Oshtima

Gjurmë arkaike në veshjet tradicionale të popullit shqiptar

Për të gjurmuar lidhjet e popullit të sotshëm me një popull të lashtë, zakonisht mbështetemi te karakteri etnik dhe nëpërmjet një krahasimi diakronik, përpiqemi të gjurmojmë pika takimi në mes tyre. Kjo është një metodë e mirë pune, por nuk është e mjaftueshme dhe gjithnjë e sigurtë. Duke pasur parasysh karakterin dinamik të traditave dhe kohën e gjatë në mes të dy epokave, duhet të pranojmë se ndryshimet janë aq të shumta dhe aq të thella sa me vështirësi të madhe mund të zbulohen lidhjet në mes tyre. P.sh. po të marrim ato pak të. dhëna që kemi për veshjet e banorëve të hershëm të vendit tonë dhe t’i krahasojmë me veshjet e sotshme të popullit, do të shohim se ndryshimet janë aq të mëdha sa me shumë vështirësi mund të zbulojmë pika takimi.
Por, ndërsa me anë të një krahasimi diakronik këto lidhje zbulohen me, vështirësi, nëpërmjet një krahasimi sinkronik ato dalin shumë më të qarta e shumë më të sigurta. Nëpërmjet mbeturinave që janë ruajtur në krahina të ndryshme të një populli, ne arrijmë të bëjmë rekonstruksionin e proçesit historik të zhvillimit dhe nqa format më të zhvilluara arrijmë në format primitive, duke zbuluar të gjitha hallkat e ndërmjetme të këtij zhvillimi. P.sh. po të marrim një veshje nga një krahinë dhe ta krahasojmë me veshjet e krahinave të tjera, ne mund të zbulojmë format paraardhëse të sajë dhe shkallë-shkallë arrijmë tek format primitive që janë të ngjashme me të dhënat ekzistuese për veshjet e njohura të lashtësisë.
Në këtë kumtesë po marrim në shqyrtim veshjet tradicionale të popullit shqiptar dhe nëpërmjet një krahasimi të kombinuar sinkronik e diakronik, do të përpiqemi të gjurmojmë lidhjet e tyre me veshjet e banorëve të lashtë të vendit tonë.


* * *

Gjer në fillim të shekullit tonë populli shqiptar kishte ende në përdorim të përditshëm veshjet e tij tradicionale. Në këtë kohë vetëm në disa qytete dhe në disa shtresa të popullsisë së tyre kishte filluar të hynte veshja e përbashkët evropiane. Gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli, për hir të zhvillimit ekonomik e social që njohu populli ynë, veshjet e tij tradicionale, diku pjesërisht, diku tërësisht, u zëvendësuan me veshjet evropiane. Veshjet tradicionale mbetën vetëm si objekte përdorimi për manifestime folklorike e festivale popullore.
Nga një vështrim i përgjithshëm i veshjeve tradicionale të popullit shqiptar të bie në sy menjëherë larmia e madhe e paraqitjes vetëm çdo krahinë por shpesh edhe një fshat, në disa raste edhe një grup i veçantë ekonomiko-social njerëzish brenda një fshati, kishte një veshje të veçantë të vetën. Po të bëjmë një listë të veshjeve të ndryshme që kishte në përdorim populli ynë në fillim të shekullit tonë, shohim se numri i tyre arrin gjer në 140 forma të ndryshme, çka është një gjë e rrallë po të krahasohet me sasinë numerike dhe shtrirjen territoriale të tij. Larmia më e madhe e veshjeve shihet më tepër te gruaja se te burri, më tepër në veri se në jugë të vendit tonë. Larmia e madhe e veshjeve u shkaktua nga faktorë të ndryshëm, që do të vihen në dukje gjatë analizës.
Por në mes të larmisë së madhe të veshjeve popullore, shohim edhe njësinë e mahnitshme të tyre. Ndërmjet formave më të largëta, midis paraqitjeve më të ndryshme, gjejmë lidhje të forta që i bashkërendojnë këto veshje në një njësi të madhe organike. Njësia dhe larmia në veshjet tradicionale të popullit tonë janë dy elemente me rëndësi për studimin e tyre historik.


* * *

Para se t’i marrim në shqyrtim veshjet tradicionale të popullit shqiptar, duhet bërë seleksionimi dhe kategorizimi i tyre. Për të bërë një seleksionim dhe kategorizim shkencor, duhet që më parë të përcaktohet një kriter për këtë punë. Në mes të kritereve të ndryshme ku bazohen për seleksionimin e kategorizimin e veshjeve popullore, po përdorim atë të gjenezës së tyre. Po të gjurmojmë proçesin historik të zhvillimit të veshjeve shqiptare, shohim se për disa prej tyre arrijmë të ndjekim gjurmët që nga format e sotshme gjer në format primitive, kurse për disa të tjera këto gjurmë i zbulojmë vetëm gjer në një shkallë të caktuar zhvillimi. Kështu p.sh., po të ndjekim proçesin historik të zhvillimit të tirqeve që quhen edhe çakçire, kofshare etj. shohim në Malësi të Madhe formën më të zhvilluar të tyre me preher, shqeka etj.; në Mirditë vetëm me preher; në Lumë e Dibër mungon edhe prehri dhe paraqesin formën më interesante, atë të kalimit në kofsharë; nga kofsharët që lanë gjurmët kudo në Shqipëri, zbulojmë aty këtu gjunjakët, që paraqesih format paraardhëse të tyre; në Lumë e Mirditës përdorin për dimër dy copë zhguni, që mbështiellin kërcinjt e këmbëve, të cilët paraqesin format fillestare të tirqeve.
Po kështu edhe për fustanellën, që e gjejmë në veri të gjatë e të gjerë në gjysmë të kërcimit në Shqipëri të mesme gjer në gju në jug gjer mbi gju në disa fshatra e gjejmë të ngjitur me këmishë; në disa të tjera të shkëputur nga këmisha etj. Kështu ndodh edhe me gunën, brekushet, xhupletën etj. veshje shqiptare, që u arritën të gjurmohen gjer në format fillestare të tyre. Kurse po të marrim në shqyrtim dimitet (çitianet, tumanet) gjejmë në përdorim të popullit tonë vetëm dimitet e plota, treçerekësh dhe gjysma, kurse format më primitive mungojnë, ndërsa tek popujt e tjerë gjenden edhe format më primitive gjer në formën e parë. E njejta gjë vërehet edhe për xhybetë, ferexhetë, pirpiritë etj. të cilave nuk u zbulohen rrënjët në traditat e popullit tonë.
Nga kjo analizë arriimë në konkluzionin se midis veshjeve tradicionale të popullit tonë, dallojmë dy grupe veshjesh: veshje autoktone që lindën dhe u zhvilluan në vend dhe veshje të importuara që lindën tek popuj të tjerë por që hynë në përdorim gjatë shekujsh edhe tek populli ynë. Po t'i marrim në shqyrtim këto dy kategori veshjesh, shohim se, nga pikëpamja sasiore veshjet autoktone janë më të shumta se sa veshjet e importuara. Veshjet autoktone i gjejmë më tepër në vise malore e vende të izoluara, kurse veshjet e importuara kryesisht në qytete dhe në fshatrat pranë tyre. Veshjet e importuara i përdorin më tepër gratë se sa burrat. Këto janë më të përhapura në jug se në veri.
Në këtë kumtesë, ne kemi për qëllim të gjurmojmë lidhjet në mes të veshjeve të popullit tonë dhe të popujve të lashtësisë që banuan në këtë truall, prandaj veshjet e importuara dalin jashtë kuadrit të kësaj kumtese.


* * *

Megjithëse veshjet tradicionale të popullit tonë i seleksionuam duke veçuar veshjet autoktone nga veshjet e importuara, prapëseprapë numri 5 veshjeve autoktone që po marrim në shqyrtim është aq i madh sa nuk mund të përfshihet i tëri, pa i bërë atij një kategorizim.
Megjithë larminë që paraqesin, veshjet autoktone nuk janë krejt të ndryshme. Ato ruajnë disa elemente të përbashkëta dhe kanë disa pika takimi që i lidhin midis tyre, duke formuar grupe të ndryshme veshjesh. P.sh. po të shqyrtojmë veshjet e gruas dardhare, mokrare, myzeqare, shpatarake, të gruas së Çermeneikës, Martaneshit, Dibrës, Matit, Mirditës, Lumës, Postripës etj, ose veshjet e burrit të Malësisë së Madhe, të Mirditës, të Matit, të Lumës, Dibrës, Kurbinit etj., shohim se të gjitha këto veshje lidhen në mes tyre me veçori të përbashkëta. Të gjitha kanë të njëjtën strukturë morfologjike kudo del si pjesë kryesore guna që mbështjell trupin lart e poshtë, kudo dalin kalcet që mbështjellin këmbët, kudo dalin të njëjtat lëvere për të mbrojtur pjesët e zbuluara të trupit etj. Etnografët shqiptarë, duke u mbështetur në këto elemente të përbashkëta, përcaktuan një tip veshjeje më vete që e quajtën «tipi i gunës».  Ndërsa po të shqyrtojmë veshjen e gruas së Malësisë së Madhe, Dukagjinit Nikaj e Mërturit, Shllakut e Temalit, Berishës etj. shohim se veshja e tyre paraqitet me një strukturë morfologjike tjetër. Kudo del xhupleta në formë kambane, që mbulon pjesët e poshtme të trupit, e mbyllur para e mbrapa, duke lënë zbuluar pjesët e sipërme. Etnografët shqiptarë, duke u nisur nga këto elemente të përbashkëta, përcaktuan një tip të dytë veshjeje, që e e quajtën «tipi i xhupletës».
Tipi i gunës dhe ai i xhupletës përfshijnë rreth tyre të gjitha veshjet e përcaktuara si veshje autoktone në përdorim të popullit shqiptar. Çdo veshje në përdorim të tij, lidhet sipas kësaj ose asaj forme me njërin nga këto dy tipa.
Por si veshjet e njerit tip ashtu ato të tipit tjetër, nuk mund të mendohen si veshje identike, pa asnjë ndryshim midis tyre. Veshjet e secilit tip kanë veçoritë e veta. Këto ndryshime të lehta, që vihen re brenda çdo tipi, përftojnë larminë e madhe të veshjeve popullore, të cilat, megjithëse ruajnë vija të përbashkëta, kanë veçori dhe tipare të veçanta. Po t' i marrim në shqyrtim ndryshimet e veçanta brenda një tipi, shohim se kemi dy kategori: së pari, ndryshime që nuk e prekin formën ose vijën e përgjithshme të strukturës morfologjike të tipit, të cilat përftojnë «variantet» e tij dhe së dyti, ndryshime që e transformojnë strukturën morfologjike, të cilat quhen «derivate» të atij tipit.
Variantet paraqesin ndryshime anësore si p.sh.: Guna e Postripës, Berishës, Dukagjinit, Mirditës, Kurbinit, Matit, Dibrës, Martaneshit, Shpatit të Elbasanit, Mokrës, rrethit të Pogradecit, Myzeqesë etj. ishte e bardhë, me ngjyrën natyrore të materialit; guna e Lumës, Çermenikës, Polisit, Dardhës etj. kishte ngjyrën e zezë; guna e vajzës së Zerqanit — të kuqe etj. Po ashtu kemi ndryshime të lehta edhe në formë: gunë cilindrike, hyperbolojde, trung-koni etj. Megjithatë, në secilin nga këto variante shihet qartë se kemi të bëjmë me gunën.
Derivatet e tyre paraqesin ndryshime më të thella, që prekin strukturën    morfologjike    të veshjeve si p.sh. kur hyn një pjesë e re në veshje apo del një pjesë tradicionale nga veshja; kur një pjesë e veshjes del në plan të parë për shkak se zhduket një tjetër etj. Si shembull variantesh marrim fustanellën ku këmisha del në plan të parë duke zëvendësuar gunën; pastaj tirqet që rrjedh nga kalcet të cilat dalin në plan të parë, duke zëvendësuar fustanellën; ose brekushet që shprehin zhvillimin e mëtejshëm të brekëve duke zëvendësuar tirqet etj. Derivatet në dukjen e jashtme nuk kanë lidhje me tipet e ndryshme por lidhen me ta vetëm nga ana gjenetike.
Variantet e një tipi shprehin kushtet e veçanta të jetës së krahinave të ndryshme, kurse derivatet e tyre shprehin shkallën më të ultë ose më të lartë të zhvillimit të njerës krahinë ndaj tjetrës.
Nëpërmjet varianteve e derivateve gjyrmojmë lidhjet e veshjeve dhe procesin historik të zhvillimit të tyre dhe duke i analizuar ato arrijmë te prototipi dhe origjina e veshjeve.

* * *

Megjithqë dy tipat e veshjeve që përshkruam janë që të dy autoktonë, që lindën dhe u zhvilluan në vend, janë aq të ndryshme në mes tyre sa nuk del asnjë lidhje me asnjë pikë takimi. Për të parë më qartë ndryshimin rrënjësor në mes tyre, duhet të gjurmojmë formën e parë ose prototipin e tyre.
Po të marrim në shqyrtim tipin e gunës, shohim se ai sot përbëhet nga shumë pjesë si nga këmisha, të lintat (brekët), guna, brezi, kofsharët, çarapët, të mbathurat, opingat, mbulesa e kokës dhe te gruaja edhe përparja, Nga këto pjesë të ndryshme të kësaj veshjeje, shohim se vetëm pesë janë më të hershme, që shprehin elementet e para të saj. Këto pesë pjesë janë; guna, kofsharët, brezi, llabanja dhe opingat. Këto janë elementet fillestare të kësaj veshjeje për këto arësye: 1. vetëm këto nuk mungojnë në asnjë veshje; 2. vetëm këto konsiderohen si pjesë kryesore të veshjes; 3. këto elemente mjaftojnë për të mbuluar gjithë trupin, kurse të tjerat janë pjesë plotësuese; 4. vetëm këto ishin të leshta, kurse të tjerat bëheshin me çdo material; 5 vetëm këto punoheshin në shtëpi nga vetë gruaja etj. Që këto janë pesë elementet fillestare të kësaj veshjeje dhe përfaqësojnë prototipin e saj na e dëshmon edhe një skulpturë arkeologjike që B. Dautaj ka zbuluar në Dimal, në të cilën shihet një burrë i mbështjellë vetëm me këto pjesë. Këtë e shohim edhe në kohë të vona, që tek i varfëri, mund të mungonte çdo pjesë e veshjes por kurrë guna, kalcet, llabanja ose brezi.
Tipi i xhupletës përbëhet gjithashtu nga shumë pjesë si xhupleta, paraniku mbështjaku, brezi, kraholi, mëngët, gryka etj. Nga të gjitha këto, vetëm xhupleta me dy pjesët para e mbrapa është elementi fillestar i kësai veshjeje sepse:  1) vetëm ajo është më solide, kurse të tjerat janë shtesa të lidhura lirshëm në mes tyre; 2) vetëm ajo  është gjithnjë e leshtë dhe në asnjë rast nuk zë vendësohet me material tjetër; 3) vetëm ajo punohet në shtëpi nga çdo grua etj. Që vetëm xhupleta është pjesë fillestare e kësaj veshjeje, element i prototipit, na e vërtetojnë edhe zbulimet arkeologjike në Klishevacit (Jugosllavi) ku paraqitet një grua me një veshie në formë të xhupletës ndërsa pjesët e tjera të kësaj veshjeje u mungojnë.
Tani që arritëm në elementët fillestarë të këtyre dy veshjeve, shohim më qartë se ato janë krejt të ndryshme në mes tyre dhe se nuk kanë lidhje as nga ana e strukturës morfologjike as nga ana    funksionale.
Nga ana e strukturës morfologjike tipi i xhupletës paraqitet si një veshje që mbulon vetëm pjesët e poshtme të trupit, e mbyllur përpara e mbrapa, që ka gjasë se rrjedh nga dy pjesët e vogla që njeriu primitiv vendoste para e mbrapa, duke lënë krejt pjesët e trupit të zbuluara, prandaj ajo bën pjesë në grupin e veshjeve të quajtura «a double tablette»; kurse tipi i gunës, paraqitet si një veshje e sipërme dhe e poshtme, që mbështjell krejt trupin dhe që rrjedh nga lëkura e kafshëve që njeriu primitiv ia përshtaste trupit, duke mbuluar të gjitha pjesët e tij.
Nga ana funksionale, tipi i xhupletës që mbulonte vetëm pjesët e poshtme të trupit duke lënë të sipërmet të zbuluara, kishte si qëllim fillestar mbrojtjen nga insektet e mërzitshme dhe në asnjë mënyrë mbrojtjen nga të ftohtit, prandaj qe një veshje e vendeve me klimë të ngrohtë; kurse tipi i gunës që mbulon të gjitha pjesët e trupit nga lart poshtë, duhet të ketë qënë një veshje tipike e vendeve të ftohta.


* * *

Shkencëtarë të ndryshëm, të vendit e të huaj, u morën jo vetëm me seleksionimin dhe klasifikimin e veshjeve shqiptare por edhe me përcaktimin se cilit rreth kultural të lashtësisë i përkisnin këto dy tipa veshjeje ose cili popull i kohës së lashtë i kishte në përdorim. Meqënëse në këtë punim po mbështetemi kryesisht në krahasimin sinkronik, është e nevojshme të përcaktojmë më parë shtrirjen territoriale të këtyre dy tipave me variantet e derivatet e secilit dhe pastaj të hyjmë në problemin e gjenezës dhe të origjinës së tyre. Duke i lidhur së bashku gjurmët e mbeturinave etnografike dhe arkeologjike, shohim se këto dy tipa të ndryshme veshjesh nuk shtriheshin vetëm në territorin e Shqipërisë por edhe jashtë tij, në një hapësirë gjeografike shumë të gjerë.
Tipi i xhupletës sot ruhet në disa grupe popullsie brenda Alpeve të Veriut, por sipas të dhënave arkeologjike, në të kaluarën e lashtë shtrihej në të gjithë pellgun e Mesdheut që nga Azia e Vogël e gjer në Spanjë. Kurse tipi i gunës me variantet dhe derivatet e tij, shtrihej në gjithë territorin shqiptar. Duke ndjekur mbeturinat e tij dëshmohet se në një të kaluar jo shumë e largët, qe një veshje e përbashkët për të gjithë Ballkanin dhe shtrihej dhe jashtë tij në Evropën qëndrore. Duke krahasuar këto dy shtrirje, shohim se tipi i xhupletës qe një veshje kryesisht e Evropës jugore, kurse tipi i gunës qe një veshje e Evropës qëndrore dhe pjesërisht jugore.
Në lidhje me përkatësinë kulturale të këtyre dy tipeve u bënë përpjekje të shumta nga studjues të ndryshëm të vendit e të huaj dhe u arritën mjaft përfundime të kënaqshme.
Me caktimin e përkatësisë kulturale të tipit të xhupletës u morën kryesisht arkeologu Wilke dhe etnografi Nopça. Pas zbulimit të disa figurave në shpellat e Spanjës, të disa figurinave keramike në Klishevac, në figurat e disa vazove me piktura të zbuluara në Kretë, si edhe në disa figurina të zbuluara në Anatoli, arkeologu Wilke bëri krahasimin e tyre dhe gjeti analogji aq të mëdha sa i përcaktoi si shfaqie të përbashkëta të një qytetërimi të lashtë mesdhetar, që pati për qëndër Kretën. Nqa këto materiale Wilke nxori në dritë se ky qytetërim i përbashkët shprehej edhe me një veshje të përbashkët dhe u përpoq të bëjë edhe rekonstruksionin e saj. Ndërkaq etnografi Franc Nopça, duke studjuar xhupletën shqiptare, vuri re se ajo ruan shumë analogji me veshjen e vjetër mesdhetare që studjoi Wilke. Nopça vendosi në një anë materialet e shpellave iberike, figurinave ballkanike, të vazove të Kretës dhe të figurinave anatolike dhe në anë tjetër xhupletën shqiptare me variantet e saj dhe arriti në përfundim se ato kanë një gjenezë të përbashkët edhe se xhupleta është një mbeturinë e veshjes së hershme të kulturës mesdhetare. Mendimin e Nopçes e mbështetën edhe historianë, arkeologë dhe etnografë të tjerë si p.sh. Hoernes, Willke, Evans, Vasits, Heberland, Bataglia etj.
Ndërsa në caktimin e përkatësisë kulturale të tipit të gunës nuk ka ende një mendim unik. Në një stelë të zbuluar në Drashovicë, e cila ndodhet në Muzeumin e Vlorës, shihet në basoreliev figura e një iliri. Në këtë figurë dallohet qartë guna. Edhe në zbulimet që në kohët e fundit ka bërë B. Dautaj, dolën në dritë dy skulptura ilire: skulptura e një gruaje me veshjen e gunës, e zbuluar në Ballsh dhe skulptura e një burri me veshjen e gunës, kallce e llabene zbuluar në Dimal. Duke u mbështetur në këto të dhëna dhe në gjurmët e kësaj veshjeje në bregun perëndimor të Ballkanit, etnografë dhe arkeologë shqiptarë kanë mbështetur mendimin e Nopçës, Schuchardit etj. se kio është një veshje ilire. Por materiale në lidhje me gunën, janë gjetur edhe në viset e tjera të Ballkanit. Në Rumani. p.sh., në shtyllat e Trajanit, në basorelievet përreth, shohim ushtarë dakë që paraqiten të gjithë me gunën e vjetër, të ngjashme me atë që përdor populli rumun. Autorë të ndryshëm si Fischer, Oprescu, Nocolaescu, Vuia, Florescu etj. duke analizuar skulpturat e ndryshme të zbuluara në Rumani, ndeshën plotësisht në gunën e sotme të popullit rumun. Opresru shkruan se në vizitën që i bëri Akademisë së Arteve në Romë, pa shumë figurina të ndryshme dakësh e trakësh të veshur me guna. Nga këto të dhëna rezulton se tipi i gunës qe në përdorim edhe të popujve dakë e trakë.


* * *

Kështu, nga analiza që u bëmë veshjeve tradicionale të popullit shqiptar, mund të arrijmë në disa përfundime:
Larmia e madhe e veshjeve të popullit shqiptar nuk tregon Veshje të ndryshme, por variante e derivate të dy tipave kryesore të veshjes. Variantet u shkaktuan nga kushtet e veçanta të jetës së krahinave të ndryshme, derivatet — nga shkallët e ndryshme të zhvillimit.
Tipi i gunës me variantet e tij shtrihej në gjithë Ballkanin dhe në Evropën qëndrore, kurse tipi i xhupletës la gjurmët e tij kudo në pellgun e mesdheut. Tipi i gunës mbështjell gjithë trupin, kurse ai i xhupletës vetëm pjesën e poshtme të tij. Nga ana funksionale tipi i gunës qe një veshje e vendeve të ftohta, kurse tipi i xhupletës një veshje karakteristike e vendeve të ngrohta.
Në lidhje me përkatësinë kulturale, tipi i gunës qe një veshje e popujve ilirë dhe trakë, kurse tipi i xhupletës qe një veshje e popullit të lashtë mesdhetar. Tipi i gunës dhe tipi i xhupletës nuk kanë asnjë lidhje në mes tyre, as nga ana strukturale as nga ana funksionale.
Te populli shqiptar qenë në përdorim mbeturina nga të dy tipet, por ndërsa tipi i gunës shtrihej në përdorim te gjithë populli, ai i xhupletës shtrihej në disa grupe popullsie të mbyllura brenda Alpeve të Veriut.

 

 

 


Kuvendi i Studimeve ilire II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1974.

Rrok Zojzi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...