëm midis kulturave të Shqipërisë juglindore dhe atyre adriatikase (Korkuti 2010: 99-103), kurse Prendi e klasifikon pjesë të grupit të Neolitit të Hershëm të Adriatikut bashkë me Blazin. (Prendi 2008a: 842).

Rajca I. Përbëhet nga dy shtresa kulturore që përfaqësojnë faza të periudhës së Neolitit të Hershëm. Kategoritë kryesore të poçerisë janë qeramika barbotine, monokrome e kuqe, më pak ajo me ngjyrë kafe dhe e zezë, qeramika e pikturuar me ngjyrë kafe të errët mbi sfond të kuq me vija, si dhe një fragment i pikturuar me bojë të bardhë mbi sfond te kuq. Kategori tjetër është dekori impreso e bërë me pickim thoi e më e rrallë impreso devollite. Të gjitha këto tipare e vendosin atë në një fazë të zhvilluar e fundore të Neolitit të Hershëm të zonës lindore (Gjipali 1997; Korkuti 2010: 104).

Konispoli është vendbanim shumë shtresor. Shtresa që përfaqëson Neolitin është emërtuar Konispol III. Neoliti i Hershëm i Konispolit përfaqësohet nga një shtresë me gjetje të pakta (kocka, qeramike e stralle). Qeramika ka seksion të trashë dhe pak nga enët janë të lëmuara. Ato afrojnë me monokromen por nuk janë uniforme në ngjyrë për shkak të pjekjes. Ngjyrat më shumë janë të kuqe e kafe por dhe nuanca gri të errët. Për sa i përket formave enët janë të ngjashme me vendbanimet e tjera të Neolitit të Hershëm. Zbukurimi përfaqësohet nga impreso me pickim thoi dhe me instrument (devollite) që njihen në Epirin e Veriut. Mungon qeramika e pikturuar ashtu si në Greqinë Veriperëndimore. Këto tipare e vendosin Konispolin III kronologjikisht me vendbanimet e Podgories I, Velushka Tumba I/II dhe Porodin në Pelagoni, Presesklo në Thesali, Starçevo në Serbi e Smilçiç në Dalmaci (Korkuti 1996).

 

 

 

 


Epoka e gurit dhe Shqipëria, Tiranë 2012.

Ilir Gjipali


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...