Oshtima

Qytetet, fshatrat dhe veglat bujqësore të ilirëve

Ilirët e jugut i kanë njohur mirë kushtet e favorshme të tokës dhe të klimës së trevave të banuara prej tyre për zhvillimin e bujqësisë. Ato janë përpjekur t’i shfytëzojnë këto kushte në dobi të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe kanë luftuar, sa herë është dashur, për të mbrojtur vendin e tyre të begatë. Të gjitha këto shihen qartë në gjeografinë e vendbanimeve ilire të mëdha e të vogla, të fortifikuara e të pambrojtura me mure rrethuese, veçanërisht të atyre të ngritura në shekujt V-I p.e. sonë, periudhë kjo më e rëndësishmja në hisorinë e të parëve tanë ilirë.

Vendbanimet e ilirëve si ato që u zhvilluan dhe u bënë qytete apo qyteza të fortifikuara në kohën e rendit skllavopronar, ashtu edhe ato që mbetën fshatra të pafortifikuar, me fizionomi bujqësore, kanë, deri diku, karakteristika të përbashkëta në vendosjen e tyre. Pjesa më e madhe e qendërbanimeve të fortifikuara ilire ngrihej mbi maja kodrash relativisht të larta, në krahina pjellore pranë fushave e pllajave të gjera, në luginat e lumenjve dhe pranë rrugëve më të rrahura të komunikacionit. Ato kishin përreth në përgjithësi një territor bujqësor relativisht të gjerë. Në krye të këtyre qendërbanimeve të fortifikuara ishin qytetet e mëdha, të cilat kishin gjithashtu periferinë e tyre bujqësore, duke qenë në të njëjtën kohë qendra të një krahine etnogjeografike mjaft të madhe, ku shumicën e popullsisë e përbënin fshatarët.


Qytetete mëdha të Ilirisë Jugore si qendra skllavopronare karakterizoheshin nga një përqëndrim zejtarësh për prodhimin e sendeve të ndryshme, nga mbizotërimi i pronës private dhe nga një veprimtari tregtare e rëndësishme. Përveç pranisë së kësaj baze ekonomike disa nga qytetet e mëdha ilire kishin edhe funksione me karakter politik, administrativ e fetar dhe nganjëherë edhe ushtarak.

Kërkimet arkeologjike kanë dhënë dëshmi të shumta të pozicionit të mirë gjeografik të qyteteve ilire në lidhje me territorin e tyre bujqësor dhe njëkohësisht dhe me rolin që ka luajtur bujqësia në ekonominë e tyre. Duke filluar nga shek. IV p.e. sonë, në trevat jugore ilire numri i qyteteve dhe i qytezave të fortifikuara ilire është rritur; bashkë me ta u shtuan dhe u zmadhuan edhe fshatrat. Të gjitha këto kanë qenë lidhur me një rritje të popullsisë ilire, që ndodhi edhe si pasojë e zhvillimit të gjithanshëm ekonomik. Krahinat e brendshme ilire, sidomos ato malore, mbetën më tepër dhe deri vonë vende ku mbizotëruan fshatrat dhe popullsia fshatare. Por edhe në qytetet, veçanërisht në qytezat e vogla, u ruajt gjatë mënyra fshatare e jetesës.

Fshatrat ilire, të vogla e të mëdha, shtriheshin rrëzë vargjeve të kodrave, nganjëherë edhe mbi kurrizet e kodrave të ulëta. Ata u zhvilluan në mënyrë spontane pa ndonjë plan sistemimi. Fshatarët, ashtu si bujqit e qyteteve, kultivonin shpeshherë edhe arat që ishin larg banesave të tyre. Gjeografia e fshatrave të lashta nuk ndryshonte shumë nga ajo e fshatrave të sotëm. Kjo është vërejtur gjatë ekspeditave arkeologjike të bëra në luginën e Shushicës (rrethi i Vlorës), në zonën e Mallakastrës dhe në rrethin e Skraparit.

Fshatrat ilire kanë qenë të lidhura ngushtë me qytetet si konsumatorë të mallrave të prodhuara prej tyre. Metalpunuesit, poçarët e zejtarët e tjerë prodhonin në seri të gjitha llojet e veglave të punës, orenditë e sendet e tjera për të cilat kishin nevojë fshatarët. Qytetet, nga ana tjetër, ishin tregjet e konsumatorët e prodhimeve bujqësore e blegtoriale. Një pjesë e mirë e fshatrave ilire, sikurse tregojnë zbulimet arkeologjike të bëra gjatë punimeve bujqësore, kanë pasur në përgjithësi të njëjtën kulturë materiale e shpirtërore si qytetet. Për arsye të gjetjeve të pamjaftueshme në vendet e fshatrave ilire nuk ka të dhëna të plota për banesat fshatare, sidomos për ndërtimet ndihmëse, stalla etj., që lidhen me bujqësinë e blegtorinë.

Në shekujt V-I p. e sonë Iliria e jugut kishte arritur një zhvillim ekonomik e shoqëror që nuk ndryshonte nga ai i vendeve mesdhetare. Kjo do të thotë se edhe bujqësia dhe ekonomia bujqësore e ilirëve nuk ndryshonte nga ajo e popujve mesdhetarë, se ata kishin arritur një nivel relativisht të lartë të forcave prodhuese. Në gërmimet arkeologjike të bëra në rrënojat e disa qendërbanimeve të fortifikuara ilire janë gjetur vegla bujqësore të llojeve të ndryshme të cilat u përgjigjen kërkesave të një bujqësie intensive për atë kohë.

Po fillojmë me veglat bujqësore të zbuluara në një fushatë gërmimi të bërë në qytezën ilire, që dy mijë e më shumë vjet më parë ngrihej në Hollm të Qinamit të Kolonjës. Midis gjetjeve arkeologjike ka një plor prej hekuri me një majë si konike pak të zgja tur; ka edhe kmesa e kiza, gjithashtu prej hekuri, vegla të njohura vreshtarësh. Bashkë me to, si pjesë përbërëse e takëmeve të bujkut ilir, janë edhe një thadër e një sqepar. Në shtresën kulturore të qytezës së Hollmit, që i përket shekujve III-I p. e sonë, tok me veglat bujqësore, në rrënojat e banesave janë gjetur edhe farëra gruri dhe urovi.

Vegla bujqësore janë gjetur edhe gjatë gërmimeve të bëra në rrënojat e qytezës ilire të Irmajt në rrethin e Gramshit. një qytezë që ngrihej mbi majën e një kodre që i kalonte 900 m lartësi mbi nivelin e detit. Inventari i veglave bujqësore të mbledhura gjatë gërmimeve përbëhet nga një kazmë, një drapër dhe pesë kosore, të gjitha punuar prej hekuri. Bashkë me to u gjet edhe një sqepar hekuri. Kosoret e qytezës ilire të Irmajt kanë trajta afërsisht të njëjta dhe fletë të gjerë. Ato ndryshojnë midis tyre vetëm nga përmasat; më e ruajtura dhe më e plota është 26,5 cm e gjatë. Por kosoret e qytezës ilire të Irmajt ndryshonin midis tyre dhe nga destinacioni i secilës vegël. Më të mëdhatë, më masivet, kanë qenë përdorur për punime të rënda, për hapjen e tokave të reja, për pastrimin e ngastrave, të cilat do të lëroheshin për të parën herë. Më të voglat u kanë shërbyer vreshtarëve e kopshtarëve për krasitjen e pemëve. Edhe kazma e zbuluar në rrënojat e kësaj qyteze ilire është masive dhe ka shërbyer për t’i bërë punime të thella tokës.

Veglat bujqësore të gjetura në qytezën e Irmajt tregojnë në mënyrë të qartë se bujqësia zinte një vend kryesor edhe në ekonominë e vendbanimeve malore ilire. Në kushtet e terrenit të thyer të rrethinës së kësaj qyteze, bujqësia dhe kulturat bujqësore u zhvilluan në brezaret e vetë kodrës së qytezës dhe të kodrave përreth.
Një koleksion i pasur veglash bujqësore është gjetur edhe në gërmimet e bëra në rrënojat e qytetit të lashtë Antigonea (Jerma., pranë fshatit Saraqinisht në rrethin e Gjirokastrës). Midis tyre ka një kazmë, një kazmë-sëpatë, një drapër, tri kosore, dy kiza, tri kosa dhe dy vegla gërmimi si bel, por me dy bishta. Bashkë me këto u gjet edhe ndonjë vegël blegtorësh. Me përjashtim të dy belave me dy bishta, veglat e tjera bujqësore të gjetura në rrënojat e qytetit të lashtë të Antigonesë kanë trajta të njohura në viset ilire.

Me një interes të veçantë për Antigonenë janë zbulimi i disa gropëzave të gdhendura në blloqe gëlqerore në trajtë paralelopipedi të vendosur në një lagje qendrore të qytetit, ku ka shumë të ngjarë të ketë qenë tregu kryesor. Gropëzat e hapura në sipërfaqen e blloqeve nuk kanë qenë tjetër veçse masa të ndryshme për shitjen e drithërave. Këto që u thanë dhe fakti që qyteti ka zotëruar një territor të gjerë bujqësor, ku ishte përfshirë edhe fusha poshtë në luginën e lumit Drino, deri në bashkimin e tij me Vjosën, e cila në burimet e shkruara të lashta është quajtur «fusha e Antigonesë», të çojnë edhe këtu te mendimi se bujqësia ka qenë një degë kryesore e ekonomisë së Antigonesë së Kaonisë.

Tani së fundi, në një kodër në fshatin Melgushë, afër Bushatit në rrethin e Shkodrës, janë gjetur dy kazma, dy vegla gërmimi masive në trajtë beli por me dy bishta, dy drapërinj, dy sëpata njëra prej të cilave dytefçe, një çekan e një turjelë. Të gjitha këto janë prej hekuri.
Të para një nga një veglat bujqësore të Melgushës bëhen edhe më interesante, sepse hedhin dritë mbi karakterin e bujqësisë tek ilirët që banuan aty. Depoja me vegla bujqësore e gjetur në Melgushë i përket një bujku ilir dhe veglat kanë qenë në përdorim që në shekujt III e II p.e. sonë, pra janë të një kohe para pushtimit romak. Dy kazmat kanë një trajtë të njohur dhe ndryshojnë njëra me tjetrën vetëm nga përmasat. Më e madhja, 30 cm e gjatë, është e rëndë e masive dhe ka shërbyer, me siguri, për hapje tokash të reja. Për hapjen e tokave të reja, për shkuljen e rrënjëve të drunjve të ndryshëm kanë qenë përdorur dy veglat në trajtë beli (Sipas dëshmive të etnografëve vegla të ngjashme janë përdorur deri vonë për shkuljen e rrënjëve). Ndryshojnë midis tyre edhe drapërinjtë dhe ndryshimi ka të bëjë me dendësinë e bimëve në arat; kështu drapëri me hark të hapur përdorej për të korrur arat ku gruri ishte i rrallë, kurse tjetri, më i lakuar, në arat me bimë të dendura. Për të parën herë gjendet në inventarin e një bujku një sëpatë dytefçe, po për të parën herë gjendet në inventarin e një bujku ilir një sëpatë masive e një tipi i cili do të bëhet i rëndomtë në shekujt e parë të erës sonë dhe deri në ditët tona.

Ndonëse numri i veglave bujqësore të gjetura në depon e Melgushës është i kufizuar, megjithatë, aty gjejmë veglat më kryesore të bujkut, vegla që kanë qenë përdorur në procese pune të ndryshme, por që njëkohësisht kallëzojnë për një bujqësi relativisht të zhvilluar të asaj kohe. Këtë zhvillim e ka favorizuar fusha shumë prodhuese që shtrihej para kodrës ku u zbulua depoja me vegla bujqësore.

Veglat bujqësore të shumëllojshme të përdorura nga ilirët flasin në të mirë të mendimit se ata kanë pasur një inventar të plotë almisesh bujqësore dhe se për punë të ndryshme kanë përdorur vegla të ndryshme. Duhet thënë gjithashtu se duke qenë vegla pune, që erdhën e u përsosën dalëngadalë gjatë shekujve, ato nuk pësuan veçse modifikime të vogla nga një shekull në tjetrin. Fakti që ato u përdorën në kohë të lashtë nga popuj të ndryshëm e ka vështirësuar shpeshherë datimin e saktë të tyre si edhe përcaktimin e përkatësisë etnike të përdoruesve të tyre. Pavarësisht nga këto vështirësi, një gjë është e sigurtë: veglat bujqësore të gjetura në gërmimet e ndryshme kanë qenë në përgjithësi prodhime të hekurpunuesve apo të kovaçëve ilirë. Në këtë kohë (shekujt IV-I p. e. sonë) ko- vaçët e punishtet zejtare të tyre kanë qenë një dukuri e zakonshme në Ilirinë e Jugut. Në qytetet e mëdha ka pasur punishte të profilizuara për prodhimin e veglave të veçanta. Në këto qytete dhe në të tjera të Ilirisë Jugore, ekzistonin asokohe forma të njëllojta të ekonomisë me vendet e tjera të Mesdheut dhe farkëtarët ilirë kishin po atë përvojë e mjete pune si bashkëzejtarët e tyre mesdhetarë. Tipet e shumëllojshme të veglave bujqësore, trajtat e përkryera të tyre, dëshmojnë edhe për një kulturë materiale ilire të zhvilluar.

 

Arkeologjia dhe Bujqësia, "8 Nëntori", Tiranë 1980
 

Skënder Anamali


Rregullorja e "Një libër për..."

Kreu I Dhurimet Të gjithë personat e interesuar janë të mirëpritur të dhurojnë një apo më shumë libra, të cilët do t’i përcillen shkollës së parapërzgjedhur. Emri i dhuruesit dhe librat e dhuruar do të regjistrohen në formularët përkatës nga vullnetari i ngarkuar me këtë detyr&...