Oshtima

Rritja ekonomike e Shqipërisë fashiste

Në vitet e para të regjimit fashist, në Shqipëri ndodhën shëndrrime të mëdha ekonomike, si pasojë e futjes së  kapitalit shtetëror ose privat Italian. Grupet e mëdha financiare si "Banca d'Italia", Banco di Napoli", "Montecatini", etj, krijuan në Shqipëri degët e tyre. Në mars 1940 numëroheshin 140 ndërmarrje të ndryshme ekonomike dhe dy vjet më pas, 366 të tilla. Projekt i rëndësishëm mbeti ai i bonifikimit të përgjithshëm të 200 mijë hektarëve tokë të Shqipërisë i hartuar nga Ciano dhe senatori Prampolini dhe që parashikonte vendosjen e 20 mijë kolonëve italianë. Punime të shumta u kryen në kryeqytet. Sidomos qendra e Tiranës njohu ritme të reja zhvillimi, duke krijuar një kontrast të madh me pjesët e tjera të qytetit. Për të përgatitur e shqyrtuar planet rregulluese të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Sarandës, e më gjerë, më 12 tetor 1939, u krijua Zyra Qendrore për Ndërtimet dhe Urbanistikën, pranë Ministrisë Punëve të Brendshme. Po kështu nisën të hartoheshin planet e reja rregulluese të qyteteve të cilat, hynin në fuqi vetëm me dekret të mëkëmbësit1.

Në Tiranë, u shtruan rrugët kryesore të qytetit si dhe u ndërtuan shumë objekte kryesore si pallati i Liktorit (sot godina qendrore e universitetit), sheshi i Liktorit (sot "Nënë Tereza") me objektet e tjera përreth, hotel "Dajti", zyrat e Mëkëmbësisë (sot kryeministria), përfunduan Pallati Mbretëror, pjesa më e madhe e punimeve të stadiumit kombtar, materniteti, pallatet e nënpunësve, etj. U ndërtuan ujësjellsa në Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Elbasan, u shtruan rrugët kryesore të vendit, si dhe zgjatimi i tyre në drejtim të kufijve2. Filluan rrugët e reja Kukës-Peshkopi, Pukë-Kukës, Gramsh-Tresovë, si dhe konstruksionet e rrugëve dytsore.

Ndër përparësitë e qeverisë së tij, Vërlaci përmendte koncesionet Italo-shqiptare, veprat botore për një zhvillim prej 2 mijë km tërësisht të përfunduar, pajisjen e çdo komune me një mjek, përmisimin e porteve, përmirsimin e bujqësisë arsimit, etj. Ai vuri në dukje se vetëm bonifikimet parashikoheshin në masën 197 mijë hektarë. Sipas tij në këtë kohë në Shqipëri kishte 25 mijë punëtorë nga të cilët rreth 1.200 ishin italianë si specialist3

Më 27 prill 1940 në Kavajë, filluan punimet për ndërtimin e hekurudhës së parë Durrës-Labinot, me një ceremoni ku kanë marrë pjesë, përveç kryeministrit Vërlaci, sekretari i përgjithshëm i Mëkëmbësisë Piero Parini , Xhaferr Ypi, Maliq Bushati, Andon Beça, Izedin Beshiri etj4. Punimet kishin filluar edhe në Labinot. Thuhej se vitin e ardhshëm trenat do të qarkullonin ndërmjet Durrësit dhe Elbasanit me "ngarkesa të çmueshme mallrash, mineralesh dhe udhëtarë". Theksohej shfaqja "rishtas e Vija Egnatia"5

Në kulmin e këtyre punimeve, bëri një vizitë në Shqipëri më 10-18 maj 1941, Vittorio Emanuele III. Me këtë rast, Shefqet Vërlaci shpërndau një manifest nëpër Shqipëri rreth qëllimeve të vizitës së perandorit. Në aeroportin e Tiranës, atë e pritën të gjithë autoritet e larta të vendit, ndërsa gjatë një manifestimi ka përshëndetur kryebashkiaku i Tiranës, Ali Erebara. Mbreti perandor përuroi edhe Pallatin Mbretëror të nisur më parë nga Mbreti Zog. Këtu, ai kryesoi një mbledhje të qeverisë Shqiptare si dhe nxorri dekretin e faljes për shumë të burgosur. Më pas, për rreth 50 të ftuar, shtroi një drekë madhëstore. Të nesërmen, mbreti perandor vizitoi bashkësitë fetare, duke u rikthyer sërish në Pallatin Mbretëror ku priti përfaqësi të prefekturave të veshur me kostume kombëtare. Vizitat kanë vazhduar në jug të Shqipërisë në zonat ku kishte pasur më parë luftime, pastaj në Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Krujë, Durrës, dhe Shkodër6. Perandori dhuroi 1 milion franga ari për të dëmtuarit e luftës Italo-greke7

Në spitalin e Tiranës, mbreti perandor dekretoi nënsekretarin fashist, Kolë Bibë Mirakaj, i plagosur ky në "fronin shkodran"8. Ndaj Emanuele III, u bë një atentat i pasukseshëm nga Vasil Laçi. Dy javë më vonë atentatori u var në mjediset e burgut të Tiranës.

Më 30 prill 1940, këshilltari Germano Secreti paraqiti në KEFK, raportin për shqyrtimin e buxhetit, i cili u lexua nga Emin Toro. Këtu përmendej se shteti kishte 99 çifligje me rreth 5- hektarë, ku jetonin 1627 familje bujqish9. Këshilltari propoznte që shteti nuk duhej të mbante bujq, të saktësonte informacionin rreth sipërfaqeve të tyre, të shihte rastet e grabitjes, si dhe shpërndarjen e kësaj toke për bujqit pa tokë në sipërfaqe 10-20 hetarë për familje e jo 2.5 siç ishte më parë. Sipas këshilltarit, kishte nevojë që reforma të shtrihej edhe në2 mijë familje të tjera me pak tokë10.

Në një fjalim programatik të mbajtur në vitin 1942, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Kostandin Kotte, u ndal në gjendjen ekonomike të Shqipërisë në ato vite, duke i kushtuar rëndësi të posaçme bujqësisë. Sipas tij, Shqipëria "bashkë me tokat e lirume" kishte sipërfaqe bujqësore-pyjore prej 2.451.882 hektarësj, ndërsa Shqipëria londineze kishte pasur 331.450 hektarë tokë të punueshme dhe 303 mijë hektarë tokë prodhimesh të papunueshme, 826 mijë hektarë kullota, 991 mijë hektarë koijresh e pyejsh, ndërsa tokat joprodhuese mbulonin më shumë se 300 mijë hetarë. Industria e drurit sillte prodhime të mëdha.

Prodhimi mesatar i drithrave arrinte në 2.250.000 kv nga të cilat 500 mijë grurë dhe 1.500.000 misër, gjendje e cila kishte ndryshuar, pas bashkimit tl 1941. Sipas ministrit, Shqipëria kishte në këtë kohë 2 milion kokë dhen çka zinte 75% të eksporteve të vendit. Ministri nënvizonte zhvillimin industrial, duke përmendur ndërtimin e fabrikave të vajit, sapunit, shqerit, duhanit, përpunimit të lëkurëve, prodhimit të tekstileve, shtimit të mjeteve të transportit etj. 

Në këtë kuadër ai rëndiste si përparësi të qeverisë, nxjerrjen e mineraleve, të cilat i ndante në dy sektorë: metalik dhe jometalikë. Këtu përmendeshin shoqëria SAMIA për kërkimin e  barkrit në Pukë me mundësinë e transportit teleferik, shoqëria AMMI për nxjerrjen e kromit, derivati i saj FERRALBA (i kaluar më pas në shoqërinë financiare siderurgjike FINSIDER), industria e nxjerrëse e serës, ajo e naftës me parashikimin e 5 mijë tonelatave kraburant krijimi i fushës vajgurore të Devollit me parashikimin për të nxjerrë 155 mijë ton naftë, riaktivizimi i zonës së Patosit të lënë nga Britanikët e tj11.

 

Kastriot Dervishi, "Historia e shtetit shqiptar 1912-2005".

 

1. "Fletorja zyrtare", 25 tetor 1939.

2. "Albania fascista" 1939, faqe 147.

3. Shevket Vërlaci, "Rendi i ri në Shqipëri", Tiranë 1940, faqe 1-15.

4. "Tomorri", 28 prill 1940.

5. Po aty, 2 maj 1940.

6.  "Mbreti perandor në Shqipni", Tiranë 1941, faqe 5-16.

7. "Tomorri", 11 maj 1941.

8. Po aty, 18 maj 1941.

9. AQSH, F146, V.1940, D.122, fleta 93.

10. Po aty, faqe 95-96.

11. "Gjendja ekonmike e shqipnis", Tiranë 1942, faqe 7-18.

Kastriot Dervishi


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...